Rešenje o neprohvatljivosti

Ocena ustavnosti presude  Pml.nr. 254/2021, Vrhovnog suda Kosova od 03. avgusta 2021. godine

br. predmeta KI175/21

podnosiocu: Albert Rakipi

Preuzimanje:

Prishtinë,​​ më 14​​ nëntor 2022

​​ Nr.ref.:RK 2079/22

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.​​ KI175/21

 

Parashtrues​​ ​​ 

 

Albert Rakipi

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës,​​ Pml. nr. 254/2021,​​ të​​ 3​​ gushtit​​ 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Albert Rakipi​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili përfaqësohet nga​​ Artan Qerkini,​​ avokat​​ në Shoqërinë e Avokatëve​​ “Sejdiu​​ dhe​​ Qerkini”​​ SH.P.K. në Prishtinë.​​ 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ e​​ 3 gushtit 2021 të​​ Gjykatës Supreme të Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).​​ 

 

Objekti i çështjes​​ ​​ 

 

  • Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet të jenë shkelur të drejtat dhe liritë e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ dhe nenin 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në lidhje me nenin​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ dhe​​ nenin​​ 7 (Nuk ka dënim pa ligj)​​ të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore​​ (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).​​ 

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët​​ 1​​ dhe​​ 7​​ të nenit​​ 113​​ [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës,​​ ​​ nenet​​ 22​​ [Procedimi i kërkesës]​​ dhe​​ 47 [Kërkesa individuale]​​ të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr.​​ 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji)​​ dhe​​ ​​ rregullin​​ 32​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ ​​ 

 

  • ​​ 28​​ shtator​​ 2021,​​ parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).​​ 

 

  • ​​ 4​​ tetor​​ 2021,​​ Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin​​ Nexhmi Rexhepi​​ gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese), Bajram Ljatifi​​ dhe​​ Remzije Istrefi-Peci​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 15​​ tetor​​ 2021,​​ Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës.​​ Të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.​​ 

 

  • ​​ 27 tetor​​ 2022,​​ Kolegji shqyrtues​​ e​​ shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

Përmbledhja​​ e fakteve​​ ​​ 

 

  • Që në fillim të përmbledhjes së fakteve, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës​​ parashtron​​ kërkesë në Gjykatë për herë të dytë. Kërkesën e parë parashtruesi e​​ dorëzoi​​ ​​ 17​​ dhjetor​​ 2019,​​ dhe e njëjta është​​ regjistruar nga Gjykata me shenjën​​ KI 230/19.​​ Në kërkesën​​ KI 230/19,​​ parashtruesi i kërkesës kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës të​​ 30​​ shtatorit​​ 2019.​​ ​​ lidhje me këtë​​ kërkesë, Gjykata konstatoi shkelje të nenit​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6 (E drejta për gjykim të drejtë)​​ të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për​​ cilësimin​​ e tij si person zyrtar;​​ dhe​​ (iii)​​ shpalli​​ të pavlefshëm Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ e​​ Gjykatës Supreme të​​ 30​​ shtatorit​​ 2019​​ përkitazi me parashtruesin e kërkesës dhe vendosi ta​​ kthejë Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ e Gjykatës Supreme të​​ 30​​ shtatorit​​ 2019​​ në rivendosje.​​ 

 

  • Pikërisht, kjo kërkesë e dytë​​ KI175/21,​​ e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatë, ka ardhur si rezultat i procedurës së përsëritur të zhvilluar​​ nga Gjykata Supreme​​ me​​ rastin e rishqyrtimit të udhëzimeve të​​ Gjykatës​​ nga Aktgjykimi​​ KI230/19.​​ 

 

  • Duke pasur parasysh këtë dhe me qëllim të shqyrtimit dhe​​ të kuptuarit​​ më të qartë të kërkesës​​ KI175/21,​​ Gjykata, në vazhdim të këtij Aktvendimi do të​​ paraqesë​​ përmbledhtazi​​ edhe​​ kërkesën​​ e​​ mëparshme​​ KI230/19​​ të parashtruesit të kërkesës,​​ për të cilën ajo tashmë ka vendosur me Aktgjykim.​​ 

 

Përmbledhja e fakteve nga kërkesa​​ KI230/19​​ 

 

  • Gjykata rikujton se​​ rasti konkret i parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me faktin që​​ parashtruesi i kërkesës, në vitin 2015 ishte akuzuar nga Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: PSRK) se në bashkëkryerje, si drejtor i një kompanie [kompania ISN] në Republikën e Shqipërisë kishte fituar një kontratë me Universitetin e Prishtinës për përkthimin e disa librave, dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për kompaninë, kishte “falsifikuar kontratën origjinale”, ku më pas ishte bërë edhe ndryshimi i kontratës, i cili i mundësoi kompanisë përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit.​​ Më 18 dhjetor 2017, Gjykata​​ Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda​​ përmes Aktgjykimit PKR. nr. 432/15, pas konstatimit se parashtruesi i kërkesës e kishte statusin e personit zyrtar, e shpalli atë fajtor për kryerjen e veprës penale “mashtrim në detyrë “ në bashkëkryerje nga neni 341, paragrafi 3 në lidhje me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, dhe për pasojë​​ e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, duke ia zëvendësuar dënimin me burgim me dënim me gjobë në shumë prej 10,000 (dhjetëmijë) euro. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës, dy të dënuarit​​ e​​ tjerë, si dhe​​ PSRK kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike kishte pretenduar se (i) Gjykata Themelore në mënyrë të paligjshme kishte refuzuar administrimin e korrespodencës së një e-maili, të cilin ai e kishte propozuar si provë materiale (ii) se ai nuk e kishte statusin e personit zyrtar; dhe (iii) shkelje të dispozitave të procedurës penale për arsye se kërkesa pasurore juridike nuk ishte dorëzuar nga personi kompetent. Ndërsa PSRK, përmes ankesës së saj kishte kërkuar ndryshimin e vendimit mbi dënimin. Gjykata e Apelit, ndër të tjera, përmes Aktgjykimit [PAKR nr. 27/2018] të 2 majit 2018 pjesërisht aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës vetëm përkitazi me kërkesën pasurore juridike, duke e udhëzuar Universitetin e Prishtinës në kontest civil për realizmin e kësaj kërkese, ndërsa në tërësi e aprovoi ankesën e PSRK-së duke e ndryshuar vendimin mbi dënimin, dhe rrjedhimisht parashtruesit të kërkesës i shqiptoi ​​ dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti. ​​ Si rezultat i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, përmes të cilës, ndër të tjera ai ishte ankuar për​​ mosmbajtjen e seancës së Kolegjit të Apelit, dhe sipas tij atij i ishte mohuar prezantimi i provave të reja, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Pml. nr. 238/2018, ​​ të 5 tetorit 2018 e aprovoi si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, dhe e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe çështjen e ktheu për rivendosje në të njëjtën gjykatë.​​ Në procedurë të rivendosjes, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit​​ PAKR. nr. 528/2018, të 16 prillit 2019 e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2017. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte (i) pretenduar cenim të barazisë së​​ armëve dhe parimit të kontradiktoritetit si rezultat i mosadministrimit të korrespodencës elektronike si provë materiale nga Gjykata Themelore; (ii) interpretim të gabuar të ligjit dhe shkeljes së parimit të ndalimit të analogjisë në të drejtën penale, ​​ si rezultat i cilësimit të tij si person zyrtar. Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit Pml. 253/2019, të 30 shtatorit 2019 e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimet e Gjykatës Themelore,​​ të 18 dhjetorit 2017 dhe asaj të Apelit, të 16 prillit 2019. Gjykata Supreme vërtetoi qëndrimin e gjykatave të shkallës më të ulët përkitazi me mosaprovimin e tyre për administrimin e korrespodencës elektronike si provë materiale dhe interpretimin e tyre përkitazi me cilësimin e parashtruesit të kërkesës si person zyrtar, i cili për pasojë ishte gjykuar për kryerjen e veprës penale mashtrim në detyrë.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kërkesën​​ KI230/19

 

  • ​​ 17​​ dhjetor​​ 2019,​​ parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatë, e cila është regjistruar nga Gjykata me shenjën​​ KI230/19.​​ Në kërkesën​​ KI230/19,​​ parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ i Gjykatës Supreme të​​ 30​​ shtatorit​​ 2019​​ është nxjerrë në shkelje të nenit​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të KEDNJ-së dhe nenin​​ 10​​ të DUDNJ-së.​​ ​​ 

 

  • Parashtruesi në kërkesën e tij, në thelb, ngriti​​ dy pretendime të ndryshme,​​ mbi të cilat i bazoi shkeljet e pretenduara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, dhe ato ishin:​​ (i)​​ pretendimet për​​ cenimin e parimit të “barazisë së armeve” dhe​​ parimit​​ të​​ “kontradiktoritetit”, si rezultat i mospranimit të provës së propozuar nga gjykatat e rregullta,​​ dhe (ii)​​ pretendimet për​​ interpretimin dhe zbatimin qartazi arbitrar​​ të ligjit, si rezultat i cilësimit të tij si​​ “person zyrtar”​​ për shkak të aplikimit të analogjisë nga gjykatat e rregullta.​​ 

 

  • Më 9 dhjetor 2020, Kolegji​​ shqyrtues shqyrtoi raportin e​​ gjyqtarit raportues, përmes të cilit ishte propozuar që (i) kërkesa të shpallet e pranueshme; (ii) të konstatohet se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me cenimin e parimit të kontradiktoritetit dhe parimit të barazisë së armëve janë të pabazuara dhe rrjedhimisht nuk ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; ​​ dhe (iii) të konstatohet se vendimet e​​ kontestuara​​ të gjykatave të rregullta të cilat i referohen cilësimit të parashtruesit të kërkesës​​ si​​ person zyrtar janë nxjerrë në shkelje të nenit 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 7 (Nuk ka dënim pa ligj) të KEDNJ-së, si rezultat i përdorimit të analogjisë në të drejtën penale.​​ Të​​ njëjtën ditë, Kolegji shqyrtues me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.​​ 

 

  • Po të njëjtën ditë, Gjykata votoi si në vijim: (i) me shumicë votash konstatoi se kërkesa është e pranueshme; (ii) me shumicë votash konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të nenit 31​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin 6​​ (E drejta për një proces të rregullt)​​ të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për cilësimin e tij si person zyrtar; dhe (iii) ​​ shpalli të pavlefshëm Aktgjykimin [Pml. nr. 253/2019]​​ e Gjykatës Supreme​​ të 30 shtatorit 2019 përkitazi me parashtruesin e kërkesës, duke vendosur që të kthejë Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Pml. nr. 253/2019, të 30 shtatorit 2019, për rivendosje.

 

Procedura e përsëritur në Gjykatën Supreme lidhur me shqyrtimin e​​ konstatimeve​​ nga Aktgjykimi​​ KI230/19​​ i Gjykatës Kushtetuese​​ ​​ 

 

  • ​​ 3​​ gusht​​ 2021,​​ Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të​​ konstatimeve​​ nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë​​ të parashtruar nga mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës, mbajti seancën në të cilën nxori Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr.​​ 254/2021],​​ me të cilin,​​ refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtësit të të dënuarit​​ A.R.​​ të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda​​ PKR.​​ nr.​​ 432/2015​​ të datës​​ 18.10.2017​​ dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës​​ PAKR.​​ nr.​​ 528/2018​​ të datës​​ 16.04.2019.”​​ 

 

  • Në mbështetje të shqyrtimit të​​ konstatimeve​​ të Gjykatës Kushtetuese nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ Gjykata Supreme theksoi:​​ 

 

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me aktgjykimin​​ AGJ 1691/21​​ e datës​​ 08.01.2021, ka deklaruar kërkesën e parashtruesit​​ A.R.​​ si të pranueshme dhe ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës​​ Pml.​​ nr.​​ 253/2019​​ të datës​​ 30.09.2019, ka shkelur nenin​​ 31​​ të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ, si rezultat i mos arsyetimit të vendimit gjyqësor përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për cilësimin e tij si person zyrtar, ashtu që ka shpall të pavlefshëm aktgjykimin në fjalë, kurse çështjen e ka kthyer në rivendosje duke urdhëruar që sa më shpejt që të jetë e mundur por jo më vonë se data 30.04.2021 të merren masa për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

 

Gjykata Supreme e Kosovës, pasi që vlerësoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës AGJ 1691/21 e datës 08.01.2021, sërish rishqyrtoi pretendimet e paraqitura në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit A.R. dhe atë brenda kornizës së përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës vetëm përkitazi me cilësinë e tij si person zyrtar, përkatësisht arsyetimin përkitazi me cilësinë e tij, andaj si bazë për shqyrtim mori pretendimet e paraqitura në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të shqyrtuara me aktgjykimin Pml.​​ nr.​​ 253/2019 e datës 30.09.2019.

 

  • Duke pasur parasysh rëndësinë e procedurës së zhvilluar​​ nga Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, Gjykata konsideron​​ se është me rëndësi të madhe që në këtë pjesë të Aktvendimit të paraqesë në tërësi arsyetimin juridik të Gjykatës Supreme nga Aktgjykimi​​ [Pml.​​ nr.​​ 254/2021],​​ në pjesën që ndërlidhet drejtpërdrejt me Aktgjykimin​​ KI 230/19.​​ Një mendim i tillë i Gjykatës rezulton nga fakti se shqyrtimi thelbësor i arsyetimit juridik do të mundësojë arritjen e përgjigjeve të dëshiruara në vazhdim të këtij Aktvendimi.​​ ​​ 

 

“[…]

 

Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se gjykata e shkallës së dytë në faqen 11 të aktgjykimit të saj, drejtë ka konstatuar se në veprimet e të dënuarit A.R. janë manifestuar të gjitha elementet e veprës penale mashtrimi në detyrë nga neni 341 par.​​ 3 lidhur me par.​​ 1 dhe nenit 23 të KPK-së, përkundër faktit se i dënuari është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe se Instituti për Studime Ndërkombëtare të cilin e përfaqëson është themeluar në Shqipëri. Por nga ky fakt nuk mund të konkludohet se në rastin konkret i dënuari nuk e ka cilësinë e personit zyrtar. Kurse më tutje theksohet fakti se bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës nr.​​ 2003/17, ky institut si palë e interesuar ka ofertuar në Kosovë si operator ekonomik dhe në këtë rast i dënuari përveç që ka përfaqësuar institutin si person zyrtar me rastin e fitimit të tenderit nga autoriteti kontraktues (Universiteti i Prishtinës), ka marrë përsipër ushtrimin e detyrave të posaçme zyrtare në bazë të autorizimit të dhënë me ligj.

 

Arsyetimin e lartë cekur e mbështetë në tërësi edhe Gjykata Supreme e Kosovës dhe përtej këtij arsyetimi rithekson faktin se në kohën e zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit ishte në fuqi Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë (Ligji nr.​​ 2003/17), kurse në dispozitën e nenit 2 të të cilit ligj ishte përcaktuar në mënyrë të qartë se ligji vlen për të gjitha “aktivitetet e prokurimit të autoriteteve​​ kontraktuese dhe koncesionerëve të punëve, ashtu siç përcaktohen këto terme në këtë ligj dhe nga autoritet dhe koncesionerë kërkohet që, gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre të prokurimit, t’i respektojnë dhe të veprojnë në përputhje me rregullat dhe kërkesave qenësore të këtij ligji”. Kurse me dispozitën e nenit 6 të këtij ligji është përcaktuar trajtimi i barabartë dhe jodiskriminimi mes operatorëve ekonomik, por edhe vet përkufizimet e përdorura në këtë ligj tek përkufizimi​​ "operator ekonomik"​​ nuk bëjnë dallimin e operatorëve ekonomik se a bëhet fjalë për operator vendor apo të huaj, porse trajtimi i tyre është i njëjtë.

 

Duke rivlerësuar pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit A.R., Gjykata Supreme e Kosovës, mbetet pranë konstatimeve se vepra penale mashtrimi në detyrë nga neni 341 par.​​ 3 lidhur me par.​​ 1 të KPK-së mund të​​ konsumohet ekskluzivisht nga personi që ka cilësinë e personit zyrtar dhe me këtë rast gjykatat e dy instancave më të ulëta e kanë potencuar në vendimet e tyre faktin se i dënuari A.R. kishte këtë cilësi, dhe për më tepër, kanë cituar dispozitat ligjore që përcaktojnë cilësinë e personit zyrtar edhe pse bëhet fjalë për shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe organizata​​ "ISN"​​ kishte selinë në Tiranë. Megjithatë gjykatat e dy instancave më të ulëta gjyqësore përmes vendimeve të tyre kanë arsyetuar mjaftueshëm faktin se i dënuari kishte cilësinë e personit zyrtar pasi që përveç faktit se ishte përfaqësues i​​ "ISN"​​ dhe kishte ofertuar në Kosovë si përfaqësues i operatorit ekonomik, kishte marrë për sipër ushtrimin e posaçëm të detyrave zyrtare në bazë të autorizimit ligjor siç është përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së dhe të cilin arsyetim e aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme e Kosovës.​​ 

 

Sipas këndvështrimit të kësaj gjykate dispozitat e mësipërme duhet të ndërlidhen me cilësinë e personit zyrtar dhe i cili është përcaktuar me Kodin Penal të Kosovës. Dispozita e nenit 107 par.​​ 1 të KPK-së, ka përcaktuar domethënien e shprehjeve që përdorën në Kod dhe ka përcaktuar se “Shprehja​​ "person zyrtar"​​ do të thotë: 1) Personi i zgjedhur ose i emëruar në një​​ organ publik; 2) Personi i autorizuar në një organizatë biznesi ose ndonjë person tjetër juridik i cili sipas ligjit a ndonjë dispozite tjetër të nxjerrë në pajtim me ligjin ushtron autoritet publik dhe brenda këtij autoriteti ushtron detyra të posaçme; 3) Personi i cili ushtron detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimit të dhënë me ligj; 4) Personi i cili është anëtar i personelit të UNMIK-ut ose i KFOR-it pa cenuar imunitetin dhe privilegjet e zbatueshme që i janë dhënë atij personi; 5) Personi i cili është anëtar i personelit të zyrave të ndërlidhjes në Kosovë; 6) Personi në një organizatë publike ndërkombëtare ose mbinacionale i cili njihet si zyrtar ose punonjës tjetër i kontraktuar sipas rregulloreve të personelit të organizatës së tillë; 7) Gjykatësi, prokurori ose zyrtari tjetër në gjykatën ndërkombëtare që ushtron juridiksion në Kosovë”.

 

Nga interpretimi i kësaj dispozite ligjore sipas pikëpamjes së Gjykatës Supreme të Kosovës, rrjedh se i dënuari A.R. me vet ndërmarrjen e veprimeve për të konkurruar në tender publik në emër të ISN, dhe pastaj nënshkrimi i kontratës mes të operatorit ekonomik ISN dhe Universitetit të Prishtinës e vërteton faktin se kishte fituar cilësinë e personit zyrtar të përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së, pasi që ushtronte detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimeve të dhëna me ligj, konkretisht të Ligjit për Prokurimin Publik. Në këtë mënyrë fakti i pakontestueshëm se ISN ishte person juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë e bën të parëndësishëm këtë në krahasim me arsyetimin dhe argumentimin e theksuar më lartë, pasi që përfaqësuesit e saj në mënyrë të vetëdijshme dhe vullnet të plotë i ishin nënshtruar juridiksionit dhe legjislacionit të vendit tonë, duke marrë pjesë dhe duke fituar tender të karakterit publik.

 

Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se baza e përcaktimit të statusit të personit zyrtar është e përcaktuar në Kodin Penal dhe i cili edhe duhet të zbatohet dhe të ketë epërsi në raport me ligjet tjera, dhe për këtë arsye rithekson faktin se baza është e përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së, mirëpo kjo dispozitë ka referencë koherente me faktin e ushtrimit të detyrës së posaçme dhe të cilin autorizim i jepet me një ligj. Nga kjo rrjedh se dispozita e lartcekur duhet interpretuar në harmoni me dispozitat e Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë (Ligji nr.​​ 2003/17), dhe për më tepër, faktet e pakontestueshme të vërtetuara se i dënuari kishte aplikuar dhe fituar tender publikë duke përfaqësuar ISN dhe pastaj në emër të saj kishte nënshkruar kontratë duke marrë detyrime që burojnë duke u bazuar në autorizime ligjore.”

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ ​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të nenit​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ dhe nenit​​ 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ (E drejta për një proces të rregullt)​​ dhe nenin​​ 7 (Nuk ka dënim pa ligj)​​ të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Ajo që Gjykata vëren gjatë shqyrtimit të vetë thelbit të pretendimeve të parashtruesit nga kërkesa​​ KI175/21​​ është se edhe në këtë kërkesë, ndër të tjera, ai përsërit të gjitha ato pretendime që ai tanimë​​ i ka ngritur në kërkesën e tij të mëparshme​​ KI 230/19,​​ dhe të cilat Gjykata tashmë i ka shqyrtuar dhe ka paraqitur qëndrimin e saj për bazueshmërinë e tyre në Aktgjykimin​​ KI 230/19.​​ Këto pretendime kanë të bëjnë me pohimin për “interpretimin dhe zbatimin e ligjit në mënyrë qartazi arbitrare në kontekst të cilësimit të tij si​​ person zyrtar,​​ si dhe për aplikimin e analogjisë nga gjykatat e rregullta gjatë vendosjes për përgjegjësinë e tij penale.

 

  • Për më tepër, parashtruesi i kërkesës në arsyetimin e pretendimeve të tij i referohet edhe praktikës relevante të GJEDNJ-së, si dhe praktikës së kësaj Gjykate,​​ të cilën e kishte cituar edhe​​ në kërkesën​​ KI 230/19.

 

  • Duke pasur parasysh këtë, Gjykata në këtë Aktvendim do t’i paraqesë pretendimet e reja të cilat parashtruesi i kërkesës i ngre në kërkesën​​ KI175/21,​​ ndërsa sa i përket​​ çështjes së​​ bazueshmërisë së tyre,​​ Gjykata do të paraqesë qëndrimin e saj në vazhdim të Aktvendimit.​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit​​ lidhur​​ me kërkesën​​ KI175/21​​ 

 

  • Në kërkesën​​ KI175/21, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës në thelb ka dy pretendime kryesore​​ të cilat​​ ai i ndërlidh me Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të nxjerrë nga Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur,​​ dhe​​ ato i referohen:​​ shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë në procedurën e përsëritur para Gjykatës Supreme, si dhe cenimit të parimit të legalitetit dhe proporcionalitetit në procedurat penale.​​ Rrjedhimisht, Gjykata​​ në vazhdim do t’i​​ paraqesë​​ pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ në mënyrë të ndarë. ​​ ​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje​​ ​​ nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së​​ ​​ 

 

  • Sa i përket​​ shkeljes së​​ nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës ka dy pretendime kryesore, përkatësisht:​​ i)​​ pretendimin për interpretimin​​ arbitrar​​ ​​ ligjit nga Gjykata Supreme,​​ dhe​​ ii)​​ pretendimin për​​ dështimin​​ e​​ Gjykatës Supreme​​ për të përmbushur standardin e vendimit të arsyetuar​​ ​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur.​​ ​​ 

 

i)​​ Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për interpretimin arbitrar të ligjit nga Gjykata Supreme​​ 

 

  • Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimit për interpretimin arbitrar të ligjit në kontekst të shkeljes së nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, thotë​​ se:​​ 

 

“[…]​​ Një interpretim [...] arbitrar i ligjit ka ndodhur në rastin konkret, ku Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar në mënyrë të kamufluar ka përsëritur tërësisht interpretimet e gabuara ligjore që ka bërë në Aktgjykimin e saj paraprak​​ (Pml.​​ nr.​​ 253/2019),​​ të cilin Gjykata Kushtetuese e pat shfuqizuar si jo-kushtetues. Pra, duke përdorur interpretimin sipas analogjisë dhe duke mos u përpjekur të interpretojë saktësisht emërtimin “person zyrtar”, Gjykata Supreme është përpjekur të arsyetojë gabimin që është bërë që në fillim të procedurës penale kundër parashtruesit të kërkesës….

 

Sjellim në vëmendje se Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin​​ KI 230/19​​ (me të cilin shfuqizoi Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Pml.​​ nr. 253/2019), konstatoi se në asnjë prej aktgjykimeve të gjykatave të rregullta parashtruesit të kërkesës nuk i ishte dhënë një arsyetim i mjaftueshëm dhe i qartë në lidhje me statusin e “personit zyrtar”. Përkundrazi, sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, statusi i “personit zyrtar” të parashtruesit të kërkesës çdoherë ishte konstatuar me përdorimin e analogjisë bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik nr.​​ 2003/17,​​ duke mos arsyetuar me asnjë fjalë të vetme se në bazë të cilit paragraf të nenit 107​​ të Kodit të Përkohshëm Penal parashtruesi i kërkesës e ka cilësinë e personit zyrtar.​​ 

 

Gjykata Supreme është referuar në nënparagrafin​​ 3​​ të paragrafit​​ 1​​ të nenit​​ 107​​ të KPK, për të konstatuar në mënyrë tërësisht arbitrare se parashtruesi është “person zyrtar”. Kështu, Gjykata Supreme ka arsyetuar se nga interpretimi i nenit​​ 107​​ të KPK “rrjedh se i dënuari A.R.​​ [Albert Rakipi]​​ me vet ndërmarrjen e veprimeve ka konkurruar në tender publik në emër të ISN, dhe pastaj nënshkrimi i kontratës mes të operatorit ekonomik ISN dhe Universitetit të Prishtinës e vërteton faktin se kishte fituar cilësinë e personit zyrtar të përcaktuar me dispozitën e nenit​​ 100​​ par.​​ 1​​ nënpar.​​ 3​​ të KPK-së, pasi që ushtronte detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimeve​​ të dhëna me ligj, konkretisht të Ligjit për Prokurimin Publik. Në këtë mënyrë fakti i pakontestueshëm se ISN ishte person juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë e bën të parëndësishëm këtë në krahasim me arsyetimin dhe argumentimin e theksuar më lartë​​ […].

 

Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se baza e përcaktimit të statusit të personit zyrtar është e përcaktuar në Kodin Penal dhe i cili edhe duhet të zbatohet dhe të ketë epërsi në raport me ligjet tjera, dhe për këtë arsye rithekson faktin se baza është e përcaktuar me dispozitën e nenit​​ 107​​ par.​​ 1​​ nënpar.​​ 3​​ të KPK-së, mirëpo kjo dispozitë ka referencë koherente me faktin e ushtrimit të detyrës së posaçme dhe të cilin autorizim i jepet me një ligj.​​ Nga kjo rrjedh se dispozita e lartcekur duhet interpretuar në harmoni me dispozitën e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë​​ (Ligji nr.​​ 2003/17)​​ […]”.​​ 

 

Gjykata Supreme gabimisht konkludon se Ligji për Prokurim Publik autorizon përfaqësuesin e kërkesës të kryej detyrë zyrtare​​ -​​ në kuptim të nenit 107 të KPK. Apo, statusin e personit zyrtar ia japë fakti se ISN, sipas Ligjit për Prokurimin Publik, ka aplikuar në një procedurë tenderuese publike dhe ka fituar një tender​​ (punë) për të kryer përkthim të librave për nevoja të UP-së. Gjykata Supreme në arsyetimin e saj lë të kuptohet se parashtruesi i kërkesës fiton me automatizëm statusin e personit zyrtar, me vet faktin se ISN ka aplikuar në një procedurë prokurimi publik dhe, me atë, i është nënshtruar kushteve të Ligjit për Prokurimin Publik. Sipas këtij interpretimi, secili përfaqësuesi i cilitdo operator ekonomik që aplikon në çfarëdo tenderi publik në Kosovë e fiton me automatizëm statusin e “personit zyrtar”.”​​ 

 

ii)​​ Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për​​ dështimin e Gjykatës Supreme për të përmbushur standardin e vendimit të arsyetuar gjatë procedurës së përsëritur​​ 

 

  • Në mbështetje të pretendimeve për dështimin e Gjykatës Supreme për të përmbushur standardin e vendimit të arsyetuar edhe në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, parashtruesi i kërkesës thekson se:​​ 

 

“Siç mund të vërehet nga arsyetimi i Aktgjykimit​​ [Pml. 254/2021],​​ Gjykata Supreme mjaftohet duke cituar paragrafin​​ 1​​ të nenit 107​​ të KPK dhe duke u përpjekur pastaj ta ndërlidhë arsyetimin, sipas analogjisë, me Ligjin për Prokurimin Publik. Gjykata Supreme nuk elaboron paragrafët e nenit​​ 107​​ të KPK, të cilin e citon tekstualisht dhe nuk bënë ndërlidhjen e tyre me rrethanat e rastit konkret.​​ 

 

Gjykata Kushtetuese ka ndërtuar një standard të qartë, kur janë në pyetje kërkesat e parashtruesve, se vetëm citimi/përmendja e neneve përkatëse të Kushtetutës me pretendimin se ato janë shkelur nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një kërkesë të qëndrueshme kushtetuese….

 

Nëse individët, si parashtrues të kërkesave, nuk mund të ndërtojë një kërkesë të qëndrueshme kushtetuese vetëm duke u referuar në nene përkatëse të kushtetutës, njëlloj, edhe gjykatat e rregullta nuk mund të japin një vendim të arsyetuar vetëm duke përmendur nene përkatëse të ligjeve…”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje​​ ​​ nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së​​ ​​ 

 

  • Gjykata gjen se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve për shkelje të nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së, thekson:​​ 

 

[…]​​ ndalimi i interpretimeve sipas analogjisë në çështje penale jo vetëm që e bënë interpretimin e ligjit të jetë arbitrar, por cenon edhe nenin 33 të Kushtetutës dhe nenin​​ 7​​ të KEDNJ. Prandaj, interpretimi qartazi arbitrar i nenit 107​​ të KPK-së nuk është shkelja e vetme që ka bërë Gjykata Supreme me Aktgjykimin​​ Pml.​​ nr.​​ 254/2021.​​ Siç mund të vërehet nga arsyetimi i saj i cituar më sipër, Gjykata Supreme përsëri është referuar me analogji në Ligjin për Prokurimin Publik, për të vërtetuar se ekzistojnë elementet e veprës penale​​ "mashtrimi në detyrë".​​ Siç kemi argumentuar në vazhdimësi, zbatimi i Ligjit për Prokurim Publik për të dhënë parashtruesit të kërkesës statusin e personit zyrtar është i gabuar, sepse ky Ligj nuk merret fare me përcaktimin e statusit të personave zyrtarë,​​ por përcakton procedurat e prokurimit në tenderët publikë. Gjykata Supreme ka arsyetuar se neni​​ 107​​ par. 1 nënpar.​​ 3​​ i KPK-së “ka referencë koherente me faktin e ushtrimit të detyrës së posaçme dhe të cilin autorizim i jepet me një ligj. Nga kjo rrjedh se dispozita e lartcekur duhet interpretuar në harmoni me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë”.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës konsideron se,​​ “një interpretim i tillë i nenit​​ 107​​ të KPK-së nga Gjykata Supreme, nuk është i mjaftueshëm për të konstatuar elementet e veprës penale “mashtrimi në detyrë”, por kjo mund të bëhet vetëm nëse “thirret në ndihmë” Ligji i Prokurimit Publik. Madje, Gjykata Supreme ka theksuar se Kodi Penal duhet të zbatohet në harmoni me Ligjin për Prokurimin Publik. Kjo do të thotë se, sipas këtij interpretimi, Ligji për Prokurimin Publik mund të përcaktojë kufijtë e interpretimit të Kodit Penal”.

 

  • Në mbështetje të kësaj, parashtruesi i kërkesës shton se,​​ “Ndalimi i​​ aplikimit​​ të analogjisë në të drejtën penale është në funksion të sigurisë juridike dhe parimit të ligjshmërisë”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se, “gjykatat do duhej konstatuar se i pandehuri nuk kishte cilësinë e personit zyrtar dhe, rrjedhimisht, ai nuk do mund të akuzohej dhe dënohej për veprën penale “mashtrim në detyrë”, të përcaktuar në nenin​​ 341​​ të Kodit të Përkohshëm Penal”.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata ta shpallë kërkesën e tij të pranueshme, të konstatojë se​​ përmes​​ Aktgjykimit​​ [PML.​​ nr.​​ 254/2021]​​ ​​ Gjykatës Supreme​​ ​​ 3​​ gushtit​​ 2021​​ janë​​ shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet​​ 31​​ dhe​​ 33​​ të Kushtetutës, si​​ dhe​​ të shfuqizojë​​ aktgjykimet.​​ 

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore​​ 

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës​​ 

 

Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

“1.​​ Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.

5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.“​​ 

 

Neni 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]

 

“1. Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.

 

[…]“

 

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut

 

Neni​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)

 ​​​​ 

“1.​​ Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.​​ 

 

2.​​ Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.​​ 

 

3. Çdo i akuzuar për një vepër penale ka të drejtat minimale të mëposhtme:

 

a. të informohet brenda një afati sa më të shkurtër, në një gjuhë që ai e kupton dhe në mënyrë të hollësishme, për natyrën dhe për shkakun e akuzës që ngrihet ndaj tij;​​ 

b. t’i jepet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për përgatitjen e mbrojtjes;

c. të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, ose në qoftë se ai nuk ka mjete të mjaftueshme për të shpërblyer mbrojtësin, t’i mundësohet ndihma ligjore falas kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë;​​ 

d. të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës;​​ 

e. të ndihmohet falas nga një përkthyes në qoftë se nuk kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq.“

 

Neni​​ 7

(Nuk ka dënim pa ligj)

 

“1.​​ Askush nuk mund të dënohet për një veprim ose një mosveprim që, në momentin kur është kryer, nuk përbënte vepër penale sipas të drejtës së brendshme ose ndërkombëtare. Po ashtu, nuk mund të jepet një dënim më i rëndë se ai që ishte i zbatueshëm në momentin kur është kryer vepra penale.​​ 

2. Ky nen nuk do të ndikojë mbi gjykimin dhe dënimin e një personi për një veprim ose mosveprim, i cili, në momentin kur është kryer, quhej vepër penale sipas parimeve të përgjithshme të së drejtës, të njohura nga kombet e qytetëruara.​​ 

 

Kodi i Përkohshëm Penal​​ [Rregullore​​ e UNMIK-ut​​ 2003/25]

 

KAPITULLI I:

Dispozitat e përgjithshme​​ 

Neni 1​​ 

PARIMI I LIGJSHMËRISË​​ 

 

“[...]

 

​​ 3. Përkufizimi i një vepre penale duhet të përcaktohet në mënyrë të saktë dhe nuk lejohet interpretimi sipas analogjisë. Në rast paqartësie, përkufizimi i veprës penale interpretohet në favor të personit i cili hetohet, ndiqet ose shpallet fajtor”.

 

Neni 23

BASHKËKRYERJA​​ 

 

“Nëse dy apo më shumë persona së bashku kryejnë veprën penale duke marrë pjesë në kryerjen e veprës penale ose thelbësisht duke i kontribuuar kryerjes së saj në ndonjë mënyrë tjetër, secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e paraparë për vepra penale”.

 

Neni 107

 

“(1)​​ Shprehja “person zyrtar” do të thotë:​​ 

 

1) Personi i zgjedhur ose i emëruar në një organ publik;​​ 

2) Personi i autorizuar në një organizatë biznesi ose ndonjë person tjetër juridik i cili sipas ligjit a ndonjë dispozite tjetër të nxjerrë në pajtim me ligjin ushtron autoritet publik dhe brenda këtij autoriteti ushtron detyra të posaçme;​​ 

3) Personi i cili ushtron detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimit të dhënë me ligj;​​ 

4) Personi i cili është anëtar i personelit të UNMIK-ut ose i KFOR-it pa cenuar imunitetin dhe privilegjet e zbatueshme që i janë dhënë atij personi;​​ 

5) Personi i cili është anëtar i personelit të zyrave të ndërlidhjes në Kosovë;​​ 

6) Personi në një organizatë publike ndërkombëtare ose mbinacionale i cili njihet si zyrtar ose punonjës tjetër i kontraktuar sipas rregulloreve të personelit të organizatës së tillë;​​ 

7) Gjykatësi, prokurori ose zyrtari tjetër në gjykatën ndërkombëtare që ushtron juridiksion në Kosovë.

 

(2) Shprehja “person përgjegjës” do të thotë një individ në një organizatë biznesi ose një person juridik, të cilit, për shkak të funksionit apo autorizimit të posaçëm, i janë besuar detyrat që lidhen me zbatimin e ligjit ose të dispozitave të tjera të nxjerra në bazë të ligjit apo të rregullave të përgjithshme të organizatës së biznesit, ose personat e tjerë juridikë në qeverisjen apo administrimin e pronës, ose në lidhje me udhëheqjen e prodhimit apo ndonjë proces tjetër ekonomik ose mbikëqyrjen e procesit të tillë. Sipas paragrafit 2 të këtij neni, person zyrtar konsiderohet edhe personi përgjegjës, kur është në pyetje veprimi i cili nuk është paraparë me dispozitat e kapitullit mbi veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe kundër detyrës tjetër ose me dispozitat e veprave penale të personit zyrtar të parapara në ndonjë kapitull tjetër të këtij Kodi.

 

(3) Kur një person zyrtar ose person përgjegjës përshkruhet si kryerës i një vepre penale, të gjithë personat e cekur në paragrafët 1 ose 2 të këtij neni mund të jenë kryerës të veprës së tillë penale me kusht që ajo nuk pason nga elementet e veprës penale ku kryerësi mund të jetë vetëm njëri nga ata persona”.​​ 

 

Neni 261

MASHTRIMI

 

“(1) Kushdo që me qëllim për t’i sjellë vetes apo personit tjetër ndonjë dobi pasurore e mashtron ose e sjell personin tjetër në lajthim me anë të paraqitjes së rreme apo duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtyt personin e tillë që të veprojë apo të​​ mosveprojë në dëm të pasurisë së tij ose të pasurisë së ndonjë personi tjetër, dënohet me gjobë apo me burgim deri në tri vjet.​​ 

(2) Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni rezulton me dëm i cili e tejkalon shumën prej 15,000 euro, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet”.

 

Neni 332

FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE​​ 

 

“(1) Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal dënohet me gjobë apo burgim deri në një vit. ​​ 

 

(2) Tentativa për vepër penale nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet.​​ 

 

(3) Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni është kryer në lidhje me dokumentin publik, testamentin, kambialin, regjistrin publika apo zyrtar ose ndonjë regjistri tjetër që ruhet në bazë të ligjit, kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet.​​ 

 

Neni 341

MASHTRIMI NË DETYRË

 

“1.​​ Personi zyrtar i cili me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër bën prezentimin e rremë të raportit të llogarive apo i cili në mënyrë tjetër e vë në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.​​ 

 

[…]

 

3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni rezulton me dobi pasurore në vlerë që tejkalon 5.000 euro, kryerësi dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet”.​​ 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës​​ 

 

  • Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të parashikuara më tej me Rregullore të punës.​​ ​​ 

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve​​ 1​​ dhe​​ 7​​ të nenit​​ 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]​​ të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:​​ ​​ 

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur​​ kriteret e pranueshmëri,​​ siç përcaktohet me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet​​ neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës)​​ dhe​​ 49 (Afatet)​​ të Ligjit, që përcaktojnë:​​ ​​ 

 

Neni 47​​ 

​​ [Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo​​ individ​​ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast​​ se​​ pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2.​​ Individi​​ mund​​ të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe​​ liri​​ pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”

 

Neni 49

[Afati]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga​​ dita​​ kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”

 

  • Sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar,​​ i cili​​ konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ e​​ Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore të cilat pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit​​ 48​​ të Ligjit dhe ka parashtruar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin​​ 49​​ të Ligjit.​​ ​​ 

 

  • Përveç kësaj, Gjykata i referohet rregullit​​ 39 (Kriteret e pranueshmërisë)​​ të Rregullores së punës. Rregulli​​ 39 (2)​​ i Rregullores së punës përcakton:​​ 

 

“(2)​​ Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.

 

  • Gjykata fillimisht thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut​​ (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ)​​ dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajtja e kërkesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin​​ (2)​​ të rregullit​​ 39​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si​​ “qartazi e pabazuar”​​ në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si​​ “pretendime qartazi të pabazuara”.​​ Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta:​​ (i)​​ pretendime që kualifikohen si pretendime të​​ “shkallës së katërt”;​​ (ii)​​ pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii)​​ pretendime​​ “të pambështetura ose të paarsyetuara“;​​ dhe në fund, (iv)​​ pretendime “konfuze ose të paqarta”.​​ 

 

  • Në kuptim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht, do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit​​ 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]​​ të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.​​ 

 

  • Në mbështetje të kësaj, Gjykata dëshiron të theksojë se në këtë Aktvendim nuk do të merret me analizën e pretendimeve ankimore​​ që parashtruesi i kërkesës i kishte ngritur tanimë​​ në kërkesën​​ KI 230/19​​ dhe të cilat më parë​​ ishin objekt i vlerësimit gjyqësor. Për rrjedhojë, Gjykata, në këtë Aktvendim, do të fokusohet drejtpërdrejt në pretendimet e parashtruesit të kërkesës të cilat i referohen shkeljeve të pretenduara të neneve​​ 31​​ dhe​​ 33​​ të Kushtetutës, si dhe neneve​​ 6​​ dhe​​ 7​​ të KEDNJ-së,​​ dhe​​ të cilat parashtruesi​​ i​​ kërkesës i​​ ndërlidh drejtpërdrejt me procedurën gjyqësore të​​ zhvilluar nga Gjykata Supreme në kuadër të procedurës së​​ përsëritur pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese​​ KI 230/19.

 

  • Mirëpo, me qëllim që Gjykata t’i përgjigjet në mënyrë të drejtë pretendimeve të parashtruesit nga kërkesa​​ KI175/21,​​ në vazhdim të këtij Aktvendimi, ajo fillimisht do të rikujtojë Aktgjykimin e saj​​ KI 230/19,​​ duke theksuar​​ të gjeturat e saj nga i njëjti.​​ 

 

  • Në pjesën e dytë të këtij Aktvendimi, Gjykata do të shqyrtojë me kujdes nëse Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur ka vepruar sipas​​ të gjeturave​​ të Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI 230/19.

 

  • Në fund, Gjykata do të paraqesë mendimin dhe konkluzionet e saj në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës​​ të cilat mbështesin pohimet e tij për shkelje të neneve​​ 31​​ dhe​​ 33​​ të Kushtetutës dhe neneve​​ 6​​ dhe​​ 7​​ të KEDNJ-së,​​ vetëm në kontekst të Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të Gjykatës Supreme të​​ 3​​ gushtit​​ 2021.​​ 

 

Të gjeturat e Gjykatës nga Aktgjykimi KI230/19

 

  • Duke analizuar pretendimet në kërkesën​​ KI 230/19,​​ Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ i Gjykatës Supreme,​​ Aktgjykimi​​ [PAKR.​​ nr. 528/2018]​​ i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi​​ [PKR.​​ nr. 432/15]​​ i Gjykatës Themelore janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore, të garantuara me nenin​​ 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të KEDNJ-së dhe nenin 10​​ të DUDNJ-së.​​ 

 

  • Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës, në thelb, ngre pretendime për​​ (i)​​ cenimin​​ e parimit të​​ "barazisë së armëve"​​ dhe parimit të​​ "kontradiktoritetit",​​ si rezultat i mospranimit të provës së propozuar nga gjykatat e rregullta, dhe​​ (ii)​​ interpretimin dhe zbatimin qartazi arbitrar të ligjit, si rezultat i cilësimit të tij si​​ person zyrtar​​ për shkak të aplikimit të analogjisë nga gjykatat e rregullta“.

 

  • Gjatë analizës së​​ pretendimit​​ ​​ parë të parashtruesit të kërkesës për​​ cenimin​​ e parimit të​​ "barazisë së armëve"​​ dhe parimit të​​ "kontradiktoritetit",​​ Gjykata, duke zbatuar parimet themelore të GJEDNJ-së, si dhe​​ të​​ praktikës​​ ​​ saj gjyqësore, gjeti se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për​​ cenimin​​ e parimit të​​ barazisë së armëve​​ dhe parimit të​​ kontradiktoritetit​​ si rezultat i mospranimit të provës së propozuar nga gjykatat e rregullta janë të pabazuara,​​ dhe​​ për rrjedhojë​​ nuk ka pasur shkelje të nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në kontekst të pretendimit të parë të parashtruesit të kërkesës.​​ ​​ 

 

  • Më tej, Gjykata, duke analizuar pretendimin e dytë të parashtruesit të kërkesës për​​ interpretimin dhe zbatimin qartazi arbitrar të ligjit dhe​​ aplikimin e analogjisë nga gjykatat e rregullta​​ në kontekst të shkeljes së nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, gjeti se parashtruesi i kërkesës​​ e kishte ngritur​​ çështjen e interpretimit dhe zbatimit analog të Ligjit për Prokurimin Publik si para gjykatave më të ulëta ashtu edhe para Gjykatës​​ Supreme, por Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk kishin​​ dhënë një arsyetim të mjaftueshëm dhe të qartë në lidhje me statusin e tij të​​ personit zyrtar,​​ përkundrazi, statusi i tij​​ çdoherë​​ është​​ konstatuar me përdorimin e​​ analogjisë​​ bazuar në Ligjin​​ për Prokurimin Publik nr.​​ 2003/17,​​ duke mos arsyetuar me asnjë fjalë të vetme se në bazë të cilit paragraf të nenit 107 të Kodit të Përkohshëm Penal, parashtruesi i kërkesës​​ e​​ ka​​ cilësinë​​ e personit zyrtar.​​ 

 

  • Gjykata, duke shqyrtuar​​ gjithashtu​​ Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në kontekst të pretendimit të dytë të parashtruesit të kërkesës, gjeti se Gjykata Supreme, në lidhje me cilësimin e parashtruesit të kërkesës si “person zyrtar”,​​ vetëm vërtetoi interpretimet e gjykatave më të ulëta duke konstatuar​​ se,​​ “[parashtruesi i kërkesës]​​ kishte​​ marrë për​​ sipër​​ ushtrimin e​​ posaçëm të detyrave zyrtare në bazë të autorizimit ligjor siç është përcaktuar me dispozitën e nenit​​ 107​​ të KPPK-së​​ [Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës]”,​​ por​​ ajo​​ nuk​​ kishte specifikuar​​ se cili paragraf i nenit​​ 107​​ të KPPK-së është i​​ aplikueshëm​​ në rastin e tij,​​ dhe po ashtu nuk​​ kishte specifikuar​​ se cili​​ ishte​​ autoriteti​​ publik,​​ dhe detyrat e posaçme të cilat ai i ushtronte brenda këtij autoriteti.​​ ​​ ​​ 

 

  • Duke pasur parasysh se Gjykata Supreme bëri një lëshim të tillë, Gjykata gjeti se Aktgjykimi i kontestuar​​ [Pml.​​ nr. 253/2019]​​ i Gjykatës Supreme i​​ 30​​ shtatorit​​ 2019, nuk​​ i​​ ka plotësuar kriteret​​ për një vendim të arsyetuar​​ gjyqësor si pjesë përbërëse e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, sepse​​ ka dështuar që në mënyrë të mjaftueshme të adresojë pretendimet​​ thelbësore të parashtruesit të kërkesës kur​​ ka vërtetuar​​ vendimet e gjykatave të rregullta, përmes së cilave ishte​​ cilësuar si person zyrtar.​​  ​​​​ 

 

  • Gjykata këtu duhet të shpjegojë se konstatimi i saj për shkelje të nenit 31 në Aktgjykimin​​ KI 230/19​​ ka të bëjë ekskluzivisht me aktgjykimet e kontestuara nga pikëpamja e mosarsyetimit të vendimit gjyqësor nga Gjykata Supreme në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës dhe​​ se Gjykata​​ në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit të parashtruesit të kërkesës në procedurën e rivendosjes​​ pranë​​ Gjykatës​​ Supreme​​ (shih paragrafin​​ 159​​ të Aktgjykimit​​ KI 230/19).

 

  • Duke pasur parasysh se Gjykata konstatoi se të drejtat e parashtruesit ​​ të kërkesës nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, janë shkelur në kontekst të pretendimit të tij të dytë, Gjykata, me qëllim të​​ evitimit​​ të këtyre shkeljeve, në arsyetimin e saj të Aktgjykimit​​ KI 230/19​​ kishte​​ dhënë udhëzime​​ sipas të cilave​​ duhet të vepronte Gjykata Supreme për t’i evituar ato.​​ Pikërisht në lidhje me këtë, Gjykata, në paragrafin​​ 162​​ të Aktgjykimit​​ KI 230/19,​​ ka definuar saktë udhëzimet dhe përcaktuar kufijtë dhe shtrirjen e veprimit të Gjykatës Supreme.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, për t’i​​ shmangur paqartësitë në lidhje me udhëzimet e Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI 230/19​​ dhe​​ interpretimet eventuale të gabuara të këtyre udhëzimeve​​ dhe mënyrës në të cilën ato duhet të ishin zbatuar nga Gjykata Supreme, Gjykata konsideron të nevojshme të përsërisë këto udhëzime edhe në këtë Aktvendim: ​​ ​​ 

 

“Paragrafi​​ 162​​ nga Aktgjykimi​​ KI 230/19

 

Sa i përket mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata konstatoi se me nxjerrjen e Aktgjykimit​​ Pml.​​ nr. 253/2019, të​​ 30​​ shtatorit​​ 2019,​​ Gjykata Supreme ka dështuar të arsyetojë pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe nuk e ka arsyetuar vendimin e saj përkitazi me cilësimin e tij si person zyrtar.​​ 

 

  • Gjykata gjithashtu e sheh të nevojshme të shpjegojë, sigurisht në kuadër të konstatimeve të saj nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ pa u lëshuar sërish​​ në analizën dhe interpretimin e tyre juridik, se cilat janë​​ “pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës”​​ nga paragrafi​​ 162,​​ ​​ cilat Gjykata Supreme do duhej​​ t’i arsyetonte në Aktgjykimin [Pml. nr. 253/2019],​​ gjë të cilën ajo nuk e bëri.​​ 

 

  • Cilat janë saktësisht​​ pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës​​ që​​ nuk janë shqyrtuar nga Gjykata Supreme, mund të konkludohet nga paragrafi​​ 150​​ i Aktgjykimit​​ KI 230/19,​​ dhe ato janë:​​ 

 

a)​​ se Gjykata Supreme nuk kishte specifikuar se cili paragraf i nenit​​ 107​​ të KPPK-së është i aplikueshëm në rastin e tij, kur konkludoi se​​ “[parashtruesi i kërkesës]​​ kishte marrë për sipër ushtrimin e posaçëm të detyrave zyrtare në bazë të autorizimin ligjor,

 

b)​​ se Gjykata Supreme nuk kishte specifikuar se cili ishte autoriteti publik dhe detyrat e posaçme të cilat parashtruesi i kërkesës i ushtronte brenda këtij autoriteti. ​​ 

 

  • Andaj, Gjykata i dha Gjykatës Supreme udhëzime të cilat ajo duhej t’i merrte​​ në konsideratë në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, duke i arsyetuar​​ ato në përputhje me​​ principet dhe​​ parimet e nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, në kontekst të plotësimit të kritereve të vendimit të arsyetuar gjyqësor.​​ ​​ 

 

  • Gjykata konstaton se udhëzimet nga Aktgjykimi​​ KI 230/19​​ janë plotësisht të qarta dhe​​ përcaktojnë drejtimin dhe fushën e veprimit të Gjykatës Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur me qëllim të evitimit të shkeljes së identifikuar, ku vetë udhëzimet e Gjykatës nuk lënë hapësirë e cila mund të jetë objekt i interpretimeve të panevojshme dhe kualifikimit të ndryshëm të tyre.​​ ​​ 

 

Analiza​​ e Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr. 254/2021] të Gjykatës Supreme të 3 gushtit 2021 në kontekst të zbatimit të udhëzimeve të dhëna të Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI 230/19

 

  • Gjykata thekson se gjatë analizës së Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të Gjykatës Supreme, në kontekst të udhëzimeve të dhëna, do të prekë vetëm ato pjesë të shpjegimit të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë pasqyrojnë udhëzimet e dhëna nga Gjykata në Aktgjykimin​​ KI 230/19,​​ në mënyrë që​​ ajo të mund të shqyrtonte nëse ato ishin​​ zbatuar nga Gjykata Supreme në mënyrën siç ishin definuar.​​ 

 

Përgjigja e Gjykatës Supreme në Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021] ndaj udhëzimit të parë nga Aktgjykimi​​ KI 230/19

 

  • Gjykata rikujton se udhëzimi i parë i Gjykatës për Gjykatën Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur ishte që,​​ “i)​​ Gjykata Supreme të specifikojë​​ dhe shpjegojë​​ se cili paragraf i nenit 107 të KPPK-së është i aplikueshëm në rastin e tij, kur konkludoi​​ se parashtruesi i kërkesës​​ kishte marrë përsipër ushtrimin e posaçëm të detyrave​​ zyrtare në bazë të autorizimit ligjor”.​​ Në përgjigje ndaj këtij​​ udhëzimi, Gjykata Supreme në Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ theksoi​​ se:​​ ​​ 

 

Sipas këndvështrimit të kësaj gjykate dispozitat e mësipërme duhet të ndërlidhen me cilësinë e personit zyrtar dhe i cili është përcaktuar me Kodin Penal të Kosovës. Dispozita e nenit 107 par.​​ 1 të KPK-së, ka përcaktuar domethënien e shprehjeve që përdorën në Kod dhe ka përcaktuar se “Shprehja “person zyrtar” do të thotë: 1) Personi i zgjedhur ose i emëruar në një organ publik; 2) Personi i autorizuar në një organizatë biznesi ose ndonjë person tjetër juridik i cili sipas ligjit a ndonjë dispozite tjetër të nxjerrë në pajtim me ligjin ushtron autoritet publik dhe brenda këtij autoriteti ushtron detyra të posaçme; 3) Personi i cili ushtron detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimit të dhënë me ligj; 4) Personi i cili është anëtar i personelit të UNMIK-ut ose i KFOR-it pa cenuar imunitetin dhe privilegjet e zbatueshme që i janë dhënë atij personi; 5) Personi i cili është anëtar i personelit të zyrave të ndërlidhjes në Kosovë; 6) Personi në një organizatë publike ndërkombëtare ose mbinacionale i cili njihet si zyrtar ose punonjës tjetër i kontraktuar sipas rregulloreve të personelit të organizatës së tillë; 7) Gjykatësi, prokurori ose zyrtari tjetër në gjykatën ndërkombëtare që ushtron juridiksion në Kosovë””.

 

Nga interpretimi i kësaj dispozite ligjore sipas pikëpamjes së Gjykatës Supreme të Kosovës, rrjedh se i dënuari A.R. me vet ndërmarrjen e veprimeve për të konkurruar në tender publik në emër të ISN, dhe pastaj nënshkrimi i kontratës mes të operatorit ekonomik ISN dhe Universitetit të Prishtinës e vërteton faktin se kishte fituar cilësinë e personit zyrtar të përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së, pasi që ushtronte detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimeve të dhëna me ligj, konkretisht të Ligjit për Prokurimin Publik. Në këtë mënyrë fakti i pakontestueshëm se ISN ishte person juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë e bën të parëndësishëm këtë në krahasim me arsyetimin dhe argumentimin e theksuar më lartë, pasi që përfaqësuesit e saj në mënyrë të vetëdijshme dhe vullnet të plotë i ishin nënshtruar juridiksionit dhe legjislacionit të vendit tonë, duke marrë pjesë dhe duke fituar tender të karakterit publik.

 

  • Në bazë të arsyetimit të Gjykatës Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, mund të vërehet se ajo, lidhur me çështjen e konstatimit të parë të Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ kishte bërë interpretimin e dispozitës ligjore të nenit​​ 107​​ të KPK-së, duke konkluduar se për sa i përket klasifikimit të parashtruesit të kërkesës si​​ person zyrtar​​ janë plotësuar kriteret e nënparagrafit 3 të paragrafit 1 të nenit​​ 107​​ të KPK-së, përkatësisht se,​​ 

 

(1)​​ Termi​​ person zyrtar​​ do të thotë:​​ 

 

3)​​ Një person i cili ushtron detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimit të parashikuar me ligj.​​ ​​ 

 

  • Gjykata nuk do të lëshohet në shqyrtimin nëse klasifikimi i parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Supreme si​​ person zyrtar,​​ ndër opsionet e ofruara në nenin​​ 107​​ të KPK-së, korrespondon​​ plotësisht​​ me cilësinë e​​ personit zyrtar të parashtruesit të kërkesës, për arsye se vërtetimi​​ i gjendjes faktike, si dhe​​ interpretimi dhe​​ zbatimi i së drejtës materiale, janë​​ ekskluzivisht në kompetencën e gjykatave të rregullta (shih,​​ mutatis mutandis,​​ rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI68/16, parashtruesi​​ Fadil Rashiti,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 2 qershorit​​ 2017,​​ paragrafët 51 dhe​​ 52), gjë që është rasti këtu. Për më tepër, në Aktgjykimin​​ KI 230/19,​​ Gjykata nuk është marrë me zbatimin e gabuar të nenit​​ 107​​ të KPK-së, por me çështjen e përcaktimit të klasifikimit të qartë të parashtruesit të kërkesës si​​ person zyrtar,​​ duke pasur parasysh se Gjykata​​ Supreme bëri një përgjithësim të paqartë të statusit të parashtruesit të kërkesës, pavarësisht nga fakti se dispozita ligjore e nenit​​ 107​​ të KPK-së, në përmbajtjen e saj, ofron disa​​ kategori të termit​​ “person zyrtar.​​ 

 

  • Kështu, sipas mendimit të Gjykatës, në momentin kur Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj​​ [Pml.​​ nr. 254/2021],​​ bëri klasifikimin e parashtruesit të kërkesës, duke i dhënë atij cilësitë, karakteristikat dhe vetitë e​​ personit zyrtar​​ nga nënparagrafi 3 i paragrafit 1 të nenit​​ 107​​ të KPK-së, duke dhënë​​ një arsyetim faktik dhe juridik për arsyen e këtij klasifikimi, udhëzimi i parë i Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI​​ 230/19,​​ është zbatuar në mënyrën siç është përcaktuar në Aktgjykimin​​ KI 230/19.

 

Përgjigja e Gjykatës Supreme në Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021] ndaj udhëzimit të dytë nga Aktgjykimi​​ KI 230/19​​ 

 

  • Gjykata rikujton se udhëzimi i dytë i Gjykatës për Gjykatën Supreme në​​ kuadër të ​​ procedurës së​​ përsëritur ishte që,​​ ii) Gjykata Supreme të specifikojë se cili është autoriteti publik dhe detyrat e posaçme të cilat parashtruesi i kërkesës i ushtronte brenda këtij autoriteti.​​ Gjykata Supreme në mbështetje të udhëzimit të dhënë në Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021], theksoi se:​​ ​​ 

 

“Nga interpretimi i kësaj dispozite ligjore sipas pikëpamjes së Gjykatës Supreme të Kosovës, rrjedh se i dënuari A.R. me vet ndërmarrjen e veprimeve për të konkurruar në tender publik në emër të ISN, dhe pastaj nënshkrimi i kontratës mes të operatorit ekonomik ISN dhe Universitetit të Prishtinës e vërteton faktin se kishte fituar cilësinë e personit zyrtar të përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së, pasi që ushtronte detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimeve të dhëna me ligj, konkretisht të Ligjit për Prokurimin Publik. Në këtë mënyrë fakti i pakontestueshëm se ISN ishte person juridik i regjistruar në Republikën e Shqipërisë e bën të parëndësishëm këtë në krahasim me arsyetimin dhe argumentimin e theksuar më lartë, pasi që përfaqësuesit e saj në mënyrë të vetëdijshme dhe vullnet të plotë i ishin nënshtruar juridiksionit dhe legjislacionit të vendit tonë, duke marrë pjesë dhe duke fituar tender të karakterit publik..

 

Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se baza e përcaktimit të statusit të personit zyrtar është e përcaktuar në Kodin Penal dhe i cili edhe duhet të zbatohet dhe të ketë epërsi në raport me ligjet tjera, dhe për këtë arsye rithekson faktin se baza është e përcaktuar me dispozitën e nenit 107 par.​​ 1 nënpar.​​ 3 të KPK-së, mirëpo kjo dispozitë ka referencë koherente me faktin e ushtrimit të detyrës së posaçme dhe të cilin autorizim i jepet me një ligj. Nga kjo rrjedh se dispozita e lartcekur duhet interpretuar në harmoni me dispozitat e Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë (Ligji nr.​​ 2003/17), dhe për më tepër, faktet e pakontestueshme të vërtetuara se i dënuari kishte aplikuar dhe fituar tender publikë duke përfaqësuar ISN dhe pastaj në emër të saj kishte nënshkruar kontratë duke marrë detyrime që burojnë duke u bazuar në autorizime ligjore.

 

  • Gjykata, duke shqyrtuar me kujdes shpjegimin e dhënë nga Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj​​ [Pml.​​ nr. 254/2021] gjatë zbatimit të gjetjeve​​ nga Aktgjykimi i Gjykatës​​ KI 230/19, për çështjen e udhëzimit të dytë, konstaton se, në kuptimin thelbësor, Gjykata Supreme në momentin kur e ka klasifikuar parashtruesin e kërkesës si​​ person zyrtar,​​ ka përcaktuar edhe detyrat​​ që kryente dhe autorizimin që kishte, e të cilat, sipas mendimit të Gjykatës Supreme, i përgjigjen pikërisht cilësive, karakteristikave dhe vetive​​ të​​ personit zyrtar​​ nga nënparagrafi 3 i paragrafit​​ 1​​ të nenit​​ 107​​ të KPK-së.​​ ​​ 

 

  • Gjykata gjen se Gjykata Supreme arriti në një përfundim të tillë vetëm pas procedurës së përcaktimit se cilat detyra dhe autorizime ligjore kishte parashtruesi i kërkesës si​​ person zyrtar​​ në këtë procedurë, duke konstatuar se, a) parashtruesi i kërkesës​​ ka qenë​​ përfaqësues i autorizuar i personit juridik, b)​​ ka ndërmarrë veprime për​​ të ofertuar​​ në​​ një​​ tender publik në emër të personit juridik, c) ka nënshkruar kontratën në emër të personit juridik.​​ Sipas përfundimit të Gjykatës Supreme, pikërisht këto veprime korrespondojnë me veprimet e​​ personit zyrtar,​​ siç përcaktohet me dispozitën e nenit 107 paragrafi​​ 1​​ nënparagrafi​​ 3​​ të KPK-së,​​ sepse është e qartë se ai ka ushtruar detyra të posaçme zyrtare në bazë të autorizimeve të dhëna me Ligjin për Prokurimin Publik.

 

Mendimi i Gjykatës lidhur me zbatimin e udhëzimeve nga Aktgjykimi​​ KI 230/19​​ nga Gjykata Supreme​​ 

 

  • Gjykata, duke shqyrtuar udhëzimet e saj nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ si dhe​​ mënyrën se si ato janë adresuar​​ nga Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, konstaton se Gjykata Supreme​​ gjatë shqyrtimit të udhëzimeve të Gjykatës në mbështetje të arsyetimit të tyre, mund të kishte​​ dhënë një kuptim​​ më të qartë dhe më të gjerë në konkluzionet e saj,​​ mirëpo, Gjykata është e mendimit se shpjegimet e dhëna nga Gjykata Supreme në lidhje me zbatimin e të dy udhëzimeve të Gjykatës, ashtu siç janë paraqitur në Aktgjykim, mund të konsiderohen të kënaqshme.​​ 

 

  • Pikërisht një mendim i tillë i Gjykatës rezulton edhe nga konkluzioni i paraqitur nga Gjykata në Aktgjykimin​​ KI 230/19,​​ në të cilin konstatoi se,​​ [...]​​ sikur Gjykata Supreme të adresonte pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës për kualifikimin e tij si person zyrtar pavarësisht përgjigjes që do t’i jepej këtij pretendimi​​ (pra, pavarësisht nëse ky pretendim do të pranohej si i arsyetuar apo do të refuzohej si i pabazë),​​ atëherë do të përmbushej kushti i​​ "palës së dëgjuar"​​ dhe administrimit të duhur të drejtësisë​​ (paragrafi​​ 153​​ i Aktgjykimit​​ KI 230/19).

 

  • Kështu, sipas mendimit të Gjykatës, Gjykata Supreme, në Aktgjykimin e saj [Pml.nr. 254/2021], kishte​​ zbatuar në mënyrë adekuate udhëzimet e Gjykatës nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ për të cilat Gjykata, pas analizës, konstatoi se ishin të kënaqshme. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata, në vazhdim të këtij Aktvendimi, do të shqyrtojë bazueshmërinë e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve​​ 31​​ dhe​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenet​​ 6​​ dhe​​ 7​​ të KEDNJ-së,​​ të cilat ai i ndërlidh pikërisht me Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të Gjykatës Supreme.​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së​​ 

 

  • Gjykata kishte theksuar tashmë se parashtruesi i kërkesës e ndërlidh shkeljen e nenit​​ 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së me​​ “interpretimin arbitrar të ligjit nga Gjykata Supreme,​​ si dhe me faktin se​​ Gjykata Supreme në procedurën e përsëritur,​​ duke nxjerrë​​ aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021],​​ përsëri kishte dështuar të plotësonte standardin e vendimit të arsyetuar.

 

  • Megjithatë, duke shqyrtuar me kujdes pretendimin e parë të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, në kontekst të interpretimit arbitrar të ligjit nga Gjykata Supreme, Gjykata rikujton se në Aktgjykimin​​ KI 230/19​​ ajo​​ nuk është marrë me zbatimin e gabuar të nenit 107 të KPK-së nga gjykatat e rregullta, por me çështjen e përcaktimit të cilësimit të qartë të parashtruesit të kërkesës si person zyrtar në kontekstin e fushëveprimit të opsioneve të ofruara në nenin 107 të KPK-së. Kjo vetvetiu çon në përfundimin se në kuadër të procedurës së​​ përsëritur Gjykata Supreme nuk ka pasur detyrim të merret me​​ zgjidhjen e​​ çështjes së​​ interpretimit arbitrar të ligjit nga​​ ana e gjykatave.​​ ​​ 

  • Për më tepër, Gjykata, në Aktgjykimin e kontestuar​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të Gjykatës Supreme nuk ka vërejtur ekzistimin e ndonjë dispozite të re ligjore, përveç atyre që Gjykata Supreme tashmë i kishte shfrytëzuar, dhe për të cilat Gjykata në Aktgjykimin​​ KI 230/19, nuk konstatoi se ishin interpretuar ose zbatuar arbitrarisht nga Gjykata Supreme ose nga gjykatat​​ tjera.​​ ​​ 

 

  • Rrjedhimisht, duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata është e mendimit se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për​​ interpretimin arbitrar të ligjit nga Gjykata Supreme,​​ është qartazi i pabazuar.​​ 

 

  • Për më tepër, parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ sërish​​ nuk i plotëson standardet e vendimit të arsyetuar,​​ dhe se në këtë mënyrë parashtruesit të kërkesës​​ i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Prandaj, duke shqyrtuar këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës në kontekst të vendimit të paarsyetuar gjyqësor, Gjykata rikujton se nuk është i kontestueshëm fakti se sipas praktikës së vendosur të GJEDNJ-së dhe​​ asaj të​​ Gjykatës Kushtetuese, neni​​ 6​​ paragrafi​​ 1​​ i KEDNJ-së, i obligon gjykatat, ndër të tjera, të arsyetojnë aktgjykimet e tyre. Ky obligim, megjithatë, nuk mund të kuptohet si detyrim që në aktgjykim të paraqiten të gjitha detajet dhe të jepen përgjigje në të gjitha pyetjet dhe argumentet e paraqitura. Masa në të cilën ekziston ky obligim varet nga natyra e vendimit​​ (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së,​​ Ruiz Torija​​ kundër Spanjës,​​ kërkesa nr.​​ 18390/91, të​​ 9​​ dhjetorit​​ 1994,​​ paragrafi​​ 29).​​ GJEDNJ dhe Gjykata Kushtetuese në vendimet e shumta treguan se gjykatat vendore kanë një vlerësim të caktuar diskrecional në lidhje me atë se cilat argumente dhe prova do t’i pranojnë në rastin e caktuar, por njëkohësisht kanë edhe obligimin ta arsyetojnë vendimin e tyre, duke ofruar arsye të qarta dhe të kuptueshme mbi të​​ cilat e kanë bazuar atë vendim​​ (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së,​​ Suominen​​ ​​ kundër Finlandës,​​ kërkesa nr.​​ 37801/97, të​​ 1​​ korrikut​​ 2003).

 

  • Megjithatë, edhe pse GJEDNJ pohon se neni​​ 6​​ paragrafi​​ 1​​ i KEDNJ-së obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ajo gjithashtu ka konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument​​ (shih, rastet e GJEDNJ-së,​​ Van de Hurk​​ kundër Holandës,​​ kërkesa nr.​​ 16034/90,​​ Aktgjykim i​​ 19​​ prillit​​ 1994,​​ paragrafi​​ 61;​​ dhe​​ Higgins​​ dhe të tjerët kundër Francës,​​ kërkesa nr.​​ 134/1996/753/952,​​ Aktgjykim i​​ 19​​ shkurtit​​ 1998,​​ paragrafi​​ 42).

 

  • Andaj, Gjykata, duke i ndërlidhur pretendimet​​ e parashtruesit të kërkesës për vendimin e paarsyetuar gjyqësor në kontekstin e​​ Aktgjykimit​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ të Gjykatës Supreme, konsideron se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë të pabazuara dhe kjo për arsye se arsyetimi i Aktgjykimit të kontestuar​​ [Pml.​​ nr. 254/2021]​​ në​​ kuadër të​​ procedurës së​​ përsëritur duhet të pasqyronte​​ të gjitha udhëzimet nga Aktgjykimi​​ KI 230/19, të cilat Gjykata Supreme është dashur t’i shqyrtojë dhe t’i zbatojë dhe të ofrojë​​ për këto udhëzime​​ shpjegime adekuate​​ që plotësojnë të gjitha standardet e vendimit të arsyetuar gjyqësor.​​ Gjykata sapo ka konstatuar se Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur kishte​​ përmbushur të gjitha detyrimet nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ duke evituar kështu​​ të gjitha mangësitë nga Aktgjykimi​​ KI 230/19,​​ të cilat kanë ndikuar që Gjykata të konstatojë shkeljen e​​ nenit​​ 31​​ të Kushtetutës dhe nenit​​ 6​​ të KEDNJ-së, në kontekst të vendimit të paarsyetuar gjyqësor.​​ 

 

  • Duke pasur parasysh këtë, Gjykata gjithashtu e konsideron këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuar.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata i kualifikon pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së si pretendime që i përkasin kategorisë​​ (iii)​​ pretendime​​ të pambështetura ose të paarsyetuara”.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të​​ nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së​​ 

 

  • Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimit për shkelje të nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së, thotë se,​​ interpretimi i nenit​​ 107​​ të KPK nga Gjykata Supreme nuk është i mjaftueshëm për të konstatuar elementet e veprës penale,​​ […]​​ se Gjykata Supreme përsëri është referuar me analogji në Ligjin për Prokurimin Publik, për të vërtetuar se ekzistojnë elementet e veprës penale, duke vë në pikëpyetje parimet e sigurisë juridike dhe ligjshmërisë“.

 

  • Në kontekst të këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës, në thelb, parashtron dy pretendime, përkatësisht​​ (i)​​ pretendimin për cenimin e parimit të​​ "barazisë së armëve"​​ dhe parimit të​​ "kontradiktoritetit",​​ si rezultat i mospranimit të provës së propozuar nga gjykatat e rregullta,​​ dhe​​ (ii)​​ pretendimin për​​ interpretimin dhe zbatimin qartazi arbitrar të ligjit, si rezultat i cilësimit të tij si​​ person zyrtar“​​ për shkak të aplikimit të analogjisë nga gjykatat e rregullta.​​ 

 

  • Sa i përket këtyre pretendimeve të​​ parashtruesit të kërkesës, Gjykata e ka të qartë​​ se​​ këto pretendime janë ndërlidhur nga parashtruesi i kërkesës​​ edhe​​ me procedurën​​ e cila është shqyrtuar tashmë nga​​ Gjykata​​ në kërkesën​​ KI 230/19,​​ ku për çështjen e bazueshmërisë së tyre konkludoi se​​ janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit për cenimin e parimit të​​ barazisë së armëve”​​ dhe​​ parimit​​ të kontradiktoritetit”…”.

 

  • Megjithatë,​​ sikur​​ Gjykata do të rishqyrtonte këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës në kontekstin e Aktgjykimit të ri​​ [Pml.​​ nr. 254/2021],​​ të nxjerrë nga Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur, ajo​​ nuk mund të konkludonte se me Aktgjykimin​​ [Pml.​​ nr. 254/2021] e​​ Gjykatës Supreme në çfarëdo mënyre ka ndodhur cenimi i​​ ​​ këtyre parimeve, për arsye se Gjykata në Aktgjykimin​​ KI 230/19,​​ nuk ka konstatuar shkelje përkitazi me këto parime, dhe për rrjedhojë, Gjykata Supreme në​​ kuadër të procedurës së​​ përsëritur nuk ka pasur nevojë të merret me to.​​ Nëse Gjykata do të konstatonte​​ shkeljen e këtyre parimeve​​ në Aktgjykimin​​ KI 230/19,​​ detyrimi i kësaj Gjykate do të kishte qenë që të rishqyrtonte pretendimet e parashtruesit të kërkesës edhe në kontekstin e Aktgjykimit të nxjerrë rishtazi​​ [Pml.​​ nr. 254/2021],​​ për të përcaktuar nëse​​ Gjykata Supreme, në kuadër të procedurës së​​ përsëritur,​​ i ka evituar shkeljet e identifikuara të parimeve të përmendura apo jo.​​ 

 

  • Duke pasur parasysh këtë, Gjykata i cilëson pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së, si pretendime që gjithashtu i përkasin​​ kategorisë​​ (iii)​​ si​​ pretendime të pambështetura ose të paarsyetuara”.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata, nga të gjitha shtjellimet e theksuara më lart, në rrethanat e rastit konkret, konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë Gjykatës Supreme. Megjithatë, pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë​​ (shih, rastin e GJEDNJ-së​​ Mezotur-Tiszazugi Tarsulat​​ kundër Hungarisë,​​ Aktgjykim​​ i 26​​ korrikut​​ 2005,​​ paragrafi​​ 21).​​ 

 

 

Përfundim​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit​​ 31​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 6​​ të KEDNJ-së, si dhe pretendimet për shkelje të nenit​​ 33​​ të Kushtetutës në lidhje me nenin​​ 7​​ të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë​​ (iii)​​ si pretendime​​ të pambështetura ose të paarsyetuara”.​​ Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin​​ (2)​​ të rregullit​​ 39​​ të Rregullores së punës.​​ 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin​​ 113.1​​ dhe​​ 113.7​​ të Ligjit,​​ me​​ nenet​​ 20​​ dhe​​ 27.1​​ të Ligjit, si​​ dhe​​ me​​ rregullin​​ 39 (2)​​ të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më​​ 27 tetor​​ 2022,​​ me shumicë

 

VENDOS​​ 

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

  • T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin​​ 20.4​​ të Ligjit;

 

  • Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.​​ ​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari raportues​​     Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Nexhmi Rexhepi ​​ Gresa Caka-Nimani

1

podnosiocu:

Albert Rakipi

Vrsta zahteva:

KI – Individualni zahtev

Vrsta akta:

Rešenje o neprohvatljivosti

Zahtev je očigledno neosnovan

Vrsta postupka koji je sproveden pred drugim institucijama :

Krivični