Prishtinë, më 12 qershor 2023
Nr. ref.:RK 2206/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI29/23
Parashtrues
Bashkim Kuquku
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, [AC-I-22-0713-A0001], të 26 janarit 2023 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Bashkim Kuquku, me vendbanim në Suharekë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Shaip Ramadani, avokat nga Prizreni.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [AC-I-22-0713-A0001] e 26 janarit 2023 (në tekstin e mëtejmë: Aktvendimi i kontestuar) të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit).
Aktvendimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 30 janar 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta], dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [në tekstin e mëtejmë: Konventa].
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 7 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin GJR.KI29/23 caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH.KI29/23 caktoi anëtaret e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 24 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi dokumente shtesë, gjegjësisht Aktvendimin e plotë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, [AC-I-22-0713-A0001], të 26 janarit 2023. Të njëjtën datë, një kopje e kërkesës së parashtruesit të kërkesës iu dërgua Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Më 22 maj 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në Ndërmarrjen Shoqërore D.L.B. “Lavërtaria-Blegtoria" në Prizren [në tekstin e mëtejmë: Ndërmarrja Shoqërore], nga 27 shtatori 1984 deri më 7 korrik 2014. Më 7 korrik 2014, ndërmarrja shoqërore e njoftoi parashtruesin e kërkesës [Njoftimi AKP.Nr.L13], përkitazi me ndërprerjen e marrëdhënies se punës për shkak të procesit të privatizimit. [Sqarim: vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nuk është në dosje].
Më 7 korrik 2014, ndërmarrja shoqërore iu nënshtrua procedurave të likuidimit dhe u fut nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit [në tekstin e mëtejmë: AKP].
Më 19 gusht 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë kreditore te Autoriteti i Likuidimit, nëpërmjet të cilës kërkoi kompensimin e pagave të papaguara për periudhën kohore nga viti 2004 deri më 2014, në shumën prej 23.112.00 euro.
Më 6 mars 2015, Autoriteti i Likuidimit nëpërmjet Vendimit [PRZ009-0163], refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se:
“Neni 608 i Ligjit të Punës së Bashkuar i aplikueshëm sipas nenit 1 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/24 parashikon që pagesa e shumës së pagës apo rrogës, apo secilës kërkesë tjetër e punëtorit që rrjedhë nga marrëdhënia e punës do të parashkruhet për tre vjet. Në bazë të dispozitave të mësipërme, kërkesa duhet të jetë paraqitur në gjykata apo ndonjë autoritet kompetent brenda tre viteve nga momenti kur NSH pretendohet të mos ketë përmbushur obligimet e saja ndaj parashtruesit të kërkesës që rrjedhin nga marrëdhënia e punësimit. Pra tri vite nga kur parashtruesi nuk ka përfituar nga ndërmarrja të ardhurat personale të pretenduara në rastin në fjale tre vjet nga 2004. Ky Autoritet i Likuidimit nuk ka ndonjë provë që parashtruesi ka dorëzuar një kërkesë për kompensim të pagave të papaguara në gjykata apo ndonjë organ tjetër kompetent brenda tre viteve nga 2004 si më sipër.”
Më 21 prill 2015, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës [në tekstin e mëtejmë: DHPGJS], kundër Autoritetit të Likuidimit, nëpërmjet të cilës kërkoi shfuqizimin e Vendimit [PRZ009-0163], të 6 marsit 2015. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga DHPGJS që të ndryshojë vendimin e lartcekur, dhe të miratojë kërkesëpadinë për realizimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2014, në vlerë prej 23.112.00 euro. Sipas tij: “...askund në ligjet e zbatueshme të cilat kanë të bëjnë me privatizimin dhe likuidimin e NSH, nuk duhet të jetë paraparë instituti i parashkrimit lidhur me kërkesat që kanë të bëjnë me të ardhurat personale nga marrëdhënia e punës, sepse vet natyra e procesit të privatizimit përjashton një gjë të tillë, duke pasur parasysh afatet procedurale për realizimin e të drejtave të punëtorëve dhe kreditorëve nga likuidimi i NSH”.
Më 12 gusht 2021, DHPGJS nëpërmjet Aktgjykimit [C-IV-15-0433], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [PRZ009-0163] e Autoritetit të Likuidimit. DHPGJS arsyetoi si në vijim:
“Sikurse rezulton nga shkresat e lëndës – provat e prezantuara, parashtruesi i kërkesës nuk ka iniciuar asnjë procedurë gjyqësore apo te organi kompetent para se te Autoriteti i Likuidimit në dt. 19.08.2014 të dorëzonte kërkesën kreditore. Kërkesa kreditore lidhur me kompensimin e pagave të pa paguara, nuk është mbështet me aktgjykim të formës së prerë të cilin Autoriteti i Likuidimit duhej ta kishte marrë në konsideratë.
[...]
Lidhur me kërkesën e tani paditësit për kompensimin e pagave të pa paguara për periudhën kohore nga viti 2004 deri në vitin 2013, kjo gjykatë konstatoi se parashtruesi i kërkesës/ankesës – tani paditësi para Autoritetit të Likuidimit e as në procedurën e ankesës kundër vendimit tani të ankimuar nuk ka prezantuar dëshmi, përkatësisht prova në mbështetje të kësaj kërkese.
[...]
Tani parashtruesi i kërkesës-paditësi, lidhur me të drejtat e pretenduara, duhej që të kishte iniciuar procedurë para një gjykate apo organi tjetër kompetent me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tij të pretenduara se i janë shkelur që nga viti 2004 e më së largu në vitin 2013.”
Më 10 shtator 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit, kundër Aktgjykimit [C-IV-15-0433], për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurave kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Kolegji i Apelit të prishë aktgjykimin e lartcekur dhe ta kthejë çështjen në rigjykim. Sipas tij: “Në arsyetimin e aktgjykimit gjykata nuk ka treguar fare arsyet për faktet vendimtare, nuk e ka shqyrtuar në mënyrë të gjithanshme padinë dhe përgjigjen e dhënë në mbrojtjen e të paditurit”. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendonte që “ gjykata gabimisht konstaton se paditësi nuk kishte iniciuar ndonjë procedurë gjyqësore apo tjetër, për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës, se nuk paska inicuar procedurë përkatëse në gjykatë apo kërkesat në organet e NSH, duke u thirrur gjykata në nenin 78-80 të Ligjit të Punës. Sipas nenit 10 të Ligjit për AKP-në, parashihet se çdo procedurë gjyqësore ndaj një NSH, e cila ka hyrë në procedurën e likuidimit, ndërpritet, gjë që kjo e konfirmon pretendimet e pa bazuar të paditurës e cila thirret në parashkrim”.
Më 21 dhjetor 2022, Kolegji i Apelit nëpërmjet Aktvendimit [AC-I-21-0610-A0001], e konsideroi të tërhequr ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit [C-IV-15-0433]. Kolegji i Apelit arsyetoi si në vijim:
“Pas parashtrimit të ankesës ndaj këtij aktgjykimi, zyra e regjistrit të DHPGJK-së kishte kërkuar nga ankuesi që të paguaj taksën gjyqësore në emër të ankesës së parashtruar, duke ia bërë me dije se nëse nuk ka mundësi pagese, ai mund të parashtroj kërkesë të argumentuar për lirim nga kjo pagesë.
[...]
Sipas nenit 253.4 të Ligjit të Procedurës Kontestimore: Paditësi ka për detyrë që të padisë t’ia bashkëngjisë vërtetimin mbi taksën gjyqësore të paguar. Neni 253.5 thotë: Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr. Në bazë të nenit 3.1 të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2017 të këshillit Gjyqësor të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 maj 2017, përcaktimi i taksës gjyqësore për t’u paguar në kohën kur është paraqitur ankesa, është i bazuar në vlerën e kontestit, respektivisht në natyrën e kërkesës. Neni 2.4 i Udhëzimit Administrativ e përcakton se shprehja “kërkesë” përdoret për padi, kundërpadi, ankesë, kundërshtim, kërkesë, revizion, propozim për ekzekutim. Ky udhëzim administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore të DHPGJS-së, përcakton se ankuesi duhet të paguaj shumën fikse prej 100 euro kur e parashtron ankesën.
[...]
Pasi që ankuesi nuk e ka paguar taksën gjyqësore siç është kërkuar nga ajo përmes njoftimit (vërejtjes) së datës 20 shtator 2021, e cila iu është dorëzuar përfaqësuesit të ankuesit më 21 shtator 2021, ai nuk ka parashtruar kërkesë për t’u liruar nga pagesa e taksës gjyqësore, Kolegji i Apelit konsideron se ankesa është e tërhequr.”
Më 23 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për kthim në gjendje të mëparshme. Parashtruesi i kërkesës kërkonte që: “...gjykata të lejoj kthimin në gjendje të mëparshme, ashtu që paditësit t’i dërgohet vërejtja për pagimin e taksës gjyqësore për pagimin e taksës për ankesë kundër Aktgjykimit C-IV-15-0433 të dt. 12.8.2021, së bashku me taksën shtesë për shkak të mos përmbushjes së detyrimit në afatin e caktuar, nëse ka pas vërejtje për taksën. Paditësit nuk iu është dërguar vërejtja për taksën për ankesën kundër aktgjykimit”.
Më 26 janar 2023, Kolegji i Apelit nëpërmjet Aktvendimit [AC-I-22-0713-A0001], refuzoi si të pabazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme. Me këtë rast Kolegji i Apelit kishte arsyetuar: “Me aktvendimin e kundërshtuar me propozim për kthim ne gjendje te me mëparshme, Kolegji i Apelit e kishte konsideruar ankesën e paditësit si tërhequr, pasi qe ankuesi nuk e kishte paguar taksen gjyqësore të kërkuar nga gjykata, por as nuk kishte bërë kërkesë për Lirim nga kjo pagesë.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që akti i kontestuar, ka shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që: “Në ankesën e parashtruar kundër Aktgjykimit të Dhomës së Posaçme, C-IV-15-0433/21, faqe 2, paditësi ka kërkuar të caktohet seanca dëgjimore për shkak të kompleksitetit të lëndës, mirëpo gjykata Aktgjykimin e atakuar e ka marrë pa caktuar seancë dëgjimore, dhe me këtë rast ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 6 të KENDJ”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se: “Me aktvendimet e kundërshtuara, gjykata ka shkelur nenin 54 të Kushtetutës së Kosovës duke ia mohuar paditësit mbrojtjen gjyqësore për shkak të mospagimit të taksës gjyqësore për ankesë. Paditësi ka paguar taksën gjyqësore për padi, prej nga mund të konkludohet se paditësi nuk duket të ketë pasur vullnet për t’iu shmangur taksës gjyqësore për ankesën e parashtruar. Sipas pikës 1-2 të nenit 13 të udhëzimit administrativ nr.01/2017, në raste të mospagimit të taksës në afat, pason ngarkesa shtesë prej 10 eurove”.
Sipas parashtruesit të kërkesës: “...ankesa e parashtruar kundër Aktgjykimit C-IV-15-0433/21, e konsideruar e tërhequr për shkak të mospagimit të taksës gjyqësore paraqet shkelje të nenit 54 të Kushtetutës së Kosovës, sepse e drejta në ankesë kundër një aktgjykimi është e drejtë e pacenueshme. Paditësi ne asnjë mënyrë nuk ka pasur interes juridik për mospagimin e taksës për ankesë sepse me kohe e ka paguar taksen për padi. Paditësi iu është lutur gjykatës qe t’ia mundësoj pagimin e taksës duke e pagur edhe dënimin për mospagimin e taksës me kohe. Meqë taksa për padi është paguar me kohë, për taksën e mospaguar me kohë për ankese, paraqet shkelje te ligjit, sepse për taksen e mospaguar për ankese ka mekanizma për t’u paguar me detyrim”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. 3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
LIGJI PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE Nr. 03/L-006
DËGJIMI I PALËVE
Neni 373
Me propozimin e palës, gjykata mund të vendosë që të merret prova me anë të dëgjimit të palëve.
Neni 374
Gjykata vendos që të pyetet vetëm njëra palë ndërgjyqëse, po që se pala tjetër refuzon të pyetet apo nuk vepron sipas thirrjes së gjykatës.
Përgjigja në Padi
Neni 399
399.1 Kur gjykata, pasi t’i arrijë përgjigja në padi, konstaton se nga faktet e treguara në padi nuk del themelësia e kërkesëpadisë, atëherë ajo do te jep vendimin meritor me të cilin refuzohet si e pathemeltë kërkesëpadia.
399.2 Kërkesëpadia është e pathemeltë, në vështrim të paragrafit 1 të këtij neni, po që se qartazi është në kundërthënie me faktet e treguara në padi, apo, po që se faktet mbi të cilat mbështetët kërkesëpadia qartazi janë në kundërthënie me provat të cilat i ka propozuar paditësi, apo me faktet që janë botërisht të ditura.
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 18
[Përgjegjësitë dhe autorizimet e përgjithshme të Autoritetit të Likuidimit]
[...]
1.16.shqyrtimin e Dëshmive të Kërkesës dhe Dëshmive të Interesit të parashtruar sipas këtij ligji dhe, nëse ka bazë të arsyeshme për të kundërshtuar një Kërkesë të tillë në tërësi apo pjesërisht, refuzimin dhe/apo parashtrimin e kundërshtimeve për të, në tërësi apo pjesërisht;
[...]
Neni 40
[Prioritetet e kërkesave dhe interesave]
1.Në procedurat e likuidimit të gjitha Kërkesat e kreditorëve do të përmbushen në pajtim me kategoritë 1.1 – 1.8 më poshtë dhe sipas renditjes në vijim: […]
1.6.1.kërkesat për pagat e punonjësve të cilat nuk janë paguar deri në datën e vendimit nga Gjykata apo Agjencia për fillimin e procedurave të likuidimit, të kufizuar në tri paga mujore bruto për person;
1.6.2.kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës të sjella nga punonjësit të cilat janë pushuar nga puna si rrjedhojë e Vendimit për Likuidim të ndërmarrjes, apo në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga Agjencia sipas nenit 6.1 apo 6.2 të Ligjit për AKP-në;
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
KREU IX
PROCEDUARAT PËR REALIZIMIN E TË DREJTAVE NGA MARRËDHËNIA E PUNËS
Neni 78
[Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit]
1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të drejtave të shkelura.
2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.
3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej tetë (8) ditësh.
Neni 79
[Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë]
Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij, ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30) ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente.
UDHËZIMI ADMINISTRATIV NR. 01/2017 PËR UNIFIKIMIN E TAKSAVE GJYQËSORE
Neni3
[Përcaktimi i taksave për parashtresat lidhur me kërkesat civile]
[...]
Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtesës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi (TTGJ).
Neni 5
[Mbledhja e taksave dhe pasojat e mos pagesës]
[...]
5.5 Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtesës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi (TTGJ).
5.5.1 Nëse taksa për parashtresë nuk paguhet deri në datën përfundimtare sipas këtij neni dhe kur nuk ekzistojnë kushtet për lirim nga detyrimi për pagesën e saj, gjykata do të hedh poshtë parashtresën me përjashtim të parashtresave lidhur me mjetet e goditjes
5.5.2 Nëse taksa për padi, e përcaktuar sipas vlerës së kontestit në padi, nuk paguhet deri në datën përfundimtare, edhe pas pranimit të vërejtjes për pagesën e saj, në rastet kur nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e palës nga detyrimi i pagesës, do të zbatohet neni 253 paragrafi 5 i Ligjit për Procedurën Kontestimore, ashtu që do të konstatohet se padia është tërhequr.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-22-0713-A0001], të 26 janarit 2023 të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk e mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që me aktin e kontestuar i jane shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, dhe shkelje të nenit 6 [E Drejta për një proces të rregullt gjyqësor] Konventës.
Megjithatë, Gjykata vëren se pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me të drejtën për një gjykim të drejtë, respektivisht të drejtën për “qasje në drejtësi”. Në këtë kontekst, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë këto pretendime, në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet për shkeljen e të drejtës për “qasje në drejtësi”
Parimet e përgjithshme
E drejta për të pasur qasje në gjykatë për qëllime të nenit 6 të KEDNj-së është definuar në rastin Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4451/70, Aktgjykimi i 21 shkurtit 1975. Duke iu referuar parimit të sundimit të ligjit dhe shmangies së pushtetit arbitrar, GjEDNj-ja ka konstatuar se “e drejta për qasje në gjykatë” është aspekt thelbësor i garancive procedurale të mishëruara në nenin 6 të KEDNj-së. Sipas GjEDNj-së, kjo e drejtë i siguron çdokujt të drejtën e adresimit të çështjes përkatëse që ndërlidhet me “të drejta dhe detyrime civile”, para një gjykate (shih rastin e GjEDNj-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr.76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84).
Sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, së pari duhet të ekzistojë një “e drejtë civile” dhe së dyti, duhet të ketë një “kontest” lidhur me ligjshmërinë e një ndërhyrjeje, që prek vetë ekzistencën apo fushëveprimin e “të drejtës civile” të mbrojtur. Definimi i këtyre dy koncepteve duhet të jetë përmbajtjesor dhe joformal (shih, në këtë aspekt, rastet e GJEDNj-së, Le Compte, Van Leuven and De Meyere kundër Belgjikës, nr. nr. 6878/75, 7238/75, Aktgjykim i 23 qershorit 1981, paragrafi 45; Moreira de Azevedo kundër Portugalisë, nr. 12686/03, Aktgjykim i 23 tetorit 1990, paragrafi 66; Boulois kundër Luksemburgut nr. nr. 37575/04, Aktgjykim i 20 marsit 2009, paragrafi 29; dhe Boulois kundër Luksemburgut, nr. 37575/04, Aktgjykim i 3 prillit 2012, paragrafi 92). Neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, garantojnë jo vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të “kontestit” përkatës nga një gjykatë (shih rastet e GjEDNj-së, Kutić kundër Kroacisë, nr. 48778/99, Aktgjykim i 1 marsit 2002, paragrafët 25-32; Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 86 dhe referencat në të; Aćimović kundër Kroacisë, nr. 61237/00, Aktgjykim i 9 tetorit 2003, paragrafi 41; dhe Beneficio Cappella Paolini kundër San Marinos, nr. 40786/98, Aktgjykim i 13 korrikut 2004, paragrafi 29).
Megjithatë, parimet e lartpërmendura nuk nënkuptojnë që e drejta për gjykatë dhe e drejta e qasjes në gjykatë janë të drejta absolute. Ato mund të jenë subjekt i kufizimeve, të cilat janë qartë të përcaktuara nga praktika gjyqësore e GjEDNj-së. Këto kufizime nuk mund të shkojnë deri në atë masë sa të kufizojnë qasjen e individit, duke cenuar vetë thelbin e të drejtës (shih GjEDNj, Baka kundër Hungarisë, nr. 20261/12, Aktgjykim i 23 qershorit 2016, paragrafi 120; dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar me lartë, paragrafi 89). Kurdo që qasja në gjykatë kufizohet nga ligji ose praktika përkatëse gjyqësore, Gjykata shqyrton nëse kufizimi i tillë prekë thelbin e të drejtës dhe, në veçanti, nëse ky kufizim ka ndjekur një “qëllim legjitim”, si dhe nëse ekziston “një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet” (shih rastet e GjEDNj-së, Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8225/78, Aktgjykim i 28 majit 1985, paragrafi 57; Naït-Liman kundër Zvicrës, nr. Aktgjykim i 21 shtatorit 1990, paragrafi 65; dhe Marković dhe të tjerët kundër Italisë, nr.1398/03, Aktgjykim i 14 dhjetorit 2006, paragrafi 99). E drejta për qasje në gjykatë mund t’i nënshtrohet në rrethana të caktuara, disa kufizimeve legjitime, të tilla si afatet ligjore të parashkrimit, urdhrave që kërkojnë pagesën e një garancie, një kërkesë përfaqësimi (rastet e GjEDNj-së, Stubbings dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 22095/93, Aktgjykim i datës 22 tetor 1996; Tolstoy Miloslavsky kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 18139/91, Aktgjykim i 13 korrikut 1995; R.P. dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 38245/08, Aktgjykim i 9 tetorit 2012).
Gjykata rikujton se, sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, kërkesat për të paguar taksë gjyqësore për çështje civile në lidhje me paditë apo ankesat, për të cilat gjykatat duhet të vendosin, nuk mund të konsiderohet si kufizim i të drejtës për qasje në gjykata që është e papajtueshme, per se, me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Andaj, shuma e taksës gjyqësore e vlerësuar nën dritën e rrethanave të rastit të caktuar, duke përfshirë mundësitë e parashtruesve për ta paguar atë, dhe faza e procedurës në të cilën taksa gjyqësore është vendosur, janë faktor që duhet të merren parasysh kur të vendoset nëse personit i është respektuar e drejta për qasje në gjykata (shih, mutatis mutandis, Aktgjykimin e GjEDNj-së, të 30 nëntorit 2005, Podbielski dhe PPU Polpure kundër Polonisë, nr. 39199/98, para. 64; shih rastin e Gjykatës, KI62/18, parashtruese Nadlije Gojani, Aktvendim i 27 shtatorit 2018, para. 43, 44).
GjEDNj, rrjedhimisht thekson se kurrë nuk e ka përjashtuar mundësinë që interesat e administrimit të drejtë të drejtësisë mund të justifikojnë vendosjen e një kufizimi financiar në qasjen e një individi në gjykatë (shih rastin e GjEDNj-së Tolstoy Miloslausky kundër Mbretërisë së Bashkuar, 13 korrik 1995, paragrafi 61). Andaj, Gjykata bazuar në praktikën e GjENDj-së dhe të vetë, konsideron se kërkesa për t'ia paguar gjykatës një shumë të caktuar monetare, nuk mund të konsiderohet si kufizim ose mohim i të drejtës për qasje në gjykatë. GjEDNj kufizimin e kishte gjetur në rastet kur shuma për pagesën e taksës ishte shumë e lartë, dhe një gjë e tillë do rezultonte në mohimin e të drejtës për qasje në drejtësi siç garantohet me KEDNj (shih rastin e Gjykatës KI92/21, parashtrues Fadil Ponosheci, Aktvendim i 21 tetorit 2021, para. 39, 40).
Gjykata në vazhdimësi ka përsëritur se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (shih rastin e Gjykatës KI78/18, parashtrues Pashk Malota, Aktvendim i 27 shkurtit 2019, para, 40, 41). Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe material. Roli i Gjykatës është që të sigurojë pajtueshmërinë me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe instrumentet e tjera ligjore. Prandaj, Gjykata Kushtetuese nuk mund të veprojë si “gjykatë e shkallës së katërt (shih rastin e Gjykatës KI57/19, parashtrues Slavica Mirić, Aktvendim i 12 dhjetorit 2019, para. 48.) Megjithatë, në rastet kur një pretendim ngritë çështje kushtetuese, përkatësisht parregullsi të procesit gjyqësor, Gjykata është e detyruar të ndërhyjë dhe të riparojë shkeljet e shkaktuara nga gjykatat e rregullta, për t’i siguruar individit një gjykim të drejtë në pajtueshmëri me nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së (shih rastin e Gjykatës KI80/19, parashtrues Radomir Dimitrijević, Aktgjykim i 10 nëntorit 2020, para. 57; rasti i Gjykatës KI224/19, parashtrues Islam Krasniqi, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, para. 49, 50). Gjykata përsërit qëndrimin e saj të përgjithshëm se, në parim, pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës së ndjekur nga gjykatat e rregullta, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e Gjykatës KI60/19, parashtrues Srdan Stolić, Aktvendim i 1 korrikut 2020, para. 48).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune në ndërmarrjen shoqërore nga viti 1984 deri më 2014, kur iu ndërpre marrëdhënia e punës për shkak të procesit të privatizimit. I njëjti, më 19 gusht 2014, paraqiti kërkesë kreditore pranë Autoritetit te Likuidimit, me të cilën kërkoi kompensimin e pagave të papaguara për periudhën kohore nga viti 2004 deri më 2014, në shumën prej 23.112.00 euro. Më 6 mars 2015, kërkesa e tij u refuzua nga Autoriteti i Likuidimit me arsyetimin se ajo ishte parashkruar. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në DHPGJS, nëpërmjet të cilës kërkoi anulimin e vendimit të Autoritetit të Likuidimit dhe kompensimin e pagave të kërkuara. Më 12 gusht 2021, DHPGJS-ja nëpërmjet aktgjykimit refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimin e Autoritetit të Likuidimit. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit dhe kërkoi prishjen e aktgjykimit të lartcekur. Më 21 dhjetor 2022, Kolegji i Apelit me Aktvendim e konsideroi të tërhequr ankesën, për shkak se, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paguar taksën gjyqësore siç ishte kërkuar nëpërmjet njoftimit/vërejtjes nga gjykata. Më 26 janar 2023, Kolegji i Apelit refuzoi edhe propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktvendimi i Kolegjit të Apelit ka shkelur të drejtën e tij kushtetuese për një proces të rregullt gjyqësor, përkatësisht “qasjen në drejtësi”. Sipas tij, Kolegji i Apelit nuk e trajtoi fare ankesën e parashtruar nga ai kundër Aktgjykimit të DHPGJS-së, për shkak të mospagesës së taksës gjyqësore, dhe gjithashtu, refuzoi propozimin e parashtruar për kthim në gjendjen e mëparshme.
Gjykata vëren se në rastin konkret ekziston një kontest midis parashtruesit të kërkesës dhe Autoritetit të Likuidimit, në lidhje me të “drejta dhe detyrime civile”, respektivisht kërkesën për kompensimin e pagave të papaguara, në shumën prej 23.112.00 euro. Gjithashtu, gjykata vëren së Kolegji i Apelit nuk e trajtoi në merita ankesën e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit [C-IV-15-0433] të DHPGJS-së, të 12 gushtit 2021, për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore, dhe më pastaj refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme. Mbi bazën e parimeve të përgjithshme, Gjykata do të analizojë nëse gjykatat e rregullta, konkretisht Kolegji i Apelit ka shkelur të drejtat e garantuara kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, përkitazi me të drejtën e tij për “qasje në drejtësi”.
Gjykata i referohet Aktvendimit [AC-I-21-0610-A0001] të Kolegjit të Apelit, të 21 dhjetorit 2022, me të cilin u konsiderua e tërhequr ankesa e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin si në vijim:
“Pas parashtrimit të ankesës ndaj këtij aktgjykimi, zyra e regjistrit të DHPGJK-së kishte kërkuar nga ankuesi që të paguaj taksën gjyqësore në emër të ankesës së parashtruar, duke ia bërë me dije se nëse nuk ka mundësi pagese, ai mund të parashtroj kërkesë të argumentuar për lirim nga kjo pagesë.
[...]
Pasi që ankuesi nuk e ka paguar taksën gjyqësore siç është kërkuar nga ajo përmes njoftimit (vërejtjes) së datës 20 shtator 2021, e cila iu është dorëzuar përfaqësuesit të ankuesit më 21 shtator 2021, ai nuk ka parashtruar kërkesë për t’u liruar nga pagesa e taksës gjyqësore, Kolegji i Apelit konsideron se ankesa është e tërhequr.”
Gjykata vëren se Kolegji i Apelit e mbështeti aktvendimin e saj te Udhëzimi Administrativ [nr.1/2017], i nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili në nenin 3 parasheh që: “Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtresës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi”. Neni 2.4 i këtij Udhëzimi përcakton që termi “Parashtresë” do të thotë padi, kundërpadi, ankesë, kundërshtim, kërkesë, revizion, propozim për përmbarim”.
Gjykata vëren se Udhëzimi administrativ gjithashtu parashikon që: “Në rastet kur këto pagesa nuk realizohen në zyrën e pranimit të parashtresave gjykatësi ose kryetari i trupit gjykues të cilit i është caktuar lënda, urdhëron me vërejtje të posaçme pagesën e taksës në mënyrë e paraparë me nenin 5.2 (me njoftimin për pasojat ligjore të mos pagesës së saj), sipas vlerës së kontestit dhe parametrave tjerë të përcaktuar me TTGJ si në nenin 12 dhe 13 të këtij Udhëzimi, ose vendosë sipas kërkesës së palës për t’u liruar nga pagesa e të njëjtës, nëse ka këso kërkese”. Ndërsa, neni 5.5.2 i këtij Udhëzimi parasheh: “Nëse taksa për padi, e përcaktuar sipas vlerës së kontestit në padi, nuk paguhet deri në datën përfundimtare, edhe pas pranimit të vërejtjes për pagesën e saj, në rastet kur nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e palës nga detyrimi i pagesës, do të zbatohet neni 253 paragrafi 5 i Ligjit për Procedurën Kontestimore, ashtu që do të konstatohet se padia është tërhequr”.
Gjykata vëren se Kolegji i Apelit në Aktvendimin për tërheqjen e ankesës së parashtruesit të kërkesës, ka interpretuar dhe zbatuar dispozitat ligjore, konkretisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ [nr.1/2017]. Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj të interpretojë rregullat e së drejtës materiale dhe procedurale, e as të kontestojë interpretimin e bërë nga gjykatat e rregullta. Është detyrë e këtyre të fundit që të zgjidhin rastet konkrete, duke zbatuar dhe interpretuar dispozitat ligjore në fuqi. Gjykata analizon vetëm nëse interpretimi i fakteve dhe ligjit nuk ka shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, të përcaktuara nga Kushtetuta dhe Konventa. Gjykata mund të ndërhyjë dhe korrigjojë gabimet e gjykatave të rregullta, në rastet kur vendimet e tyre janë “qartazi të paarsyeshme”, apo të marra në “mënyrë arbitrare”. Në rastin konkret, gjykata vëren se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit është marrë duke u mbështetur në dispozitat ligjore, dhe se kjo e fundit, ka arsyetuar mjaftueshëm vendimin e saj. Me fjalë të tjera, aktvendimi në fjalë nuk është marrë në mënyrë arbitrare e as nuk është qartazi i paarsyeshëm.
Siç është elaboruar më lart, “e drejta për qasje në drejtësi” mund t’i nënshtrohet disa kufizimeve të caktuara financiare, siç është kërkesa për pagesën e tarifave gjyqësore të përcaktuar me akte ligjore. Në rastin konkret, Gjykata vëren se udhëzimi administrativ përpos që i përcakton në mënyrë të qartë taksat gjyqësore për llojet e parashtresave, gjithashtu parasheh mundësinë që palët të kërkojnë lirimin nga këto pagesa, kur plotësojnë kushtet e parapara ligjore. Nga shkresat e lëndës, dhe ashtu siç është argumentuar nga Kolegji i Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar vërejtjen me shkrim për pagesën e taksës gjyqësore, dhe ishte njoftuar për pasojat ligjore në rast të mos pagesës brenda afatit të përcaktuar. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës nuk kishte kryer pagesën e tarifës gjyqësore, dhe as nuk kishte paraqitur kërkesë për lirim nga pagesa. Rrjedhimisht, bazuar në dispozitat e udhëzimit administrativ, Kolegji i Apelit ka nxjerrë Aktvendimin me të cilin e konsideroi të tërhequr ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata përsërit që të gjithë aktorët e përfshirë në një proces gjyqësor, duhet tu përmbahen kufizimeve dhe përcaktimeve ligjore, në mënyrë që të arrihet administrimi sa më i mirë i drejtësisë. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte përfillur kërkesat ligjore, dhe për këto arsye procedurale, humbi të drejtën e ankesës në instancën më të lartë.
Gjykata vëren se, parashtruesi i kërkesës pretendon që DHPGJS-ja e nxori aktgjykimin pa mbajtur seancë dëgjimore, në një rast kaq kompleks, duke shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Të njëjtin pretendim parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur edhe në ankesën e tij në Kolegjin e Apelit, kundër aktgjykimit të DHPGJS-së, duke arsyetuar që vendimi i kësaj të fundit nuk ishte i drejtë për shkak të pamundësisë për t’i paraqitur provat në një seancë dëgjimore.
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se bazuar në Udhëzimin administrativ nr. 01/2017 për unifikimin e taksave gjyqësore, nëse taksa për parashtresë nuk paguhet deri në datën përfundimtare sipas këtij neni dhe kur nuk ekzistojnë kushtet për lirim nga detyrimi për pagesën e saj, gjykata do të hedh poshtë parashtresën. Andaj, në këtë rast nuk kërkohet mbajtja e një seance dëgjimore.
Ndërsa, sa i përket pretendimit për mbajtje të seancës dëgjimore për të vlerësuar meritat e rastit, Kolegji i Apelit ka mundur të trajtonte pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mosmbajtje të seancës dëgjimore, në rast se ky i fundit do ta kishte paguar taksën gjyqësore dhe të trajtohej ankesa e tij në merita. Në rastin konkret, meqë Gjykata vlerësoi paraprakisht që aktvendimi i Kolegjit të Apelit që konsideroi të tërhequr ankesën e parashtruesit të kërkesës ishte në përputhje me dispozitat ligjore dhe kushtetuese, atëherë edhe pretendimet e ankesës së parashtruesit të kërkesës në lidhje me seancën dëgjimore për të të trajtuar meritat e rastit nuk mund të trajtohen, për shkak se ky i fundit nuk i kishte shfrytëzuar mjetet juridike që kishte në dispozicion, për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, më 23 dhjetor 2022, paraqiti propozim për kthim në gjendjen e mëparshme, pranë Kolegjit të Apelit. Në propozimin e tij, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Kolegji i Apelit që të lejojë kthimin në gjendje të mëparshme, sepse sipas tij, ai nuk kishte pranuar vërejtjen me shkrim për pagesën e taksës gjyqësore. Më 26 janar 2023, Kolegji i Apelit nëpërmjet Aktvendimit [AC-I-22-0713-A0001], refuzoi si të pabazuar propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme.
Andaj, sa me sipër, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me mohimin e “qasjes në drejtësi”, i përkasin kategorisë së dytë (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; andaj, si të tilla Gjykata i deklaron qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
Përkitazi me pretendimet e tjera
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon që Aktgjykimi i DHPGJS-së [C-IV-15-0433], i 12 gushtit 2021, është marrë pa caktuar seancë dëgjimore të kërkuar nga ai, dhe prandaj, është shkelur neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj-së. Këtë pretendim parashtruesi i kërkesës e kishte ngritur edhe në ankesën e tij të parashtruar në Kolegjin e Apelit. Megjithatë, siç është elaboruar më lart, Kolegji i Apelit për shkak të mos pagesës së taksës gjyqësore nga parashtruesi i kërkesës, kishte nxjerrë Aktvendim për tërheqjen e ankesës. Si rezultat i kësaj, ankesa e parashtruesit të kërkesës nuk u trajtua fare në merita, përfshirë këtu edhe pretendimin për mos mbajtjen e seancës dëgjimore. Prandaj, Gjykata nuk e sheh të nevojshme të trajtojë këtë çështje.
Megjithatë, nga elaborimi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, vërehet që thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës është mohimi i “qasjes në drejtësi”. Siç është shprehur edhe në rastet e tjera, Gjykata potencon që vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo akteve të tjera ndërkombëtare, nuk mjafton për të ngritur pretendimet për shkelje të të drejtave kushtetuese. Kur pretendon për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë, parashtruesi i kërkesës duhet të paraqesë dëshmi dhe argumente bindëse, për të dëshmuar shkeljet e supozuara (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39).
Thënë ketë, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve të lartcekura, i përket kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj, si i tillë, në baza kushtetuese edhe ky pretendim duhet shpallur qartazi i pabazuar.
Përfundime
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet për shkelje të nenit 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj, përkitazi me mohimin e të drejtës për “qasje në drejtësi”, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj, si të tilla këto pretendime në baza kushtetuese deklarohen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përkitazi me mos mbajtjen e seancës dëgjimore, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tillë, në baza kushtetuese edhe këto pretendime në baza kushtetuese shpallën qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 22 maj 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Pjetër Boçi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale