Prishtinë, më 2 tetor 2023
Nr.ref.: RK 2276/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI39/23
Parashtrues
Labinot Zeka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme të 20 janarit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Labinot Zeka (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës) përfaqësuar nga Meriman Vehapi, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme të 20 janarit 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon caktimin e masës së përkohshme për shkak të “obligimeve financiare të kredisë e cila është marrë për shërimin e prindit dhe me qëllim që të mos shkaktohet dëm ndaj reputacionit tim.”
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 16 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit GJR. Nr. KI16/23 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 28 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe një kopje iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët
Më 29 gusht 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) më 20 prill 2022, ka pranuar kërkesë për fillimin e hetimit disiplinor nga Autoriteti Kompetent (Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë) me pretendime se parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mund të ketë kryer shkelje disiplinore nga neni 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (në tekstin e mëtejmë: LPDGJP) dhe nenit 5, profesionalizmi dhe përgjegjësia në punë të përcaktuar me Kodin e Etikës për Gjyqtarë. Autoriteti Kompetent kishte konsideruar se në çështjet C.nr.3121/20, C. Nr. 1576/15 dhe Cp. Nr. 09/2021 të kthyera në rigjykim nga Gjykata e Apelit, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte ndërmarrë veprimet konform përgjegjësive të tij gjyqësore dhe kishte zvarritur zgjidhjen e lëndëve në fjalë.
Më 20 prill 2022, KGJK-ja përmes Vendimit [KGJK.nr.156/2022] themelon Panelin Hetimor për lëndën disiplinore Nr. AD/KGJK/10/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR/14/22.
Më 29 qershor 2022, Paneli Hetimor i paraqiti KGJK-së raportin hetimor mbi faktet dhe provat e mbledhura lidhur shkeljet e pretenduara disiplinore të parashtruesit të kërkesës.
Më 15 korrik 2022, KGJK-ja pas dëgjimit dhe deklarimit të palëve, me qëllim që të ketë një pasqyrë sa më reale dhe sa më të plotë të gjendjes faktike për vendosjen sa më të drejtë të kësaj çështje, në mënyrë unanime vendosi që ta kthej raportin e Panelit Hetimor me vazhdim mandati edhe për dy muaj, me kërkesë që të plotësohet raporti në lidhje me numrin e lëndëve me të cilat ka qenë i ngarkuar subjekti i hetimit (parashtruesi i kërkesës) për periudhën kontestuese dhe çfarë natyre të lëndëve ka kryer.
Më 19 shtator 2022, Paneli Hetimor, pas kryerjes së hetimit sipas kërkesës së KGJK-së, dorëzon raportin plotësuese me shkrim.
Më 22 shtator 2022, KGJK-ja mban seancën dëgjimore në praninë e kryesuese së Penalit Hetimor dhe të autorizuarit të parashtruesit të kërkesës. Kryesuesja e Panelit Hetimor paraqiti gjendjen sipas të gjeturave dhe të dhënave të siguruara për periudhën 01.01.2021 deri më 30.03.2022, nga rezulton se parashtruesi i kërkesës: (i) ka qenë i ngarkuar me 1472 lëndë, nga të cilat 513 të natyrës përmbarimore, 958 lëndë çështje kontestimore dhe jo-kontestimore dhe në mesin e tyre 6 lëndë të kthyera në rigjykim; (ii) ndërsa për periudhën kontestuese prej 01.01.2021 deri më 30.03.2022, parashtruesi i kërkesës ka përfunduar 322 lëndë, nga ky numër 296 lëndë të çështjeve përmbarimore, prej tyre 93 janë pagesë jubilare, 182 janë borxhe, gjobë, kompensim dëmi si dhe 26 lëndë të çështjeve kontestimore me prioritet si dhunë në familje, zgjidhje martese, besimi i fëmijëve, masa e sigurimit të kërkesëpadisë; (iii) ndërsa në muajin janar 2022 deri në mars 2022, ka kryer 8 tetë lëndë pagesë jubilare, ndërsa nuk ka kryer lëndë që nuk janë me prioritet me përjashtim kur jashtë seancës që ka nxjerrë vendim për tërheqje të padisë, për mos pagesë të taksës gjyqësore dhe kur vet pala është tërhequr nga padia.
Më 3 nëntor 2022, KGJK-ja përmes Vendimit [KGJK.Nr.425/2022] vendosi: (1) Parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe nenit 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar; (2) Për këtë shkelje disiplinore parashtruesit të kërkesës i shqiptohen sanksionet disiplinore vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 40 % për gjashtë (6) muaj.
KGJK-ja arsyetoi: (i) pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit (parashtruesit të kërkesës), KGJK-ja konstatoi që subjekti i hetimit disiplinor nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të vendosur për tri (3) lëndët C.nr.3121/20, C. Nr. 1576/15 dhe Cp. Nr. 09/2021 të cilat ishin kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, edhe përkundër që ishin parashtruar urgjenca nga pala dhe nuk është gjetur asnjë pengesë që ka mundur të ndikojë në mos trajtimin e tri lëndëve kontestuese; (ii) me mos trajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim nga Gjykata e Apelit, subjekti i hetimit nuk ka zbatuar nenin 199 të LPK-së që parashikon se seanca për shqyrtimin kryesor të çështjes duhet të mbahet më së voni brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë; (iii) edhe në Qarkoren e Gjykatës Supreme të evidentuar GJ/S 459/2014 të datës 04.12.2014 për trajtim të lëndëve të kthyera në rigjykim, ku është përcaktuar se gjyqtari i ngarkuar me çështjen, ka për obligim ligjor që çështjen që i është kthyer në rigjykim ta caktojë menjëherë në afatin e parë kalendarik që e ka të lirë; (iv) gjyqtari i çështjes ka për detyrim që në afat prej 30 ditësh pas pranimit të lëndës në rigjykim, të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale për zgjidhjen e saj, sepse lënda ka qenë urgjente dhe me prioritet sipas ligjit dhe Strategjisë; (v) ndërkaq është konstatuar se në lëndën C.nr.3121/20, ka kaluar një periudhë kohore prej më shumë se një (1) vit e katër muaj, dhe parashtruesi i kërkesës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim procedural; (vi) për lëndën C. Nr. 1576/15, në bazë të të gjeturave të KGJK-së ka rezultuar se subjekti i hetimit (parashtruesi i kërkesës) lëndën e kishte pranuar nga gjyqtarja S.B me datë 27.04.2021 dhe nuk kishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore për këtë rast, edhe pse lënda ka qenë në procedurë, ku janë mbajtur pesë (5) seanca gjyqësore nga gjyqtarja paraprake dhe konsiderohet si lëndë e vjetër; (vii) me nenin 411 paragrafët 1, 2 dhe 4 të LPK-së përcaktohet se seanca për shqyrtim kryesor të çështjes nuk mund të shtyhet në afat të pacaktuar, seanca nuk mund të shtyhet më shumë se 30 ditë, përveç rasteve të parashikuara me ligj dhe në qoftë se seanca shtyhet, gjyqtari ka për detyrë që t’i ndërmarrë të gjitha masat që të hiqen shkaqet që kanë shkaktuar shtyrjen; ( viii) ndërsa sa i përket lëndës Cp. Nr. 09/2021, është konstatuar se subjekti i hetimit nga data kur e ka pranuar lëndën 01.03.2021, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e saj deri me datë 25.03.2022, kur kishte marrë konkluzion me të cilin ishte urdhëruar kreditorin e kundër përmbarimit të paguaj taksën gjyqësore dhe dorëzimin origjinal apo kopje të noterizuar dhe se në rastin konkret lëndët kundër përmbarimit janë të natyrës urgjente sipas LPP-së, ku është dashur të veprohet në afat prej shtatë (7) ditësh; (ix) gjatë kësaj periudhe subjekti i hetimit (parashtruesi i kërkesës) edhe përkundër që ka pas obligim ligjor për trajtim të lëndëve të cekura më lart, i njëjti ka kryer lëndë tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit; (x) KGJK-ja vlerëson se sjellja e subjektit të hetimit disiplinor është shkelje e nenit 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7 të LPDGJP-së dhe nenit 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, që ka të bëj me profesionalizimin dhe përgjegjësinë në punë; (xi) KGJK-ja i shqyrtoi me kujdes masat disiplinore të parapara me LPDGJP dhe vlerësoi se në rastin e parashtruesit të kërkesës sanksioni “vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për 40% për gjashtë (6) muaj”, është masë proporcionale në raport me shkeljen e parashtruesit të kërkesës dhe se e njëjta do të shërbej si masë për disiplinimin e parashtruesit të kërkesës dhe si preventivë për të ardhmen.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme duke e kontestuar në tërësi ligjshmërinë e vendimit të KGJK-së [KGJK.Nr.425/2022] i 3 nëntorit 2022, duke pretenduar konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të LPDGJP-së dhe Vendimit për sanksionin disiplinor me propozim që: Gjykata Supreme të merr aktvendim me të cilin ndryshohet Vendimi i KGJK-së [KGJK.Nr.425/2022] i 3 nëntorit 2022 si dhe të refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesa për inicimin e procedurës nga Autoriteti Kompetent, ose vendimi të prishet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim.
KGJK-ja me përgjigje ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës kishte propozuar që ankesa të refuzohet e pabazuar ndërsa Vendimi i kontestuar KGJK-së [KGJK.Nr.425/2022] i 3 nëntorit 2022, të mbetet në fuqi.
Më 20 janar 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [A.A.nr.36/2022] e refuzoi të pabazuar ankesën të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe e vërtetoi Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës [KGJK.nr.425/2022] të 3 nëntorit 2022.
Gjykata Supreme arsyetoi: (i) KGJK-ja ka arsyetuar të gjitha faktet me peshë vendimtare lidhur me përgjegjësinë disiplinore të parashtruesit të kërkesës e në lidhshmëri me këtë ka arsyetuar mënyrën se si janë vërtetuar faktet përveç atyre jo kontestuese e gjithashtu edhe mënyrën sesi i ka vlerësuar provat për secilin fakt të provuar; (ii) KGJK-ja në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë, nga e cila ka rezultuar vërtetimi i përgjegjësisë disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe shqiptimin e sanksioneve disiplinore si në vendimin e KGJK-së; (iii) KGJK-ja në praninë e kryesueses së panelit dhe përfaqësuesit të subjektit nën hetim, janë shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe në mënyrë të pa kontestuar është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të mos ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme në kryerjen e detyrave zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj; (iv) në tri lëndët e cekura të vendimit të ankimuar të KGJK-së, lëndët C.nr.3121/20, C. Nr. 1576/15 dhe Cp. Nr. 09/2021, edhe përkundër që palët kishin ushtruar urgjenca, parashtruesi i kërkesës në periudhën kontestuese prej 01.01.2021 e deri 30.03.2022, nuk ka mbajtur asnjë seancë për çështje kontestimore dhe nuk ka marrë asnjë vendim meritor përveç disa lëndëve të natyrës dhunë në familje; (v) nga interpretimi i dispozitave ligjore të nenit 5 dhe 7 të LPDGJS-së dhe dispozitave të Kodit të Etikës për Gjyqtar, KGJK-ja ka aplikuar drejtë të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e parashtruesit të kërkesës të pretenduar nga autoriteti kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor; (vi) sanksioni i shqiptuar nga KGJK-ja është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marrë parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga parashtruesi i kërkesës, pasojat e shkeljes disiplinore dhe rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore; (vii) sanksioni i disiplinuar i shqiptuar është në përputhje me shkeljet e gjetura si në raportin e Panelit Hetimor dhe vlerësohet se do të ketë efekt pozitiv ashtu që parashtruesi i kërkesës në të ardhmen të veproj konform Ligjit, rregullave të Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për gjyqtarë; (viii) prandaj, parashtrimet në ankesë lidhur me masën disiplinore të shqiptuar u refuzuan të pabazuara.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij janë shkelur nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Në rastin konkret as KGJK-ja e as Gjykata Supreme e Kosovës, gjatë vendimmarrjes nuk e ka pasur parasysh ngarkesën enorme me lëndë (rreth 1,500 lëndë), mungesën e stafit mbështetës, e po ashtu nuk e ka pasur parasysh as rrethanën tjetër relevante se as Gjyqtarja paraprake e cila ka qenë me mandat të përhershëm dhe e ngarkuar me dy lëndë objekt shqyrtimi, nuk ka arritë të zbaton nenin 199 të LPK-së, për shkak të pamundësisë objektive. Është fakt notor se Gjykata Themelore në Prishtine-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil është Gjykata me e ngarkuar me lëndë në Republikën e Kosovës, ku gjyqtarët janë të ngarkuar me nga 1000 e deri ne 2000 lëndë dhe është e pamundshme që lëndët ti trajtojmë në kohë të arsyeshme dhe të zbatohet neni 199 të LPK-së, ngase shumica e gjyqtarëve kanë lëndë në rigjykim dhe atë me vite të tëra dhe ndaj tyre nuk fillohet asnjë procedurë disiplinore edhe pse Kryetarja e Gjykatës si dhe KGJK-ja, çdo ditë pranojnë ankesa të tilla nga palët.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Duke pasur parasysh se ndaj gjyqtarëve tjerë, të cilët në pamundësi objektive nuk arrijnë të zbatojnë nenin 199 të LPK-së, nuk inicohet asnjë procedure disiplinore, ndërsa ndaj meje si gjyqtar me mandat fillestar që kam filluar punën në kohë të pandemisë, iniciohet procedura disiplinore dhe më shqiptohen masa disiplinore shume të ashpra e që nuk janë në proporcion me shkeljen e supozuar, dhe në rastin tim konsideroj se janë përdorur standarde të dyfishta, dhe e ndjej veten të diskriminuar në raport me gjyqtaren që më pare ka qenë e ngarkuar me lëndë dhe me gjyqtarët tjerë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme e Kosovës, gjate vendimmarrjes nuk i kanë pasur parasysh asnjë prove shfajësuese, kur kihet parasysh se viti 2020/2021 ka qenë vit pandemik, ku është punuar vetëm me raste urgjente, pastaj gjatë procedurës disiplinore në mënyrë bindëse është vërtetuar se unë e kam përmbushur normën për kryerjen e lëndëve dhe këto lëndë të zgjedhura i përkasin natyrave urgjente dhe nuk është konstatuar se unë kam kryere ndonjë lëndë të re, kam trashëguara rreth 40 lëndë në rigjykim dhe është e pamundshme objektivisht që trajtimi i tyre të bëhet brenda periudhës kontestuese për shkak të mbingarkesës, këto rrethana në mënyrë të pa kontestueshme janë vërtetuar edhe nga Paneli Hetimor i KGJK-së, i cili ka konstatuar në mënyrë bindëse se unë nuk i kam neglizhuar as me dashje e as nga pakujdesia detyrat e punës, pastaj gjatë periudhës kontestuese unë detyrimisht jam përkujdesur për prindin i cili ka qenë i sëmurë me rrezatim kimioterapi dhe shpesh kam udhëtuar për në Maqedoni dhe në Turqi, edhe përkundër këtyre rrethanave relevante as Këshilli Gjyqësor i Kosovës e as Gjykata Supreme e Kosovës nuk i ka marr parasysh, dhe në këtë drejtim nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se për raste të ngjashme në procedura të ngjashme por me gjyqtarë tjerë, KGJK-ja ka marrë parasysh vitin pandemik, ngarkesën e madhe me lëndë që kanë përfunduar pa pasoja juridike për gjyqtarët që kanë qenë subjekt hetimi apo ndaj tyre është shqiptuar vetëm masa disiplinore vërejtje publike me shkrim kurse parashtruesi i kërkesës përveç vërejtjes publike me shkrim është penalizuar me ulje prej 40% të pagës për gjashtë (6) muaj.
Kërkesën për caktim të masës së përkohshme, parashtruesi i kërkesës e arsyeton: “Me provat e bashkangjitura rezulton se të drejtën time subjektive e kam bërë të besueshme, dhe për shkak se jam në obligime financiare të kredisë e cila është marr për qellim të shërimit të prindit, dhe e mbështes familjen financiarisht.”
Parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masës së përkohshme me qëllim të të pezullimit të aktvendimit të Gjykatës Supreme si dhe të urdhërohet KGJK-ja që të tërheqë nga publikimi vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe të LKGJK-së.
Në fund, parashtruesi i kërkesën kërkon që Gjykata: (i) ta shpall kërkesën të pranueshme, (ii) të konstatojë se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe të KGJK-së, janë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së (iii) të shpall të pavlefshëm vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme dhe të KGJK-së.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë
ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të
pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë
ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
Neni 14
(Ndalimi i diskriminimit)
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
LIGJI Nr. 06/L - 057 PËR PËRGJEGJËSINË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 5
(Shkeljet disiplinore për gjyqtarë)
“[...]
2. Shkelje e detyrave të gjyqtarit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se gjyqtari i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë:
[...]
2.7. në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 199
[Pa titull]
“Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes e cila duhet të mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.”
KODI I ETIKËS PROFESIONALE PËR GJYQTARË
Neni 5
(Profesionalizmi dhe përgjegjësia në punë)
“Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në
mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve, 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët parashohin:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin Gjykatës Supreme [A.A.nr.36/2022] të 20 janarit 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me kërkesën që Autoriteti Kompetent e kishte paraqitur në KGJK me pretendime se parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mund të ketë kryer shkelje disiplinore në kundërshtim me LPDGJP-në dhe Kodin e Etikës për Gjyqtarë. Autoriteti Kompetent kishte konsideruar se në çështjet e kthyera në rigjykim nga Gjykata e Apelit, parashtruesi i kërkesës nuk i kishte ndërmarrë veprimet konform përgjegjësive të tij gjyqësore dhe kishte zvarritur lëndët në fjalë. KGJK-ja kishte mbajtur dy seanca dëgjimore ku kishte dëgjuar raportin e Panelit Hetimor me konstatime për shkelet disiplinore nga parashtruesi i kërkesës si dhe përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës me qëllim të administrimit të drejtë të drejtësisë. KGJK-ja vendosi: (1) Parashtruesi i kërkesës, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara në nenin 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7, të LPDGJP-së dhe nenit 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar; (2) Për këtë shkelje disiplinore parashtruesit të kërkesës i shqiptohen sanksionet disiplinore vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 40 % për gjashtë (6) muaj. KGJK-ja kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës edhe përkundër që ka pas obligim ligjor për trajtim të lëndëve me prioritet, i njëjti ka kryer lëndë tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit dhe strategjisë së KGJK-së. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme duke e kontestuar në tërësi ligjshmërinë e vendimit të KGJK-së duke pretenduar konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të LPDGJP-së dhe Vendimit për sanksionin disiplinor me propozim që: Gjykata Supreme të merr aktvendim me të cilin ndryshohet Vendimi i KGJK-së si dhe të refuzohet në tërësi si e pabazuar kërkesa për inicimin e procedurës nga Autoriteti Kompetent, ose vendimi të prishet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar ankesën të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe e vërtetoi Vendimin e KGJK-së. Gjykata Supreme vlerësoi se KGJK-ja në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë, nga e cila ka rezultuar vërtetimi i përgjegjësisë disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe shqiptimin e sanksioneve disiplinore.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 (1) i KEDNJ-së janë shkelur për shkak se KGJK-ja dhe Gjykata Supreme nuk kanë marrë parasysh faktin se ai ka qenë i ngarkuar me shumë lëndë, ka qenë vit pandemik dhe nuk ka pasur staf mbështetës. Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 24 i Kushtetutës dhe neni 14 i KEDNJ-së janë shkelur për shkak se gjyqtarët tjerë në procedura të ngjashme kanë përfunduar vetëm me masën disiplinore “vërejtje publike me shkrim” ose “pa asnjë pasojë juridike.”
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah konstatimet e KGJK-së: (i) pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit (parashtruesit të kërkesës), KGJK-ja konstatoi që subjekti i hetimit disiplinor nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të vendosur për tri (3) lëndët C.nr.3121/20, C. Nr. 1576/15 dhe Cp. Nr. 09/2021 të cilat ishin kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, edhe përkundër që ishin parashtruar urgjenca nga pala dhe nuk është gjetur asnjë pengesë që ka mundur të ndikojë në mos trajtimin e tri lëndëve kontestuese; (ii) me mos trajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim nga Gjykata e Apelit, subjekti i hetimit nuk ka zbatuar nenin 199 të LPK-së që parashikon se seanca për shqyrtimin kryesor të çështjes duhet të mbahet më së voni brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë; (iii) edhe në Qarkoren e Gjykatës Supreme të evidentuar GJ/S 459/2014 të datës 04.12.2014 për trajtim të lëndëve të kthyera në rigjykim, ku është përcaktuar se gjyqtari i ngarkuar me çështjen, ka për obligim ligjor që çështjen që i është kthyer në rigjykim ta caktojë menjëherë në afatin e parë kalendarik që e ka të lirë; (iv) gjyqtari i çështjes ka për detyrim që në afat prej 30 ditësh pas pranimit të lëndës në rigjykim, të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale për zgjidhjen e saj, sepse lënda ka qenë urgjente dhe me prioritet sipas ligjit dhe Strategjisë; (v) ndërkaq është konstatuar se në lëndën C.nr.3121/20, ka kaluar një periudhë kohore prej më shumë se një (1) vit e katër muaj, dhe parashtruesi i kërkesës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim procedural; (vi) për lëndën C. Nr. 1576/15, në bazë të të gjeturave të KGJK-së ka rezultuar se subjekti i hetimit (parashtruesi i kërkesës) lëndën e kishte pranuar nga gjyqtarja S.B me datë 27.04.2021 dhe nuk kishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore për këtë rast, edhe pse lënda ka qenë në procedurë, ku janë mbajtur pesë (5) seanca gjyqësore nga gjyqtarja paraprake dhe konsiderohet si lëndë e vjetër; (vii) me nenin 411 paragrafët 1, 2 dhe 4 të LPK-së përcaktohet se seanca për shqyrtim kryesor të çështjes nuk mund të shtyhet në afat të pacaktuar, seanca nuk mund të shtyhet më shumë se 30 ditë, përveç rasteve të parashikuara me ligj dhe në qoftë se seanca shtyhet, gjyqtari ka për detyrë që t’i ndërmarrë të gjitha masat që të hiqen shkaqet që kanë shkaktuar shtyrjen; (viii) ndërsa sa i përket lëndës Cp. Nr. 09/2021, është konstatuar se subjekti i hetimit nga data kur e ka pranuar lëndën 01.03.2021, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e saj deri me datë 25.03.2022, kur kishte marrë konkluzion me të cilin ishte urdhëruar kreditorin e kundër përmbarimit të paguaj taksën gjyqësore dhe dorëzimin origjinal apo kopje të noterizuar dhe se në rastin konkret lëndët kundër përmbarimit janë të natyrës urgjente sipas LPP-së, ku është dashur të veprohet në afat prej shtatë (7) ditësh; (ix) gjatë kësaj periudhe subjekti i hetimit (parashtruesi i kërkesës) edhe përkundër që ka pas obligim ligjor për trajtim të lëndëve të cekura më lart, i njëjti ka kryer lëndë tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit; (x) KGJK-ja vlerëson se sjellja e subjektit të hetimit disiplinor është shkelje e nenit 5, paragrafi 2, nën-paragrafi 2.7 të LPDGJP-së dhe nenit 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, që ka të bëj me profesionalizimin dhe përgjegjësinë në punë; (xi) KGJK-ja i shqyrtoi me kujdes masat disiplinore të parapara me LPDGJP dhe vlerësoi se në rastin e parashtruesit të kërkesës sanksioni “vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për 40% për gjashtë (6) muaj”, është masë proporcionale në raport me shkeljen e parashtruesit të kërkesës dhe se e njëjta do të shërbej si masë për disiplinimin e parashtruesit të kërkesës dhe si preventivë për të ardhmen.
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës Supreme: (i) KGJK-ja ka arsyetuar të gjitha faktet me peshë vendimtare lidhur me përgjegjësinë disiplinore të parashtruesit të kërkesës e në lidhshmëri me këtë ka arsyetuar mënyrën se si janë vërtetuar faktet përveç atyre jo kontestuese e gjithashtu edhe mënyrën sesi i ka vlerësuar provat për secilin fakt të provuar; (ii) KGJK-ja në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë, nga e cila ka rezultuar vërtetimi i përgjegjësisë disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe shqiptimin e sanksioneve disiplinore si në vendimin e KGJK-së; (iii) KGJK-ja në praninë e kryesueses së panelit dhe përfaqësuesit të subjektit nën hetim, janë shqyrtuar të gjitha rrethanat dhe në mënyrë të pa kontestuar është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të mos ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme në kryerjen e detyrave zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj; (iv) në tri lëndët e cekura të vendimit të ankimuar të KGJK-së, lëndët C.nr.3121/20, C. Nr. 1576/15 dhe Cp. Nr. 09/2021, edhe përkundër që palët kishin ushtruar urgjenca, parashtruesi i kërkesës në periudhën kontestuese prej 01.01.2021 e deri 30.03.2022, nuk ka mbajtur asnjë seancë për çështje kontestimore dhe nuk ka marrë asnjë vendim meritor përveç disa lëndëve të natyrës dhunë në familje; (v) nga interpretimi i dispozitave ligjore të nenit 5 dhe 7 të LPDGJS-së dhe dispozitave të Kodit të Etikës për Gjyqtar, KGJK-ja ka aplikuar drejtë të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e parashtruesit të kërkesës të pretenduar nga autoriteti kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor; (vi) sanksioni i shqiptuar nga KGJK-ja është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marrë parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga parashtruesi i kërkesës, pasojat e shkeljes disiplinore dhe rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore; (vii) sanksioni i disiplinuar i shqiptuar është në përputhje me shkeljet e gjetura si në raportin e Panelit Hetimor dhe vlerësohet se do të ketë efekt pozitiv ashtu që parashtruesi i kërkesës në të ardhmen të veproj konfom Ligjit, rregullave të Kodit të Etikës dhe sjelljes profesionale për gjyqtarë; (viii) prandaj, parashtrimet në ankesë lidhur me masën disiplinore të shqiptuar u refuzuan të pabazuara.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe se ai është diskriminuar, Gjykata rithekson korrektësia e procedurave gjithmonë vlerësohet duke i shqyrtuar në tërësinë tyre, ashtu që një parregullsi e izoluar mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i bërë procedurat në tërësi të padrejta (shih rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, Aktvendim për papranueshmëri i 18 janarit 2023, paragrafi 42 dhe rastin e GJEDNJ-së Mirolubovs kundër Letonisë, nr. 798/05, Aktgjykim i 15 shtatorit 2009, paragrafi 103).
Gjykata vlerëson se KGJK-ja me qëllim të administrimit të drejtë të drejtësisë në rastin e parashtruesit të kërkesës: (i) kishte mbajtur dy seanca dëgjimore me praninë e përfaqësuesit të kërkesës dhe kryesuesit të Panelit Hetimor, çka po ashtu nuk kontestohet as nga vetë parashtruesi i kërkesës; dhe, (ii) kishte urdhëruar Panelin Hetimor që të plotësojë raportin e tyre me numrin e saktë të lëndëve që ishte ngarkuar parashtruesi i kërkesës me qëllim që të kishte pasqyrën e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike (shih rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, cituar më lart, paragrafi 44).
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se procedurat e zhvilluara në tërësi janë të drejta sepse: (i) KGJK-ja kishte mbajtur dy seanca dëgjimore me praninë e përfaqësuesit të kërkesës dhe kryesuesit të Panelit Hetimore; (ii) KGJK-ja ka shpjeguar cilat lëndë kanë pasur prioritet gjatë periudhës kontestuese e që nuk janë adresuar nga parashtruesi i kërkesës; (iii) KGJK-ja po ashtu ka përcaktuar edhe bazën ligjore lidhur me trajtimin me prioritet të lëndëve të caktuara nga parashtruesi i kërkesës; dhe (iv) Gjykata Supreme në përgjithësi ka përvetësuar konstatimet e KGJK-së dhe duke vlerësuar se sanksioni i disiplinor i shqiptuar është proporcional dhe në përputhje me shkeljet e konstatuara si në raportin e Panelit Hetimor.
Gjykata po ashtu vëren se KGJK-ja dhe Gjykata Supreme kanë konstatuar se në lëndën C.nr.3121/20, parashtruesi i kërkesës nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim procedural për më shumë se një vit e katër muaj, në lëndën C.nr.1576/15, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar lëndën me datë 27.04.2021 nga gjyqtari paraprak, lëndë e cila tashmë ishte në procedurë në të cilën janë mbajtur 5 (pesë) seanca dhe nuk kishte mbajtur asnjë seancë deri në ditën e kontrollit dhe lënda ishte konsideruar e vjetër, dhe në lëndën C. nr.09/2021, parashtruesi i kërkesës nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim procedural për zgjidhjen e saj për më shumë se një vit nga pranimi i saj nga gjykata e shkallës së dytë, gjë që është në kundërshtim me nenin 199 të LPK-së, i cili përcakton se shqyrtimi paraprak ose seanca për shqyrtimin kryesor duhet të mbahet jo më vonë se 30 ditë nga dita e pranimit të vendimit nga gjykata e shkallës së dytë.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për diskriminim, Gjykata vlerëson nuk mund të spekulojë lidhur me kushtetutshmërinë e procedurave të zhvilluara në KGJK dhe në gjykatat e rregullta kundër gjyqtarëve tjerë, sidomos, kur merret parasysh se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë dhënë shpjegime të detajuara dhe të arsyetuara për masën disiplinore kundër parashtruesit të kërkesës. Për të vlerësuar korrektësinë e sanksionit disiplinor ndaj parashtruesit të kërkesës karshi gjyqtarëve tjerë në procedura tjera, Gjykatës i nevojiten “shkaqe me peshë” (weighty reasons), çka mungojnë në rrethanat e rastit konkret (shih rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, cituar më lart, paragrafi 44).
Përkundër pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në KGJK dhe Gjykatën Supreme, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqiste në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideronte të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; Gjykata Supreme dëgjoi dhe shqyrtoi të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimet e kontestuara janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe për ndalim të diskriminimit siç garantohen me nenet 24 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) dhe 14 të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës kërkon caktimin e masave të përkohshme për shkak se “obligimeve financiare të kredisë e cila është marrë për shërimin e prindit dhe me qëllim që të mos shkaktohet dëm ndaj reputacionit tim.”
Duke qenë se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmitë e nevojshme për vendosje të masës së përkohshme si dhe bazuar në faktin se Gjykata veçse ka konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar, e njëjta konstaton se kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet bazuar në rregullat 44 [Kërkesa për masë të përkohshme] dhe 45 [Vendimmarrja lidhur me kërkesë për masë të përkohshme] të Rregullores së punës (shih rastin e Gjykatës KI10/22 parashtrues, Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Aktgjykim i 18 korrikut 2022, paragrafi 85).
Për këto arsye, kërkesa për masë të përkohshme duhet të refuzohet.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 dhe 116.2 të Kushtetutës, nenet 20, 27 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 dhe 48 (1) (b) dhe 44 dhe 45 të Rregullores së punës, më 29 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për caktim të masës së përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Labinot Zekaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative