Prishtinë, më 22 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2349/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI05/23
Parashtrues
Branislav Gajin
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit
të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr.332/2022, të 27 shtatorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Branislav Gajin, nga qendra e paraburgimit në Gjilan, Zrenjanini - Republika e Serbisë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 332/2022] të 27 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Parashtruesi i kërkesës pohon se vendimin e kontestuar e ka pranuar me 25 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet të jenë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 40 [Liria e Shprehjes], 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 janar 2023, parashtruesi i kërkesës, përmes postës, e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 18 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. Gjr. KI05/23] e caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 30 janar 2023, J.S., në cilësinë bashkëshortes se parashtruesit të kërkesës, dorëzoi në Gjykatë një kërkesë për informata nëse kërkesa e dorëzuar është regjistruar dhe me cilin numër është depozituar në Gjykatë.
Më 1 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të saj.
Po me 1 shkurt 2023, Gjykata përmes shkresës njoftuese informoi palën e lartcekur J. S., se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është regjistruar në Gjykatë, në regjistrin përkatës të Gjykatës me nr. KI05/23.
Më 8 nëntor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore procesverbalin e seancës shqyrtuese të Gjykatës së Apelit, e cila rezultojë në nxjerrjen e Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] të 16 majit 2019.
Më 9 nëntor 2023, Gjykata Themelore informoj Gjykatën se dosja e lendes është përcjellë në Gjykatën Supreme.
Më 17 nëntor 2023, Gjykata Themelore përsëri informoj Gjykatën se dosja e lëndës ndodhet në Gjykatën Supreme.
Më 20 nëntor 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Supreme procesverbalin e seancës shqyrtuese të Gjykatës së Apelit, e cila rezultojë në nxjerrjen e Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] të 16 majit 2019.
Më 20 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoj në Gjykatë një dokument shtesë në mbështetje të kërkesës së tij.
Më 24 dhe 30 nëntor 2023, Gjykata Supreme dhe Gjykata Themelore dorëzuan në Gjykatë procesverbalin e kërkuar.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës paraqet kërkesë për herë të tretë në Gjykatë.
Faktet e rastit në lidhje me kërkesën e parë KI112/20
Më 13 korrik 2020, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesën nr. KI112/20 në Gjykatë. Në atë kërkesë, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 265/2019] të 9 tetorit 2019, të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 206/2019] të 16 majit 2019.
Më 9 mars 2022, Gjykata pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, përmes Aktvendimit për papranueshmëri KI112/20 shpalli kërkesën nr. KI112/20 të papranueshme si qartazi të pabazuar të përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Faktet e rastit në lidhje me kërkesën e dytë KI132/22
Më 5 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën nr. KI132/22, përmes të cilës kontestoi aktin e njëjtë sikurse në rastin KI112/20, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 265/2019] e 9 tetorit 2019 të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR. nr. 206/2019] e 16 majit 2019.
Më 12 prill 2023, Gjykata duke pasur parasysh që kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte përsëritje e kërkesës KI112/20, bazuar në paragrafin (5) të rregullit 35 të Rregullores së punës, refuzoi kërkesën KI132/22 me procedurë të shkurtër.
Faktet e rastit në lidhje me kërkesën aktuale KI05/23
Gjykata fillimisht vëren se vendimi i kontestuar në kërkesën aktuale është Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, [Pml. nr.332/2022] i 27 shtatorit 2022.
Gjykata vëren se vendimi i kontestuar në kërkesën aktuale, respektivisht Aktgjykimi [Pml. nr.332/2022] i 27 shtatorit 2022 i Gjykatës Supreme i nxjerre në çështjen e njëjtë lëndore të parashtruesit të kërkesës nuk është kontestuar me herët dhe rrjedhimisht përben objekt të ri kontesti para Gjykatës i cili do t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetues nga ana e Gjykatës.
Megjithatë, Gjykata në vijim do të i përmbledhë faktet e kërkesës aktuale.
Më 26 dhjetor 2018, Prokuroria Themelore në Pejë ngriti Aktakuzë [PP/I. nr. 98/2018] kundër parashtruesit të kërkesës nën dyshimin se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 281 në lidhje me nenin 273 dhe 31 të Kodit Penal [Nr. 04/L-082] të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kodi Penal).
Më 4 mars 2019, Gjykata Themelore, Departamenti për krime të rënda penale në Pejë në prani të Prokurorit shtetëror, parashtruesit të kërkesës dhe mbrojtësit të tij, nxori Aktgjykimin [DTKD. K. nr. 112/2018], përmes së cilit e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerje, në bashkëkryerje, të veprës penale - blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 281, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, në lidhje me nenin 273, paragrafi 2 dhe nenin 31 të Kodit Penal. Me atë rast, Gjykata Themelore e dënoi parashtruesin e kërkesës me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) viteve dhe dënim me gjobë në vlerë prej njëmijë (1000) euro, brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve. Gjykata Themelore, gjithashtu në kuadër të dënimit shtesë vendosi që parashtruesit të kërkesës t’i konfiskohen substancat narkotike, vetura bashkë me pajisje të tjera, e obligoi që të paguajë shumën prej 175 euro në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe në fund ia vazhdoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës deri sa aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore [DTKD. K. nr.112/2018], Prokuroria Themelore në Pejë parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje qenësore të dispozitave të procedurës penale, shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që aktgjykimi të prishet dhe rasti të kthehet në rigjykim.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë/përgjigje në Gjykatën e Apelit kundër ankesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke argumentuar se ankesa e kësaj të fundit duhet të refuzohet si e pabazuar.
Më 26 prill 2019, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës [PPA/1 nr. 196/19] ka propozuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të refuzohet përgjigjja e mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës.
Më 16 maj 2019, Gjykata e Apelit, Departamenti për vepra penale të rënda, në prani të parashtruesit të kërkesës dhe mbrojtësit të tij, përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P.nr. 112/18] të 4 prillit 2019 “sa i përket vendimit mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit, të akuzuarin Branislav Gajin, për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 281, par. 1, neni 1.9, në lidhje me nenin 273, par. 2 dhe 31 të KPPK-së, për të cilën është shpallur fajtor, është dënuar me dënim me burg prej 6 (gjashtë) viteve, në dënim do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 29.092018 e tutje, dhe e merr si të vërtetuar dënimin me gjobë në shumën prej 1.000.00€, në pjesën e dytë të aktgjykimit kundër të akuzuarit Branislav Gajin, mbetet e pandryshuar.”
Më 14 gusht 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] të Gjykatës së Apelit të 16 majit 2019 dhe Aktgjykimit [DTKD. K. nr. 112/2018] të Gjykatës Themelore të 4 marsit 2018.
Më 9 tetor 2019, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 265/2019] refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë me arsyetimin se nuk ka shkelje të ligjit penal.
Më 26 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës ushtroi përsëri kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] të Gjykatës se Apelit, duke pretenduar se nuk i është dorëzuar aktgjykimi i shkallës se parë dhe se ai ka marrë pjesë në seancën e shkallës se dytë, pa pasur mundësinë e ankesës dhe shprehjes së qëndrimeve të tij lidhur me aktgjykimin, duke ju mohuar kështu të drejtën e mbrojtjes, e cila ka shkaktuar shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Më 1 shtator 2022, Prokurori i Shtetit përmes shkresës [KMLP. II. nr. 199/2022] propozoi që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë të refuzohet si e paafatshme.
Më 27 shtator 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 332/2022], e refuzoi kërkesën e Prokurorit të Shtetit, dhe në kuptim të afatshëmrisë kërkesën e konsideroi të pranueshme duke theksuar se “[...] në këtë rast aktgjykimi i formës së prerë është arritur me nxjerrjen e aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.206/2019, të datës 16.05.2019, por në shkresat e lëndës nuk ekziston asnjë flete dorëzim për dorëzimin e të njëjtit të dënuarit. Në këtë situatë, edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga marrja e aktgjykimit të shkallës së dytë, nuk ka pasur dëshmi se kur e ka pranuar aktgjykimin i dënuari dhe as nuk ka pasur një datë të saktë nga e cila mund të llogaritet afati 3-mujor për parashtrimin e kërkesës, prandaj Gjykata Supreme, duke zbatuar parimin in dubio pro reo, nga neni 3, paragrafi 2 i KPPK-së, ka konstatuar se kërkesa është e bazuar dhe ka vlerësuar pretendimet e paraqitura” në kërkesë.”
Megjithatë, Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] të Gjykatës se Apelit të 16 majit 2019, që përfshinte pretendimet për mohimin e të drejtës se mbrojtjes se parashtruesit të kërkesës, e refuzoi si të pabazuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 332/2022] të 27 shtatorit 2022, ia ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 40 [Liria e Shprehjes], 41 [ E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve të lartcekura të Kushtetutës, respektivisht të drejtës në mbrojtje me arsyetimin se ai dhe mbrojtja nuk kanë pranuar vendimin e shkallës se parë dhe as të shkallës se dytë, në ndërlidhje me pretendimin për mungesë të kohës të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen gjatë fazës apeluese; si dhe pretendimin për mungesë arsyetimi nga ana e Gjykatës Supreme ndaj pretendimeve të ngritura nga ai.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se mosnjoftimi lidhur me vendimin e shkallës së parë dhe shkallës se dytë mbi rastin e tij ka shkaktuar kufizim të kohës për të përgatitur mbrojtjen gjatë fazës se ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës thekson se “Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se “Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rastet e shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë kushtetutë ose me ligj, si drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [PAKR. nr. 206/2019] e Gjykatës se Apelit të 16 majit 2019; (iii) të urdhërojë dorëzimin e Aktgjykimit [TKD-112/18] të 4 marsit 2019; si dhe (iv) të urdhërojë ndërprerjen e paraburgimit deri sa mos të krijohen kushtet për ekzekutimin e vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
Kodi Nr. 04/L-123 i Procedurës Penal i 28 dhjetorit 2012, i ndryshuar dhe plotësuar përmes Ligjit Nr. 06/L -091, të 4 korrikut 2019
Neni 291
Shtyrja e shqyrtimit gjyqësor
Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues për shkaqe të rëndësishme mund ta shtyjë ditën e shqyrtimit gjyqësor me propozim të palëve, të mbrojtësit ose sipas detyrës zyrtare.
Nëse gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues shtyn ditën e shqyrtimit gjyqësor nga paragrafi 1. i këtij neni, ai mund të caktojë shqyrtime të herëpashershme për të diskutuar rreth statusit të lëndës, çështjeve të pazgjidhura dhe për të siguruar zgjedhjen në kohë të lëndës ose caktimin e shqyrtimit gjyqësor.
Shtyrja dhe ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor
Neni 310
Arsyet për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor
Përveç rasteve të përcaktuara me këtë Kod, shqyrtimi gjyqësor mund të shtyhet me aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues apo të trupit gjykues, kur duhet mbledhur prova të reja ose kur gjatë shqyrtimit gjyqësor vërtetohet se tek i akuzuar, pas kryerjes së veprës penale është paraqitur çrregullim ose paaftësi mendore e përkohshme ose kur ekzistojnë pengesa të tjera për zbatim të suksesshëm të shqyrtimit gjyqësor.
Neni 393
Shqyrtimi para kolegjit të apelit
Shqyrtimi para Gjykatës së Apelit fillon me raportim të gjyqtarit raportues, i cili paraqet gjendjen faktike pa dhënë mendimin e tij për bazueshmërinë e ankesës.
Aktgjykimi ose pjesa e tij për të cilën është ushtruar ankesë, dhe sipas nevojës, edhe procesverbali i shqyrtimit gjyqësor lexohet me propozim ose sipas detyrës zyrtare.
Pas kësaj thirret ankuesi ta arsyetojë ankesën dhe pastaj pala kundërshtare që t’i përgjigjet. I akuzuari dhe mbrojtësi i tij gjithmonë e kanë fjalën të fundit.
Palët gjatë shqyrtimit mund të paraqesin prova dhe fakte të reja.
Prokurori i shtetit, mbështetur në rezultatet e shqyrtimit, mund të tërhiqet tërësisht ose pjesërisht nga aktakuza ose ta ndryshojë atë në dobi të të akuzuarit.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të përcaktuara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
"1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47 i Ligjit
[Kërkesa individuale]
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48 i Ligjit
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49 i Ligjit
[Afatet]
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të
ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. Nr. 332/2022] e Gjykatës Supreme të 27 shtatorit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kriteret e nenit 48 të Ligjit dhe i kanë dorëzuar kërkesat në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës. (Shih rastet e Gjykatës KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26, dhe KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Gjykata sjell në vëmendje se Aktgjykimi i kontestuar [Pml. nr. 332/2022] i 27 shtatorit 2022 i Gjykatës Supreme i nxjerrë në çështjen e njëjtë lëndore të parashtruesit të kërkesës nuk është kontestuar me herët dhe rrjedhimisht përben objekt të ri kontesti para Gjykatës i cili do t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetuese nga ana e Gjykatës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës e ndërton rastin mbi pretendimin qendror për shkeljen e të drejtave dhe lirive të tij të garantuar me nenin 30 dhe 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i (i) mospranimit/mosnjoftimit lidhur me vendimet e shkallës se parë dhe shkallës së dytë mbi rastin e tij e që sipas tij kjo kishte shkaktuar kufizim të kohës për të përgatitur mbrojtjen gjatë fazës apeluese; si dhe (ii) mungesës së arsyetimit nga ana e Gjykatës Supreme ndaj pretendimeve të tij.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se mospranimi/mosnjoftimi lidhur me vendimin e shkallës se parë ka mohuar të drejtën e tij për mbrojtje meqë i ka pamundësuar apelimin në shkallën e dytë. Në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se mosnjoftimi lidhur me vendimin e shkallës së parë ka kufizuar kohën e tij për përgatitjen e mbrojtjes në shkallë të dytë, në kundërshtim me nenin 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Për shkake të ndërlidheshmërisë se pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata në vijim do të i trajtoj pretendimet për shkelje të nenit 30 dhe 31 të Kushtetutës me një arsyetim të vetëm.
Në vazhdim, Gjykata do të i referohet përmbajtjes se nenit 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës, i cili përcakton se
“Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
[...]
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;”
Gjithashtu, Gjykata do të i referohet edhe përmbajtjes se nenit 6 të KEDNJ-së i cili thekson se
“3.Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
[...]
b’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;”
Gjykata fillimisht thekson se garancitë specifike të përcaktuara në nenin 30 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6, paragrafin 3 (b) të KEDNJ-së ilustrojnë nocionin e gjykimit të drejtë në lidhje me situatat tipike procedurale që lindin në çështjet penale, por qëllimi i tyre i brendshëm është gjithmonë të kontribuojë në sigurimin e drejtësisë së procedurës penale në tërësi. Prandaj, garancitë e parashikuara në nenin 6, paragrafin 3 (b) të KEDNJ-së duhet të interpretohen në përputhje me rrethanat në dritën e funksionit që ato kanë në kontekstin e përgjithshëm të procedurës. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Mayzit kundër Rusisë, nr. 63378/00, Aktgjykim i 20 janarit 2005).
Gjykata thekson se neni 30 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6, paragrafin 3 (b) të KEDNJ-së i garanton të akuzuarit “kohë dhe lehtësi adekuate për përgatitjen e mbrojtjes së tij” dhe për këtë arsye nënkupton se veprimtaria e mbrojtjes thelbësore në emër të tij mund të përfshijë gjithçka që është “e nevojshme” për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor. I akuzuari duhet të ketë mundësinë që të organizojë mbrojtjen e tij në mënyrë të përshtatshme dhe pa kufizime në lidhje me mundësinë e paraqitjes së të gjitha argumenteve përkatëse mbrojtëse para trupit gjykues dhe në këtë mënyrë të ndikojë në rezultatin e procedurës. Dispozita shkelet vetëm nëse kjo bëhet e pamundur. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Can kundër Austrisë, nr. 9300/81, raporti i Komisionit i 12 korrikut 1984, Seria A nr. 96, paragrafi 53).
Në këtë kontekst, “të drejtat e mbrojtjes”, të garantuar me nenin 30 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së janë krijuar, mbi të gjitha, për të vendosur barazi, sa më shumë që të jetë e mundur, ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes. Lehtësirat që duhet t’i jepen të akuzuarit janë të kufizuara për ato që e ndihmojnë ose mund ta ndihmojnë atë në përgatitjen e mbrojtjes së tij. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Jespers kundër Belgjikës, nr. 8403/78, raporti i Komisionit i 14 dhjetorit 1981, DR 27, f. 61, paragrafët 55 dhe 57).
Gjykata thekson se i akuzuari duhet të ketë mundësi të kërkojë shtyrjen ose lënien për më vonë të seancës në rast se sheh ndonjë problem tek afati i caktuar. (Shih rastet e GJEDNJ-së, Campbell e Fell kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 28 qershorit 1984, paragrafi 98; Bäckström e Andersson kundër Suedisë, kërkesa nr. 67930/01, vendimi i 5 shtatorit 2006; Craxi kundër Italisë (nr. 1), paragrafi 72), përveçse në rrethana të jashtëzakonshme (Goddi kundër Italisë, kërkesa nr. 8966/80, Aktgjykim i 9 prillit 1984, paragrafi 31) apo në qoftë se në të drejtën e praktikën e brendshme nuk ka asnjë bazë për një gjë të tillë (Galstyan kundër Armenisë, kërkesa nr. 26986/03, Aktgjykim i 15 nëntorit 2007, paragrafi 85).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se mospranimi ose mosnjoftimi i tij në lidhje me vendimin e shkallës së parë e ka privuar atë nga të drejtat e tij për të bërë apel në shkallën e dytë, duke e vendosur në një situatë ku nuk mund të paraqesë efektivisht mbrojtjen e tij kundër vendimit të shkallës së parë. Në lidhje me këtë, parashtruesi argumenton se kjo mungesë e njoftimit ka shkaktuar pamjaftueshmëri kohore për të përshkuar/përgatitur mbrojtjen në shkallën e dytë të procedurës së ankesës.
Gjykata vëren se në esencë parashtruesi i kërkesës pretendon se afati kohor i pamjaftueshëm për të shprehur qëndrimet e tij lidhur me aktgjykimin e ankimuar ka shkaktuar një kufizim serioz të drejtave të tij të mbrojtjes në procedurën gjyqësore të zhvilluar në shkallën e dytë.
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në pah arsyetimin e Aktgjykimit [Pml. nr. 332/2022] të 27 shtator 2022 të Gjykatës Supreme që duke trajtuar këtë pretendim specifik të parashtruesit të kërkesës kishte theksuar si në vijim:
“Nga shkresat e lëndës rezulton se i dënuari ka pasur mbrojtës gjatë procedurës së shkallës së parë dhe të dytë. Mbrojtës i tij ishte avokati Haxhi Qekaj. Ai ka parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa ankesën e ka përfaqësuar edhe në procedurën e shkallës së dytë, në të cilën ka marrë pjesë. Në seancën së shkallës së dytë ka marrë pjesë edhe i dënuari Branislav Gajin. Nga procesverbali i seancës së shkallës së dytë i Gjykatës së Apelit, me numër PAKR.br.206/2019 i datës 16.05.2019, rrjedh se pasi që mbrojtësi i të dënuarit ka dhënë shpjegime rreth ankesës, i dënuari ka deklaruar se e përkrah fjalën e avokatit mbrojtës dhe se ai nuk ka çfarë të shtojë.”
“Rezulton se i dënuari nuk ka qenë pa avokat në asnjë fazë të procedurës penale. Mbrojtësi ka parashtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ndërsa në seancën ku është shqyrtuar ankesa, kanë marrë pjesë si i dënuari ashtu edhe mbrojtësi i tij. I dënuari jo vetëm që e ka mbështetur ankesën e avokatit mbrojtës, por atij i është dhënë edhe mundësia të deklarohet, mirëpo ai ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë. Ky ishte momenti kur ai mund t'i thoshte gjyqtarit ose avokatit të tij mbrojtës se mendon se ka gjëra të tjera që do të dëshironte të shqyrtohen, pasi që nuk ka mundësi që ai të bëjë ankesë të veçantë. Prandaj e drejta e tij e mbrojtjes nuk është cenuar siç thuhet në mënyrë të pabazuar në kërkesë”.
Prandaj, siç mund të vërehet nga arsyetimi i mësipërm, Gjykata vëren se Gjykata Supreme i ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe ka shpjeguar se (i) parashtruesi i kërkesës është përfaqësuar nga një avokat si në shkallë të parë ashtu edhe në shkallë të dytë; (ii) ka pasur mundësinë dhe e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës në shkallë të dytë; (iii) parashtruesi i kërkesës dhe mbrojtësi i tij kishin marrë pjesë në seancën e shkallës së dytë në mbështetje të ankesës kundër vendimit të shkallës së parë; si dhe (iv) parashtruesit të kërkesës i ishte dhënë mundësia e dëgjimit dhe deklarimit rreth rastit të tij në nivel të shkallës së dytë.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon mungesë të kohës për përgatitjen e mbrojtjes me rastin e paraqitjes se ankesës në shkallë të dytë si dhe pamundësisë se shprehjes së qëndrimeve të tij lidhur me aktgjykimin e ankimuar.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekon se përfshirja e parashtruesit të kërkesës dhe mbrojtjes në procesin gjyqësor përmes pjesëmarrjes se tyre reflekton se parashtruesi dhe mbrojtja kanë qenë të informuar në mënyrë të plotë rreth çështjes së tyre. Kjo po ashtu tregon se ata kanë pasur mundësi pjesëmarrje gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore dhe kanë kundërshtuar/ankimuar dhe prezantuar argumentet në favor dhe në mbrojtje të rastit të tyre. Kështu, Gjykata vëren se parashtruesi dhe mbrojtja kanë pasur mundësi për të paraqitur dhe mbrojtur qëndrimet e tyre përgjatë gjitha fazave të procedurës gjyqësore të zhvilluar në gjykatat e rregullta.
Gjykata tutje duke iu referuar përmbajtjes së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme vëren se mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në shkallë të dytë dhe parashtruesi i kërkesës kishte marrë pjesë në seancën e shkallës së dytë në mbështetje të ankesës së paraqitur nga avokati i tij. Përveç kësaj, parashtruesit të kërkesës iu kishte dhënë mundësia që të deklarohet lidhur me rastin e tij në momentin e shqyrtimit të ankesës së tij nga gjykata e shkallës së dytë por siç vërehet nga shkresat e lëndës parashtruesi kishte refuzuar që të deklarohet tutje lidhur me rastin e tij në procedurën gjyqësore të zhvilluar në shkallë të dytë.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vë theksin tek pretendimi për mungesë të kohës për të përgatitur mbrojtjen gjatë zhvillimit të seancës në shkalle të dytë.
Në kontest të këtij pretendimi, Gjykata do t’i referohet nenit 291 [Shtyrja e shqyrtimit gjyqësor] të Kodit të Procedurës Penale, i cili parasheh se “Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues për shkaqe të rëndësishme mund ta shtyjë ditën e shqyrtimit gjyqësor me propozim të palëve, të mbrojtësit ose sipas detyrës zyrtare”.
Nën dritën e kësaj, Gjykata vëren se kjo e drejtë e palëve e parashikuar në legjislacionin e sipërcekur do t‘i kishte mjaftuar parashtruesit të kërkesës për të ndrequr çdo lloj parregullsie apo kufizimi kohor lidhur me përgatitjen e mbrojtjes gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore në shkallë të dytë.
Në këtë aspekt, Gjykata duke iu referuar përmbajtjes se procesverbalit të 16 majit 2019 të seancës se Gjykatës se Apelit vëren si ne vijim:
“Gjykata e Apelit e caktoi dhe mbajti seancën e kolegjit konform dispozitës se nenit 390 të KPPK-së, në të cilën prezantoi: i akuzuari Branislav Gajin dhe mbrojtësi i tij av. Haxhi Çekaj [...]”
[...]
“Mbrojtësi i të akuzuarit Bransilav Gajin për shkak të vendimit mbi dënimi me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar përkitazi me vendimin mbi dënimin ashtu që të akuzuarit të i zbutet dënimi i shqiptuar”
“Përgjigje në ankesën e Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë ka parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit Bransilav Gajin av. Haxhi Çekaj me propozim që ankesa e Prokurorisë se Shtetit të refuzohet”
[...]
I akuzuari Branislav Gajin thekson se e mbështet mbrojtësin e tij dhe nuk ka çfarë të shtojë”
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka pasur përfaqësim efektiv në rastin konkret duke ndërmarrë hapa procedural në mbrojtje të rastit dhe duke i mundësuar komunikimin me avokatin e tij.
Gjykata vlerëson se në të gjitha rrethanat parashtruesit iu la ”koha e duhur” për të përgatitur mbrojtjen e tij, dhe se nuk është dëshmuar para Gjykatës se ai ka kërkuar shtyrjen e seancës. As nuk është treguar/dëshmuar se parashtruesi dhe mbrojtja e tij në ndonjë moment kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për ti sjellë këto çështje lidhur me kufizimet kohore në vëmendjen e autoriteteve kompetente, nëse ai e konsideronte këtë si çështje me peshë në përgatitjen e mbrojtjes së tij.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk parashtroi asnjë argument shtesë për këtë çështje në procedurën gjyqësorë të zhvilluar në shkallën e dytë, edhe pse do të kishin qenë të lirë ta bënin një gjë të tillë. Nuk është provuar nga parashtruesi i kërkesës se kanë kërkuar shtyrje të procedurës për të pasur më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen. Në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se nuk ka asgjë në kërkesë dhe ne procesverbal që mbështet parashikimin se një kërkesë për shtyrje padyshim do të ishte refuzuar nga ana e Gjykatës se Apelit.
Për më tepër, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka pasur përfaqësim efektiv në rastin konkret duke ndërmarrë hapa procedural në mbrojtje të rastit dhe duke i mundësuar komunikimin me avokatin e tij, si dhe vetë parashtruesi bashkë me mbrojtjen kishin qenë të pranishme në seancën e shkallës së dytë për të dhënë çdo shpjegim të mëtejshëm të kërkuar.
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata e konsideron të nevojshme të vë në pah se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ai ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqet argumente dhe dëshmi që ai i ka konsideruar të rëndësishme për rastin e tij; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shtruar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka gëzuar garancitë procedurale të ngërthyera në konceptin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. (Shih, mutatis mutandis, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI118/17, parashtrues Sani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 shkurtit 2018, paragrafi 35; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29).
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se kërkesa e “drejtësisë” siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës mbulon procedurat në tërësi, dhe pyetja nëse një person ka pasur një gjykim “të drejtë” shikohet me anë të analizës kumulative të gjitha fazave, jo thjesht të një incidenti të veçantë ose mangësie procedurale, ngase mangësitë e tilla në një fazë mund të korrigjohen në një fazë të mëvonshme. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Monnell dhe Morris kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 9562/81; 9818/82, Aktgjykim i 2 marsit 1987, paragrafët 55-70).
Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Supreme, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është e arsyetuar dhe përmban fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre.
Gjykata thekson se fakti i thjeshtë që një instancë gjyqësorë ka marrë tashmë vendime në disfavor të parashtruesit nuk mund të konsiderohet në vetvete si shqetësim i justifikueshme për shkeljen e të drejtave të tij të pretenduara.
Gjykata, nga të gjitha shtjellimet e sipërtheksuara, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. (Shih, rastin e GJEDNJ-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta i kanë mohuar atij të drejtat e garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e dytë (ii) pretendime me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 21 [Parimet e Përgjithshme], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 40 [Liria e Shprehjes], 41 [ E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtareve të Tyre] të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. (Shih, mutatis mutandis, rastet e Gjykatës nr. KI65/15, parashtrues Tatjana Davila, Ljubiša Marić, Zorica Kršenković, Zlatoj Jevtić, Aktgjykim i 14 shtatorit 2016; dhe nr. KI193/18, parashtrues Agron Vula, Aktgjykim i 22 prillit 2020).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
I. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
II. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
III. TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare në pajtim me
nenin 20.4 të Ligjit;
V. Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të
Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu Krasniqi Gresa Caka - Nimani
Branislav Gajin
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale