Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2337/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI09/23
Parashtrues
Hakif Haliti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.9776/2021, të 29 korrikut 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Hakif Haliti, me vendbanim në Obiliq, i cili përfaqësohet nga Zenel Shala, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac.nr. 9776/2021] të 29 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në ndërlidhje me Aktgjykimin [C.nr.5480/20] të 27 korrikut 2021, të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 21 shtator 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 17 janar 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës, Gresa Caka-Nimani, me anë të Vendimit [Nr.GJR.KI09/23], caktoi gjyqtarin Enver Peci gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 1 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 1 mars 2023, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e rastit dhe kërkoi nga ajo që, brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të shkresës, të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës kishte pranuar vendimin e kontestuar.
Më 3 mars 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar, me të cilën u dëshmua se parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar më 21 shtator 2022.
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ka punuar në ndërmarrjen publike “Korporata Energjetike e Kosovës” Sh. A. (në tekstin e mëtejmë: KEK) për 40 (dyzet) vite e 2 (dy) muaj e 9 (nëntë) ditë, përkatësisht deri në arritjen e moshës së pensionimit më 10 maj 2019.
Më 6 shkurt 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër KEK-ut, për pagesën e shpërblimit jubilar në vlerë të tre pagave mujore.
Më 11 nëntor 2019, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr.305/19], aprovoi kërkesëpadinë dhe detyroi paditësen t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës 1,963.25 Euro në vlerë të shpërblimit jubilar, me kamatë prej 8%.
Më 10 dhjetor 2020, Gjykata e Apelit, me Aktvendimin [Ac.nr.2331/2020], e prishi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, meqë gjeti shkelje procedurale si pasojë e të cilave nuk mundi të përfundojë se gjendja faktike ishte vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë nga gjykata e shkallës së parë, duke e kthyer kështu lëndën në rigjykim. E njëjta kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë, aktgjykimin e atakuar e kishte dhënë me shkelje procedurale sepse njëjta nuk kishte hapur shqyrtim për të konstatuar se si është rregulluar e drejta e shpërblimit jubilar sipas Kodit të punës si akt i brendshëm i të paditurës-KEK Sh.A.
Në procedurën e përsëritur para Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës theksoi se ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura deri më 10 maj 2019, kur kishte arritur moshën e pensionimit, kurse paraprakisht më 15 mars 2019 i kishte mbushur 40 vite përvojë pune. Rrjedhimisht, i njëjti theksonte se për 40 vite përvojë pune i takonte e drejta për shpërblim jubilar njësoj si punëtorët që i kanë mbushur 30 vite përvojë pune, duke e bazuar këtë kërkesë në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës (në tekstin në vijim: MPKK), Kodin e Punës së KEK-ut, si dhe Vendimet nr.2244 dhe nr.8261 të KEK-ut.
Më 27 korrik 2021, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr.5480/20]: (I) aprovoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, dhe (II) detyroi KEK-un që t’ia paguajë 1,963.25 Euro në emër të shpërblimit të tre pagave jubilare, me kamatë 8%, e cila do të llogaritet nga data 6 shkurt 2019, kur është parashtruar padia e deri në pagesën definitive, dhe atë në afat prej 7 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm; (III) Detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj shpenzimet e procedurës kontestimore në shumë të përgjithshme prej 394.00 €, në afat prej 7 ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm.
Në arsyetim të vendimit, Gjykata Themelore sqaroi se: “Nga Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me nr. 268 i datës 08.04.2019, kartela e punëtorit e datës 04.02.2019, si dhe libreza e punës së paditësit me numër të regjistrimit 10576, Gjykata konstatoi se paditësi në momentin pensionimit i ka pasur mbi 40 vite përvojë pune. [...] E paditura, sipas Vendimit me nr.2244 të datës 10.04.2019, kishte vendosur që të njohë detyrimin për pagesat e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin për periudhën 2015-2017, si dhe në vazhdimësi. Ndërsa, me Vendimin e datës 16.04.2019, për interpretimin e vendimit të lartpërmendur, e paditura ka sqaruar se për të realizuar kushtin siç është paraparë me nenin 52 të MPKK-së, nevojitet që vitet jubilare prej 10, 20 dhe 30 vite të përvojës së punës të kenë arritur gjatë periudhës sa ka qenë në fuqi MPKK-ja, pra, prej 01.01.2015 e deri më 31.12.2017. Tutje, me vendimin me nr.8261 të datës 23.08.2019, e paditura e ka plotësuar Vendimin me nr.2244 ashtu që e njëjta ka vazhduar me njohjen e detyrimit për pagesën e pagave jubilare për të gjithë punëmarrësit që kanë plotësuar kushtin deri më 31.12.2019. por të cilët kanë arritur përvojën e punës prej 10, 20 dhe 30 vite prej datës 01.01.2015 dhe në vazhdimësi deri më 31.12.2019. Sipas këtij vendimi, e paditura punëmarrësve të cilët i kanë arritur 40 vite përvojë pune u ka njohur të drejta të njëjta në kompensimin e pagave jubilare me ata që kanë arritur 30 vite përvojë.
[...]
Gjykata gjeti se në rastin konkret e paditura ka pasur për detyrim që paditësit t'ia paguajë tri paga në emër të shpërblimit jubilar. Kjo për faktin se ky detyrim është paraparë me nenin 52.1, pika 3 të MPKK-së e cila ka vazhduar të zbatohet për punëtorët e të paditurës në bazë të vendimit me nr.2244 të datës 10.04.2019 dhe vendimit me nr.8261 të datës 23.08.2019. Paditësi në mars 2019 e ka arritur vitin jubilar prej gjithsej 40 vite përvojë pa ndërprerë, pra ka mbushur vitet e nevojshme të përvojës për shpërblim jubilar sipas paragrafit III të vendimit nr.8261 të të paditurës. E paditura u ka njohur të drejta në tri paga jubilare edhe atyre që i kanë mbushur 40 vite përvojë pune gjatë periudhës 2015-2019.”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur, në afatin e paraparë ligjor paraqiti ankesë e paditura-KEK, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontesimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që të aprovohet ankesa si e bazuar, si dhe aktgjykimi i atakuar të ndryshohet, duke e refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës paraqiti përgjigje në ankesë me të cilën kundërshtoi pretendimet ankimore të paditurës-KEK, duke i propozuar gjykatës që ta refuzoj si të pabazuar ankesën e të paditurës, si dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.
Më 29 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.9776/21]: I. aprovoi si të themeltë ankesën e të paditurës-KEK, dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr.5480/20] të 27 korrikut 2021, duke gjykuar si vijon: refuzohet kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, me të cilën kishte kërkuar që të "detyrohet e paditura KEK, që parashtruesit të kërkesës t'ia paguaj tri (3) paga në emër të shpërblimit jubilar në shumë prej 1,963.25 euro, me kamatë ligjore prej 8%, të llogaritet nga data e paraqitjes së padisë, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm", si e pa bazuar. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit kishte theksuar si në vijim: “padia e paditësit është paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor dhe si e tillë do të duhej të refuzohej si e pabazuar për shkak të parashkrimit. Paditësi 30 vite të përvojës së punës i ka arritur në vitin 2011, ashtu që në atë periudhë edhe i ka lindur e drejta për të kërkuar kompensimin e pagës jubilare nga e paditura, mirëpo në periudhën kur paditësi e ka mbushur jubilenë, nuk ka pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim.
[...] nuk është me rëndësi shumë periudha kur është kërkuar pasi çështje paraprake është se a ka pasur në fuqi kontratë kolektive në kohën e përmbushjes së kushtit për kompensim të pagës jubilare. Meqenëse në vitin 2011 në kohën kur paditësi i ka mbushur 30 vite të përvojës së punës, ka munguar baza ligjore, kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, andaj mbi këtë bazë edhe gjykata vendosi që të ndryshojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Në rastin konkret edhe sikur të ekzistonte baza ligjore për të kërkuar kompensim, pra sikur të kishte qenë në fuqi kontrata kolektive në vitin 2011, vit kur paditësi e ka plotësuar kushtin pra përmbushja e jubilesë, nga ajo kohë e deri në paraqitjen e padisë kanë kaluar më tepër se 3 vite sikurse përcaktohet me nenin 87 të Ligjit të Punës dhe padia e tillë është e paraqitur pas afatit ligjor.”.
[...] “paditësit, e drejta për të kërkuar pagat apo shpërblimet jubilare i është krijuar me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive. Nga kjo datë deri më 01.01.2018 paditësi ka pasur mundësi ta paraqesë padinë. Pas datës 01.01.2018 pala humb të drejtën që të kërkojë shpërblimin jubilar sepse një kërkesë e tillë është e parashkruar apo vjetërsuar sepse është paraqitur pas afatit ligjor. Në raport me dispozitat e LMD-së, të cekura nga gjykata e shkallës së parë, të njëjtat do të mund të gjenin zbatim vetëm nëse do të ishte në fuqi Marrëveshja në fjalë dhe në qoftë se kërkesa nga marrëdhënia e punës në para nuk do të ishte parashkruar, e meqenëse e njëjta nuk ka qenë në fuqi dhe kërkesa është parashkruar, pala e paditur nuk i detyrohet palës paditëse asnjë pagesë apo borxh.”
Më 12 tetor 2022, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Prokurorit të Shtetit për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Më 5 dhjetor 2022, me Njoftimin [KMLC.nr.101/22], Prokurori i Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se nuk janë plotësuar kushtet për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Sipas parashtruesit të kërkesës, ndaj tij “nuk ka një gjykim të drejtë sikur te rastet tjera ku kërkesat e tyre tërësisht identike janë aprovuar nga ana e gjykatave që nga viti 2015 e tutje deri te i fundit më 07.07.2022 - Aktgjykimi Ac.nr.7537/21. Nuk ka gjykim të drejtë, barazi para ligjit e as siguri juridike, kur në gjykatën e apelit për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe atë në relacionin shkalla e I-rë dhe e II-të dhe kolegjet e gjykatës së shkallës së II-të, ku njëri kolegj vendos ndryshe e tjetri ndryshe, për çështje tërësisht identike, veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, me ç’rast shkelen edhe parimet e KEDNj-së. Në 4 aktgjykime, dy të shkallës së dytë dhe dy të asaj Supreme, trajtohet ndryshe baza juridike mbi të cilat është refuzuar kërkesëpadia e ajo është parashkrimi.”. Në këtë drejtim, ai u referohet Aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit: [Ac.nr.1823/2021], [Ac.nr.584/2021], [Ac.nr.7587/21] dhe Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme: [Rev.nr.90/2020], [Rev.nr.639/2020].
Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendon se “i ka plotësuar kushtet ligjore për kompensimin e shpërblimit jubilar të tri pagave. Ai ka punuar te e paditura 40 (dyzet) vite e 2 (dy) muaj 9 ditë para se të pensionohej, që do të thotë se me rastin e pensionimit ka pasur të plotësuar kushtin e vitit jubilar prej 40 vite përvojë pune bazuar në Vendimin e të paditurës 8261, pika III, kurse kushtin tjetër për gëzimin e kësaj të drejte pas skadimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e ka pas të plotësuar bazuar në pikën I të Vendimit të cekur, që do të thotë se kompensimi i pagave jubilare për punëtorët e KEK vazhdon deri më 31.12.2019. Gjykata e Apelit nuk e ka ekzaminuar si duhet provën materiale të vetë të paditurës, që është Vendimi nr.268 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, sipas së cilit, ditën kur i është ndërprerë marrëdhënia e punës ai i ka pasur 40 vite përvojë, që i bie vit jubilar.”.
Sipas parashtruesit të kërkesës, “dispozita e nenit 53.4 të Kodit të Punës të KEK-ut është e përgithshme që ua njeh të drejtën në shpërblim jubilar të pagave të gjithë punëtorëve të saj pa përcaktuar afat kohor me plotësimin e të vetmit kusht që është gjendja financiare. Dispozita e cekur është plotësuar me Vendimet e cekura më lart me të cilat janë specifikuar dhe shtuar kushte të reja disa prej të cilave janë në favorin e punëtorëve. Interpretimi se kemi të bëjmë me parashkrim të kërkesës dhe ushtrim të padisë pas skadimit të MPKK-së, është i gabuar dhe joligjor, sepse te rastet e punëtorëve të të paditurës kjo e drejtë është aktive edhe tani bazuar në Kodin e Punës dhe Vendimet e të paditurës. Gjykata e Apelit nuk ka pasur të drejtë t’i anashkalojë ato akte të të paditurës”.
Më tej, parashtruesi i kërkesës ofroi argumente specifike në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 24, duke shtuar se “nuk e ndien veten të barabartë para ligjit, pasi kolegët e tij të drejtën e shpërblimit jubilar e kanë realizuar me kushte tërësisht identike dhe në bazë të të njëjtave dispozita ligjore dhe akteve normative të paditurës, si dhe aktgjykimeve të gjykatave, kurse ai këtë të drejtë nuk mund ta realizojë as në procedurë administrative te e paditura, e as në procedurë ligjore, sepse gjykatat nuk kanë qëndrim unifikues në trajtimin e barabartë të palëve para ligjit.”.
Në vazhdim, parashtruesi i kërkesës ofroi argumente specifike në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31, duke pretenduar se “të paktën më tepër se 100 raste si rasti i tij janë vendosur pozitivisht-në dobi të palëve nga gjykatat. Ndaj tij nuk është bërë gjykim i drejtë dhe i paanshëm, sepse ai bazuar në rregullativën normative të KEK, të drejtën në shpërblim jubilar të tri pagave e ka fituar me rastin e hyrjes në fuqi të MPPK, e cila e drejtë nuk mund t'i mohohet në asnjë procedurë të mëvonshme me asnjë akt ligjor apo nënligjor, aq më pak kur edhe vetë e paditura me Kodin e vet të Punës nr.1041 dhe Vendimet nr.2244 dhe 8261, e ka rikonstituar këtë të drejtë për të gjithë të punësuarit e vet. Parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar edhe kushtin ligjor të kërkuar me vendim të të paditurës për vite jubilare, sepse ditën kur iu ka ndërprerë marrëdhënia e punës ai i ka pasur 40 vite përvojë pune, që i bie vit jubilar konform Vendimit nr.8261, pika III.”.
Sa i përket nenit 46, parashtruesi i kërkesës theksoi se “iu ka mohuar e drejta në shpërblim jubilar e që të hyrat nga marrëdhënia e punës konsiderohen pronë. Se të ardhurat nga marrëdhënia e punës trajtohen si pronë në kuptim të nenit 46 të Kushtetutës është shprehur Gjykata Kushtetuese kur ka gjykuar rastet e pcnsionimit të parakohshëm të një numri të ish-punëtorëve të KEK, me ç’rast ka anuluar mbi 300 aktgjykime të Gjykatës Supreme, për faktin se është shkelur e drejta e pronës kur ka gjetur se 1.baza juridike e detyrimit të kompensimit deri sa të formohet Fondi Pensional qëndron në rregullativën e brendshme të KEK e që është marrëveshja e nënshkruar me secilin individ veç e veç, kusht ky identik si i parashtruesit të kërkesës ku baza juridike për kompensimin e shpërblimeve jubilare për të gjithë ata qe i plotësojnë kushtet është rregullativa normative e KEK-ut, Kodit të Punës dhe Vendimet e cituara dhe 2.Detyrimi konsiderohet i përfunduar kur formohet Fondi Pensional, ose arrihet mosha për pensionim, kusht ky identik si i parashtruesit të kërkesës ku konsiderohet se detyrimi është përmbushur kur kompensohet shpërblimi jubilar sipas kushteve të Vendimeve të cekura në pikën 1.”.
Si përfundim, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) ta shpallë kërkesën si të bazuar; (ii) ta anulojë Aktgjykimin [Ac.nr.9776/21] dhe ta detyrojë Gjykatën e Apelit ta rishqyrtojë atë.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces te rregullt)
"Çdo person ka të drejte që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale ne ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombetarë në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë."
[...]
Protokoll shtesë i KEDNj-së, 1952
Neni 1
(Mbrojtja e Pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”.
LIGJI NR.03/L-212 I PUNËS
Neni 87
[Afati i parashkrimit]
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
MARRËVESHJEN E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE TË KOSOVËS
Neni 3
Aplikimi dhe përfshirja
Dispozitat e MPKK-së aplikohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr.9776/2021] e 29 korrikut 2022, të Gjykatës së Apelit dhe i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, rregulli 34 (2) përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Fillimisht, Gjykata thekson se thelbi i rastit ndërlidhet me kërkesën për paga jubilare të parashtruesit të kërkesës drejtuar të paditurës KEK-ut, që ka qenë punëdhënës i parashtruesit të kërkesës, si rezultat i arritjes së vitit të 40 – jubilar të përvojës së punës në vitin 2019, të cilin e kërkonte në bazë të MKK-së, dhe akteve të brendshme të KEK-ut, përkatësisht, (i) Vendimit [nr. 2244] të 10 prillit 2019; dhe (ii) Vendimit [nr. 8261] të 23 gushtit 2019. Pas refuzimit të kërkesës së parashtruesit nga KEK-u, i njëjti ushtroi padi në Gjykatën Themelore. Fillimisht, pasi Gjykata Themelore ia njohu atij të drejtën për shpërblim jubilar, Gjykata e Apelit pas ankesës së KEK-ut e prishi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e kthyer çështjen në rigjykim si rezultat i shkeljes procedurale, përkatësisht mos hapjes së shqyrtimit për konstatimin se si është rregulluar e drejta e shpërblimit jubilar sipas Kodit të punës dhe akteve tjera të brendshme të të paditurës-KEK Sh.A.. Në vijim, në rigjykim, pasi Gjykata Themelore ia njohu parashtruesit të drejtën për shpërblim jubilar, duke u thirrur kryesisht në aktet e brendshme të punëdhënësit, përkatësisht Kodin e Punës dhe Vendimin [nr.2244] dhe atij [nr.8261], e paditura KEK paraqiti ankesë dhe Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke u bazuar ekskluzivisht në arsyetimin që gjykata e shkallës së parë ka bërë: (i) zbatim të gabuar të së drejtës materiale; (ii) padia e parashtruesit të kërkesës ishte paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor, dhe se e njëjta do të duhej të refuzohej si e pabazuar për shkak të parashkrimit; (iii) periudha kur parashtruesi i kërkesës e kishte mbushur jubilenë, nuk kishte pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim, pasiqë në vitin 2011 në kohën kur parashtruesi i kishte mbushur 30 vite të përvojës së punës, kishte munguar baza ligjore, rrjedhimisht Gjykata e Apelit vendosi që të ndryshoj aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.
Përderisa parashtruesi i kërkesës shpërfaqë pretendime për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës, Gjykata vëren se i njëjti para Gjykatës i konteston konstatimet e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar, në thelb shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, që kanë të bëjnë me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.
(i) Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për sa i përket interpretim të gabuar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës konstatimet e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar në thelb shkelje që kanë të bëjnë me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës, ndër të tjera, vë theks në interpretimin e gabuar të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, sepse sipas parashtruesit Gjykata e Apelit do të duhej që ta merrte parasysh se e njëjta ishte në fuqi edhe gjatë kohës së parashtrimit të padisë, dhe se Gjykata e Apelit kishte vlerësuar gabimisht që padia e tij ishte paraqitur jashtë afatit, rrjedhimisht ka shkelur garancitë procedurale të gjykimit të drejtë.
Në shqyrtimin e këtyre pretendimeve, Gjykata thekson se të njëjtat në esencë ndërlidhen me zbatimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, pretendime të cilat, Gjykata në përputhje me praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, i konsideron si "pretendime të shkallës së katërt”.
Në kontekst të kësaj kategorie pretendimesh, Gjykata thekson se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe duke marrë parasysh veçoritë e saj, siç janë përcaktuar përmes KEDNJ-së, parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, ajo vazhdimisht e ka theksuar dallimin në mes të "kushtetutshmërisë" dhe "ligjshmërisë" dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose me KEDNJ. (Shih, në këtë kontekst, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim për Papranueshmëri i 23 shtatorit 2021, paragrafi 49; KI145/20, parashtrues Hafize Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 33; KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60).
Gjykata gjithashtu ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruar aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI145/20, cituar më lartë, paragrafi 34; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61).
Megjithatë Gjykata thekson se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 janarit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së Kontratës Kolektive dhe refuzimit të pabazuar të kërkesëpadisë së tij, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.9776/2021] të 26 korrikut 2022, kishte theksuar si në vijim: “padia e paditësit është paraqitur jashtë afatit të paraparë ligjor dhe si e tillë do të duhej të refuzohej si e pabazuar për shkak të parashkrimit. Paditësi 30 vite të përvojës së punës i ka arritur në vitin 2011, ashtu që në atë periudhë edhe i ka lindur e drejta për të kërkuar kompensimin e pagës jubilare nga e paditura, mirëpo në periudhën kur paditësi e ka mbushur jubilenë, nuk ka pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim.
[...] nuk është me rëndësi shumë periudha kur është kërkuar pasi çështje paraprake është se a ka pasur në fuqi kontratë kolektive në kohën e përmbushjes së kushtit për kompensim të pagës jubilare. Meqenëse në vitin 2011 në kohën kur paditësi i ka mbushur 30 vite të përvojës së punës, ka munguar baza ligjore, kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar, andaj mbi këtë bazë edhe gjykata vendosi që të ndryshojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë. Në rastin konkret edhe sikur të ekzistonte baza ligjore për të kërkuar kompensim, pra sikur të kishte qenë në fuqi kontrata kolektive në vitin 2011, vit kur paditësi e ka plotësuar kushtin pra përmbushja e jubilesë, nga ajo kohë e deri në paraqitjen e padisë kanë kaluar më tepër se 3 vite sikurse përcaktohet me nenin 87 të Ligjit të Punës dhe padia e tillë është e paraqitur pas afatit ligjor.”.
[...] “paditësit, e drejta për të kërkuar pagat apo shpërblimet jubilare i është krijuar me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive. Nga kjo datë deri më 01.01.2018 paditësi ka pasur mundësi ta paraqesë padinë. Pas datës 01.01.2018 pala humb të drejtën që të kërkojë shpërblimin jubilar sepse një kërkesë e tillë është e parashkruar apo vjetërsuar sepse është paraqitur pas afatit ligjor. Në raport me dispozitat e LMD-së, të cekura nga gjykata e shkallës së parë, të njëjtat do të mund të gjenin zbatim vetëm nëse do të ishte në fuqi Marrëveshja në fjalë dhe në qoftë se kërkesa nga marrëdhënia e punës në para nuk do të ishte parashkruar, e meqenëse e njëjta nuk ka qenë në fuqi dhe kërkesa është parashkruar, pala e paditur nuk i detyrohet palës paditëse asnjë pagesë apo borxh.”
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se Gjykata e Apelit përmes vendimit të kontestuar kishte ndryshuar Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, duke trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe palës së paditur, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave ligjore, përkatësisht të Kontratës së Përgjithshme Kolektive. Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit kishte sqaruar se: (i) parashtruesi i kërkesës kishte plotësuar kushtin për shpërblimin jubilar para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; (ii) periudha kur parashtruesi i kërkesës e kishte mbushur jubilenë, nuk kishte pasur kontratë kolektive në fuqi, andaj nuk ka bazë ligjore për të kërkuar kompensim, pasiqë në vitin 2011 në kohën kur parashtruesi i kishte mbushur 30 vite të përvojës së punës, kishte munguar baza ligjore, rrjedhimisht Gjykata e Apelit vendosi që të ndryshoj aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë; (iii) se parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar më 6 shkurt 2019, përkatësisht pas skadimit të aplikueshmerisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; si dhe (iv) kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare ishte parashkruar tashmë në kuptim të nenit 87 të Ligjit të punës.
Përveç elaborimeve të lartcekura, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023. Në këtë drejtim, Gjykata do të i referohet pjesës relevante të Mendimit Juridik të 27 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, i cili përcakton se “VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes se Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohen kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik [Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës aplikohet në periudhën kohore nga data 01.12015- 31. 12. 2017]; dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit.”
Pra, Gjykata vëren se sipas Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme për shpërblimin jubilar, element përcaktues i zbatuar edhe në rrethanat e rastit konkret është që viti jubilar i punësimit të jetë arritur gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2017, e që nuk përkon të jetë e plotësuar në këtë rast, pasiqë parashtruesi i kërkesës vitin jubilar e kishte arritur në vitin 2011, kur nuk kishte kontratë Kolektive në fuqi. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti që procedurat para Gjykatës së Apelit nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe t’u tregojë gjykatave të rregullta se cila do të ishte mënyra më e përshtatshme e zbatimit të së drejtës materiale, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të juridiksionit të rregullt që ta bëjnë. Gjykata thekson se ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është tejet arbitrar dhe i pajustifikueshëm, çfarë në rrethanat konkrete nuk kemi të bëjmë me vendime qartazi arbitrare ose të pajustifikuara.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të Kontratës Kolektive, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata e Apelit, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata e Apelit ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe i ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Andaj, Gjykata nga shtjellimet e mësipërme konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta, megjithatë pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Prandaj, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e "shkallës së katërt" dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të "ligjshmërisë" dhe nuk janë argumentuar në nivel të "kushtetutshmërisë". Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
(ii) Përkitazi me moskonsistencën e vendimeve gjyqësore të ndërlidhur me shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Gjykata fillimisht rikujton që pretendimin për mos konsistencë të vendimeve gjyqësore, parashtruesi i kërkesës i ndërlidh me pretendimin për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës si rezultat i mos-pasjes së barazisë para ligjit. Pra, parashtruesi i kërkesës në substancë pretendon se i) përmes vendimit të kontestuar është trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me të tjerët; si dhe ii) është cenuar parimi i sigurisë juridike si rezultat i vendimit kundërthënës të Gjykatës së Apelit.
Gjykata në vijim do t’i shtjellojë: (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; (ii) aplikimi i të njëjtave në rastin konkret.
Parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore
Lidhur me këtë, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, ku Gjykata, ndër të tjera, konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së).
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me mungesën e konsistencës të vendosura përmes praktikës gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], kërkesa nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, kërkesa nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56).
Sipas GJEDNJ-së: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor”. (shih, rastin Paduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, kërkesat nr. 44698/06, paragrafi 56, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009; dhe rasti Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore. (shih, rastin Unédic kundër Francës, kërkesa nr. 20153/04, paragrafi 74, 18 dhjetor 2008, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e cituar më lart të Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 65, si dhe rastin KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), kërkesa nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastin e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51 dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës të cituar më lart, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, paragrafi 39, KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, paragrafi 67, të cituar më lart, KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, të cituar më lart, paragrafi 70, KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020).
Gjykata vëren se GJEDNJ gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42 - 43).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, kërkesa nr. 21911/03, Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 2 shkurtit 2010, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54).
Zbatimi i këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, GJEDNJ pranon se mundësia e divergjencave në praktikën gjyqësore është karakteristikë e natyrshme në çdo sistem gjyqësor të bazuar në një sistem gjykatash nacionale që kanë autoritet mbi juridiksionin e tyre territorial. Ajo gjithashtu pranon se dallime të tilla mund të lindin, si në rastin konkret, brenda të njëjtit juridiksion. Kjo në vetvete nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën e garantuar me KEDNJ (shih rastin e GJEDNJ-së Santos Pinto kundër Portugalisë, kërkesa nr. 39005/04 Aktgjykim i 20 majit 2008 par. 41).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës i cili thekson se rasti i tij nuk është trajtuar në mënyrë të njëjtë në raport me rastet e tjera të cilat sipas tij janë identike, edhe përkundër rrethanave të njëjta faktike dhe juridike, duke shtuar se gjykatat e rregullta kishin nxjerrë vendime të ndryshme në raste të njëjta.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës kishte sjellur në Gjykatë 4 vendime të ndryshme, për të cilat konsideronte që kanë vendosur rastin në mënyrën e duhur, si në vijim: (1) Aktgjykimi [Ac.nr.584/2021] i 21 shkurtit 2022, i Gjykatës së Apelit (A. K.); (2) Aktgjykimi [Ac.nr.1823/2021] i 19 prillit 2022, i Gjykatës së Apelit (A. M.); (3) Aktgjykimi [Ac.nr.7587/2021] i 7 korrikut 2022, i Gjykatës së Apelit (S.B.); (4) Aktgjykim [Rev.nr.639/2020] i 21 janarit 2021 i Gjykatës Supreme (B. F.); si dhe (5) Aktgjykim [Rev.nr.90/2020] i 4 majit 2020 i Gjykatës Supreme (S.C.). Në këtë drejtim, Gjykata vëren që të gjitha këto vendime ishin marrë nga gjykatat e rregullta, para datës së nxjerrjes së Mendimit Juridik për shpërblimin jubilar, të 27 shkurtit 2023, të Gjykatës Supreme.
Prandaj, përveç elaborimeve të lartcekura për sa i përket pretendimit të parashtruesit për zbatim të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023.
Pra, Gjykata vëren se sipas Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme për shpërblimin jubilar, element përcaktues i zbatuar edhe në rrethanat e rastit konkret është që viti jubilar i punësimit të jetë arritur gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2017, e që nuk përkon të jetë e plotësuar në këtë rast, pasiqë parashtruesi i kërkesës vitin jubilar e kishte arritur në vitin 2011, kur nuk kishte kontratë Kolektive në fuqi. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti që procedurat para Gjykatës së Apelit nuk ishin të padrejta ose arbitrare. (shih mutatis mutandis rastin e Gjykatës: KI199/18, me parashtrues Hajriz Haxholli, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 qershorit 2019, paragrafi 34).
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i arsyetuar dhe se interpretimi i kësaj të fundit, sa i përket fakteve të paraqitura për vlerësim nga parashtruesi i kërkesës, nuk mund të thuhet se ishte arbitrar, i paarsyeshëm apo të ketë mundur të ndikojë në gjykim të drejtë, por ishte thjesht çështje e interpretimit dhe zbatimit të ligjit (shih në mënyrë analoge, rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 57).
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të tre vendimeve të Gjykatës së Apelit si dhe dy vendimeve të Gjykatës Supreme, ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastin e parashtruesit, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës t’i paraqesë argumente shtesë, apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata e Apelit, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Në këtë drejtim Gjykata rikujton që praktika e GJEDNJ-së nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar, paragrafët 42 - 43).
Andaj, në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në tre aktgjykime të Gjykatës së Apelit (shih, në mënyrë analoge rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 53; shih gjithashtu rastin KI28/23, me parashtrues Rrahim Haliti, Aktvendim për Papranueshmëri i 26 qershorit 2023, paragrafi 81).
Prandaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih rastin KI29/17, të cituar më lart, paragrafi 58).
(iii) Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson që vendimi i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Gjykata rikujton se neni 46 i Kushtetutës, sikundër edhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës (Shih rastet e Gjykatës: KI201/18, me parashtrues Selami Taraku, Aktvendim për papranueshmëri i 1 nëntorit 2019, paragrafi 39; KI83/18, me parashtrues Ivica Milosevic, Aktvendim për papranueshmëri i 17 tetorit 2019, paragrafi 41; Shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së: Van der Mussele kundër Belgjikës, nr. 8919/80, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 23 nëntorit 1983, paragrafi 48; dhe Slivenko dhe të tjerët kundër Letonisë, kërkesa nr. 73049/01, Aktgjykimi i 9 tetorit 2003, paragrafi 121).
Në këtë kuadër, Gjykata i referohet interpretimeve të GJEDNJ, ku vihet në pah se Neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ-së vlen vetëm për "zotërimet" ekzistuese të një personi (shih : Marckx kundër Belgjikës, nr. 6833/74, Aktgjykim i 13 qershorit 1979, paragrafi 50; Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr. 73049/01, Aktgjykimi i 11 janarit 2007, paragrafi 64).
Parashtruesi i kërkesës më tej mund të pretendojë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës vetëm për aq sa vendimet e kontestuara kanë të bëjnë me "pronën" e tij; brenda kuptimit të kësaj dispozite "pronë" mund të jetë ''pasuria ekzistuese", duke përfshirë edhe pretendimet në bazë të të cilave parashtruesi i kërkesës mund të pretendojnë "pritshmëri legjitime" që do të fitojnë gëzimin efektiv të ndonjë të drejte pronësore.
Por, sipas praktikës së GJEDNJ, nuk mund të thuhet se lind ndonjë "pritje legjitime" atje ku ekziston një kontest në lidhje me interpretimin e drejtë dhe aplikimin e së drejtës së brendshme dhe atje ku parashtresat e parashtruesit janë hedhur poshtë më pas nga gjykatat kombëtare (shih: Kopecky kundër Sllovakisë, nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafi 50).
Gjykata, duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me parimet e lartpërmendura, vëren se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohen konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës) për sa i përket mos pagimit të pagave jubilare të pretenduara nga ana e tij. Kjo për faktin se, sipas parashtruesit të kërkesës, gjykatat e rregullta kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike dhe kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale dhe në këtë mënyrë nuk kanë vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së tij.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata tashmë ka ardhur në përfundim se këto pretendime janë qartazi të pabazuara. Prandaj, Gjykata konsideron se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi i kërkesës ka kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipër cekura të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuara, sepse (i) pretendimet për interpretim të gabuar të së drejtës materiale, vlerësohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”; (ii) pretendimet për mos konsistencën e vendimeve gjyqësore të ndërlidhur me shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara, që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”; dhe (iii) pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, vlerësohen si qartazi të pabazuara. Prandaj, kërkesa në tërësi vlerësohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Hakif Haliti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile