Prishtinë, më 4 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2380/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI62/22
Parashtrues
Rade Božović
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 532/2017] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 13 gushtit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Rade Božović me adresë të përhershme në Republikën e Serbisë, i përfaqësuar nga Osman Cucović, avokat nga Peja (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 532/17] e 13 gushtit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 110/14] e 27 dhjetorit 2016, të Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e kishte pranuar më 12 janar 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 maj 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 11 maj 2022.
Më 23 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI62/2022] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 23 maj 2022, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin ligjor për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 23 shtator 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën se kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar.
Më 6 tetor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 12 janar 2022.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Bazuar në dokumentacionin e bashkëngjitur, lëndë e kontestit është banesa e cila gjendet në Pejë, në adresën ish “APJ” nr. 44, (në tekstin e mëtejmë: prona kontestuese).
Nga shkresat e lëndës rezulton se lidhur me pronën kontestuese është zhvilluar procedura para Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore, e cila rezultoi në nxjerrjen e “Vendimit nr. HPCC/195/2005; Vendimi mbi kërkesën për rishqyrtim nr. HPCC/REC/85/2006, Vendimi i Komisionit për kërkesa banesore dhe pronësore Nr. ref. 00309/13/fk; Nr. ref. 00521/14/g, dhe 00521/14/eg, si dhe CD me shkresat e lëndës DS500126 dhe DS600062”. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se vendimi i shkallës së parë ka qenë në favor të palës paditëse [parashtruesit të kërkesës] dhe pas apelimit, vendimi i shkallës së dytë ka qenë në favor të paditurës, me ç ’rast e paditura pas vendimit të shkallës së dytë ka hyrë në shfrytëzim të pronës kontestuese.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës në cilësinë paditësit, përmes përfaqësuesit të autorizuar, ushtroi padi për vërtetimin e pronësisë mbi pronën kontestuese në Gjykatën Themelore kundër të paditurës, V. Gj.
Parashtruesi i kërkesës përmes padisë së tij kërkon nga Gjykata Themelore që ta shpall pronar të pronës kontestuese, konkretisht, “që paditësit t’ia njoh të drejtën e pronësisë [...] dhe ta liroj të njëjtën nga njerëzit dhe sendet dhe t’ia dorëzoj paditësit në posedim të qetë [...]”.
Më 27 dhjetor 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 110/14] vendosi si në vijim:
“REFUZOHET kërkesëpadia e paditësit R.B. nga Peja, tani me vendbanim në Mladenovc, R. e Serbisë, me të cilën ka kërkuar që të: "VËRTETOHET se paditësi Rade Božović, nga Peja, tani me vendbanim ne Mladenovc, të R. e Serbisë, është pronar i banesës në Pejë, e cila gjendet në rrugën ish "API", me numër 44, në sip. prej 52m2, e që përbëhet prej: dy dhomave; një kuzhine; një WC-je, një korridori dhe një terase (ballkoni) të brendshëm, në bazë të kontratës së shitblerjes të vërtetuar në Gjykatën Komunale në Pejë, me shenjën Vr.nr. 1357/93 të dt. 08.02.1993. DETYROHET e paditura V.Gj. nga Peja, që paditësit t'ia njohë të drejtën e pronësisë si është cekur në pikën 1 të këtij dispozitivi, dhe të liroj të njëjtën nga njerëzit dhe sendet dhe t’ia dorëzoj paditësit në posedim të qetë, në afat prej 15 ditë, pas marrjes sč këtij aktgjykimi nën kërcenim të përmbarimit me dhunë." SI E PABAZUAR.
OBLIGOHET pala paditëse, që të paditurës t'ia paguaj shumën prej 1.652,5€, në emër të shpenzimeve gjyqësore në afatin prej 15 ditësh pas marrjes së aktgjykimit”.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 110/14] të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që lënda të kthehet në rishqyrtim në shkallë të parë.
Më 13 gusht 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 532/2017] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se aktgjykimi i kontestuar nuk është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore.
Më 15 prill 2022, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit duke propozuar që të iniciojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Më 28 prill 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 29/22] refuzoi propozimin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se ka kaluar afati tremujor për paraqitjen e kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon shkelje të nenit 46 në ndërlidhje me nenin 31 të Kushtetutës, me arsyetimin se gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së tij për vërtetim të pronësinë mbi pronën kontestuese kishte privuar parashtruesin e kërkesës nga e drejta pronësore.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Është shkelur neni 31 i Kushtetutës (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) dhe neni 46 (Mbrojta e Pronës). Tani i ndjeri I. Xh. ka qenë prokuror publik i qarkut në Pejë dhe më vonë është emëruar si zëvendës i prokurorit publik Krahinor. Sipas bazës së marrëdhënies së punës atij i është ndarë në shfrytëzim një banesë e cila është objekt i kontestit, e në të cilën ai ka banuar deri në vitin 1989, kur atij iu nda për shfrytëzim një banesë tjetër shumë më e madhe, si dhe garazhi, në Prishtinë. Pas marrjes së banesës i njëjti shpërngulet në Prishtinë dhe vullnetarisht e liron banesën në Pejë dhe në këtë mënyrë definitivisht vazhdon që me familjen e tij të jetojë në Prishtinë”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson: “Për parashtruesin e kësaj ankese, sipas bazës së marrëdhënies së punës, përkatësisht si punëtor i NPT-së në Pejë, merret vendimi nr. 05-360/1652 i datës 24.08.1989, dhe në mënyrë të përhershme atij i ndahet banesa kontestuese. Pas kësaj, natyrisht, me Entin për Banim në Pejë ai lidh kontratën për shfrytëzimin e banesës nr.1130 të datës 29.09.1989, dhe më pas vendoset me familje në banesë. Pas nxjerrjes së Ligjit për Banim parashtruesi i kësaj ankese-fiton të drejtën-bazën juridike që banesën ta blej. Në këtë drejtim edhe u përpilua kontrata mbi blerjen e banesës, e cila është certifikuar në Gjykatën Themelore në Pejë nën numrin OV.nr.1357/93, më 08.02.1993”.
Parashtruesi i kërkesës përgjatë pretendimeve të tij thekson “Në këtë banesë parashtruesi i ankesës ka banuar deri më 10.06.1999, kur së bashku me familjen tij, për shkaqe përgjithësisht të njohura, u shpërngul dhe tani jeton si person i zhvendosur në Mladenovac”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se “Banesa kontestuese i është ndarë në mënyrë legale dhe ligjërisht të bazuar. Të gjitha vendimet e nxjerra në lidhje me banesën në fjalë janë ende në fuqi, dhe vlefshmëria e tyre nuk është kontestuar deri në ditët e sotme. Pra, parashtruesi i ankesës e ka fituar të drejtën e pronësisë së banesës në pajtim me nenin 20 , paragrafi 1, të Ligjit për Marrëdhëniet Pronësore–Juridike. Sipas Ligjit për Marrëdhëniet Banesore, i cili ka qenë i aplikueshëm në atë kohë, një person i njëjtë në asnjë rast nuk ka mundur të ketë të drejtën e shfrytëzimit të dy banesave në të njëjtën kohë”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që vendimet e gjykatave të rregullta të vlerësohen jokushtetuese dhe rasti të kthehet në rigjykim.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Protokolli nr. 1 neni 1 [Mbrojtja e Pronës]
1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...".
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 532/2017] të 13 gushtit 2021 të Gjykatës së Apelit dhe i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që ai pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Gjithashtu, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikisht përcakton që:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj".
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] në ndërlidhje me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, me arsyetimin se gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së tij për vërtetim të pronësinë mbi pronën e kontestuar kishte privuar parashtruesin e kërkesës nga e drejta pronësore.
Gjykata, në vijim, do të trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mbi bazën e të cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në këtë aspekt, Gjykata thekson se praktika e GJEDNJ-së përcakton se drejtësia e një procedure vlerësohet në bazë të procedurës si tërësi (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, kërkesa nr. 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68). Rrjedhimisht, gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata gjithashtu do t’i përmbahet këtij parimi (shih rastin e Gjykatës KI104/16, parashtrues Miodrag Pavić, Aktgjykim i 4 gushtit 2017, paragrafi 38; dhe rastin KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 qershorit 2018, paragrafi 31).
Lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës së pronës të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së
Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në thelb e ndërlidh me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës. Prandaj, Gjykata në vijim do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit nga këndvështrimi i nenit 46 të Kushtetutës, duke rikujtuar fillimisht pretendimet e tij.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se refuzimi i padisë për vërtetim të pronësisë, e kishte privuar atë nga e drejta pronësore mbi pronën kontestuese dhe rrjedhimisht, Aktgjykimi [Ac. nr. 532/2017] i Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 110/14] e Gjykatës Themelore kanë shkelur të drejtën pronësore të parashtruesit të kërkesës që i takon mbi pronën kontestuese të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Për të adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, Gjykata paraprakisht do të citojë nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke i paraqitur parimet e përgjithshme në bazë të praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së përkitazi me të drejtën e pronës. Pas kësaj analize, Gjykata do të aplikojë parimet e përgjithshme që rrjedhin nga praktika gjyqësore e Gjykatës dhe GJEDNJ-së në rrethanat e rastit konkret.
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton përmbajtjen e nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
“E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet”.
[...]
Neni 1 [Mbrojtja e Pronës] të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së:
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveç se për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
a.1 Parimet e përgjithshme të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së
Përmbajtja e nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe zbatimi i tij, janë interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikës gjyqësore të saj, të cilës ashtu siç është theksuar më lart, Gjykata do t'i referohet në lidhje me interpretimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Sa i përket të drejtave të garantuara dhe të mbrojtura me nenin 46 të Kushtetutës, Gjykata së pari vlerëson se e drejta në pronë sipas paragrafit 1 të nenit 46 të Kushtetutës garanton të drejtën e posedimit të pronës; paragrafi 2 i nenit 46 të Kushtetutës përcakton mënyrën e shfrytëzimit të pronës, duke specifikuar qartë se shfrytëzimi i saj rregullohet me ligj dhe në pajtim me interesin publik; dhe, në paragrafin 3, garanton që askush nuk mund të privohet nga prona në mënyrë arbitrare, duke përcaktuar gjithashtu kushtet nën të cilat prona mund të shpronësohet (shih rastin e Gjykatës, KI50/16, parashtrues Veli Berisha dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 marsit 2017).
Ndërsa, sa i përket të drejtave të garantuara dhe të mbrojtura me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata vëren se GJEDNJ ka konstatuar se e drejta pronësore përbëhet nga tri rregulla të ndryshme. Rregulli i parë, i cili përcaktohet në fjalinë e parë të paragrafit të parë dhe i cili ka natyrë të përgjithshme, formulon parimin e gëzimit paqësor të pronës. Rregulli i dytë, në fjalinë e dytë të të njëjtit paragraf përfshin privimin nga prona dhe ia nënshtron atë kushteve të caktuara. Rregulli i tretë, i cili përfshihet në paragrafin e dytë të këtij neni ua njeh shteteve, ndërmjet të tjerash, të drejtën për të kontrolluar shfrytëzimin e pronës në pajtim me interesin e përgjithshëm, me zbatimin e atyre ligjeve që ato i konsiderojnë të nevojshme për këtë qëllim (shih, rastin e GJEDNJ-së, Sporrong dhe Lonnrot kundër Suedisë, kërkesa nr. 7151/75, 7152/75, Aktgjykim i 23 shtatorit 1982, paragrafi 61; dhe rastin e Gjykatës, KI86/18, parashtrues Slavica Đordević, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021, paragrafi 140).
Të tri rregullat e lartcekura nuk janë, megjithatë, "të ndryshme" në kuptim të të qenit të pandërlidhura. Rregulli dy dhe tre kanë të bëjnë me raste të veçanta të ndërhyrjes në të drejtën për gëzimin paqësor të pronës dhe prandaj duhet të interpretohen në dritën e parimit të përgjithshëm të parashtruar në rregullin e parë (shih rastet e GJEDNJ-së, James dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8793/79, Aktgjykim i 21 shkurtit 1986, paragrafi 37; Beyeler kundër Italisë, nr. 33202/96, Aktgjykim i 5 janarit 2000, paragrafi 98; dhe shih rastin e Gjykatës, KI29/16, parashtrues “KOSBAU GmBH”, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 nëntorit 2017, paragrafi 35).
a.2. Aplikimi i parimeve të lartpërmendura në rastin konkret
Gjykata sjellë në vëmendje pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës me arsyetimin se përmes refuzimit të padisë së tij për vërtetim të pronësisë nga gjykatat e rregullta e kishin privuar parashtruesin nga pronësia mbi pronën kontestuese me arsyetimin se pronën kontestuese e kishte fituar ligjërisht.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Ac. nr. 532/2017] i Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 110/14] e Gjykatës Themelore kanë shkelur të drejtën pronësore të parashtruesit që i takon mbi pronën kontestuese, të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës thekson se “Për parashtruesin e kësaj ankese, sipas bazës së marrëdhënies së punës, përkatësisht si punëtor i NPT-së në Pejë, merret vendimi nr. 05-360/1652 i datës 24.08.1989, dhe në mënyrë të përhershme atij i ndahet banesa kontestuese. Pas kësaj, natyrisht, me Entin për Banim në Pejë ai lidh kontratën për shfrytëzimin e banesës nr.1130 të datës 29.09.1989, dhe më pas vendoset me familje në banesë. Pas nxjerrjes së Ligjit për Banim parashtruesi i kësaj ankese-fiton të drejtën-bazën juridike që banesën ta blej. Në këtë drejtim edhe u përpilua kontrata mbi blerjen e banesës, e cila është certifikuar në Gjykatën Themelore në Pejë nën numrin OV. nr. 1357/93, më 08.02.1993”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se, “Në këtë banesë parashtruesi i ankesës ka banuar deri më 10.06.1999, kur së bashku me familjen tij, për shkaqe përgjithësisht të njohura, u shpërngul dhe tani jeton si person i zhvendosur në Mladenovac”.
Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës kërkon kthimin e paluajtshmërisë të cilën e kishte në shfrytëzim që nga viti 1989 deri në vitin 1999 përmes kontratës mbi shfrytëzimin e banesës dhe kontratës mbi blerjen e banesës [nr.Vr.1357/93], duke e iniciuar kështu një kontest gjyqësor në Gjykatën Themelore për vërtetim të pronësisë.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave pronësore, si pasojë e mosvërtetimit të pronësisë mbi pronën kontestuese nga ana e gjykatave të rregullta.
Përkitazi me këto pretendime, përkatësisht lidhur me pretendimin për pronësinë mbi pronën kontestuese, Gjykata thekson se të njëjtat janë trajtuar nga gjykatat e rregullta.
Në këtë kontekst, dhe specifikisht lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se për privimin nga pronësia të pronës kontestuese, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 110/14] të 7 dhjetorit 2016, duke trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“[...]Gjykata ka konstatuar se nuk është kontestues as fakti se lidhur me banesën lëndore është zhvilluar procedura para Drejtorisë për çështje pronësore Banesore, dhe janë nxjerrë vendimet, ku vendimi i parë ka qenë në favor të palës paditëse, dhe pas apelimit ky vendimi i dytë ka qenë në favor të paditurës, me ç’ raste e paditura pas vendimit të shkallës së dytë (të Drejtorisë për çështje Pronësore Banesore-HABITAT), ka hyrë në shfrytëzim dhe posedim të kësaj banese ku ka bërë adaptime. Ndërsa kontestuese në mes të palëve ndërgjyqëse është fakti se pala paditëse pretendon së është pronar i banesës lëndore me bazë ligjore, ndërsa pala e paditur pretendon se kjo banesë i është marrë pa bazë ligjore”.
Gjykata për të vërtetuar drejtë gjendjen faktike, përveç provave të administruara e të cituara më lart pati parasysh: edhe sugjerimet e shkallës së dytë dhe atë, se në rigjykim duhet vërtetuar faktin se Komisioni për çështje Pronësore Banesore, a ka pas dijeni për ekzistimin e kontratës për blerjen e banesës me shenjën VLnr.1357/93 të dt.08.02.1993, andaj gjykata duke pas konsideratë për sugjerimet e cekura është drejtuar AKP-së, me shkresë për t'i siguruar shkresat e lëndës dhe AKP është përgjigjur me shkrim, duke i siguruar provat në formë shkresore dhe në CD.
[...]
Sikurse u theksua më lart pretendimet e palëve ndërgjyqëse u vërtetuan nga provat që i kishte administruar ky Komision për çështje Pronësore Banesore, por edhe nga provat tjera të administruara nga ana e gjykatës siç janë: dëgjimi i dëshmitarëve, ekspertiza etj., u kuptua se nuk ka dilema se paditësi është pronar në bazë të kontratës së shitblerjes, që gjendet në shkresa të lëndës, mirëpo, gjithashtu u vërtetua se edhe paraardhësit të të paditurës kjo banesë i ishte ndarë bazuar në dispozitat ligjore që ishin në fuqi, dhe gj’ veshja nga kjo e drejtë banesore, s'ishte bërë sipas procedurës ligjore që ishte e paraparë me ligjet në fuqi.
[...]
Andaj, Gjykata duke u gjendur para një gjendje të tillë faktike, veçanërisht pasi shqyrtoi shkresat nga Agjencioni Kosovar për Pronë, ka vërtetuar se për këtë çështje është marr një vendim përfundimtar i detyrueshëm dhe nuk mund të rishqyrtohet nga asnjë trup tjetër juridik e as administrativ në Kosovë. Gjykata, një bindje të tillë e ka forcuar, bazuar në Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23 dhe 2000/60, me të cilën Drejtoria për çështje Pronësore dhe Banesore, ka pas kompetencë ekskluzive për të pranuar dhe zgjedhur kërkesat pronësore dhe banesore për periudhën 23 mars 1989-24 mars 1999, si dhe në Rreg.2006/50 për Themelimin e Agjencionit Kosovar për Prona, të ndryshuar me Ligjin m.03/L-079, të aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Nga shkresat u vërtetua se paraardhësi i të paditurës e kishte fituar të drejtën banesore bazuar në dispozitën e nenit 11 të Ligjit Mbi Marrëdhëniet Banesore (Gazeta Zyrtare e KSAK nr.11/83, 29/86 dhe 42/86), sipas kontratës mbi ndërrimin e banesës në Prishtinë me banesën në Pejë, të lidhur me dt.13.11.1967. Është konstatuar se ky ndërrim ishte bërë me pëlqimin e palëve për ndërrimin e banesave, se paraardhësi i të paditurës dispononte me kontratën mbi shfrytëzimin e banesës me m.02-1130 të dt.05.12.1967. Gjykata ka vërtetuar edhe faktin se tani i ndjeri Ise Gjocaj dhe familja e tij ishin në shfrytëzim të banesës lëndore deri ne vitin 1989. Nga shkresat është vërtetuar se i ndjeri Ise Gjocaj kishte respektuar të gjitha procedurat ligjore për fitimin e të drejtës banesore (si më lart) dhe në vitin 1989 e drejta e tij banesore sa i [...]
Në kuptim të lartcekurave, gjykata rithekson faktin e vërtetuar se ndaj tani të ndjerit Ise Gjocaj nuk është anuluar e drejta e banimit, në procedurë të paraparë sipas Ligjit Mbi Marrëdhëniet Banesore të KSAK të vitit 1986, i aplikueshëm sipas Rregullores së UNMIK-ut 1999/23 dhe 2000/60 mbi Drejtoritë për (çështje Pronësore dhe Banesore, kështu që vërtetohet se paraardhësit të të paditurës-Ise Gjocaj është larguar nga banesa lëndore në mënyrë të paligjshme, pa procedurë gjyqësore të paraparë me Ligjin e aplikueshëm, e duke marrë parasysh faktin se paraardhësit të paditurës siç është theksuar më lart banesa lëndore i është ndarë në shfrytëzim, duke u bazuar në Ligjin Mbi Marrëdhëniet Banesore, ku banesa i është dorëzuar në posedim dhe shfrytëzim sipas kontratës së përmendur më lart, ku ka qëndruar gjer në vitin 1989 (për 22 vite pa ndërprere). Nga provat e siguruara nga AKP u vërtetua se banesa lëndore pa bazë ligjore i ndahet paditësit për shfrytëzim. Paligjshmëria e ndarjes së banesës paditësit, konsiston në faktin se nuk u zhvillua procedura e duhur ligjore për mohimin e së drejtës banesore ndaj paraardhësit të paditurës”.
Gjithashtu, Gjykata rikujton se Gjykata Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 532/2017] të 13 gushtit 2021, në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesit të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Gjykata e shkallës së parë po ashtu dhe nga përgjigjet e dhëna nga AKP-ja, u vërtetua se paditësit banesa e tillë i është ndarë pa bazë ligjore, të dhëna të cilat u përforcuan edhe nga dëshmitë e dhëna nga disa dëshmitarë, andaj bazuar në dispozitat ligjore të Ligjit Mbi Marrëdhëniet Banesore të KSAK-së dhe Rregulloreve me nr.1999/24, 2000/23, dhe 2000/60, erdhi në përfundim se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.”
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) ekziston një vendim përfundimtar i detyrueshëm lidhur mbi pronësinë e pronës kontestuese i zhvilluar nga Drejtoria për Çështje Banesore në favor të të paditurës; (ii) paraardhësi i të paditurës kishte fituar të drejtën pronësore mbi pronën kontestuese bazuar në nenin 11 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Banesore sipas kontratës mbi ndërrimin e banesën në Prishtinë me banesën në Pejë të lidhur më 13 nëntor 1967 (iii) dhe se parashtruesit të kërkesës prona kontestuese i ishte ndarë pa bazë ligjore, duke ia mohuar të drejtën paraardhësit të palës së paditur.
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta në rastin e parashtruesit të kërkesës kishin analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, dhe në fund kishin refuzuar ankesën duke u bazuar në dispozitat përkatëse të LPK-së dhe Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore të vitit 1980, që ato i kishin konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesit e kërkesës.
Gjykata vëren se të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta ofruan arsyetime përkatëse lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se prona e kontestuar ishte fituar në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme nga paraardhësi i të paditurës.
Gjykata rikujton se neni 46 i Kushtetutës nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës. Një qëndrim i tillë mbështetet katërçipërisht në praktikën e GJEDNJ-së (shih, rastin e GJEDNJ-së, Van der Mussele kundër Belgjikës, nr. 8919/80, paragrafi 48, Aktgjykim i GJEDNJ-së, i 23 nëntorit 1983, dhe Slivenko dhe të tjerët kundër Letonisë, nr. 48321/99, paragrafi 121, Aktgjykim i GJEDNJ-së, i 9 tetorit 2003). Në fakt, neni 46 i Kushtetutës garanton të drejtën e pronës, por kjo e fundit nuk është e drejtë absolute dhe iu nënshtrohet kufizimeve. Në rastin konkret, gjykatat e rregullta kanë shpjeguar kufizimet e pronës dhe pronësinë e pronës kontestuese në raport me kërkesën e parashtruesve të kërkesës.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës që ankohet për një ndërhyrje në një nga të drejtat e tij/saj pronësore duhet të tregojë fillimisht se një e drejtë e tillë ekzistonte (shih, rastin e GJEDNJ-së, Pištorová kundër Republikës Çeke, nr. 73578/01, Aktgjykim i 24 tetorit 2004, paragrafi 38).
Prandaj, parashtruesi i kërkesës mund të pretendojë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës vetëm për aq sa vendimet e kontestuara kanë të bëjnë me “pronën” e tij. Brenda kuptimit të kësaj dispozite, “pronë” mund të jetë “pasuria ekzistuese”, duke përfshirë edhe pretendimet në bazë të të cilave parashtruesit e kërkesës mund të pretendojnë “pritshmëri legjitime” që do të fitojnë gëzimin efektiv të ndonjë të drejte pronësore (shih, rastet e Gjykatës KI26/18, parashtruesi i kërkesës “Jugokoka” Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2018, paragrafi 49, dhe rastin KI156/18, parashtrues i kërkesës Verica (Aleksić) Vasić dhe Vojislav Čađenović, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 korrikut 2019, paragrafi 52).
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata e konsideron të nevojshme të vë në pah se parashtruesit të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ai ka mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqet argumente dhe dëshmi që ai i ka konsideruar të rëndësishme për rastin e tij; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shtruar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ka gëzuar garancitë procedurale të ngërthyera në konceptin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm (shih, mutatis mutandis, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI118/17, parashtrues Sani Kervan dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 shkurtit 2018, paragrafi 35; po ashtu shih rastin e GJEDNJ-së Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 29).
Për sa më sipër, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se vendimet e gjykatave të rregullta që rezultuan në refuzimin e ankesës së tij janë marrë në mënyrë arbitrare. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tyre pronësore, të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës, është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese.
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Si përfundim, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur me prova pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë, sepse argumentet e paraqitura nga ai në asnjë mënyrë nuk tregojnë që gjykatat e rregullta ia mohuan atij të drejtat e garantuara me Kushtetutë, siç pretendohet nga parashtruesi i kërkesës.
Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2) dhe 48 (1 ) (b) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Rade Božović
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile