Prishtinë më 22 prill 2024
Nr. ref.: RK 2413/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI260/23
Parashtrues
E.H
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 120/2022
të Gjykatës Supreme, të 12 qershorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga E.H, me vendbanim në Komunën e Prizrenit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. nr. 120/2022] të 12 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 5187/18] e 21 korrikut 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C. nr. 217/14] e 17 shtatorit 2018 të Gjykatës Themelore në Pejë-dega në Deçan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 14 korrik 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 25 [E Drejta për Jetën], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e Pronës) dhe nenin 2 (E Drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkon nga Gjykata që identiteti i tij të mos zbulohet, me arsyetimin se “Duke qenë se jam [...], kam arsye të besoj se rasti im në gjykatë mund të merr vëmendje publike dhe të bëhet temë mediatike. Kjo mund të ndikoj në paragjykimin e vendimit çfarëdo qoftë ai, si dhe në përfillje të emrit tim”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI260/23], caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 11 janar 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës si dhe i kërkoi përgjigje lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.
Më 17 janar 2024, Gjykata Themelore ia dorëzoi Gjykatës përgjigjen dhe fletëkthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 14 korrik 2023.
Më 27 mars 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri= i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata, me shumicë, me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër, e deklaroi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të papranueshme.
Në të njëjtën ditë, Gjykata, me shumicë, me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër, vendosi që të miratojë kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulimin e identitetit.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 13 tetor 1986, përmes Aktvendimit [nr. 03/463-877] të Drejtorisë për punë pronësore juridike të Kuvendit Komunal në Prizren, parashtruesit të kërkesës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit në ngastrën kadastrale nr. 651 në sipërfaqe prej 410 m2, që shtrihej në pjesët e ngastrave kadastrale 5638, 5641 dhe 5640/1.
Me Aktvendimin [nr. 04/4-353-1231] e 5 nëntorit 1986, Sekretariati për urbanizëm, punë komunale dhe banesore i Kuvendit Komunal në Prizren i lejoi parashtruesit të kërkesës ndërtimin e objektit familjar në ngastrën kadastrale nr.651, ndërsa më 12 nëntor 1986 përmes Aktvendimit [nr. 04/4-351-1300] i lejoi ndërtimin e shtëpisë. Më pas, sipas procesverbalit [nr. 03/3-463-877] të 8 qershorit 1987 të Drejtorisë për punë pronësore juridike në Kuvendin Komunal të Prizrenit, parashtruesi i kërkesës u vu në posedim të ngastrës kadastrale të lartcekur.
Nga shkresat e lëndës tutje rezulton se në bazë të Kontratës nr. 1-14-160 të 28 qershorit 1986 të lidhur ndërmjet Ndërmarrjes shoqërore ‘Elektro-Kosova’ dhe ‘Energoinvest’, kjo e fundit ishte përgjegjëse për fillimin e punëve të vendosjes së Largpërçuesit DV-35 KV TS-110/35 KV Prizren dhe TS-35/10KV Piranë.
Më 1 mars 2006, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Komunale në Prizren kundër pasardhëses së Elektro-Kosovës, respektivisht Korporatës Energjetike të Kosovës-Distribuimi në Prizren (në tekstin e mëtejmë: KEK), e cila u korporatizua në vitin 2005, me propozimin që të detyrohet e paditura që brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit të largojë shtyllën me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së tij, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm, dhe që e paditura në emër të rentës për shfrytëzimin e pjesës së oborrit të tij, t’i paguajë parashtruesit të kërkesës nga 100 (njëqind) euro në muaj, për periudhën nga 1 janari 1987 e deri në ditën e largimit të shtyllës së largpërçuesit.
Më 1 korrik 2008, Gjykata Komunale në Prizren, përmes Aktgjykimit [CP. nr. 617/06], aprovoi pjesërisht padinë e paditësit ashtu që (i) detyroi të paditurën që brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit të largojë shtyllën me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së parashtruesit të kërkesës, nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm; (ii) detyroi të paditurën që në emër të begatimit të pabazë, nga 1 gushti 1996 deri më 1 korrik 2008, t’i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 14.159,23 euro; dhe (iii) refuzoi si kërkesë të vjetërsuar pjesën e kërkesëpadisë për kompensim të shumës prej 13.378,85 euro.
Përmes aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata Komunale në Prizren vlerësoi se me mendimin e ekspertit të elektroteknikës M.GJ, të 16 shkurtit 2007, vërtetohej se shtylla me konstruksion të metaltë ishte e vendosur në një distancë prej 1.2 m nga muri i dhomës së ditës, se e njëjta nuk posedonte dokumentacion teknik përkatës dhe se ekzistonte rreziku nga tensioni i prekjes dhe i hapit. Për më tepër, në arsyetimin e Aktgjykimit [CP. nr. 617/06], Gjykata Komunale në Prizren, duke iu referuar raportit me shkrim të ekspertit të ndërtimtarisë L. M., theksoi se si rezultat i vendosjes së shtyllës metalike të largpërçuesit, parashtruesi i kërkesës nuk mund të shfrytëzonte sipërfaqen prej 35.57 m2. Rrjedhimisht, Gjykata Komunale në Prizren vlerësoi se në emër të begatimit të pabazë KEK-u duhej t’i paguante parashtruesit të kërkesës shumën prej 14.159,23, për periudhën nga 1 gushti 1996 deri më 1 korrik 2008.
Në një datë të paspecifikuar, KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër Aktgjykimit [CP. nr. 617/06] të Gjykatës Komunale në Prizren, duke pretenduar vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që aktgjykimi i atakuar në pjesën aprovuese të prishej dhe lënda t’i kthehej gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 18 mars 2009, Gjykata e Qarkut në Pejë, përmes Aktvendimit [Ac. nr. 430/08] prishi Aktgjykimin [CP. nr. 617/06] e 1 korrikut 2008 të Gjykatës Komunale në Prizren në pjesën aprovuese të tij, duke i kthyer lëndën në rivendosje, ndërsa nuk shqyrtoi pjesën refuzuese të tij. Në arsyetimin e aktvendimit të saj, Gjykata e Qarkut në Pejë vlerësoi se aktgjykimi i atakuar i Gjykatës Komunale ishte i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, përkatësisht të pikës 13 (14) të paragrafit 2 të nenit 354 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (GZ, numër 38, 20 shtator 2008) (në tekstin e mëtejmë: LPK), pasi që nuk përmbante arsye bindëse, faktike dhe juridike mbi faktet vendimtare dhe se si rezultat i vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike kishte ardhur deri tek zbatimi i gabuar i të drejtës materiale.
Në arsyetimin e aktvendimit të lartpërmendur, Gjykata e Qarkut në Pejë theksoi se për vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, gjykata e shkallës së parë duhej të vërtetojë se në cilat parcela gjendej objekti i parashtruesit të kërkesës dhe shtylla elektrike, a ishte ndërtuar objekti i parashtruesit të kërkesës në përputhje me lejen e organit kompetent, të bëhej identifikimi i plotë nga eksperti i gjeodezisë i ngastrave që i ishin dhënë në shfrytëzim parashtruesit të kërkesës dhe të vërtetohej fakti nëse parashtruesi i kërkesës nga viti 1986 e tutje kishte ndërmarrë ndonjë veprim për largimin e shtyllës elektrike.
Më 19 qershor 2009, Gjykata Komunale në Prizren i propozoi Gjykatës Supreme delegimin e lëndës në kompetencë të një gjykate tjetër, meqenëse parashtruesi i kërkesës ushtronte detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Qarkut në Prizren.
Më 15 korrik 2009, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Cn. nr. 7/2009] pranoi si të bazuar propozimin e Gjykatës Komunale në Prizren për delegim të kompetencës territoriale dhe caktoi Gjykatën Komunale në Deçan si gjykatë të kompetencës territoriale.
Më 20 dhjetor 2010, Gjykata Komunale në Deçan, përmes Aktgjykimit [C. nr. 371/09], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në arsyetimin e aktgjykimit të lartpërmendur u konstatua se nga raporti i ekspertes së gjeodezisë të Komunës së Prizrenit 029 nr. 956/Z të 21 prillit 2010, dhe plotësimi i tij, vërtetohej se parashtruesi i kërkesës nuk ishte i regjistruar në evidencën e Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër dhe se trualli ndërtimor nr. 651 shtrihej në ngastrat kadastrale nr. 5638, 5641 dhe 5640/1. Më tej, Gjykata Komunale në Deçan vlerësoi se objekti i parashtruesit të kërkesës nuk ishte ndërtuar sipas lejes së organit kompetent, se paluajtshmëria i ishte dhënë në shfrytëzim në vitin 1986 dhe se deri në vitin 2006 ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për largimin e shtyllës metalike dhe, praktikisht, nuk ekzistonte si mundësi ndërrimi i drejtimit të rrjetit elektrik dhe largimi i shtyllës nga vendi.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Deçan, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe përmbarimore, vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 21 tetor 2011, Gjykata e Qarkut në Pejë, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 119/11] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 371/09] e 20 dhjetorit 2010 të Gjykatës Komunale në Deçan. Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata e Qarkut në Pejë vlerësoi se aktgjykimi i atakuar nuk ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga paragrafi 2 i nenit 182 të LPK-së, se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të rregullt dhe të plotë kishte vërtetuar gjendjen faktike si dhe drejtë kishte aplikuar të drejtën materiale.
Në këtë drejtim, në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, u vlerësua se KEK-u kishte filluar ndërtimin e largpërçuesit të tensionit të lartë Prizren-Suharekë në vitin 1960, se në vitin 1986 ishte bërë rekonstruimi i tij dhe se rekonstruimi ishte bërë edhe në shtyllën metalike të vendosur në pronën e parashtruesit të kërkesës. Në lidhje me këtë, Gjykata e Qarkut në Pejë konstatoi se meqenëse shtylla metalike ishte vendosur para se të fillonte ndërtimi i shtëpisë së parashtruesit të kërkesës, e paditura kishte të drejtën e kalimit të servitutit, jo vetëm në pronën e tij por në të gjithë trasenë që ishte ndërtuar për distribuimin e energjisë elektrike. Për më tepër, Gjykata e Qarkut në Pejë vlerësoi se parashtruesi i kërkesës kishte zgjeruar objektin e banimit pa lejen e ndërmarrjes publike të elektroekonomisë dhe pa leje ndërtimi nga Drejtoria e Urbanizmit, duke mos përmbushur obligimin për të siguruar pëlqim nga ndërmarrja publike e elektroekonomisë para se të ndërmarrë punë që pengojnë kryerjen e veprimtarisë së elektroekonomisë apo rrezikojnë pasurinë dhe jetën e njerëzve.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 119/11] të 21 tetorit 2011 të Gjykatës së Qarkut në Pejë, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 14 tetor 2014, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 100/2012] aprovoi pjesërisht revizionin e parashtruesit të kërkesës ashtu që (i) prishi Aktgjykimin [Ac. nr. 119/11] e 21 tetorit 2011 të Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe Aktgjykimin [C. nr. 371/09] e 20 dhjetorit 2010 të Gjykatës Komunale në Deçan, në pjesën e dispozitivit me të cilën ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për largimin e shtyllës metalike të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së tij, duke i kthyer lëndën në rigjykim gjykatës së shkallës së parë; dhe (ii) refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës në pjesën lidhur me kompensimin në emër të pasurimit të pabazë.
Në arsyetimin e aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata Supreme konstatoi se aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët ishin të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga pika n e paragrafit 2 të nenit 182 të LPK-së, pasi që ndër të tjera, nuk e kishin vlerësuar fare deklaratën e ekspertit të elektroteknikës për ekzistimin e rrezikut nga largpërçuesi dhe pamundësisë së ekzekutimit të rrathëve të tokëzimit mbrojtës. Për më tepër, Gjykata Supreme konstatoi se gjykatat e shkallës më të ulët kishin zbatuar gabimisht të drejtën materiale kur kishin vlerësuar se parashtruesi i kërkesës ishte vonuar me kërkesën e tij për largimin e shtyllës elektrike pasi që sipas nenit 156 të LMD-së (RSFJ), kërkesa për mënjanimin e rrezikut nga largpërçuesi nuk lidhej me parashkrim.
Më 17 shtator 2018, në rivendosje, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 217/14], aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës ashtu që (i) detyroi KEK-un që brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit të largojë shtyllën me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së parashtruesit të kërkesës, nën kërcënim të përmbarimit; dhe (ii) detyroi KEK-un që në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 2624.00 euro.
Në arsyetimin e aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata Themelore konstatoi se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte e bazuar në kuptim të paragrafit 1 të nenit 156 të LMD-së, përkitazi me mënjanimin e burimit të rrezikut nga shtylla metalike e largpërçuesit, pasi që kishte rrezik në rast të shkarkimeve atmosferike, prishjeve apo paraqitjes së tensionit të hapit apo prekjes.
Në një datë të paspecifikuar, KEK-u parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 217/2014] të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 21 korrik 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 5187/18] refuzoi si të pabazuar ankesën e KEK-ut dhe vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 217/2014] e 17 shtatorit 2018 të Gjykatës Themelore. Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit konstatoi se aktgjykimi i atakuar nuk ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore nga pika 2 e nenit 182 të LPK-së dhe se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të rregullt dhe të plotë kishte vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kishte aplikuar të drejtën materiale.
Në një datë të paspecifikuar, KEK parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 12 qershor 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 120/2022] aprovoi revizionin e KEK-ut dhe ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ashtu që (i) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për largimin e shtyllës me konstruksion të metaltë të largpërçuesit nga oborri i shtëpisë së tij, nën kërcënim të përmbarimit, dhe shpenzimet e procedurës në shumën prej 2624.00 euro; si dhe (ii) vendosi se secila palë i bartë shpenzimet e veta të procedurës.
Përmes aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata Supreme, duke iu referuar neneve 24 dhe 30 të Ligjit Nr. 03/L-184 për Energjinë (GZ, numër 86, 15 nëntor 2010) (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Energjinë), theksoi se gjykatat e shkallës më të ulët gabimisht kishin zbatuar nenin 156 të LMD-së kur urdhëruan largimin e largpërçuesit pasi që i njëjti ishte vendosur në mënyrë të ligjshme, ekzistonte servituti në paluajtshmërinë ku gjendej dhe se ekspertiza e ekspertit të elektroteknikës shërbente për marrjen e masave nga KEK-u për të evituar burimin e rrezikut nëse ekzistonte por jo edhe largimin e tij.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 25 [E Drejta për Jetën], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), nenin 1 të Protokollit nr.1 (Mbrojtja e Pronës) dhe nenin 2 (E Drejta për jetën) të KEDNJ- së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkatësisht (i) të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor, (ii) mbrojtjen nga interpretimi qartazi arbitrar i ligjit dhe (iii) parimin e sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës së vendimmarrjes gjyqësore.
Lidhur me pretendimin për mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës thekson se sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së dhe Gjykatës, e drejta për vendim të arsyetuar gjyqësor është e lidhur ngushtë me administrimin e duhur të drejtësisë dhe se vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar mund të ketë shqyrtim publik të administrimit të drejtësisë. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës shton se funksioni kryesor i vendimit të arsyetuar është t’u tregojë palëve se janë dëgjuar dhe se argumentet e tyre janë shqyrtuar si duhet.
Në mbështetje të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të Gjykatës nr. KI138/15, ku kjo e fundit kishte vlerësuar se mungesa e adresimit të plotë të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës Supreme dhe gjykatave të instancës më të ulët përbënte një të metë të pakapërcyeshme (shih, rastin e Gjykatës KI138/15, parashtrues “Sharr Beteiligungs Gmbh” SH.P.K, Aktgjykim i 4 shtatorit 2017). Parashtruesi i kërkesës shton se një shkelje e tillë e të drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor ka ndodhur në rastin e tij, për faktin se Gjykata Supreme nuk ka adresuar pretendimin e tij kryesor se largpërçuesi elektrik paraqet rrezik për të dhe familjen e tij si dhe për faktin se arsyetimi i aktgjykimit nuk bën ndërlidhje ndërmjet fakteve të vërtetuara dhe ligjit të zbatuar.
Lidhur me pretendimin për interpretim qartazi arbitrar të ligjit
Parashtruesi i kërkesës fillimisht thekson se edhe pse pretendimet për zbatim të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave të rregullta hyjnë në fushën e ligjshmërisë, sipas praktikës së GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, ajo duhet të ndërhyjë kur konstaton se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar, i cili mund të ketë rezultuar në konkluzione arbitrare. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr. 73049/01, Aktgjykim i 11 janarit 2007, Kuznetsov dhe të tjerët kundër Rusisë, nr. 184/02, Aktgjykim i 11 janarit 2007, Paduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, Aktgjykim i dhjetorit 2005, Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, nr. 48553/99, Aktgjykim i 25 korrikut 2002, si dhe rasteve të Gjykatës, KI06/17, parashtrues L.G dhe pesë të tjerët, Aktvendim i 23 tetorit 2017, dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme veproi në kundërshtim me nenin 214 të LPK-së pasi që u lëshua në interpretim të gjendjes faktike, gjë që nuk lejohet të bëhet me revizion. Përkitazi me këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës shton se Gjykata Supreme ofroi konstatim dhe interpretim të gjendjes faktike kur konstatoi se përmes ekspertizës së ekspertit të elektroteknikës nuk tregohej se a mund të bëhej dislokimi i largpërçuesit si dhe kur vlerësoi se konstatimet e ekspertit mund t’i shërbenin KEK-ut për të evituar të metat eventuale që mund të paraqisnin rrezik.
Më tej, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 120/2022], Gjykata Supreme, në mënyrë arbitrare, dështoi të zbatojë nenet gjegjëse të LMD-së, që i japin të drejtën secilit që të kërkojë mënjanimin e rrezikut nga sendet. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës thekson se në vend të kësaj, Gjykata Supreme arbitrarisht zbatoi Ligjin për Energjinë, pa argumentuar në mënyrë të qartë pse vetëm ky gjen zbatim dhe jo edhe dispozitat përkatëse të LMD-së.
Lidhur me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike për shkak të divergjencës së vendimmarrjes gjyqësore
Parashtruesi i kërkesës thekson se parimi i sigurisë juridike është një nga parimet themelore kushtetuese, i cili, ndër të tjera, kërkon që vendimmarrja e gjykatave të jetë konsistente. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme bie ndesh me vendimet e nxjerra jo vetëm nga gjykatat tjera, për raste të ngjashme, por edhe me vendimet e kësaj të fundit në rastin e tij.
Në mbështetje të pretendimit të tij, parashtruesi i kërkesës i referohet dy vendimeve të gjykatave të rregullta, kopjet e të cilave ia ka bashkëngjitur kërkesës. Fillimisht, parashtruesi i kërkesës i referohet Aktgjykimit Rev. nr. 91/19 të Gjykatës Supreme, duke theksuar se për dallim nga rasti i tij, Gjykata Supreme ka urdhëruar dislokimin e trafo-stacionit të vendosur në pronën e paditësit me arsyetimin se paraqiste rrezik për jetën e njerëzve duke u bazuar në nenin 156 të LMD-së. Më tutje, parashtruesi i kërkesës i referohet Aktvendimit Cn. nr. 50/14 të Gjykatës Themelore në Prishtinë-dega në Gllogovc, duke shtuar se paditësit në këtë rast i është aprovuar kërkesa për kompensim të dëmit për shkak të vendosjes së largpërçuesit në pronën e tij.
Më tej, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka rënë në kundërthënie me vetveten ngase arsyetimi i aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme është në kundërshtim me arsyetimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 100/2012] të 14 tetorit 2014.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës lidhur me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës fillimisht thekson se shfrytëzimi i papenguar i pronës, sikurse edhe interesi financiar duke përfshirë rentën nga prona e paluajtshme, hyjnë në kuadër të konceptit të gjerë të pronës, mbrojtja juridike-gjyqësore e të cilave garantohet me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Tutje, parashtruesi i kërkesës shton se sipas praktikës së GJEDNJ-së dhe Gjykatës, brenda kuptimit të të drejtave pronësore hyjnë jo vetëm posedimet pronësore ekzistuese por edhe pritjet legjitime për fitimin apo gëzimin e një të drejte pasurore. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës i referohet rasteve të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës si në vijim: Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerët kundër Belgjikës, nr. 17849/91, Aktgjykim i 20 nëntorit 1995, J.A. Pye (Oxford) Ltd dhe J.A. Pye (Oxford) Land Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 44302/02, Aktgjykim i 15 nëntorit 2005, KI44/18, parashtrues “Mega Shop”, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 majit 2019, KI194/18, parashtrues Kadri Muriqi dhe Zenun Muriqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shkurtit 2020 dhe KI86/18, parashtrues Slavica Đordević, Aktgjykim i 3 shkurtit 2021).
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është mohuar gëzimi i papenguar i të drejtave të tij pronësore pasi që, si pasojë e vendosjes së largpërçuesit, ai dhe familja e tij nuk mund të shfrytëzojnë në mënyrë efektive tërë oborrin e shtëpisë si dhe për faktin se kërkesa e tij për pagesë të rentës u refuzua nga ana e gjykatës.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 25 të Kushtetutës lidhur me nenin 2 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës thekson se përkitazi me të drejtën për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës dhe nenin 2 të KEDNJ-së, shteti ka detyrim negativ, përkatësisht të mos bëhet shkelës, dhe detyrim pozitiv, që të ndërmarrë veprime që garantojnë mbrojtjen e kësaj të drejte.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës i referohet rastit të GJEDNJ-së, Mučibabić kundër Serbisë, duke theksuar se “... kur shteti ndërmerr apo autorizon kryerjen e veprimtarive të rrezikshme, ai duhet të garantojë përmes përcaktimit të rregullave dhe sistemit të kontrollit se rreziku i mundshëm është zvogëluar në minimum” (shih, rastin e GJEDNJ-së Mučibabić kundër Serbisë, nr. 34661/07, Aktgjykim i 12 korrikut 2016, fq. 126). Më tej, parashtruesi i kërkesës gjithashtu i referohet rastit të GJEDNJ-së, LCB kundër Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se “...”detyrimi pozitiv” i shtetit kundruall mbrojtjes së të drejtës në jetë kërkon ndërmarrjen e veprimeve preventive në raport me rrezikun për jetë” (shih, rastin e GJEDNJ-së, L.C.B. kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 23413/94, Aktgjykim i 9 qershorit 1998).
Parashtruesi i kërkesës thekson se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, në njëfarë forme, është betonuar juridikisht rreziku i përhershëm i cili i kanoset atij dhe familjes së tij nga largpërçuesi metalik i rrymës elektrike, i vendosur në oborrin e shtëpisë së tij me leje të shtetit. Për të mbështetur pretendimin e tij, parashtruesi i kërkesës shton se është e pakontestueshme se eksperti i elektroteknikës, gjatë seancës në gjykatën e shkallës së parë, ka konstatuar ekzistimin e rrezikut për të dhe familjen e tij si rezultat i distancës prej afro 1 metër të largpërçuesit me shtëpinë e tij, dhe pamundësisë së ekzekutimit të rrathëve të tokëzimit mbrojtës.
Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se arsyetimi i Gjykatës Supreme për refuzimin e zhvendosjes së largpërçuesit duke u thirrur në faktin se kishte ekzistuar leja e organeve kompetente për vendosjen e tij, se ajo leje ishte dhënë para ndërtimit të shtëpisë, dhe se zhvendosja e tij nuk mund të bëhej për shkak të pamundësisë së gjetjes së një vendi tjetër, është arsyetim arbitrar dhe jo i logjikshëm.
Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se me anë të ekspertizës profesionale është vlerësuar se ekziston rreziku për të dhe familjen e tij dhe se meqenëse zhvendosja e shtëpisë është e pamundur të bëhet objektivisht, atëherë nuk mund të ketë asnjë arsyetim për të mos zhvendosur shtyllën metalike të largpërçuesit. Sipas tij, ai dhe familja e tij nuk mund të bartin pasojat e pamundësisë apo vështirësive objektive të ndërmarrjes që operon rrjetin elektrik për të zhvendosur shtyllën metalike të largpërçuesit dhe as të vazhdojnë t’i ekspozohen rrezikut të përhershëm, nëse është bërë gabim kur janë dhënë lejet nga organet kompetente në vitin 1986.
Në fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që: (i) të konstatojë se Aktgjykimi [Rev. nr. 120/2022] i 12 qershorit 2023 i Gjykatës Supreme shkel nenin 31 dhe 46 të Kushtetutës; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme bie ndesh me detyrimet e shtetit nga neni 25 i Kushtetutës; (ii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme; dhe (iv) të lë në fuqi Aktgjykimin [Ac. nr. 5187/18] e 21 korrikut 2021 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 217/14] e 17 shtatorit 2018 të Gjykatës Themelore.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
Rregulli 29
(Llogaritja e periudhës kohore)
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit ;dhe
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 120/2022] të 12 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, rastin e GJEDNJ-së Lekic kundër Sllovenisë, nr. 36480/07, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e GEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafi 52 dhe 55).
Afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e GJEDNJ-së Chapman kundër Belgjikës, nr. 39619/06, Vendim i 5 marsit 2013, paragrafi 34).
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, bazuar në objektin dhe qëllimin e nenit 49 (Afati) të Ligjit, afati prej 4 (katër) muajsh fillon të rrjedhë në datën e marrjes së kopjes së vendimit (shih rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda 4 (katër) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 120/2022] e 12 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme. Gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës, Gjykata vërejti se përkitazi me datën e pranimit të aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, në fletëkthesë ekzistonte mospërputhje në mes datës së pasqyruar me numra (14.08.2023) dhe asaj me shkronja (katërmbëdhjetë korrik). Në lidhje me këtë, Gjykata, përmes shkresës së 11 janarit 2024, drejtuar Gjykatës Themelore, kërkoi përgjigje lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.
Më 17 janar 2024, Gjykata Themelore përmes përgjigjes së saj i dorëzoi Gjykatës fletëkthesën e cila dëshmon se parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin [Rev. nr. 120/2022] e Gjykatës Supreme e ka pranuar më 14 korrik 2023. Konkretisht, përveç faktit se kjo datë është e pasqyruar me shkronja në fletëkthesë, nga kjo e fundit vërehet se edhe vula e shpërndarjes mban datën 14 korrik 2023. Për më tepër, nga fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë, vërtetohet se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i është dorëzuar postës më 11 korrik 2023 si për parashtruesin e kërkesës ashtu edhe për të paditurën, dhe që të dy palët, të njëjtin e kanë pranuar më 14 korrik 2023. Prandaj, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 30 nëntor 2023, më shumë se 4 (katër) muaj pas pranimit të vendimit të kontestuar.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Kërkesa për moszbulimin e identitetit
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon moszbulimin e identitetit të tij me arsyetimin se ka qenë [....] dhe rasti mund të bëhet mediatik.
Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës, i cili përcakton:
"(1)Kurdo përgjatë procedurës së shqyrtimit të një kërkese individuale sipas paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe deri në publikimin e vendimit përfundimtar, palët mund të kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet publikisht. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar.
(2) Gjykata vendosë lidhur me kërkesën e palës për moszbulim të identitetit me miratimin e shumicës së gjyqtarëve.”
Duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës se publiciteti i rastit mund të çojë në paragjykimin e vendimit çfarëdo qoftë ai si dhe në përfillje të emrit të tij, duke u bazuar në paragrafin 1 dhe 2 të rregullit 24 të Rregullores së punës, Gjykata e miraton si të bazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulimin e identitetit të tij publikisht (shih, rastin e Gjykatës KI126/17, parashtrues A.K, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 shkurtit 2018, paragrafi 56).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) dhe 24 (1) dhe (2) të Rregullores së punës, më 27 mars 2024, me shumicë
VENDOS
TË DEKLAROJË me shtatë (7) vota për dhe dy (2) kundër kërkesën të papranueshme;
TË MIRATOJË me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër kërkesën për moszbulim të identitetit;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
E.H
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile