Prishtinë, më 12 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2330/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI184/22
Parashtrues
Miradije Bajqinovci
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac. nr. 4991/2021] të 8 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Miradije Bajqinovci, me vendbanim në Prishtinë, e përfaqësuar nga Bilall Fetahu, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac. nr. 4991/2021] të 8 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës, Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 25 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 24 nëntor 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI184/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KI184/22], caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzie Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi.
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë për regjistrimin e kërkesës, duke kërkuar nga e njëjta që në afat prej 7 (shtatë) ditësh, të dorëzojë fletëkthesën me të cilën vërtetohet se kur e ka pranuar parashtruesja e kërkesës Aktgjykimin [Ac. nr. 4991/2022] e 8 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Më 14 dhjetor 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga gjyqtari raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 dhjetor 2019, parashtruesja e kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, përmes të cilës kërkoi që të detyrohet Korporata Energjetike e Kosovës Sh.a., me seli në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: KEK), që në emër të kompensimit të shpërblimit jubilar të tri pagave, t’ia paguajë parashtrueses së kërkesës shumën prej 2,636.26 Euro, me kamatë prej 8% nga 25 dhjetori 2019, si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.
Në padi, parashtruesja e kërkesës theksoi se bashkëshorti i saj, tani i ndjeri Muhamet Bajqinovci, ka qenë i punësuar në KEK dhe i njëjti nuk ia ka kompensuar tri pagat jubilare të cilat i kanë takuar konform nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive) dhe nenit 53 të Kodit të Punës të KEK-ut. Parashtruesja e kërkesës pohoi se: “ka ardhë në dijeni se e paditura në vitin 2019 ka pru vendim mbi kompensimin e shpërblimeve jubilare të pagave për të gjithë punonjësit e vet aktiv dhe pasiv (pensionistët dhe atyre që kanë ndërruar jetë) ka ushtruar kërkesë te e paditura ku ka kërkuar shpërblimin jubilar të tri pagave për bashkëshortin e vet të ndjerë Muhametin”. Në vazhdim të kërkesëpadisë, parashtruesja e kërkesës shtoi se: “e paditura ka ra në vonesë me aplikimin e dispozitave të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Republikës së Kosovës dhe Kodit të vet të punës ku mosaplikimi i akteve të cekura ia ka mohuar të drejtën e tani të ndjerit Muhamet sa ishte në jetë në shpërblimin jubilar të pagave për 45 vite përvojë pune, andaj këtë të drejtë me bazë ligjore e kërkon bashkëshortja e tij Miradija.”
Në një datë të pasaktësuar, KEK-u parashtroi përgjigje në padi, përmes të cilës kontestoi kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, duke theksuar se të njëjtës i mungon legjitimiteti i palës në procedurë, sepse parashtruesja e kërkesës kërkon kompensimin e pagave jubilare për bashkëshortin e saj, tani të ndjerin Muhamet Bajqinovcin. Në përgjigje në padi, KEK-u po ashtu theksoi se bashkëshortit të parashtrueses së kërkesës, tani të ndjerit Muhamet Bajqinovcit, ia ka paguar tri pagat për përcjellje në pension, mirëpo i njëjti, sa ishte në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2017, nuk ka parashtruar kërkesë për kompensimin e pagave jubilare. Meqenëse padia është parashtruar me 30 dhjetor 2019, e njëjta është ushtruar pas afatit ligjor të paraparë me dispozitat e nenit 87 të Ligjit 03/L-212 të Punës të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës), dhe të neneve 357 dhe 376 të Ligjit 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve (në tekstin e mëtejmë: LMD), dhe rrjedhimisht është parashkruar.
Më 3 mars 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), përmes Aktgjykimit [C. nr. 5063/19], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës.
Gjykata Themelore gjeti se bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës, tani i ndjeri Muhamet Bajqinovci ka qenë në marrëdhënie të punës tek e paditura për 45 vite e 19 ditë, dhe të njëjtit nuk i janë paguar pagesat për shpërblim jubilar në vlerë të tri pagave, të parapara me paragrafin 1, nën paragrafin 3 të nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive. Mospagesën e këtyre pagave e ka pohuar edhe KEK-u përgjatë shqyrtimit gjyqësor, duke shtuar se të njëjtat nuk i takojnë tani parashtrueses së kërkesës.
Në vazhdim të arsyetimit, Gjykata Themelore theksoi se: “Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, ka hyrë në fuqi nga data 01.01.2015 dhe e njëjta është e zbatueshme dhe në nenin 52 të saj është paraparë shpërblimi jubilar. Së këndejmi, e drejta në kërkesë materiale për të kërkuar kompensimin e këtyre pagave ka lindur një muaj pasi që ka hyrë në fuqi MPKK, me datë 01.02.2015, kurse padia është paraqitur me datë 31.12.2019. Lidhur me këtë, gjykata gjen se me hyrjen në fuqi të MPKK-së më 01.01.2015 një (1) muaj pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje 01.02.2015 i ndjeri Muhamet Bajqinovci dhe paditësja Miradije Bajqinovci kanë mundur që të shfrytëzojnë këtë akt si bazë ligjore që garanton pagesën e pagave jubilare, kurse që nga hyrja e saj në fuqi, e deri tek paraqitja e padisë, kanë kaluar më shumë se katër vite. Kurse neni 52, par.3 i MPKK-së përcakton se shpërblimi i pagave jubilare paguhet në afat prej një muaji pas plotësimit të kushteve. Gjykata vë në dukje se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, ka hyrë në fuqi nga data 01.01.2015 dhe e njëjta ka pasur shtrirje kohore të zbatimit deri me datë 31.12.2017 (neni 82 i MPKK)”.
Në vazhdim, Gjykata Themelore e vlerësoi pretendimin e parashtrueses së kërkesës se padia është dorëzuar brenda afatit dhe nuk ka parashkrim të kërkesës ngase bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës, tani i ndjeri Muhamet Bajqinovci, ka dalë në pension më 15 gusht 2017, duke theksuar se iu është referuar dispozitave ligjore të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe nuk gjeti se duhet vendosur ndryshe lidhur me këtë çështje: “Nga provat shkresore por edhe nga pohimet e palëve ndërgjyqëse, para gjykatës rezultoi të jetë fakt i vërtetuar se kërkesëpadia e paditësit është e parashkruar”.
Më 19 prill 2021, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të aplikimit të gabuar të drejtës materiale, përmes së cilës kërkoi që të ndryshohet Aktgjykimi [C. nr. 5063/19] i 3 marsit 2021 i Gjykatës Themelore dhe të detyrohet KEK-u që Miradije Bajqinovcit, t’ia kompensojë shpërblimin jubilar të tri pagave në shumën prej 2,636.26 Euro me kamatë prej 8% nga 31 dhjetori 2019 e gjer në pagesën definitive, në afatin prej 7 ditësh nga dita kur aktgjykimi e merr formën e prerë nën kërcënimin e përmbarimit me forcë, dhe t’ia kompensojë shpenzimet gjyqësore në shumë prej 497.30 Euro.
Në ankesë, parashtruesja e kërkesës theksoi se Gjykata Themelore: “nuk jep asnjë arsyetim pse nuk merr për bazë dispozitën e nenit 53.4 të Kodit të Punës të paditurës nr.1041 dt.05.6.2015, Vendimet e të paditurës nr.2244 dt.10.04.2019 dhe 8261 dt. 23.8.2019, në cilat vendime dhe Kodin e punës së paditurës është thirre paditësja duke ia bërë me dije gjykatës se e paditura në mënyrë vullnetare ka marrë përsipër që ta përmbush obligimin e kompensimit të pagave jubilare për të gjithë të punësuarit e vet aktiv dhe pasiv, që de fakto dhe de jure çdo kërkesë për kompensim të pagave jubilare e bëjnë të afatshme dhe aktive deri sa të tërhiqen vendimet e cekura dhe të ndryshohet dispozita e nenit 53.4 e Kodit të Punës të paditurës, pasi nuk është paraparë limiti kohor për parashkrim të kërkesave”.
Po ashtu, parashtruesja e kërkesës theksoi : “është parim juridik se nuk ka parashkrim kur njëra palë zotohet me shkrim pa caktuar limit kohor për përmbushjen e një kërkese, siç ka vepruar e paditura dhe thirrja e të paditurës në parashkrim është jonjerëzore dhe e karakterit diskriminues për arsye se ajo në procedurë administrative ua ka kompensuar kërkesat e llojit të tillë personave tjerë dhe gjykata është në dijeni për këtë (...) Ligji i punës është legis specialis dhe e përjashton aplikimin e çdo dispozite të cilit do ligj tjetër për çështjet që rregullohen me këtë ligj, andaj në kuptim të këtij parimi gjykata gabimisht e ka zbatuar dispozitën e nenit 375 të LMD-së, pasi afati i realizimit të drejtës së paditëses nuk derivon nga dispozita e nenit të cekur, por nga dispozita e nenit 87 të Ligjit të Punës, gjegjësisht dispozitës së nenit 52, paragrafi 3 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, dhe dispozitës së nenit 53.4 e Kodit të Punës të paditurës”.
Parashtruesja e kërkesës konsideroi se: “marrëveshja kolektive nuk e saktëson kur fillon të rrjedh parashkrimi, andaj me të drejtë paditësja ka cekur se nuk mund të zbatohen dispozitat e LMD-lë për çështjet që i ka rregulluar ligji i punës dhe në këtë drejtim edhe Gjykata Supreme e Kosovës ka shprehur qëndrimin juridik duke saktësuar se nuk mund të zbatohen dispozita të ligjeve tjera përveç atyre të Ligjit të Punës që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe se kërkesat nuk janë të parashkruara nëse janë ngrit në afatin prej 3 viteve pas pensionimit, andaj në këtë drejtim kërkesëpadia e paditëses është e afatshme, pasi siç kemi cekur gjatë gjithë procedurës se bashkëshorti i paditëses është pensionuar me dt. 15.8.2017 sa ka qenë në fuqi MPKK, dhe padinë e ka ushtruar me 31.12.2019 që do të thotë brenda afatit ligjor të paraparë me dispozitat e nenit 87 të Ligjit të punës”.
Më 8 qershor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 4991/21], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës Miradije Bajqinovci, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 5063/19] e 3 marsit 2021 të Gjykatës Themelore.
Në arsyetim të aktgjykimit të kontestuar, Gjykata e Apelit theksoi se Gjykata Themelore “me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së paditëses drejtë ka aplikuar edhe të drejtën materiale, për faktin se me të drejtë është bazuar në nenin 87 të Ligjit të Punës në të cilin parashihet se të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen në afat prej 3 vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës. Si dhe duke u bazuar në nenin 376 të LMD-së, i cili parashikon të njëjtat afate të parashkrimit të kërkesave, pra nga data kur ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive 01.02.2015 e deri me datën kur është paraqitur padia datë 31.12.2019, kanë kaluar më shumë se 4 vite, që do të thotë se padia e paditëses është e parashkruar, duke refuzuar kështu të pabazuara pretendimet ankimore të paditëses”.
Më 12 tetor 2022, parashtruesja e kërkesës parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke theksuar se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës dhe nenin 5 të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, sepse: “është shkelur parimi i mbrojtjes së barabartë para gjykatës mbi bazën e segregacionit dhe diskriminimit, pasi kolegëve të tij edhe në procedurën administrative te e paditura, por edhe me vendimet të gjykatave nga viti 2015 deri në vitin 2019 e tutje iu ka njohtë e drejta në shpërblim jubilar të pagave”.
Në vazhdim të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, parashtruesja e kërkesës i referohet Aktgjykimit [Ac. nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit, duke theksuar se qëndrimi juridik i Kolegjit të Gjykatës së Apelit i cili e ka nxjerr këtë Aktgjykim është më i drejtë dhe i bazuar në ligj. Lidhur me parashkrimin e padisë, parashtruesja e kërkesës theksoi se: “padia dhe kërkesëpadia është refuzuar thjeshtë mbi bazën e formalitetit që ka të bëjë me parashkrim, e në fakt nuk ka parashkrim se kërkesa nuk parashkruhet kur kjo e drejtë realizohet bazuar në aktin normativ të paditurës (...) Prokurori i Shtetit ka për obligim ligjor që të kërkoj nga Gjykata Supreme e Kosovës të merr qëndrim juridik, se a kemi të bëjmë me parashkrim, dhe nëse gjen se nuk ka parashkrim (që në fakt është kontestuese se parashkrim nuk ka) t’i anuloj të dyja aktgjykimet e gjykatave të nivelit më të ulët dhe të jep sugjerime që kërkesëpadia të shqyrtohet në aspektin material dhe të nxirret një aktgjykim i drejt dhe i bazuar në ligj”.
Më 24 tetor 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit vlerësoi se nuk ka bazë ligjore për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, duke theksuar se: “sa i përket aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, nga neni 247.1 pika b), të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ne nuk kemi gjetur ndonjë arsye bindëse dhe konkrete për aplikim të gabuar të ndonjë dispozite ligjore materiale, që do të dëshmonte aplikimin e gabuar të këtyre dispozitave dhe do të mund të ndikonte në paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik”.
Tutje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit vlerësoi se: “kërkesa për paga jubilare sipas nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, lidhet me arritjen e vitit jubilar kur lind edhe e drejta, e cila nëse nuk është përmbushur në mënyrë vullnetare në afatin prej një muaji, lind e drejta që edhe me procedurë gjyqësore të realizohet. I ndjeri Muhamet Bajqinovci nuk e ka arritur përvojën 30 vjeçare të punës në kohën kur ka qenë në fuqi Marrëveshja dhe kjo dëshmohet edhe nga fakti se paditësja në padinë e parashtruar më datën 31.12.2019, pohon se i ndjeri i ka pasur 45 vite e 19 ditë përvojë pune tek e paditura edhe se nuk është kontestuese se kjo është arritur më herët se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive. Pra, i ndjeri Muhamet Bajqinovci vitin e 30 jubilar e ka arritur në vitin 2002, kur nuk ka qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, e vlefshme prej 01.01.2015 deri më 31.12.2017, ndërsa padia është parashtruar pas skadimit të afatit të kësaj marrëveshje me datë 31.12.2019”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, asaj i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës, specifikisht me nenin 24 [Barazi para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Parashtruesja e kërkesës në substancë pretendon se Aktgjykimi i kontestuar është përfshirë në shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], duke theksuar se: “Nuk ka gjykim të drejtë e as barazi para ligjit, e as siguri juridike, kur gjykatat e të dyja niveleve ato të shkallës së I-rë dhe II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe atë në relacionin shkalla e I-rë dhe e II-të dhe kolegjet e gjykatës së shkallës së II-të, ku njëri kolegj vendos ndryshe e tjetri ndryshe, për çështje tërësisht identike, veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, më ç’ rast shkelen edhe parimet e Konventës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut”.
Parashtruesja e kërkesës ia ka bashkangjitur kërkesës Aktgjykimin [Ac. nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022 dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 7587/2021] të 7 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se në dispozitivin e këtyre aktgjykimeve, Gjykata e Apelit për një çështje të ngjashme ka vendosur ndryshe.
Në pretendimet e saj, parashtruesja e kërkesës iu referohet disa vendimeve të KEK-ut si: Vendimit nr. 2244 të 10 prillit 2019 dhe Vendimit nr. 8261 të 23 gushtit 2019 të KEK-ut, përmes të cilëve janë përcaktuar kriteret për shpërblim jubilar, duke përshkruar si kriter identik nenin 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, duke theksuar se: “Vendimet e cekura më lart janë diskriminuese për pjesën më të madhe të punëtorëve, në mesin e të cilëve edhe për bashkëshortin, tani parashtruese e kërkesës, sepse përjashtohen nga e drejta në shpërblim të pagave të gjithë ata që nuk u bie viti jubilar 10, 20, 30, 40 vite përvojë pune në vitin 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022 edhe pse ata kanë kontribuar më së shumti në zgjerimin e bazës materiale të paditurës. Se kemi të bëjmë me segregacion dhe diskriminim nuk është kontestuese, pasi në procedurë administrative e paditura rastin tipik identik me parashtruesen e kërkesës e kompenson me dt. 22.01.2022-transaksioni bankar Raiffeisen Bank të cilin ia bashkëngjisim kërkesës. Dokumenti i cekur iu ka prezantuar gjykatës, por gjykata fare nuk e ka shqyrtuar padinë në aspektin material duke gjet se kërkesëpadia dhe padia janë të parashkruara, gjegjësisht padia është ushtruar pas afatit ligjor”.
Parashtruesja e kërkesës gjithashtu konsideron se aktgjykimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, duke theksuar se të njëjtës i është mohuar e drejta në shpërblim jubilar e që të hyrat nga marrëdhënia e punës konsiderohen pronë. Lidhur me këtë pretendim, parashtruesja e kërkesës konsideron se: “se të ardhurat nga marrëdhënia e punës trajtohen si pronë në kuptim të nenit 46 të Kushtetutës është shprehur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kur ka gjykuar rastet e pensionimit të parakohshëm të një numri të ish punëtorëve të KEK Sh.a me ç’ rast ka anuluar mbi 300 aktgjykime të Gjykatës Supreme, për faktin se është shkel e drejta e pronës kur ka gjet: 1. Se baza juridike e detyrimit të kompensimit deri sa të formohet Fondi Pensional qëndron në rregullativën e brendshme të KEK Sh.a, e që është marrëveshja e nënshkruar me secilin individ veç e veç, kusht ky identik si i parashtruesit të kërkesës ku baza juridike për kompensimin e shpërblimeve jubilare për të gjithë ata që i plotësojnë kushtet është rregullativa normative e KEK-ut, Kodit të Punës dhe Vendimet nr. 2244 dt.10.04.2019 dhe 8261 dt.23.08.2019 dhe
2. Detyrimi konsiderohet i përfunduar kur formohet Fondi Pensional, ose arrihet mosha për pensionim, kusht ky identik si i parashtruesit të kërkesës ku konsiderohet se detyrimi është përmbush kur kompensohet shpërblimi jubilar sipas kushteve të vendimeve të cekura në pikën 1.”
Në fund, parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata që të anulohet Aktgjykimi [C. nr. 5063/19] i 3 marsit 2021 i Gjykatës Themelore dhe Aktgjykimi [Ac. nr. 4991/21] i 8 qershorit 2022 i Gjykatës së Apelit, dhe të detyrohet kjo e fundit që të veprojë sipas udhëzimeve të Gjykatës.
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
“1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të
pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të
parashikuara në këtë Kushtetutë.
3. Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta,
konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
LIGJI Nr. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
Neni 357
Kërkesa për shpërblimin e dëmit
1. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar parashkruhet për tri (3) vite nga data kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin dhe për personin, i cili e ka shkaktuar dëmin.
2. Në çdo rast kjo kërkesë parashkruhet për pesë (5) vite nga shkaktimi i dëmit.
3. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me cenimin e detyrimit kontraktues parashkruhet për kohën e caktuar për parashkrimin e atij detyrimi.
4. Kërkesat e kompensimit të dëmit të krijuar nga akti i abuzimit seksual me të mitur parashkruhen pesëmbëdhjetë (15) vite pasi personi i mitur të ketë arritur moshën e pjekurisë.
Neni 367
Kërkesat ndaj personave të paaftë për të vepruar dhe kërkesat e tyre
1. Parashkrimi rrjedh edhe ndaj të miturit dhe personit tjetër të paaftë për të vepruar, pavarësisht nëse kanë ose jo përfaqësuesin ligjor të tyre.
2. Megjithatë, parashkrimi i kërkesës së të miturit i cili nuk ka përfaqësues, dhe i personit tjetër të paaftë për të vepruar pa përfaqësues, nuk mund të fillojë të rrjedhë derisa të mos kenë kaluar dy (2) vjet nga data kur janë bërë plotësisht të aftë për të vepruar ose kur iu është caktuar përfaqësuesi.
3. Në qoftë se për parashkrimin e një kërkese është caktuar një kohë më e shkurtër se dy (2) vjet, ndërsa kreditori është i mitur dhe nuk ka përfaqësues ose ndonjë person tjetër i paaftë për të vepruar pa përfaqësues, parashkrimi i asaj kërkese fillon të rrjedhë kur kreditori është bërë i aftë për të vepruar ose kur atij i është caktuar përfaqësuesi.
Neni 375
Parimi i nominalizmit monetar
Kur detyrimi ka si subjekt një shumë të hollash, debitori ka për detyrë të paguajë shumën e njëjtë të të hollave, përveç nëse kreditori dhe debitori merren vesh ndryshe në pajtim me ligjin.
Neni 376
Parimi i nominalizmit monetar
1. Palët kontraktuese mund të pajtohen që shuma e detyrimeve monetare të debitorit të përcaktohet në raport me ndryshimet në çmim të mallrave dhe shërbimeve të shprehura në indeksin e çmimeve të shitjeve dhe të përcaktuara nga një organizatë e autorizuar, në lidhje me ndryshimet në kursin valutor të huaj, ose në lidhje me ndryshimet në çmimet e tjera, përveç nëse një marrëveshje e këtillë është në kundërshtim me ligjin.
2. Në rast se palët kontraktuese pajtohen me rivlerësimin e detyrimeve monetare, rivlerësimi bëhet për periudhën nga fillimi i detyrimit e deri në përmbushjen e detyrimit, përveç nëse palët pajtohen ndryshe.
LIGJI NR. 03/L-212 I PUNËS
Neni 5
Ndalimi i të gjitha llojeve të diskriminimit
1. Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi.
2. Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i personave me aftësi të kufizuara gjatë punësimit, avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune është i aftë ta kryejë punën në mënyrë adekuate.
3. Nuk konsiderohet diskriminim, çdo dallim përjashtim ose dhënie e përparësisë, përkitazi me ndonjë vend të caktuar pune, në bazë të kritereve të caktuara që kërkohen për atë vend pune.
4. Punëdhënësi është i obliguar që në rastin e punësimit të punëtorëve, për të njëjtin vend pune të përcaktojë kritere dhe mundësi të barabarta si për femra ashtu edhe për meshkuj.
5. Dispozitat e Ligjit nr. 2004/3 Kundër Diskriminimit, do të zbatohen drejtpërsëdrejti kur është në pyetje marrëdhënia e punës e lidhur në mes të të punësuarit dhe punëdhënësit.
Neni 87
Afati i parashkrimit
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
MARRËVESHJA E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE E KOSOVËS
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy paga mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri paga mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf.
Neni 82
(Pa titull)
Kjo Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (MPKK) e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomiko – Social të Kosovës, hyn në fuqi nga data 01.01.2015.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës: është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai e konteston kushtetutshmërinë e një akti të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 4991/21] e 8 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit; se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; se i ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, siç parashihet me nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, që përcakton:
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Gjykata rikujton se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, si dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nën kriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Në këtë kontekst, si dhe në vazhdim të tekstit, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga padia e parashtrueses së kërkesës të cilën e kishte parashtruar në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut, ku kishte kërkuar që t’i paguhen pagat jubilare në shumë prej 2,636.26 Euro (dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë euro e njëzet e gjashtë cent), për bashkëshortin e saj të ndjerë. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar padinë e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se kërkesa për kompensimin e pagave jubilare është parashkruar. E pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore për refuzimin e padisë, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë Gjykatës së Apelit, e cila ankesë ishte refuzuar dhe ishte vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore. Me këtë rast, parashtruesja e kërkesës, parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Zyra e Prokurorit të Shtetit refuzoi propozimin e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë.
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me: (i) jo konsistencën e Gjykatës së Apelit, ku sipas parashtrueses së kërkesës kjo gjykatë ka dështuar të vendosë njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrejnë çështje nga neni 31 i Kushtetues dhe neni 6.1 i KEDNj-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata fillimisht do trajtojë pretendimet e parashtrueses së kërkesës lidhur me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, lidhur me jo konsistencën e Gjykatës së Apelit, duke vazhduar më pas me pretendimin lidhur me shkeljen e nenit 24 dhe 46 të Kushtetutës.
Pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Përkitazi me praktikën gjyqësore jokonsistente
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata i referohet dispozitave të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[...]
Përveç kësaj, Gjykata rikujton gjithashtu përmbajtjen e nenit 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, që përcakton:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë ... edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.”
[...]
Parimet e përgjithshme
Përkitazi me parimet themelore që ndërlidhen me konsistencën e praktikës gjyqësore, Gjykata rikujton se praktika gjyqësore e GJEDNj-së ka rezultuar në katër parime themelore që e karakterizojnë analizën lidhur me konsistencën e praktikës gjyqësore, dhe atë si në vijim: (i) siguria juridike; (ii) nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore; (iii) divergjenca nuk është domosdoshmërisht në kundërshtim me KEDNj-në; dhe (iv) përjashtimi i arbitraritetit të dukshëm.
Lidhur me parimin e parë, GJEDNj është përqendruar në parimin e sigurisë juridike e që në këtë kontekst është e mishëruar në të gjitha nenet e KEDNj-së dhe përbën një nga aspektet themelore të sundimit të ligjit (shih rastin e GJEDNj-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56). Ky parim garanton një stabilitet të caktuar në situata ligjore dhe kontribuon në besimin e publikut në gjykata. Vazhdimësia e divergjencës në praktikën gjyqësore mund të krijojë situata të pasigurisë juridike duke rezultuar në ulje të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, ndërsa ky besim është qartazi njëri nga komponentët thelbësorë të shtetit që bazohet në sundim të ligjit (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNj-së Hayati Çelebi dhe të tjerët kundër Turqisë, 582/05, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 52; dhe Ferreira Santos Pardal kundër Portugalisë, 30123/10 Aktgjykim i 30 korrikut 2015, paragrafi 42; shih gjithashtu rastin e Gjykatës KI175/20, parashtruese, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 55).
Lidhur me parimin e dytë, GjEDNj ka konstatuar se kërkesat e sigurisë juridike dhe të mbrojtjes së besimit legjitim të publikut, megjithatë nuk garantojnë një të drejtë të fituar në konsistencë të praktikës gjyqësore. Zhvillimi i praktikës gjyqësore nuk është, në vetvete, në kundërshtim me administrimin e drejtë të drejtësisë pasi që mos ruajtja e një qasje dinamike dhe evolutive, do të rrezikonte të pengojë reformën ose përmirësimin e vazhdueshëm (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNj-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,, cituar më lart, paragrafin 58; dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 116; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafët 56 dhe rastet e cituara aty).
Lidhur me parimin e tretë, GJEDNj ka konstatuar se mundësia e vendimeve kontradiktore gjyqësore është një tipar i qenësishëm i çdo sistemi gjyqësor i cili bazohet në një rrjet të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit me autoritet mbi fushën e juridiksionit territorial të tyre. Divergjencat e tilla mund të paraqiten gjithashtu brenda të së njëjtës gjykatë. Kjo, në vetvete, nuk mund të konsiderohet në kundërshtim me KEDNj-në (shih rastet e GJEDNj-së, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 51; dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 122; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 57).
Në fund dhe në lidhje me parimin e katërt, GJEDNj ka theksuar vazhdimisht se, përveç rasteve të arbitraritetit të dukshëm, nuk është detyrë e saj të vë në pikëpyetje interpretimin e ligjit vendas nga ana e gjykatave vendore (shih, për shembull, rastet e GJEDNj-së Ādamsons kundër Letonisë, 3669/03, Aktgjykim i 24 qershorit 2008, paragrafi 118; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë,, cituar më lart, paragrafi 50) dhe në parim, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave vendore, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Përveç kësaj, GJEDNj-ja ka theksuar se nuk mund të konsiderohet të ketë divergjencë në praktikën gjyqësore kur gjendjet faktike të çështjes janë objektivisht të ndryshme (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNj-së Uçar kundër Turqisë, 55951/00, Vendim i 29 shtatorit 2009). Njëlloj, trajtimi i dy kontesteve në mënyrë të ndryshme nuk mund të konsiderohet se krijon praktikë gjyqësore divergjente kur kjo arsyetohet nga një ndryshim në gjendjet faktike në fjalë (shih, rastet e GJEDNj-së, Hayati Çelebi dhe të tjerët kundër Turqisë, 582/05, Aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 52; si dhe Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 116).
Gjithashtu, Gjykata vëren se qasja e GJEDNj-së në analizimin e divergjencave në praktikën gjyqësore, ndryshon në varësi të faktit nëse: (i) divergjencat ekzistojnë brenda të njëjtës degë të gjykatave; ose (ii) ndërmjet dy degëve të ndryshme të gjykatave të cilat janë plotësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Situata e dytë ka të bëjë me sistemet gjyqësore që përbëhen nga më shumë se një degë e sistemit gjyqësor, secila me gjykatën përkatëse e të pavarur supreme e që nuk i nënshtrohet ndonjë hierarkie të përbashkët gjyqësore. Rasti kryesor i GJEDNj-së lidhur me mungesën e konsistencës, përkatësisht divergjencën e praktikës gjyqësore, Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, bie brenda kësaj kategorie. Sidoqoftë, parimet themelore të vendosura përmes këtij rasti, përdoren gjithashtu në vlerësimin e divergjencave që kanë të bëjnë me praktikën gjyqësore edhe në rastet që i përkasin kategorisë së parë, përkatësisht, atyre me një sistem unik gjyqësor, që do të ishte rasti në kontekst të sistemit juridik të Republikës së Kosovës.
Duke iu referuar parimeve të përcaktuara më lart, Gjykata më tej thekson se GJEDNj-ja përdor tri kritere themelore për të përcaktuar nëse një divergjencë e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNj-së, si në vijim: (i) nëse divergjencat në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNj-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37 -39; Famullia Greko-Katolike e Lupenit dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe Hayati Çelebi dhe të tjerët kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 52; dhe shih gjithashtu rastin e Gjykatës, KI175/20, Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi i 26 marsit 2021, paragrafi 60).
Në këtë kontekst, Gjykata gjithashtu rithekson se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër që në raste të tilla, përkatësisht rasteve të pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t’i paraqesin Gjykatës argumente përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon që në rastin e saj: “ Nuk ka gjykim të drejtë e as barazi para ligjit, e as siguri juridike, kur gjykatat e të dyja niveleve ato të shkallës së I-rë dhe II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta dhe atë në relacionin shkalla e I-rë dhe e II-të dhe kolegjet e gjykatës së shkallës së II-të, ku njëri kolegj vendos ndryshe e tjetri ndryshe, për çështje tërësisht identike, veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, më ç’ rast shkelen edhe parimet e Konventës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata thekson se ajo vlerëson konsistencën e praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit vetëm në raport me shkeljet e pretenduara nga parashtruesja e kërkesës. Rrjedhimisht, mungesa e konsistencës në praktikën gjyqësore duhet të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtrueses së kërkesës. Për të konstatuar një shkelje të tillë, dhe për të konstatuar se të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës janë shkelur si rezultat i “dallimeve të thella dhe afatgjata” në praktikën përkatëse gjyqësore, rrethanat faktike dhe juridike të rastit të parashtrueses së kërkesës duhet të jenë tërësisht identike me raste të cilave iu referohet parashtruesi i kërkesës.
Në lidhje me këtë, Gjykata verën se parashtruesja e kërkesës në mbështetje të pretendimeve të saj, kërkesës ia ka bashkëngjitur si dëshmi Aktgjykimin Ac. nr. 1823/2021 të 19 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Ac.nr.7587/21, të 7 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se e njëjta gjykatë ka vendosur në favor të paditësve në këto raste. Po ashtu parashtruesja iu ka referuar edhe dy vendimeve të Gjykatës Supreme. Parashtruesja e kërkesës përveç pretendimit se ka paraqitur prova të njëjta me personat në fjalë, ajo nuk ka sqaruar se si kanë ngjashmëri faktike dhe juridike rastet përkatëse me rastin e parashtrueses së kërkesës dhe si kanë rezultuar ato në vendime kundërthënëse.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se në rastin e parë të cilit i referohet parashtruesja e kërkesës, përkatësisht Aktgjykimin [Ac.nr.1823/2021] të 19 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit, kishte vendosur si në vijim: (i) ankesën e të paditurës KEK e kishte refuzuar; (ii) kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, ndër të tjera, theksohet se:
“ Nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të palës së paditur sa i përket se kërkesa e paditësit është parashkruar, pasi që e njëjta është rregulluar edhe me akt të brendshëm, me vendimin nr.1041 të datës 05.06.2015, ku në nenin 53.4 të Kodit të Punës parashihet “ Sa herë që rezultatet afariste financiare e mundësojnë, KEK-u mbanë të drejtën për pagesën shtesë-bonuset për punëmarrësit e vet apo edhe shpërblimet jubilare, andaj në bazë të këtij neni gjykata ka ardhur në përfundim se paditësit i njihet e drejta për pagesën e 3 pagave në emër të shpërblimit jubilar në vlerë të 3 pagave, si dhe vendimi me nr.2244 i datës 10.04.2019, i marrë nga vetë e paditura, ku të gjithë punonjësve që i plotësojnë kushtet, ju njihet e drejta e shpërblimit jubilar, andaj me të drejtë ka vendosur lidhur me kërkesëpadinë e paditësit duke e aprovuar si të bazuar”.
[...]
Sa i përket rastit të dytë që parashtruesi i kërkesës i referohet, përkatësisht Aktgjykimit [Ac. nr. 7587/21] të 7 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, Gjykata vëren që edhe në këtë rast Gjykata e Apelit kishte vendosur njëjtë si në rastin e parë, duke konstatuar si në vijim: (i) ankesa e të paditurës KEK ishte refuzuar; (ii) kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore . Në arsyetimin e këtij Aktgjykimi të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së ndër të tjera theksohet:
“Gjykata e Apelit me kujdesin e shtuar e ka analizuar pretendimin ankimor të paditurës lidhur me parashkrimin e kërkesëpadisë dhe erdh në përfundim i tillë është i paqëndrueshëm, për arsye se paditësit e drejta për të kërkuar pagat apo shpërblimet jubilare i është krijuar me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive me datë 01.01.2015, kur paditësi ka qenë në marrëdhënie pune me të paditurën, ndërsa paditësi padinë e ka paraqitur me datën 02.05.2018, që nënkupton se padia është paraqitur pas afatit 3 vjeçar të paraparë me nenin 87 të Ligjit të Punës, mirëpo në rastin konkret kemi ndërprerje të afatit të parashkrimit, ngase nuk ishte paraparë fakti relevant se e paditura me vendimet e saja nr.2244 e datës10.04.2019 dhe nr.8261 të datës 23.08.2019, ua ka njohur të punësuarve të saj shpërblimin jubilar sipas kritereve të përcaktuara dhe atë për periudhën kohore nga data 01.01.2015 e deri më datën 31.12.2019, respektivisht e paditura me këto vendime e ka pohuar detyrimin financiar që e ka ndaj paditësit sipas MPKK-së”.
[...]
Në rastin e parashtrueses së kërkesës, Gjykata e Apelit, vendosi: (i) ankesa e paditëses refuzohet si e pathemeltë; dhe (ii) vërtetohet Aktgjykimi [C. nr. 5063/19] i 3 marsit 2021 i Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj Gjykata e Apelit, ndër të tjera theksoi:
“Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë me rastin e refuzimit të kërkesëpadisë së paditëses drejtë ka aplikuar edhe të drejtën materiale, për faktin se me të drejtë është bazuar në nenin 87 të Ligjit të Punës në të cilin parashihet se të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen në afat prej 3 vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se MPKK kishte hyrë në fuqi më 1 janar 2015, dhe se një muaj pas hyrjes në fuqi, pra më 1 shkurt 2015, bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës ka mundur që të paraqesë kërkesë për pagimin e pagave jubilare. Ndërsa nga dita e lindjes të drejtës për paraqitjen e kërkesës për paga jubilare e deri në paraqitjen e padisë 31 dhjetor 2019, kanë kaluar më shumë se katër vite, dhe se gjykatat e rregullta kishin zbatuar drejtë dispozitat e Ligjit të Punës kur kishin konstatuar se padia e parashtrueses së kërkesës ishte parashkruar.
Nga referimet e mësipërme, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës, megjithatë, nuk ka arritur të përmbushë kriterin sa i përket “dallimeve të thella dhe afatgjata” të praktikës gjyqësore të Gjykatës së Apelit, për faktin se Gjykatës ia ka dorëzuar dy vendime të Gjykatës së Apelit, të cilat dallojnë nga rasti i parashtrueses së kërkesës, për arsye se tek ato Gjykata e Apelit kishte konstatuar se vetë e paditura përmes vendimeve të saj kishte vendosur që punëtorëve t’u njihte të drejtën e shpërblimit jubilar, ndërsa te rasti i parashtrueses të kërkesës, Gjykata e Apelit kishte vendosur ta refuzojë ankesën e parashtrueses së kërkesës duke iu referuar nenit 87 të Ligjit të Punës. Pra, në bazë të kësaj, Gjykata nuk mund të konstatojë lëshimin e Gjykatës së Apelit për t’i trajtuar çështjet e njëjta faktike dhe juridike në përputhje me praktikën e saj gjyqësore. Në këtë kontekst, nuk mund të ndërtohet një pretendim për jokonsistencë në praktikën gjyqësore, dhe të konstatohet se ka pasur megjithatë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore.
Në lidhje me këtë, Gjykata në rastet e saj KI29/17, KI42/17, dhe KI133/19, kishte vlerësuar, se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, në krahasimin e vetëm 2 (dy) rasteve edhe nëse të njëjtat mund të jenë kundërthënëse. Në këtë rast, në një rrethanë të tillë, ku parashtruesit i referohen një vendimi, i cili përmban konstatim dhe përfundim ndryshe nga vendimi i nxjerrë në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata nuk kishte konstatuar se ishte cenuar parimi i sigurisë juridike (shih rastet e Gjykatës: K29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri i 2 tetorit 2017, paragrafi 53; KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri i 25 janarit 2018, paragrafi 44; dhe rasti KI133/19, parashtrues Nysret Tafili, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 qershorit 2020, paragrafi 58).
Përveç kësaj, Gjykata rikujton që praktika gjyqësore e GJEDNj-së ka vënë theks në faktin se divergjenca në praktikën gjyqësore jo detyrimisht është në kundërshtim me KEDNj-në, sepse qasja dinamike dhe evolutive e gjykatave në interpretimin e ligjit të aplikueshëm dhe për më tepër, zhvillimi i praktikës gjyqësore është i rëndësishëm për të mbajtur dinamikën e duhur të përmirësimit të vazhdueshëm të administrimit të drejtësisë.
Gjithashtu, është e pamundur të konstatohet se në rrethanat e rastit konkret praktika e Gjykatës së Apelit, në lidhje me konteste të natyrës së punës ka pësuar “dallime të thella dhe afatgjata” ku një mori individësh (punonjësish) kanë përfituar nga praktika e konsoliduar gjyqësore dhe një individi i është mohuar një përfitim i tillë, si rezultat i vendimmarrjes jokonsistente. Në këtë kuptim, parashtruesja e kërkesës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit, në të cilat parashtruesja pretendon se Gjykata e Apelit ka vendosur ndryshe nga rasti i saj. Mirëpo, Gjykata vëren se në rastin e parashtrueses së kërkesës, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e saj në aspekt procedural, për shkak të parashkrimit, ndërsa në rastet që parashtruesja iu referohet, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se janë të mbështetura me prova, dhe kishte vazhduar tutje në shqyrtimin e pretendimeve të paditësve në fjalë, duke u bazuar në provat e paraqitura. Gjithashtu edhe në rastin e Gjykatës Supreme që parashtruesja e kërkesës i referohet, Gjykata vëren se në atë rast Gjykata Supreme nuk ishte lëshuar në prova pasi që e kishte refuzuar revizionin si të palejuar.
Në këtë kontekst, parashtruesja e kërkesës ka dështuar t’i ofrojë Gjykatës dëshmi në lidhje me “dallimet e thella dhe afatgjata” për të konstatuar se Gjykata e Apelit në rastin e saj ka vendosur në kundërshtim me praktikën e konsoliduar gjyqësore ndër vite. Përveç kësaj, nëse Gjykata do të lëshohej në vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Gjykatës së Apelit, duke bërë krahasime dhe analizë, se cili prej vendimeve të tij është më i drejti dhe i bazuar në ligj, do të ndërhynte në juridiksionin dhe pavarësinë e gjyqësorit të rregullt.
Gjykata në vazhdimësi ka theksuar se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave. Për më tepër që në raste të tilla, përkatësisht pretendimeve për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, parashtruesit e kërkesave duhet t’i paraqesin Gjykatës argumente përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar kështu në divergjencë, gjegjësisht në “dallimet e thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore, e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Andaj, për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, përkitazi me jokonsistencën në vendimmarrje i përkasin kategorisë së pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj, si të tilla, duhet të shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Parashtruesja e kërkesës po ashtu pretendon se në rastin e saj është shkelur parimi i barazisë para ligjit i garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, duke pretenduar se vendimet e KEK-ut lidhur me njohjen e të drejtës për pagë jubilare janë diskriminuese, pasi që siç thekson: “Vendimet e cekura më lart janë diskriminuese për pjesën ma të madhe të punëtorëve, në mesin e të cilëve edhe për bashkëshortin, tani parashtruese e kërkesës, sepse përjashtohen nga e drejta në shpërblim të pagave të gjithë ata që nuk u bie viti jubilar 10, 20, 30, 40 vite përvojë pune në vitin 2015, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022 edhe pse ata kanë kontribuar më së shumti në zgjerimin e bazës materiale të paditurës. Se kemi të bëjmë me segregacion dhe diskriminim nuk është kontestuese, pasi në procedurë administrative e paditura rastin tipik identik me parashtruesen e kërkesës e kompenson me dt. 22.01.2022-transaksioni bankar Raiffeisen Bank të cilin ia bashkëngjisim kërkesës”.
Megjithatë, dhe sa i përket pretendimit të parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, në parim, në mënyrë që një çështje të ngritët në kuadër të nenit 24 të Kushtetutës dhe atë 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNj-së, duhet të ekzistojë dallimi në trajtim ndërmjet personave në situata të ngjashme ose të krahasueshme. (Shih rastin e GJEDNj-së, X dhe të tjerët kundër Austrisë, aplikimi nr.19010/07 Aktgjykim i 19 shkurtit 2013, paragrafi 98). Për më tepër që, jo çdo dallim në trajtim përbën shkelje të neneve të lartcekura. Në parim, dallimi në trajtim do të jetë diskriminues nëse i mungon justifikimi objektiv apo i arsyeshëm; thënë ndryshe, nëse nuk ndjek një qëllim legjitim apo nëse mungon marrëdhënia e arsyeshme ndërmjet mjeteve që përdoren dhe synimit që synohet të arrihet (shih rastin e GJEDNj-së, Guberina kundër Kroacisë, aplikimi nr.23682/13 Aktgjykim i 22 marsit 2016, paragrafi 69 dhe referencat tjera të përmendura aty). Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës përveç pretendimit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës nuk ka arsyetuar dhe as mbështetur pretendimet e tij me prova që tregojnë se i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata, dëshiron të rikujtojë se, si rregull i përgjithshëm, barazia para ligjit nënkupton trajtimin e barabartë të individëve që ndodhen në kushte dhe rrethana të njëjta apo të ngjashme, duke përfshirë edhe të drejtën e tyre për mbrojtje të barabartë me ligj. Megjithatë, barazia para ligjit nuk do të thotë që për një individ ose një kategori personash, që janë në kushte objektivisht të ndryshme, të ketë trajtim dhe zgjidhje të njëllojta.
Në këtë këndvështrim, siç u theksua dhe më lart, Gjykata konsideron se është në diskrecionin e palës paditëse në këtë rast KEK-ut, që të nxjerr vendime lidhur me alokimin e mjeteve të saja buxhetore, dhe se vendosja i përket kompanisë. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të barazisë para ligjit, apo për trajtim të pabarabartë, siç pretendon parashtruesja e kërkesës. Për më tepër, asnjë nga bazat e kërkuara sipas Kushtetutës, kur këto interpretohen në dritën e KEDNj-së, nuk e mbështesin pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtave themelore, sepse, ajo në asnjë mënyrë nuk dëshmon dhe argumenton se është trajtuar në mënyrë të pabarabartë dhe diskriminuese nga ana e Gjykatës Supreme (shih, ndër të tjera, rastin e Gjykatës KI173/18, parashtrues Nijazi Pasoma, Aktvendim për papranueshmëri i 22 korrikut 2019, paragrafi 32).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese pasi të njëjtat kualifikohen në grupin tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Përkitazi me pretendimet për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës
Siç u cek më lart, parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit, shkel të drejtat e saj të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesja e kërkesës vetëm e përmend nenin përkatës, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73; KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63; dhe së fundmi rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafët 79-82).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se pretendimin për shkelje të së drejtës së saj të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës, në të vërtetë, e ka elaboruar mbi bazën e nenit 31 të Kushtetutës, duke e ndërlidhur shkeljen e kësaj të drejte themelore, me praktikën gjyqësore jokonsistente të Gjykatës së Apelit, për çfarë Gjykata sa mësipër konstatoi se në këtë pjesë kërkesa duhet të shpallet qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht e papranueshme, për arsyet e lartcekura.
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me këtë pretendim të parashtrueses të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesja e kërkesës thjesht citoi nenin 46 të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ishte shkelur ai. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me praktikën gjyqësore jokonsistente, që bien në fushëveprimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6.1 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së dytë (ii) të pretendimeve “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes ”, andaj të njëjtat duhet të deklarohen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve për shkelje të nenit 24 dhe 46 të Kushtetutës, duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Miradije Bajqinovci
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile