Prishtinë, më 1 mars 2024
Nr. Ref.: RK 2378/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI209/22
Parashtrues
Naime Krasniqi Jashanica
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit A. A. nr. 10/2022, të 22 gushit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare, dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtrues i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Naime Krasniqi - Jashanica, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston Aktgjykimin [A. A. nr. 10/2022] e 22 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Vendimin [KGJK. nr. 318/2022] e 28 korrikut 2022 të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK).
Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtrueses së kërkesës më 29 gusht 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KGJK-së, me të cilët parashtruesja e kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-21 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur, e cila ka shfuqizuar Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese nr. 01/2018. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës, nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 dhjetor 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë.
Më 30 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR. KI209/22 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI209/22 emëroi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 24 janar 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës, njoftoi parashtruesen e kërkesës dhe nga një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme dhe KGJK-së.
Më 19 shtator 2023, gjyqtari Enver Peci, në bazë të nenit 18 (Përjashtimi i gjyqtarit) të Ligjit dhe rregullit 38 (Procedura për përjashtim) të Rregullores së punës, kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin K209/22.
Më 20 shtator 2023, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [KK423/23], miratoi kërkesën e gjyqtarit Enver Peci, për përjashtimin e tij nga vendimmarrja, për rastin K209/22.
Më 26 shtator, Kryetarja e Gjykatës mori Vendimin KSH. KI209/22, për zëvendësimin e gjyqtarit Enver Peci, i cili ishte caktuar si anëtar i Kolegjit shqyrtues, me Vendimin KSH. KI209/22, të 30 dhjetorit 2022, dhe në vend të tij caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci, pasi që gjyqtarit Enver Peci kishte kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin KI209/22 dhe kërkesa e tij ishte miratuar.
Më 18 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të deklarojë kërkesën të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës, rezulton se më 28 dhjetor 2021, Kryetari i Gjykatës Supreme, kishte dorëzuar një parashtresë në kompetencë të Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, përkitazi me procedimin e lëndës së procedurës paraprake PPRKR.nr.741/21 nga parashtruesja e kërkesës, e cila ishte caktuar gjyqtare e procedurës paraprake për të shqyrtuar kërkesën për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A. M., i cili dyshohej se kishte kryer veprat penale: “Lëndim i lehtë trupor” nga paragrafi 2 i nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 366 KPRK-së.
Më 27 janar 2022, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me parashtresën e mësipërme, e njoftoi parashtruesen e kërkesës, si në vijim: “Ju është parashtruar kërkesa për fillimin e hetimeve disiplinore, lidhur me lëndën penale PPRKR. nr. 741/21 për t’ ju nënshtruar procedurës së mëtejme në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”.
Më 28 janar 2022, Autoriteti kompetent i Gjykatës Themelore në Prishtinë (GjThP), ia dorëzoi KGJK-së kërkesën nr. AD/GJTHPR/46/21 për fillimin e procedurës disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës. Në arsyetim të kërkesës, theksohet: “Bazuar në faktet e prezantuara në këtë kërkesë për inicim të procedurës disiplinore, autoriteti kompetent konsideron se në çështjen penale PPRKR. nr. 741/21 gjyqtarja nuk i ka ndërmarr veprimet konform përgjegjësive të saj gjyqësore që të sigurohet që kërkesa për caktim të arrestit shtëpiak të trajtohet brenda afatit ligjor dhe ka dështuar në zbatim të dispozitave ligjore të nenit 164, par. 10 i KPPRK-së”.
Më 10 shkurt 2022, KGJK me Vendimin KGJK. nr. 50/2022, nga radhët e gjyqtarëve caktoi një Panel hetimor për të shqyrtuar lëndën [AD/KGJK/04/2022/GJTHPR - AD/ GJTHPR. nr. 46/21] e parashtrueses së kërkesës. Parashtruesja e kërkesës me këtë rast kishte dhënë deklaratë nën betim.
Më 22 shkurt 2022, Autoriteti kompetent i GjThP-së njoftoi parashtruesen e kërkesës se ndaj saj ka filluar procedura e hetimit disiplinor për shkeljet e supozuara të rregullave të disiplinës.
Më 20 prill 2022, Paneli hetimor mbajti seancë dëgjimore, në të cilën u dëgjua parashtruesja e kërkesës në cilësi të subjektit të hetimit.
Më 27 prill 2022, Kryesuesi i Panelit hetimor, në lidhje me lëndën në fjalë, kishte propozuar një marrëveshje vullnetare, e cila kishte pesë (5) kushte, ku në këmbim të pranimit të tyre, parashtrueses së kërkesës do t’i shqiptohej vërejtje jo-publike me shkrim.
Më 29 prill 2022, parashtruesja e kërkesës kishte pranuar kushtet e marrëveshjes.
Më 4 maj 2022, Paneli hetimor ia dorëzoi KGJK-së raportin në lidhje me hetimin e bërë për shkeljet e pretenduara disiplinore, së cilës ia bashkëngjiti edhe marrëveshjen vullnetare të pranuar nga parashtruesja e kërkesës.
Më 31 maj 2022, KGJK shqyrtoi marrëveshjen vullnetare të propozuar nga Paneli hetimor dhe e refuzoi të njëjtën me arsyetimin se masa disiplinore e shqiptuar ndaj parashtrueses së kërkesës ishte jo-proporcionale me natyrën e shkeljes së rregullave të disiplinës.
Më 4 korrik 2022, KGJK fton parashtruesen e kërkesës dhe Panelin hetimor në seancë dëgjimore.
Më 7 korrik 2022, KGJK e mbajti seancën dëgjimore, në të cilën prezantuan Paneli hetimor dhe parashtruesja e kërkesës.
Më 28 korrik 2022, KGJK përkitazi me çështjen disiplinore, përfundimisht nxori Vendimin KGJK. nr. 318/2022, me të cilin: (i) shpallë parashtruesen e kërkesës përgjegjëse për shkeljet disiplinore nga nënparagrafi 7, paragrafi 2, i nenit 5 të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe pika 5 e Kodit të Etikës Profesionale për gjyqtarë; dhe (ii) ia shqiptoi se njëjtës sanksionin disiplinor “Transferimi i përhershëm nga Departamenti për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm” në të njëjtën Gjykatë.
Më 15 gusht 2022, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme, ndaj Vendimit [KGJK. nr. 318/2022] të 4 korrikut 2022 të KGJK-së, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, (ii) zbatimit të gabuar të ligjit material dhe shkeljeve procedurale. Nëpërmjet ankesës së saj parashtruesja e kërkesës i propozoi Gjykatës Supreme, si në vijim: “... që ankesën time ta pranoj si të bazuar, ndërsa Vendimin e atakuar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ta ndryshoj në atë mënyrë që mua të më liroj nga përgjegjësia disiplinore, ose që të njëjtin ta anuloj dhe ta kthej në rishqyrtim, apo së paku ta ndryshoj vendimin për sanksionin disiplinor, duke e shqiptuar një masë më të butë disiplinore, siç është propozuar nga Paneli hetimor”.
Më 22 gusht 2022, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin A. A. nr. 00/22, me të cilin refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi Vendimin [KGJK. nr. 318/2022] të 28 korrikut 2022 të KGJK-së, me arsyetimin: “Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që vendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, drejt dhe në mënyrë të plote është vërtetuar gjendja faktike, si dhe drejtë është aplikuar e drejta materiale e po ashtu nuk është i përfshirë as në shkelje tjera, të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë”.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se nëpërmjet aktgjykimit të Gjykatës Supreme por edhe nëpërmjet vendimit të KGJK-së, asaj i janë shkelur të drejtat për “gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat: (i) i aplikimit arbitrar të ligjit nga KGJK-ja, dhe (ii) i mungesës së arsyetimit të aktgjykimit nga Gjykata Supreme.
Pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i “aplikimit arbitrar të ligjit”
Parashtruesja e kërkesës pretendon se KGJK në mënyrë arbitrare ka aplikuar Ligjin për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sepse ka interpretuar në mënyrë të pabazuar atë, dhe në mënyrë joproporcionale i ka shqiptuar masën disiplinore, për faktin se sjelljet e saj i kishte cilësuar si të papërshtatshme dhe rrjedhimisht si cenim të sigurisë juridike, nëse ajo edhe më tej do të qëndronte në departamentin e krimeve të rënda. Kësisoj, parashtruesja e kërkesës, pretendon se marrja si rrethanë renduese e sjelljeve të saj përgjatë seancës dëgjimore, me rastin e vendosjes së kësaj çështjeje, e ka nxjerrë KGJK-në jashtë asaj që ishte objekt i trajtimit, në rastin konkret, dhe se në këtë kontekst ky argument e forcon edhe më tutje qasjen arbitrare të KGJK-së në aplikimin arbitrar të normës ligjore, në raport me parashtruesen e kërkesës.
Parashtruesja e kërkesës, në vijim pretendon se konstatimi i KGJK-së, përmban në vete shkelje esenciale të dispozitave të procedurës ligjore, respektivisht të nënparagrafit 7, paragrafi 2, të nenit 5 të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe të pikës 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, sepse: “Shkelja nuk mund të qëndroj meqë unë Naime Krasniqi në periudhën kohore 2013-2021 kam qenë e mbingarkuar me lëndë, detyra dhe përgjegjësi vetëm brenda vitit 2016 i kam të kryera afër 60 lëndë të krimeve të rënda ... që kanë qenë me prioritet, si të natyrës së korrupsionit, terrorizmit, krimit të organizuar, shpëlarje të parave, vrasje të rënda, narkotikëve të rrezikshëm, trafikim me qenie njerëzore etj.”
Tutje, parashtruesja e kërkesës pretendon se përkitazi me pikën 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, një konkluzion i tillë nuk qëndron për faktin se nëse shikohet performanca e saj, del se e njëjta ishte vlerësuar shumë mirë-shkëlqyeshëm. Sipas parashtrueses së kërkesës KGJK-ja ka theksuar se vendimi i nxjerrë është bazuar në raportin e Panelit hetimor dhe në prova materiale, e që kjo nuk është e vërtetë, ngase nëse shikohet raporti dhe incizimi i elaboruar me gojë, del se ajo kishte propozuar të ftohej si dëshmitare prokurorja M. L., dhe dëshmitarja D. G., por që ky propozim ishte refuzuar nga KGJK-ja.
Për më tepër, parashtruesja e kërkesës thekson se KGJK nuk mori parasysh provat tjera materiale të favorshme që i kishte propozuar, të cilat ishin pranuar nga Paneli hetimor, se nuk iu dha mundësia për t’u konsultuar me mbrojtës, se nuk u morën parasysh rrethanat lehtësuese që ajo nuk kishte pasur vërejtje të shqiptuar më parë si gjyqtare, dhe se KGJK nuk i kushtoi vëmendje deklarimit të saj, kur kishte theksuar se e kishte të pamundur shikimin e-emalit zyrtar përkitazi me kërkesën për masën e sigurisë së arrestit shtëpiak ngase ishte në fshat dhe nuk ka pasur qasje në internet, sikur që kërkesa nuk ishte dorëzuar në Gjykatë, në të njëjtën ditë, në forme fizike tek zyrtarja ligjore - në mungesë të referentëve ngase ditëve të vikendit nuk punon sistemi Smil.
Pretendimet për shekeje të nenit 31 të Kushtetutës, për “mungesë të arsyetimit të vendimit”
Parashtruesja e kërkesës pretendon se Gjykata Supreme nuk ka arritur të jap arsyetim të qartë ndaj pretendimeve të saj, për faktin se arsyetimi i kësaj te fundit është i bazuar vetëm në përshkrimin e fakteve dhe të arsyetimit të vendimit të KGJK-së. Përkitazi me standardet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar parashtruesja e kërkesës i referohet praktikës së Gjykatës, rasteve, KI72/12 dhe KI135/14, KI97/16, KI87/18 dhe KI230/19 dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), rastit H kundër Belgjikës.
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
LIGJI NR. 06/057 PËR PËRGJEGJËSITË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 5
Shkeljet disiplinore për gjyqtarë
[...]
2. Shkelje e detyrave të gjyqtarit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se gjyqtari i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë:
[...]
2.7. në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj;
[...]
KODI nr. 01/238 I ETIKËS PROFESIONALE PËR GJYQTARË
Pika 5
Profesionalizmi dhe përgjegjësia në punë
Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe efikase.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e njëjta konteston Aktgjykimin [A. A. nr. 01/22], të 22 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe se kërkesën e ka dorëzuar në Gjykatë në pajtueshmëri me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton po ashtu nëse kërkesa i përmbushë kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2), të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(2) Gjykata mund ta konsideroj kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të vet Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që ajo mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43); dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Nga shkresat e lëndës kuptohet që parashtruesja e kërkesës ushtron pozitën e gjyqtares në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndaj saj ishte ngritur procedurë disiplinore në lidhje me mos procedimin në kohë të lëndës penale PPRKR. nr. 741/21. Lidhur me këtë çështje, KGJK kishte caktuar një panel hetimor për të hetuar shkeljet e supozuara disiplinore. Paneli hetimor me këtë rast kishte dëgjuar fillimisht parashtruesen e kërkesës dhe më pas i kishte propozuar asaj një marrëveshjeje vullnetare, e cila përmbante disa kushte dhe si kompromis për pranimin e fajësisë, së njëjtës do i shqiptohej vërejtje jopublike me shkrim. Ky propozim ishte pranuar nga parashtruesja e kërkesës, por jo edhe nga KGJK-ja, sepse ky i fundit vlerësoi se masa e propozuar ishte joproporcionale me shkeljet disiplinore. Për rrjedhojë KGJK përfundimisht mori vendim për transferimin e saj nga departamenti i krimeve të rënda në departamentin e përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Parashtruesja e kërkesës më pas e kishte apeluar vendimin e KGJK-së në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit e kishte refuzuar ankesën e saj, si të pabazuar.
Fillimisht, Gjykata rikujton se sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNj), një ankesë karakterizohet nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih, në këtë kuptim rastin e GjEDNj-së: Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Në vazhdim, Gjykata i rikthehet pretendimeve të parashtrueses së kërkesës dhe rikujton se e njëjta pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me vendimin e KGJK-së shkelin të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Referuar shkresave të lëndës, Gjykata vëren se esenca e pretendimeve që ngërthen kërkesa e parashtrueses së kërkesës, ka të bëj me pretendimin për (i) aplikim arbitrar të ligjit nga ana e KGJK-së dhe (ii) mungesën e arsyetimit të vendimit nga ana e Gjykatës Supreme. Andaj, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë pretendimet e tilla nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës, në dritën e interpretimit të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNj-së, duke aplikuar parimet e përcaktuara nga GjEDNj-ja, në bazë të së cilave kjo Gjykatë dhe gjykatat e rregullta në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës janë të obliguara që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
I. Vlerësimi Gjykatës, përkitazi me shkeljet e pretenduara të dispozitave të nenit 31 të Kushtetutës
i. Pretendimet për “aplikim arbitrar të ligjit”
a) parimet e përgjithshme
Në vlerësimin e Gjykatës pretendimet e ngritura si më sipër nga parashtruesja e kërkesës ngrenë çështje të natyrës së shkallës së katërt, sepse ndërlidhen me vërtetim të fakteve dhe të provave dhe me mënyrën e interpretimit të dispozitave të LPDGjP-së dhe të KEPGj-së.
Andaj, Gjykata duke iu referuar praktikës gjyqësore të GjEDNj-së dhe të saj, përsërit se sipas Kushtetutës nuk është detyrë e saj si Gjykatë Kushtetuese të veprojë si “shkallë e katërt” përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është roli i këtyre të fundit që t’i interpretojnë dhe zbatojnë dispozitat përkatëse të së drejtës materiale dhe procedurale (shih, në lidhje me këtë rastin e GjEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999). Gjykata Kushtetuese vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë sa që parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë (shih, rastin e GjEDNj-së, Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 13071/87; dhe rastin e Gjykatës KI192/13, me parashtrues Hatixhe Avdyli, Aktvendimi i 24 shkurtit 2014).
Gjykata në mënyrë konsistente ka mbajtur qëndrimin se nuk është detyrë e saj si Gjykatë që të merret me gabimet e fakteve ose të ligjit (ligjshmërisë) që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta, përveç nëse ato i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNj. Andaj, Gjykata nuk duhet të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt”, kur shqyrtohen vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Çështjet që lidhen me vlerësimin e provave dhe peshimin e tyre nga ana e gjykatave të rregullta, nuk janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese që të rishikohen (shih, rastin e GjEDNj-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016; dhe rastin e Gjykatës KI70/11, me parashtrues Faik Hima, Magbule Hima, Bestar Hima, Aktvendimi i 12 dhjetorit 2011).
Gjykata, megjithatë, thekson se jurisprudenca e GJEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000.). Në parim, një përjashtim i tillë ndërlidhet me rastet të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e Gjykatës KI49/19, me parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 10 shtatorit 2019, dhe KI08/23, cituar më lart, paragrafi 35).
Gjykata, si rregull ka theksuar që ajo nuk mund të vë në dyshim gjetjet e gjykatave të rregullta që kanë të bëjnë me: (i) vërtetimin e fakteve të rastit; (ii) interpretimin dhe zbatimin e ligjit; (iii) pranueshmërinë dhe vlerësimin e provave në gjykim; (iv) drejtësinë substanciale të rezultatit të një kontesti civil; apo edhe (v) fajin ose pafajësinë e të akuzuarit në procedurën penale.
Gjykata rikujton se neni 31 i Kushtetutës nuk i garanton askujt rezultat të favorshëm në një proces gjyqësor dhe as nuk përcakton që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontest civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. Gjykata, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtrueses së kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GjEDNj-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; rastin e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim i 10 shtatorit 2021).
b) Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Duke iu referuar pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, për aplikim arbitrar të ligjit në rastin e saj nga ana e KGJK-së, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të saj, ndërlidhet me faktin se konstatimi i KGJK-së, përmban në vete shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, respektivisht të nënparagrafit 7, paragrafit 2, të nenit 5 të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe të pikës 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë, sepse: “Shkelja nuk mund të qëndroj meqë unë Naime Krasniqi në periudhën kohore 2013-2021 kam qenë e mbingarkuar me lëndë, detyra dhe përgjegjësi vetëm brenda vitit 2016 i kam të kryera afër 60 lëndë të krimeve të rënda ... që kanë qenë me prioritet, si të natyrës së korrupsionit, terrorizmit, krimit të organizuar, shpëlarje të parave, vrasje të rënda, narkotikëve të rrezikshëm, trafikim me qenie njerëzore etj.”
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Vendimit të 28 korrikut 2022 të KGJK-së, ku mes tjerash theksohet: “Sipas raportit të panelit hetimor dhe provave në shkresat e lëndës, gjyqtarja Naime Krasniqi Jashanica me mos trajtimin e rastit penal përkatës, ka shkelur nenin 5, nën pika 1.3 përkatësisht ka kryer shkeljen e detyrës zyrtare si gjyqtar, si dhe ka kryer shkeljen disiplinore të përcaktuar me nënparagrafin 2, pika 2.7 të nenit të lartcekur. Gjithashtu, gjyqtarja ka shkelur Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtar, respektivisht pikën 5, që ka të bëj me profesionalizmin dhe përgjegjësinë në punë. KGJK, vlerëson se mosveprimet e gjyqtares për të proceduar dhe organizuar punën rreth kërkesës për sigurimin e të pandehurit në procedurë, janë mosveprime me vetëdije, me ç’rast nënkupton se gjyqtarja ka dështuar t’i përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Pretendimi se me mosveprimin e gjyqtares nuk janë shkaktuar pasoja, sipas vlerësimit të Këshillit nuk ka ndikim në vendosjen e masës disiplinore, pasi që nuk mund të merren si rrethanë lehtësuese, sepse gjyqtarja ushtron funksionin në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku kërkohet ushtrim i përgjegjësisë me nivel të lartë të kujdesit, angazhim, profesionalizëm si dhe me integritet për të përmbushur kërkesat ligjore në funksion të një gjykate profesionale, objektive dhe të besueshme”.
Sa më sipër, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës në të vërtetë nuk ka arritur të ngrejë nivelin e argumentimit të shkeljeve të pretenduara në nivel kushtetues, për faktin se nuk ka shtjelluar tutje se ku qëndron arbitrariteti në interpretimin e normës së ligjit të zbatuar nga KGJK-ja, në dritën e rrethanave të rastit konkret. Për më tepër, ajo ankohet për jo-proporcionalitetin e sanksionit të shqiptuar disiplinor, në raport me natyrën e shkeljes së rregullave të disiplinës për të cilën e njëjta ka marrë përgjigje nga Gjykata Supreme, sikundër dhe për pretendime tjera që i kishte ngritur nëpërmjet ankesës së 15 gushtit 2022 pranë kësaj të fundit (shih, më poshtë paragrafin 65 të këtij aktvendimi).
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk është përmbushur kriteri përjashtues, kur interpretimi i normës së ligjit të aplikueshëm nga ana e autoritetit publik mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar kësisoj në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” apo se si procedurat e zhvilluara, në tërësinë e tyre, mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare (shih ngjashëm rastin GjEDNj-së, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; KI64/20, parashtrues Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43).
Andaj, nga shtjellimet e mësipërme, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të paragrafit 2, të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.
i. Përkitazi me të drejtën për “vendim të arsyetuar"
Parimet e përgjithshme
Garancitë e mishëruara në nenin 6, paragrafin 1 të KEDNj-së, përfshijnë edhe detyrimin e gjykatave që të paraqesin arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre (shih rastin e GJEDNj-së, H. kundër Belgjikës, nr. 8950/80, Aktgjykim i 30 nëntorit 1987, paragrafi 53). Vendimi i arsyetuar gjyqësor u tregon palëve se rasti i tyre është shqyrtuar me të vërtetë. Përkundër faktit që gjykata e brendshme ka një liri të caktuar të vlerësimit lidhur me përzgjedhjen e argumenteve dhe vendosjes për pranueshmërinë e dëshmive, ajo është e detyruar të justifikojë veprimet e saj duke arsyetuar të gjitha vendimet e saj (shih rastet e GJEDNj-së: Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 24 korrikut 2003, paragrafi 36; si dhe rastin Carmel Saliba kundër Maltës, nr. 24221/13, Aktgjykim i 24 prillit 2017, paragrafi 73).
Gjykata më e ulët ose autoriteti shtetëror, nga ana tjetër, duhet të japin arsye dhe arsyetime të tilla të cilat do t'ua mundësojnë palëve të shfrytëzojnë në mënyrë efektive çdo të drejtë ekzistuese të ankesës (shih rastin e GJEDNj-së Hirvisaari kundër Finlandës, nr. 49684/99, Aktgjykim i 25 dhjetorit 2001, paragrafi 30). Neni 6, paragrafi 1 i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk do të thotë se kërkohet përgjigje e detajuar lidhur me secilin argument (shih rastet e GJEDNj-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykim i 19 prillit 1994, paragrafi 61; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 29 janarit 1999, paragrafi 26; Perez kundër Francës, nr. 47287/99, Aktgjykim i 12 shkurtit 2004, paragrafi 81).
Nga natyra e vendimit që merr gjykata varet nëse Gjykata është e detyruar ta arsyetojë atë, dhe kjo mund të vendoset vetëm në dritën e rrethanave të rastit në fjalë: është e nevojshme të merren parasysh, ndër të tjera, llojet e ndryshme të parashtresave që një palë mund t'ia paraqesë gjykatës, si dhe dallimet që ekzistojnë midis sistemeve juridike të vendeve në lidhje me dispozitat ligjore, rregullat zakonore, pozicionet juridike dhe paraqitjen dhe hartimin e aktgjykimeve (shih rastet e GjEDNj Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, Aktgjykim i 9 dhjetorit 1994, paragrafi 27).
Megjithatë, nëse parashtresa e një pale është vendimtare për rezultatin e procedurës, ajo kërkon që t'i përgjigjet në mënyrë specifike dhe pa vonesë (shih rastet e GJEDNj-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, nr. 18390/91, të cituar më lart, paragrafi 30; Hiro Balani kundër Spanjës, nr. 18064/91, të cituar më lart, paragrafi 28). Prandaj, gjykatat janë të obliguara që: a) të shqyrtojnë argumentet kryesore të palëve (shih rastet e GJEDNj-së, Buzescu kundër Rumanisë, nr. 61302/00, Aktgjykim i 24 gushtit 2005, paragrafi 67; Donadze kundër Gjeorgjisë, nr. 74644/01, Aktgjykim i 7 qershorit 2006, paragrafi 35); dhe b) të shqyrtohen me shumë rigorozitet dhe kujdes të veçantë kërkesat në lidhje me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, KEDNj dhe protokollet e saj (shih rastet e GJEDNj-së: Fabris kundër Francës, 16574/08, Aktgjykim i 7 shkurtit 2013, paragrafi 72; Wagner dhe JMWL kundër Luksemburgut, nr. 76240/01, Aktgjykim i 28 qershorit 2007, paragrafi 96).
Paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së, nuk kërkon që Gjykata Supreme të japë arsyetim më të detajuar, kur ajo thjesht zbaton një dispozitë të caktuar ligjore lidhur me bazën ligjore për refuzimin e ankesës sepse ajo ankesë nuk ka një perspektivë për sukses (shih rastet e GJEDNj-së, Burg dhe të tjerët kundër Francës, nr. 34763/02; vendim i 28 janarit 2003; Gorou kundër Greqisë (nr. 2), nr. 12686/03, vendim i 20 marsit 2009, paragrafi 41). Në mënyrë të ngjashme, në një rast ku bëhet fjalë për një kërkesë që të lejohet parashtrimi i ankesës, që është një parakusht për procedurën e një gjykate më të lartë, si dhe për një vendim të mundshëm, neni 6, paragrafi 1, nuk mund të interpretohet në atë kuptim që të urdhëron një arsyetim të detajuar të vendimit për refuzimin e kërkesës për parashtrimin e ankesës (shih rastet e GJEDNj-së, Kukkonen kundër Finlandës (nr. 2), nr. 47628/06, Aktgjykim i 13 prillit 2009, paragrafi 24; Bufferne kundër Francës, nr. 54367/00, Vendimi i 26 shkurtit 2002).
Përveç kësaj, kur refuzon një ankesë, Gjykata e Apelit, në parim, thjesht mund të pranojë arsyetimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, cituar më lart, paragrafi 26; në kundërshtim me këtë, shih Tatishvili kundër Rusisë, nr. 1509/02, Aktgjykim i 9 korrikut 2007, paragrafi 62). Megjithatë, koncepti i procedurës së drejtë nënkupton që gjykata vendase që ka dhënë një shpjegim të ngushtë për vendimet e saj, qoftë duke përsëritur arsyetimet e dhëna më parë nga një gjykatë më e ulët ose në ndonjë mënyrë tjetër, në fakt merrej me çështje të rëndësishme brenda juridiksionit të saj, që do të thotë se nuk i pranoi thjesht dhe pa përpjekje shtesë konkluzionet e arritura nga gjykata më e ulët (shih rastin e GJEDNj-së, Helle kundër Finlandës, nr. (157/1996/776/977), Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 60). Kjo kërkesë është aq më e rëndësishme nëse pala në kontest nuk ka pasur mundësi t'i paraqesë argumentet e saj gojarisht në procedurën para gjykatës vendase.
Megjithatë, gjykatat e apelit (në shkallën e dytë) të cilat kanë juridiksion për të hedhur poshtë ankesat e pabazuara dhe për të zgjidhur çështjet faktike dhe juridike në procedurën kontestimore, janë të obliguara të arsyetojnë se përse refuzuan të vendosin për ankesën (shih rastin e GJEDNj-së, Hansen kundër Norvegjisë, nr. 15319/09, Aktgjykim i 2 janarit 2015, paragrafët 77–83). Përveç kësaj, GJEDNj nuk përcaktoi se ishte shkelur e drejta në një rast në të cilin nuk është dhënë një sqarim specifik në lidhje me një pohim që i referohej një aspekti të parëndësishëm të rastit, përkatësisht mungesës së nënshkrimit dhe vulës, që është një gabim i një natyre më shumë formale sesa materiale dhe ai gabim u korrigjua menjëherë (shih rastin e GJEDNj-së, Mugoša kundër Malit të Zi, nr. 76522/12, Aktgjykim i 21 shtatorit 2016, paragrafi 63).
Aplikimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës, përkitazi me mungesën e arsyetimit të Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, pretendon se kjo e fundit nuk ka arritur të jap një arsyetim të qartë ndaj pretendimeve të saj, për faktin se arsyetimin e ka bazuar vetëm në përshkrimin e fakteve dhe në arsyetimin që e ka dhënë KGJK-së në vendimin e saj.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet ankesës së parashtrueses së kërkesës dhe vëren se e njëjta kishte apeluar vendimin e KGJK-së në Gjykatën Supreme për shkak të (i) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, (ii) zbatimit të gabuar të ligjit material dhe shkeljeve procedurale, duke propozuar që ankesa e saj të aprovohej si e bazuar, dhe Vendimi i 28 korrikut 2022 i KGJK-së të ndryshohej, duke ia shqiptuar së njëjtës një masë më të butë disiplinore, ashtu siç kishte propozuar edhe Paneli hetimor.
Për sa i përket, pretendimeve të parashtrueses së kërkesës se KGJK, kishte bërë vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata i referohet Aktgjykimit të kontestuar te Gjykatës Supreme dhe vëren se e njëjta, në lidhje me këtë pretendim arsyetoi: “Gjykata Supreme nuk ka pranuar as pretendimin ankimor për gjendjen faktike të konstatuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë nga ana e KGJK-së, sepse në bazë të provave të administruara KGJK në mënyrë të pakontestuar e ka vërtetuar faktin se gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica është përfshirë në shkelje disiplinore të pretenduar nga autoriteti kompetent, për shkak të neglizhencës në trajtimin e rastit penal PPRKR.nr.741/21 brenda afateve ligjore, dhe mosveprimit të gjyqtares për të proceduar dhe organizuar punën rreth kërkesës për sigurimin e të pandehurit në procedurë, të cilat janë vlerësuar veprime me vetëdije, me ç’ rast nënkupton që gjyqtarja ka dështuar t’i përmbushë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. Mostrajtimi i rastit dhe mosveprimi me kohë nga ana e gjyqtares, e që ka rezultuar që i pandehuri të lirohet në procedurë të rregullt, lidhur me lëndën me shenjën PPRKR.nr.741121, sipas vlerësimit edhe të kësaj gjykate paraqet neglizhencë nga ana e gjyqtares”.
Përkitazi me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje procedurale nga ana e KGJK-së, Gjykata po ashtu i referohet Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, e cila arsyetoi: “Nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të subjektit hetimor - gjyqtarit, se vendimi i atakuar është përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, dispozitivi i vendimit të atakuar është mjaft i qartë, e në përputhje të plotë me arsyet e vendimit, duke qenë kështu në harmoni logjike dhe juridike dispozitivi me arsyetimin. KGJK ka arsyetuar të gjitha faktet me peshë vendimtare për të konstatuar përgjegjësinë disiplinore të gjyqtares e në lidhshmëri me këtë ka arsyetuar mënyrën se si janë vërtetuar faktet përveç atyre jo kontestuese e gjithashtu edhe mënyrën se si i ka vlerësuar provat për secilin fakt të provuar. Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, KGJK në mënyrë të plotë i ka vlerësuar të gjitha rrethanat, përkatësisht faktet e çështjes, mbi bazën e të cilave ka krijuar një pasqyrë të qartë nga e cila ka rrjedhë përgjegjësia disiplinore e gjyqtares të pretenduar nga Autoriteti kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor”.
Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkelje të ligjit material, Gjykata Supreme, në adresimin e këtij pretendimi, mes tjerash, arsyetoi se: “Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar qëndrimin e KGJK-së, për zbatimin e të drejtës materiale, duke vlerësuar se në përputhje me gjendjen faktike të provuar e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, për arsye se me nenin 5, paragrafi 2 nënparagrafi 2.7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet se: "Shkelja e detyrave të gjyqtarit sipas këtij ligji, përfshinë veprimet e mëposhtme, në qoftë se gjyqtari kryen me dashje apo nga pakujdesia e rëndë: në vazhdimësi nuk i kryen detyrat zyrtare me kohë, siç kërkohet me ligj". Me nenin 7, paragrafi 1 të këtij ligji përcaktohet se: "Për shkelje disiplinore, këshillat përkatës mund t’i shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim: 1.1. vërejtje jopublike me shkrim, 1.2. vërejtje publike me shkrim, 1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një periudhë deri në një vit, 1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët,' 1.5. propozim për shkarkim", ndërsa me paragrafin 2 të këtij neni përcaktohet se: "Masat disiplinore shqiptohen vetëm në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marr parasysh: 2.1. numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga një gjyqtar apo prokuror, 2.2. pasojat e shkeljes disiplinore,- 2.3. rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, 2.4. performanca dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit dhe 2.5. sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore" Me nenin 5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtar, përcaktohet se: "Gjyqtari mban nivel të lartë të aftësive profesionale dhe ushtron funksionin e tij në mënyrë profesionale të përgjegjshme dhe efikase", me paragrafin 1 të këtij neni, përcaktohet se: "Funksioni i gjyqtarit ka prioritet kundrejt të gjitha aktiviteteve tjera të gjyqtarit", me paragrafin 2 të këtij neni, përcaktohet se: "Gjyqtari është i detyruar që të organizoj punën brenda orarit të punës me qëllim të shfrytëzimit të plotë dhe efikas të orarit të punës, ndërsa me paragrafin 5 të këtij neni përcaktohet se: "Gjyqtari ushtron funksionin e tij në mënyrë efikase dhe të ligjshme”.
Në fund të arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata Supreme: “... erdhi në përfundim se KGJK drejt ka aplikuar të drejtën materiale dhe se është konstatuar përgjegjësia disiplinore e gjyqtares të pretenduar nga Autoriteti kompetent, për çka edhe ia ka shqiptuar sanksionin disiplinor. Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga KGJK është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marr parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga gjyqtarja, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilën është kryer shkelja disiplinore, sjellja e përgjithshme e gjyqtares, si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i gjyqtares në procedurë disiplinore, rrethana këto që kanë ndikuar në gjetjen e nivelit të proporcionalitetit në mes të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, siç përcaktohet me nenin 5, paragrafi 2.7 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.
Sa më sipër, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme, nëpërmjet aktgjykimit të saj ka adresuar të gjitha pretendimet thelbësore të cilat ishin ngritur nga parashtruesja e kërkesës nëpërmjet ankesës së ushtruar kundër vendimit të KGJK-së. Fakti se Gjykata Supreme, në këtë rast si gjykatë e shkallës së dytë është pajtuar me mënyrën e zbatimit të së drejtës materiale dhe mënyrës së vlerësimit të fakteve nga ana e KGJK-së nuk përbën në vetvete një pretendim të argumentueshëm për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Për më tepër, Gjykata vlerëson se kur ngritën pretendime për mungesë të arsyetimit të vendimet gjyqësor, parashtruesit e kërkesave në mënyrë specifike duhet t’i argumentojnë supozimet e tyre për shkelje të kësaj të drejte, duke qartësuar se cili pretendim i ngritur nga ta nuk është adresuar nga gjykata respektive dhe pse marrja në konsideratë e atij pretendimi ishte thelbësore dhe me peshë për të marrë një vendim tjetër nga gjykata që ka vendosur për çështjen.
Gjykata rikujton, se paragrafi 2 i nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNj-së, i obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin pretendim të ngritur para tyre (shih, rastet e GjEDNj-së, Van de Hurk kundër Holandës, nr. 16034/90, Aktgjykimi i 19 prillit 1994; Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafi 26; Jahnke dhe Lenoble kundër Francës, [DHM], nr. 40490/98, Vendimi i 29 gushtit 2000, paragrafi 81).
Për sa më sipër, në vlerësimin e pretendimeve që ndërlidhen me shkeljen e pretenduar të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, Gjykata konsideron të rëndësishme të ritheksojë qëndrimin e përgjithshëm se “drejtësia” e kërkuar nga nenet e lartpërmendura nuk është drejtësi “substanciale”, por drejtësi “procedurale”. Në rrafshin praktik, koncepti i “drejtësisë procedurale” nënkupton: (i) mundësinë e procedurave kontradiktore/parimi i kontradiktoritetit procedural; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin përkatës; (iii) mundësinë e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive të paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të cilat, shikuar në mënyrë objektive, janë të rëndësishme për zgjidhjen e rastit, të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastet e Gjykatës Kushtetuese; dhe KI22/19, parashtrues i kërkesës Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Marrë parasysh parimet e lartcekura, Gjykata konsideron se në rastin e parashtrueses së kërkesës janë respektuar të gjitha kriteret e lartcekura nga ana e Gjykatës Supreme, andaj, edhe konkluzionet e saj sikurse janë dhënë në Aktgjykimin e kontestuar janë në pajtueshmëri me standardet e kërkuara nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNj-së. Parashtruesja e kërkesës edhe më tej mund të mos jetë e kënaqur me rezultatin e gjykimit të çështjes, megjithatë, pakënaqësia e saj nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02 Aktgjykimi i 26 korrikut 2005).
Thënë këtë, Gjykata konstaton se Aktgjykimi i kontestuar [A. A. nr. 10/2022] e 22 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme, i përmbush standardet e një vendimi gjyqësor të arsyetuar, sipas kuptimit të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe të paragrafit 1 të nenit 6.1 të KEDNj-së, meqë i njëjti përmban lidhje logjike, ndërmjet bazës juridike të aplikuar, arsyetimit dhe përfundimeve të nxjerra.
Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar dhe të vlerësimit të procedurës në tërësinë e saj, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj, si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese i shpallë qartazi të pabazuara.
Përfundime
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, si rezultat i aplikimit arbitrar të ligjit nga KGJK, i takojnë kategorisë së parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si pretendime të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me të drejtën për vendime të arsyetuar, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1, të nenit 6 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj edhe këto si të tilla, në baza kushtetuese, shpallen qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të shpallet e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në pajtim me nenet 20 dhe 47 të Ligjit, dhe në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34, si dhe shkronjën (b) të nënrregullit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 18 janar 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Naime Krasniqi - Jashanica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër