Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ.UZVP.Nr.74/21], i 28 korrikut 2021

Nr. të lëndës KI202/21

Parashtruesit: “Kelkos Energy” sh.p.k

Shkarko:

KI202/21, Parashtrues:  “Kelkos Energy” sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ.UZVP.Nr.74/21], i 28 korrikut 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, legjitimiteti procedural, masë e sigurisë, masë e përkohshme, procedurë paraprake

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me vendimet e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), të cilat i kishin njohur të drejtën parashtruesit të kërkesës për zhvillim të veprimtarisë së prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme përmes hidrocentraleve, bazuar në ligjet: nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës, nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike. Megjithatë, një qytetar, përkatësisht, F.S., paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimeve të lartcekura dhe duke kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme, përkatësisht, shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të lartcekura deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.

Gjykata Themelore fillimisht kishte aprovuar propozimin e F.S., por Gjykata e Apelit, pas ankesës së MEA-së dhe ZRRE-së, kishte kthyer çështjen në rivendosje në Gjykatën Themelore. Kjo e fundit sërish kishte miratuar kërkesën e F.S., të cilit iu kishin bashkuar edhe dy qytetarë të tjerë, për të pezulluar ekzekutimin e vendimeve të kontestuara deri në zgjidhjen meritore të çështjes.  Megjithatë, Gjykata e Apelit, kësaj radhe kishte prishur vendimin e Gjykatës Themelore dhe kishte vendosur në favor të ankesës së MEA-së dhe ZRRE-së, respektivisht, duke e shfuqizuar masën e përkohshme përkatëse. Pas kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, kjo e fundit hodhi poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore, duke kthyer në fuqi masën e përkohshme, përkatësisht pezullimin e vendimeve të kontestuara të MEA-së dhe ZRRE-së, deri në vendimmarrjen përfundimtare të gjykatave të rregullta përkitazi me ligjshmërinë e vendimeve të kontestuara.

Para gjykatave të rregullta, në thelb, kontestuese ishin plotësimi i kritereve të neneve 10 (Pa titull), 22 (Pa titull) dhe 34 (Pa titull) të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative, përkatësisht nëse, (i) paditësi F.S. kishte legjitimitet aktiv për të kontestuar vendimet e MEA-së dhe ZRRE-së, përfshirë nëse i njëjti ishte afektuar drejtpërdrejtë nga këto vendime, dhe për pasojë, varësisht nga ky konstatim, padia duhej hedhur poshtë ose jo; dhe nëse në rrethanat e rastit konkret, (ii) ekzekutimi i vendimit do t’i sillte paditësit F.S. dëm i cili vështirë do të riparohej dhe i njëjti nuk do të ishte në kundërshtim me interesin publik; si dhe (iii) shtyrja nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht parashtruesit të kërkesës. Në shtjellimin e këtyre çështjeve, mendimi dhe arsyetimi i Gjykatës Themelore dhe Supreme dallonte substancialisht nga ai i Gjykatës së Apelit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mes tjerash, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sidomos në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Supreme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut  përkitazi me arsyetimin e vendimeve gjyqësore, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në këtë aspekt, Gjykata konstatoi që, Gjykata Supreme, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm përkitazi me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve të MEA-së dhe ZRRE-së, dhe as nuk kishte shqyrtuar nëse pala paditëse kishte legjitimitet procedural, siç kërkohet me dispozitat përkatëse të Ligjit për Konfliktet Administrative. Për më tepër, dhe përkundër faktit që mungesa e trajtimit të këtyre dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative ishte ngritur në mënyrë të vazhdueshme nëpër instanca gjyqësore, përmes ankesave përkatëse nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata Supreme thjeshtë kishte miratuar qëndrimin e Gjykatës Themelore, duke mos adresuar asnjë nga argumentet e parashtruesit të kërkesës.

Më konkretisht, Gjykata duke dhënë një vlerësim të tërësishëm të rrethanave të rastit konkret, konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk ka adresuar plotësisht dhe në mënyrë të qartë (i) faktet vendimtare dhe kushtet ligjore lidhur me lejimin e shtyrjes së ekzekutimit të vendimeve të MEA-së dhe ZRRE-së; si dhe (ii) nuk ka dhënë përgjigje specifike në pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mungesën e legjitimitetit procedural të palës paditëse. Të dy këto aspekte, reflektojnë pretendime thelbësore dhe përcaktuese të parashtruesit të kërkesës, të cilat, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet që domosdoshmërisht të adresohen dhe arsyetohen nga gjykatat, në mënyrë që të respektohen garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, në mënyrë të ngjashme dhe bazuar në të njëjtat parime, Gjykata kishte vendosur në rastin KI75/21. Në të dy këto raste, KI75/21 dhe KI202/21, respektivisht, Gjykata ka theksuar rëndësinë që vendosja e masave të përkohshme, përkatësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhjen meritore të çështjeve, duhet të jetë e arsyeshme, proporcionale dhe e bazuar në arsyetim të detajuar të plotësimit të kritereve të përcaktuara në këtë kontekst në dispozitat respektive të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Gjykata theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin e vendimeve të kontestuara të MEA-së dhe ZRRE-së para gjykatave të rregullta, deri sa këto të fundit të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të kontestuara të MEA-së dhe ZRRE-së është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre përkitazi me padinë ndaj vendimeve të kontestuara të MEA-së dhe ZRRE-së.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme [ARJ.UZVP.Nr.74/21], i 28 korrikut 2021, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Supreme.

Parashtruesit:

“Kelkos Energy” sh.p.k

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative