Prishtinë, më 27 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2535/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI53/23
Parashtrues
Paradiso Sh.P.K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.40/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar.
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Kompania Paradiso Sh.P.K., e përfaqësuar nga Erblina Krasniqi Prishtina, avokate në Komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [E.Rev.nr.40/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në lidhje me Aktgjykimin [Ae.nr.45/2021] të datës 24 janar 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), si dhe në lidhje me Aktgjykimin [III.Ek.nr.75/2019] të datës 10 dhjetorit 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E.Rev.nr.40/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, me të cilat pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 22 [Zbatim i drejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj) si dhe nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNj).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon vendosjes e masës se përkohshme të dorëzuar rreth 7 (shtatë) muaj pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatë.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e Punës e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, është botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe ka hyrë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga data e publikimit të saj. Prandaj, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së Punës në fjalë, e cila e shfuqizoi Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese nr. 01/2018. Në këtë drejtim, në përputhje me rregullin 78 (Dispozita Tranzicionale) të Rregullores së Punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2018, të miratuar më 31 maj 2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 7 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit [Nr. GJR. KI53/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me vendimin [nr. KSH. KI53/23] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi (anëtar) dhe Radomir Laban (anëtar).
Më 9 mars 2023, Gjykata e informoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe në të njëjtën ditë i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 21 shtator 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së përkohshme në lidhje me pezullimin e vendimit të Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 4 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri votash i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 27 dhjetor 2016, parashtruesi i kërkesës, përkatësisht kompania Paradiso Sh.p.k. kishte lidhur kontratë me Eurometal Sh.p.k., e cila kontratë kishte për qëllim kryerjen e punëve ndërtimore. Lëndë e kontratës ishte furnizimi, përgatitja dhe montimi i një konstruksioni metalik të caktuar në profaturën [46/16].
Në lidhje me punimet e kryera pala e interesuar kishte lëshuar faturën me numër [152/17], në shumën prej 9,266.35 €, si dhe kishte lëshuar edhe faturën me numër [360/17], në shumën prej 11.100.00 €. Rrjedhimisht, Eurometal Sh.p.k. kishte pretenduar se borxhi i përgjithshëm të cilin ia kishte parashtruesi i kërkesës- Paradiso Sh.p.k, është në shumën prej 14,366.35 €, e që i referohet punimeve të rregullta dhe punimeve shtesë të kryera.
Megjithatë, parashtruesi i kërkesës refuzoi të paguajë këto fatura për shkak se konsideronte që punët e pretenduara nuk janë realizuar nga kryesi i shërbimeve. Aso kohe, parashtruesi i kërkesës theksoi se këto punime nuk ishin pjesë e kontratës ose profaturës dhe nuk është dhënë pëlqimi për të kryer ato punime. Për më tepër, këto punime, sipas parashtruesit të kërkesës, nuk ishin pjesë e lejes ndërtimore dhe projektit dhe kjo e bëri të pamundur realizimin e tyre. Dhe se duke u bazuar në kontratë, parashtruesi i kërkesës theksonte se të gjitha komunikimet, realizimet e punimeve dhe detyrat duhet të bëhen në formë të shkruar dhe të dakordohen mes palëve.
Më 11 shkurt 2019, pala e interesuar - Eurometal Sh.p.k., parashtroi padi në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të kompensimit të dëmit për shkak të mos përmbushjes së kontratës, duke i propozuar gjykatës që pas administrimit të provave ta detyroj parashtruesin e kërkesës që në emër të kompensimit të demit t'ia kompensoj dëmin material në shumën prej 14,366.35 euro, si dhe dëmin në formë të fitimit të humbur, që të gjitha me kamatë ligjore.
Më 10 dhjetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [III.Ek.nr.75/2019]: (I) aprovoi si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësit - Eurometal Sh.P.K; (I) detyrohet parashtruesi i kërkesës, N.P.SH Paradiso sh.p.k, që në emër të borxhit për punët e kryera nga kontrata e 27 dhjetorit 2016, paditësit t'ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 3,266.35 €, (tremijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë euro e tridhjetë e pesë cent) me kamatë prej 8% në vit, e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë dt. 11 shkurt 2019, e deri në pagesën definitive, që të gjitha brenda afatit prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi; (II) refuzohet si e pa bazuar kërkesëpadia e palës së interesuar-Eurometal sh.p.k, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet parashtruesi i kërkesës që në emër të borxhit për punët shtesë lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t'ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 11,100.00 €, me kamate prej 8%, në vit e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë dt.11.02.2019, e deri në pagesën definitive, që të gjitha brenda afatit kohor prej 7 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi; (II) detyrohet parashtruesi i kërkesës që palës paditëse t'ia kompensoj shumën prej 490.00 €, në emër të kompensimit të 25 % të shpenzimeve të procedurës kontestimore, në afatin kohor prej 7 ditëve nga dita e dorëzimit të këtij aktgjykimi.
Kundër aktgjykimi të shkallës së parë në afatin ligjor ushtroi ankesë pala e interesuar - Eurometal Sh.p.k, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata e Apelit, ta aprovojë ankesën e paditësit dhe të ndryshohet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore duke detyruar parashtruesin e kërkesës që paditëses t'ia përmbushë detyrimin në shumën e mbetur prej 3,266.35€, si dhe të detyrohet i padituri që paditëses t'ia përmbushë detyrimin në shumën prej 11, 100.00 €.
Përgjigje në ankesë ka paraqitur parashtruesi i kërkesës, me propozimin që Gjykata e Apelit ta refuzojë ankesën e paditësit si të pabazuar dhe të vërtetohet Aktgjykimi i Gjykatës Themelore.
Më 24 janar 2022, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktgjykimit [Ae.nr.45/2021] e refuzoi ankesën e paditësit Eurometal Sh.p.k., ndërsa vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [III.EK.nr.75/2019] të 10 dhjetorit 2020. Në arsyetimin e këtij Aktgjykimi, Gjykata e Apelit theksoi: “E paditura, duke mos e kryer detyrimin e saj, rezulton se i ka mbetur borxh paditësi në emër të punimeve ndërtimore të kryera, andaj ndërmjet palëve ndërgjyqëse është krijuar raporti detyrimor, në të cilin paditësi e ka cilësinë e kreditorit ndërsa e paditura cilësinë e debitorit. Sipas Nenit 245 të Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve kreditori në marrëdhëniet detyrimore ka të drejtë që nga debitori të kërkojë përmbushjen e detyrimit, ndërsa debitori ka për detyrë përmbushjen e detyrimit në tërësi, prandaj duke u nisur nga fakti se e paditura i ka mbetur borxh paditësit, gjykata e shkallës së parë në bazë të dispozitave së lartcekura dhe në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, ka vendosur drejtë kur e ka detyruar të paditurën që paditësit t’ia kompensoj borxhin në shumën e gjykuar.”
Më tej, pala e interesuar Eurometal Sh.p.k., parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [E.Rev.nr.40/2022] pranoi si të bazuar revizionin e paditësit Eurometal Sh.p.k. dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës se Apelit [Ac.nr. 45/2021] të 24 janarit 2022 dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [Eknr.75/2019] të 10 dhjetorit 2020, rrjedhimisht duke aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit "Eurometal Sh.p.k.", duke e detyruar parashtruesin e kërkesës që në emër të përmbushjes së kontratës lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t'ia paguaj 11,110.00 €euro me kamatë prej 8%. Po ashtu, Gjykata Supreme detyroi parashtruesin e kërkesës që në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore të paguaj edhe shumën prej 2,654.00 euro.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se nëpërmjet Aktgjykimit [E.Rev.nr.40/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 22 [Zbatim i drejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], dhe nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së si dhe nenin 10 të DUDNj-së.
Parashtruesi i kërkesës argumenton se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është arbitrar për shkak të shkeljeve në procedurat kontestimore, mungesës së arsyetimit për faktet vendimtare, kontradiktës në arsyetim me provat dhe përjashtimit të kërkesave të palës paditëse, respektivisht parashtruesi i kërkesës thekson: “këtij Aktgjykim të Gjykatës Supreme i mungojnë arsyeshmëria e ndryshimit të së drejtës materiale”. Dhe se për këto arsye e bëjnë atë vendim arbitrar dhe shkelje të të drejtave individuale të garantuara në nenin 31 të Kushtetutës, nenin 10 të DUDNj-së dhe nenin 6 të KEDNj-së.
Më tej, parashtruesi i kërkesës argumenton se Gjykata Supreme ka vendosur në mënyrë arbitrare në rastin konkret, duke nxjerrë vendimin në favor të palës paditëse Eurometal Sh.p.k., pa pasur kërkesë specifike nga ana e palës paditëse për pagesën e caktuar prej 11,100.00 euro. Në asnjë dokumentacion ose shkresë, as në procesin e revizionit, pala paditëse, sipas parashtruesit të kërkesës nuk ka specifikuar arsyet pse pretendon pagesën e përmendur. Në fakt, nuk është furnizuar asnjë provë për kryerjen e ndonjë punë ose kontrate shtesë nga parashtruesi i kërkesës në lidhje me Kontratën e datës 27 dhjetor 2016. Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se kontrata në fjalë është mbi vepër, duke injoruar argumentet dhe provat faktike të parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me këto çështje, Gjykata Supreme ka aplikuar dispozitat e nenit 615 të LMD-së në një mënyrë arbitrare, ndërsa Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë zbatuar ligjin material në përputhje me nenin 648 të LMD-së.
Pra, parashtruesi i kërkesës si çështje kryesore e ka pretendimin që Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar, kishte konstatuar që Gjykata Themelore dhe e Apelit kishin zbatuar gabimisht nenin 648 të LMD-së sepse është dashur të zbatojnë nenin 615 të LMD-së, pa dhënë arsyetim se pse është zbatuar gabimisht neni 648 i LMD-së përderisa kemi një kontratë të nënshkruar nga palët e cila në mënyrë shprehimore ne nenin 1.3 të saj, kishte përcaktuar se çdo ndryshim do të evidentohej me aneks kontratë dhe se kjo lloj kontrate hyn në grupin e kontratave të veçanta për ndërtim.
Rrjedhimisht, sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme nuk ka dhënë arsyetim se si mund të zbatohet nenin 615 (Kontrata mbi vepër) tek punët ndërtimore pa pasur formën me shkrim, ofertën dhe aneks kontratën për punët shtesë të pretenduara. Prandaj, i njëjti konsideron se nuk arrin të kuptojë arsyetimin e vendimit të Gjykatës Supreme në raport me konstatime meritore dhe reflektimet e provave në shkresa të lëndës në raport me bazën ligjore dhe konkluzionet e nxjerra nga Gjykata Supreme, duke konsideruar se si i tillë ka shkelur parimet kushtetuese të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje sepse Aktgjykimi qartazi nuk ka ndërlidhur faktet e vërtetuara me dispozita ligjore përkatëse dhe nuk ka lidhje logjike por as ligjore në mes të gjendjes faktike, provave dhe të drejtës materiale të aplikuar nga Gjykata Supreme.
Për më tepër, sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme në vendimin e saj nuk ka ofruar arsyetimin e saj në lidhje me prova të konkrete përse nuk është marrë për bazë kontrata e nënshkruar, dispozitat e nenit 645 dhe 648 të Ligjit për Marrëdhëniet Detyrimore, ekspertizën financiare, por është bazuar në një faturë për punë të pakontraktuara, paofertuara dhe një faturë të panënshkruar. Mungesa e arsyetimit të drejtë dhe të mbështetur në prova shkel nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me garantimin e mbrojtjes së barabartë të të drejtave nga një gjykim i pavarur dhe i paanshëm.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se paanshmëria e Gjykatës Supreme tregon edhe faktin se Kryetari i kolegjit është nga komuna e Ferizajt, e njëjtë si paditësi Eurometal Sh.p.k., duke sugjeruar një lidhje potenciale dhe ndikim të mundshëm që mund të ketë me paditësin. Kjo sjellje, sipas parashtruesit të kërkesës, shkel pikën g paragrafin 1 të nenit 67, të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Kështu, Gjykata Supreme, sipas parashtruesit të kërkesës, duke e trajtuar kontratën për ndërtim si një kontratë mbi vepër dhe duke mos kërkuar një formë të shkruar për të, ka shkelur parimet ligjore dhe praktikat juridike.
Sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme nuk ka marrë në konsideratë ekspertizën e ndërtimtarisë të datës 5 mars 2020 si provë kryesore për të vlerësuar punët ndërtimore dhe cilësinë e tyre. Arsyeja për këtë është se në ekspertizë theksohet se faturat nuk janë nënshkruar nga personi që paraqiti kërkesën dhe nuk ka punë të tjera të kontraktuara përveç atyre të përshkruara në Kontratën e datës 27 dhjetor 2016. Fatura e lëshuar nga paditësi Eurometal Sh.p.k. është e lëshuar pa asnjë bazë juridike dhe nuk është pranuar kurrë si faturë legjitime nga personi që paraqiti kërkesën. Parashtruesi i kërkesës nuk ka kërkuar as ka porositur punë shtesë jashtë atyre të specifikuara në kontratë dhe profaturë. Gjithashtu, sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme në arsyetim ka nënkuptuar se krani është punuar me kërkesën e personit që paraqiti kërkesën, duke mos iu kushtuar vëmendje dispozitave dhe konstatimeve të ekspertit të ndërtimtarisë. Kjo sjellje e Gjykatës Supreme është në kundërshtim me drejtësinë dhe liritë e garantuara me Kushtetutën dhe Konventën ndërkombëtare.
Përveç të lartcekurave, parashtruesi i kërkesës, më 21 shtator 2023, parashtroi kërkesë për caktimin e masës së përkohshme për pezullimin e procedurave përmbarimore të vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme. I njëjti kërkon që të shtyhet realizimi i vendimit të Gjykatës Supreme, pasiqë i njëjti sjellë dëme të pa kthyeshme për të, duke rrezikuar reduktimin e stafit deri në 70% dhe bllokimin e operacioneve. Kërkesa për Gjykatën është që të konsiderojë këto arsye dhe të ndërhyjë në përputhje me situatën financiare të parashtruesit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Si përfundim, parashtruesi i kërkesës kërkon që kërkesa të pranohet si dhe krahas kësaj të konstatohet cenimin e të drejtave individuale të tij, të garantuara me Nenin 31 paragrafi 1 dhe 2 si dhe Nenin 53 të Kushtetutës, Neni 10 të DUDNj-së dhe Nenin 6 të KEDNj-së, si rezultat i shkeljeve nga Gjykata Supreme e të drejtave të garantuara me këto instrumente dhe Ligjin për procedurën kontestimore; si dhe si rrjedhojë të shpallet i pavlefshëm Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [E.Rev.nr.40/2022] i datës 27 dhjetorit 2022, të kundërshtuar me këtë kërkesë dhe çështja të kthehet në rivendosje në Gjykatën Supreme.
Dispozitat relevante kushtetuese
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 22
[Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve
Ndërkombëtare]
“Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
(3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
(4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
(5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
(6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
(7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
(8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore,
Jonjerëzore dhe Poshtëruese.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[…]
Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.”
[...]
Neni 54
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës; e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.”
DEKLARATA UNIVERSALE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 10
“Secili ka të drejtë plotёsisht të barabartë për gjykim të drejtë dhe publik para njё gjykate tё paanshme e të pavarur që do të vendosë për të drejtat dhe detyrimet e tij dhe për mbështetshmërinë e çdo akuze penale kundër tij.”
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
PJESA IX
KONTRATA PËR VEPRËN
KREU 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 615
Kuptimi
“Me kontratën për veprën kryerësi i punëve detyrohet të kryejë një punë të caktuar, sikurse është prodhimi ose riparimi i ndonjë sendi ose kryerja e ndonjë pune fizike ose intelektuale e të ngjashme kurse porositësi është i detyruar për atë të paguajë shpërblimin.”
Neni 616
Raporti me kontratën për shitjen
1. Kontrata me të cilën njëra palë detyrohet të prodhojë një send të caktuar të luajtshëm prej materialit të vet konsiderohet në rast dyshimi kontratë për shitje.
2. Kontrata mbetet kontratë për veprën në qoftë se porositësi është detyruar të japë pjesën thelbësore të materialit të nevojshëm për prodhimin e sendit.
3. Në çdo rast kontrata konsiderohet kontratë për vepër, në qoftë se kontraktuesit kanë pas për qëllim veçanërisht punën e kryerësit.
PJESA X
KONTRATA PËR NDËRTIMIN
KREU 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 645
Nocioni
“1. Kontrata për ndërtim është kontratë me të cilën kryerësi detyrohet sipas projektit të caktuar të ndërtojë në afatin e caktuar ndërtesën e caktuar në tokën e caktuar, apo në një tokë të tillë respektivisht në objektin tashmë ekzistues të kryejë punë të tjera ndërtimi, ndërsa porositësi detyrohet që për këtë t’i paguajë çmimin e caktuar.
2. Kontrata për ndërtimin duhet të jetë e lidhur me shkrim.”
Neni 648
Shmangie nga projekti
“1. Për çdo shmangie nga projekti i ndërtimit respektivisht nga punimet e kontraktuara, kryerësi duhet të ketë pëlqimin me shkrim të porositësit.
2. Ai nuk mund të kërkojë ngritje të çmimit të kontraktuar për punimet që i ka kryer pa pëlqimin e këtillë.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat janë të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të Punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] në lidhje me paragrafin 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21 [Parimet e Përgjithshme]
4. "Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme".
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik, ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastin e Gjykatës KI195/20, me parashtrues Aigars Kesengfelds, pronar i institucionit financiar jo-bankar “Monego”, Aktgjykim i Gjykatës i 19 prillit 2021, paragrafi 63; KI41/09, parashtruesi i kërkesës Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14).
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [E. Rev. 40/2022] të 27 dhjetorit 2022, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si "qartazi të pabazuar", dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si "qartazi të pabazuara" të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163118, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021; KI107/21).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesëpadinë e palës së interesuar Eurometal sh.p.k., kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të kompensimit të dëmit për shkak të mos përmbushjes së kontratës, duke i propozuar gjykatës që pas administrimit të provave ta detyroj parashtruesin e kërkesës që në emër të kompensimit të dëmit t'ia kompensoj dëmin material në shumën prej 14,366.35 euro, si dhe dëmin në formë të fitimit të humbur, që të gjitha me kamatë ligjore. Gjykata Themelore aprovoi si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësit, duke detyruar parashtruesin e kërkesës, Paradiso sh.p.k, që në emër të borxhit për punët e kryera nga kontrata e 27 dhjetorit 2016, paditësit t'ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 3,266.35 €, (tremijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë euro e tridhjetë e pesë cent) me kamatë prej 8% në vit, e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë; si dhe refuzoi si të pa bazuar kërkesëpadia e palës së interesuar-Eurometal sh.p.k, me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet parashtruesi i kërkesës që në emër të borxhit për punët shtesë lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t'ia paguaj shumën e mjeteve në lartësinë prej 11,100.00 €, me kamatë prej 8%, në vit e cila fillon të rrjedh nga data e parashtrimit të padisë në gjykatë, përkatësisht 11 shkurt 2019, e deri në pagesën definitive. Pas ankesës së palës së interesuar Eurometal sh.p.k., Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e tij, duke vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Përfundimisht, Gjykata Supreme pranoi si të bazuar revizionin e palës së interesuar Eurometal sh.p.k, duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës se Apelit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, rrjedhimisht duke aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditësit "Eurometal" sh.p.k., duke e detyruar parashtruesin e kërkesës që në emër të përmbushjes së kontratës lidhur me vendosjen e kranit me elemente përcjellëse, t'ia paguaj 11,110.00 euro me kamatë prej 8%. Po ashtu, Gjykata Supreme detyroi parashtruesin e kërkesës që në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore të paguaj edhe shumën prej 2,654.00 euro.
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës Supreme, duke ngritur pretendime për mosarsyetimin e vendimit gjyqësor si rezultat i vërtetimit të gabuar të së drejtës materiale, të cilat sipas tij kanë rezultuar me shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës.
i) parimet e përgjithshme për sa i përket vendimit të arsyetuar gjyqësor
Përkitazi me të drejtën për një vendim të arsyetuar gjyqësor të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë të konsoliduar gjyqësore. Kjo praktikë është ndërtuar duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Hadjianastassiou kundër Greqisë, nr.12945/87, Aktgjykim i 16 dhjetorit 1992; Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994; Higgins dhe të tjerët kundër Francës, nr. 20124/92, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1998; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999; Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim i 27 shtatorit 2001; Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003; Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 majit 2005; Pronina kundër Ukrainës, nr. 63566/00, Aktgjykim i 18 korrikut 2006; dhe Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, Aktgjykimi i 22 shkurtit 2007. Për më tepër, parimet themelore sa i përket të drejtës për një vendim të arsyetuar gjyqësor janë elaboruar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në KI22/16, parashtrues Naser Husaj, Aktgjykim i 9 qershorit 2017; KI97/16, parashtrues IKK Classic, Aktgjykim i 9 janarit 2018; KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 13 qershorit 2018; KI87/18, parashtrues i kërkesës IF Skadiforsikring, Aktgjykim, i 27 shkurtit 2019, dhe KI24/17, parashtrues Bedri Salihu, Aktgjykim, i 27 majit 2019, KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim, i 11 dhjetorit 2019; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 135).
Në parim, Gjykata thekson se garancitë e mishëruara në nenin 6 të KEDNj-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e GJEDNj-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, të cituar më lart, paragrafi 139 dhe rastin KI87/18, parashtrues IF Skadiforsikring, cituar më lartë, paragrafi 44).
Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin mbi të cilin ato bazohen në vlerësimin dhe vendimmarrjen e tyre. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNj-së: Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lartë, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lartë, paragrafi 27; dhe Higgins dhe të tjerët kundër Francës, cituar më lartë, paragrafi 42; shih, po ashtu, rastin e Gjykatës KI97/16, parashtrues IKK Classic, të cituar më lart, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18 IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin Moreira Ferreira kundër Portugalisë (Nr.2), nr. 19867/12, Aktgjykim i 11 korrikut 2017, paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 137).
Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe praktikës së saj gjyqësore ku ajo vlerëson se arsyetimi i vendimit duhet të theksojë raportin ndërmjet konstatimeve të meritës dhe shqyrtimit të provave nga njëra anë, dhe konkluzionet ligjore të gjykatës, nga ana tjetër. Aktgjykimi i gjykatës do të shkelë parimin kushtetues të ndalimit të arbitraritetit në vendimmarrje, në qoftë se arsyetimi i dhënë nuk i përmban faktet e vërtetuara, dispozitat ligjore dhe marrëdhënien logjike midis tyre (shih rastet e Gjykatës: KI72/12, Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, Aktgjykimi i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61; KI135/14, IKK Classic, Aktgjykimi i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58; KI97/16 IKK Classic, Aktgjykimi i 8 dhjetorit 2017; KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring, cituar më lartë, paragrafi 44; KI138/19 parashtrues Ibish Raci, cituar më lart, paragrafi 45; si dhe rastin e Gjykatës KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, cituar më lartë, paragrafi 138).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Në kontekst të zbatimit të parimeve të lartcekura, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës pretendonte shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mos arsyetimit të vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, e cila kishte konstatuar që Gjykata Themelore dhe e Apelit kishin zbatuar gabimisht nenin 648 të LMD-së sepse është dashur të zbatojnë nenin 615 të LMD-së, pa dhënë arsyetim se pse është zbatuar gabimisht neni 648 i LMD-së.
Fillimisht, në kontekst të trajtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata u referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit [E.Rev.nr. 40/2022] të 27 dhjetorit 2022, të Gjykatës Supreme, e cila arsyetoi si në vijim:
“Gjykata Supreme nuk pranoi qëndrimin juridik të lartpërmendur të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë lidhur me refuzimin e kërkesëpadisë së paditëses, pasiqë aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë, përfshihen me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, dispozitën e nenit 648 të LMD-së, kjo për faktin se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së.
Vlerësimi i gabuar i së drejtës materiale nga gjykata e shkallës së parë dhe të dytë, [...] me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë, dhe gjykata e shkalles se dyte duke vepruar sipas ankesës, sa i përket vërtetimit të faktit nëse e paditura është e detyruar të i kompensoj shpenzimet e paditëses në emër të shërbimit të kryer për vendosje të kranit dhe elementeve përcjellëse, vazhdimin e kranit, shërbimi i kranit, platformave dhe pirrunerit, shërbimet e aparateve të saldimit, transporti i kranit nga paditësi tek e paditura, dhe duke e aplikuar dispozitën e nenit 648 të LMD-së, me të cilin është përcaktuar se "Shmangie nga projekti - 1. Për çdo shmangie nga projekti i ndërtimit respektivisht", nga punimet e kontraktuara, kryerësi duhet të ketë pëlqimin me shkrim të porositësit. 2. Ai nuk mund të kërkojë ngritje të çmimit të kontraktuar për punimet që i ka kryer pa pëlqimin e këtillë.", dhe në këtë rast duke e vlerësuar në mënyrë të gabuar se në rastin konkret paditësi nuk kishte pëlqimin nga porositësi i punimeve, përkatësisht nuk kanë nënshkruar kontratë të re, apo aneks kontratë për vlerën e punimeve në shumë 11,100.00 euro, kjo për faktin se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së, me të cilën përcaktohet "Me kontratën për veprën kryerësi i punëve detyrohet të kryejë një punë të caktuar, sikurse është prodhimi ose riparimi i ndonjë sendi ose kryerja e ndonjë pune fizike ose intelektuale e të ngjashme kurse porositësi është i detyruar për atë të paguajë shpërblimin" dhe bazuar në përmbajtjen e kësaj dispozite janë plotësuar kushtet për të konsideruar të lidhur kontratën për veprën, pasi në rastin konkret nuk është kontestues fakti se krani është punuar dhe vendosur në objektin e të paditurës, që nënkupton se është bërë me kërkesën e vet të paditurës, për faktin se krani i shërben të paditurës, dhe për të funksionuar objekti për destinimin që e ka krani është i domosdoshëm.”
Në vijim, Gjykata Supreme gjithashtu trajtoi çështjen e mos trajtimit të çështjes së vendosjes së kranit si pjesë të kontratës së ndërtimit të 27 dhjetorit 2016, pasiqë të njëjtën e cilësoi si kontratë për veprën si në vijim:
“Gjykata Supreme nuk mund të pranoj këto pretendime të paditurës për faktin se krani nuk mund të konsiderohet pjesë e kontratës së ndërtimit të datës 27.12.2016, për faktin se destinimi i tij është për të funksionuar si i pavarur nga objekti ndërtimor, pavarësisht faktit se në ketë rast është montuar brenda objektit ndërtimor, andaj bazuar në dispozitën e nenit 615 dhe 616 par. 3, të LMD-së, plotësohen të gjitha kushtet për tu konsideruar si kontratë për veprën, pasi për kontratën për veprën nuk kërkohet forma e shkruar e kontratës, por mjafton që palët të janë marrë vesh që të kryejë një punë të caktuar, sikurse është prodhimi ose riparimi i ndonjë sendi ose kryerja e ndonjë pune fizike ose intelektuale e të ngjashme, nga e cila kontratë paditësja ka përmbushur pjesën e saj duke vendosur dhe montuar kranin, dhe duke lëshuar faturën për pagesë me shpjegimet për shërbimet e kryera (lartësia e së cilës nuk është kontestuar), kurse porositësi është i detyruar për atë të paguajë shpërblimin, në këtë rast bazuar në faturën e lëshuar nga paditësja në shumën prej 11,100.00 euro.”
Në vijim, për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës që Gjykata Supreme nuk kishte marrë parasysh ekspertizën e ndërtimtarisë të datës 5 mars 2020 si provë kryesore për të vlerësuar punët ndërtimore dhe cilësinë e tyre, e njëjta Gjykatë arsyetoi si në vijim:
“Gjykata Supreme vlerëson se në rastin konkret përfundimet e ekspertit të ndërtimtarisë Lulëzim Dema, i cili në raportin e tij të ekspertizës dhe në sqarimet e dhëna në seancë dëgjimore, ka deklaruar se punët e kryera dhe kërkesa prej 11,100.00 eur, në emër të shërbimit të kryer për: vendosje te kranit dhe elementeve përcjellëse, vazhdimin e kranit, shërbimi i kranit, platformave dhe pirrunerit, shërbimet e aparateve të saldimit, transporti i kranit nga paditësi te e paditura, nuk
janë të përfshira në kontratën e datës 27.12.2016, dhe as me aneks kontratë, janë vetëm pohim i një fakti jo kontestues për palët, par që nuk ka asnjë ndikim në vendosjen e çështjes, pasi që gjykata bazuar në dispozitën e nenit 2.2 të LPK-së, "Gjykata i zbaton rregullat e të drejtës materiale sipas çmuarjes së saj dhe nuk është e lidhur me thëniet e palëve që kanë të bëjnë me të drejtën materiale." , andaj edhe në këtë rast bazuar në dispozitat në fuqi, vlerëson se ekziston detyrimi i të paditurës për të përmbushur obligimin e saj për punën e kryer nga paditësja.
Përfundimisht, Gjykata Supreme aprovimin e kërkesëpadisë së palës së interesuar Eurometal Sh.p.k. përmes aprovimit të kërkesës së saj për revizion, me ç’rast ndryshoi aktgjykimet e gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës së shkallës së dytë, arsyetoi si në vijim:
“Detyrimi i të paditurës për pagesën e obligimit rrjedh edhe në bazë të nenit 245 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve, ku kreditori në marrëdhëniet e detyrimeve ka të drejtë që nga debitori të kërkojë përmbushjen e detyrimit, ndërsa debitori ka për detyrë përmbushjen e detyrimit në tërësi, prandaj duke u nisur nga fakti se e paditura i ka mbetur në obligim paditëses, e njëjta ka obligim të njëjtin ta përmbush.”
Duke iu referuar Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, Gjykata vlerëson se e njëjta në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konkrete adresoi aspektet e rastit për sa i përket
aprovimit të kërkesëpadisë të palës së interesuar Eurometal Sh.p.k. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte sqaruar në plotni që: (i) bazuar në vlerësimin e saj, vendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë përfshihen me zbatim të gabuar të së drejtës materiale, dispozitës së nenit 648 të LMD-së, kjo për faktin se në rastin konkret ishin plotësuar kushtet për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së; (ii) si rezultat i plotësimit të kushteve për aplikimin e dispozitës së nenit 615 të LMD-së, dhe bazuar në përmbajtjen e kësaj dispozite ishin plotësuar kushtet për të konsideruar të lidhur kontratën për veprën, pasi nuk është kontestues fakti se krani është punuar dhe vendosur në objektin e parashtruesit të kërkesës, dhe se krani i shërben të njëjtit, dhe për të funksionuar objekti për destinimin që e ka, krani është i domosdoshëm; (iii) bazuar në dispozitën e nenit 615 dhe paragrafin 3 të nenit 616 të LMD-së, plotësohen të gjitha kushtet për tu konsideruar si kontratë për veprën, pasi për kontratën për veprën nuk kërkohet forma e shkruar e kontratës, por mjafton që palët të janë marrë vesh që të kryejë një punë të caktuar.
Në vijim, Gjykata vëren se Gjykata Supreme gjithashtu e kishte trajtuar pretendimin e parashtruesit të kërkesës për sa i përket faktit që eksperti i ndërtimtarisë kishte deklaruar që punët shtesë të vendosjes së kranit nuk ishin pjesë e kontratës së datës 27 dhjetor 2016. Në ndërlidhje me këtë çështje Gjykata Supreme kishte theksuar se të njëjtat nuk kanë ndikim në vendosjen e çështjes pasiqë bazuar në nenin 2.2 të LPK-së, e njëjta vlerëson se ekziston detyrimi i parashtruesit të kërkesës për të përmbushur obligimin e saj për punën e kryer nga paditësja Eurometal Sh.p.k.
Gjykata, bazuar në parimet e përgjithshme të GjEDNj-së, siç janë elaboruar më lart dhe bazuar në arsyetimin e Gjykatës Supreme, vlerëson se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme ka nxjerrë vendimin e saj në përputhje të plotë me standardet e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Kjo për faktin se nga shkresat e lëndës është e qartë se vendimmarrja ishte e bazuar në prova të ndryshme, të mbështetur në dispozita konkrete ligjore dhe vlerësimet e ekspertëve. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se Gjykata Supreme ka përmbushur detyrimin kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës kishte përfituar nga e drejta për të pranuar vendim të arsyetuar gjyqësor, në pajtim me kërkesat e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me këtë, Gjykata e konsideron të rëndësishme të theksojë qëndrimin e përgjithshëm e parimor se “drejtësia” që garantohet përmes nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në terma praktik dhe në parim, kjo drejtësi procedurale shprehet përmes procedurës kontradiktore, ku palët dëgjohen dhe vendosen në të njëjtat kushte para Gjykatës (Shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës, KI131/19, parashtrues Sylë Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri i 21 prillit 2020, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 55). Kjo më saktësisht nënkupton se palëve përgjatë një procedure të drejtë dhe të paanshme duhet: (i) t’u mundësohet zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit procedural; (ii) t’u ofrohet mundësia që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) t’u garantohet se të gjitha argumentet dhe dëshmitë që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit përkatës janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat përkatëse; (iv) t’u garantohet se faktet dhe pretendimet ligjore në vendimet gjyqësore ishin shqyrtuar dhe arsyetuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, (v) t’u garantohet se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare (Shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 29; dhe rastin e Gjykatës, KI131/19, cituar më lart, paragrafi 58).
Gjykata arrin në përfundim se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se standardet dhe garancitë e mësipërme të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me të drejtën në vendim të arsyetuar nuk janë zbatuar. Parashtruesi i kërkesës edhe më tej mund të mos jetë i kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes së tij, megjithatë, kjo pakënaqësi vetvetiu nuk mund të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e te drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNj-së: Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës lidhur me vendimin e paarsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe me rregullin 34 (2) të Rregullores së Punës.
Në vijim Gjykata rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me paanshmërinë e Gjykatës Supreme pasiqë Kryetari i kolegjit është nga komuna e Ferizajt, e njëjtë si paditësi Eurometal Sh.p.k., duke sugjeruar një lidhje potenciale dhe ndikim të mundshëm që mund të ketë me paditësin. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, dhe që në rastin konkret paraqet pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastin e Gjykatës KI125/19, parashtrues: Ismail Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63).
Prandaj, Gjykata konstaton se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime të "pambështetura ose paarsyetuara". Rrjedhimisht, të dyja pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në bazë të Kushtetutës, në përputhje me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Vlerësimi i kërkesës për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, përderisa rasti ishte në shqyrtim në Gjykatë, kishte dorëzuar edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme të vendimit të Gjykatës Supreme deri në vendosjen meritore të rastit.
Megjithatë, ashtu siç është specifikuar si me lart, Gjykata konldudoi se vendimi kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës.
Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 te nenit 27 (Masat e përkohshme) te Ligjit dhe piken (a) dhe piken (b) te paragrafit (2) te rregullit 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund te jetë objekt shqyrtimi, pasiqë vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, neneve 20 dhe 27 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (2), 45 (2)(b) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;
T'UA KUMTOJË, këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË, këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, ne pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Paradiso Sh.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile