Prishtinë, më 10 tetor 2024
Nr. Ref.:AGJ 2562/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI84/22
Parashtrues
Slavica Đorđević
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme,
Rev. nr. 170/2021, të 19 tetorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare, dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar,
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesja e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Slavica Đorđević, nga Prizreni me vendbanim në Nish, të cilin e përfaqëson Vasilije Arsić avokat nga Graçanica (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev. nr. 170/2021] të 19 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktvendimin [Ac.nr.3165/2020] e 2 tetorit 2020, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [C.nr.1370/19] e 13 shkurtit 2020.
Parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar më 25 shkurt 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt] dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesat Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 qershor 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi përmes postës kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR.KI84/22] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues përmes Vendimit [Nr. KSH.KI84/22], të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci, anëtarë.
Më 25 korrik 2022, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 25 shtator 2022, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoj nga e njëjta që të informonte Gjykatën se kur parashtruesja e kishte pranuar vendimin e kontestuar.
Më 14 dhjetor 2022, Gjykata Themelore e njoftoi Gjykatën lidhur me informatat e kërkuara.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes se Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 19 dhjetor 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore dërgimin e dosjes së plotë të rastit.
Më 30 dhjetor 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi dosjen në Gjykatë.
Më 7 mars 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe kërkoi plotësimin e raportit.
Më 24 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe kërkoi plotësimin e raportit.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 19 mars 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe kërkoi plotësimin e raportit.
Më 11 shtator 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, konstatoi se: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe konstatoi se (ii) Aktvendimi [Rev. nr. 170/2021] i 19 tetorit 2021, i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe te Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata fillimisht sqaron që parashtruesja e kërkesës ishte palë para Gjykatës edhe në rastin KI86/18, Aktgjykim i 8 marsit 2021. Në këtë rast Gjykata kishte konstatuar se ekzistojnë dy vendime të formës së prerë, respektivisht Vendimi i Komisionit për Çështje Pronësore Banesore, i 30 prillit 2005, sa i përket të drejtës së shfrytëzimit të pronës që ishte objekt kontesti si dhe Aktgjykimi [P. br.462/10] i Gjykatës Komunale, i 21 dhjetorit 2011, e i cili është bërë i plotfuqishëm më 19 maj 2012, përmes së cilit e urdhëroi të paditurin B.M. që ta lirojë pronën e uzurpuar dhe të njëjtën ta kthejë në gjendje të mëparshme, duke i larguar të gjitha punimet të cilat i ka kryer në pronën në fjalë. Pra, Gjykata kishte konstatuar që mospërmbarimi i Vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore i 30 prillit 2005 dhe Aktgjykimit [P. br.462/10] i Gjykatës Komunale, i 21 dhjetorit 2011, si dhe pezullimi i këtij të fundit në procedurë përmbarimore nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren duke e mbyllur procedurën përmbarimore, në rastin e parashtrueses së kërkesës, përbënte shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.
Gjykata gjithashtu kishte konstatuar se pamundësia për të ndërmarrë veprime të mëtejshme ligjore për përmbarimin e vendimeve të lartcekura, paraqet gjithashtu shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe të nenit 13 të KEDNJ-së. Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu konstatoi se si rezultat i mospërmbarimit të vendimit të formës së prerë dhe të detyrueshëm, parashtruesja e kërkesës është privuar pa të drejtë nga prona e saj. Në këtë mënyrë është shkelur edhe e drejta e parashtrueses së kërkesës për të gëzuar në mënyrë paqësore pronën e saj, siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës, dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Më 8 mars 2024, Gjykata publikoi Aktvendimin për mospërmbarim lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të 3 shkurtit 2021, në rastin KI86/18.
Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KI86/18 nuk është konfirmuar të jetë zbatuar në tërësi nga autoritet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 116 të Kushtetutës dhe rregullin 60 të Rregullores së punës, prandaj Gjykata nxorri Aktvendim për Mospërmbarim përkitazi me rastin e Gjykatës KI86/18. Në të njëjtën kohë, Gjykata gjithashtu e njofton Prokurorin e Shtetit përkitazi me moszbatimin e Aktgjykimit të saj në rastin KI86/18.
Faktet e rastit në lidhje me kërkesën KI84/22
Në ndërlidhje me rrethanat e rastit KI86/18, më 2 shtator 2019, parashtruesja e kërkesës parashtroi padi kundër të paditurit-palës së interesuar F.M në Gjykatën Themelore në Prizren për kompensim të dëmit në shumën 334.250 (treqind e tridhjetë e katër mijë) euro si dhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë. Parashtruesja e kërkesës e parashtroi padinë e saj në gjuhën serbe.
Më 4 shtator 2019, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.1370/2019] e: (I) ftoi parashtruesen e kërkesës, që në afat prej tre ditësh, nga dita e pranimit të këtij aktvendimi, të paguaj taksën gjyqësore në shumë prej 1.000 (njëmijë) euro, të paraparë për padinë e parashtruar dhe një kopje të vërtetimit për taksën e paguar ti dorëzojë gjykatës; (II) Në rast se parashtruesja e kërkesës, në afatin e lartcekur nuk e paguan taksën e paraparë gjyqësore as pas vërejtjes së gjykatës, do të konsiderohet se padia është tërhequr. I njëjti Aktvendim ishte lëshuar edhe në gjuhën serbe.
Më 12 shtator 2019, parashtruesja e kërkesës paraqiti kundërshtim ndaj Aktvendimit të lartcekur, me kërkesën që të lirohet nga pagimi i taksës gjyqësore për shkak se nuk kishte gjendje të mirë ekonomike, si dhe duke specifikuar se afati tre ditor për pagim të taksës gjyqësore nuk ekzistonte në asnjë dispozitë të Ligjit të Procedurës Kontestimore.
Më 15 tetor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.1370/2019] refuzoi si të pabazuar kërkesën për lirim nga pagimi i taksës gjyqësore dhe shpenzimet procedurale. I njëjti Aktvendim ishte lëshuar edhe në gjuhën serbe.
Më 7 nëntor 2019, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit të lartcekur, për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar.
Më 9 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.6002/19] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, si dhe vërtetoi Aktvendimin [C.nr.1370/2019] e 15 tetorit 2019, të Gjykatës Themelore. I njëjti Aktvendim ishte lëshuar edhe në gjuhën serbe.
Më 13 shkurt 2020, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.1370/2019] konsideroi të tërhequr padinë e parashtrueses së kërkesës lidhur me këtë çështje kontestimore. I njëjti Aktvendim ishte lëshuar edhe në gjuhën serbe.
Më 4 mars 2020, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit të lartcekur, për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa të aprovohet si e bazuar.
Më 2 tetor 2020, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.3165/20] refuzoi si të pa bazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [C.nr. 1370/19] e 13 shkurtit 2020 të Gjykatës Themelore. Këtë Aktvendim në gjuhën shqipe, Gjykata e Apelit ia dorëzoi parashtrueses së kërkesës më 21 tetor 2020.
Më 28 tetor 2020, në shkresat e lëndës që parashtruesja ka sjellur në Gjykatë, vërehet që e njëjta përmes përfaqësuesit të saj kishte paraqitur parashtresë në Gjykatën e Apelit dhe kishte kërkuar që Aktvendimi i lartpërmendur të përkthehet në gjuhën serbe dhe t'u dorëzohet përfaqësuesve të autorizuar për shkak të mosnjohjes dhe moskuptimit të gjuhës shqipe. Ndër të tjera, në shkresën e dorëzuar nga parashtruesja e kërkesës, e njëjta i referohet dispozitave të paragrafit 1 të nenit 2 dhe paragrafin 1 të nenit 3 të Ligjit Nr. 02/L-37 për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar që gjuha shqipe dhe serbe, si dhe shkrimi i tyre, janë në përdorim zyrtar në Kosovë, dhe se kanë status të barabartë në të gjitha institucionet, prandaj të njëjtit kërkojnë që ta pranojnë Aktvendimin e lartcekur në gjuhën serbe, pas së cilës do të mund të veprojnë në përputhje me rrethanat.
Më 15 janar 2021, nga dosja e plotë e lëndës, përmes fletëkthesës (sqarim: dokumenti fq. 147 i dosjes së plotë të lëndës) dëshmohet që parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit të përkthyer në gjuhën serbe.
Më 2 shkurt 2021, pas pranimit të Aktvendimit [Ac.nr.3165/20] në versionin në gjuhën serbe, parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesë për revizion kundër Aktvendimit të lartcekur: (i) për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore; dhe (ii) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata Supreme ta miratoj revizionin dhe të ndryshoj të dy aktvendimet e gjykatave të instancave më të ulëta, ashtu që ankesa e saj të aprovohet ndërsa lënda të kthehen për vendosje meritore në gjykatën e shkallës së parë.
Më 16 shkurt 2021, pala e interesuar F.M., paraqiti përgjigje në revizion, me propozimin që kërkesa për revizion e parashtrueses së kërkesës të hedhet poshtë si e palejuar, ose të refuzohet si e pabazuar.
Më 19 tetor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.170/2021] hodhi poshtë si të pas afatshëm revizionin e parashtrueses së kërkesës kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj Gjykata Supreme sqaroi si në vijim:
“Dispozita e nenit 211. 1 thotë se palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi. Në anën tjetër, neni 127. 2 të ligjit të njëjtë përshkruan se: Në qoftë se parashtresa është dërguar me anë të postës me letër rekomande apo në rrugë telegrafike, dita e dorëzimit në postë konsiderohet si ditë e dorëzimit në gjykatën të cilës i është drejtuar.
Nga shkresat e lëndës, shihet se i autorizuari i paditëses, vendimin e shkallës së dytë Ac. nr. 3165/2020 të dt. 02.10.2020 e ka pranuar më 21.10.2019, që është vërtetuar me fletë dërgesën që gjendet në shkresat e lëndës, ndërsa revizionin ndaj atij vendimi e ka dorëzuar në gjykatë më 02.02.2020 gjë që është vërtetuar në bazë të dërgesës postare me rekomande nr. 1460189. Sipas nenit 107 të LPK-së, i cili thotë se kur palën e përfaqëson përfaqësuesi i saj ligjor apo me prokurë, shkresa i dorëzohet përfaqësuesit juridik, përkatësisht përfaqësuesit me prokurë. Në bazë të shkresave të lëndës është konstatuar se përfaqësuesi juridik të paditëses e ka pranuar aktvendimin Ac. nr. 3165/2020 të datës 02.10.2020 më 21.10.2019.”
Më 20 prill 2022, parashtruesja e kërkesës paraqiti kundërshtim kundër Aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Supreme nën pretendimin që vendimi i kontestuar përveç që përmban gabime faktografike, i njëjti thekson që Aktvendimi [Ac.nr.3165/2020] i 2 tetorit 2020, i Gjykatës së Apelit ishte pranuar në gjuhën serbe më 15 janar 2021, ndërsa Revizionin e kishte paraqitur me 2 shkurt 2021, brenda afatit 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të Aktvendimit në gjuhën serbe.
Më 18 korrik 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.170/2021] hodhi poshtë si të palejuar Kundërshtimin e parashtrueses së kërkesës, të paraqitur kundër Aktvendimit [Rev. 170/2021] të 19 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme. Në arsyetimin e këtij Aktvendimi Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“[...], ndërsa Gjykata Supreme ka konstatuar se aktgjykimin e shkallës së dytë i autorizuari i paditëses e ka pranuar më 21.10.2020, ndërsa revizionin e ka paraqitur me datën 2.2.2020 [theksim i shtuar: duhet të jetë 2021] pas afatit ligjor.
Për më tepër Gjykata Supreme e Kosovës e konstaton edhe njëherë faktin se aktgjykimin e Gjykatës së Apelit i autorizuari i paditëses Av. Vlastimir Petrovic, sipas projektit për Ndihmë Juridike Falas, e financuar nga projekti Bashkësisë Evropiane, ka pranuar më datën 21.10.2020, ndërsa revizion ka paraqitur me datën 2.2.2021, prandaj Gjykata Supreme e Kosovës, mbetet pranë qëndrimit juridik se revizioni i paditëses është i passafatshëm, ashtu si që ka vendosur në aktvendimin e saj Rev.170/2021 të datës 19/10.2021. Vlen të përmendet edhe fakti se në shkresat e lëndës nuk ka prova se projekti i Ndihmës Juridike e cila përfaqëson paditësen, që ka refuzuar pranimin e Aktvendimit të shkallës së dytë as që ka paraqitur kërkesë për përkthim edhe pse këtë pretendon i autorizuari i paditëses.
Prandaj nuk qëndron pretendimi i të autorizuarit të paditëses se aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës Ac.nr.3165/2020 të datës 2.10.2020, e ka pranuar më datën 15.1.2021 dhe se revizioni kundër këtij Aktgjykimi e ka paraqitur me datën 2.2.2021.”
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës konteston vendimin e kontestuar, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt] dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës pretendon që vendimi i Gjykatës Supreme i cili e konsideron revizionin e paraqitur të pas afatshëm, është në kundërshtim me Kushtetutën, përkatësisht nenit 31 të saj në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Ligjin për Procedurën Kontestimore dhe Ligin për Përdorimin e Gjuhëve.
Parashtruesja e kërkesës thekson se më 21 tetor 2020, e kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit në gjuhën shqipe, dhe se sipas tij kishin kërkuar menjëherë përkthimin në gjuhën serbe të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës thekson se e njëjta e kishte pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit më 15 janar 2021, ndërsa revizioni ishte dorëzuar në Gjykatë Supreme më 2 shkurt 2021. Rrjedhimisht, parashtruesja pretendon se Gjykata Supreme do të duhet që të llogariste afatin prej datës 15 janar 2021 (kur ishte dorëzuar Aktvendimi në gjuhën serbe) e assesi në datën 21 tetor 2020 (datë kur ishte dorëzuar Aktvendimi në gjuhën shqipe).
Parashtruesja e kërkesës në vijim thekson se një veprim i tillë i Gjykatës Supreme “cenon rëndë parimin e sigurisë juridike, sepse në këtë mënyrë, palët që nuk e kuptojnë gjuhën shqipe janë në lajthitje, duke pritur që një vendim i tillë t'u dorëzuar atyre në gjuhët zyrtare të cilët janë në përdorim zyrtar në gjykatë, gjegjësisht në gjuhën serbe për personat e kombësisë serbe, në rastin konkret në gjuhën serbe, dhe më pas gjykata të konsiderojë se afati për paraqitjen e mjetit juridik ka skaduar nga dita e dorëzimit të vendimit në gjuhën që pala nuk e kupton.”
Në vijim, parashtruesja e kërkesës thekson se dispozitat e Kushtetutës, Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve e barazojnë gjuhën shqipe dhe atë serbe si gjuhë zyrtare. Në këtë drejtim, Ligji nr. 02/L-37 për Përdorimin e Gjuhëve në nenin 14 parasheh: “Gjykatat kanë për detyrë të lëshojnë dokumente të cilat kanë të bëjnë me procedurat në gjuhën(t) zyrtare të zgjedhur për procedurë dhe në gjuhë të tjera zyrtare nëse kërkohet nga cilado palë në procedurë apo nëse sipas pikëpamjes së gjykatës kjo do t’i shërbente interesit të përgjithshëm publik.”
Në vijim, parashtruesja e kërkesës referohet në rastin Brozicek kundër Italisë, në të cilin sipas parashtrueses të kërkesës GJEDNJ kishte gjetur shkelje të nenit 6 paragrafi 3 (a) të KEDNJ-së. Në vijim parashtruesja e kërkesës përmend edhe rastin Kamasinski kundër Austrisë ku GJEDNJ kishte theksuar se neni 6 paragrafi 3(e) “lidhur me ndihmë falas të një përkthyesi jo vetëm për deklaratat verbale të dhëna në shqyrtime por edhe materialet në formë të dokumenteve edhe në procedurën paraprake.”
Parashtruesja e kërkesës gjithashtu theksonte se “Gjykata Supreme asnjëherë nuk e ka marr parasysh e as nuk i ka shqyrtuar dëshmitë në shkresat e lëndës të cilat tregojnë qartë se dorëzimi i parë i Aktvendimit në lëndën AC. Nr. 3165/20 ishte i parregullt për palën në procedurë, gjegjësisht ishte dorëzuar Aktvendimi vetëm në gjuhën shqipe, por jo edhe përkthimi i aktvendimit në gjuhën serbe. Po ashtu, në shkresat e lëndës ekziston një parashtresë me të cilën i autorizuari i parashtrueses së kërkesës i drejtohet Gjykatës së Apelit dhe kërkon përkthimin e aktvendimit në gjuhën serbe.”
Në këtë mënyrë, parashtruesja e kërkesës konsideron se “Gjykata Supreme ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6, nenin 1 të protokollit 1, nenin 13 dhe nenin 14 të KEDNJ-së, , sepse nuk ka shqyrtuar paraprakisht të gjitha shkresat, prandaj nuk ka llogaritur afatet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, por ka shqyrtuar pjesërisht shkresat, andaj e ka konsideruar revizionin të pas afatshëm. Në këtë mënyrë, gjykata ka bërë një lëshim elementar në llogaritjen e duhur te afatit dhe ky lëshim ka pasur efekt thelbësor gjatë vendimmarrjes, me të cilin është shkelur e drejta e paditëses për gjykim të drejtë dhe shqyrtim të kërkesës.”
Përfundimisht, parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata që të “konstatojë se ka pasur shkelje të dispozitave të mësipërme dhe me propozimin që Gjykata Supreme të anulojë vendimin Rev.nr.170/2021 të datës 19.10.2021 dhe të urdhëroj Gjykatën Supreme të rishqyrtojë procedurën e revizionit të parashtruesit të kërkesës.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 5 [Gjuhët]
1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe.
2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj.
Neni 24 [Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]
1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.
2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata.
3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.
4. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.
5. Garantohet e drejta për ankesë ndaj një vendimi gjyqësor, përveç nëse me ligj është përcaktuar ndryshe. E drejta e përdorimit të mjeteve të jashtëzakonshme juridike, rregullohet me ligj. Me ligj mund të lejohet e drejta për të referuar një rast në mënyrë të drejtpërdrejtë në Gjykatën Supreme, dhe për të tilla raste nuk ka të drejtë ankese.
Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Neni 6
E drejta për një proces të rregullt
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:
a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;
b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;
c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;
d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;
e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.
Neni 13
E drejta për zgjidhje efektive
Çdokush, të cilit i janë shkelur të drejtat dhe liritë e përcaktuara në këtë Konventë, ka të drejtën e një zgjidhjeje efektive para një organi kombëtar, pavarësisht se shkelja është kryer nga persona që veprojnë në përmbushje të funksioneve të tyre zyrtare.
Neni 14
Ndalimi i diskriminimit
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.
Ligji Nr. 02/L-37 PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE
Neni 2
2.1. Gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës.
2.2. Të gjithë personat kanë të drejta të barabarta në lidhje me përdorimin e gjuhëve zyrtare në institucionet e Kosovës.
Neni 3
3.1. Çdo person ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pranuar, kërkuar dhe për të dhënë informata dhe ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje. Pranimi i lirë i transmetimit tejkufitar, qoftë i drejtpërdrejtë apo nëpërmjet të ritransmetimit apo riemetimit nuk ndalohet në baza të gjuhës. Ushtrimi i kësaj lirie mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla, që janë në pajtueshmëri me traktatet ndërkombëtare obliguese të të drejtave të njeriut.
3.2. Çdo person ka të drejtën për barazi para ligjit dhe të mbrojtjes së barabartë nga ligji. Ndalohet çdo diskriminim në baza gjuhësore.
Përdorimi i gjuhëve në procedurat gjyqësore
Neni 12
12.1. Gjuhët zyrtare përdoren në mënyrë të barabartë në procedurat gjyqësore.
12.2. Gjykatat dhe organet për ndjekje penale, si dhe autoritetet e tjera të përfshira në procedurë penale dhe në procedurat e tjera gjyqësore, sigurojnë që çdo person që merr pjesë në procedurat penale si dhe në procedura të tjera gjyqësore mund të përdorë gjuhën zyrtare të cilën ai/ajo e zgjedh.
Neni 14
Gjykatat kanë për detyrë të lëshojnë dokumente të cilat kanë të bëjnë me procedurat në gjuhën (t) zyrtare të zgjedhur për procedurë dhe në gjuhë të tjera zyrtare nëse kërkohet nga cilado palë në procedurë apo nëse sipas pikëpamjes së gjykatës kjo do t’i shërbente interesit të përgjithshëm publik.
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 6
6.1 Procedura kontestimore zhvillohet në gjuhën që është në përdorim zyrtar në gjykatë.
6.2 Palët dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë, të cilët nuk e kuptojnë apo nuk e flasin gjuhën që është në përdorim zyrtar në gjykatë kanë të drejtë që të përdorin gjuhën e vet apo gjuhën që e kuptojnë.
KREU VI
GJUHA NË PROCEDURË
Neni 96
96.1 Palët dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë kanë të drejtë që në procedurën para gjykatës të përdorin gjuhën e vet apo gjuhën të cilën e kuptojnë.
96.2 Në qoftë se procedura nuk zhvillohet në gjuhën e palës, gjegjësisht të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, do të sigurohet sipas kërkesës së tyre përkthimi gojarisht në gjuhën e tyre apo në gjuhën që e kuptojnë, i të gjitha parashtresave dhe provave shkresore, si dhe i asaj që parashtrohet në seancë gjyqësore.
96.3 Palët dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë do të njoftohen me të drejtën që procedurën verbale ta ndjekin ne gjuhën e tyre me anë të përkthyesit. Ato mund të heqin dorë nga e drejta e përkthimit, po që se deklarojnë se e njohin gjuhën në të cilën zhvillohet procedura. Në procesverbal do të shënohet se u është dhënë udhëzimi për të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre, si dhe deklaratat e palëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë lidhur me udhëzimin e dhënë nga gjykata.
96.4 Përkthimin e bëjnë përkthyesit.
96.5 Shpenzimet e përkthimit mbetën në ngarkim të buxhetit te gjykatës.
Neni 97
Letërthirrjet, vendimet dhe shkresat tjera gjyqësore u dërgohen palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë në gjuhën që është në përdorimin zyrtar në gjykatë.
Neni 98
Palët dhe pjesëmarrësit e tjerë në procedurë i dërgojnë gjykatës paditë, ankesat dhe parashtresat e tjera të tyre në gjuhën që është në përdorim zyrtar në gjykatë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
"1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj".
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj".
Neni 49
(Afatet)
"Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të
ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ... ".
Në vijim, sa i përket përmbushjes së kritereve të mësipërme procedurale, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev.nr.170/2021] e 19 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Pas shqyrtimit të ankesës kushtetuese të parashtrueses së kërkesës, Gjykata konsideron se kërkesa nuk mund të konsiderohet si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih, gjithashtu rastin e GjEDNj-së: Alimuçaj kundër Shqipërisë, kërkesa nr. 20134/05, Aktgjykim, i 9 korrikut 2012, paragrafi 144, si dhe shih në mënyrë të ngjashme rastin e Gjykatës KI27/20, parashtrues Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aktgjykim, i 22 korrikut 2020, paragrafi 43).
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të deklarohet e papranueshme në bazë të kritereve të përcaktuara në paragrafët (2) dhe (3) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata e konsideroi kërkesën të pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 [E Drejta për një proces të rregullt] dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Kësisoj, Gjykata fillimisht rikujton që rrethanat e rastit ndërlidhen me kërkesën e parashtrueses së kërkesës që në kuadër të procedurave gjyqësore të lirohej nga pagesa e taksës gjyqësore në shumë prej njëmijë (1.000) euro, të paraparë për padinë e parashtruar, përmes së cilës kërkonte kompensim të dëmit si dhe kishte propozim për caktimin e masës së sigurisë mbi pronën përkatëse kontestuese dhe lidhur me të cilën Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Aktgjykimin KI86/18 në vitin 2021. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtrueses për lirim nga pagimi i taksës gjyqësore dhe shpenzimet procedurale. Pas ankesës së parashtruar nga parashtruesja e kërkesës, Gjykata e Apelit gjithashtu refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, si dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Përgjatë këtyre procedurave, bazuar në nenin 96 (pa titull) të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, gjuha në procedurë ishte gjuha e parashtrueses së kërkesës, përkatësisht ajo serbe. Vendimi në fjalë i Gjykatës së Apelit, në gjuhën shqipe iu dërgua parashtrueses së kërkesës më 21 tetor 2020. Parashtruesja e kërkesës përmes parashtresës kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që vendimi në fjalë ti dorëzohet në gjuhën serbe, për shkak të moskuptimit të gjuhës shqipe. Nga dosja e plotë e lëndës dëshmohet që me 15 janar 2021, parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të përkthyer në gjuhën serbe. Në vijim, kërkesën për revizion të parashtrueses së kërkesës të parashtruar më 2 shkurt 2021, e hodhi poshtë si të pasafatshme Gjykata Supreme, duke sqaruar që parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit më 21 tetor 2020, ndërsa revizionin e kishte dorëzuar më 2 shkurt 2021. Në vijim parashtruesja kishte paraqitur edhe kundërshtim në Gjykatën Supreme duke theksuar që Aktvendimin e Gjykatës së Apelit në gjuhën serbe e kishte pranuar më 15 janar 2021 dhe se llogaritur nga kjo datë, e njëjta e kishte dërguar kërkesën për revizion brenda afatit të përcaktuar ligjor. Gjykata Supreme përfundimisht hodhi poshtë kundërshtimin e parashtrueses të kërkesës si të palejuar, ku theksoi që parashtruesja e kishte dorëzuar revizionin pas afatit ligjor dhe për më tepër në shkresat e lëndës nuk ka prova që parashtruesja e ka refuzuar pranimin e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit e as që ka paraqitur kërkesë për përkthim.
Bazuar në shtjellimin e sipërm të rastit, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtrueses të kërkesës duhet të shqyrtohen nga këndvështrimi i mohimit të qasjes në drejtësi siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, duke u nisur nga fakti se gjykatat e rregullta nuk kanë shqyrtuar në merita kërkesën për revizion të parashtrueses së kërkesës, në kontekst të rrjedhjes së afatit të parashtrimit të kërkesës për revizion nga momenti kur parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin e Gjykatës së Apelit në gjuhën që e zgjedhur për përdorim në procedurë gjyqësore.
Gjykata thekson se e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së dhe zbatimi i saj, është interpretuar nga Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ). Në këtë drejtim, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata ka obligim kushtetues që të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Rrjedhimisht, sa i përket interpretimit të pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata do t’i referohet parimeve të përgjithshme të qasjes në gjykatë nga jurisprudenca e konsoliduar e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës.
Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si dhe praktika relevante gjyqësore
Parimet e përgjithshme
Përkitazi me të drejtën për “qasje në gjykatë”, e drejtë kjo e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht thekson se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore, e cila është ndërtuar duke u bazuar në parimet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim, i 21 shkurtit 1975; Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002; Miragall Escolano dhe të Tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim, i 25 janarit 2000; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, Aktgjykim i 15 marsit 2018.) Thënë këtë, rastet e Gjykatës përmes të cilave Gjykata ka afirmuar parimet e vendosura nga GJENDJ dhe të njëjtat i ka aplikuar edhe në rastet për shqyrtim para saj, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI62/17, me parashtruese të kërkesës Emine Simnica [Aktgjykim, i 29 majit 2018]; KI224/19 me parashtrues Islam Krasniqi [Aktgjykim, i 10 dhjetorit 2020]; KI20/21 me parashtruese Violeta Todorović [Aktgjykim, i 13 prillit 2021]; KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha [Aktgjykim, i 2 dhjetorit 2021 si dhe KI10/22, me parashtrues Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore [Aktgjykim i 15 gushtit 2022].
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se e drejta për të pasur qasje në gjykatë për qëllime të nenit 6.1 të KEDNj-së është qartësuar në rastin Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Golder kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 4451/70, Aktgjykim i 21 shkurtit 1975, paragrafët 28-36). Duke iu referuar parimit të sundimit të ligjit dhe shmangies së pushtetit arbitrar, GJEDNj-ja ka konstatuar se “e drejta për qasje në gjykatë” është aspekt thelbësor i garancive procedurale të mishëruara në nenin 6 të KEDNj-së. (Përkitazi me parimet e përgjithshme të së drejtës në gjykatë, shih gjithashtu rastin e GJEDNj-së, Zubac kundër Kroacisë, nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 76). Për më tepër, sipas GJEDNj-së, kjo e drejtë i siguron çdokujt të drejtën e adresimit të çështjes përkatëse që ndërlidhet me “të drejta dhe detyrime civile” para një gjykate (shih rastin e GJEDNj-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 84 dhe referencat në të).
Gjykata në këtë kontekst thekson se e drejta në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, përcakton që ndërgjyqësit duhet të kenë një mjet efektiv juridik që ua mundëson mbrojtjen e të drejtave të tyre civile (shih rastet e GJEDNJ-së, Běleš dhe të tjerët kundër Republikës Çeke, nr. 47273/99, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 49; dhe Naït-Liman kundër Zvicrës, nr. 51357/07, Aktgjykim i 15 marsit 2018, paragrafi 112).
Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, së pari duhet të ekzistojë një “e drejtë civile” dhe së dyti, të ketë një “kontest” lidhur me ligjshmërinë e një ndërhyrje, që prek vetë ekzistencën apo fushëveprimin e “të drejtës civile” të mbrojtur. Definicioni i të dy këtyre koncepteve, duhet të jetë përmbajtësor dhe joformal (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së Le Compte, Van Leuven and De Meyere kundër Belgjikës, nr. 6878/75; 7238/75, Aktgjykim i 23 qershorit 1981, paragrafi 45; Moreira de Azevedo kundër Portugalisë, nr. 11296/84, Aktgjykim i 23 tetorit 1990, paragrafi 66; Gorou kundër Greqisë (nr.2), nr. 12686/03, Aktgjykim i 20 marsit 2009, paragrafi 29; dhe Boulois kundër Luksemburgut, nr. 37575/04, Aktgjykim i 3 prillit 2012, paragrafi 92). “Kontesti”, megjithatë, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, duhet të jetë (i) i “vërtetë dhe serioz” (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së Sporrong dhe Lönnroth kundër Suedisë, nr. 7151/75; 7152/75, Aktgjykim i 23 shtatorit 1982, paragrafi 81; dhe Cipolletta kundër Italisë, nr. 38259/09, Aktgjykim i 11 janarit 2018, paragrafi 31); dhe, (ii) rezultatet e procedurave para gjykatave duhet të jenë “vendimtare” për të drejtën civile në fjalë (shih, në këtë kontekst rastin e GJEDNJ-së: Ulyanov kundër Ukrainës, nr. 16472/04, Aktvendim i 5 tetorit 2010). Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, “lidhjet e paqëndrueshme” ose “pasojat e largëta” në mes të drejtës civile në fjalë dhe rezultatit të këtyre procedurave, nuk janë të mjaftueshme për të qenë në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastet e GJEDNJ-së, Lovrić kundër Kroacisë, nr. 38458/15, Aktgjykim i 4 prillit 2017, paragrafi 51 dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 71 dhe referencat në të).
Për më tepër, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, KEDNj-ja nuk synon të garantojë të drejta që janë “teorike dhe të rreme”, por të drejta që janë “praktike dhe efektive” (shih, për më tepër rreth të drejtave “praktike dhe efektive”, Udhëzuesin e GJEDNj-së të 31 dhjetorit 2018 për nenin 6 të KEDNj-së, E drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm, Aspekti Civil, Pjesa II. E Drejta në Gjykatë, A. E Drejta dhe Qasja në Gjykatë, 1. Një e drejtë praktike dhe efektive; dhe rastet e GJEDNj-së Kutić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafi 25 dhe referencat e cituara aty; dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 86 dhe referencat në të).
Prandaj, në kuptim të këtyre të drejtave, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, garantojnë jo vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të “kontestit” përkatës nga një gjykatë (shih rastet e GJEDNj-së, Kutić kundër Kroacisë, cituar më lart, paragrafët 25-32; Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 86 dhe referencat në të; Aćimović kundër Kroacisë, nr. 61237/00, Aktgjykim i 9 tetorit 2003, paragrafi 41; dhe Beneficio Cappella Paolini kundër San Marinos, nr. 40786/98, Aktgjykim i 13 korrikut 2004, paragrafi 29).
Parimet e lartpërmendura, megjithatë, nuk nënkuptojnë që e drejta për gjykatë dhe e drejta e qasjes në gjykatë janë të drejta absolute. Ato mund të jenë subjekt i kufizimeve, të cilat janë qartë të përcaktuara nga praktika gjyqësore e GJEDNj-së. Megjithatë, këto kufizime nuk mund të shkojnë deri në atë masë sa të kufizojnë qasjen e individit ashtu që të cenohet vetë thelbi i të drejtës (shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNj-së, Baka kundër Hungarisë, nr. 20261/12, Aktgjykim i 23 qershorit 2016, paragrafi 120; dhe Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89 dhe referencat në të). Kurdo që qasja në gjykatë kufizohet nga ligji ose praktika përkatëse gjyqësore, Gjykata shqyrton nëse kufizimi prek thelbin e të drejtës dhe, në veçanti, nëse ky kufizim ka ndjekur një “qëllim legjitim” dhe nëse ekziston “një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet” (shih rastet e Gjykatës KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha, cituar më lartë, paragrafi 63; dhe KI20/21, me parashtruese Violeta Todorović, të cituar më lart, paragrafi 44; shih gjithashtu rastet e GJEDNj-së, Ashingdane kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8225/75, Aktgjykim i 28 majit 1985, paragrafi 57; Lupeni Greek Catholic Parish kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 89; Naït-Liman kundër Zvicrës, cituar më lart, paragrafi 115; Fayed kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 17101/90, Aktgjykim i 21 shtatorit 1990, paragrafi 65; dhe Marković dhe të tjerët kundër Italisë, nr.1398/03, Aktgjykim i 14 dhjetorit 2006, paragrafi 99).
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në rrethanat e rastit konkret
Gjykata rikujton se pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës kanë të bëjnë me mos dhënien e mbrojtjes adekuate gjyqësore nga gjykatat e rregullta, si pasojë e mos-shqyrtimit në merita të kërkesës për revizion të ndërlidhur me kërkesën për lirim të pagesës së taksës gjyqësore prej 1000 (njëmijë) euro. Pra, thelbi i çështjes ndërlidhet me parimin e qasjes në gjykatë në kontekst të rrjedhjes së afatit të parashtrimit të kërkesës për revizion, nga momenti kur parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar vendimin e Apelit në gjuhën e saj, pasiqë në bazë të nenit 96 të LPK-së, gjuha e zgjedhur për përdorim në procedurë gjyqësore, ishte gjuha e parashtrueses së kërkesës, përkatësisht ajo serbe. Pra, përderisa Aktvendimi [Ac.nr. 3165/20] i Gjykatës së Apelit i ishte dorëzuar parashtrueses së kërkesës më 21 tetor 2020 në gjuhën shqipe, parashtruesja me 28 tetor 2020, duke u thirrur në dispozita të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, kishte kërkuar që vendimi ti dorëzohej në gjuhën serbe, për shkak të moskuptimit dhe mosnjohjes së gjuhës shqipe. Përderisa Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac.nr. 3165/20] i përkthyer në gjuhën serbe, i ishte dorëzuar me 15 janar 2021, parashtruesja e kërkesës më 2 shkurt 2021, kishte dorëzuar kërkesë për revizion, të cilën Gjykata Supreme ia hedh poshtë si të pasafatshme duke konsideruar si datë të pranimit të vendimit 21 tetorin 2020 (datën kur i ishte dorëzuar Aktvendimi i Gjykatës së Apelit në gjuhën shqipe).
Në lidhje me praktikën e Gjykatës sa i përket rasteve kur pretendohet mos pranim i vendimit në gjuhët zyrtare dhe gjuhët tjera, Gjykata sjell në vëmendje praktikën e saj në rastin KI42/18, me parashtrues Asija Muslija, Aktvendim për Papranueshmëri i 24 prillit 2020.
Në rrethanat e rastit KI42/18, Gjykata sqaroi që parashtruesja e kërkesës kishte pretenduar shkelje të nenit 5 të Kushtetutës, për shkak të mos dorëzimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit në gjuhën e saj amtare, përkatësisht në gjuhën boshnjake. Gjykata në këtë rast sqaroi dispozitat Kushtetuese dhe ligjore që ndërlidhen me përdorimin e gjuhës, e cila nuk është gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës, në procedurat para gjykatave.
Në kuadër të këtij rasti, Gjykata kishte sqaruar që në parim gjykatat zhvillojnë procedurat në gjuhën zyrtare apo në “gjuhët zyrtare të zgjedhura” nga palët në procedurat përkatëse. Përkitazi me kategorinë e fundit, përkatësisht “gjuhën zyrtare të zgjedhur” nga palët në procedurë, nenet 13 dhe 14 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, përcaktojnë që, përtej veprimit të gjykatës përkatëse me vetiniciativë në rast se ajo vlerëson se është në interes të përgjithshëm publik, me kërkesën e palës, gjykata duhet të (i) sigurojë pajisjet për përkthim simultan, duke përfshirë dëshmitë e dhëna, nga njëra gjuhë zyrtare në tjetrën; dhe (ii) lëshojë dokumente të cilat kanë të bëjnë me procedurat në “gjuhën zyrtare të zgjedhur” për procedurë.
Në vijim, në kuadër të rastit KI42/18, Gjykata kishte sqaruar që dispozitat e neneve 6, 96 dhe 97 të LPK-së, në lidhje me gjuhën në procedurë, në parim, u garanton palëve në procedurë (i) të drejtën të përdorin gjuhën e vet apo gjuhën të cilën e kuptojnë në procedurat para gjykatës; dhe (ii) sigurimin e përkthimit në gjuhën e tyre apo gjuhën që e kuptojnë të të gjitha parashtresave dhe provave shkresore, në rast se pala paraqet një kërkesë të tillë. Rrjedhimisht, Gjykata theksoi se nga kjo rezultonte se çdo palë ka të drejtë të përdorë gjuhën e zgjedhur në një proces gjyqësor dhe të pranojë shkresat dhe vendimet në po atë gjuhë, nëse ka bërë një kërkesë të tillë.
Gjykata në rrethanat e rastit KI42/18 arriti në përfundimin se parashtruesja e kërkesës nuk kishte zgjedhur gjuhën e procedurë sipas përcaktimeve të nenit 96 të LPK-së, dhe se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 5 të Kushtetutës, në mungesë të një kërkese të saj për përdorimin e gjuhës së saj në procedurat para Gjykatës së Apelit dhe për pranimin e vendimit përkatës në gjuhën e zgjedhur të saj, nuk janë mjaftueshëm të dëshmuara dhe të mbështetura dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Në këtë kontekst, për aq sa është i zbatueshëm neni 6 i KEDNJ-së dhe neni 31 i Kushtetutës, në rrethanat e rastit konkret, mbetet për t'u verifikuar nëse parashtruesja e kërkesës kishte qasje efektive në gjykatë për qëllimin e sfidimit të Aktvendimit [Ac.nr.3165/20] të Gjykatës së Apelit, në Gjykatës Supreme të Kosovës. Në këndvështrimin e Gjykatës, thelbi i çështjes ndërlidhet me parimin e qasjes në gjykatë në kontekst të rrjedhjes së afatit për parashtrimin e kërkesës për revizion, nga momenti kur parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin [Ac.nr. 3165/20] e Gjykatës së Apelit në gjuhën e saj, të zgjedhur për përdorim në procedurën gjyqësore sipas nenit 96 të LPK-së.
Gjykata fillimisht vëren se parashtruesja e kërkesës parashtroi padi të përpiluar në gjuhën serbe, kundër F.M në Gjykatën Themelore në Prizren për kompensim të dëmit dhe se e njëjta për këtë lloj të padisë detyrohej që të paguante taksën gjyqësore prej njëmijë (1000) euro.
Në ndërlidhje me këtë çështje, Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës pas paraqitjes së kërkesës për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore, kishte marrë përgjigje përmes Aktvendimit [C.nr. 1370/2019] të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimit [Ac.nr. 3165/20] të 2 tetorit 2020, të Gjykatës së Apelit.
Në këtë drejtim, pasi që Aktvendimin [Ac.nr. 3165/20] e 2 tetorit 2020, të Gjykatës së Apelit, e kishte pranuar në gjuhën shqipe, e njëjta më 28 tetor 2020, kishte kërkuar që në bazë të Ligjit të përdorimit të gjuhëve, të përkthehet dhe ti dorëzohet në gjuhën serbe. Rrjedhimisht pasi që më 15 janar 2021, e pranoi Aktvendimin e përkthyer në gjuhën serbe, e njëjta më 2 shkurt 2021, kishte dorëzuar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor 30 (tridhjetë) ditësh.
Në këtë drejtim, Gjykata sqaron që parashtruesja e kërkesës duke filluar nga paraqitja e padisë, marrja e vendimeve përkatësisht: (i) Aktvendimit [C.nr.1370/2019] të 4 shtatorit 2019, të Gjykatës Themelore, me të cilin i ishte kërkuar pagimi i taksës gjyqësore në shumën prej 1000 (njëmijë) euro; (ii) Aktvendimit [C.nr.1370/2019] të 15 tetor 2019, të Gjykata Themelore përmes të cilit ishte refuzuar kërkesa për lirim nga pagimi i taksës gjyqësore dhe shpenzimet procedurale; (iii) Aktvendimit [Ac.nr.6002/19] të 9 dhjetorit 2019, të Gjykatës së Apelit përmes së cilës iu refuzua si e pabazuar ankesa e parashtrueses së kërkesës, duke vërtetuar Aktvendimin [C.nr.1370/2019] e 15 tetorit 2019, të Gjykatës Themelore; janë vendime të cilat i ka marrë në gjuhën serbe, bazuar në nenin 96 të LPK-së për sa i përket gjuhës së përzgjedhur në procedurë.
Në bazë të shtjellimeve të mësipërme, Gjykata sqaron se e tërë procedura gjyqësore, në bazë të nenit 96 të LPK-së, ishte zhvilluar në gjuhën e zgjedhur të parashtrueses së kërkesës, me përjashtim të vendimmarrjes përfundimtare të Gjykatës së Apelit dhe që për pasojë, shteti përkatësisht gjykatat e jurisdiksionit të rregullt, kanë patur detyrim pozitiv që të dorëzojnë vendimin në gjuhën e zgjedhur në procedurë.
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës në kërkesën e saj lidhur me përkthimin e Aktvendimit [Ac.nr. 3165/20] të Gjykatës së Apelit në gjuhën serbe, është thirrur në dispozitat e Ligjit nr. 02/L-37 për Përdorimin e Gjuhëve. Përveç këtij aspekti, Gjykata poashtu sqaron që neni 96 i Ligjit për Procedurën Kontestimore përcakton të drejtën themelore të palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë për të përdorur gjuhën e tyre amtare ose një gjuhë që ata e kuptojnë gjatë zhvillimit të procedurave para gjykatës, në rast se pala paraqet një kërkesë të tillë. Për më tepër, nenet 96, 97 dhe 98 të tij, në parim, u garanton palëve në procedurë (i) të drejtën të përdorin gjuhën e vet apo gjuhën të cilën e kuptojnë në procedurat para gjykatës; dhe (ii) sigurimin e përkthimit në gjuhën e tyre apo gjuhën që e kuptojnë të të gjitha parashtresave dhe provave shkresore, në rast se pala paraqet një kërkesë të tillë (shih në këtë aspekt elaborimet relevante të dispozitave të neneve 6, 96, 97 dhe 98 të LPK-së, në rastin e Gjykatës KI42/18, me parashtrues Asija Muslija, cituar më lartë, paragrafi 98).
Pra, në këndvështrimin e Gjykatës, kjo e drejtë është themelore për sigurimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë, duke garantuar që palët të jenë në gjendje të marrin pjesë në mënyrë të plotë në procedurat gjyqësore. Për më tepër, kjo dispozitë siguron që palët të mos jenë të penguara në mbrojtjen e të drejtave të tyre si rezultat i barrierave gjuhësore, duke mbrojtur kështu të drejtën e qasjes në gjykatë dhe barazinë para ligjit.
Prandaj, Gjykata arrin në përfundimin se sjellja e parashtrueses së kërkesës në shfrytëzimin e mundësive të parashikuara nga ligji nuk mund të vihet në mëdyshje, pasiqë e njëjta bazuar në nenin 96 të LPK-së, kishte përzgjedhur gjuhën për përdorim në procedurën gjyqësore. E njëjta kishte përmbushur detyrimet ligjore për të bërë kërkesën për përkthim të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit dhe që pas pranimit më 15 janar 2021, të Aktvendimit [Ac.nr. 3165/20] të Gjykatës së Apelit, të përkthyer në gjuhën serbe e njëjta kishte parashtruar kërkesës për revizion. Megjithatë, përpjekjet e saj rezulton se janë penguar nga interpretimi i dhënë nga Gjykata Supreme e cila ka konsideruar që parashtruesja e kërkesës ka dorëzuar revizionin pas afatit të përcaktuar ligjor, duke marrë parasysh 28 tetorin 2020, kur i është dorëzuar Aktvendimi i Gjykatës së Apelit në gjuhën shqipe, si datën e dorëzimit të Aktvendimit, e jo datën 15 janar 2021 kur parashtrueses i ishte dorëzuar versioni në gjuhën serbe i Aktvendimit [Ac.nr. 3165/20] të Gjykatës së Apelit.
Gjykata rikujton se nga dosja e plotë e lëndës, përkatësisht përmes fletëkthesës (sqarim: Shih paragrafin 36 të Aktgjykimit) dëshmohet që parashtruesja e kërkesës e kishte pranuar Aktvendimin [Ac.nr. 3165/20] e Gjykatës së Apelit të përkthyer në gjuhën serbe më 15 janar 2021. Rrjedhimisht, e njëjta ka ndërmarrë veprimin pasues procedural, përkatësisht parashtrimin e kërkesës për revizion në Gjykatën Supreme, duke u bazuar në këtë datë, me çka rezulton që e njëjta e kishte dorëzuar brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 30 (tridhjetë) ditësh. Si rezultat i situatës së krijuar, parashtruesja e kërkesës vazhdon të përballet me pasiguri në lidhje me mundësinë e shqyrtimit në themel të kërkesës së saj për kompensim të dëmit të paraqitur në vitin 2019 (shih mutatis mutandis rastin e GJEDNJ-së: Laçi kundër Shqipërisë, nr. 28142/17, Aktgjykim i 19 tetorit 2021, paragrafi 59).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se me kërkesën e palës, e tërë procedura gjyqësore ishte zhvilluar në gjuhën e zgjedhur të parashtrueses së kërkesës, me përjashtim të vendimmarrjes përfundimtare të Gjykatës së Apelit, përkundër faktit që bazuar në dispozitën e lartcekur të LPK-së, kjo gjykatë kishte detyrimin që palës të ia dorëzonte vendimin përkatës në gjuhën e zgjedhur në procedurë. Për më tepër, e njëjta ka ndërmarrë edhe hapat e domosdoshëm duke parashtruar kërkesë për përkthim të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit në gjuhën serbe. Rrjedhimisht, e njëjta është ballafaquar me mungesë të qasjes në gjykatë, konstatim ky i cili në këndvështrimin e Gjykatës vlen për rrethanat e rastit konkret.
Pra, Gjykata konstaton se, përderisa parashtruesja e kërkesës ka parashtruar kërkesën për përkthim të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, e njëjta ka pranuar aktvendimin e përkthyer në gjuhën serbe dhe, bazuar në këtë version, ka parashtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme. Rrjedhimisht, kërkesa pasuese e parashtrues për të pranuar vendimin përkatës në gjuhën e saj, kishte rezultuar në pasoja lidhur me afatet përkitazi me përdorimin e mjetit juridik në Gjykatën Supreme, fakt ky të cilin kjo e fundit kishte dështuar të marrë parasysh në rrethanat e rastit, duke rezultuar në cenimin e të drejtës për qasje në gjykatë të parashtrueses së kërkesës.
Duke marrë parasysh konsideratat e mësipërme, Gjykata vlerëson se të njëjtat janë të mjaftueshme për t'i mundësuar Gjykatës të konkludojë se dështimi i Gjykatës Supreme për të vlerësuar kërkesën për revizion të parashtrueses së kërkesës, të cilën e kishte dorëzuar pas pranimit të versionit në gjuhën serbe, në njërën anë, si dhe mungesa e vlerësimit të Gjykatës Supreme lidhur me përshtatshmërinë e parashtrueses së kërkesë për përjashtim nga pagesa e taksës gjyqësore, në anën tjetër, ka dëmtuar thelbin e të drejtës së saj për qasje në gjykatë.
Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, dhe veçanërisht faktin që ky kufizim i vendosur nga Gjykata Supreme ishte vendosur në një fazë fillestare të procedurës, duke anashkaluar të drejtën e parashtrueses për pranimin e Aktvendimit [Ac.nr. 3165/20] të Gjykatës së Apelit, në gjuhën serbe si gjuhë të zgjedhur në procedurë dhe ndërmarrjen e hapave tjerë proceduralë duke u bazuar në datën e pranimit të versionit në gjuhën serbe, Gjykata vlerëson se i njëjti ishte joproporcional dhe kështu cenoi vetë thelbin e të drejtës për qasje në gjykatë. Rrjedhimisht, përmes vendimit të kontestuar, Gjykata Supreme ia mohoi të drejtën e "qasjes në gjykatë" në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në fund, Gjykata sqaron që ky Aktgjykim merret pa paragjykuar vendimmarrjen e Gjykatës Supreme për sa i përket vendimit për rastin në fjalë, në procesin e rishqyrtimit të aktit të kontestuar.
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se rrethanat e rastit konkret shpalosin shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113 (1) dhe (7) të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit dhe me rregullin 48 (1)(b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 11 shtator 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË SHPALLË të pavlefshëm Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev.170/2021] të 19 tetorit 2021;
TË KTHEJË për rivendosje Aktvendimin e Gjykatës Supreme [Rev.170/2021] të 19 tetorit 2021, në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
TË URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, deri më 18 mars 2025, për masat e ndërmarra për zbatimin këtij Aktgjykimi;
TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktgjykim hyn ne fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtar raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Slavica Đorđević
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile