Prishtinë, më 30 maj 2024
Nr. ref.:RK 2437/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI23/23
Parashtrues
Vladimir Mladenoviç
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit UZVP-ARJ. nr. 86/2022, të 29 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtrues i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Vladimir Mladenoviç, me vendbanim në Prizren (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [UZVP-ARJ. nr. 86/2022] e 29 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [UZ. AA. nr. 487/2021] e 18 korrikut 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [U. A. nr. 376/2018] e 12 janarit 2021 të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimet e instancave më të ulëta, të cilat parashtruesi i kërkesës pretendon se janë nxjerrë në shkelje të të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-21 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës, nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 janar 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila në Gjykatë arriti dhe u regjistrua më 2 shkurt 2023.
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR. KI23/23 caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI23/23, emëroi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 24 shkurt 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 13 shkurt 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të shpallë kërkesën të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Rrethanat e rasti konkret ndërlidhen me një kërkesë të parashtruesit të kërkesës për njohjen e statusit të personit me aftësi të kufizuara, pasi i njëjti pretendon se është ish- ushtarak dhe invalid, dhe se ky status i është njohur atij nga Ministria e Punës-Departamenti për çështje të veteranëve dhe mirëqenie sociale (në tekstin e mëtejmë: Ministria e Punës), me Aktvendimin [nr. 580-2212] të 7 tetorit 1995.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë pranë Ministrisë së Punës për njohjen statusit të personit me aftësi të kufizuara, gjegjësisht me paaftësi të përhershme.
Më 6 shkurt 2018, Ministria e Punës me Aktvendimin [MPMQ/DP-nr. 6023371], refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e të drejtës për pension të personit me aftësi të kufizuara, me arsyetimin se, “... në bazë të vlerësimit të Komisionit mjekësor të 09.10.2017, është vërtetuar që kërkesa Juaj nuk i përmbushë të gjitha kushtet e parashikuara për njohjen e të drejtave për Pension me aftësi të kufizuara në përputhje me par. 1 të nenit 1 dhe 9 të Ligjit në 04/L0131 për skemat pensionale të financuara nga shteti”.
Më 5 mars 2018, parashtruesi i kërkesës, parashtroi padi në konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e Aktvendimit të lartcekur të Ministrisë së Punës dhe njohjen të drejtës për pension të personave me aftësi të kufizuara. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Ministria e Punës ka vendosur në mënyrë arbitrare pa u lëshuar në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.
Në anën tjetër, Ministria e Punës, lidhur me këtë çështje në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kishte dorëzuar përgjigje në padi, me propozimin që e njëjta të refuzohet në tërësi për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore për përfitimin e pensionit përkatës.
Më 12 janar 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktgjykimin [U. A. nr. 376/2018], refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se sipas provave të administruara dhe në kuptim të paragrafit 5 të nenit 9 të Ligjit nr. 04/L-131, u konstatua që e paditura në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk kishte ofruar prova të mjaftueshme, as para Komisionit profesional e as në shkallën e dytë sipas ankesës, për të dëshmuar se ka përmbushur kushtet e përcaktuara me ligj për dhënien e pensionit të tillë për shkak të paaftësisë së përhershme.
Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e aktgjykimit të kontestuar dhe njohjen të drejtës për pension të personave me aftësi të kufizuara.
Më 18 korrik 2022, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [UZ. AA. nr.487/2021], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e 12 janarit 20121 të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në arsyetim, Gjykata e Apelit theksoi se e pranon në tërësi qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të bazuar në ligj, ngase aktgjykimi i atakuar nuk është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative (LKA) dhe të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK), nga neni 182, paragrafi 2, pika (b), (g), (j) dhe (m), për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdeset sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, andaj rrjedhimisht edhe e drejta materiale gjithashtu është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.
Parashtruesi i kërkesës, brenda afateve ligjore, parashtroi kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar (i) shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës administrative, (ii) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe (iii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 22 gusht 2022, Gjykata Supreme me Aktgjykimin [UZVP-ARJ. nr. 86/2022], refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e instancave më të ulëta, duke arsyetuar që aktgjykimet e kontestuara nuk janë përfshirë në shkeljet për të cilat paditësi thirret në kërkesën e vet dhe se pretendimet e paditësit, sipas Gjykatës Supreme ishin në kundërshtim me gjendjen faktike të vërtetuar nga gjykatat e shkallëve më të ulëta dhe se aktgjykimet e gjykatave në fjalë janë në përputhje me ligjet në fuqi.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës ne Gjykatë pretendon se aktgjykimet e gjykatave të rregullta shkelin të drejtat tij, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së, duke theksuar që, “... ekziston kontradikta në mes të asaj që është theksuar në arsyetimin e aktgjykimit dhe provave të cilat janë administruar në procedurë, provat, do të thotë faktet të cilat kanë qenë vendimtare me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje juridike. Kjo ka kontribuar që sikurse gjykata e shkallës së parë, ashtu edhe gjykata e shkallës së dytë, të shkelin të drejtën materiale. Paditësi\ja është person i sëmurë rëndë në bazë të bazës nervore, kjo vërtetohet jo vetëm në bazë të aktvendimit nr. 580-2212 të datës 07.10.1995 të Ministrisë për punë, çështje të veteranëve dhe mirëqenies sociale-Departamenti në Prishtinë, me të cilin, paditësit i njihet statusi i invalidit ushtarak, por edhe me raportet e klinikës shëndetësore, respektivisht mjekut specialist, ku konstatohet që ai është invalid i përhershëm ushtarak sepse ka kujtime nga konfliktet e luftës".
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
LIGJI NR. 04/L-131 PËR SKEMAT PENSIONALE TË FINANCUARA NGA SHTETI
Neni 9
Kushtet dhe kriteret për njohjen e të drejtës në pension të paaftësisë të përhershme
[...]
5. Një person do të konsiderohet me paaftësi të përhershme, nëse:
5.1. ofron dëshmi se është me paaftësi të përhershme para se të aplikojë për pension, duke siguruar të gjitha dëshmitë mjekësore;
5.2. Komisioni Mjekësor vlerëson se ekziston paaftësia e përhershme e punës të parashtruesi i kërkesës;
5.3. Komisioni Mjekësor vlerëson paaftësinë në kohëzgjatje për periudhën prej një (1), tre (3) apo pesë (5) vitesh;
5.4. Pas skadimit të afateve të përcaktuara në nënparagrafin 5.3 të këtij paragrafi personi i nënshtrohet procedurës së rivlerësimit mjekësor.
është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, dhe se e njëjta konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [UZVP-ARJ. nr. 86/2022] e 29 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore, që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtueshmëri me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton po ashtu nëse kërkesa i përmbushë kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(2) Gjykata mund ta konsideroj kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ne tekstin e mëtejmë: GjEDNj), por edhe të vet Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që ajo mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43); dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata fillimisht përsërit faktin se sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, një ankesë karakterizohet nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih, rastin e GjEDNj-së: Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Në vazhdim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ankohet dhe pretendon se gjykatat e rregullta nëpërmjet vendimeve të tyre kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së, për faktin se të gjitha autoritetet publike, përfshi gjykatat e rregullta refuzuan kresën e tij për njohje të statusit të personit me aftësi të kufizuara, gjegjësisht të përfitimit të pensionit që jepet për këtë kategori shoqërore.
Andaj, këto pretendime, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në dritën e interpretimit të nenit 6.1 të KEDNj-së, duke aplikuar parimet e përcaktuara nga GjEDNj-së, në bazë të të cilave kjo Gjykatë dhe gjykatat e rregullta në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës janë të obliguara që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
I. Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me faktin se gjykatat e rregullta në mënyrë të gabuar kanë vërtetuar faktet dhe provat e rastit dhe në mënyrë të gabuar kanë aplikuar dispozitat e së drejtës materiale, kur kanë vendosur për refuzimin e kërkesë së tij për njohjen e statusit të personit me aftësi të kufizuara. Në këtë kontekst, Gjykata vëren se arsyetimi i shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë është argumentuar në kuadër të pretendimeve të natyrës së “shkallës së katërt”.
Prandaj, në vazhdim Gjykata do t’i shtjellojë parimet e përgjithshme të përcaktuara nga GjEDNj, nëpërmjet të cilave saktësohet nëse një pretendim i ngritur nga parashtruesit e kërkesës bie në fushëveprimin e paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNj-së, apo i takon pretendimeve që në vetvete ngrenë çështje ligjshmërie, respektivisht çështje të “shkallës së katërt”.
Parimet e përgjithshme përkitazi me pretendimet e “shkallës së katërt”
Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GjEDNj-së dhe të saj, përsërit se sipas Kushtetutës nuk është detyrë e saj si Gjykatë Kushtetuese të veprojë si “shkallë e katërt” përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është roli i këtyre të fundit që t’i interpretojnë dhe zbatojnë dispozitat përkatëse të së drejtës materiale dhe procedurale (shih, në lidhje me këtë rastin e GjEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999). Gjykata Kushtetuese vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë sa që parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë (Shih, rastin e GjEDNj-së, Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 13071/87; dhe rastin e Gjykatës KI192/13, me parashtrues Hatixhe Avdyli, Aktvendimi i 24 shkurtit 2014).
Gjykata në mënyrë konsistente ka mbajtur qëndrimin se nuk është detyrë e saj që të merret me gabimet e fakteve ose të ligjit (ligjshmërisë) që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta, përveç nëse ato i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNj. Andaj, Gjykata nuk duhet të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt”, kur shqyrtohen vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Çështjet që lidhen me vlerësimin e provave dhe peshimin e tyre nga ana e gjykatave të rregullta, nuk janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese që të rishikohen (shih, rastin e GjEDNj-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016; dhe rastin e Gjykatës KI70/11, me parashtrues Faik Hima, Magbule Hima, Bestar Hima, Aktvendimi i 12 dhjetorit 2011).
Gjykata, megjithatë, thekson se jurisprudenca e GJEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000.). Në parim, një përjashtim i tillë ndërlidhet me rastet të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e Gjykatës KI49/19, me parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 10 shtatorit 2019, dhe KI08/23, cituar më lart, paragrafi 35).
Gjykata, si rregull ka theksuar që ajo nuk mund të vë në dyshim gjetjet e gjykatave të rregullta që kanë të bëjnë me: (i) vërtetimin e fakteve të rastit; (ii) interpretimin dhe zbatimin e ligjit; (iii) pranueshmërinë dhe vlerësimin e provave në gjykim; (iv) drejtësinë substanciale të rezultatit të një kontesti civil; apo edhe (v) fajin ose pafajësinë e të akuzuarit në procedurën penale.
Gjykata rikujton se neni 31 i Kushtetutës nuk i garanton askujt rezultat të favorshëm në një proces gjyqësor dhe as nuk përcakton që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontest civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. Gjykata, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GjEDNj-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; rastin e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim i 10 shtatorit 2021).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Në lidhje me natyrën e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe shikuar procedurat në tërësinë e tyre, në kuptim të rregullsisë së procesit gjyqësor, Gjykata fillimisht i referohet Aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila arsyetoi se: “... ka vlerësuar pretendimet e paditësit që nuk ka vlerësuar në mënyrë të drejtë gjendjen faktike dhe që nuk janë shqyrtuar provat, pasi që Komisioni mjekësor, fare nuk ka marrë parasysh provat e bashkëngjitura dhe provat e vlefshme, e shkresat e lëndës siç janë raportet mjekësore, si të tilla, këto pretendime në këtë çështje administrative nuk i ka parë si me ndikim për vendosje ndryshe nga ajo që ka vendosur,... se nga provat e administruara, gjykata në kuptim të nenit 9. Par. 5 të Ligjit nr. 04/L-131, ka vërtetuar që e paditura në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, pasi që paditësi nuk ka bashkëngjitur prova të mjaftueshme para Komisionit e as në shkallën e dytë sipas ankesës, për të dëshmuar që ka përmbushur kushtet e përcaktuara me ligj për pranimin e këtij lloji të pensionit të paaftësisë së përhershme. Nga kjo gjendje e lartpërmendur e vërtetuar, gjykata ka vlerësuar aktvendimin e kontestuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe që organet administrative me të drejtë kanë zbatuar dispozita e LKA-së dhe në mënyrë të drejtë kanë vërtetuar gjendjen faktike të zbatuar sipas ligjit material, kur ka refuzuar ankesën e paditësit si të pabazuar”.
Gjykata vëren se gjendja faktike e vërtetuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është pranuar në tërësi nga Gjykata e Apelit, e cila ndër të tjera, arsyetoi se: “Qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të bazuar në ligj e pranon në tërësi edhe kjo gjykatë për arsye se aktgjykimi i atakuar nuk është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjit për procedurën Kontestimore nga nenin 182, paragrafi 2, pika (b), (g), (j) dhe (m) për të cilat shkaqe Gjykata e Apelit kujdes sipas detyrës zyrtare në kuptim të dispozitës së nenit 194 të LPK-së, e rrjedhimisht edhe e drejta materiale gjithashtu është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë”.
Për më tepër, Gjykata vëren se në linjë me konkluzionet e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit ishte edhe Gjykata Supreme, e cila, theksoi: “... duke marrë parasysh që aktgjykimi i kontestuar nuk është e përfshirë me shkelje në të cilat paditësi thirret në kërkesën e vet. Kolegji i kësaj gjykate konsideron që gjykatat e shkallëve më të ulëta, gjatë shqyrtimit të kërkesëpadisë kanë paraqitur prova të mjaftueshme të cilat hedhin poshtë thëniet e paditësit të paraqitura në kërkesë. Thëniet e paditësit, sipas mendimit të kësaj gjykate janë në kundërshtim me gjendjen faktike të cilat, gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë vërtetuar, e në kundërshtim janë me provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës. Aktgjykimet e gjykatave më të ulëta janë në përputhje sipas ligjeve në fuqi”.
Sa me sipër, Gjykata bazuar në arsyetimin e gjykatave të rregullta, vlerëson se konkluzionet e tyre për refuzimin e statusit të personit me aftësi të kufizuara, të njëjtat i kanë bazuar në vlerësimet e komisioneve profesionale mjekësore, të cilat bazuar në kriteret ligjore kanë konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet për njohje të statusit me aftësi të kufizuara, në mënyrë që parashtruesi i kërkesës të përfitojë pension për paaftësi të përhershme nga skemat pensionale të shtetit. Gjykatat respektive kanë konsideruar se aktvendimet e komisioneve profesionale janë të bazuara në faktet e vërtetuara dhe në ligjet e aplikueshme.
Duke pasur parasysh shtjellimet e mësipërme, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të mbështes pretendimin e tij për shkelje të së “drejtës për gjykim të drejtë”, sepse bazuar në parimet e lartcekura dhe në konkluzionet e arsyetuara të gjykatave të rregullta, rezulton që në rrethanat e rastit konkret nuk është përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i ligjit të aplikueshëm nga ana e gjykatave të rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar kësisoj në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare. (shih ngjashëm rastin GjEDNj-së, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI22/19, parashtrues: Sabit Ilazi, Aktvendim i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; KI64/20, parashtrues: Asllan Meka, Aktvendim i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43, si dhe KI197/22, parashtrues Aferdita Gjonbalaj-Stublla, Aktvendimin XX nëntorit 2023, paragrafi 51).
Përfundime
Gjykata, duke i marrë parasysh shtjellimet e mësipërme, konkludon se pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, dhe të nenit 6 të KEDNJ-së, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të shpallet e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në pajtim me nenet 20 dhe 47 të Ligjit, si dhe nënrregullin (2) të rregullit 34 dhe shkronjën (b) të nënrregullit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 13 shkurt 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Vladimir Mladenoviç
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative