Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 532/2017] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 13 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI62/22

Parashtruesit: Rade Božović

Shkarko:

KI62/22, Parashtrues: Rade Božović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 532/2017] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 13 gushtit 2021 

KI62/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesës qartazi e pabazuar 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest për pronë në Pejë, për të cilin janë zhvilluar procedura para Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore dhe disa vendime gjyqësore në favor dhe kundër palëve të përfshira. Pas një padie për vërtetimin e pronësisë, Gjykata Themelore ka refuzuar kërkesën, ndërsa Gjykata e Apelit ka konfirmuar këtë vendim. Parashtruesi i kërkesës iu drejtua Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke propozuar që të iniciojë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, por propozimi ishte refuzuar me arsyetimin se ka kaluar afati tremujor për paraqitjen e kërkesës.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në esencë pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] në ndërlidhje me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, me arsyetimin se gjykatat e rregullta me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së tij për vërtetim të pronësinë mbi pronën e kontestuar kishte privuar parashtruesin e kërkesës nga e drejta pronësore.

Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në thelb e ndërlidh me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës. Prandaj, Gjykata në vijim do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit nga këndvështrimi i nenit 46 të Kushtetutës, duke rikujtuar fillimisht pretendimet e tij. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se refuzimi i padisë për vërtetim të pronësisë, e kishte privuar atë nga e drejta pronësore mbi pronën kontestuese dhe rrjedhimisht, Aktgjykimi [Ac. nr. 532/2017] i Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 110/14] e Gjykatës Themelore kanë shkelur të drejtën pronësore të parashtruesit të kërkesës që i takon mbi pronën kontestuese të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) ekziston një vendim përfundimtar i detyrueshëm lidhur mbi pronësinë e pronës kontestuese i zhvilluar nga Drejtoria për Çështje Banesore në favor të të paditurës; (ii) paraardhësi i të paditurës kishte fituar të drejtën pronësore mbi pronën kontestuese bazuar në nenin 11 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Banesore sipas kontratës mbi ndërrimin e banesës në Prishtinë me banesën në Pejë të lidhur më 13 nëntor 1967; (iii) dhe se parashtruesit të kërkesës prona kontestuese i ishte ndarë pa bazë ligjore duke ia mohuar të drejtën paraardhësit të palës së paditur.

Gjykata vëren se gjykatat e rregullta në rastin e parashtruesit të kërkesës kishin analizuar gjerësisht provat e paraqitura dhe pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës, dhe në fund kishin refuzuar ankesën duke u bazuar në dispozitat përkatëse të LPK-së dhe Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore të vitit 1980, që ato i kishin konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret dhe me pretendimet thelbësore të ngritura nga parashtruesit e kërkesës. Gjykata vëren se të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta ofruan arsyetime përkatëse lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës, duke konstatuar se prona e kontestuar ishte fituar në mënyrë të rregullt dhe të ligjshme nga paraardhësi i të paditurës.

Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Rade Božović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile