Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml.nr.326/2022], të 27 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI25/23

Parashtruesit: Shpejtim Ahmeti

Shkarko:

KI25/23, Parashtrues: Shpejtim Ahmeti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml.nr.326/2022], të 27 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme

KI25-/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, publikuar më 5 korrik 2023

Fjalët kyçe: parashkrimi i ekzekutimit të dënimit; “vendimi final”; kërkesa jashtë afatit kohor

Më 26 mars 2003, parashtruesi i kërkesës u dënua me burgim prej 13 (trembëdhjetë) vitesh nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, për shkak të veprës penale të vrasjes, të cilin dënim e vërtetoi edhe Gjykata Supreme e Kosovës. Në vitin 2004 parashtruesi u lirua nga burgu dhe iu suspendua dënimi për shkaqe shëndetësore, dhe nuk u kthye më për vazhdimin e ekzekutimit të dënimit. Autoritetet lëshuan urdhër arrest ndërkombëtar, për shkak se parashtruesi ishte në arrati në shtetin e Gjermanisë. Në vitin 2022, parashtruesi paraqiti kërkesë në Gjykatën Themelore për pezullimin e dënimit, me pretendimin se ekzekutimi i dënimit ishte parashkruar. Kërkesa u refuzua nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit, të cilat arsyetuan se ekzekutimi i dënimit nuk ishte parashkruar sepse parashkrimi nuk kishte rrjedhë nga momenti kur parashtruesi nuk ishte kthyer për ta vazhduar ekzekutimin e dënimit.  Ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit parashtruesi paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit e hodhi poshtë si të papranueshme kërkesën, dhe arsyetoi se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të ushtrohej në procedurën e ekzekutimit të sanksioneve penale sepse nuk ishte e paraparë me ligj.

Parashtruesi pretendonte që gjykatat e rregullta ia shkelën të drejtat kushtetuese të garantuara me nenet: 23 [Dinjiteti i Njeriut], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit Në Raste Penale], 35 [Liria e Lëvizjes], të Kushtetutës, në lidhje me nenet: 6.1 [E drejta për një proces të rregullt], 7 [Nuk ka dënim pa ligj], 13 [E drejta për zgjidhje efektive], të KEDNJ-së.

Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, vendosi që “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike ishte vendimi i Gjykatës së Apelit, për shkak se kërkesa për mbrojtje e ligjshmërisë u refuzua nga Gjykata Supreme, sepse nuk ishte e lejuar sipas legjislacionit në fuqi. Gjykata vlerësoi se parashtruesi kishte përdorur një mjet juridik jo efektiv në lidhje me pretendimet e tij. Gjykata konstatoi se, vendimi i Gjykatës së Apelit u morë më 27 qershor 2022, ndërsa kërkesa në Gjykatë u dorëzua më 6 shkurt 2023, pas afatit kohor 4 (katër) mujor, të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht u shpall e papranueshme.

Parashtruesit:

Shpejtim Ahmeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale