Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-1-22-0652-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 12 janarit 2023

Nr. të lëndës KI62/23

Parashtruesit: Masar Dushi

Shkarko:

Prishtinë, më 14 mars 2024

Nr. Ref.:​​ RK 2405/24

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI62/23

 

Parashtrues

 

Masar Dushi​​ 

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit​​ AC-1-22-0652-A0001​​ të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 12 janarit​​ 2023

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar.

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Masar Dushi nga Gjakova​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit​​ [AC-1-22-0652-A0001]​​ të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit​​ (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së)​​ të​​ 12 janarit​​ 2023​​ në lidhje me Aktvendimin​​ [C-III-22-0227] e Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së)​​ të 15 nëntorit​​ 2022.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimeve të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së,​​ përmes të cilave pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe​​ 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta),​​ si dhe me nenin​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut​​ (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, në nenin 22​​ (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale)​​ të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

  • Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi​​ pesëmbëdhjetë​​ (15)​​ ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka​​ shfuqizuar Rregulloren​​ e​​ punës së Gjykatës Kushtetuese nr. 01/2018.​​ Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë​​ para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • ​​ 13 mars​​ 2023,​​ parashtruesi i kërkesës, përmes postës, e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • ​​ 31 mars​​ 2023,​​ Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr.​​ GJR.​​ KI62/23],​​ caktoi gjyqtaren​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ gjyqtare raportuese, ndërsa​​ përmes Vendimit [nr.​​ KSH.​​ KI62/23]​​ caktoi​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi dhe​​ Safet Hoxha,​​ anëtarë.​​ ​​ 

 

  • Më 31​​ mars​​ 2023,​​ Gjykata​​ (i)​​ njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës;​​ dhe​​ (ii)​​ kërkoi nga ai të dorëzojë në Gjykatë Aktvendimin e kontestuar, si dhe të gjitha vendimet​​ e tjera që lidhen me rastin.​​ 

 

  • Të njëjtën ditë, Gjykata​​ njoftoi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit​​ (në tekstin e mëtejmë: Dhoma e Posaçme) për regjistrimin e kërkesës.​​ 

 

  • ​​ 12​​ prill​​ 2023,​​ parashtruesi i kërkesës​​ e​​ dorëzoi në Gjykatë Aktvendimin e kontestuar të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së.​​ 

 

  • ​​ 13 shkurt​​ 2024,​​ Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve të rastit​​ 

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës,​​ rezulton se parashtruesi i kërkesës, më 2 maj​​ 2019, ka​​ lidhur Kontratën e qirasë për lokalin​​ afarist me sipërfaqe prej 141 m² me Agjencinë Kosovare të Privatizimit​​ (në tekstin e mëtejmë: AKP),​​ si përfaqësuese e Ndërmarrjes Shoqërore NSH "Enti i Projektimit​​ - Ening".​​ Në pajtim me nenin​​ 1​​ pika​​ 1.2​​ të Kontratës, ishte paraparë që kontrata lidhet​​ për periudhën kohore prej 6 muajsh dhe se e njëjta mund të ripërtërihet në mënyrë automatike edhe për 6 muaj të tjerë, përveç nëse AKP si qiradhënëse​​ të parashtronte​​ një​​ njoftim paraprak për shkëputje të kontratës. Kontrata e qirasë është vazhduar përmes anekseve edhe tri herë nga parashtruesi i kërkesës dhe AKP. Më 5 dhe 6 prill 2022,​​ AKP inicioi procedurën e largimit të parashtruesit të kërkesës nga lokali afarist i lëshuar me qira. Parashtruesi i kërkesës, duke konsideruar se AKP​​ në mënyrë të kundërligjshme kishte ndërmarrë veprimin e largimit të tij, inicioi procedurën gjyqësore.​​ 

 

  • ​​ 15 prill​​ 2022,​​ parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ kërkesëpadinë në Gjykatën Themelore, në të cilën kërkoi:​​ i)​​ ekzekutimin e kontratës dhe kthimin e pronës-paluajtshmërisë në posedim të tij, si​​ dhe​​ ii)​​ caktimin e masës së sigurimit.​​ 

 

  • Më 24 prill​​ 2022,​​ Gjykata Themelore nxori Aktvendimin​​ [C. nr.​​ 456/2022],​​ përmes të cilit e kishte shpallur vetën jokompetente në pikëpamje lëndore për të vendosur lidhur me këtë çështje juridike, duke urdhëruar që shkresat e kësaj lënde të​​ dërgohen​​ në Dhomën e​​ Posaçme,​​ si gjykatë kompetente.​​ 

 

  • Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata Themelore theksoi: ​​ […]​​ sipas nenit 5 par. 1​​ - juridiksioni të Ligjit nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës është përcaktuar se, “Dhoma e Posaçme ka juridiksion ekskluziv për kërkesat dhe për të gjitha rastet si në vijim:​​ Çfarëdo pasurie apo pronë mbi të cilën Agjencia apo AKM-ja ka apo ka shpallur autoritetin administrativ, pronësinë e një Ndërmarrjeje​​ apo Korporate, pronësinë mbi kapitalin e një Ndërmarrjeje apo Korporate ose çfarëdo prone apo pasurie në posedim apo kontroll të një Ndërmarrjeje apo Korporate, nëse një e drejtë, titull apo interes i tillë pohohet të ketë lindur gjatë apo para kohës kur ajo Ndërmarrje apo Korporatë i është nënshtruar autoritetit administrativ të AKM-së apo Agjencisë”,​​ kurse në nenin 6 par.​​ 2.​​ pika 1.4 të këtij ligji, thuhet në mes tjerash​​ se: “I paditur, në procedurën para Dhomës së Posaçme është: (...)​​ një Ndërmarrje”.

 

  • Rrjedhimisht, në vazhdim të Aktvendimit të saj, Gjykata do t’i paraqesë faktet​​ e procedurës gjyqësore të zhvilluar pranë kolegjeve të​​ Dhomës së Posaçme. Në mbështetje të kësaj, Gjykata konstaton se kolegjet e Dhomës së Posaçme kanë vendosur vetëm​​ për propozimin e parashtruesit të kërkesës me të cilin ka kërkuar vendosjen e masës së sigurimit dhe rrjedhimisht Gjykata në vazhdim do t’i paraqesë faktet lidhur me këtë procedurë gjyqësore.​​ 

 

Procedura gjyqësore pranë​​ kolegjeve të Dhomës së Posaçme​​ 

 

  • Gjatë procedurës pranë Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, parashtruesi i kërkesës lidhur me propozimin për caktimin e masës së sigurimit, deklaroi:

 

“[…]​​ kërkoj që të paditurës, AKP, t’i ndalohet lëshimi me qira, përkatësisht lirimi i hapësirës së objektit – lokalit të administratës së Sh. A. “Enti i Projektimit Ening”,​​ me adresë rr. “Vëllezërit Frashëri” p. nr., në sipërfaqe prej​​ 141 m2,​​ për personat e tretë, apo lidhja e kontratës së qirasë për të njëjtin objekt me subjektet e treta, deri në zgjidhjen përfundimtare gjyqësore të kësaj çështje”.​​ 

 

  • Në përgjigje ndaj propozimit të parashtruesit të kërkesës, AKP-ja​​ theksoi:​​ ​​ 

 

“Paditësi nuk i është përmbajtur aneksit të kontratave të lartcekura dhe ka shfrytëzuar në mënyrë të parregullt për një periudhë të gjatë lokalin e NSH “Enti i Projektimit Ening“ (në likuidim),​​ duke mos e paguar qiranë me rregull për muajt​​ kalendarik. Paditësi ka shkelur nenin​​ 2.1​​ të kontratës së nënshkruar, duke mos përmbushur detyrimet kontraktuale në të cilat ka hyrë. AKP, më dt.​​ 03.02.2021, 04.03.2021, 12.05.2021, 08.06.2021, 06.07.2021,​​ i dorëzoi paditësit si shfrytëzuesit të parregullt, kërkesën për pagesën e detyrimeve të qirasë,​​ së bashku me faturat. Përkundër njoftimeve dhe shkresave të vazhdueshme, paditësi asnjëherë nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve...”.

 

  • Më 15 nëntor​​ 2022,​​ Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së​​ nxori Aktvendimin​​ [C-III-22-0227],​​ përmes të cilit​​ e​​ refuzoi propozimin e parashtruesit për caktimin e masës së sigurimit si të pabazuar. Në arsyetimin e Aktvendimit të tij, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së, theksoi:​​ 

 

“Në pajtim me nenin 61.1 të DHPGJS mund të nxjerrë masën e sigurimit me kusht që parashtruesi të jep prova të besueshme se do të ketë dëme të menjëhershme dhe të pariparueshme për palën nëse nuk miratohet masa e sigurimit. Sipas nenit​​ 61.1,​​ dëmi konsiderohet i “pariparueshëm” vetëm nëse nuk të zhdëmtohet në mënyrë të arsyeshme me anë të një kompensimi financiar. Për më tepër padia do të konsiderohej si e bazuar.​​ ​​ 

 

Andaj pala duhet të ofrojë prova të besueshme se do të rezultojë me dëmtim të menjëhershëm dhe të pariparueshëm financiarisht nëse nuk miratohet kërkesa. Këto kritere janë përcaktuar në atë mënyrë që nëse ndonjëra nga të mësipërmet mungon, kërkesa do të refuzohet. Barra e provave bien mbi paditësin.​​ ​​ 

 

Gjykata është e mendimit se paditësi ka dështuar që t’i ofrojë gjykatës prova që kërkohen lidhur me rrezikun e shkaktimit të çfarëdo dëmi. Për më tepër paditësi ka dështuar që t’i ofroj gjykatës prova të besueshme se dëmtimi i menjëhershëm dhe i pariparueshëm do të rezultonte nëse nuk do të lëshohet masa e sigurimit”.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës paraqiti​​ ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së kundër Aktvendimit​​ [C-III-22-0227]​​ të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së,​​ për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes​​ esenciale të dispozitave procedurale dhe zbatimit të​​ gabuar të së drejtës materiale, duke propozuar që ankesa e paditësit të aprovohet si e bazuar dhe Aktvendimi i kontestuar të anulohet, si dhe të caktohet masa e sigurimit.​​ 

 

  • Më 12 janar​​ 2023,​​ Kolegji i Apelit i DHPGJS-së nxori Aktvendimin​​ [AC-I-22-0652-A0001]​​ përmes të cilit e refuzoi, si të pabazuar, ankesën e parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në arsyetimin e Aktvendimit të tij, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së theksoi:

 

“Kriteret se kur duhet të lëshohet Masa e Sigurisë përcaktohen në nenin​​ 61.1​​ të Ligjit për Dhomën e Posaçme: Pala duhet të ofrojë dëshmi të besueshme se do të rezultojë me humbje dhe dëmtim të drejtpërdrejtë dhe të pariparueshëm nëse nuk miratohet kërkesa. Këto kritere janë përcaktuar në atë mënyrë që nëse ndonjëra nga të mësipërmet mungon, kërkesa do të refuzohet.​​ 

 

Në lëndën në fjalë, paditësi/ankuesi nuk ka dëshmuar probabilitet të lartë mbi të drejtën e pretenduar dhe se mund të ndodhë dëmi i menjëhershëm dhe i pariparueshme ndaj të drejtës së pretenduar, nëse nuk lëshohet masa e sigurisë: veçanërisht, as me kërkesën për masë të sigurimit e as me ankesë ai nuk ka ofruar dokumente apo dëshmi në mbështetje të kërkesës së tij. Ai nuk ka parashtruar titull pronësor ndaj pronës kontestuese, për të cilat ai kërkon që të ndalohet dhënia me qira si dhe dëmi që mund të shkaktohet nga dhënia me qira, personit të tretë, kur nga shkresat e lëndës të parashtruara nga AKP-ja vërtetohet se i njëjti nuk ka përmbushur kushtet e kontratës dhe se gjithashtu në një situatë të​​ tillë kontratat do të shkëputet.​​ Andaj mund të konstatohet se paditësi edhe gjatë procedurës ankimore megjithëse kishte barrën e provës, ka dështuar të sjellë dëshmi me të cilat do të provohej ekzistimi i probabilitetit të lartë për të drejtat e pretenduara pronësore”.​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ me​​ aktvendimet e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së dhe Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së i janë shkelur​​ të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 dhe​​ 54​​ të Kushtetutës, si​​ dhe me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Në mbështetje të​​ pretendimeve për shkeljen e​​ këtyre të drejtave, parashtruesi i kërkesës deklaron:​​ 

 

“E drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar, hyn në kuadër të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në kuadër të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. As vendimi gjyqësor i shkallës së parë, e as ai i shkallës së dytë nuk përmbushin kriteret dhe standardet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar, sepse në të nuk përfshihen argumente bindëse mbi faktet e natyrës vendimtare lidhur me këtë çështje.​​ 

 

Nëse analizojmë aktvendimet që atakohen në këtë Gjykatë, në të dyja rastet kemi të bëjmë me mungesë të theksuar të një reference ligjore mbi bazën e të cilës shkalla e parë dhe e dytë kanë refuzuar propozimin e paditësit - këtu parashtruesit për caktimin e masës së sigurisë. Mungesa e bazës ligjore në vete ngërthen paarsyeshmërinë e një vendimi gjyqësor dhe se çdo palë në procedurë ka të drejtë që të ketë të qartë se pse i është njohur përkatësisht refuzuar një e drejte e caktuar. Në rastin konkret aktvendimet e atakuara nuk përmbushin këtë kriter kushtetues, e që ka të bëj me obligimin e autoriteteve shtetërore për një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe të drejtë”.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata​​ që të shpallë të pranueshme kërkesën e tij, të konstatojë se ka pasur shkelje të neneve 31 dhe​​ 54​​ të Kushtetutës, si dhe nenit​​ 6​​ të KEDNJ-së, të shpallë si jokushtetuese​​ aktvendimet e kontestuara dhe të kthejë rastin në rivendosje.​​ 

 

Dispozitat përkatëse kushtetuese​​ 

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës​​ 

 

Neni​​ 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • “Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

[...]”

 

Neni​​ 54

[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

 

“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë [...]”.​​ 

 

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT​​ 

 

Neni​​ 6

(E drejta për një proces të rregullt)

 

1.​​ Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.​​ [...]“.

 

Dispozitat përkatëse ligjore​​ 

 

LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME PËR ÇËSHTJE QË LIDHEN ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT​​ 

 

KAPITULLI​​ XV​​ 

MJETET E PËRKOHSHME JURIDIKE​​ 

 

Neni​​ 61​​ 

Masat e sigurimit

 

  • “Pas parashtrimit të propozimit nga njëra palë, Dhoma e Posaçme mund të caktojë një masë të sigurimit me kusht që parashtruesi jep prova të besueshme për ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij dhe se do të ketë dëme të menjëhershme dhe të pariparueshme për palën nëse nuk miratohet masa e sigurimit. Dëmi konsiderohet si i “pariparueshëm” vetëm nëse nuk mund të zhdëmtohet në mënyrë të arsyeshme me anë të një kompensimi financiar. Propozimi për caktimin e masës së sigurimit duhet dorëzuar së bashku me kërkesën, ose nëse dorëzohet pas parashtrimit të një kërkesë/padie, atëherë ajo duhet t’i referohet asaj kërkese / padie”.​​ 

 

  • Dhoma e Posaçme mund të nxjerrë një vendim lidhur me propozimin për caktimin e masës së sigurimit pa mbajtjen e seancës dëgjimore dhe pasi që pala tjetër të ketë pasur mundësinë për të paraqitur argumentet kundërshtuese me shkrim. Kur ekzistojnë rrethana urgjente që detyrojnë Dhomën e Posaçme të veprojë menjëherë lidhur me propozimin, atëherë Dhoma e Posaçme mund të nxjerrë një​​ vendim për propozimin për caktimin e masës së sigurimit pa ia dorëzuar propozimin palës tjetër. Masa e sigurimit caktohet vetëm për një periudhë kohore të caktuar dhe mund të zgjatet pas parashtrimit të kërkesës.​​ 

[...]”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës​​ 

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, që përcaktojnë:​​ ​​ 

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  • Përveç kritereve të lartpërmendura, Gjykata i referohet edhe kritereve të pranueshmërisë, siç janë përcaktuar në Ligj.​​ Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve​​ 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe​​ 49 (Afatet)​​ të Ligjit, që parashikojnë:​​ 

 

Neni​​ 47

(Kërkesa individuale)

 

“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.​​ 

 

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.​​ 

 

Neni​​ 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni​​ 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.

 

  • Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës: (i)​​ është palë e autorizuar; (ii)​​ konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin​​ [AC-1-22-0652-A0001]​​ e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 12 janarit 2023;​​ ​​ (iii)​​ i ka​​ shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion në pajtim me ligjin;​​ (iv)​​ ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai konsideron se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit​​ 48​​ të Ligjit; si dhe​​ (v)​​ ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin ligjor të​​ përcaktuara në nenin​​ 49​​ të Ligjit.​​ ​​ ​​ 

 

  • Përveç kësaj,​​ Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin​​ 34 (Kriteret e pranueshmërisë)​​ të Rregullores së punës. Rregulli​​ 34 (2)​​ i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar, ku specifikohet që:

​​ 

“(2)​​ Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyre të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.​​ 

 

  • Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin​​ (2)​​ të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës​​ (shih rastet e Gjykatës KI04/21, me parashtruese​​ Nexhmije Makolli,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit​​ 2021, paragrafi 26; dhe​​ KI175/20, me parashtruese​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit​​ 2021,​​ paragrafi 37).

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si​​ qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohemi të njëjtave, si​​ pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i)​​ pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii)​​ pretendime që karakterizohen me një​​ mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii)​​ pretendime​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv)​​ pretendime​​ konfuze dhe të paqarta.

 

  • Në këtë kontekst, dhe në vazhdim, për të vlerësuar pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht, për të vlerësuar nëse në rrethanat e këtij rasti kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit​​ të kërkesës. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilat, në bazë të nenit 53​​ [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]​​ të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.​​ ​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës kishte lidhur një kontratë për dhënien me qira të lokalit afarist me AKP. Megjithatë, AKP-ja, siç pretendon parashtruesi i kërkesës, ndërmori veprimet për largimin e tij pa njoftimin për shkëputje të kontratës. Parashtruesi i kërkesës, pikërisht duke konsideruar se një veprim i tillë i AKP-së është në kundërshtim me ligjin dhe me dispozitat e kontratës për dhënie me qira, inicioi procedurën gjyqësore me kërkesëpadi, në të cilën ka kërkuar,​​ i)​​ ekzekutimin e kontratës dhe kthimin e pronës-paluajtshmërisë në posedim, dhe​​ ii)​​ caktimin e masës së sigurimit ndaj lokalin afarist në fjalë.​​ 

 

  • Megjithatë, në bazë të shkresave të lëndës është evidente se gjykatat në rastin konkret vendosën vetëm për​​ ii)​​ propozimin për caktimin e masës së sigurimit,​​ dhe me këtë është me rëndësi të theksohet se procedurat​​ e​​ zhvilluara​​ para​​ gjykatave të​​ rregullta hyjnë në fushëveprimin e​​ “procedurave​​ paraprake”, përkatësisht​​ Aktgjykimi i​​ kontestuar i​​ Gjykatës Supreme ka të bëjë me kërkesën e parashtruesit për shtyrjen e përmbarimit të vendimit të ZRRE-së, derisa Gjykata Themelore​​ të mos​​ vendosë​​ me vendim të plotfuqishëm (shqyrtimi i meritave) sipas padisë së tij. Në përputhje me këtë, Gjykata do të vlerësojë​​ nëse,​​ në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës​​ është i zbatueshëm​​ neni 31 i Kushtetutës,​​ lidhur​​ me nenin 6 të KEDNJ-së.​​ 

 

  • ​​ këtë​​ kontekst specifik, Gjykata vëren se​​ çështja e zbatueshmërisë së​​ nenit 6 të​​ KEDNJ-së​​ ​​ procedura paraprake​​ është​​ interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikës së​​ saj gjyqësore,​​ sipas së cilës,​​ në përputhje​​ me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të​​ Drejtat​​ e Njeriut] të​​ Kushtetutës,​​ Gjykata është​​ e obliguar të​​ interpretojë​​ ​​ drejtat e njeriut dhe liritë​​ themelore të​​ garantuara me Kushtetutë.​​ 

 

  • Gjykata vë​​ po ashtu në​​ pah, se kriteret përkitazi me​​ zbatueshmërinë​​ e nenit 31 të​​ Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake​​ në procedurën administrative​​ janë​​ ​​ përcaktuara​​ edhe në​​ rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë,​​ por duke mos u kufizuar në​​ rastet​​ KI195/20, me parashtruesin e kërkesës​​ Aigars Kesengfelds, Aktgjykim i 29 marsit 2021;​​ KI 75/21, me parashtruesit e kërkesës​​ „Abrazen SHPK“, „Energy Development Group Kosova​​ SHPK​​ “, „Alsi & Co. Kosovo​​ SHPK​​ “​​ dhe​​ „Building Construction​​ SHPK“,​​ Aktgjykim i​​ 19​​ janarit​​ 2022;​​ KI202/21, me parashtruesin e kërkesës​​ Kelkos Energy​​ SHPK,​​ Aktgjykim i​​ 29​​ shtatorit​​ 2022, dhe​​ KI143/22​​ me parashtruesin e kërkesës​​ Hidroenergji​​ SHPK,​​ Aktgjykim i​​ 15​​ dhjetorit​​ 2022.​​ Parimet e përgjithshme, të cilat Gjykata i ka zbatuar në vendimet e lartpërmendura janë të mbështetura në rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef​​ kundër​​ Maltës, Aktgjykim i 15​​ tetorit 2009.​​ 

 

  • Bazuar ne praktikën​​ gjyqësore të​​ GJEDNJ-së, Gjykata​​ thekson​​ se jo të​​ gjitha masat e sigurisë apo​​ masat e përkohshme përcaktojnë​​ ​​ drejta ose detyrime civile dhe në​​ mënyrë​​ ​​ neni 6 i KEDNJ-së​​ ​​ konsiderohet i zbatueshëm,​​ KEDNJ​​ ka përcaktuar​​ kritere mbi bazën e të​​ cilave duhet te vlerësohet​​ zbatueshmëria​​ e nenit 6 të​​ KEDNJ-së​​ ​​ ''procedurat paraprake"​​ (shih, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef​​ kundër Maltës, cituar më​​ lart, paragrafët 83-86).

 

  • Sipas kritereve të​​ përcaktuara​​ ​​ rastin​​ Micallef kundër Maltës, të​​ cilat kritere edhe kjo Gjykatë​​ i​​ ka​​ pranuar​​ përmes praktikes gjyqësore.​​ 

 

  • ​​ pari, e drejta në​​ fjalë​​ duhet të​​ jetë​​ "civile", në kuptimin e KEDNJ-së,​​ si në​​ shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe në​​ procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të​​ këtij nocioni sipas nenit 6 të​​ KEDNJ-së;​​ dhe​​ 

  • ​​ dyti, kjo procedurë​​ duhet të​​ përcaktojë​​ ​​ mënyrë​​ efektive të​​ drejtën civile përkatëse (shih, në​​ këtë​​ kontekst, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më​​ lart, paragrafët 84 dhe 85 dhe referencat e përmendura aty).

 

  • Në përputhje me këtë, në mënyrë që të përcaktojë se a zbatohet në rastin konkret neni 31 i Kushtetutës, lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata do t’iu referohet parimeve të përgjithshme​​ të përcaktuara me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës në aspektin e zbatueshmërisë së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe më pastaj të njëjtat do t’i zbatojë në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Gjykata rikujton se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës ka iniciuar procedurën gjyqësore me kërkesëpadi, në të cilën ka kërkuar, i) ekzekutimin e kontratës dhe kthimin e pasurisë-paluajtshmërisë në posedim, dhe ii) caktimin e masës së sigurisë në lokalin afarist në fjalë.

 

  • Lidhur me këtë, Gjykata fillimisht vëren se thelbi i së drejtës lëndore në procedurën kryesore (shqyrtimin e meritave) është i lidhur me ekzekutimin e detyrimeve kontraktuale. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se e drejta lëndore si në merita ashtu edhe në procedurën paraprake në rrethanat e rastit konkret përfshin të drejtën​​ e natyrës civile.

 

  • Së dyti, Gjykata po ashtu vëren se çështjen e caktimit të masës së sigurisë në lokalin afarist në fjalë, në të vërtetë e përcakton në mënyrë efektive e drejta civile në fjalë.

 

  • Në përputhje me këtë, duke pasur parasysh të drejtën e përfshirë në​​ “procedurat paraprake”, përkatësisht masën e përkohshme dhe natyrën e saj vendimtare për të drejtën civile në fjalë, Gjykata gjen se rrethanat e rastit konkret përmbushin kriteret për zbatimin e garancive procedurale​​ të cilat i përmban neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Si rezultat i kësaj, Gjykata gjen se kërkesa e parashtruesit është​​ rationae materie​​ në përputhje me Kushtetutën.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata, duke​​ shqyrtuar më konkretisht pretendimet e parashtruesit të kërkesës në kontekst të shkeljes së nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, gjen se​​ shkeljen​​ e​​ pretenduar të​​ Kushtetutës parashtruesi i​​ kërkesës e​​ ndërlidh me “mungesën e referencës ligjore mbi bazën e të cilës të dy kolegjet e Dhomës së Posaçme kanë refuzuar propozimin e tij për caktimin e masës së sigurisë.​​ 

 

  • Prandaj, nga pretendimet e parashtruesit të kërkesës, është evidente se shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, ai e ndërlidh me vendimet e paarsyetuara të dy kolegjeve të Dhomës së Posaçme.​​ Rrjedhimisht, Gjykata rikujton se neni 6 paragrafi 1, obligon gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin argument​​ të paraqitur​​ (shih rastet e GJEDNJ-së,​​ Van de Hurk​​ kundër Holandës, nr.​​ 16034/90,​​ Aktgjykim i​​ 19​​ prillit 1994, paragrafi​​ 61;​​ García Ruiz​​ kundër Spanjës, nr.​​ 30544/96,​​ Aktgjykim i​​ 29​​ janarit​​ 1999, paragrafi​​ 26;​​ Perez kundër Francës,​​ nr.​​ 47287/99, Aktgjykim i​​ 12​​ shkurtit 2004, paragrafi​​ 81).​​ 

 

  • Për më tepër, e drejta për një vendim të arsyetuar është pjesë e pandashme e së drejtës për një gjykim të drejtë, e cila i detyron gjykatat të arsyetojnë vendimet e tyre, sepse mungesa e arsyeve të mjaftueshme dhe relevante në vendimin e gjykatës mund të tregojë, ndër të tjera, vendimmarrje arbitrare gjyqësore. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjykatat janë të detyruara t’i përgjigjen në mënyrë të detajuar çdo argumenti të paraqitur nga palët në procedurë, përkatësisht në ankesa ose parashtresa të tjera përkatëse, por duhet t’u përgjigjen atyre argumenteve që janë kyçe dhe vendimtare për marrjen e një vendimi​​ (shih, GJEDNJ,​​ Ajdarić kundër Kroacisë,​​ Aktgjykim i 13 dhjetorit​​ 2011,​​ kërkesa numër​​ 20883/09,​​ paragrafi​​ 34).

 

  • Gjykata, duke i​​ sjellë​​ standardet​​ e lartpërmendura​​ në kontekstin e rrethanave të rastit konkret, në vlerësimin​​ nëse në Aktvendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së​​ mungojnë referencat ligjore,​​ para së gjithash,​​ konstaton se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së e bazoi Aktvendimin e tij për refuzimin e propozimit​​ për caktimin e masës së sigurimit​​ në dispozitën ligjore të nenit 61.1 të Ligjit nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: Ligji).​​ 

 

  • Gjykata rikujton se neni​​ 61.1​​ i Ligjit, të cilit i referohet Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së,​​ përcakton qartë kushtet që duhet të plotësohen në mënyrë që propozimi për caktimin e masës së sigurimit të jetë i bazuar. Prandaj, me rastin e marrjes së aktvendim për caktimin e masës së sigurimit, propozimi duhet të plotësojë dy kushte, përkatësisht​​ a). që propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës, dhe b). ekziston rreziku se pa caktimin e masës së tillë kundërshtuesi i sigurimit do të mund të pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit. Prandaj, neni​​ 61.1​​ parasheh kushte kumulative që duhet të plotësohen nga propozuesi.​​ ​​ 

 

  • Pikërisht në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së, me rastin e vlerësimit të përmbushjes së kushteve kumulative të propozimit të parashtruesit të kërkesës, konkludoi se​​ paditësi ka dështuar që t’i ofrojë gjykatës prova që kërkohen lidhur me rrezikun e shkaktimit të çfarëdo dëmi. Për më tepër paditësi ka dështuar që t’i ofroj gjykatës prova të besueshme se dëmtimi i menjëhershëm dhe i pariparueshëm do të rezultonte nëse nuk do të lëshohet masa e sigurimit”.

 

  • Pikërisht me këtë konkluzion pajtohet edhe Gjykata, për arsye se barra e provës përmes së cilës dëshmohet bazueshmëria e​​ propozimit për caktimin e masës së sigurisë bie mbi parashtruesin e kërkesës, por ai, sipas konkluzionit të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, qartazi nuk e bëri këtë. Në situatën konkrete, rezulton se nuk ekziston asnjë lidhje funksionale ndërmjet masës së propozuar të sigurimit​​ dhe dëshmive të propozuara për ekzistimin e bazueshmërisë së propozimit të parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Megjithatë, Gjykata duhet të theksojë edhe një nga konstatimet e saj, se është më se e qartë se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së bëri vlerësimin e përmbushjes së​​ të dy kushteve kumulative të përcaktuara me nenin​​ 61.1​​ të Ligjit, gjë që sigurisht mund të atribuohet si një qasje pozitive, edhe pse gjykata vetvetiu nuk ka detyrim të vlerësojë përmbushjen e kushtit të dytë nëse konstaton se propozimi nuk e plotëson kushtin e parë të nenit​​ 61.1​​ të Ligjit.​​ 

 

  • Duke pasur parasysh atë që u tha më sipër dhe dispozitat ligjore të cituara, nga pikëpamja e kësaj Gjykate, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së,​​ me rastin e marrjes së aktvendimit për refuzimin e propozimit të parashtruesit të kërkesës, ka zbatuar në mënyrë të drejtë të drejtën materiale,​​ dhe si rrjedhojë konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës se në aktvendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së “mungojnë referencat ligjore”​​ janë të pabazuara.​​ 

 

  • Gjykata,​​ më tej,​​ duke shqyrtuar me kujdes Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së nga aspekti i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, vëren se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka sqaruar​​ në Aktvendimin e tij se kriteret për vendosjen e masave të sigurimit përcaktohen me nenin​​ 61.1​​ ​​ Ligjit për Dhomën e Posaçme, duke deklaruar se​​ "Pala duhet të ofrojë prova të besueshme se do të rezultojë me dëmtim të menjëhershëm dhe të pariparueshëm financiarisht nëse nuk miratohet kërkesa“,​​ dhe se këto kritere janë përcaktuar në atë mënyrë që nëse ndonjëra nga të mësipërmet mungon, kërkesa do të refuzohet.​​ 

 

  • Megjithatë, Gjykata konstaton se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së në Aktvendimin e tij jo vetëm që ka përsëritur gjetjet e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe i është referuar dispozitës ligjore të nenit​​ 61.1​​ të Ligjit, por ka shkuar edhe një hap më​​ tej, duke deklaruar në mënyrë të prerë se​​ në çfarë mënyre​​ nuk është plotësuar kushti i parë i nenit​​ 61.1​​ të Ligjit, më konkretisht, se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur bashkëngjitur​​ me propozimin e tij i)​​ dokumentet​​ ose provat​​ në mbështetje të kërkesës​​ së tij, ii) të drejtën e pronësisë mbi pronën kontestuese për të cilën ai kërkon të ndalohet dhënia e saj me qira, iii) nuk ka dëshmuar dëmin që mund t’i shkaktohet me dhënien e saj me qira personit të tretë.​​ ​​ 

 

  • Pavarësisht nga fakti se Gjykata konsideron se një qasje e tillë e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së është mjaft e kënaqshme dhe se ajo i plotëson të gjitha kushtet e vendimit të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me nenin​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, ajo duhet të theksojë një qëndrim tjetër pozitiv të Kolegjit të Apelit, përkatësisht​​ se​​ ai në përfundimin e Aktvendimit i referohet edhe praktikës së tij gjyqësore të vendosur në raste të ngjashme, duke treguar në mënyrë të qartë numrat e vendimeve dhe aktvendimeve të tij.​​ 

 

  • Andaj, Gjykata, edhe kur bëhet fjalë për Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, se edhe në të njëjtin​​ “mungojnë referencat ligjore”​​ janë të pabazuara, gjë që mund të shihet edhe në bazë të konstatimit të paraqitur të Gjykatës.​​ 

 

  • Si përfundim, Gjykata konsideron se në procedurën e zhvilluar nga kolegjet e Dhomës së Posaçme sipas propozimit për caktimin e​​ masës së sigurimit, nuk ka pasur shkelje të të drejtave​​ të garantuara me nenin​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, në kontekst të vendimeve të arsyetuara, për të gjitha arsyet e lartpërmendura.​​ 

 

  • Prandaj, Gjykata konkludon​​ se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në tërësinë e saj, për arsye se pas analizës është konstatuar se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë​​ (iii)​​ të pretendimeve​​ “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe rrjedhimisht, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin​​ (2)​​ të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, kërkesa, në baza kushtetuese, duhet të refuzohet si e papranueshme, siç parashihet me nenin​​ 113 (7)​​ të Kushtetutës, përcaktohet me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe​​ specifikohet më tej me rregullin 34​​ (2)​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

Përfundim​​ 

 

  • Në fund, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit​​ 31​​ të Kushtetutës kualifikohen si pretendime​​ ​​ shkallës së katërt​​ dhe​​ si të tilla këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetues. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin​​ (2)​​ të rregullit​​ 34​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe​​ 113.7​​ të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin​​ 34​​ (2)​​ të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më​​ 13​​ shkurt​​ 2024,​​ njëzëri​​ 

 

VENDOS​​ 

 

  • TE DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin​​ 20.4​​ të Ligjit; dhe​​ 

 

  • Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtime me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ ​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu - Krasniqi Gresa Caka-Nimani​​ 

 

Parashtruesit:

Masar Dushi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile