Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0809-A0001 të 13 prillit 2023 dhe Aktvendimit AC-I-21-0123 të 2 dhjetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
Nr. të lëndës KI99/23
Parashtruesit: Hasan Fusha
Prishtinë, më 3 qershor 2024
Nr. Ref.: RK 2441/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI99/23
Parashtrues
Hasan Fusha
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit AC-I-21-0809-A0001 të 13 prillit 2023 dhe Aktvendimit AC-I-21-0123 të 2 dhjetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Hasan Fusha, nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Shaip Ramadani, avokat në Prizren.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023, në ndërlidhje me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021 (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimeve të lartcekura të Kolegjit të Apelit, me të cilat parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 maj 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila kërkesë arriti dhe u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) më 17 maj 2023.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.KSH.KI99/23], caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu – Krasniqi gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [Nr.GJR.KI99/23] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzie Istrefi - Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 2 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Sipas informacioneve të përfshira në kërkesë, rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në ndërmarrjen “D.L.B. Lavërtari-Blegtori” në Prizren, deri më 6 shtator 2013 kur i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të fillimit të procedurës së likuidimit të ndërmarrjes.
Në një datë të pasaktësuar, pranë Autoritetit të Likuidimit parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për kompensim të pagave për periudhën kohore nga viti 2004-2013.
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 23 mars 2015 përkatësisht më 3 prill 2015, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte nxjerrë dy vendime: (i) Vendimin nr. PRZ. 009-0214, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të kontratës së punës në shumën prej 1,463.56 euro; si dhe (ii) Vendimin PRZ. 009-0742, me të cilin ishte refuzuar kërkesa për kompensimin e pagave të papaguara në shumën prej 14,913.14 euro, për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013.
Më 16 prill 2015, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në DHPGJS kundër Vendimeve të lartcekura të Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Më 27 janar 2021, DHPGJS, përmes Aktgjykimit C-IV-15-0438, refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimet e Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte parashtruar prova se ka qenë punëtor aktiv në momentin e likuidimit të ndërmarrjes. Sipas gjykatës veprimet e Autoritetit të Likuidimit janë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe se pala e paditur nuk ka asnjë detyrim ndaj parashtruesit të kërkesës në lidhje me kompensimin e pretenduar me padi.
Më 15 shkurt 2021, parashtruesi i kërkesës paraqet ankesë pranë Kolegjit të Apelit, kundër Aktgjykimit të DHPGJS-së, duke pretenduar se ai është marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 24 shkurt 2021, DHPGJS i dërgoi parashtruesit të kërkesës një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore në shumë 30 €, duke i tërhequr vërejtjen atij se nëse nuk paguhet taksa gjyqësore për procedurë ankimore brenda periudhës 15 (pesëmbëdhjetë) ditore, ankesa e tij do të konsiderohet e tërhequr, sipas nenit 253, paragrafët 4 dhe 5 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) dhe nenit 6.4, 6.5 dhe 10.40 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore. Në këtë vërejtje parashtruesi i kërkesës ishte këshilluar se ka mundësi për paraqitjen e kërkesës për lirim nga taksa gjyqësore, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Parashtruesi i kërkesës nuk kishte paguar taksën gjyqësore, edhe pas vërejtjes në fjalë, edhe pse sipas shkresave të lëndës rezulton se vërejtja ishte pranuar nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës, më 1 mars 2021.
Më 2 dhjetor 2021, Kolegji i Apelit kishte nxjerr Aktvendimin AC-I-21-0123, përmes të cilit ankesën e parashtruesit të kërkesës e konsideron të tërhequr, për shkak se: (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka paguar taksën gjyqësore siç është kërkuar me njoftimin (vërejtjen) e 24 shkurtit 2021; dhe (ii) nuk ka paraqitur kërkesë për lirim nga taksa gjyqësore. Kolegji i Apelit mbështeti vendimin e tij në nenin 253, paragrafët 4 dhe 5, të LPK-së dhe nenet 3.1 dhe 2.4 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore i Këshillit Gjyqësor i Kosovës.
Në këtë Aktvendim, Kolegji i Apelit, ndër të tjera, arsyetoi se: “Në bazë të nenit 3.1 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përcaktimi i taksës gjyqësore për t’u paguar në kohën kur është paraqitur/parashtruar parashtresa është i bazuar në vlerën e kontestit, respektivisht në natyrën e parashtresës. Neni 2.4 i UA e përcakton se shprehja ‘parashtresë’ përdoret për padi, kundërpadi, ankesë, kundërshtim, kërkesë, revizion, propozim për ekzekutim”.
Më 8 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në DHPGJS propozim për kthim në gjendje të mëparshme. Në këtë propozim, parashtruesi argumentoi se “mospagimi me kohë i taksës gjyqësore për ankesë nuk paraqet bazë për të konstatuar se ankesa është tërhequr sepse e drejta në ankesë kundër aktgjykimit është e drejtë e pacenueshme”.
Më 13 prill 2023, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, përmes Aktvendimit AC-I-21-0809-A0001, e hodhi poshtë si të papranueshëm propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme. Kolegji i Apelit arsyetoi si në vijim:
“[...] Përfaqësuesi i paditësit, lëre që nuk jep asnjë arsyetim valid se pse nuk është bërë pagesa e taksës, apo pse nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë, por nuk ka ofruar asnjë provë në mbështetje të pretendimeve ankimore ndaj aktgjykimit të ankimuar të shkallës se parë. Në bazë të nenit 5.1 te Udhëzimit Administrativ te KGJK-se nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, "taksa duhet të paguhet me rastin e dorëzimit të parashtresës .... ". Neni 2.4 i këtij Udhëzimi qartëson se "parashtresë" do te thotë: padi, kundërpadi, ankesë, kërkesë, revizion, propozim për përmbarim”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023, dhe me Aktvendimin AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021 të Kolegji të Apelit, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se i është shkelur e drejta e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pasi thekson se: “Gjykata vendosi pa caktuar seancë dëgjimore në Kolegjin e Specializuar dhe në Kolegjin e Apelit, prandaj me aktgjykimin dhe aktvendimet e cekura, paditësit iu është shkelur e drejta e garantuar, neni 31 i Kushtetutës se Kosovës dhe neni 6 i KNDNJ”. Parashtruesi i kërkesës mendon se një gjykim i drejtë dhe i paanshëm është e drejtë e pacenueshme e tij, me theks të posaçëm se rasti është i përfshirë me pasiguri procedurale për mungesë të gjykimit të drejtpërdrejtë në seancë dëgjimore dhe se mos caktimin e seancës dëgjimore gjykata nuk e ka arsyetuar me asgjë.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 32 dhe 54 të Kushtetutës, përkatësisht të drejtës në ankesë, pasi që siç thekson ai: “Në kuptim te dispozitave te Ligjit për Dhomën e Posaçme, zbatohen përshtatshmërisht - mutatis mutandis dispozitat e LP Kontestimore. Mbi këtë baze, paditësi parashtroi ne gjykate edhe një kërkesë, qe Kolegji i Apelit te ndërmerr me te arsyeshmen e mundshme për vazhdimin e procedurës, e cila është përfunduar me Aktvendimin e Kolegjit Apeli AC.1.21.0123 date 02.12.2021, duke e konsideruar ankesën te tërhequr për mospagimin e taksës për ankese. Neni 77.2 i KPK përcakton mënyrën për tërheqjen e ankesës, ndërkaq neni 5.5.1 dhe 5.3, i UA për taksen, nr.1/2017, përcakton se mjeti i goditjes nuk mund te konsiderohet i tërhequr për taksen e papaguar. E drejta ne ankese është kategori kushtetuese, prandaj, ne këtë rast paditësi konsideron se me aktvendimet e Kolegjit te Apelit iu është prekur kjo e drejte e garantuar me kushtetutë, neni 32 dhe 54 i Kushtetutës”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të gjejë shkelje të nenit 31 dhe 54, dhe të anulojë Aktgjykimin [C-IV-15-0438] të DHPGJS-së, Aktvendimin e Kolegjit të Apelit, [AC-I-21-0123], të 2 dhjetorit 2021, dhe Aktvendimin [AC-I-21-0809-A0001], të 13 prillit 2023, të Kolegjit të Apelit.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[....]
Neni 32
[E Drejta Për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
(...)
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 253
[Përmbajtja e padisë]
[...]
253.4 Paditësi ka për detyrë që padisë t’ia bashkëngjis vërtetimin mbi taksën gjyqësore të paguar.
253.5 Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr.
Neni 468
[Lirimi nga pagimi i shpenzimeve]
[...]
468.3 Gjykata mund ta lirojë palën vetëm nga taksat gjyqësore po që se me pagimin e tyre do të pakësoheshin dukshëm mjetet për ushqimin e saj dhe të familjes së ngushtë të saj.
LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 9
Aktgjykimet, Aktvendimet dhe Ankesat
[...]
“14. Të gjitha aktgjykimet dhe aktvendimet e Kolegjit të Apelit janë të prera dhe nuk i nënshtrohen asnjë apeli tjetër.
15. Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të interpretohet ose zbatohet për të kufizuar ose për të tentuar për të kufizuar të drejtën kushtetuese të çdo personi për të paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me ligjin dhe rregullat procedurale për një kërkesë të këtillë, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të cilitdo vendim ose aktgjykim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme ose cilado gjykatë tjetër”.
[...]
UDHËZIMI ADMINISTRATIV NR. 01/2017 PËR UNIFIKIMIN E TAKSAVE GJYQËSORE
Neni 2
[Përkufizimet]
[...]
2.4 "Parashtresë" do të thotë padi, kundërpadi, ankesë, kundërshtim, kërkesë, revizion, propozim për përmbarim.
Neni 3
[Përcaktimi i taksave për parashtresat lidhur me kërkesat civile]
Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtresës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi (TTGJ)”.
Neni 5
[Mbledhja e taksave dhe pasojat e mos pagesës]
[...]
5.5 Pala duhet ta paguajë taksën në afatin e caktuar nga gjykatësi, gjegjësisht kryetari i trupit gjykues, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë. Nëse kjo taksë nuk paguhet në kohën e caktuar, gjykata zbaton procedurat e parapara, si në vijim:
5.5.1 Nëse taksa për parashtresë nuk paguhet deri në datën përfundimtare sipas këtij neni dhe kur nuk ekzistojnë kushtet për lirim nga detyrimi për pagesën e saj, gjykata do të hedh poshtë parashtresën me përjashtim të parashtresave lidhur me mjetet e goditjes.
Neni 8
[Lirimi nga pagesa e taksave]
8.1 Lirohen nga pagesa e taksës kategoritë e personave si në vijim:
8.1.1 personi i cili parashtron kërkesën që ka të bëjë me marrëdhënien e punës, përveç kërkesave në të holla.
8.1.2 personi me gjendje të vështirë ekonomike, nëse pagesa e taksës ndikon drejtpërdrejt në rrezikimin e ekzistencës së tij, respektivisht të anëtarëve të familjes së tij apo të personave tjerë të cilët varen nga ai.
[...]
8.3 Kategoritë e personave nga neni 8.1, për t’u liruar nga taksat duhet të sigurojnë këto prova:
8.3.1 dëshmi se ai/ajo është përfitues i ndihmës sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
8.3.2 dëshmi se ai/ajo është duke marrë ndihmë ligjore nga Zyra për Ndihmë juridike falas.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa Individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa Individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej 4 (katër) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, që përcakton:
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…]”.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se me vendimet e gjykatave të rregullta (gjegjësisht dy shkallëve gjyqësore të DHPGJS-së), atij i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata vë në dukje se edhe pse parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore konteston Aktvendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, i 13 prillit 2023, vendimi i fundit lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës është Aktvendimi AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021 i Kolegjit të Apelit.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023, parashtruesit të kërkesës i ishte hedhur poshtë kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme, kundër Aktvendimit AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021.
Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se në bazë të nenit 9 të Ligjit nr. 06/L-086 të DHPGJS-së, përcaktohet:
[...]
“14. Të gjitha aktgjykimet dhe aktvendimet e Kolegjit të Apelit janë të prera dhe nuk i nënshtrohen asnjë apeli tjetër.
15. Asnjë dispozitë e këtij ligji nuk do të interpretohet ose zbatohet për të kufizuar ose për të tentuar për të kufizuar të drejtën kushtetuese të çdo personi për të paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në pajtim me ligjin dhe rregullat procedurale për një kërkesë të këtillë, për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të cilitdo vendim ose aktgjykim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme ose cilado gjykatë tjetër”.
[...]
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, hodhi poshtë si të papranueshme, propozimin e parashtruesit për kthim në gjendje të mëparshme kundër Aktvendimit të Kolegjit të Apelit AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021, duke arsyetuar se:
“Përfaqësuesi i paditësit, lëre që nuk jep asnjë arsyetim valid se pse nuk është bërë pagesa e taksës, apo pse nuk ka bërë kërkesë për lirim nga kjo pagesë, por nuk ka ofruar asnjë provë në mbështetje të pretendimeve ankimore ndaj aktgjykimit të ankimuar te Shkallës së parë. Në bazë të nenit 5.1 te Udhëzimit Administrativ të KGJK-së nr. 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore, "taksa duhet te paguhet me rastin e dorëzimit te parashtresës ... ". Neni 2.4 i këtij Udhëzimi qartëson se "parashtresë" do të thotë: padi, kundërpadi, ankesë, kërkesë, revizion, propozim për përmbarim. Për këto arsye si me lartë, propozimi i paditësit për kthim në gjendje të mëparshme hedhet poshtë si i papranueshëm”.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se përveç kërkesës në Gjykatë Kushtetuese, Ligji për DHPGJS-në nuk mundëson asnjë mjet tjetër juridik për apelimin e vendimeve përfundimtare të Kolegjit të Apelit. Ky konstatim është konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI02/15, me parashtrues Qendra shoqërore, kulturore, sportive dhe ekonomike “Pallati i Rinisë”, Aktvendimi për papranueshmëri, i 18 majit 2015, paragrafi 29; KI120/17, me parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendimi për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 34; KI18/17 me parashtrues Isuf Bajrami, Aktvendimin për papranueshmërinë, i 19 prillit 2018, paragrafi 33; KI93/18, parashtrues: DPZ “Elektron”, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2019, paragrafi 31). Në të gjitha këto raste, Gjykata theksoi:
“[...] është tërësisht e qartë se vendimet e DHPGJS-së nuk mund të jenë objekt i asnjë lloj procedure të mëtutjeshme qoftë edhe gjyqësore, përveç objekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese”.
Në dritën e kësaj, Gjykata nuk do të lëshohet në vlerësimin e mëtutjeshëm të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se “vendimi përfundimtar” (mjeti i fundit efektiv juridik), sipas kuptimit të rregullit 34 (1) (c) dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, për rastin e parashtruesit të kërkesës, është Aktvendimi i Kolegjit të Apelit, AC-I-21-0123, i 2 dhjetorit 2021. Atëherë, Gjykata do të vlerësojë Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [ AC-I-21-0123], të 2 dhjetorit 2021, nëse plotëson kriteret e nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së Punës së Gjykatës.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-21-0123], ishte nxjerrë më 2 dhjetor 2021. Në bazë të shkresave të lëndës, vërehet se parashtruesi i kërkesës Aktvendimin në fjalë e ka pranuar më 8 dhjetor 2021, gjë që e ka cekur vetë në formularin e kërkesës. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij në postë, më 15 maj 2023, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.
Si pasojë, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-21-0123], të 2 dhjetorit 2021, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së: Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08) të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258; Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë, nr. 56080/13 të19 dhjetorit 2017, paragrafi 129; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI120/17, me parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendimi për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 39; KI115/20, parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për Papranueshmëri i 2 dhjetorit 2021, paragrafi 54).
Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së Sabri Gunes kundër Turqisë, aplikimi nr. 27396/06, e 29 qershorit 2012, paragrafi 39; shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese e kërkesës Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2020, paragrafi 42).
Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontrolli i tillë nuk është më i mundur (shih Vendimin e GJEDNJ-së Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, e 25 janarit 2000; shih gjithashtu Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Sabri Gunes kundër Turqisë, të cituar më lart, paragrafi 40; shih po ashtu edhe rastet e Gjykatës KI53/18, parashtrues i kërkesës Hajri Ramadani, Aktvendimi për papranueshmëri, i 29 nëntorit 2018, paragrafi 45; KI115/20, cituar më lart, paragrafi 56).
Prandaj, mbi bazën e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 29 prill 2024 njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Hasan Fusha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile