Prishtinë, më 11 nëntor 2022
Nr.ref.:RK 2073/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastet nr. KI35/22
Parashtrues
Xheladin Beka
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit PML nr. 386/2021 të 15 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Xheladin Beka, i përfaqësuar me autorizim nga Musa Damati, avokat në Mitrovicë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin, PML, nr. 386/21021 të 15 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës); dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 15 mars 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 24 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit Nr. GJR.KSH 35/22 e caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, Safet Hoxha dhe Radomir Laban.
Më 24 mars 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 6 shtator 2022, Gjykata i kërkoi përfaqësuesit ligjor të parashtruesit të kërkesës që të dorëzojë: kopjen e ankesës kundër Aktgjykimit [P.nr.236/1S] te 26 shtatorit 2016 të Gjykatës Themelore të dorëzuar në Gjykatën e Apelit; kopjen e Aktgjykimit [PAKR. Nr. 681/2016] të 31 janarit 2017 të Gjykatës së Apelit; dhe kopjen e kërkesës se tij për mbrojtje të ligjshmërisë të dorëzuar në Gjykatën Supreme.
Më 20 shtator 2022, përfaqësuesi ligjor i parashtruesit të kërkesës dorëzoi në Gjykatë vetëm kopjet e Aktgjykimit [PAKR. Nr. 681/2016] të 31 janarit 2017 te Gjykatës së Apelit dhe të kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë të dorëzuar në Gjykatën Supreme, përderisa nuk dorëzoi kopjen e ankesës në emër të parashtruesit.
Më 13 tetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 26 shtator 2016, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktgjykimit [P.nr.236/1S] shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale “kontrabandim me migrantë” në bashkëkryerje të paraparë me paragrafin 1 të nenit 176 në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK) dhe të njëjtin e dënoi me 1000 EUR gjobë dhe burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 13 korriku 2015 deri më 4 shkurt 2016.
Në një datë të pasaktësuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë ka dorëzuar vetëm kopjen e ankesës në emër të të akuzuarit tjetër, por jo kopjen e ankesës në emër të tij. Marrë për bazë këtë fakt, megjithatë nga përmbajtja e Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit rezulton që parashtruesi i kërkesës vetëm ka pretenduar: “[shkelje] esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për sanksionin penal me propozim që aktgjykimi i kundërshtuar të ndryshohet ashtu që i akuzuari të lirohet nga akuza apo çështja të anulohet dhe të kthehet në rigjykim.”
Më 31 janar 2017, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. Nr. 681/2016] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj duke ofruar arsyetim në lidhje me pretendimet për shkelje të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit për sanksionin penal konkludoi se: (i) Aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale; (ii) se në rastin konkret në mënyrë të drejtë dhe të plotë është vërtetuar gjendja faktike, përkatësisht është vërtetur se parashtruesi i kërkesës brenda territorit të Republikës së Kosovës ka transportuar shtetas sirian, të hyrë ilegalisht në këmbim të të hollave, dhe për pasojë kishte konkluduar se në bashkëkryerje kishte kryer veprën penale kontrabandimit me migrantë, duke vërtetuar se ai dhe E.G “[...] kishin njohuri jo vetëm për hyrjen e paligjshme të personave me shtetësi të huaj në shtetin e Kosovës por kishin njohuri se këta shtetas të huaj edhe matej kishin qëllim të vazhdonin me kalime ilegale.” ; dhe (iii) Gjykata Themelore po ashtu i ka vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e sanksionit penal.
Më 13 tetor 2021, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë parashtruesi i kërkesës pretendoi se në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Themelore: (i) atij i është pamundësuar përkthimi në gjuhën turke, pasi që i njëjti nuk e kupton mirë gjuhën shqipe dhe (ii) se palët e dëmtuara [shtetas sirianë] nuk ishin ftuar në seancën e shqyrtimit kryesor në këtë gjykatë, në mënyrë që në cilësinë e të akuzuarit të ketë mundësinë e paraqitjes së pyetjeve.
Më 28 tetor 2021, ndaj kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së parashtruesit të kërkesës, Prokurori i Shtetit propozoi që e njëjta të hedhet poshtë si e pasafatshme.
Më 15 nëntor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [PML. Nr. 386/2021] kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës e hodhi poshtë si të pasafatshme.
Gjykata Supreme duke u bazuar në fletë-dorëzimet në dosje të lëndës arsyetoi se Aktgjykimi Gjykatës së Apelit, i 31 janarit 2017 parashtruesit të kërkesës dhe përfaqësuesit të tij ligjor i është dorëzuar më 23 shkurt 2017. E njëjta në vijim konstatoi se: “Mbrojtësi i [parashtruesit të kërkesës] kërkesën për mbrojtje te ligjshmërisë ka paraqitur me datën 13.10.2021. Kjo date e dorëzimit është vërtetuar nga vula e pranimit të kërkesës në gjykatën e shkallës së parë. Andaj, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur pas skadimit të afatit tremujor, siç kërkohet me dispozitën e lartpërmendur ligjore.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i Gjykatës Themelore është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në lidhje me nenin 30 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjatë shqyrtimit kryesor në procedurë para Gjykatës Themelore atij i është pamundësuar përkthimi në gjuhën turke, pasi që i njëjti nuk e kupton mirë gjuhën shqipe.
Përderisa në lidhje me të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës parashtruesi i kërkesës pretendon se palët e dëmtuara [shtetas sirianë] nuk janë ftuar në seancën e shqyrtimit kryesor në Gjykatën Themelore, në mënyrë që në cilësinë e të akuzuarit të ketë mundësinë e paraqitjes së pyetjeve. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi i Gjykatës Themelore është i bazuar vetëm në deklarata të viktimave, të cilat ai i cilëson si prova të papranueshme.
Në fund, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e konteston Aktvendimin e Gjykatës Supreme përmes të cilës kërkesa e tij ishte hedhur poshtë si e pasafatshme, por kërkon nga Gjykata që të anulojë Aktgjykimin [P.nr. 216/15] të 26 shtatorit 2016 të Gjykatës Themelore dhe të çështjen të ia kthejë të njëjtës gjykatë për rishqyrtim në mënyrë që ai të ketë mundësinë e përkthimit në gjuhën turke pa pagesë gjatë shqyrtimit të çështjes së tij.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 30
[Të Drejat e të Akuzuarit]
“Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij; (2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktvendimin [PML nr. 386/2021] të 15 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Në vijim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike, siç përcaktohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Gjykata, i referohet nenit 47 (Kërkesat individuale) të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar.”
Gjykata fillimisht rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 te Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores se punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre ne Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive ne dispozicion ne pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi te kontestuar.
Gjykata rikujton se bazuar në parimin e subsidiaritetit, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 të Kushtetutës dhe në nenin 13 të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastet e Gjykatës KI43/20, paragrafi 44; shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së Weis kundër Sllovenisë, nr.37169/03, Vendim i 14 shkurtit 2012 dhe Aksoy kundër Turqisë, nr. 21987/93, Aktgjykimi i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).Ky parim nënkupton se mekanizmi mbrojtës i krijuar nga Gjykata Kushtetuese të jetë subsidiar në raport me sistemin e rregullt gjyqësor që mbron të drejtat e njeriut (shih, ndër të tjera, KI09/19, parashtrues Leutrim Hajdari, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 marsit 2020, paragrafi 36; dhe rastin KI210/19 me parashtrues Sabri Ismajli, Aktvendim për Papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 33).
Megjithatë, Gjykata duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka theksuar se përderisa detyrimi për shterjen e mjeteve juridike duhet të zbatohet me një shkallë të fleksibilitetit dhe pa formalizëm të tepruar, ky detyrim nuk kërkon thjeshtë vetëm që kërkesat të parashtrohen para gjykatave të rregullta por kërkon po ashtu që parashtruesi i kërkesës para se të paraqesë kërkesën, që ka për qëllim që pastaj ta paraqesë para Gjykatës duhet: a) ti ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë; dhe b) të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi (shih rastin e Gjykatës KI210/19, me parashtrues Sabri Ismajli, të cituar më lart dhe referencat e përdorura në këtë rast, përkatësisht rastet e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë [DHM] nr. 22978/05 Aktgjykim i 1 qershorit 2010, paragrafi 142; Kunert kundër Polonisë, nr. 8981/14, Aktgjykim i 4 korrikut 2019, paragrafi 42; dhe Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 181/14, Vendim i 28 shtatorit 2017, paragrafi 54).
Sa i përket pikës a) të cekur më lart, që parashtruesi ti ketë ngritur të njëjtat pretendime para gjykatave të rregullta, të paktën në substancë para se ti drejtohet Gjykatës, kjo e fundit thekson se parimi i subsidiaritetit kërkon që parashtruesi i kërkesës të shterojë të gjitha mundësitë procedurale në procedurë të rregullt, në mënyrë që të parandalohet shkelja e Kushtetutës apo, nëse ka shkelje, të korrigjohet shkelja e tillë e të drejtave dhe lirive themelore, tw garantuar me Kushtetutë. Përndryshe, parashtruesi i kërkesës është përgjegjës kur rasti i tij shpallet i papranueshëm nga Gjykata Kushtetuese nëse dështon të shfrytëzojë procedurat e rregullta, apo dështon të raportojë shkeljen e Kushtetutës në procedurë të rregullt. Mosshfrytëzimi i kësaj mundësie do të kuptohet si heqje dorë nga e drejta për të kundërshtuar më tej shkeljen dhe për t’u ankuar (shih rastin KI210/19, me parashtrues Sabri Ismajli, të cituar më lart, paragrafi 35 dhe referencat e përdorura aty).
Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata në bazë të dokumentacionit të dorëzuar në Gjykatë vëren se parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij për shkelje të nenit 30 të Kushtetutës, si rezultat i mospranimit të kërkesës së tij për përkthim në gjuhën turke gjatë seancës së shqyrtimit kryesor në Gjykatën Themelore dhe shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, për shkak të mungesës së dëshmitareve në seancën e shqyrtimit kryesor në po të njëjtën gjykatë dhe pamundësinë e marrjes së tyre në pyetje nga ana e tij, i kishte ngritur në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Ndërsa, sa i përket kriterit b) që parashtruesi të ketë respektuar kërkesat formale dhe afatet e parapara me legjislacionin në fuqi para se ti drejtohet Gjykatës, kjo e fundit duke u bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së ka theksuar se mjetet juridike nuk janë shterur në rastet kur ankesa nuk është pranuar për shqyrtim nga gjykatat e rregullta për shkak të lëshimeve procedurale të parashtruesit të kërkesës (shih rastin KI210/19 me parashtrues Sabri Ismajli, të cituar më lart, paragrafi 36, në këtë kontekst shih edhe rastet e GJEDNJ-së: Gäfgen kundër Gjermanisë, i cituar më lart, paragrafi 143; Kunert kundër Polonisë, i cituar më lart, paragrafi 42; dhe Gadd kundër Mbretërisë së Bashkuar, i cituar më lart, paragrafi 54). Në këtë kuptim, Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore në vazhdimësi ka theksuar se rregullat që përcaktojnë hapat procedural që kërkohet të ndërmerren, si dhe afatet kohore të cilat duhet të respektohen për paraqitjen e një ankese i shërbejnë administrimin të mirëfilltë të drejtësisë dhe parimin e sigurisë juridike (shih rastet e Gjykatës KI54/21, me parashtrues Kamber Hoxha, Aktgjykim, i 4 nëntorit 2021, paragrafi 66, rastin e sipërcituar KI210/19, paragrafi 37 dhe rastin e GJEDNJ-së Ben Salah Adraqui dhe Dhaime kundër Spanjës, nr. 45023/98, Vendim i 27 prillit 2000).
Në këtë kontekst, në rastin KI210/19, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore për të kontestuar vendimin e KPPK-se, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i kishte shteruar mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara për shkelje të të drejtës në pronë, për shkak të lëshimeve të tij procedurale fillimisht para KPPK-së e pastaj para Gjykatës Supreme, dhe si e tillë ishte shpallur e papranueshme.
Gjykata në vazhdim do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e shterimit të mjeteve juridike, sipas standardeve të përcaktuara më lart.
Lidhur me këtë Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk e konteston Aktvendimin e Gjykatës Supreme, si vendim të fundit të nxjerrë në këtë procedurë sa i përket afatshmërisë së ankesës të paraqitur para kësaj gjykate, por konteston faktin që Gjykata Themelore gjatë seancës së shqyrtimit kryesor atij i kishte pamundësuar përkthim në gjuhën turke dhe viktimat nuk kishin qenë të ftuar në këtë seancë për ti mundësuar atij marrjen e tyre në pyetje.
Parashtruesi i kërkesës përkundër faktit që Gjykata Supreme nuk kishte trajtuar kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, pasi kjo e fundit ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, kërkon nga Gjykata që të shqyrtojë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe të konstatojë se kjo e fundit ka cenuar të drejtat e tij të garantuara me nenin 30 dhe 31 të Kushtetutës.
Gjykata rikujton se Gjykata Supreme kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesi të kërkesës e kishte hedhur poshtë si të pasafatshme, pasi që i njëjti këtë kërkesës në Gjykatë Supreme e kishte parashtruar tri vite pas kalimit të afatit tre-mujor të përcaktuar me ligj. Në fakt, Gjykata rikujton se as Gjykata Supreme e as Gjykata e Apelit nuk janë lëshuar në vlerësimin e pretendimet e lartcekura të parashtruesit të kërkesës.
Në fund, Gjykata konstaton se Gjykata Supreme nuk kishte mundësi të trajtonte pretendimet e parashkruesit të kërkesës për shkak të paraqitjes së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë jashtë afatit ligjor.
Rrjedhimisht, bazuar në si më sipër Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara të ngritura në kërkesën e tij në Gjykatë.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me pretendimin për shkelje të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës është e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike ashtu siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (b) të Rregullores së punës, më 13 tetor 2022, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesat të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Naser Durr
KI – Individualni zahtev
Rešenje o neprohvatljivosti
Zahtev je očigledno neosnovan
Krivični