Aktgjykim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën Ac. nr. 3930/2016 

Nr. të lëndës KI06/21

Parashtruesit: Dragan Mihajloviq

Shkarko:
llogo_gjkk_png_2

 

Prishtinë, më​​ 2​​ shkurt​​ 2023

Nr. ref.:AGJ​​ 2116/23

 

 

 

 

 

AKTGJYKIM

 

 

rastin nr.​​ KI06/21

 

Parashtrues

 

Dragan Mihajloviq

 

 

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë​​ 

​​ procedurave në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, përkitazi me lëndën Ac. nr.​​ 3930/2016​​ 

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS​​ 

 

 

e përbërë nga:​​ 

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare​​ 

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar​​ 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare​​ 

Safet Hoxha, gjyqtar​​ 

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar​​ dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

  

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa​​ është dorëzuar​​ nga​​ Dragan Mihajloviq nga Prizreni, i përfaqësuar nga​​ Sezo Veliji,​​ avokat​​ nga​​ Prizreni​​ (në tekstin e mëtejmë:​​ parashtruesi i kërkesës).

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ konteston​​ tejzgjatjen e procedurës​​ gjyqësore​​ ​​ rastin​​ Ac.​​ nr.​​ 3930/2016 që është duke u zhvilluar në Gjykatën e​​ Apelit​​ të Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Objekt​​ i​​ çështjes​​ së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ procedurës në fjalë, me të cilin parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me​​ nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës​​ së​​ Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa​​ bazohet​​ në paragrafët​​ 1 dhe​​ 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës,​​ në​​ nenet​​ 20 [Vendimet] dhe​​ 47 [Kërkesat​​ individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullat​​ 32​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ dhe 59 [Llojet e​​ vendimeve]​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura​​ ​​ Gjykatën Kushtetuese

 

  • ​​ 8 janar 2021, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e​​ dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të​​ Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 18 janar 2021, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes vendimit [Nr.​​ GJR.​​ KI06/21]​​ caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi​​ gjyqtar​​ raportues​​ dhe​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Arta Rama-Hajrizi​​ (kryesuese), Bekim Sejdiu dhe​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, anëtarë.

 

  • ​​ 22 janar 2021, Gjykata njoftoi​​ përfaqësuesin e​​ parashtruesit​​ për regjistrimin e kërkesës dhe​​ kërkoi nga ai që të plotësojë formularin e kërkesës dhe të sjellë autorizimin e vlefshëm për Gjykatën.

 

  • Më 16 shkurt 2021, përfaqësuesi i parashtruesit dorëzoi në Gjykatë dokumentet e kërkuara.

 

  • ​​ Po ashtu,​​ Gjykata i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit.

 

  • Më 17 maj 2021, bazuar në paragrafin 5 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës dhe​​ rregullit 12 (Zgjedhja e Kryetarit dhe e Zëvendëskryetarit) të Rregullores së punës,​​ gjyqtarja Gresa Caka-Nimani u zgjodh Kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Bazuar në paragrafin​​ (4)​​ të​​ rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP 71-2/21, u përcaktua që gjyqtarja Gresa Caka-Nimani, detyrën e Kryetares së Gjykatës e merr pas përfundimit të mandatit të​​ kryetares aktuale të Gjykatës,​​ Arta Rama-Hajrizi, më 26 qershor 2021.​​ 

 

  • Më 25 maj 2021, bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1,​​ të nenit 9 (Përfundimi i mandatit para kohës) të Ligjit dhe​​ rregullit 7 (Dorëheqja e gjyqtarëve) të Rregullores së punës, gjyqtari Bekim Sejdiu paraqiti dorëheqjen e tij nga pozita e gjyqtarit pranë Gjykatës Kushtetuese.

 

  • Më 27 maj 2021, Kryetarja e Gjykatës,​​ Arta Rama-Hajrizi, përmes Vendimit KSH.​​ KI06/21, emëroi​​ gjyqtarin Bajram Ljatifi si anëtar të Kolegjit shqyrtues në vend të gjyqtarit Bekim Sejdiu.​​ 

 

  • Më 31 maj 2021, Kryetarja e Gjykatës,​​ Arta Rama-Hajrizi, me Vendimin nr. KK160/21 për zëvendësimin e gjyqtarëve kryesues në kolegje shqyrtuese, caktoi Kryetaren e zgjedhur të Gjykatës Gresa-Caka Nimani, kryesuese të​​ Kolegjit për rastin KI06/21.​​ 

 

  • Më 26 qershor 2021, bazuar në paragrafin​​ (4)​​ të​​ rregullit 12 të Rregullores së punës dhe Vendimit të Gjykatës KK-SP 71-2/21, gjyqtarja Gresa Caka-Nimani mori detyrën e Kryetares së Gjykatës, ndërsa bazuar në pikën 1.1 të paragrafit 1,​​ të nenit 8 (Përfundimi i mandatit) të Ligjit,​​ kryetarja Arta Rama-Hajrizi përfundoi mandatin e Kryetares dhe të gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese.

 

  • Më 28 qershor 2021, Kryetarja e Gjykatës Gresa Caka-Nimani, përmes Vendimit KSH.​​ KI06/21, emëroi​​ gjyqtaren Gresa Caka-Nimani si anëtare të Kolegjit shqyrtues në vend të gjyqtares Arta Rama-Hajrizi.​​ 

 

  • Më 19 nëntor 2021, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës së Apelit dhe kërkoi nga ajo që ta informojë Gjykatën në lidhje me procedurën që është duke u zhvilluar në lidhje me rastin konkret.

 

  • Më 1 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit dorëzoi në Gjykatë​​ përgjigjen e kërkuar nga Gjykata, ku theksoi se​​ për lëndën për​​ të cilën ankohet parashtruesi i kërkesës është vendosur përmes​​ Aktvendimit [Ac.​​ nr.​​ 3930/16], ku aprovoi si të themeltë ankesën e KK Prizren dhe prishi Aktgjykimin [P.​​ nr.​​ 1146/15] të Gjykatës Themelore të 29 prillit 2016, dhe rastin e ktheu në rigjykim dhe rivendosje.​​ 

 

  • Më 9 mars 2022, Gjykata shqyrtoi​​ rastin dhe​​ njëzëri vendosi të shtyhet, për​​ plotësime shtesë, dhe të shqyrtohet sërish në një nga seancat e radhës.

 

  • Më 15 nëntor 2022,​​ Gjykata shqyrtoi rastin dhe njëzëri vendosi të shtyhet, për plotësime shtesë, dhe të shqyrtohet sërish në një nga seancat e radhës.

 

  • Më 16 nëntor 2022, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore dhe kërkoi nga ajo që të​​ informojë Gjykatën,​​ se a kanë vendosur ende lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës, në bazë të​​ Aktvendimit [Ac.​​ nr.​​ 3930/16] të 9 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit rasti ishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

 

  • Më 21 nëntor 2022, Gjykata Themelore njoftoi Gjykatën se prej 30 gushtit​​ 2022, lënda është në Gjykatën e Apelit në bazë të ankesës.​​ 

 

  • Më 2 dhjetor 2022, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës së Apelit dhe kërkoi nga ajo që të informojë Gjykatën lidhur me procedurën që është duke u zhvilluar në lidhje me rastin e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Më 9 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes një shkrese njoftoi Gjykatën se rasti i parashtruesit të kërkesës i është ndarë gjyqtarit referues për shqyrtim dhe se ende nuk është vendosur.

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 22 dhjetor​​ 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e​​ gjyqtarit​​ raportues dhe​​ njëzëri​​ i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata​​ njëzëri​​ konstatoi se (i) kërkesa e parashtruesit është e pranueshme; (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm.

 

Përmbledhja e fakteve​​ të rastit

 

  • Bazuar në shkresat e lëndës,​​ më 17 shtator 2003,​​ Gjykata Komunale në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale),​​ përmes Aktvendimit​​ T.​​ nr. 68/03,​​ kishte​​ vërtetuar që është shqyrtuar trashëgimia e trashëgimlënësit Toma Mihajloviq​​ nga Prizreni, ku​​ parashtruesi i kërkesës​​ Dragan Mihajloviq është shpallur si​​ trashëgimtari​​ i vetëm​​ i ligjshëm​​ i pronës së përgjithshme të babait të tij,​​ Toma Mihajloviq.​​ Në kuadër të trashëgimisë së lënë,​​ e cila​​ ka qenë pjesë e 7/16​​ e​​ parcelës nr. 5712 sipas fletës poseduese nr. 154 ZK Prizren. Trashëguesit tjerë ligjorë, Srboljub, Draginja, Miroslav dhe Branislav, sipas këtij aktvendimi,​​ nuk janë përfshirë në trashëgimi, pasi që ata përmes të autorizuarit të tyre gjatë zhvillimit të procedurës së trashëgimisë në Gjykatën Komunale, kishin deklaruar se nuk i pranojnë pjesët e tyre ligjore të lëna nga ana e trashëgimlënësit, duke mos ia mohuar të drejtën në trashëgimi trashëgimtareve tjerë ligjor.

 

  • Sipas shkresave të lëndës, më​​ 3 tetor​​ 2003, duke vepruar sipas Aktvendimit [T.​​ nr.​​ 68/03] të Gjykatës Komunale në Prizren,​​ Kuvendi i Komunës​​ -​​ Prizren –​​ Drejtoria për çështje pronësoro-juridike​​ (në​​ tekstin​​ e​​ mëtejmë: KK​​ Prizren)​​ kishte nxjerrë​​ Aktvendimin nr.​​ 027-825 përmes të cilit: (i)​​ lejoi ndërrimin e pronarit​​ në operatin kadastral KK Prizren për paluajtshmërinë të regjistruar në listën poseduese nr.​​ 154 në emër Trajko Mihajloviq 9/16 dhe Toma Mihajloviq 7/16 nga Prizreni dhe atë ngastra kad.​​ nr.​​ 57/12​​ në​​ sipërfaqe 1 ha 93 ari e 85m2, kulturë arë e klasit 3; (ii) Paluajtshmëritë nga pika I të dispozitivit të këtij aktvendimi do të regjistrohen në listën poseduese nr.​​ 154 në emër të Trajko Mihajloviq 9/16 dhe Dragan Mihajloviq 7/16 nga Prizreni, me shënimet e pandryshuara sa i përket nr. të parcelës, sipërfaqes, kulturës dhe klasës.

 

  • Më 9 mars 2004,​​ KK Prizren përmes​​ Aktvendimit nr.​​ 02-583/1 anuloi dhe shpalli nul: (i)​​ Aktvendimin e KK Prizren 027-583 të 7 korrikut 2003, mbi ndërrimin e pronarit në operatin kadastral KK Prizren për paluajtshmërinë e regjistruar në listën poseduese nr.​​ 154 në emër të P.SH. KBI “Progres” nga Prizreni, 7/16 dhe atë​​ vetëm​​ sa i përket ngastrës kadastrale nr.​​ 57/12​​ në​​ sipërfaqe 1 ha 93 ari 85 m2, kulturë arë e klasit 3, të bartur dhe regjistruar në listën poseduese nr.154 në emër të Toma Mihajloviq 7/16 pjesë ideale me shënimet tjera të pandryshuara si nule; dhe Aktvendimin e​​ Drejtorisë​​ për çështje pronësoro-juridike​​ nr.​​ 027-825 të 3 tetorit 2003​​ mbi ndërrimin e pronarit (shfrytëzuesit) në​​ operatin kadastral KK Prizren për paluajtshmërinë​​ e njëjtë,​​ e evidentuar në​​ emër të​​ Toma Mihajloviq prej 7/16 pjesë​​ ideale, me shënimet e tjera të​​ pandryshuara dhe të​​ bartura​​ në​​ trashëgimtarin Dragan T.​​ Mihajloviq; dhe (ii) paluajtshmëria nga pika I e dispozitivit të këtij aktvendimi do të çregjistrohet nga Toma Mihajloviq respektivisht nga trashigimtari​​ i​​ tij Dragan Mihajloviq dhe kthehet në listën poseduese nr.​​ 154 në emër të KK Prizren – Drejtoria për Arsim dhe Shkencë, me shënimet e pandryshuara sa​​ i​​ përket nr.​​ të ngastrës, sipërfaqes, kulturës, dhe klasës​​ sipas rexh. ndërtimeve nr.50/2000.​​ Këtë vendim KK Prizren e arsyetoi​​ mbi bazën​​ se​​ “pas verifikimit të librave kadastrale ky organ ka ardhur​​ në përfundim se ka bërë​​ lëshim kur gabimisht ka bërë regjistrimin-ndërrimin në operatin kadastral të kësaj ngastre nr.5712 për pjesën ideale prej 7/16 apo 85 ari, ngase ky ndryshim nuk ka mund të ekzekutohet pasi që më parë​​ me​​ Aktvendimin nr. 011-28 të 30​​ majit​​ 2000 të KK Prizrenit, është bërë bartja administrative​​ e kësaj ngastre kadastrale​​ nga KBI “Progres” në Komunën e Prizrenit​​ – Drejtorinë për Arsim dhe Shkencë, me qëllim të ndërtimit të shkollës fillore e cila​​ tashmë​​ është​​ në​​ ndërtim e përfundim e sipër, dhe​​ këto ndryshime janë evidentuar në kadastër në regjistrimin e ndërtimeve nr.50/2000”.

 

  • Më 27 dhjetor 2004, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën​​ Komunale​​ në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ Komunale) kundër KK Prizren, ku kërkoi që ti kompensohet​​ konfiskimi i​​ tokës nga ana e KK Prizren.

 

  • Më​​ 26 mars 2013, Gjykata Themelore​​ në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ përmes Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 2231/04] miratoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi KK Prizren që parashtruesit t’ia paguaj në emër të kompensimit për​​ konfiskimin e palejueshëm​​ të 7/16 të pjesës ideale të parcelës kadastrale nr.​​ 5712 sipas fletës poseduese nr.​​ 154​​ ZK Prizren, shumën prej 554.320 (pesëqind e pesëdhjetë e katër mijë e treqind e njëzet) euro me kamatë ligjore nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit.

 

  • Më 10 shtator 2013, KK Prizren parashtroi ankesë në Gjykatën​​ e​​ Apelit kundër Aktgjykimit​​ të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të ndryshohet aktgjykimi dhe çështja të kthehet në shkallën e parë​​ për​​ rigjykim.

 

  • Më 6 maj 2015, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA.​​ nr.​​ 3132/2013] prishi​​ Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P.​​ nr.​​ 2231/04] të 26 marsit 2013, dhe ktheu çështjen në rigjykim.

 

  • Më 29 prill 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 1146/15] miratoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ashtu që obligoi KK Prizren që parashtruesit​​ të kërkesës,​​ si bashkëpronar në pjesën prej 7/16, në sipërfaqe prej 8528 m2 të parcelës kadastrale nr. 57/12, vendi i quajtur “Atmejdan”, në sipërfaqe të përgjithshme prej 19385 m2, ZK Prizren në kufij në lindje në gjatësi​​ prej 165.97 m, në perëndim në gjatësi prej 174.49 m, në veri në gjatësi prej 49.28 m dhe në jug në gjatësi prej 50.43 m, që në emër të kompensimit për marrjen e pjesës 7/16 (8528) m2 të pjesës ideale të parcelës kadastrale nr. 57/12,​​ t’ia​​ paguajë shumën prej 643.693 €, me kamatë ligjore​​ duke filluar​​ nga dita e marrjes së aktgjykimit e deri në pagesën përfundimtare, në afat prej 15​​ (pesëmbëdhjetë)​​ ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm.

 

  • Në një datë të pasaktësuar, KK Prizren paraqiti ankesë pranë Gjykatës së Apelit kundër Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 1146/15] të Gjykatës Themelore të 29 prillit 2016.​​ 

 

  • Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës bëri ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit​​ (në tekstin e mëtejmë: Avokati i Popullit), në lidhje me tejzgjatjen e procedurës së vendimmarrjes​​ lidhur me lëndën e tij​​ në Gjykatën e Apelit.

 

  • Më 7 mars 2019, Avokati i Popullit përmes Vendimit 361/2019, iu​​ përgjigj parashtruesit të kërkesës​​ dhe​​ theksoi se Avokati i Popullit​​ ka rekomanduar që gjykatat pa vonesë të ndërmarrin të gjitha veprimet relevante juridike për shqyrtimin dhe gjykimin e lëndës për të cilën është vërtetuar që ekzistojnë vonesa në procedurat gjyqësore, po ashtu përmes raportit të tij i kishte rekomanduar edhe Qeverisë të themelojë mekanizma për parandalimin e​​ shkeljeve​​ të të drejtave në gjykim në kohë të arsyeshme.

 

  • Më 9 shkurt 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.​​ nr.​​ 3930/16] aprovoi si të themeltë​​ ankesën e KK Prizren, dhe prishi Aktgjykimin [P.​​ nr.​​ 1146/15] të Gjykatës Themelore të 29 prillit 2016.

Pretendimet​​ e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i​​ kërkesës​​ konteston​​ tejzgjatjen e procedurës pranë Gjykatës së Apelit, me pretendimin se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës tutje thekson se “lënda e dërguar tani për të dytën herë në Gjykatën e Apelit të Kosovës më 14.09.2016, lidhur me vendosjen sipas ankesës së parashtruar dhe e njëjta dërgohet tek Gjykata e Apelit nën shenjën AC.​​ nr. 3939/2016, e cila deri në ditën e sotme, edhe pse kanë kaluar katër (4) vite të plota dhe tanimë ka hyrë në vitin e pestë (5), nga dita e dërgimit, nuk është vendosur”. Lidhur me këtë,​​ parashtruesi i kërkesës pretendon se atij i është mohuar​​ e drejta e garantuar me Kushtetutë.

 

  • Sipas​​ parashtruesit të kërkesës:​​ “Me nenin 10 të Ligjit për procedurën kontestimore, parashihet se gjykata është e obliguar që procedurën ta zhvillojë pa vonesa e me sa më pak shpenzime dhe të pamundësojë çdo keqpërdorim që u përkasin palëve në procedurë, derisa kjo procedurë kontestimore ka filluar më 27.12.2004, do të thotë para afro njëzet (20) viteve, dy herë është vendosur në gjykatën e shkallës së parë, të dy herët është marrë aktvendim në favor të tij, dhe që tani për herën e dytë në organin e shkallës së dytë, respektivisht në Gjykatën e Apelit, nuk është marrë vendim për çështjen juridike për katër (4) vite të tëra, respektivisht ka filluar viti i pestë (5).​​ 

 

  • Në​​ fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon që: (i)​​ të miratojë ankesën dhe vërtetojë shkeljen e të drejtave të garantuara me Kushtetutë; (ii) ta urdhërojë Gjykatën e Apelit që menjëherë të vendosë lidhur me lëndën AC.​​ nr. 3939/2016 dhe në këtë mënyrë të largojë shkeljen e të drejtave për gjykim të drejtë dhe afat të arsyeshëm, dhe të largojë pasojat e mosvendosjes në afat të arsyeshëm,​​ të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

Dispozitat​​ relevante​​ kushtetuese dhe​​ ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS​​ 

 

Neni 31

[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

 

2.Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

[...]

 

KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT​​ 

 

Neni 6

​​ (E drejta për një proces të rregullt)

 

  • Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht​​ dhe​​ brenda​​ një​​ afati​​ ​​ arsyeshëm​​ nga​​ një​​ gjykatë​​ e​​ pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat​​ dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

[...]

 

Pranueshmëria e​​ kërkesës

 

  • Gjykata​​ së​​ pari​​ vlerëson​​ nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur​​ kriteret​​ e pranueshmërisë, të​​ përcaktuara​​ me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në këtë​​ drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet​​ neneve​​ 113.1 dhe 113.7​​ [Juridiksioni dhe​​ Palët​​ e​​ Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

 

Neni 113

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[…]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata, më tej, i​​ referohet​​ neneve​​ 47 [Kërkesa individuale],​​ 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët​​ përcaktojnë:​​ 

 

 

Neni 47

[Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

​​ [Afatet]

 

Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.​​ [...]

 

  • Për​​ sa i​​ përket​​ përmbushjes së​​ këtyre​​ kritereve,​​ Gjykata​​ konstaton se parashtruesi​​ e​​ kërkesës​​ është palë e autorizuar,​​ e​​ cila​​ konteston një akt të një autoriteti publik;​​ i​​ ka saktësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur; si dhe, e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e​​ pranueshmërisë​​ të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe se e njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës.​​ Gjykata gjithashtu thekson se kërkesa nuk është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, prandaj ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe duhet të shqyrtohen meritat e saj.​​ 

 

Meritat​​ 

 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se esenca e rastit konkret, rrjedh nga kontesti pronësor që parashtruesi i kërkesës​​ ka me KK Prizren, për shkak të marrjes të pronës së tij nga ana e KK Prizren, pronë e cila ishte përdorur për ndërtimin e një shkolle nga ana e KK Prizren. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, ku kërkoi që të kompensohet për pronën të cilën ia kishte marrë KK Prizren. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi KK Prizren që parashtruesit t’ia paguaj në emër të kompensimit për konfiskimin e palejueshëm të 7/16 të pjesës ideale të parcelës kadastrale nr. 5712 sipas fletës poseduese nr. 154 ZK Prizren, shumën prej 554.320 (pesëqind e pesëdhjetë e katër mijë e treqind e njëzet) euro me kamatë ligjore nga dita e nxjerrjes së aktgjykimit. KK Prizren parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit aprovoi ankesën dhe rastin e ktheu në rigjykim. Gjykata Themelore në​​ procedurën e rigjykimit më 29 prill 2016, përmes Aktgjykimit [P. nr. 1146/15] miratoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ashtu që obligoi KK Prizren që parashtruesit të kërkesës, si bashkëpronar në pjesën prej 7/16, në sipërfaqe prej 8528 m2 të parcelës kadastrale nr. 57/12, vendi i quajtur “Atmejdan”, në sipërfaqe të përgjithshme prej 19385 m2, ZK Prizren në kufij në lindje në gjatësi​​ prej 165.97 m, në perëndim në gjatësi prej 174.49 m, në veri në gjatësi prej 49.28 m dhe në jug në gjatësi prej 50.43 m, që në emër të kompensimit për marrjen e pjesës 7/16 (8528) m2 të pjesës ideale të parcelës kadastrale nr. 57/12, t’ia paguajë shumën prej 643.693 €, me kamatë ligjore duke filluar nga dita e marrjes së aktgjykimit e deri në pagesën përfundimtare, në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënimin e ekzekutimit të dhunshëm. KK Prizren prapë parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, ku prapë Gjykata e Apelit e aprovoi ankesën e KK Prizren dhe prishi vendimin e Gjykatës Themelore dhe rastin e ktheu në rigjykim.​​ 

 

  • Gjykata​​ vëren​​ se thelbi i kërkesës ka të bëjë me pretendimin për shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë, përkatësisht shkeljen e të drejtës për një gjykim përfundimtar, brenda një afati të arsyeshëm kohor nga gjyqësori i rregullt, duke theksuar​​ se​​ lënda e dërguar tani për të dytën herë në Gjykatën e Apelit të Kosovës më 14.09.2016, lidhur me vendosjen sipas ankesës së parashtruar dhe e njëjta dërgohet tek Gjykata e Apelit nën shenjën AC.​​ nr. 3930/2016, e cila deri në ditën e sotme, edhe pse kanë kaluar katër (4) vite të plota dhe tanimë ka hyrë në vitin e pestë (5), nga dita e dërgimit, nuk është vendosur”.​​ 

 

  • Përkitazi me këtë, Gjykata i referohet nenit 31, paragrafit 2 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6, paragrafin 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), që përcaktojnë:

 

Neni 31.​​ 2 i Kushtetutës

​​ 2)​​ “Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.

[...]

 

Neni 6.1 i Konventës

  • “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij”.

[...]

 

  • Në​​ rastin​​ konkret, Gjykata për të verifikuar bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në lidhje me​​ shkeljet​​ e të drejtave dhe lirive kushtetuese që kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve brenda një kohe të arsyeshme, do të merret me:​​ (i)​​ vërtetimin e periudhës së kohëzgjatjes të procedurave​​ gjyqësore;​​ (ii)​​ parimet relevante në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave;​​ dhe​​ (iii)​​ arsyeshmërinë e kohëzgjatjes së procedurave para gjykatave të rregullta.

 

​​ (i) Periudha që do të merret parasysh

 

  • Duke iu referuar praktikës​​ së saj dhe praktikës​​ gjyqësore të GJEDNJ-së,​​ Gjykata​​ ka vlerësuar se përllogaritja e shtrirjes në kohë të procedurave fillon në momentin kur gjykata kompetente vihet në lëvizje me kërkesë të palëve për vendosjen e një të drejte apo interesi legjitim të pretenduar (shih,​​ rastin e GJEDNJ-së ,​​ Erkner dhe Hofauer kundër Austrisë, të 23 prillit 1987, paragrafi 64, shih,​​ gjithashtu rastin​​ Poiss kundër Austrisë, GJEDNJ, të 23 prillit 1987, paragrafi 50, dhe rastin e Gjykatës Kushtetuese nr.​​ KI127/15, me parashtrues​​ Mile Vasovič, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 15 qershorit 2015, paragrafi 43;​​ KI19/17, Aktvendim për papranueshmëri,​​ i 21 shkurtit 2018, paragrafi 50).​​ Një​​ proces konsiderohet i përfunduar me nxjerrjen e një vendimi gjyqësor përfundimtar nga një instancë kompetente gjyqësore e fundit (shih,​​ rastin e GJEDNJ-së​​ Eckle kundër Republikës Federale të Gjermanisë​​ 8130/78, Aktgjykim i 15 korrikut 1982, paragrafi 74; si dhe rastin e Gjykatës​​ KI177/19, parashtrues​​ NNT​​ Sokoli”,​​ Aktgjykim i 29 marsit 2021, paragrafi 98). Prandaj, kërkesa për​​ gjykim brenda një​​ kohe​​ të arsyeshme​​ zbatohet për të gjitha fazat e procesit gjyqësor që synon zgjidhjen e kontestit, duke mos përjashtuar fazat pas gjykimit mbi meritat (shih,​​ rastin e GJEDNJ-së,​​ Robins kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 23 shtatorit 1997, paragrafët 28-29).

 

  • Në​​ rastin​​ konkret, parashtruesi i kërkesës siç u shpjegua më lart kishte parashtruar padinë në vitin​​ 2004. Gjykata Themelore lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës kishte vendosur në vitin 2013.​​ Rasti ishte rikthyer në​​ rigjykim nga​​ ana e Gjykatës së Apelit në bazë të ankesës të KK Prizren. Gjykata Themelore prapë kishte vendosur për rastin përmes​​ Aktgjykimit të 29 prillit 2016. Ndërsa Gjykata e Apelit përmes aktvendimit [Ac.​​ nr.​​ 3930/16] të 9 shkurtit 2021, e kishte prishur​​ Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.​​ nr.​​ 1146/13] të 29 prillit 2016 dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje.​​ Duke iu referuar shkresave të rastit, Gjykata vëren që​​ lënda​​ e parashtruesit të kërkesës​​ është në procedura​​ gjyqësore​​ që nga viti 2004.

  • Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se periudha që duhet marrë parasysh në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, sipas paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së,​​ në rastin konkret llogaritet nga data e parashtrimit të padisë​​ në Gjykatën Themelore, përkatësisht data​​ 27 dhjetor 2004 e deri në vendimin lidhur me padinë e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Aktvendimi​​ [Ac. nr. 3930/16] i 9 shkurtit 2021 i Gjykatës së Apelit, që në​​ tërësinë​​ e saj​​ është​​ një periudhë prej​​ 16 vite,​​ 1​​ muaj​​ e 13​​ ditë​​ (gjashtëmbdhjetë vite, një muaj e​​ trembëdhjetë​​ ditë).

 

​​ (ii) Parimet relevante

 

  • Gjykata​​ para së gjithash thekson se, sipas praktikës konsistente të GJEDNJ-së, e cila është reflektuar edhe në praktikën e Gjykatës, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës duhet të vlerësohet në dritën e rrethanave të rastit, duke marrë parasysh kriteret e vendosura nga praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, përkatësisht: (a) ndërlikueshmërinë e rastit; (b) sjelljen e palëve në procedurë; (c) sjelljen e gjykatës kompetente ose autoriteteve të tjera publike; si dhe​​ (ç) rëndësinë e asaj çfarë​​ rrezikon parashtruesi në kontest (shih rastet e GJEDNJ-së, Mesić kundër Kroacisë, nr. 19362/18, Aktgjykim i 5 majit 2022, paragrafi 127;​​ Bara dhe Kola kundër Shqipërisë, nr. 43391/18 17766/19, Aktgjykim i 12 tetorit 2021, paragrafi 63;​​ Mishgjoni​​ kundër Shqipërisë, nr. 18381/05, Aktgjykim i 7 dhjetorit 2010, paragrafi 44;​​ Gjonboçari dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 10508/02​​ Aktgjykim i 23 tetorit 2007, paragrafi 61;​​ Mikulić kundër Kroacisë,​​ nr.​​ 53176/99, nr.35382/97, Aktgjykim i 7 shkurtit 2002, paragrafi 38;​​ Comingersoll S.A. kundër Portugalisë, Aktgjykim i 6 prillit 2000;​​ Frydlender kundër Francës,​​ nr. 30979/96, Aktgjykim i 27 qershorit 2000, paragrafi 43;​​ Sürmeli kundër Gjermanisë, nr. 75529/01​​ Aktgjykim i 8 qershorit 2006, paragrafi 128;​​ Famullia Greko-katolike Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 76943/11,​​ Aktgjykim i 29 nëntorit 2016, paragrafi 143;​​ Nicolae Virgiliu Tănase kundër Rumanisë, nr. 41720/13,​​ Aktgjykim i 25 qershorit 2019, paragrafi 209; shih, gjithashtu, rastet e Gjykatës:​​ KI177/19, parashtrues​​ NNT “Sokoli”, Aktgjykim i 16 prillit 2019, paragrafët 96-106;​​ KI19/21, parashtrues Sadik Pllana, Aktgjykim i 11 gushtit 2022, paragrafi 85).

 

(iii) Analiza​​ e arsyeshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës

 

  • Gjykata​​ vëren se rasti i parashtruesit të kërkesës ka rrjedhë si pasojë e një​​ kontesti pronësor në mes të parashtruesit të kërkesës dhe KK Prizren. Ai kishte parashtruar​​ padi​​ për kompensim​​ të​​ pronës,​​ për herë të parë në vitin​​ 2004,​​ duke kërkuar kompensimin në të holla të pronës të cilën ia kishte marrë KK Prizren.​​ 

 

  • Ashtu siç është elaboruar edhe më sipër, për të konstatuar nëse kohëzgjatja e procedurës ka qenë e arsyeshme, Gjykata duhet të marrë parasysh faktorët si në vijim: (a) ndërlikueshmëria e rastit; (b) sjellja e parashtruesit të kërkesës; (c) sjellja e autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësia e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest.

 

(a) Ndërlikueshmëria e rastit

​​ 

  • Përkitazi​​ me ndërlikueshmërinë e rastit, Gjykata i referohet praktikës së GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës përmes të cilave ishte theksuar se ndërlikueshmëria e rastit mund të ndërlidhet me çështje faktike dhe ligjore,​​ por gjithashtu mund të ndërlidhet edhe me përfshirjen e disa palëve në procedurë apo me një numër të caktuar provash që duhet trajtuar para gjykatave të rregullta (shih,​​ mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së,​​ Famullia Greko-Katolike Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart paragrafi 150;​​ Nicolae Virgiliu Tănase kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 210;​​ Katte Klitsche de la Grange kundër Italisë, nr. 12539/86, Aktgjykim i 19 shtatorit 1994, paragrafi 55;​​ Humen kundër Polonisë, nr. 26614/95,​​ Aktgjykim i 15 tetorit 1999, paragrafi 63 dhe​​ Cipolleta kundër Italisë, nr. 38259/09,​​ Aktgjykim i 11 janarit 2018, paragrafi 44,​​ ku edhe përkundër ndërlikueshmërisë së procedurave të falimentimit, GJEDNJ-ja kishte konstatuar se të njëjtat ishin zvarritur në kundërshtim me kriterin e gjykimit të drejtë “brenda një afati të arsyeshëm”,​​ siç garantohet me nenin 6.1 të KEDNJ-së; po ashtu,​​ shih rastet e Gjykatës,​​ KI18/18,​​ parashtrues​​ Isuf Musliu, cituar më lart, paragrafi 45; dhe​​ KI104/20, parashtrues​​ Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 48).

 

  • Në​​ rastin​​ konkret, Gjykata vëren se rasti i parashtruesit të kërkesës​​ ndërlidhet me çështje pronësore, për të cilën pronë​​ parashtruesi i kërkesës pretendon se​​ i​​ takon atij në bazë të trashigimisë të trashëguar nga ana e babait të tij.

 

  • Në​​ kontekstin​​ e​​ ndërlikueshmërisë së rastit, si dhe të obligimit për të përmbushur të gjitha kërkesat procedurale, Gjykata vëren se rasti në fillim ishte vendosur nga ana e Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 2231/04] të 26 marsit 2013, ku ndaj këtij aktgjykimi kishte ushtruar​​ ankesë KK Prizren duke paraqitur prova të reja, të cilën ankesë e kishe aprovuar Gjykata e Apelit e cila e kishte prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim. Gjykata më tej vëren se Gjykata Themelore në rigjykim përmes Aktgjykimit [P.​​ nr.​​ 1146/15] kishte vendosur prapë në favor të parashtruesit të kërkesës, ku me aktgjykimin e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar KK Prizren e cila kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata vëren se Gjykata e Apelit nxori Aktvendimin Ac.​​ nr.​​ 3930/2016 më​​ 9 shkurt 2021, me anë të​​ të​​ cilit pranoi si të themeltë ankesën e KK Prizren dhe prishi​​ Aktgjykimin [P.​​ nr.​​ 1146/15] të Gjykatës Themelore të 29 prillit 2016, dhe lëndën e ktheu në gjykatën e shkallës së parë në rivendosje.​​ 

 

  • Gjykata vëren se rasti i parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me 3 (tre) palë të ndryshme që janë të përfshira në procedurë.​​ Në këto rrethana, Gjykata,​​ duke iu referuar edhe rrethanave faktike të rastit që ndërlidhen me​​ çështje të pronës,​​ vëren​​ se rasti​​ nuk​​ rezulton të​​ jetë​​ i një natyre​​ aq​​ ​​ ndërlikuar, gjë që do të mund të justifikonte​​ që procedura gjyqësore​​ për zgjidhjen e kërkesës lidhur me të drejtat e pretenduara civile të parashtruesit të kësaj ankese kushtetuese​​ të zgjasim mbi​​ 16 (gjashtëmbdhjetë)​​ vite.

 

(b) Sjellja e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata​​ thekson se parashtruesit e kërkesave në parim kanë të drejtë të ndjekin të gjithë hapat procedural të vënë në dispozicion nga ligjet në fuqi. Megjithatë, parashtruesit e kërkesave duhet të kenë parasysh, gjithashtu pasojat në rast se mjetet ligjore të shfrytëzuara mund të ndikojnë në kohëzgjatjen e shqyrtimit të rastit të tyre. Gjykata konsideron se sjellja e parashtruesve të kërkesave përbën një fakt objektiv që nuk mund t’u atribuohet gjykatave dhe që duhet marrë parasysh në konstatimin, nëse procedurat vazhduan më gjatë se sa afati i arsyeshëm kohor, i garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastet e GJEDNJ-së,​​ McFarlane kundër Irlandës, nr. 31333/06, Aktgjykim i 10 shtatorit 2010, paragrafi 148;​​ Eckle kundër Gjermanisë,​​ cituar më lart, paragrafi 82; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës​​ KI07/15,​​ parashtrues​​ Shefki Zogiani, cituar më lart, paragrafi 55).​​ 

 

  • Lidhur me veprimet procedurale të parashtruesit të kërkesës, Gjykata i referohet praktikës së GJEDNJ-së ku​​ ajo​​ kishte sqaruar se parashtruesit të kërkesës i kërkohet të tregoj kujdes në ndërmarrjen e hapave procedural dhe për t’u përmbajtur nga përdorimi i taktikave të vonimit të shqyrtimit të rastit të tij (shih rastet​​ e GJEDNJ-së,​​ Bara dhe Kola kundër Shqipërisë, cituar më lart, paragrafi 91,​​ ku GJEDNJ-ja kishte konstatuar se bazuar në sjelljen e ankuesit nuk ka tregues se ai ka shkaktuar apo​​ kontribuar në zvarritje të procedurave;​​ Union Alimentaria Sanders S.A. kundër Spanjës,​​ nr. 11681/85,​​ Aktgjykim i 7 korrikut 1989, paragrafi 35).​​ 

 

  • Në vijim dhe bazuar në veprimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata duke vënë theksin në sjelljen e tij, që nga data e parashtrimit të padisë​​ ​​ 27​​ dhjetor​​ 2004,​​ thekson se​​ nuk vëren asnjë tregues​​ veprimet e parashtruesit të kërkesës​​ që do të provonte se​​ ai ka shkaktuar apo ka kontribuar në zvarritjen e procedurave apo që në ndonjë mënyrë tjetër​​ mund të kenë ndikuar në në shqyrtimin​​ dhe vendosjen meritore​​ ​​ rastit të tij.

 

(c) Sjellja e autoriteteve relevante gjyqësore

 

  • Gjykata​​ fillimisht vë në dukje qëndrimin parimor të GJEDNJ-së se paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së kërkon nga shtetet kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të atillë që autoritetet kompetente të përmbushin kërkesat e nenit në fjalë, duke përfshirë edhe detyrimin për të shqyrtuar çështjet brenda një afati të arsyeshëm kohor (shih rastet e GJEDNJ-së:​​ Comingersoll S.A.​​ kundër Portugalisë, Aktgjykim i Dhomës së Madhe i 6​​ prillit​​ 2000, paragrafi 24;​​ Luli​​ dhe të tjerët kundër Shqipërisë, nr. 64480/09 64482/09 12874/10 56935/10 3129/12, Aktgjykim i 1 prillit 2014, paragrafi 91;​​ Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipërisë, nr. 33192/07 33194/07,​​ Aktgjykim i 25 qershorit 2013;​​ dhe​​ Abdoella​​ kundër Holandës, nr. 12728/87,​​ Aktgjykim i 25 nëntorit 1992, paragrafi 24).

 

  • Në​​ këtë​​ kontekst​​ dhe në rrethana të rastit konkret,​​ Gjykata sjellë​​ në vëmendje faktin që​​ GJEDNJ​​ ka​​ theksuar se nuk mund të merret​​ parasysh​​ arsyetimi i gjykatave për mbingarkesën me lëndë të pazgjidhura​​ si arsyetim për procedura të​​ tejzgjatura​​ (shih,​​ rastet e GJEDNJ-së,​​ Bara dhe Kola kundër Shqipërisë, cituar më lart, paragrafët 70-71 dhe 94-96;​​ Krastanov​​ kundër Bullgarisë, nr. 50222/99, Aktgjykim i 30 shtatorit 2004, paragrafi 74;​​ ​​ Vocaturo​​ kundër Italisë,​​ nr. 11891/85,​​ Aktgjykim i​​ 1 prillit 1989,​​ paragrafi 17; dhe​​ Cappello​​ kundër Italisë, nr. 12783/87,​​ Aktgjykim i 24 janarit 1992, paragrafi 17).​​ 

 

  • Megjithatë, në rastin e GJEDNJ-së,​​ Buchholz​​ kundër Gjermanisë,​​ në lidhje me​​ pretendimin​​ e​​ Qeverisë gjermane se si rezultat i recesionit ekonomik ka pasur rritje të konsiderueshme të vëllimit të proceseve gjyqësore në fushën e punësimit, duke rezultuar në mbingarkesë me lëndë të pazgjidhura përpara gjykatave, duke përfshirë gjykatat e Hamburgut, GJEDNJ ka sqaruar:​​ “[...] Konventa vendos detyrimin për Shtetet Kontraktuese që të organizojnë sistemet e tyre ligjore në atë mënyrë që t’u lejojnë gjykatave të përmbushin kërkesat e nenit 6,​​ paragrafit 1 [të KEDNJ-së] duke përfshirë atë të gjykimit brenda një “afati të arsyeshëm kohor”.​​ Megjithatë, mbingarkesa e përkohshme me lëndë të pazgjidhura nuk i atribuon përgjegjësinë Shteteve Kontraktuese me kusht që ato të kenë ndërmarrë veprime të arsyeshme​​ e​​ të menjëhershme korrigjuese për t’u marrë me një situatë të jashtëzakonshme të këtij lloji (shih,​​ rastin e GJEDNJ-së,​​ Buchholz​​ kundër Gjermanisë, nr. 7759/77,​​ Aktgjykim i 6 majit 1981, paragrafi 51).

 

  • Në​​ linjë​​ me qëllimin​​ qëndrimit të sipërtheksuar të GJEDNJ-së, Gjykata në praktikën e​​ saj​​ gjyqësore ka theksuar se gjykatat e rregullta kanë parasysh obligimin kushtetues dhe ligjor, që çështjet t'i finalizojnë brenda një afati të arsyeshëm, në mënyrë që​​ vonesat e tejzgjatura​​ të mos shkaktojnë huti dhe pasiguri​​ tek palët.​​ Kësisoji, gjykatat e rregullta​​ duhet të kenë parasysh këto detyrime dhe​​ nuk mund të lejojnë që rasti të bartet pafundësisht prej një instance gjyqësore te tjetra.​​ Në të kundërtën, besimi i publikut ndaj tërë rendit juridik do të minohej (shih në lidhje me këtë arsyetimin e Gjykatës në rastin​​ KI104/20,​​ parashtrues​​ Ejup Koci, cituar më lart, paragrafi 62​​ dhe​​ KI19/21, parashtrues​​ Sadik Pllana, Aktgjykim i 11 gushtit 2022, paragrafi 98).

  • GJEDNJ, po​​ ashtu ka​​ theksuar​​ që​​ përderisa​​ nuk është funksioni i Gjykatës të analizojë mënyrën në të cilën gjykatat e rregullta kanë interpretuar dhe zbatuar ligjin, megjithatë konsideron se aktgjykimet që anulojnë të gjeturat e mëparshme dhe që rikthejnë çështjen​​ në rivendosje,​​ janë zakonisht për shkak të gabimeve të kryera nga gjykatat më të ulëta dhe se përsëritja e gjykimeve të tilla mund të tregojë mangësi në sistemin e drejtësisë (shih,​​ mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së,​​ Famullia Greko-katolike Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 147).

 

  • Gjykata​​ vëren se në rastin konkret, në procedurën e padisë,​​ ka pasur​​ dy​​ vendime të Gjykatës Themelore,​​ dy​​ vendime të Gjykatës së Apelit, prej të cilave dy​​ kanë vendosur​​ meritorisht​​ lidhur me​​ të drejtat civile të parashtruesit të kërkesës,ndërsa dy​​ kanë qenë të tilla që kanë kthyer çështjen në rigjykim.

 

  • Nga​​ shkresat​​ e lëndës vërehet se Gjykatës së Apelit i është dashur​​ 5 vite​​ për të vendosur që çështjen ta kthejë në rigjykim përmes Aktvendimit​​ [Ac. nr. 3930/16]​​ të​​ 9 shkurtit 2021.​​ E njëjta kishte​​ kthyer çështjen në rigjykim edhe me​​ Aktvendimin​​ [CA. nr. 3132/2013] të 6 majit 2015.​​ 

 

  • Gjykata​​ konsideron se Gjykata e Apelit, ka pasur juridiksion të vendosë lidhur me çështjet faktike dhe juridike, dhe e njëjta ka mundur të vendosë​​ meritorisht​​ lidhur me rastin. Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se përsëritja e gjykimeve të tilla mund tregoj​​ mangësi në sistemin e drejtësisë,​​ dhe se​​ zvarritjet​​ e procedurës në rastin konkret kryesisht iu atribuohen gjykatave të rregullta,​​ ngase atyre iu deshën më shumë se 16​​ (gashtëmbëdhjetë)​​ vite​​ kohë​​ për të​​ gjykuar​​ një çështje jo të ndërlikuar,​​ por jo​​ edhe​​ të vendosin në merita për padinë civile të parashtruesit të kërkesës.

 

(d) Rëndësia e asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest

 

  • Lidhur​​ me kriterin e asaj çfarë rrezikon parashtruesi​​ i kërkesës në kontest, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila sqaron se një kategori e rasteve kërkon zgjidhje të veçantë ekspeditive. Sipas kësaj praktike, shembuj që kërkojnë kujdes të veçantë dhe zgjidhje me prioritet janë rastet që ndërlidhen me statusin dhe kapacitetin civil, rastet rreth kujdestarisë së fëmijëve dhe marrëdhënies prind-fëmijë, kontestet nga marrëdhënia e punës, rastet e parashtruesve që vuajnë nga “sëmundje të pashërueshme” dhe kanë “pritje të reduktuar të jetëgjatësisë”, si dhe rastet rreth të drejtës për arsim (shih,​​ rastet e GJEDNJ,​​ Bock​​ kundër Gjermanisë, nr. 11118/84, Aktgjykim i 21 shkurtit 1989, paragrafi 49;​​ Laino kundër Italisë, nr. 33158/96, Aktgjykim i 18 shkurtit 1999, paragrafi 18,​​ Mikulić kundër Kroacisë, i cituar më lart, paragrafi 44;​​ Hokkanen kundër Finlandës, nr. 19823/92,​​ Aktgjykim i 23 shtatorit 1994,​​ paragrafi 72;​​ Niederböster kundër Gjermanisë, nr. 39547/98,​​ Aktgjykim i 27 majit 2003, paragrafi 39;​​ Frydlender kundër Francës, i cituar më lart, paragrafi 45;​​ Vocaturo kundër Italisë, i cituar më lart, paragrafi 17;​​ X kundër Francës, nr. 18020/91, Aktgjykim i 31 marsit 1992, paragrafi 47;​​ A. dhe të tjerët kundër Danimarkës, nr. 20826/92,​​ Aktgjykim i 22 janarit 1996, paragrafët 78-81;​​ Oršuš​​ dhe të tjerët kundër Kroacisë,​​ nr.​​ 15766/03, Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 109;​​ dhe​​ Sailing Club of Chalkidiki “I Kelyfos”​​ kundër Greqisë, nr. 6978/18 8547/18, Aktgjykim i 21 nëntorit 2019, paragrafi 60 ku GJEDNJ-ja, mes tjerash, kishte theksuar se mungesa e pajustifikuar e një vendimi brenda një periudhe posaçërisht të gjatë nga një gjykatë që e shqyrton çështjen mund të konsiderohet mohim i drejtësisë).​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton që kërkesa e parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me kompensimin e tij për​​ pronën e cila i ishte marrë​​ nga Komuna e Prizrenit për ndërtimin e një shkolle. Gjykata në rastin konkret, marrë parasysh që parashtruesi i kërkesës​​ kërkonte të drejtën e tij të kompensimit për pronën të cilën e kishte trashëguar, konsideron se​​ gjykatat e rregullta do duhej të​​ kishin vendosur më shpejt​​ lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës.

 

  • Gjykata​​ vlerëson se gjykatat e rregullta është dashur që në rrethanat e rastit konkret të kenë parasysh respektimin e parimit për administrim të drejtë të drejtësisë, përkatësisht obligimin e këtyre të fundit që të merren siç duhet​​ me rastet para tyre (shih,​​ rastin​​ e Gjykatës:​​ KI19/21, parashtrues​​ Sadik Pllana, cituar më lart, paragrafi 105).​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata ka mbajtur qëndrim se rastet në gjykatat e rregullta nuk mund të zhvillohen pa ndonjë afat të caktuar për finalizimin e tyre siç ka ndodhur në rastin konkret që procedurat të zgjasin për më shumë se gjashtëmbdhjetë (16) vite për një çështje të drejtpërdrejtë,​​ siç është konstatimi​​ lidhur me kërkesëpadinë​​ e​​ parashtruesit të kërkesës (shih,​​ mutatis mutandis,​​ KI19/21, parashtrues​​ Sadik Pllana, cituar më lart, paragrafi​​ 106​​ ).​​ 

 

Përfundim​​ lidhur me tejzgjatjen e procedurave

 

  • Si​​ përfundim, Gjykata konsideron se meqenëse në rastin e parashtruesit të kërkesës gjykatat e rregullta kishin aplikuar dispozitat që rregullojnë​​ çështjen e pronës, ato si të tilla, nuk kanë qenë aq të ndërlikuara në një masë të tillë që procesi i tërë, nga fillimi i padisë e deri te vendimi i​​ fundit​​ i Gjykatës së Apelit i cili e kishte kthyer çështjen në rigjykim dhe rivendosje​​ në Gjykatën Themelore,​​ të zgjasë​​ 16​​ vite, 1 muaj e​​ 13​​ ditë, dhe ende të mos ketë një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje, pasi që sipas informatave të fundit çështja është rikthyer prapë në Gjykatën e Apelit në​​ bazë të ankesës.

 

  • Gjykata​​ vlerëson se rasti konkret nuk ka qenë i ndërlikuar sepse:​​ (i) gjykatat e rregullta kanë pasur për detyrë që të konstatojnë nëse kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës për kompensim të dëmit është​​ në favor të tij apo jo; (ii)​​ dhe se procedura as nuk është ndërlikuar më tej nga veprimet e parashtruesit të kërkesës i cili vetëm sa ka ndjekur hapat procedural për realizimin e të drejtës së tij për kompensim që e kishte pësuar​​ me marrjen e pronës; kurse, (iii) gjykatave të rregullta iu është dashur më shumë​​ se​​ 16​​ vite për të​​ vendosur, dhe atë jo në merita por duke e rikthyer prapë​​ rastin​​ në rigjykim dhe rivendosje​​ në shkallën e parë. Gjykata rithekson se moszgjidhja e çështjes së parashtruesit të kërkesës brenda një afati të arsyeshëm​​ përveçse është tejzgjatje e pajustifikuar e procedurave gjithashtu mund të konsiderohet mohim i drejtësisë (shih,​​ rastin e GJEDNJ-së,​​ Sailing Club of Chalkidiki “I Kelyfos”​​ kundër Greqisë, cituar më lart, paragrafi 60).​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata gjen se kohëzgjatja e procedurës në tërësi, prej​​ 16 vite,​​ 1​​ muaj dhe​​ 13​​ ditë, në rrethanat e rastit konkret, nuk mund të konsiderohet e arsyeshme.​​ 

 

  • Për​​ pasojë​​ të lartcekurave, Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.

 

Efektet e këtij Aktgjykimi për parashtruesin e kërkesës​​ 

 

  • Gjykata​​ ka parasysh​​ çështjet faktike dhe juridike mbi të cilat​​ procedura për parashtruesin e kërkesës ka zgjatur​​ 16 vite e​​ 1​​ muaj​​ dhe 13​​ ditë, dhe​​ prapë lënda e tij​​ ka mbetur pa u zgjidhur, por​​ është rikthyer​​ prapë në Gjykatën e Apelit për vendosje në bazë të ankesës. Në këtë linjë, Gjykata rikujton se ka gjetur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.

 

  • Gjykata​​ vëren dhe konstaton se neni 41 i KEDNJ-së, i cili bën pjesë në Titullin II [Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut] të KEDNJ-së, nuk mund të shërbejë si bazë për të kërkuar “shpërblim të drejtë” apo kompensim për dëm jomaterial para Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se ky nen i referohet kompetencave të GJEDNJ-së dhe jo kompetencave të gjykatave vendore pjesë anëtare të mekanizmit mbrojtës të garantuar me KEDNJ. Palët kontraktuese janë të obliguara të garantojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me Titullin I [Të Drejtat dhe Liritë] të KEDNJ-së. Në këtë aspekt, Gjykata e ka parasysh faktin që GJEDNJ akordon “shpërblim të drejtë” apo kompensim për dëm jomaterial, mirëpo një gjë të tillë e bën bazuar në kompetencat e saj specifike të përshkruara në nenin 41 të KEDNJ-së dhe rregullin 60 të Rregullores së saj të punës.​​ 

 

  • Përkundër​​ faktit që GJEDNJ ka autorizim specifik për të caktuar “shpërblim të drejtë”, kjo Gjykatë, është e lidhur dhe e kushtëzuar që të veprojë vetëm në bazë të rregullativës ligjore dhe procedurale që e rregullon punën e saj. Në asnjërin nga dokumentet të cilat e rregullojnë fushëveprimtarinë dhe procedurat para kësaj Gjykate dhe veprimet që kjo e fundit mund të ndërmarrë, nuk parashihet një autorizim ekuivalent për të akorduar “shpërblim të drejtë”, ashtu siç një kompetencë e tillë qartazi i përshkruhet GJEDNJ-së me dispozitat e lartcekura.​​ 

 

  • Megjithatë, kjo nuk​​ nënkupton​​ që individët nuk kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim nga autoritetet publike në rast të konstatimit të shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre bazuar në ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës. Përkundrazi, vet GJEDNJ thekson se në mënyrë që një e drejtë e mbrojtur me KEDNJ të riparohet në maksimumin e mundshëm të riparimit, parashtruesit përkatës duhet të dëmshpërblehen dhe atë në lartësinë e duhur dhe në përputhje të drejtë me të drejtën e cila iu është cenuar. (Shih rastin e Gjykatës,​​ KI108/18​​ parashtruese​​ Blerta Morina, cituar më lart, paragrafi 197.​​ Shih, për shembull, njërin nga rastet e GJEDNJ-së në këtë aspekt:​​ Gavriliță kundër Moldavisë, nr. 22741/06, Aktgjykim i 22 korrikut 2014). Megjithatë, ka edhe të tilla raste kur, bazuar në rrethanat specifike të atij rasti, GJEDNJ konsideron se vet gjetja e shkeljes paraqet “shpërblim të drejtë” edhe për dëmin jo-material që një parashtrues mund të ketë pësuar. (Shih në këtë aspekt pjesën operative të rastit të GJEDNJ-së,​​ Roman Zakharov kundër Rusisë, nr. 47143/06, Aktgjykim i 4 dhjetorit 2015, paragrafi 312).

 

  • Gjykata sqaron se nuk ka autorizime ligjore për caktimin e ndonjë lloji apo mënyre të kompensimit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese,​​ si​​ në rastin konkret​​ të​​ nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1​​ të KEDNj-së​​ (shih rastet e Gjykatës,​​ KI10/18, parashtrues​​ Fahri Deçani, Aktgjykim i 8 tetorit 2019, paragrafi 119;​​ KI108/18, parashtruese​​ Blerta Morina,​​ cituar më lart, paragrafi 196; si dhe shih rastin,​​ KI113/21​​ parashtruese​​ Bukurije Haxhimurati, Aktgjykim i 20 dhjetorit 2021, paragrafi 148).

 

  • Në​​ këtë​​ kuptim,​​ Gjykata​​ ka theksuar se individët kanë të drejtë të kërkojnë përmes inicimit të një procedure të ndarë për dëmshpërblim nga autoritetet publike në rast të konstatimit të shkeljes së të drejtave dhe lirive të tyre të bazuara në ligjet e zbatueshme në Republikën e Kosovës (shih rastet e Gjykatës​​ KI113/21​​ parashtruese​​ Bukurije Haxhimurati,​​ cituar më lart, paragrafi 150;​​ KI10/18, parashtrues​​ Fahri Deçani, cituar më lart, paragrafi 120;​​ KI108/18, parashtruese​​ Blerta Morina, cituar më lart, paragrafi 197​​ dhe​​ KI19/21, parashtrues​​ Sadik Pllana, cituar më lart, paragrafi​​ 115).

 

  • Gjykata​​ vlerëson se vetëm konstatimi i shkeljes për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, nuk përbën “shpërblim të drejtë” për parashtruesin e kërkesës. Prandaj, në rastet kur vetëm konstatimi i shkeljes kushtetuese nga Gjykata mund të mos jetë i mjaftueshëm për të evituar pasojat e shkeljes kushtetuese dhe kur kompensimi​​ monetar është i domosdoshëm, iu takon palëve të përfshira në rast që të shfrytëzojnë mjetet juridike në dispozicion sipas legjislacionit në fuqi, për realizimin e mëtejmë të të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën për të kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jomaterial, si rezultat e shkeljeve të të drejtave të garantuara me Kushtetutë, të konstatuara nga Gjykata, duke përfshirë shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.​​ 1 të KEDNJ-së​​ (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rastet​​ e Gjykatës​​ KI113/21, parashtruese​​ Bukurije Haxhimurati, cituar më lart, paragrafi 151,​​ dhe​​ KI19/21, parashtrues​​ Sadik Pllana, cituar më lart, paragrafi​​ 117).

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me​​ nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, më​​ 22 dhjetor​​ 2022, njëzëri

 

VENDOS

 

  • ​​ DEKLAROJË​​ kërkesën të pranueshme;

 

  • TË KONSTATOJË se ka pasur shkelje të paragrafit 2 të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm;

 

  • TË URDHËROJË​​ Gjykatën​​ e Apelit që ta informojë Gjykatën Kushtetuese sa më shpejt që është e mundur, por jo më larg se 6 (gjashtë) muaj, përkatësisht deri më​​ 22 qershor 2023, lidhur me masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të kësaj Gjykatë, në pajtim me rregullin 63 të Rregullores së punës;

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues    Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

Nexhmi Rexhepi   ​​  Gresa Caka-Nimani​​ 

 

1

 

Parashtruesit:

Dragan Mihajloviq

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile