Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ. nr. 521/2023, të 11 majit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës 

Nr. të lëndës KI188/23

Parashtruesit: Isuf Gashi

Shkarko:

Prishtinë, më 26​​ shtator 2024

Nr. Ref.: RK 2531/24

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI​​ 

 

 

rastin nr.​​ KI188/23

 

Parashtrues

 

Isuf Gashi

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit​​ ARJ. nr. 521/2023, të​​ 11 majit​​ 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ 

Enver Peci, gjyqtar dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar​​ 

 

 

 

 

Parashtruesi i​​ kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar​​ nga​​ Isuf Gashi, me vendbanim​​ ​​ Komunën​​ e​​ Podujevës​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: parashtruesi i​​ kërkesës).

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës​​ konteston​​ Aktgjykimin [ARJ. nr. 521/2023], të 11 majit 2023,​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në​​ lidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 343/2022],​​ e​​ 20 dhjetorit 2022​​ të​​ Gjykatës së​​ Apelit​​ të​​ Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ e Apelit)​​ dhe Aktgjykimin​​ [A. nr. 934/2019]​​ e​​ 24 shkurtit 2022, të​​ Gjykatës Themelore në​​ Prishtinë, Departamenti​​ për​​ Çështje​​ Administrative​​ (në​​ tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata Themelore).

 

  • Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e pranoi më 1 qershor 2023.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është​​ vlerësimi​​ i​​ kushtetutshmërisë së​​ aktgjykimit​​ të kontestuar, me të​​ cilin pretendohet se parashtruesit​​ të​​ kërkesës​​ janë​​ shkelur​​ ​​ drejtat​​ e​​ tij, të​​ mbrojtura​​ me​​ nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe​​ me​​ nenin​​ 31​​ [E​​ Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të​​ Paanshëm]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në​​ lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa​​ bazohet në paragrafin​​ 1 dhe 7 të nenit 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ në​​ nenet​​ 20​​ [Vendimet]​​ dhe​​ 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,​​ nr.​​ 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si​​ dhe​​ në​​ rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së​​ punës​​ së​​ Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,​​ Nr. 01/2023​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • ​​ 12​​ shtator​​ 2023,​​ parashtruesi i kërkesës e dorëzoi​​ kërkesën e​​ tij​​ në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • ​​ 18 shtator​​ 2023, Kryetarja​​ e Gjykatës​​ përmes Vendimit​​ [nr.​​ GJR.​​ KI188/23]​​ caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi​​ Gjyqtar raportues dhe​​ përmes​​ Vendimit [Nr. K.SH. KI188/23]​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Bajram Ljatifi​​ (kryesues),​​ Safet Hoxha​​ dhe Remzije Istrefi-Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 25 shtator​​ 2023,​​ Gjykata​​ e​​ njoftoi parashtruesin​​ e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.​​ 

 

  • Në​​ të​​ njëjtën ditë,​​ Gjykata​​ ia​​ dërgoi​​ një​​ kopje​​ ​​ kërkesës​​ Gjykatës​​ Supreme​​ dhe Gjykatës Themelore​​ për regjistrimin e kërkesës dhe​​ ia​​ kërkoi​​ kësaj të fundit që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.

 

  • Më​​ 26 shtator​​ 2023, Gjykata pranoi fletë-kthesën e Gjykatës Themelore​​ që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 4 shtator​​ 2024,​​ Kolegji shqyrtues​​ e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se në​​ një​​ datë​​ të​​ paspecifikuar parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë​​ te autoriteti kompetent në​​ Ministrinë​​ e Punëve të​​ Brendshme (në​​ tekstin e mëtejmë: MPB) për ndërrim të​​ mbiemrit nga “Gashi” në​​ atë​​ “Aga”​​ për arsye të​​ këngës “Isuf Aga.

 

  • Më​​ 3 prill 2019, MPB përmes Vendimit [Nr. 23/04] refuzoi kërkesën e parashtruesit të​​ kërkesës për ndërrimin e mbiemrit.​​ 

 

  • Nga vendimet gjyqësore të​​ lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës më​​ 17 prill 2019, parashtroi kërkesëpadi kundër​​ Vendimit [Nr. 23/04] të​​ 3 prillit 2019 të​​ MPB-së, duke kërkuar anulimin e tij dhe që​​ lënda t’i kthehet organit administrativ në​​ rivendosje.

 

  • Më​​ 24 shkurt 2022, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 934/19] refuzoi kërkesëpadinë​​ e parashtruesit të​​ kërkesës me arsyetimin si në​​ vijim:​​ Ne kuptim te nenit 6 të​​ Udhëzimit​​ Administrativ​​ nr.19/2015​​ për​​ Kushtet dhe Procedurat e​​ Ndërrimit​​ dhe Korrigjimit të​​ Emrit Personal​​ paditësi​​ [parashtruesi i kërkesës]​​ para​​ kësaj​​ Gjykate nuk ka​​ dhënë​​ asnjë​​ nga​​ arsyet e parapara ne nenin 6 të​​ këtij​​ Udhëzimi​​ Administrativ, i​​ njëjti​​ pretendimin e ti e ka​​ mbështetur​​ në​​ arsyetimin​​ për​​ ndërrimin​​ e emrit personal (mbiemrit) se arsyeja e​​ ndërrimit​​ të​​ mbiemrit​​ nga Gashi në​​ Aga​​ është​​ për arsye të​​ këngës Isuf Aga, e që​​ për​​ gjykatën​​ një arsye e tillë​​ nuk​​ përmbushë​​ kushtet lidhur me arsyet nga neni 6 i​​ Udhëzimit Administrativ nr.​​ 19/2015 që​​ shtetasi të mund të bëjë​​ ndërrimin​​ e emrit​​ personal për faktin se kjo dispozitë​​ përcakton​​ arsyet mbi te cilat Shtetasi mund ta bëj​​ ndërrimin​​ e emrit personal​​ për arsyet si në​​ këtë​​ dispozite ligjore, konkretisht mbi arsyen e​​ dhënë​​ nga​​ këtu​​ pala​​ paditës​​ që​​ për arsye të​​ këngës së​​ Isuf​​ Agës​​ dëshiron të​​ ndryshoj mbiemrin, në​​ mënyrë që të mund të vinte në​​ shprehje arsye e​​ përcaktuar​​ te neni 6 të​​ Udhëzimit Administrativ të​​ sipërcituar​​ dhe se i​​ njëjta​​ nuk​​ ka​​ ofruar​​ asnjë​​ prove​​ për​​ te​​ dëshmuar​​ se​​ përmbushet​​ kushti​​ mbi arsyen e​​ ndërrimit​​ te emrit ashtu siç​​ përcaktohet në neni 6 të​​ Udhëzimit​​ Administrativ​​ nr. 19/2015​​ për​​ Kushtet dhe Procedurat e​​ Ndërrimit​​ dhe Korrigjimit të Emrit Personal. Në​​ këtë​​ kuptim​​ Gjykata ka konstatuar se padia dhe​​ kërkesëpadia​​ e​​ paditëses​​ është​​ e pa bazuar​​ .

 

  • Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës në​​ një​​ datë​​ të​​ paspecifikuar parashtroi ankesë​​ kundër Aktgjykimit [A. nr. 934/19] të​​ 24 shkurtit 2022 të​​ Gjykatës Themelore për shkak të: (i) shkeljes së​​ dispozitave të​​ Ligjit për Konfliktet Administrative dhe zbatimit të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale, me propozim që​​ të​​ aprovohet ankesa dhe aktgjykimi i gjykatës së​​ shkallës së​​ parë​​ të​​ ndryshohet ashtu që​​ të​​ anulohet Vendimi [Nr. 23/04] i 3 prillit 2019 të MPB-së.

 

  • Më​​ 20 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA. Nr. 343/2022] refuzoi ankesën e parashtruesit të​​ kërkesës me arsyetimin se:​​ Në rastin konkret rrjedh se për një të dhënë personale dhe thjesht individuale organi përbën penges për ndërrim dhe kriteret për ndërrim janë provuar me faktin se mbiemri aktual është shumë i përhapur, i vjetër dhe lidhet me fis. Derisa mbiemri qe kërkohet edhe historikisht lidhet me një ngjatje që asocion me emrin e paditësit. Këto pretendime ankimore ky kolegj nuk i aprovoi sepse vlerësoi se te njëjtat janë të pa qëndrueshme dhe të pa bazuara, dhe se janë pa ndikim në vërtetimin e një gjendje tjetër faktike, për faktin se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme, ashtu që në mënyrë të sigurt dhe bindëse ka vërtetuar se paditësi nuk i plotëson kriteret e parapara në Udhëzimin Administrativ (MPB)​​ Nr.19/2015​​ për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe​​ Korrigjimit të Emrit Personal, përkatësisht nenit 6 par, 1 dhe nën paragrafi 1.9. Prandaj sipas vlerësimit te kolegjit të kësaj gjykate, gjykata e shkalles se parë e ka vërtetuar arsyen se paditësi nuk i ka plotësuar kriteret e parapara sipas udhëzimit të lartcekur.”

 

  • Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës,​​ në​​ një​​ datë​​ të​​ paspecifikuar,​​ parashtroi​​ kërkesë​​ për rishqyrtim të​​ jashtëzakonshëm të​​ Aktgjykimit​​ [AA. Nr. 343/2022] të​​ 20 dhjetorit 2022 të​​ Gjykatës së​​ Apelit për shkak të​​ shkeljes së​​ dispozitave të​​ Ligjit për Konfliktet Administrative, me propozim që​​ të​​ (i) aprovohet kërkesa e tij; (ii) të​​ anulohen aktgjykimet e shkallës së​​ parë​​ dhe asaj të​​ dytë; si dhe (iii) çështja të​​ kthehet në​​ rivendosje.

 

  • Më ​​​​ 11 maj 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ. Nr. 52/2023] refuzoi kërkesën​​ për rishqyrtim të​​ jashtëzakonshëm të​​ vendimit gjyqësor të​​ parashtruesit të​​ kërkesës, me arsyetimin si në​​ vijim:​​ Gjykata Supreme njëjtë si edhe gjykatat e instancave më​​ te ulëta vlerëson se paditësi [parashtruesi i kërkesës] nuk i plotëson kushtet ligjore për ndërrimin e mbiemrit, nga Gashi, në​​ mbiemrin, Aga, ashtu si e kërkon për shkak të​​ këngës, "Isuf Aga", sepse sipas​​ kësaj​​ dispozite, përkatësisht, nën paragrafët e saj si në​​ vijim, nga 1.1, deri 1.11, ku përcaktohen kushtet në​​ mënyrë​​ specifike, nuk parashihet që​​ për një​​ arsye e të​​ këtillë​​ apo analoge​​ që​​ mund të​​ ndërrohet emri personal. Po ashtu arsyetimi të​​ cilin e ka paraqitur në​​ organin e paditur​​ në​​ lidhje me​​ kërkesën​​ e njëjtë, të​​ cilën e ka arsyetuar ndryshe, duke theksuar se, mbiemri Gashi​​ është​​ vështirë​​ të​​ përdoret për​​ shkak të shqiptimit, ky pretendim nuk mund të​​ pranohet ashtu si​​ nuk​​ është​​ pranuar edhe nga i padituri si në vendimet e tij të shkallës së pare dhe dytë​​ në​​ mungesë të provave të ofruara nga paditësi, prandaj edhe nga​​ kjo​​ bazë​​ nuk​​ mund të konkludohet se i njëjti i​​ plotëson kushtet ligjore për​​ ndërrimin​​ e mbiemrit si parashihet me dispozitën e lartë​​ cekur të​​ U.A.​​ 19/2015.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi i​​ kërkesës pretendon​​ se me​​ aktgjykimin​​ e kontestuar i​​ janë​​ shkelur​​ ​​ drejtat​​ e​​ tij,​​ ​​ mbrojtura​​ me​​ nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Në lidhje me pretendimin e tij për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se:​​ “Parashtruesi në​​ procedurë​​ administrative kishte deponuar provat e kërkuara për ndërrimin e mbiemrit. Në​​ të​​ gjitha instancat administrative dhe gjyqësore ishte vlerësuar se parashtruesi nuk kishte deponuar prova me të​​ cilat arsyeton kushtet​​ e përcaktuara nga neni 6 i UA nr. 19/2015 për ndërrim të​​ mbiemrit. Edhe Gjykata Supreme në​​ vendimin e saj refuzimin e arsyeton me konstatime të​​ përgjithshme (par.​​ i​​ fundit i faqes 2), ndërsa në​​ faqen 3 pasi citohen disa nga pretendimet e parashtruesit të​​ dhëna në​​ kërkesë​​ përfundohet se citat​​ “kolegji këto pretendime dhe të​​ tjerat si në​​ kërkesë​​ i shqyrtoi në​​ tërësi në​​ baza ligjore, por nuk i aprovon si të​​ bazuara... sepse gjykata e shkallës së​​ parë... dhe ajo e shkallës së​​ dytë​​ në​​ tërësi i ka vërtetuar faktet në​​ baza ligjore, bazuar në​​ dispozitat e nenit 6 të​​ UA nr. 19/15”?! Një​​ arsyetim i tillë​​ nuk përmbush kërkesat për një​​ gjykim të​​ drejtë​​ dhe të​​ paanshëm, ashtu si definohet në​​ nenin 31 të​​ Kushtetutës së​​ Republikës së​​ Kosovës. Një​​ gjykim i drejtë​​ dhe i paanshëm nënkupton edhe arsyetimin faktik dhe ligjor të​​ vendimit me të​​ cilin vendoset për kërkesën e palës në​​ procedurë. Në​​ rastin konkret pos thirrjes në​​ dispozitë​​ ligjore vendimi nuk përmban arsyetim se çka kërkon kjo dispozitë​​ për ndërrim mbiemri dhe çka nuk ka përmbushur parashtruesi i kërkesës nga këto kushte që​​ ti refuzohet ndërrimi i emrit personal.”

​​ 

  • ​​ fund, parashtruesi i kërkesës​​ kërkon nga Gjykata që​​ ​​ konstatojë​​ ​​ Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme​​ është​​ nxjerrë​​ (i) në​​ shkelje të​​ neneve 24 dhe 31 të​​ Kushtetutës, (ii) ta anulojë​​ ​​ njëjtin dhe (iii) ta kthejë​​ çështjen në​​ rivendosje.

 

Dispozitat relevante​​ kushtetuese dhe​​ ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 24

[Barazia para Ligjit]

 

“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.​​ 

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.​​ 

3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”

 

Neni 31​​ 

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin”.

 

Neni 36

[E Drejta e Privatësisë]

 

“1. Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e​​ 

banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera.​​ 

2. Kontrollet e cilësdo banese ose cilitdo objekti privat, që mendohet se janë të domosdoshme për hetimin e krimit, mund të bëhen vetëm deri në shkallën e domosdoshme dhe vetëm pas​​ miratimit nga ana e gjykatës, pas shpjegimit të arsyeve pse një kontroll i tillë është i domosdoshëm. Shmangia nga kjo rregull lejohet, nëse është e domosdoshme për arrestim të ligjshëm, për mbledhjen e provave që ka rrezik të humbasin ose për mënjanimin e rrezikut të drejtpërdrejtë dhe serioz për njerëzit dhe​​ për pasuri, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Gjykata duhet që të miratoj veprimet e tilla në mënyrë retroaktive.​​ 

3. Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e​​ 

pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit​​ 

gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj. ​​ 

4. Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.”​​ 

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

 

Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)

 

“1.​​ Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

[...]”

 

Neni 8

(E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare)

 

“1. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.​​ 

2. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”

 

LIGJI NR. 02/L-118 PËR EMRIN PERSONAL

 

Kreu II

KORRIGJIMI DHE NDËRRIMI I EMRIT PERSONAL

 

Neni 10

(pa titull)

 

“Qytetari ka të drejtë në korrigjimin dhe ndërrimin e emrit personal.”​​ 

 

Neni 17

(Procedura për ndërrimin e emrit personal në bazë të kërkesës)

 

“17.1. Kërkesës për ndërrimin e emrit personal, paraqitësi i kërkesës duhet t’i bashkangjes vërtetimin se nuk është nen hetime.​​ 

17.2. Për kërkesën për ndërrimin e emrit personal vendos organi kompetent sipas vendbanimit, të i cili është bërë kërkesa.​​ 

17.3. Aktvendimi për ndërrimin e emrit personal i përcillet zyrës së gjendjes civile, ku është bërë regjistrimi i lindjes, respektivisht regjistrimi i lidhjes së martesës së palëve përkatëse.​​ 

17.4. Personi që ndryshon emrin është i obliguar të ndërmerr veprime të domosdoshme që emri i ndryshuar të paraqitet në dokumentet personale duke përfshirë edhe letërnjoftimin dhe dokumentin e udhëtimit. Regjstri civil ia përcjell emrin e ndryshuar autoriteteve përkatëse.”​​ 

 

Neni 18

(Pengesat për ndërrimin e emrit personal)

 

“18.1. Qytetarit kundër të cilit zhvillohet procedura për vepër penale për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare i cili është dënuar për vepër të këtillë penale, derisa nuk i është ekzekutuar dënimi ose gjithnjë derisa të vazhdojnë pasojat juridike të dënimit, si dhe as personit për të cilin konstatohet se kërkesën e ka paraqitur për t’iu shmangur detyrimeve të përcaktuara me ligj, nuk do t’i lejohet ndërrimi i emrit personal.​​ 

18.2. Nëse emri personal i është ndërruar qytetarit, kundër të cilit zhvillohet procedura penale për vepër penale, zyra e gjendjes civile që në afatin prej tre ditësh pas aprovimit të ndërrimit duhet ta njoftojë gjykatën në të cilën zhvillohet procedura penale.​​ 

18.3. Zyra e regjistrimit civil mund te kërkoj nga Gjykata dhe Prokuroria verifikimin e vërtetësisë te të dhënave të parashtruara nga aplikuesi lidhur me dokumentet nga neni 17 i këtij ligji.​​ 

18.4. Nëse emri personal është ndërruar me kërkesë të palës në procedurë administrative të organit të gjendjes civile, për pesë vitet e ardhshme, palës nuk do t’i lejohet sipas së njëjtës procedurë ndërrimi i serishëm i emrit personal nga organi i gjendjes civile.”

 

UDHËZIM ADMINISTRATIV (MPB) NR. 19/2015 PËR KUSHTET DHE PROCEDURAT E NDËRRIMIT DHE KORRIGJIMIT TË EMRIT PERSONAL

Neni 6

(Arsyet për ndërrimin e emrit personal)

 

“1. Shtetasi mund ta bëj ndërrimin e emrit personal për arsyet si në vijim:​​ 

1.1. Emri personal aktual është qesharak apo fyes;​​ 

1.2. Emri personal aktual është vështirë të përdoret për shkak të shqiptimit;​​ 

1.3. Emri personal i shtetasit është i huaj dhe dëshiron ta merr një emër i cili i lehtëson qëndrimin e tij/saj në Kosovë;​​ 

1.4. Emri personal sikurse edhe datëlindja e shtetasit është e njëjtë me një person tjetër dhe në këtë mënyrë krijohet konfuzion;​​ 

1.5. Emri personal nuk përputhet me gjininë e personit;​​ 

1.6. Shtetasi e ka ndryshuar fenë dhe dëshiron të ndërroj emrin personal;

1.7. Shtetasi dëshiron t’i shtoj mbiemrit të tij mbiemrin e bashkëshortit/es pas regjistrimit të martesës;​​ 

1.8. Emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri;​​ 

1.9. Shtetasi dëshiron ta marr një emër historik të familjes së tij në vijë me trashëgiminë e tij;​​ 

1.10. Shtetasi dëshiron ta rikthej mbiemrin paramartesor të tij ose të saj, nëse nuk është bërë pas zgjidhjes së martesës, ose pas njohjes së martesës së anuluar;​​ 

1.11. Shtetasi dëshiron ta ndërroj emrin personal të tij ose të saj për shkak se është i modës së vjetër.”

 

 

Vlerësim i pranueshmërisë​​ ​​ kërkesës

  • Gjykata së​​ pari shqyrton nëse​​ parashtruesi i​​ kërkesës​​ i​​ ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë,​​ të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj​​ dhe​​ me Rregullore të​​ punës.​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata​​ i​​ referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit,​​ të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

“1.​​ Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2.​​ Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor”.

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i​​ kërkesës​​ është: (i) palë​​ e autorizuar; (ii) konteston​​ një akt të një autoriteti publik, përkatësisht​​ Aktgjykimin [ARJ. nr. 521/2023], të 11 majit 2023, të Gjykatës Supreme​​ në lidhje me Aktgjykimin [AA. nr. 343/2022], e 20 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit​​ dhe Aktgjykimin [A. nr. 934/2019] e 24 shkurtit 2022, të Gjykatës Themelore;​​ (iii) ka​​ saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; (iv) ka​​ shteruar të gjitha mjetet​​ juridike të përcaktuara me ligj;​​ si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.

 

  • Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34​​ [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së​​ punës. Paragrafi 2 i rregullit 34​​ të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin​​ që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d)​​ e paragrafit​​ 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 34​​ të Rregullores së punës përcaktojnë që:

 

"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

[...]

(d) Kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

[...]

(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja​​ nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".

 

  • Gjykata​​ fillimisht thekson se rregulli i​​ lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.​​ Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e​​ GJEDNJ-së​​ Kemmachev kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, paragrafi 44​​ Trofimchuk kundër Ukrainës,​​ nr. 4241/03,​​ vendimi i 31 majit 2005, paragrafi 55;​​ Mentzen kundër Letonia,​​ nr. 71074/01,​​ vendimi i 7 dhjetorit 2004,​​ Baillard kundër Francës,​​ nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008, dhe​​ rastet e Gjykatës​​ KI04/21, parashtruese​​ Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafi 26;​​ KI107/21, parashtrues​​ Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, paragrafi 53; dhe​​ KI05/23​​ parashtrues​​ Branislav Gajin, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, paragrafi 51).

 

  • Në​​ kontekst​​ të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave,​​ Gjykata do të aplikojë standardet​​ e praktikës gjyqësore të​​ GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me​​ kërkesëpadinë​​ e parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore​​ kundër​​ Vendimit [Nr. 23/04] të 3 prillit 2019 të MPB-së, përmes së cilit, MPB refuzoi kërkesën e tij​​ për ndërrim të mbiemrit nga “Gashi” në atë “Aga”​​ për arsye të këngës “Isuf Aga. Gjykata Themelore konstatoi se arsyeja në​​ fjalë​​ nuk​​ është​​ e përcaktuar në​​ nenin 6​​ të Udhëzimit Administrativ nr. 19/2015 për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal, si dhe që​​ parashtruesi i kërkesës nuk kishte dhënë​​ prova të​​ mjaftueshme që​​ arsyetojnë​​ ndërrimin e mbiemrit në​​ pajtim me kushtet e përcaktuara në​​ këtë​​ Udhëzim Administrativ.​​ Ky arsyetim i Gjykatës Themelore u mbështet edhe nga​​ Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, të cilat e vërtetuan Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

 

  • Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se me aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së,​​ në​​ thelb,​​ për shkak të​​ mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor. Gjykata nënvizon se parashtruesi i kërkesës nuk e ngrit pretendimin për shkelje të​​ së​​ drejtës substanciale për emër personal, të​​ garantuar me nenin 36 [E Drejta e Privatësisë] të​​ Kushtetutës në​​ lidhje me nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të​​ KEDNJ-së.​​ 

 

  • Andaj,​​ në vijim​​ Gjykata do të​​ kufizohet në adresimin e pretendimit​​ të​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ në​​ lidhje me të​​ drejtën për vendim të​​ arsyetuar gjyqësor, të​​ garantuar me​​ nenin 31 të​​ Kushtetutës, në​​ lidhje me nenin 6 të​​ KEDNJ-së.

 

  • Në parim, Gjykata rithekson se garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së përfshijnë detyrimin që gjykatat të japin arsye të mjaftueshme për vendimet e tyre (shih, rastin e GJEDNJ-së,​​ H. kundër Belgjikës, Aktgjykimi i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53; si dhe shih rastet e Gjykatës​​ KI230/19, me parashtrues​​ Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 139 dhe rastin​​ KI87/18, me parashtrues​​ IF Skadiforsikring, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019, paragrafi 44​​ dhe​​ KI143/22, parashtrues​​ Hidroenergji sh.p.k, Aktgjykim, i 15 dhjetorit 2022, paragrafi 113). Vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu thekson se bazuar në praktikën e saj gjyqësore, gjatë vlerësimit të parimit i cili i referohet administrimit të duhur të drejtësisë, vendimet e gjykatave duhet të përmbajnë arsyetimin në të cilat ato bazohen. Shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Janë argumentet thelbësore të parashtruesve të kërkesës që duhet të adresohen dhe arsyet e dhëna duhet të jenë të bazuara në ligjin e aplikueshëm (shih në mënyrë të ngjashme rastet e GJEDNJ-së​​ Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96,​​ Aktgjykim, ​​ i 29 ​​ janarit 1999, paragrafi 29;​​ Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91,​​ Aktgjykim​​ i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27; dhe​​ Higgins dhe të tjerët kundër Francës, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 42, shih, po ashtu, rastin e Gjykatës​​ KI97/16, me parashtrues​​ IKK Classic, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2017, paragrafi 48; dhe rastin KI87/18, me parashtrues​​ IF Skadeforsikring, të cituar më lart, paragrafi 48). Duke mos kërkuar një përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar (shih rastin​​ Moreira Ferreira kundër Portugalisë, Aktgjykim i 5 korrikut 2011, paragrafi 84 dhe të gjitha referencat e përdorura aty; si dhe rastet e Gjykatës KI230/19, parashtrues​​ Albert Rakipi,​​ cituar më lart, paragrafi 137, KI107/21, me parashtrues​​ Ramiz Hoti, cituar më lart, paragrafët 69).

 

  • Duke iu kthyer rrethanave të rastit konkret,​​ Gjykata rikujton se Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit​​ [ARJ. nr. 521/2023], të 11 majit 2023,​​ refuzoi si të pathemeltë​​ kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit, të​​ parashtruar nga​​ parashtruesi​​ i​​ kërkesës dhe vërtetoi​​ aktgjykimet e gjykatave të​​ rregullta, të​​ cilat​​ refuzuan kërkesën​​ e​​ parashtruesit​​ ​​ kërkesës​​ për ndërrim të mbiemrit nga “Gashi” në “Aga” për shkak të këngës “Isuf Aga”.

 

  • Gjykata rithekson pretendimet e parashtruesit të kërkesës për mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, gjegjësisht​​ se në​​ rastin konkret vendimi nuk përmban arsyetim se çka kërkojnë​​ dispozitat​​ ligjore​​ për ndërrim​​ ​​ mbiemrit​​ dhe çka nuk ka përmbushur parashtruesi i kërkesës nga këto kushte.

 

  • Në këtë drejtim,​​ Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nënvizon se:​​ [...]​​ në​​ procedurë​​ administrative kishte deponuar provat e kërkuara për ndërrimin e mbiemrit. Në​​ të​​ gjitha instancat administrative dhe gjyqësore ishte vlerësuar se parashtruesi nuk kishte deponuar prova me të​​ cilat arsyeton kushtet​​ e përcaktuara nga neni 6 i UA nr. 19/2015 për ndërrim të​​ mbiemrit. Edhe Gjykata Supreme në​​ vendimin e saj refuzimin e arsyeton me konstatime të​​ përgjithshme (par.​​ i​​ fundit i faqes 2), ndërsa në​​ faqen 3 pasi citohen disa nga pretendimet e parashtruesit të​​ dhëna në​​ kërkesë​​ përfundohet se citat​​ “kolegji këto pretendime dhe të​​ tjerat si në​​ kërkesë​​ i shqyrtoi në​​ tërësi në​​ baza ligjore, por nuk i aprovon si të​​ bazuara... sepse gjykata e shkallës së​​ parë... dhe ajo e shkallës së​​ dytë​​ në​​ tërësi i ka vërtetuar faktet në​​ baza ligjore, bazuar në​​ dispozitat e nenit 6 të​​ UA nr. 19/15”?! Një​​ arsyetim i tillë​​ nuk përmbush kërkesat për një​​ gjykim të​​ drejtë​​ dhe të​​ paanshëm, ashtu si definohet në​​ nenin 31 të​​ Kushtetutës së​​ Republikës së​​ Kosovës. Një​​ gjykim i drejtë​​ dhe i paanshëm nënkupton edhe arsyetimin faktik dhe ligjor të​​ vendimit me të​​ cilin vendoset për kërkesën e palës në​​ procedurë. Në​​ rastin konkret pos thirrjes në​​ dispozitë​​ ligjore vendimi nuk përmban arsyetim se çka kërkon kjo dispozitë​​ për ndërrim mbiemri dhe çka nuk ka përmbushur parashtruesi i kërkesës nga këto kushte që​​ ti refuzohet ndërrimi i emrit personal.”

 

  • Fillimisht, në këtë aspekt, Gjykata vë në pah pjesë të caktuara nga arsyetimi i​​ Aktgjykimit [A. nr. 934/19]​​ të​​ 24 shkurtit 2022, të​​ Gjykatës Themelore,​​ si në​​ vijim:​​ ​​ “Në kuptim te nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.19/2015 për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal paditësi [parashtruesi i kërkesës] para kësaj Gjykate nuk ka dhënë asnjë nga arsyet e parapara ne nenin 6 të këtij Udhëzimi Administrativ, i njëjti pretendimin e ti e ka mbështetur në arsyetimin për ndërrimin e emrit personal (mbiemrit) se arsyeja e ndërrimit të mbiemrit nga Gashi në Aga është për arsye të këngës Isuf Aga, e që për gjykatën një arsye e tillë nuk përmbushë kushtet lidhur me arsyet nga neni 6 i Udhëzimit Administrativ nr. 19/2015 që shtetasi të mund të bëjë ndërrimin e emrit personal për faktin se kjo dispozitë përcakton arsyet mbi te cilat Shtetasi mund ta bëj ndërrimin e emrit personal për arsyet si në këtë dispozite ligjore, konkretisht mbi arsyen e dhënë nga këtu pala paditës që për arsye të këngës së Isuf Agës dëshiron të ndryshoj mbiemrin, në mënyrë që të mund të vinte në shprehje arsye e përcaktuar te neni 6 të Udhëzimit Administrativ të sipërcituar dhe se i njëjta nuk ka ofruar asnjë prove për te dëshmuar se përmbushet kushti mbi arsyen e ndërrimit te emrit ashtu siç përcaktohet në neni 6 të Udhëzimit Administrativ nr. 19/2015 për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal. Në këtë kuptim Gjykata ka konstatuar se padia dhe kërkesëpadia e paditëses është e pa bazuar”​​ .

 

  • Gjykata​​ rithekson edhe arsyetimin e Gjykatës së​​ Apelit përmes​​ Aktgjykimit​​ [AA. Nr. 343/2022] 20 dhjetorit 2022, e cila arsyetoi se:​​ Në rastin konkret rrjedh se për një të dhënë personale dhe thjesht individuale organi përbën penges për ndërrim dhe kriteret për ndërrim janë provuar me faktin se mbiemri aktual është shumë i përhapur, i vjetër dhe lidhet me fis. Derisa mbiemri qe kërkohet edhe historikisht lidhet me një ngjatje që asocion me emrin e paditësit. Këto pretendime ankimore ky kolegj nuk i aprovoi sepse vlerësoi se te njëjtat janë të pa qëndrueshme dhe të pa bazuara, dhe se janë pa ndikim në vërtetimin e një gjendje tjetër faktike, për faktin se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme, ashtu që në mënyrë të sigurt dhe bindëse ka vërtetuar se paditësi nuk i plotëson kriteret e parapara në Udhëzimin​​ Administrativ (MPB)​​ Nr.19/2015​​ për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal, përkatësisht nenit 6 par, 1 dhe nën paragrafi 1.9. Prandaj sipas vlerësimit te kolegjit të kësaj gjykate, gjykata e shkalles se parë e ka vërtetuar arsyen se paditësi nuk i ka plotësuar kriteret e parapara sipas udhëzimit të lartcekur.”

 

  • Gjykata po ashtu rikujton se përkitazi me pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme në​​ Aktgjykimin​​ [ARJ. nr. 521/2023], e 11 majit 2023, kishte vlerësuar si në vijim:​​ Gjykata Supreme njëjtë si edhe gjykatat e instancave më te ulëta vlerëson se paditësi [parashtruesi i kërkesës] nuk i plotëson kushtet ligjore për ndërrimin e mbiemrit, nga Gashi, në mbiemrin, Aga, ashtu si e kërkon për shkak të këngës, "Isuf Aga", sepse sipas​​ kësaj​​ dispozite, përkatësisht, nën paragrafët e saj si në vijim, nga 1.1, deri 1.11, ku përcaktohen kushtet në mënyrë specifike, nuk parashihet që për një arsye e të këtillë apo analoge që mund të ndërrohet emri personal. Po ashtu arsyetimi të cilin e ka paraqitur në organin e paditur në lidhje me kërkesën e njëjtë, të cilën e ka arsyetuar ndryshe, duke theksuar se, mbiemri Gashi është vështirë të përdoret për shkak të shqiptimit, ky pretendim nuk mund të pranohet ashtu si nuk është pranuar edhe nga i padituri si në vendimet e tij të shkallës së pare dhe dytë në mungesë të provave të ofruara nga paditësi, prandaj edhe nga kjo bazë nuk mund të konkludohet se i njëjti i plotëson kushtet ligjore për ndërrimin e mbiemrit si parashihet me dispozitën e lartë cekur të​​ U.A. 19/2015.”

 

  • ​​ këtë​​ drejtim,​​ Gjykata, bazuar në parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën në një vendim të arsyetuar gjyqësor e të shtjelluara më lart, rikujton se në adresimin e pretendimeve të parashtruesve përkatës, gjykatat e rregullta, janë të detyruara që të japin përgjigje, ndër të tjera, lidhur me ato pretendime të cilat janë thelbësore ose përcaktuese për rrethanat e një rastit.

 

  • Gjykata vëren se në thelb, gjykatat e rregullta kishin refuzuar kërkesën e parashtruesit për ndërrim të​​ mbiemrit për shkak se​​ i njëjti: (i) kishte ofruar një​​ arsye për ndërrim të​​ mbiemrit,​​ e cila nuk ishte e listuar në​​ nenin 6 (Arsyet për Ndërrimin e Emrit personal) të​​ Udhëzimit​​ Administrativ (MPB) nr. 19/2015 për Kushtet dhe Procedurat e Ndërrimit dhe Korrigjimit të Emrit Personal​​ (në​​ tekstin e mëtejmë: Udhëzimi Administrativ për Ndërrimin e Emrit Personal)​​ dhe se (ii) nuk kishte ofruar prova të​​ tjera për të​​ dëshmuar arsyet e tjera që​​ mund të​​ jenë​​ ​​ pranueshme sipas udhëzimit administrativ në​​ fjalë.

 

  • Në​​ vijim, Gjykata i referohet edhe nenit 6 të​​ Udhëzimit Administrativ për Ndërrimin e Emrit Personal, i cili përcakton se:“1. Shtetasi mund ta bëj ndërrimin e emrit personal për arsyet si në vijim:​​ 

“1.1. Emri personal aktual është qesharak apo fyes;​​ 

1.2. Emri personal aktual është vështirë të përdoret për shkak të shqiptimit;​​ 

1.3. Emri personal i shtetasit është i huaj dhe dëshiron ta merr një emër i cili i lehtëson qëndrimin e tij/saj në Kosovë;​​ 

1.4. Emri personal sikurse edhe datëlindja e shtetasit është e njëjtë me një person tjetër dhe në këtë mënyrë krijohet konfuzion;​​ 

1.5. Emri personal nuk përputhet me gjininë e personit;​​ 

1.6. Shtetasi e ka ndryshuar fenë dhe dëshiron të ndërroj emrin personal;

1.7. Shtetasi dëshiron t’i shtoj mbiemrit të tij mbiemrin e bashkëshortit/es pas regjistrimit të martesës;​​ 

1.8. Emri personal e pengon integrimin e personit në shoqëri;​​ 

1.9. Shtetasi dëshiron ta marr një emër historik të familjes së tij në vijë me trashëgiminë e tij;​​ 

1.10. Shtetasi dëshiron ta rikthej mbiemrin paramartesor të tij ose të saj, nëse nuk është bërë pas zgjidhjes së martesës, ose pas njohjes së martesës së anuluar;​​ 

1.11. Shtetasi dëshiron ta ndërroj emrin personal të tij ose të saj për shkak se është i modës së vjetër.”

 

  • Gjykata vëren se dispozita e lartcekur përmban një​​ listë​​ shteruese të​​ arsyeve për ndërrimin e emrit personal.​​ Në këtë drejtim,​​ Gjykata konsideron se arsyetimi i dhënë​​ nga Gjykata Supreme lidhur me interpretimin e saj në​​ lidhje me arsyet për ndërrimin e emrit personal në​​ Aktgjykimin e kontestuar, ka arritur të​​ shpjegojë ​​​​ raportin midis fakteve të​​ paraqitura dhe zbatimit të​​ bazës ligjore​​ në​​ të​​ cilin ajo​​ është​​ thirrur, gjegjësisht në​​ çfarë​​ mënyre ato vijnë​​ në​​ korrelacion me njëra tjetrën dhe se si kanë​​ ndikuar ato në​​ vendimin e Gjykatës Supreme që​​ të​​ vërtetojë vendimet e gjykatave të​​ shkallës më​​ të​​ ulët, respektivisht të​​ Gjykatës së​​ Apelit dhe asaj Themelore.

 

  • Gjykata rithekson se Gjykata Supreme përmes​​ Aktgjykimit të saj të kontestuar ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura në kërkesën e tij, dhe për pasojë konsideron se nuk rezulton se procedurat e zhvilluara të kenë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme”​​ që do ta bënte vendimmarrjen e tyre të papajtueshme me standardet e një vendimi të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor (shih,​​ mutatis mutandis, rastin e Gjykatës,​​ KI55/19, parashtrues​​ Ramadan Osmani, Aktvendim për Papranueshmëri, i 23 janarit 2020, paragrafi 46).

 

  • Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si me sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor.

 

  • Rrjedhimisht, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me​​ paragrafin 1 të nenit​​ 6 të KEDNJ-së është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në​​ “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”​​ ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.​​ 

 

  • Në​​ anën tjetër,​​ Gjykata​​ vëren se parashtruesi​​ i kërkesës, përveç pretendimit​​ për shkelje të së drejtës për​​ vendim të arsyetuar​​ gjyqësor, pretendon edhe shkelje të​​ nenit 24​​ të Kushtetutës.​​ Megjithatë,​​ në këtë kontekst i njëjti vetëm përmend këtë​​ nen, por nuk elaboron dhe shtjellon më tej si dhe pse ka ardhur deri te shkelja e​​ këtij neni​​ nga ana e Gjykatës Supreme.​​ Siç është shprehur edhe në rastet e tjera, Gjykata​​ përsërit qëndrimin e saj se​​ vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo​​ instrumenteve​​ të tjera ndërkombëtare, nuk mjafton për të ngritur pretendime​​ për shkelje të të drejtave kushtetuese. Kur pretendon për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe​​ KEDNJ, parashtruesi duhet të paraqesë dëshmi dhe argumente bindëse, për të dëshmuar shkeljet e supozuara (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës:​​ KI175/20, me parashtrues,​​ Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81;​​ KI166/20​​ parashtrues​​ Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 17 dhjetorit 2020, paragrafi 52;​​ KI04/21, me parashtruese​​ Nexhmije Makolli,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39, dhe​​ KI64/22, parashtrues​​ Vatani Shpk,​​ Aktvendim​​ për papranueshmëri,​​ i 29 shtatorit 2022, paragrafi 77).​​ 

 

  • Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimin​​ e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e​​ nenit 24 të Kushtetutës, në baza kushtetuese duhet deklaruar qartazi të pabazuar në kategorinë e pretendimeve​​ të pambështetura apo të paarsyetuara, siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit dhe nenin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.​​ 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me​​ nenet 113 (1) dhe (7) dhe 116 (2) të Kushtetutës, në nenet 20,​​ 47​​ dhe 48​​ të Ligjit dhe në pajtim me rregullat​​ 34​​ (1) (d) dhe​​ (2), si dhe​​ 48 (1)​​ (b) të Rregullores së punës, më​​ 4 shtator​​ 2024:

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË,​​ njëzëri,​​ kërkesën​​ të papranueshme;

 

  • T'UA KUMTOJË​​ këtë​​ aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË​​ këtë​​ aktvendim në Gazetën Zyrtare​​ të Republikës së Kosovës, në pajtim me​​ paragrafin 4 të nenit 20​​ të Ligjit;

 

  • Ky​​ aktvendim hyn në fuqi​​ në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.

 

 

 

Gjyqtari​​ raportues     ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani​​ 

1

​​ 

Parashtruesit:

Isuf Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative