Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ (UZVP). nr. 123/2021 të 10 nëntorit 2021  të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI47/22

Parashtruesit: Besim Domi

Shkarko:

KI47/22, Parashtrues: Besim Domi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ (UZVP). nr. 123/2021 të 10 nëntorit 2021  të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI47/22, Aktvendim i 19 korrikut 2022, publikuar më 5 gusht 2022

Fjalët kyçe: kompensim i të ardhurave personale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mos-shterim i mjeteve juridike efektive

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte arritur moshën e pensionimit dhe sipas Vendimit të 2 shatorit 2013 të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (në tekstin e mëtejmë: MPMS) i ishte njohur e drejta në pension bazë. Ndërkaq, më tutje rezulton se përmes Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014 parashtruesit të kërkesës i ishte miratuar kërkesa për njohjen e të drejtës në pension bazë dhe kontributiv. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi për fillimin e konfliktit administrativ në Gjykatën Themelore, kundër MPMS-së, për kompensimin e të ardhurave personale në emër të pensionit të papaguar për periudhën kohore prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muajsh, sipas Vendimit të MPMS-së të 22 majit 2014. Gjykata Themelore e hodhi poshtë si të parakohshme padinë e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e të ardhurave personale duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës kishte atakuar vendimin e 22 majit 2014 drejtpërdrejtë në gjykatë dhe nuk i ishte drejtuar Komisionit të Ankesave të shkallës së dytë të të paditurës, respektivisht MPMS.  Aktvendimi i Gjykatës Themelore u vërtetua më pas nga Gjykata e Apelit si dhe nga Gjykata Supreme.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat i vendimet të njëanshme të gjykatave të shkallës më të ulët, të përfshira me tejkalim të autorizimeve.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike i obligon personat fizikë dhe juridikë që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive që janë të disponueshme, kundër vendimit të kontestuar. Në rastin konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka argumentuar se ka tentuar që të shfrytëzojë ankesën ndaj vendimit të kontestuar të MPMS-së të nxjerrë në shkallë të parë, ashtu siç parashihet me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa duhet të shpallet e papranueshme për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe pikën b të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Besim Domi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative