Prishtinë, më 4 gusht 2022
Nr. Ref.:RK 2030/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI47/22
Parashtrues
Besim Domi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktgjykimit ARJ (UZVP). nr. 123/2021 të 10 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është parashtruar nga Besim Domi, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Ramiz Suka, avokat në Komunën e Prishtinës.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ARJ (UZVP) nr. 123/2021] të 10 nëntorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [AA. nr. 672/21] e 7 tetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [nr.2201/18] e 17 majit 2021 të Gjykatës Themelore-Departamenti për Çështje Administrative në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
- Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar me 17 dhjetor 2021.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 7 prill 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi me 13 prill 2022.
- Më 20 prill 2022, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH47/22] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
- Më 21 prill 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
- Më 16 maj 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
- Më 20 maj 2022, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
- Më 19 korrik 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Nga shkresat e lëndës rezulton se me 16 janar 2013 parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit dhe sipas Vendimit të 2 shatorit 2013 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (në tekstin e mëtejmë: MPMS) i ishte njohur e drejta në pension bazë si dhe pagesa për muajt paraprakë. Ndërkaq, më tutje rezulton se përmes Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014 parashtruesit të kërkesës i ishte miratuar kërkesa për njohjen e të drejtës në pension bazë dhe kontributiv, në shumë mujore prej 140 (njëqind e katërdhjetë) euro.
Përmbledhja e fakteve në procedurën para gjykatave të rregullta
- Më 27 mars 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile, kundër MPMS-së, për kompensimin e të ardhurave personale në emër të pensionit të papaguar për periudhën kohore prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, sipas Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës theksoi se: “Paditësi vendimin për njohjen e së drejtës në pension, e ka marrë me datën 18.03.2015, por sic është notore, paditësi një vendim të cituar si nën I, të kësaj padie, ka qenë dashur ta merr me datën 16.01.2013, por ai e ka marrë vendimin, në një interval të vonuar prej 16 muajëve”. Tutje, parashtruesi i kërkesës specifikoi si në vijim: “E paditura nuk i ka bërë pagesën paditësit për 16 muaj, që do të thotë: 16m x 140€=240 €uro”.
- Më 24 shkurt 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile përmes Aktvendimit [C. nr. 735/201] u shpallë jo- kompetente në pikëpamje lëndore për të vendosur çështjen juridike.
- Më 10 shtator 2018, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore kundër MPMS-së për fillimin e konfliktit administrativ duke kërkuar kompensimin e të ardhurave personale.
- Më 9 shtator 2019, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [A. nr. 2201/18], ia ktheu parashtruesit të kërkesës padinë për plotësim, dhe e detyroi atë që në afat prej 8 (tetë) ditësh ta njoftonte gjykatën se cili ishte vendimi përfundimtar si dhe t’i dorëzonte ankesën dhe kërkesën e përsëritur drejtuar të të paditurës.
- Më 7 tetor 2019, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi parashtresën mbi plotësimin e padisë duke theksuar se vendimi përfundimtar ishte vendimi i MPMS-së i 22 majit 2014.
- Më 17 maj 2021, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [A. nr. 2201/18], e hodhi poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e të ardhurave personale. Në arsyetimin e Aktvendimit të lartcekur, Gjykata Themelore, duke u mbështetur në nenin 13 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (G.Z. numër 82, 21 tetor 2010) (në tekstin e mëtejmë: LKA), vlerësoi se konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurë administrative në shkallë të dytë, ndërkaq që parashtruesi i kërkesës kishte atakuar vendimin e 22 majit 2014 drejtpërdrejtë në gjykatë dhe nuk kishte dorëzuar prova që dëshmonin se i ishte drejtuar Komisionit të Ankesave të shkallës së dytë të të paditurës, respektivisht MPMS.
- Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të rregullave të procedurës administrative, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike si dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale. Ndër tjerash, në ankesën e tij parashtruesi i kërkesës theksoi se: “Tek të dy departamentet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e tërë kjo çështje po “shkepon”, nuk janë në gjendje të bëjnë distinkcion ndërmjet: Konfliktit Administrativ dhe Aktit Administrativ”. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës argumentoi se: “Kundër vendimit mbi kompensimin e dëmit, siç është tani rasti, edhe pse e ka pranuar organi administrativ, në procedurë administrative, për vendosjen në mënyrë meritore është kompetent- Departamenti për çështje civile në Gjykatë.”
- Më 7 tetor 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [AA. nr. 672/21], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [ nr. 2201/2018] e Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit u theksua se Aktvendimi i Gjykatës Themelore nuk ishte i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore si dhe u pranua konstatimi i Gjykatës Themelore për hedhjen poshtë si të parakohshme të padisë së parashtruesit të kërkesës.
- Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor pranë Gjykatës Supreme, si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Aktvendimi [AA. nr. 672/21] i Gjykatës së Apelit të anulohej dhe çështja të kthehej në rishqyrtim dhe rivendosje në Gjykatën Themelore.
- Më 10 nëntor 2021, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ (UZVP) nr. 123/2021] e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
- Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj Gjykata Supreme vlerësoi se gjykata në konfliktin administrativ vendos për ligjshmërinë e akteve përfundimtare administrative, konflikt administrativ i cili mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative të shkallës së dytë. Në rastin konkret, Gjykata Supreme vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ishte ankuar fare ndaj Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014, si vendim administrativ i shkallës së parë. Rrjedhimisht, në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Supreme e vlerësoi si të drejtë konstatimin e gjykatave të instancës më të ulët për hedhjen poshtë si të palejuar të padisë së parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
- Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [ARJ (UZVP) nr. 123/2021] i Gjykatës Supreme por dhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët janë të njëanshme dhe janë përfshirë me tejkalim të autorizimeve parashtruar me padi pasi që ai ka kërkuar vetëm diferencën e pagesës së pensionit për 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj sipas Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014.
- Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se: “Kompensimi i dëmit vendoset në procedurën civile. Ky institut ka shumë burime, përpos dispozitave ligjore, kontratave, si burim munden me qenë edhe statuti i organizatës shoqërore”.
- Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon se: “Akti administrativ në këtë rast është pozitiv, është vendimi i të paditurës, përkatësisht Ministrisë së përmendur, nga data 22.05.2014, si gjykata e shkallës së parë dhe gjykata në instancën e dytë, nuk mundën të bëjnë distinkcion, ndërmjet konfliktit administrativ dhe aktit administrativ. Konflikti administrativ nuk ka definicion në ligj. Poenta kryesore në këtë çështje, konsiston te këshilla juridike: Ankesa mund të ushtrohet në afat prej 30 ditëve tek divizioni (komisioni) i ankesave. Ankesa nuk e pezullon këtë vendim. Komisioni i Ankesave nuk është shkallë e dytë, siç e artikulojnë Gjykatat. Ankesa është mjet i rregullt juridik dhe ka efekt juridik suspenziv, ndërsa në këtë rast, nëse ankesa nuk e pezullon vendimin kontestues. Vendimi është i plotfuqishëm dhe mund të atakohet në gjykata”.
- Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të anulojë Aktgjykimin [ARJ (UZVP) nr. 123/2021] e Gjykatës Supreme.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[…]
LIGJI NR. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 3
- Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
- Organ – organet e administratës publike, organet e qeverisjes qendrore dhe organet e tjera në varësi të tyre, organet e vetëqeverisjes lokale dhe organet në varësi të tyre, kur në ushtrimin e autorizimeve publike vendosin në çështjet administrative.
- Akt administrativ – çdo vendim të organit të paraparë në nën-paragrafin 1.1. të këtij paragrafi, i cili merret në fund të një procedure administrative në ushtrimin e autorizimeve publike dhe që prek, në mënyrë të favorshme ose jo të favorshme të drejtat e njohura ligjërisht, liritë ose interesat e personave fizikë ose juridikë përkatësisht palës tjetër në vendosjen e çështjes administrative.
[…]
Neni 9
Gjykata në konfliktin administrativ vendos për ligjshmërinë e akteve përfundimtare administrative, me të cilat organet e administratës, në ushtrimin e autorizimeve publike, vendosin për të drejtat, detyrimet dhe interesat juridike të personave fizikë dhe juridikë në çështjet administrative.
Neni 13
- Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallë të dytë.
- Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar.
Neni 29
- Nëse organi i shkallës së dytë nuk e ka nxjerrë vendimin brenda tridhjetë (30) ditësh ose në një afat më të shkurtër të caktuar me dispozita të veçanta rreth ankimit të palës kundër vendimit të organit të shkallës së parë, ndërsa nuk e nxjerr as në afatin e mëtejmë prej shtatë (7) ditësh me kërkesë të përsëritur, pala mund të fillojë konfliktin administrativ sikur t’i është refuzuar ankesa.
- Në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1. të këtij neni mund të veprojë pala edhe kur sipas kërkesës së saj nuk është nxjerrë vendimi nga organi i shkallës së parë, kundër aktit të të cilit nuk mund të bëhet ankesa.
- Nëse organi i shkallës së parë, kundër aktit të të cilit mund të bëhet ankesa, nuk ka nxjerrë asnjë vendim në bazë të kërkesës brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh ose në një afat më të shkurtër të paraparë me dispozita të veçanta, pala ka të drejtë t’i drejtohet me kërkesë organit të shkallës së dytë. Kundër vendimit të organit të shkallës së dytë, pala mund të fillojë konfliktin administrativ, por mundet, nën kushtet nga paragrafi 1. i këtij neni, ta fillojë edhe nëse ky organ nuk ka nxjerrë vendim.
Neni 33
- Nëse padia nuk është e plotë, është e pakuptueshme ose ka të meta, kryetari i kolegjit do të ftojë paditësin, që brenda afatit prej tetë (8) ditëve t’i mënjanojë të metat e padisë. Në ftesë duhet të ceken udhëzimet për të mënjanuar të metat e padisë dhe paralajmërimi për pasojat që do të lindin nëse nuk vepron sipas kërkesës së gjykatës.
- Nëse paditësi, brenda afatit të cekur, nuk i mënjanon të metat e padisë, kurse ato janë të atilla që e pamundësojnë zhvillimin e procedurës, gjykata do ta hedhë poshtë me vendim padinë, nëse nuk konstaton se akti administrativ i kontestuar është i pavlefshëm.
Neni 34
- Gjykata e hedh poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se:
- padia është paraqitur pas kalimit të afatit ose është e parakohëshme;
- akti që kontestohet me padi nuk është akt administrativ;
- është e qartë se me aktin administrativ, që kontestohet me padi, nuk preken të drejtat e paditësit ose interesi i tij i drejtpërdrejtë i bazuar në ligj;
- kundër aktit administrativ, i cili kontestohet me anë të padisë, mund të bëhet ankimi, kurse ankimi nuk është bërë fare apo nuk është bërë në kohën e duhur;
- është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ;
[…]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
- Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
- Gjykata gjithashtu merr parasysh pikën b të rregullit 39 (1) të Rregullores së punës, i cili përcakton si në vijim:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
- b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar
[…].”
- Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ (UZVP) nr. 123/2021] e Gjykatës Supreme. Megjithatë, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
- Gjykata fillimisht vëren se parashtruesi i kërkesës dorëzuar padi për fillimin e konfliktit administrativ në Gjykatën Themelore me kërkesë për kompensimin e të ardhurave personale. Më tej, Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e të ardhurave personale pasi që parashtruesi i kërkesës kishte atakuar vendimin e MPMS-së të 22 majit 2014 drejtpërdrejtë në gjykatë dhe nuk i ishte drejtuar me ankesë Komisionit të Ankesave të shkallës së dytë të të paditurës.
- Nga shkresat e lëndës dhe nga arsyetimi i gjykatave të rregullta, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar ankesë në shkallën e dytë të MPMS-së, ashtu siç kërkohet me paragrafin 1 të nenit 29 të LKA-së, respektivisht nuk i kishte shteruar mjetet efektive juridike të parapara me ligj.
- Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike, sipas nenit paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, i obligon personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive që janë të disponueshme, kundër vendimit të kontestuar.
- Kriteret e vlerësimit nëse detyrimi për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike është përmbushur, janë mirë të përcaktuara në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar gjithashtu në praktikën gjyqësore të Gjykatës, duke përshirë por duke mos u kufizuar në rastet e Gjykatës KI211/19, parashtrues Hashim Gashi, Selajdin Isufi, B.K., H.Z., M.H., R.S., R.E., S.O., S.H., H.I., N.S., S.I., dhe S.R, Aktvendim për papranueshmëri i 11 nëntorit 2020; KI43/20, parashtruese Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020; dhe KI42/20, parashtrues Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020.
- Siç është sqaruar përmes rasteve të lartcekura, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit është t’u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastet e Gjykatës, KI43/20, cituar më lart, paragrafi 37; dhe KI42/20, cituar më lart, paragrafi 44; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së Aksoy kundër Turqisë, 21987/93, Aktgjykim i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).
- Në rastin konkret, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se ka tentuar që të shfrytëzojë ankesën ndaj vendimit të kontestuar të nxjerrë në shkallë të parë, ashtu edhe siç parashihet me dispozitat e LKA-së.
- Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe pikën b të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (1) (b) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 19 korrik 2022, njëzëri
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani