Prishtinë, më 2 gusht 2024
Nr. Ref.: RK 2488/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI106/23
Parashtrues
Ramiz Buzhala
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit A. A. nr. 3/2023 të 10 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtrues i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Ramiz Buzhala, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [A. A. nr. 3/2023] e 10 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Vendimin [KPK. nr. 318/2022] e 23 dhjetorit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, më 29 gusht 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KPK-së, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij, të garantuara me dispozitat e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) dhe me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës, nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 maj 2023, parashtruesi i kërkesës e parashtroi kërkesën në Gjykatë.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR.KI106/23, caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare raportuese dhe me Vendimin KSH. KI106/23 caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 6 qershor 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe nga një kopje të kërkesës ua dërgoi Gjykatës Supreme dhe KPK-së.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që kërkesa të shpallet e papranueshme.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ka ushtruar funksionin e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, deri në marrjen e vendimit për suspendimin e tij, për shkak të inicimit të procedurës disiplinore ndaj tij.
Më 14 korrik 2022, KPK kishte pranuar një kërkesë nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të shtetit B.K, për fillimin e hetimit disiplinor ndaj parashtruesit të kërkesës, bazuar në dyshimin e arsyeshëm se i njëjti, në cilësi të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, më 13 korrik 2022 kishte shpërndarë pyetje nga testi me shkrim që do të mbahej të njëjtën datë për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.
Më 14 korrik 2022, KPK aprovoi kërkesën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të shtetit, në lidhje me lëndën [AD.Nr.05/202] nxori Vendimin KPK.nr.801/2022, për suspendimin e menjëhershëm të parashtruesit të kërkesës nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me reduktim të pesëdhjetë përqind (50%) të pagës. Të njëjtën datë, KPK nxori Vendimin KPK.nr.803/2022 për themelimin e një Paneli hetimor, për të hetuar shkeljet disiplinore në ngarkim të parashtruesit të kërkesës.
Më 31 gusht 2022, Paneli hetimor, në lidhje me lëndën disiplinore [AD.Nr.05/202], mbajti seancë dëgjimore. Ky i fundit, pasi dëgjoi parashtruesin e kërkesës, i propozoi të njëjtit një marrëveshje vullnetare, në rast të pranimit të fajësisë, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar dhe nënshkruar. Marrëveshja parashihte që parashtruesit të kërkesës t’i shqiptohej sanksioni disiplinor Transferim i përhershëm nga pozita e Kryeprokurorit në prokurorinë themelore në Gjakovë, në pozitën e Prokurorit në departamentin e përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe që palët të hiqnin dorë nga e drejta në procedurë disiplinore dhe e drejta e ankesës, në rast se KPK do e pranonte marrëveshjen e dakorduar, me rekomandimin e sanksionit disiplinor.
Më 30 shtator 2022, KPK mbajti seancë dëgjimore në të cilën prezantuan kryesuesi i Panelit hetimor dhe parashtruesi i kërkesës. Pas dëgjimit të palëve, KPK në pajtim me nenin 34 të Ligjit nr. 06/L-056 për KPK-në dhe nenin 13 të Nr. 06/L-057 për Përgjegjësisë Disiplinorë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (në tekstin e mëtejmë: LPDGjP), me shumicë votash refuzoi marrëveshjen vullnetare të Panelit hetimor, duke e kthyer rastin pranë këtij të fundit për të vërtetuar gjendjen e plotë faktike.
Më 13 tetor 2022, Paneli hetimor për shqyrtimin e rastit i kërkoi KPK-së zgjatje të afatit edhe për dy muaj tjerë, duke filluar nga 14 tetori 2022, deri më 13 dhjetor 2022.
Më 14 tetor 2022, KPK me Vendimin KPK.nr.1223/2022 aprovoi kërkesën e Panelit hetimor për zgjatje të afatit.
Më 19 nëntor 2022, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar anëtarët e komisionit rekrutues për bashkëpunëtorë profesionalë dhe parashtruesi i kërkesës.
Më 23 nëntor 2022, Paneli hetimor, pasi dëgjoi parashtruesin e kërkesës dhe shqyrtoi faktet dhe provat e paraqitura për çështjen në fjalë, përpiloi një raport ku theksohet se në veprimet e parashtruesit të kërkesës është vërtetuar shkelja disiplinore, sipas nënparagrafit 2.10, paragrafit 2, të nenit 6 të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësisë Disiplinorë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (në tekstin e mëtejmë: LPDGjP), për shkak të ndërhyrjes në procesin e rekrutimit të bashkëpunëtorëve profesional për prokuroritë themelore të lartcekura. Raporti rekomandonte që parashtruesit të kërkesës t’i shqiptohej sanksioni disiplinor “transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, në pajtueshmëri me nënparagrafin 1.4, paragrafin 1 të nenit 7 të LPDGjP-së.
Më 24 nëntor 2022, Paneli hetimor ia dorëzoi KPK-së raportin me rekomandime për vlerësim dhe shqyrtim të mëtejmë.
Më 23 dhjetor 2022, KPK pasi shqyrtoi raportin dhe dëgjoi kryesuesin e Panelit hetimor po ashtu edhe parashtruesin e kërkesës, nxori Vendimin KPK.nr.1579/2022, i cili në dispozitivin e tij përcakton:
“I. Aprovohet Raporti i panelit hetimor AD.nr. 05/2022 të datës 24 nëntor 2022, në rastin disiplinor të kryeprokurorit Ramiz Buzhala, Prokuroria Themelore në Gjakove;
II. Vërtetohet se kryeprokurori Ramiz Buzhala ka vepruar ne kundërshtim me nenin 6 paragrafi 2 nen paragrafi 2.10 te Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve;
III. Kryeprokurorit Ramiz Buzhala i shqiptohet sanksioni disiplinor, Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokuror në Departament të Përgjithshëm, sipas nenit 7 paragrafi 1 pika 1.4 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve.”
Në arsyetimin e vendimit, KPK, ndër të tjera, theksoi: “....pasi që ka shqyrtuar raportin e dorëzuar nga Paneli Hetimor, ka dëgjuar Raportimin e Kryesuesit të Panelit Hetimor i cili ka elaboruar të gjitha faktet dhe provat e mbledhura gjatë procedurës hetimore. Në seancën disiplinore ka prezantuar edhe subjekti i hetimit disiplinor, kryeprokurori Ramiz Buzhala, i cili në mbrojtjen e tij nuk e ka mohuar faktin qe i ka dërguar pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesional, mirëpo pohon që duke dashur të ja dërgojë djalit porosinë gabimisht e ka përcjellë tek gazetarja.” Këshilli Prokurorial i Kosovës pas.... shqyrtimit, analizimit, krahasimit të provave të cekura në raportin e panelit hetimor, fjalës përfundimtare të Kryesuesit të Panelit Hetimor dhe Kryeprokurorit Ramiz Buzhala, erdhi në përfundim se, në rastin konkret duke tejkaluar përgjegjësitë si Kryeprokuror, z. Buzhala, ka dëmtuar reputacionit e vet kryeprokurorit dhe sistemit prokurorial në tërësi. Andaj, pas pezullimit nga detyra për rastin e vërtetuar me shkelje disiplinore sanksioni disiplinor "Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, Prokuror në Departament të Përgjithshëm" është në përputhje me shkeljet e gjetura si në raportin e panelit hetimor, sanksion i cili do të këtë efekt pozitiv mbi vet prokurorin Buzhala qe në të ardhmen të veprojë konform rregullave të Kodit të Etikes dhe Sjelljes Profesionale për Prokuror.
Më 3 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme, kundër Vendimit [KPK.nr.1579/2022] të KPK-së për shkak të (i) zbatimit të gabuar të ligjit, (ii) shkeljeve procedurale; dhe (iii) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike. Më saktësisht, parashtruesi i kërkesë nga Gjykata Supreme kërkoi: “...që ankesën ta aprovojë në tërësi dhe të anulojë vendimin disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës, KPKI Nr.1579/2022 të datës 23.12.2022 dhe çështjen ta kthej në Këshillin Prokurorial në Rishqyrtim ose ankesën ta aprovoj në tërësi dhe vendimin e KPK-së, ta ndryshoj, duke më liruar nga përgjegjësia disiplinore ose nëse me gjen përgjegjës ta ndryshoj masën disiplinore dhe të me shqiptoj ndonjë masë shumë me të butë, në pajtim me shkeljen e gjetur.”
Në një datë të pasaktësuar, KPK-ja kishte parashtruar përgjigje në ankesë në Gjykatën Supreme, me propozimin që ankesa e parashtruesit të kërkesës të refuzohet dhe Vendimi [KPK.nr.1579/2022] i 23 dhjetorit 2022 të vërtetohet, si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Më 10 shkurt 2023, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin A. A. nr. 03/2023, me të cilin refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Vendimin [KPK.nr.1579/2022] e 23 dhjetorit 2022 të KPK-së. Në Aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme, ndër të tjera, arsyetoi: “...se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi qe vendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve, drejt dhe në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike, si dhe drejtë është aplikuar e drejta materiale, e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera, të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me Vendimin [KPK.nr.1579/2022] e KPK-së, shkel të drejtat e tij për “gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së.
i. Pretendimi për shkelje të së drejtës për “seancë dëgjimore”
Fillimisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk e ftoi atë në seancë dëgjimore edhe pse një gjë të tillë i njëjti e kishte kërkuar nëpërmjet ankesës nga kjo gjykatë . Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesë është thirrur në rastin e Gjykatës, KI108/10, ku Gjykata në paragrafin 66 të Aktgjykimit, kishte cituar pjesë nga vendimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GEDNj, përkatësisht nga rasti Gusak kundër Rusisë, nr.28956/5, Aktgjykimi i 7 qershorit 2011, paragrafi 27, duke pretenduar se përshtatshmërisht ky rast vlen edhe për rastin e tij.
ii. Pretendimi për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, për shkak të “kohës së pamjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen”
Parashtruesi i kërkesë gjithashtu pretendon se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet, duke theksuar se ai në cilësi të subjektit të hetimit ishte ftuar vetëm disa ditë para mbajtjes së seancave dëgjimore nga Paneli hetimor edhe nga KPK-ja dhe se kjo e fundit nuk e kishte njoftuar për zgjatje të afati për shqyrtimin e lëndës disiplinore që zhvillohej kundër tij. Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se shkelja e të drejtës për gjykim të drejtë ka ardhur edhe si rezultat i mosdorëzimit të kopjes së procesverbalit të seancës së 23 dhjetorit 2023, i cili sipas tij do i ndihmonte për t’i vërtetuar pretendimet e ngritura në fillim të seancës shqyrtuese, ku kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e anëtares së KPK-së J.G., nga vendimmarrja lidhur me çështjen e tij, me pretendimin se e njëjta kishte konflikt interesi, sepse në një emision televiziv kishte deklaruar publikisht se do votonte kundër marrëveshjes vullnetare të propozuar nga Paneli hetimor.
iii. Pretendimi për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, për shkak të “vërtetimit të gabuar të fakteve dhe të aplikimit të gabuar të ligjit”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se J.G., ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 8 të Rregullores [nr.10120] për organizimin dhe veprimtarinë e KPK-së, përkatësisht në kundërshtim me paragrafin 1.5 të nenit në fjalë, që përcakton: “së anëtaret e Këshillit janë të obliguar të mos zbulojnë informacione që kanë të bëjnë me procesin e vendimmarrjes dhe votimit brenda Këshillit”. Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendon se vlerësimi i Gjykatës Supreme se nuk ka mundur të gjejë shkelje të paragrafit 1, të nenit 13 të Rregullores nr.05/2019 për Procedurën Disiplinore të Prokuroreve, nga ana KPK-së apo të konfliktit të interesit rreth përbërjes së këshillit është i paqëndrueshëm dhe në kundërshtim të plotë me provat që ishin pjesë e shkresave të lëndës. Parashtruesi i kërkesë tutje pretendon se përfundimet e Gjykatës Supreme janë në kundërshtim të plotë me të gjeturat e Raportit të Panelit hetimor, të 24 nëntorit 2022, duke theksuar se nga shumë veprime të ndërmarra hetimore nuk ka mundur të vërtetohet se nga kush janë dërguar pyetjet, sepse nuk janë gjetur prova. Për me tepër, parashtruesi i kërkesës thekson se “vlerësimi i Gjykatës Supreme, se 11 nga pyetjet e testit me shkrim për provimin për bashkëpunëtor profesional që është dashur të mbahet më 13 korrik 2022, të cilat i janë dërguar gabimisht gazetares, janë të njëjta me pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesional” është i paqëndrueshëm sepse vetëm 6-7 prej tyre mund të konsiderohen si të njëjta edhe pse ka dallime substanciale rreth formulimit të tyre.
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
[...]
b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes; c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
[...]
LIGJI NR. 06/L-057 PËR PËRGJEGJËSITË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 6
Shkeljet disiplinore për prokurorë
2. Shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë:
[...]
2.10. përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit;
[...]
Neni 7
Sanksionet disiplinore
1. Për shkelje disiplinore, Këshillat përkatës mund t’u shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim:
[...]
1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët
[...]
Neni 12
Procedura hetimore
1. Këshilli fillon procedurat disiplinore mbi bazën e kërkesës të dorëzuar në përputhje me nenin 9, paragrafin 1 të këtij Ligji.
2. Autoriteti Kompetent kërkon nga Këshilli fillimin e hetimeve disiplinore mbi bazën e një ankese të paraqitur nga një person fizik apo juridik dhe e cila nuk është hedhur poshtë sipas nenit 9, paragrafit 6 të këtij Ligji, ose sipas detyrës zyrtare kur ka bazë të arsyeshme të besoj se një gjyqtar ose prokuror ka kryer shkelje disiplinore.
3. Avokati i Popullit mund të kërkojnë nga Këshilli që të filloj hetimet disiplinore ndaj një Kryetari të Gjykatës ose Kryeprokurorit nëse kanë arsye të besojnë se ai/ajo ka kryer shkelje disiplinore sipas nenit 9, paragrafit 7 i këtij Ligji. Në rast të pranimit të ankesës Avokati i Popullit gjithashtu mund të kërkojnë nga Këshilli fillimin e hetimeve disiplinore ndaj një gjyqtari ose prokurori nëse konsiderohet se Autoriteti Kompetent ka marrë vendim për hedhjen poshtë të ankesës ndaj atij gjyqtari ose prokurori në kundërshtim me nenin 9, paragrafin 5, me ç’ rast ai/ajo duhet të ofrojnë arsyetim se pse ankesa nuk duhet të ishte hedhur poshtë.
4. Kërkesa për fillimin e hetimeve disiplinore i paraqitet me shkrim Këshillit dhe gjyqtarit ose prokurorit i cili është subjekt i hetimit. Kërkesa duhet të përmbaj identitetin e gjyqtarit ose prokurorit që do të hetohet, një përshkrim të saktë të aspekteve faktike dhe juridike mbi të cilat është ngritur dyshimi për shkelje disiplinore, si dhe një propozim për masën disiplinore për tu shqiptuar nga Këshilli. Këshilli krijon dhe mirëmban një bazë elektronike të të dhënave ku regjistrohen të gjitha ankesat dhe kërkesat për fillimin e hetimeve disiplinore dhe të dhënat e dorëzuara nga autoriteti kompetent. Secili rast regjistrohet në ditën kur është pranuar ankesa apo kërkesa nga Këshilli.
5. Brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve të punës nga marrja e kërkesës për fillimin e hetimeve disiplinore, Këshilli themelon një panel hetimor për kryerjen e hetimeve. Në rastet e përcaktuara në paragrafin 3 të këtij neni, Këshilli mund të hedhë poshtë kërkesën, pa formuar panelin hetues, në qoftë se konsideron që është prima facie pa vlerë apo pa rëndësi serioze, jo substanciale, nuk ka lidhje me shkeljen disiplinore apo është parashkruar. Paneli hetimor, për sa i përket një gjyqtari, përkatësisht kryetarit të gjykatës, përbëhet nga tre (3) gjyqtarë të një gjykate tjetër. Paneli hetimor, për sa i përket një prokurori, përkatësisht kryeprokurori për prokurorët, përbëhet nga tre prokurorë të një organi tjetër prokurorial. Këshilli përcakton kryesuesin e panelit hetimor nga radhët e anëtarëve të panelit hetimor. Procedura për përzgjedhjen dhe caktimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të shërbyer në panel hetimor, përcaktohet nga këshillat. Këshilli siguron ndihmë administrative dhe profesionale për panelin hetimor.
6. Paneli hetimor duhet të sigurojë fakte dhe të mbledh prova lidhur me shkeljen e supozuar disiplinore. Gjyqtari ose prokurori nën hetime dhe autoriteti që ka kërkuar fillimin e procedurave hetimore mund të sugjerojnë dëshmitarë, të paraqesin prova, si dhe të kërkojnë paraqitjen e dokumenteve dhe provave në dispozicion të personave ose institucioneve tjera.
7. Paneli hetimor i ofron gjyqtarit ose prokurorit mundësi për t’u dëgjuar në lidhje me ankesën dhe për t’u përfaqësuar nga avokati mbrojtës. Gjyqtari ose prokurori që është nën hetime duhet të ketë qasje në provat e mbledhura nga paneli hetimor.
8. Paneli hetimor duhet t’i përfundoj hetimet brenda tre (3) muajve nga dita kur është themeluar nga Këshilli. Në rrethana të jashtëzakonshme, Këshilli mund t’i zgjasë hetimet për një periudhë shtesë deri në dy (2) muaj. Me t’i përfunduar hetimet, paneli hetimor duhet të paraqesë tek Këshilli, gjyqtari apo prokurori që është nën hetime, dhe tek Autoriteti Kompetent që ka kërkuar fillimin e hetimeve disiplinore, një raport me shkrim mbi të gjitha faktet dhe provat e mbledhura. Pas dorëzimit të raportit paneli hetimor pushon funksionin e vet në momentin kur rasti bëhet i formës së prerë.
9. Gjatë procedurës hetimore, Këshilli ex officio ose me kërkesë të Autoritetit Kompetent i cili ka kërkuar fillimin e hetimeve, mund të pezulloj gjyqtarin ose prokurorin i cili është nën hetime nëse një gjë e tillë është e nevojshme duke marrë parasysh seriozitetin e veprës së pretenduar penale dhe të sigurohet integriteti dhe efektiviteti i hetimeve.
10. Gjatë kohëzgjatjes së pezullimit të gjyqtarit/prokurorit nga paragrafi paraprak, i njëjti do pranojë 50% e pagës mujore. 11. Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale zbatohen mutatis mutandis me procedurën për mbledhjen e provave dhe të drejtat e personave nën hetime.
Neni 14
Procedurat Disiplinore
1. Pas pranimit të raportit me shkrim mbi hetimin e gjyqtarit apo të prokurorit, apo të pranimit të marrëveshjes bazuar në nenin 13 të këtij Ligji, Këshilli respektiv do të mbajë seancë në periudhën kohore prej tridhjetë (30) ditësh. Këshilli mund të vendos të mbajë seanca shtesë në qoftë se një gjë e tillë rrjedh nga kompleksiteti i lëndës. Palët në procedurë do të ftohen të marrin pjesë në seancat e Këshillit.
Neni 15
Ankesa ndaj vendimeve disiplinore
1. Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve disiplinore të Këshillit, drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të vendimit. Gjykatat tjera në Kosovë, nuk kanë kompetencë të shqyrtojnë dhe të vendosin lidhur me procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
[...]
4. Ankesë mund të ushtrohet në rrethanat si në vijim:
4.1. në rast të zbatimit të gabuar të ligjit;
4.2. në rast të shkeljes procedurale të përcaktuar me ligj;
4.3. në rast të një gabimi faktik të qartë apo të dukshëm i cili ndikon në të drejtat substanciale të palës në qoftë se ndikon seriozisht në paanësinë dhe integritetin e procedurës;
5. Gjykata Supreme, në një trup gjykues të përbërë nga tre anëtarë, të zgjedhur nga Kryetari i Gjykatës Supreme, brenda tridhjetë (30) ditëve, shqyrton dhe vendos lidhur me ankesën. Në rast se Kryetari i Gjykatës Supreme është subjekt i vendimit të Këshillit, atëherë zgjedhjen e anëtareve e bën gjyqtari më i moshuar i Gjykatës Supreme.
6. Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata Supreme mund të konfirmojë vendimin e Këshillit, ta ndryshojë atë, apo ta kthejë në Këshill për rishqyrtim.
[...]
RREGULLORE (5/2019) PËR PROCEDUREN DISIPLINORE TË PROKUROREVE
Neni 13
Konflikti i Interesit dhe Përjashtimi
1. Kryesuesi dhe anëtaret e Këshillit dhe të Panelit Hetimor para dhe gjatë gjithë zhvillimit të procedurës hetimore dhe disiplinore, apo ne momentin kur paraqiten rrethanat te cilat mund te rezultojnë me konflikt te interesit, janë të obliguar te njoftojnë me shkrim Këshillin, respektivisht Kryesuesin e Panelit Hetimor.
[...]
3. Ne te gjitha rastet kur paraqitet konflikti i interesit ndërpritet procedura derisa te vendoset për pretendimet e palëve.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, dhe se i njëjti konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin A. A. nr. 3/2023, të 10 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtueshmëri me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton po ashtu nëse kërkesa i përmbushë kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2), të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(2) Gjykata mund ta konsideroj kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që ajo mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Kushtetutës apo të Konventës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43); dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Fillimisht, Gjykata rikujton se sipas jurisprudencës së GjEDNj, një ankesë/kërkesë karakterizohet nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih, rastin e GjEDNj-së: Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Duke iu rikthyer pretendimeve të ngritura në ketë kërkesë, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ankohet se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KPK-së shkelin të drejtat e tij të garantuara me dispozitat e nenit 31 të Kushtetutës dhe dispozitat e nenit 6 të KEDNj-së.
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se esenca e pretendimeve që ngërthen kërkesa e parashtruesit të kërkesës ka të bëj me faktin se (i) Gjykata Supreme nuk e ka ftuar atë në seancë dëgjimore; (ii) se nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet; dhe se (ii) në rastin e tij është vepruar në kundërshtim me faktet dhe dispozitat ligjore të aplikueshme.
Andaj, sa me sipër, Gjykata do i shqyrtojë dhe analizojë pretendimet e lartcekura nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, duke aplikuar parimet e përgjithshme të përcaktuara nga GjEDNj-ja, në bazë të të cilave Gjykata, por dhe gjykatat e rregullta, janë të obliguara që në pajtueshmëri me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë t’i interpretojnë në harmoni me praktiken gjyqësore të GjEDNj-së.
I. Vlerësimi i Gjykatës, përkitazi me pretendimet për shekeje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së
i. Përkitazi me “të drejtën për seancë dëgjimore”
a) Parimet e përgjithshme
Në lidhje me pretendimet që ngrenë çështje të së drejtës për tu dëgjuar, gjegjësisht për seancë dëgjimore, Gjykata i referohet jurisprudencës së GjEDNj-së, e cila përcakton se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNj-së, mbron palët ndërgjyqëse nga administrimi i drejtësisë në fshehtësi, në mungesë të një shqyrtimi publik. Publiciteti i procedurave gjyqësore është gjithashtu një nga mekanizmat kryesorë nëpërmjet së cilës ruhet besimi në drejtësi. Një parim i tillë, për më tepër, kontribuon në arritjen e qëllimeve të nenit 31 të Kushtetutës dhe të nenit 6 të KEDNj-së për një proces të drejtë gjyqësor, garantimi i të cilit është një nga parimet themelore të çdo shoqërie demokratike të mishëruara në Kushtetutë dhe KEDNj.
Gjykata thekson se praktika gjyqësore e GjEDNj-së ka vendosur parimet themelore përkitazi me të drejtën për seancë dëgjimore. Bazuar në këtë praktikë gjyqësore, Gjykata gjithashtu ka përcaktuar parimet dhe përjashtimet përkatëse, bazuar në të cilat vlerësohet domosdoshmëria e mbajtjes së një seance dëgjimore, varësisht nga rrethanat e rasteve përkatëse. Rishtazi, nëpërmjet një numri aktgjykimesh, Gjykata ka vënë theks në këto parime, duke konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së për shkak të mos-mbajtjes së një seance dëgjimore para DHPGJS-së, përkatësisht edhe para Kolegjit të Specializuar edhe Kolegjit të Apelit, me rastin e përcaktimit të të drejtave të punëtorëve të ish-ndërmarrjes “Agimi”, pas privatizimit të së njëjtës, të cilave raste Gjykata në vijim do t’ ju referohet si rastet e Gjykatës të ish-ndërmarrjes “Agimi” (shih 5 (pesë) aktgjykimet në rastet e ish-ndërmarrjes “Agimi”: KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, me parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020; KI160/19, KI161/19, KI162/19, KI164/19, KI165/19, KI166/19, KI167/19, KI168/19, KI169/19, KI170/19, KI171/19, KI172/19, KI173/19 dhe KI178/19, parashtrues Muhamet Këndusi dhe të tjerët, Aktgjykim i 27 janarit 2021; KI181/19, KI182/19 dhe KI183/19, me parashtrues Fllanza Naka, Fatmire Lima dhe Leman Masar Zhubi, Aktgjykim i 27 janarit 2021; KI220/19, KI221/19, KI223/19 dhe KI234/19, parashtruese Sadete Koca Lila dhe të tjerët, Aktgjykim i 25 marsit 2021; dhe KI186/19; KI187/19, KI200/19 dhe KI208/19, me parashtrues Belkize Vula Shala dhe të tjerët; Aktgjykim i 28 prillit 2021).
Gjykata rikujton se, në parim, palët ndërgjyqëse kanë të drejtë për seancë dëgjimore publike, por një detyrim i tillë nuk është absolut. GjEDNj ka theksuar se në procedurat para një gjykate të shkallës së parë dhe të vetme, e drejta për seancë dëgjimore është e garantuar nëpërmjet paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNj-së (shih, ndër të tjera, rastet e GjEDNj-së, Fredin kundër Suedisë (nr. 2), kërkesa nr. 18928/91, Aktgjykim i 23 shkurtit 1994, paragrafët 21-22; Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), kërkesa nr. (8/1997/792/993), Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 46; Göç kundër Turqisë, kërkesa nr. 36590/97, Aktgjykim i 11 korrikut 2002, paragrafi 47; dhe Selmani dhe të tjerët kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, kërkesa nr. 18928/91, Aktgjykim i 9 shkurtit 2017, paragrafët 37-39). Përjashtim nga ky parim i përgjithshëm, përbëjnë rastet në të cilat “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore” në shkallën e parë dhe të vetme (shih, në këtë aspekt, rastet e GjEDNj-së, Hesse-Anger dhe Anger kundër Gjermanisë, Vendim i 17 majit 2001; dhe Mirovni Inštitut kundër Sllovenisë, kërkesa nr. 32303/13) Aktgjykim i 13 marsit 2018, paragrafi 36). Karakteri i rrethanave të tilla të jashtëzakonshme buron nga natyra e çështjeve që ngërthen një rast, për shembull, rastet që kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje ligjore ose janë të natyrës shumë teknike (shih, në këtë drejtim rastin e GjEDNj-së, Koottummel kundër Austrisë, kërkesa, nr. 49616/06, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2009, paragrafët 19 dhe 20).
Për sa i përket çështjes së detyrimit për të mbajtur seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së dytë ose të tretë, praktika gjyqësore e GjEDNj-së thekson se mungesa e një seance dëgjimore mund të justifikohet bazuar në karakteristikat e veçanta të rastit përkatës, me kusht që një seancë dëgjimore të jetë mbajtur në shkallë të parë (shih, në lidhje me këtë rastin e Gjykatës KI85/19, parashtrues Bujar Shabani, Aktvendimi i 6 prillit 2020, paragrafi 83; si dhe rastin e GjEDNj-së, Salomonsson kundër Suedisë, nr. 38978/97, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 36). Prandaj, procedurat para gjykatave të apelit, dhe të cilat përfshijnë vetëm çështje të ligjit, dhe jo çështje fakti, mund të konsiderohen të jenë në përputhje me garancitë e mishëruara në paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së, edhe nëse në shkallë të dytë nuk është mbajtur seancë dëgjimore (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së, Miller kundër Suedisë, nr. 55853/00, Aktgjykim i 8 shkurtit 2005, paragrafi 30).
Në parim, mungesa e një seance dëgjimore mund të justifikohet vetëm përmes “ekzistencës së rrethanave të jashtëzakonshme”, siç janë definuar përmes praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në të kundërtën një e tillë është e garantuar për palët në të paktën njërin nivel të juridiksionit, bazuar në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së (shih, rastet e Gjykatës në rastin e ish-ndërmarrjes “Agimi”, KI145/19, KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, të cituar më lart).
Thënë këtë, një seancë dëgjimore mund të mos kërkohet kur nuk ka çështje të besueshmërisë ose fakteve të kontestuara që kërkojnë një seancë dëgjimore dhe gjykatat mund të vendosin çështjen në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme në bazë të parashtresave të palëve dhe materialeve të tjera të shkruara (shih, rastet e GjEDNj-së: Döry kundër Suedisë, nr. 28394/95, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 37; Saccoccia kundër Austrisë, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73).
Bazuar në sa me sipër, Gjykata rikujton se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNj-së, në parim garanton mbajtjen e një seance dëgjimore në të paktën njërin nivel të vendimmarrjes. Një e tillë, në parim, është e detyrueshme nëse gjykata e shkallës së parë ka kompetencë të vetme të vendimmarrjes për çështjet e faktit dhe të ligjit; dhe (ii) jo e detyrueshme në shkallë të dytë nëse një seancë dëgjimore është mbajtur në shkallë të parë, përkundër faktit që një përcaktim i tillë varet nga karakteristikat e rastit përkatës, për shembull, nëse shkalla e dytë vendos edhe për çështje fakti edhe ligji; dhe (iii) e detyrueshme në shkallë të dytë nëse një e tillë nuk është mbajtur në shkallë të parë, në rastet kur shkalla e dytë ka kompetencë të plotë për të vlerësuar vendimin e shkallës së parë, edhe përkitazi me çështjet e faktit dhe të ligjit. Përjashtime nga këto raste, në parim, bëhen vetëm nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, dhe të cilat GjEDNj, siç është sqaruar më lart, nëpërmjet praktikës së saj gjyqësore i ka përcaktuar si raste që kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje ligjore ose janë të natyrës së lartë teknike.
b) Aplikimi i parimeve të shtjelluara më lart në rrethanat e rastit konkret
Gjykata fillimisht thekson se në rrethanat e rasti konkret kemi të bëjmë ekskluzivisht me çështje të natyrës disiplinore, e cila është zhvilluar në dy nivele juridiksionesh, bazuar në LPDGjP dhe aktet nënligjore në fuqi, që e rregullojnë fushën e disiplinës dhe të përgjegjësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në të tilla rrethana, ligjvënësi e ka veshur me autorizime KPK-në, për të venduar si instancë e parë për çështje fakti dhe ligji, kur trajton çështjet me natyre disiplinore. Sikundër, ligjvënësi ka paraparë gjithashtu mjete efektive juridike kundër vendimeve të KPK-së, në shkallë të dytë, përkatësisht mundësinë e parashtrimit të ankesës në Gjykatën Supreme, e cila në parim vendos për ligjshmërinë e vendimeve të instancës së parë, gjegjësisht KPK-së.
Në këtë kontekst, Gjykata do të shqyrtojë dhe analizojë tutje nëse parashtruesit të kërkesës i është mundësuar e drejta për t’u dëgjuar në lidhje me çështjen e tij. Në ketë drejtim, Gjykata i referohet shkresave të lëndës dhe vëren se parashtruesi i kërkesë përgjatë gjithë proceduarës disiplinore dhe deri në përfundimin e saj me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, në cilësi të subjektit të hetimit, ishte dëgjuar katër (4) herë, fillimisht nga Paneli hetimor, më 31 gusht 2022, të cilin e ka themeluar KPK, më pas më 30 shtator 2022 nga vetë KPK-ja, e cila e kishte kthyer çështjen për vërtetim të plotë të gjendjes faktike pranë Panelit hetimor dhe së fundmi i njëjti është dëgjuar më 23 nëntor 2022 nga Paneli hetimor dhe më 23 dhjetor 2022 serish nga KPK-ja.
Në këtë rast, Gjykata verën se KPK, si instancë e shkallës së parë, kishte administruar faktet dhe provat e çështjes që ishin objekt trajtimi para saj dhe kishte konstatuar, si në vijim: “...Këshilli Prokurorial i Kosovës pas.... shqyrtimit, analizimit, krahasimit të provave të cekura në raportin e panelit hetimor, fjalës përfundimtare të Kryesuesit të Panelit Hetimor dhe Kryeprokurorit Ramiz Buzhala, erdhi në përfundim se, në rastin konkret duke tejkaluar përgjegjësitë si Kryeprokuror, z. Buzhala, ka dëmtuar reputacionit e vet kryeprokurorit dhe sistemit prokurorial në tërësi”.
Gjykata verën se KPK-ja, në rastin e parashtruesit të kërkesës, ka vendosur për çështje fakti dhe ligji, dhe se para se të merrte vendim për çështjen, e kishte dëgjuar atë dhe kryesuesin e Penelit hetimor, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me aktet në fuqi. Parashtruesi i kërkesës edhe përkundër faktit se ishte dëgjuar dy herë nga Paneli hetimor dhe dy herë nga KPK, sërish kishte insistuar që të dëgjohej edhe nga instanca e dytë, përkatësisht nga Gjykata Supreme, e cila ka pranuar në tërësi mënyrën e administrimit të fakteve dhe provave nga KPK-ja dhe nuk e ka konsideruar të domosdoshme mbajtjen e një seancë dëgjimore tjetër për të vendosur për çështjen në fjalë.
Në këtë drejtim, Gjykata duke u bazuar në praktikën e GjEDNj-së, thekson se gjykatat e rregullta duhet të kenë parasysh kërkesat/nevojën për efikasitet dhe parimin ekonomik. Mbajtja sistematike e seancave mund të jetë pengesë për kujdesin e veçantë që kërkohet gjatë administrimit të rastit (shih, mutatis mutandis, rastin e GjEDNj-së, Affaire Schuler-Zgraggen kundër Zvicrës, nr. 14518/89, Aktgjykim i 24 qershorit 1993). Përderisa dëgjimi publik përbën një parim themelor të parashikuar në paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNj-së, detyrimi për të mbajtur një seancë të tillë nuk është absolut (shih, rasti i GjEDNj-së: De Tommaso kundër Italisë, nr. 43395/09, Aktgjykim i 23 shkurtit 2017, paragrafi 163). Për të vërtetuar nëse një gjykim përputhet me kërkesën e publicitetit, është e nevojshme të merren parasysh procedurat në tërësi (Axen kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 8273/78, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 28).
Në mënyrë të ngjashme, GjEDNj-ja vepron edhe në ato raste në të cilat çështjet para gjykatës përkatëse janë ekskluzivisht ligjore, dhe nuk përfshijnë vlerësimin e fakteve kontestuese. Gjykata rikujton se në këtë mënyrë ka vepruar edhe Gjykata Supreme, si instancë përfundimtare, e cila nuk ka ngritur dilema për çështje fakti dhe ligji, që do e vënin në pikëpyetje rregullsinë e procesit si tërësi. Pra ishte plotësisht në juridiksionin e Gjuajtës Supreme për të thirrur ose jo seancë dëgjimore në rastin e parashtruesit të kërkesës, pasi i njëjti ishte dëgjuar nga instanca e parë.
Në mbështetje të këtij konstatimi, Gjykata rikujton që nëpërmjet Aktgjykimit të GjEDNj-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, specifikisht ishte përcaktuar se, një seancë dëgjimore është e domosdoshme në rrethana që ngërthejnë nevojën për shqyrtimin e çështjeve të ligjit dhe të faktit, përfshirë rastet në të cilat është i nevojshëm vlerësimi nëse autoritetet më të ulëta kanë vlerësuar faktet në mënyrë të saktë. Kjo vlen posaçërisht në rrethana në të cilat nuk është mbajtur seancë dëgjimore as para shkallës më të ulët.
Andaj, Gjykata duke marrë parasysh faktin: (i) se në rastin e parashtruesit të kërkesës janë zhvilluar katër (4) seanca dëgjimore, dy nga Paneli hetimor dhe dy nga KPK, si nivel i parë i juridiksionit; (ii) se i njëjti është dëgjuar nga KPK-ja, përkitazi me çështjet e faktit dhe të ligjit; (iii) se i janë dhënë mundësi të mjaftueshme për të paraqitur çështjen e tij pranë Panelit hetimor dhe KPK-së; dhe (iv) se Gjykata Supreme gjatë shqyrtimit të rastit të tij nuk kishte hapur çështje të faktit në kuptim të vlerësimit të ndonjë prove të re; dhe (v) se çështja në shqyrtim para Gjykatës së Supreme ishte ekskluzivisht ligjore, e cila vendosi për rastin, mbi bazën e dosjes së lëndës, konsideron se parashtruesi i kërkesë është dëgjuar në mënyrë të rregullt.
Thënë këtë, Gjykata konsideron se në rrethanat e rastit konkret është përmbushur standardi i palës së dëgjuar dhe se veprimet e Gjykatës Supreme nuk mund të thuhet se janë të papajtueshme me parimet e përcaktuara, gjegjësisht me praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, e cila zbatohet drejtpërdrejtë në rendin juridik të brendshëm të Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për “seancë dëgjimore” nga ana e Gjykatës Supreme, i takojnë kategorisë së tretë (iii), të pretendimeve “të pambështetura ose të pajustifikuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara.
ii. Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesë se “nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen”
a) Parimet e përgjithshme
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata fillimisht thekson se e drejta për të përgatitur mbrojtjen, garantohet me dispozitat e nenit 30 të Kushtetutës, dhe me paragrafin 3 (b) të nenit 6 të KEDNj-së. Qëllimi i këtyre dispozitave është të ilustrojnë nocionin e “gjykimit të drejtë” në lidhje me situatat tipike procedurale që lindin në çështjet penale dhe të sigurojnë drejtësinë e procedurës penale në tërësi. Prandaj, garancitë e parashikuara në paragrafin 3 (b) të nenin 6 të KEDNj-së duhet të interpretohen në përputhje me rrethanat e rastit dhe në kontekstin e përgjithshëm të procedurës. (shih rastin e GjEDNj-së, Mayzit kundër Rusisë, nr. 63378/00, Aktgjykim i 20 janarit 2005).
Gjykata po ashtu thekson se neni 30 i Kushtetutës, në dritën e interpretimit të paragrafit 3 (b) të nenit 6 të KEDNj-së, i garanton të akuzuarit “kohë dhe lehtësi adekuate për përgatitjen e mbrojtjes së tij” dhe për këtë arsye nënkupton se veprimtaria e mbrojtjes thelbësore në emër të tij mund të përfshijë gjithçka që është “e nevojshme” për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor. I akuzuari duhet të ketë mundësinë që të organizojë mbrojtjen e tij në mënyrë të përshtatshme dhe pa kufizime në lidhje me mundësinë e paraqitjes së të gjitha argumenteve përkatëse mbrojtëse para trupit gjykues dhe në këtë mënyrë të ndikojë në rezultatin e procedurës. Dispozita shkelet vetëm nëse kjo bëhet e pamundur. (Shih rastin e GjEDNj-së, Can kundër Austrisë, nr. 9300/81, raporti i Komisionit i 12 korrikut 1984, Seria A nr. 96, paragrafi 53).
Në këtë kontekst, “të drejtat e mbrojtjes”, të garantuara me nenin 30 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 3 (b) të nenit 6 të KEDNj-së janë krijuar, mbi të gjitha, për të vendosur barazi, sa më shumë që të jetë e mundur, ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes. Lehtësirat që duhet t’i jepen të akuzuarit janë të kufizuara në ato që e ndihmojnë ose mund ta ndihmojnë atë në përgatitjen e mbrojtjes së tij. (Shih rastin e GjEDNj-së, Jespers kundër Belgjikës, nr. 8403/78, raporti i Komisionit i 14 dhjetorit 1981, DR 27, f. 61, paragrafët 55 dhe 57).
Gjykata thekson se i akuzuari duhet të ketë mundësi të kërkojë shtyrjen ose lënien për më vonë të seancës në rast se sheh ndonjë problem tek afati i caktuar. (Shih rastet e GjEDNj-së, Campbell e Fell kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 28 qershorit 1984, paragrafi 98; Bäckström e Andersson kundër Suedisë, kërkesa nr. 67930/01, vendimi i 5 shtatorit 2006; Craxi kundër Italisë (nr. 1), paragrafi 72), përveçse në rrethana të jashtëzakonshme (Goddi kundër Italisë, kërkesa nr. 8966/80, Aktgjykim i 9 prillit 1984, paragrafi 31) apo në qoftë se në të drejtën e praktikën e brendshme nuk ka asnjë bazë për një gjë të tillë (Galstyan kundër Armenisë, kërkesa nr. 26986/03, Aktgjykim i 15 nëntorit 2007, paragrafi 85).
b) Aplikimi i parimeve të shtjelluara më lart në rrethanat e rastit konkret
Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesë pretendimin për shkelje të kësaj të drejte e ndërlidhë me faktin se në cilësi të subjektit të hetimit i njëjti ishte ftuar vetëm disa ditë para mbajtjes së seancave dëgjimore nga Paneli hetimor dhe nga KPK-ja, dhe se kjo e fundit nuk e kishte njoftuar për zgjatje të afatit për shqyrtimin e lëndës disiplinore që zhvillohej kundër tij. Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se shkelja e kësaj të drejte ka ardhur edhe si rezultat i mosdorëzimit të kopjes së procesverbalit të seancës së 23 dhjetorit 2023 të mbajtur nga KPK-ja, i cili, sipas tij, do i ndihmonte për t’i vërtetuar pretendimet e ngritura që në fillim të seancës shqyrtuese.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata verën se parashtruesi i kërkesës përgjatë gjithë fazave të procedurës ka pasur mundësi të bollshme për t’i kundërshtuar të gjeturat e Panelit hetimor dhe të KPK-së. Për më tepër, Gjykata rikujton se në lidhje me natyrën e shkeljeve disiplinore, parashtruesi i kërkesës ishte njoftuar që në fillim të procedurës disiplinore të ngritur ndaj tij. Andaj Gjykata vlerëson se i njëjti duket të këtë pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet dhe se ky fakt lehtësisht mund të konfirmohet nga shkresat e lëndës.
Për sa i përket pretendimit se edhe mosdorëzimi i procesverbalit, i 23 dhjetorit 2022 nga ana e KPK-së, ka ndikuar në mos përgatitjen e duhur të mbrojtjes së vet, Gjykata rikujton se procesverbali i shkruar i ndihmon procesit gjyqësor, përkatësisht gjykatave për të vërtetuar pohimet e palëve në procedurë në një proces gjykimi, në lidhje me ndonjë pretendim apo kundërshtim të caktuar. Për me tepër, procesverbali i 23 dhjetorit 2022 i është nënshtruar vlerësimit nga ana e Gjykatës Supreme, e cila bazuar në pohimet dhe deklarimet e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar pretendimin e tij përkitazi me konfliktin e interesit të anëtares J.G, duke arsyetuar, si në vijim: “Paraqitësi i ankesës pretendon në shkelje të nenit 13 të Rregullores nr.05/2019, apo ekzistimin e konflikt të interesit rreth përbërjes së këshillit, të cilën çështje thekson se e ka ngritur në seancën e datës 23.12.2022, mirëpo kjo gjykatë nuk ka mundur ta gjej një shkelje të tillë në bazë të shkresave të lëndës. Për ta trajtuar ketë pretendim, kjo gjykatë zyrtarisht ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial procesverbalin e seancës, të datës 23 dhjetor 2020, mirëpo nga përmbajtja e procesverbalit nuk rezulton që paraqitësi ankesës të ketë ngritur pretendime të tilla, ashtu siç pretendon në ankesë.
Gjykata, pas parasysh faktin e lartcekur, se parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të bollshme dhe efektive për t’i kundërshtuar faktet kundër tij, pranë gjykatave të rregullta, konsideron se pretendimet e tij për “pamundësinë për të përgatitur mbrojtjen e vetë”, të garantuara me dispozitat e nenit 6 të KEDNj-së, i takojnë po ashtu kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të pajustifikuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i shpallë qartazi të pabazuara.
iii. Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesë për “vërtetim të gabuar të fakteve dhe zbatim të gabuar të ligjit”
Gjykata rikujton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për “gjykim të drejte dhe të paanshëm” ndërlidhet, ndër të tjera, edhe me mënyrën e vërtetimit të fakteve dhe të aplikimit të ligjit nga autoritetet publike, duke theksuar se nga shumë veprime hetimore të ndërmarra, nuk ka mundur të vërtetohet se nga kush janë dërguar pyetjet e testit. Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se vlerësimi i Gjykatës Supreme, se 11 nga pyetjet e testit me shkrim për provimin për bashkëpunëtor profesional, që është dashur të mbahet më 13 korrik 2022 të cilat i janë dërguar gabimisht gazetares, janë të njëjta me pyetjet e testit për bashkëpunëtor profesional, është i paqëndrueshëm sepse vetëm gjashtë deri shtatë (6-7) prej tyre mund të konsiderohen si të njëjta edhe pse ka dallime substanciale rreth formulimit të tyre.
Në vlerësimin e Gjykatës, pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës ngrenë çështje të natyrës së shkallës së katërt, sepse ndërlidhen me çështje fakti dhe ligji. Andaj, në parim, Gjykata Kushtetuese ka theksuar që ajo nuk mund të vë në dyshim gjetjet e gjykatave të rregullta që kanë të bëjnë me: (i) vërtetimin e fakteve të rastit; (ii) interpretimin dhe zbatimin e ligjit; (iii) pranueshmërinë dhe vlerësimin e provave në gjykim; (iv) drejtësinë substanciale të rezultatit të një kontesti civil; apo edhe (v) fajin ose pafajësinë e të akuzuarit në procedurën penale.
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, e cila në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e Gjykatës KI49/19, me parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 10 shtatorit 2019, dhe KI08/23, cituar më lart, paragrafi 35).
Gjykata rikujton se neni 31 i Kushtetutës nuk i garanton askujt rezultat të favorshëm në një proces gjyqësor dhe as nuk përcakton që Gjykata, ta vë në diskutim zbatimin e së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontest civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. Gjykata gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtrueses së kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GjEDNj-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; rastin e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim i 10 shtatorit 2021).
Gjykata, megjithatë, thekson se jurisprudenca e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, në këtë drejtim, rastin e GjEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000.). Në parim, një përjashtim i tillë ndërlidhet me rastet të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Në lidhje me natyrën e këtyre pretendimeve, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila arsyetoi: “Gjykata Supreme e Kosovës, e ka pranuar qëndrimin e KPK-së, për zbatimin e të drejtës materiale, duke vlerësuar se në përputhje me gjendjen faktike të provuar, e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, për arsye se me nenin 6 paragrafi 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve, përcaktohet se: "Shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rendë: nenparagrafi 2.10 përcakton se: ''përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit". Ndërsa me nenin 7 paragrafi 1 të këtij ligji përcaktohet se: "Për shkelje disiplinore, këshillat përkatës mund ti shqiptojnë gjyqtareve dhe prokuroreve një ose me shumë nga sanksionet disiplinore në vijim: 1.1. vërejtje jopublike me shkrim; 1.2. vërejtje publike me shkrim; 1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës në 50% për një periudhë deri në një vit; 1.4.4 transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ultë; 1.5. propozim për shkarkim", ndërsa me paragrafin 2 të këtij neni përcaktohet se; "Masat disiplinore shqiptohen vetëm në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marrë parasysh: 2.1. numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore te kryera nga një gjyqtar apo prokuror; 2.2. pasojat e shkeljes disiplinore; 2.3. rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore; 2.4. performanca dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit dhe 2.5. sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore”.
Si përfundim, Gjykata Supreme, konstatoi se: Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore, Gjykata Supreme erdhi në përfundim se KPK, drejt ka aplikuar të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e kryeprokurorit të pretenduar nga Autoriteti Kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor. Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga KPK, është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marrë parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga kryeprokurori, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, sjellja e përgjithshme e prokurorit si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i prokurorit në procedurë disiplinore, rrethana këto që kanë ndikuar gjetjen e nivelit të proporcionalitetit, në mes të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, siç përcaktohet me nenin 7 paragrafi 2 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtareve dhe Prokuroreve.”
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës në të vërtetë nuk ka arritur të ngrejë nivelin e argumentimit të shkeljeve të pretenduara në nivel kushtetues, për faktin se nuk ka shtjelluar tutje se ku qëndron arbitrariteti në interpretimin e normës së ligjit të zbatuar nga ana e Gjykatës Supreme. Për më tepër, Gjykata verën se parashtruesi i kërkesës mori përgjigje të arsyetuar për të gjitha pretendimet që ngrënin çështje fakti dhe ligji, të cilat i kishte ngritur nëpërmjet ankesës së 3 shkurtit 2023, përfshi edhe pretendimet për joproporcionalitetin e sanksionit disiplinor të shqiptuar ndaj tij nga KPK-ja.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk është përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i normës së ligjit të aplikueshëm nga ana e autoritetit publik mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar kësisoj në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” apo se si procedurat e zhvilluara, në tërësinë e tyre, mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare (shih ngjashëm rastin GjEDNj-së, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Andaj, nga shtjellimet e mësipërme, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të dispozitave të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.
Përfundime
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për seancë dëgjimore nga ana e Gjykatës Supreme dhe pretendimet për pamundësinë për të përgatitur mbrojtjen e vetë, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të pajustifikuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i shpallë qartazi të pabazuara; dhe (II) pretendimet për “vërtetim të gabuar të fakteve dhe zbatim të gabuar të ligjit”, kualifikohen në kategorinë e parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen po ashtu qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të shpallet e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit, rregullin 34 (2) dhe rregullin 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 16 korrik 2024, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenin 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtare raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Ramiz Buzhala
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër