Prishtinë, më 26 qershor 2024
Nr. ref.: AGJ 2459/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KO157/23
Parashtrues
Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë tjerë
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-583 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023, për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa u parashtrua nga 12 (dymbëdhjetë) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi), përkatësisht deputetët: Vlora Dumoshi, Ariana Musliu-Shoshi, Rrezarta Krasniqi, Driton Selmanaj, Duda Balje, Valentina Bunjaku-Rexhepi, Ferat Shala, Enver Hoxhaj, Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, Pal Lekaj dhe Time Kadrijaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Parashtruesit e kërkesës përfaqësohen para Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) nga deputetja Vlora Dumoshi.
Akti i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Vendimin [nr.08-V-583] e 13 korrikut 2023 e Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Vendimi i kontestuar) për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (në tekstin e mëtejmë: Bordi i OSHP-së).
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, për të cilin parashtruesit e kërkesës pretendojnë se nuk është në pajtueshmëri me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme lidhur me rastin konkret, duke pretenduar se “Mosvënia e masës së përkohshme do të kishte pasoja të pariparueshme sepse do të fillonte ndërprerja e mandatit të anëtares së OSHP-së Znj. Kimete Gashi, prandaj OSHP-ja do të mbetej e disfunksionalizuar deri në përzgjedhjen e anëtarëve të rinjë.”.
Baza juridike
Kërkesa është e bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme), 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullat 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve), 44 (Kërkesa për masë të përkohshme), 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) dhe 72 (Kërkesa në pajtim me nenin 113.5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 20 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën në Gjykatë.
Më 26 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. KO157/23] caktoi gjyqtarin Enver Peci Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 31 korrik 2023, Gjykata e njoftoi për regjistrimin e kërkesës Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Sekretari i Kuvendit) dhe kërkoi që deri më 14 gusht 2023 të dorëzojnë në Gjykatë të gjitha dokumentet relevante në lidhje me Vendimin e kontestuar.
Më 31 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës u njoftuan për regjistrimin e kërkesës, të cilëve po ashtu iu kërkua që të dorëzojnë autorizimin me të cilën dëshmohet se ata përfaqësohen para Gjykatës nga znj. Vlora Dumoshi.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi për regjistrimin e kërkesës (i) Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryetari i Kuvendit), të cilit iu kërkua që nga një kopje e kërkesës t’i dorëzohet të gjithë deputetëve të Kuvendit; (ii) Avokatin e Popullit; dhe (iii) Organin Shqyrtues të Prokurimit (në tekstin e mëtejmë: OSHP). Gjykata i njoftoi palët e interesuara të cekura më lart se komentet e tyre, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë brenda afatit 15 ditor, përkatësisht deri më 14 gusht 2023, në adresën elektronike të Gjykatës ose me dorëzim personal.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi për regjistrimin e kërkesës edhe (i) Presidenten e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Presidentja); si dhe (ii) Kryeministrin e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryeministri).
Më 2 gusht 2023, Sekretari i Kuvendit dorëzoi në Gjykatë dokumentet si në vijim:
Ftesa me rend të ditës për mbajtjen e Seancës plenare më 13.07.2023;
Raporti me rekomandim i Komisionit funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit datë 10 korrik 2023;
Procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere, më 17 dhe 24 maj dhe 10 korrik 2023;
Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr.-08-V-583 të datës 13 korrik 2023, për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit;
Pjesë nga transkripti i Seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 13 korrik 2023.
Më 3 gusht 2023, Kryetari i Kuvendit kërkoi nga Gjykata shtyrjen e afatit për dorëzim të komenteve sepse Kuvendi ka mbyllur sesionin pranveror të punimeve më 28 korrik 2023 dhe se deputetët janë në pushim deri në fillimin e punimeve të sesion vjeshtor përkatësisht më 11 shtator 2023.
Më 14 gusht 2023, znj. Mimoza Kusari-Lila në cilësi të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dorëzoi komente lidhur me kërkesën KO157/23.
Më 15 gusht 2023, Gjykata njoftoi Kryetarin e Kuvendit për miratimin e kërkesës për shtyrje të afatit për dorëzimin e komenteve dhe njëherësh caktoi afat të ri për dorëzim të komenteve deri më 26 shtator 2023.
Më 14 shtator 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan autorizimin me nënshkrime që autorizon znj. Vlora Dumoshi si përfaqësuese të tyre në procedurë në Gjykatën Kushtetuese.
Më 2 tetor 2023, Gjykata njoftoi (i) parashtruesit e kërkesës; (ii) Presidenten; (iii) Kryetarin e Kuvendit; (iv) Kryeministrin; (v) Avokatin e Popullit; dhe (vi) OSHP-në, lidhur me komentet e pranuara nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me mundësi për të dorëzuar komente deri më 11 tetor 2023.
Më 4 tetor 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan përgjigje lidhur me komentet e dorëzuara nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më 17 tetor 2023, Gjykata njoftoi (i) Presidenten; (ii) Kryetarin e Kuvendit; (iii) Kryeministrin; (iv) Avokatin e Popullit; dhe (v) OSHP-në, për përgjigjen e parashtruesve të kërkesës ndaj komenteve të dorëzuara nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 maj 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata vendosi (i) njëzëri që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër që Vendimi [nr. 08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Në përputhje me Rregullin 56 (Mendimet mospajtuese) të Rregullores së punës, Gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendim mospajtues i cili do të publikohet së bashku me këtë Aktgjykim.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që Ministria e Shëndetësisë, në cilësi të Autoritetit Kontraktues, kishte filluar procedurën e prokurimit me numër të prokurimit 206-20-8397-1-1-1. Në këtë procedurë të prokurimit, Autoriteti Kontraktues, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, më 12 gusht 2022, kishte nxjerrë Njoftimin mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, me të cilin kishte anuluar aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”.
Më 26 gusht 2022, operatorët ekonomik “Pharma Leader l.l.c ”dhe “Meditech”, kishin parashtruar ankesë kundër njoftimit të lartpërmendur të Ministrisë së Shëndetësisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues. Si pasojë e këtyre ankesave, OSHP kishte caktuar ekspertizën e ekspertit të prokurimit, e cila ishte dorëzuar më 15 shtator 2022, dhe e cila kishte rekomanduar (i) anulimin e njoftimit të Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë tw 12 gushtit 2022; dhe (ii) rivlerësimin e ofertave për këtë aktivitet të prokurimit.
Më 11 tetor 2022, Bordi i OSHP-së, i përbërë nga znj. Kimete Gashi, kryetare dhe Nita Bejta, Vedat Potërqoi, Vjosa Gradinaj-Mexhuani dhe Agon Ramadani, anëtarë, në mënyrë unanime, kishte nxjerrë Vendimin [PSH. 397/409/22], përmes të cilit anuluan njoftimin e Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, duke e kthyer çështjen në rivlerësim.
Autoriteti Kontraktues, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, kishte paraqitur padi dhe propozim për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të lartpërmendur të OSHP-së në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), që ishte regjistruar me numër [A.nr.2953/2022]. Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [A.nr.2953/2022] të 10 janarit 2023, kishte hedhur poshtë si të palejuar padinë dhe propozimin e Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë. Aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.nr.85/2023] të 9 shkurtit 2023.
Vendimi [PSH. 397/409/22] i 11 tetorit 2022 i Bordit të OSHP-së, po ashtu ishte kontestuar pranë Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Komerciale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komerciale), nga operatori ekonomik “Meditech”. Gjykata Komerciale, përmes Aktvendimit [Ka.NR.1386/2022] të 14 dhjetorit 2022, kishte refuzuar padinë-propozimin e “Meditech” për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të lartcekur të OSHP-së. Dhoma e Shkallës së Dytë së Gjykatës Komerciale, përmes Aktvendimit [Kom.Dh.Shk.II.nr.4712023] të 2 shkurtit 2023, gjithashtu kishte refuzuar ankesën e “Meditech” dhe kishte vërtetuar Aktvendimin [Ka.NR.1386/2022] e 14 dhjetorit 2022 të shkallës së parë së Gjykatës Komerciale.
Më 10 maj 2023, lidhur me Vendimin [PSH. 397/409/22] e Bordit të OSHP-së të 11 tetorit 2022, Qeveria përmes Vendimit [Nr.13/142], kishte vendosur: “(1) I propozohet për shkarkim Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, znj. Kimete Gashi për shkeljen e etikës profesionale; (2) Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.”
Vendimi i lartpërmendur i Qeverisë përmban këtë arsyetim: “Organi Shqyrtues i Prokurimit, me rastin e vendimmarrjes sipas lëndës PSh Nr.397/22, në kundërshtim me legjislacionin primar, konkretisht Ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tenton të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketing, duke rrezikuar kështu shëndetin publik. Marrë parasysh që udhëheqësinë e panelit në këtë lëndë kishte znj. Kimete Gashi, Qeveria vendos si në dispozitiv të këtij Vendimi.”
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit në mbledhjet e mbajtura më 17 dhe 24 maj 2023, respektivisht, shqyrtoi Vendimin e Qeverisë për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së OSHP-së.
Më 10 korrik 2023, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere vendosi që Kuvendit t’ia paraqesë rekomandimin si në vijim: “(1) i rekomandohet Kuvendit, të mos miratoj propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit për shkeljen e etikës profesionale. (2) Arsyetimin e Raportit me rekomandime e paraqet, deputeti Armend Muja, kryetar i Komisionit.”
Rekomandimi i lartpërmendur i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere përmban këtë arsyetim: “Në bazë të nenit 101, paragrafi 4 të Ligjit Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr.05/L-092, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo të një anëtari të Organit Shqyrtues të Prokurimit, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj. Qeveria e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Qeveria) bazuar në nenin 101, paragrafi 4, të Ligjit Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr.05/L-092, me vendimin nr.13/142 të datës 10.05.2023, i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi) shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit (në tekstin e mëtejmë: OSHP) për shkeljen e etikës profesionale. Bazuar në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit, Komisioni, në mbledhjet e mbajtura më 17 dhe 24 maj 2023, shqyrtoi Vendimin e Qeverisë për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe me datë 10.07.2023, me 3 vota “Për”, 3 “abstenime” vendosi që Kuvendit t’i rekomandoj mos miratimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.”
Më 13 korrik 2023, Kuvendi, me propozim të Qeverisë, përmes Vendimit [Nr.08-V-583] vendosi si në vijim: “(1) Znj. Kimete Gashi shkarkohet nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit (2) Ky vendim hyn në fuqi ditën e miratimit.”
Në transkriptin e mbledhjes plenare të Kuvendit të mbajtur më 13 korrik 2023 lidhur me Vendimin [Nr.13/142] e 10 majit 2023 e Qeverisë për shkarkim të znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së OSHP-së, rezulton se në votim morën pjesë gjashtëdhjetenjë (61) deputetë, prej të cilëve pesëdhjetetetë (58) votuan për shkarkim të znj. Kimete Gashi, kishte një (1) votë kundër dhe dy (2) abstenime, ashtu që znj. Kimete Gashi, u shkarkua nga pozita e anëtares së OSHP-së.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Vendimi i kontestuar i Kuvendit është në kundërshtim me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] si dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
pretendimet lidhur me shkeljen e paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se paragrafi 1 i nenit 65 të Kushtetutës përcakton se Kuvendi miraton ligje, rezoluta dhe akte tjera të karakterit të përgjithshëm, ndërsa Vendimi i kontestuar, ka karakter individual sepse shkel të drejtat individuale të znj. Kimete Gashi, duke e shkarkuar atë nga pozita e anëtares së Bordit të OSHP-së. Rrjedhimisht, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Kuvendi ka tejkaluar kompetencat e përcaktuara me paragrafin 1 të nenit 65 të Kushtetutës, pikërisht për shkak se vendimi i kontestuar cenon të drejtat individuale të znj. Kimete Gashi.
Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës, ndër tjerash, theksojnë: “Në bazë të kësaj kjo dispozite Kushtetuese nuk ka mundur të aplikohet sepse Vendimi i Kontestuar është vendim individual, pra nuk është akt i përgjithshëm e as ligj. Por është Vendim individual me të cilin i janë shkelur të drejtat e Znj. Kimete Gashi si Anëtare e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Vendimi i kontestuar është kundër kushtetues nga se nuk ka mundur të aplikohet kjo dispozitë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për akte individuale, prandaj Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dalur jashtë kompetencave të tija, të përcaktuara me nenin 65 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës.”
Parashtruesit e kërkesës theksojnë që në propozimin e Qeverisë, “thuhet se znj. Kimete Gashi, në kundërshtim me ligjin në fuqi, ka tentuar të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketingu, duke e rrezikuar kështu shëndetin publik.” Sipas parashtruesve të kërkesës, shkelja e ligjit vërtetohet në procedurë gjyqësore nga gjykatat dhe jo nga Kuvendi dhe se përmes Vendimit të kontestuar, i njëjti ka ndërhyrë në një çështje që është kompetencë e gjykatave. Në këtë kontekst, ata, ndër tjerash, theksojnë që “Vendimi i Panelit Shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit PSH. 397/409-122 i datës 11.10.2022. iu kishte nënshtruar kontrollit gjyqësor me mjete juridike, dhe e dy instancave gjyqësore i kishin hedhur Padinë e Paditëses Ministria e Shëndetësisë me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative A.nr.2953/2022 të datës 21.10.2022. dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë AA.nr.851/2023 të datës 09.02.2023. Pra Aktvendimet ishin bërë të formës së prerë. Atëherë shtrohet pyetja se Vendimet e Organit Shqyrtues te Prokurimit a i nënshtrohen kontrollit Gjyqësor, apo i nënshtrohen kontrollit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nga se më këtë Vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës është abroguar në tërësi Sistemi Gjyqësor i Republikës së Kosovës si pushtet i ndarë, dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës jashtë kompetencave të përcaktuara me kushtetutë (Neni 65 i Kushtetutës), ka ndërhyrë në një çështje që është kompetencë e gjykatave.”
Parashtruesit e kërkesës theksojnë përmbajtjen e paragrafit 4 të nenit 101 (Pezullimi dhe largimi i një anëtari të OSHP) të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe Ligjin nr. 05/L-068 (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Prokurimin Publik): “Largimi dhe pezullimi i një anëtari të OSHP i nënshtrohet të njëjtave rregullave dhe procedura të parapara me këtë ligj për anëtarët e KRPP-së.”. Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përveç se mungon procedura dhe arsyetimi i shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, Vendimi i kontestuar është bazuar në një dispozitë ligjore “inekzistente”.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretendojnë që: “Është aplikuar neni 101 paragrafi 4 i Ligjit nr.04/L-042 Për Prokurimin Publik të Kosovës duke u ndërlidhur në tre Ligje për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit bazik (Ligjin nr.04/L-237, Ligjin nr.05/L-068 dhe Ligjin 05/L-068) të cilat Ligje nuk parashohin paragrafin 4 pra Kuvendi Vendimin e tyre e bazon në dispozitë inekzistente! [...] Nga Vendimi i kontestuar fare nuk shihet se në çka konsiston shkelja e etikës profesionale që lidhet me detyrat e saj. Shtrohet pyetja si është konstatuar kjo rrethanë-“Fakt” ?!! e cila është parakusht për aplikimin e Ligjit nr.05/L-092 nenit 101 paragrafit 4 të Ligjit.”
pretendimet lidhur me shkeljen e nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se neni 142 i Kushtetutës përcakton vetëm kompetencën e Kuvendit për themelimin e Agjencive të Pavarura si kategori kushtetuese, por jo edhe shkarkimin e anëtarëve të tyre.
Në këtë kontekst, parashtruesit e kërkesës, ndër tjerash, pretendojnë: “Kjo dispozitë sanksionon se ekzistimin e Agjencive të Pavarura dhe mënyrën e punës parimore si kategori kushtetuese dhe asgjë tjetër. Nga kjo dispozitë nuk rezulton asnjë burim juridiko kushtetues për shkarkim të ndonjë Anëtari të ndonjë Agjencie të Pavarur. Vendimi i kontestuar është kundër kushtetues nga se nuk ka mundur të aplikohet kjo dispozitë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk e rregullon çështjen e shkarkimit të çfarë do anëtari të Agjencive të Pavarura, por i sanksionin vetëm ekzistimin e tyre si kategori Kushtetuese. Prandaj në Vendimin e kontestuar është zbatuar gabimisht edhe kjo normë Kushtetuese (Neni 142 i Kushtetutës).”
Parashtruesit e kërkesës më tej theksojnë: “Vetëm me Ligjin nr.05/L-092, nenin 101 paragrafi 4 përcaktohet po citoj: “Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etiken profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj.”
pretendimet lidhur me shkeljen e neneve 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Vendimi i kontestuar shkel parimin e barazisë para ligjit siç garantohet me nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës, për shkak se është shkarkuar vetëm një anëtare, kurse Paneli Shqyrtues i OSHP-së përbëhet edhe nga katër (4) anëtarë të tjerë.
Në këtë drejtim, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Në rastin konkret me Vendimin e kontestuar me këtë kërkese, Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka shkelur nenin 3 dhe 24 të Kushtetutës së Kosovës, për faktin se e ka shkarkuar vetëm një anëtare të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe pse edhe katër anëtarë të tjerë të Panelit Shqyrtues të OSHP-së të apostrofuar me këtë Kërkesë kanë vendosur në mënyrë anonime.”
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë se Vendimi i kontestuar cenon të drejtën për mjete juridike siç garantohet me nenin 32 të Kushtetutës sepse “nuk ka asnjë udhëzim apo këshillë për përdorim të mjeteve juridike”.
Në këtë drejtim, parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Sa i përket formës së Vendimit të kontestuar e njëjta fare nuk ka arsyetim e as udhëzim mbi mjetin juridik kurse kemi të bëjmë me të drejtën e qytetarit të shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme e që konsiderohet vend pune [...] me mos respektimin e formës është shkelur dispozita mbi të drejtat dhe liritë e njeriut nga neni 32 i Kushtetutës.”
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë: “Si rekapitullim i çështjes është e shkarkuara si Anëtare e Panelit të OSHP-së ka marrë vendim në kuadër të kompetencave të saja dhe se kjo nuk paraqet kurrfarë “tentativë te shkeljes se ligjit” në mënyrë unanime me anëtarët e Panelit, i cili vendim nuk është vendim meritor sepse me të është kthyer ne rivendosje çështja e që vendimi e ka mbështetjen në Ligj. Shtrohet Pyetja pasi që Kuvendi ka miratuar propozimin e Qeverisë po rezulton që e shkarkuara ka qenë dashur të vendosi ndryshe nga bindja e saj profesionale, kurse kjo “ndryshe” po mbahet sekret. Kjo nuk paraqet shkarkim për shkelje të etikës, por kjo nuk paraqet pavarësi të Organit Shqyrtues të Prokurimit, por përkundrazi pasiguri juridike të ngarkuarve me punë publike në vendimmarrje sipas Ligjit.”
Kërkesa për masë të përkohshme
Parashtruesit e kërkesës vlerësojnë se kërkesa e tyre është e bazuar dhe se është e qartë se Vendimi i kontestuar është kundër-kushtetues dhe për këtë arsye, kërkojnë caktimin e masës së përkohshme sepse: “a) Mosvënia e masës së përkohshme do të kishte pasoja të pariparueshme sepse do të fillonte ndërprerja e mandatit të anëtares së OSHP-së Znj. Kimete Gashi, prandaj OSHP-ja do të mbetej e disfunksionalizuar deri në përzgjedhjen e anëtarëve te rinj. b) procesi i përzgjedhjes së anëtareve të OSHP-së, varet nëse do të ketë nevojë për proces të ri të emërimit, prandaj, çdo ndryshim në OSHP, pa u vendosur për themelësinë e kërkesës për ligjin e kontestuar, do ta dëmtonte rëndë organin Shqyrtues të Prokurimit. c) ndërprerja e marrëdhënies së punës së anëtarëve së shkarkuar dhe krijimi i marrëdhënies së re të punës për anëtarët e rinj të OSHP-së sipas ligjit të kontestuar, pa u vendosur për themelësinë e kërkesës, do të kishte pasoja të pariparueshme sepse do të cenonte të drejtat nga marrëdhënia e punës, si e drejtë kushtetuese e njeriut.”
Bazuar në arsyet e dhëna më sipër, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të caktojë masën e përkohshme dhe ta pezullojë Vendimin e kontestuar deri në vendosjen meritore të kësaj kërkese.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata: (i) ta deklarojë kërkesën të pranueshme për shqyrtim në merita; (ii) të shpallë të pavlefshëm Vendimin e kontestuar; (iii) të konstatojë se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe neneve 142 [Agjencitë e Pavarura], 3 [Barazia para Ligjit] dhe 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë shkeljen e Ligjit për Prokurimin Publik; dhe (v) të përcaktojë çfarëdo mase tjetër që Gjykata e vlerëson të bazuar juridikisht dhe të arsyeshme.
Komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Më 14 gusht 2023, znj. Mimoza Kusari-Lila, në cilësi të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dorëzoi komente lidhur me kërkesën KO157/23.
Në këtë kontekst, ata theksuan se Vendimi i kontestuar është në pajtueshmëri të plotë me dispozitat kushtetuese dhe i bazuar në procedurat e përcaktuara me ligj dhe Rregullore të punës së Kuvendit. Sipas tyre, Vendimi i kontestuar është kompetencë e patjetërsueshme e Kuvendit, i cili merr vendime me shumicë të votave të deputetëve, siç edhe ka ndodhur në rastin konkret.
Të njëjtit po ashtu theksuan se Vendimi i kontestuar si vendimmarrje, hyn në fushë-veprimtarinë e Kuvendit bazuar në paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me nenin 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës dhe nenin 3 të Rregullores së punës së Kuvendit.
Sa i përket sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë së shkarkimit të anëtarëve të OSHP-së, komentet theksojnë, ndër tjerash, që “Legjislacioni në fuqi ka paraparë edhe shkarkimin e anëtareve të OSHP-së pra brenda suazave të ligjit duke përkufizuar dhe kriteret përkatëse. Këto kritere plotësojnë kërkesën e parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike, duke informuar në këtë mënyrë a priori anëtarët e OSHP-së mbi sanksionimin potencial të përkufizuar me ligj, në kuadër të kompetencave të organeve përkatëse për propozim të shkarkimit (në rastin konkret Qeverisë) e pastaj edhe të vendimmarrjes (Kuvendit).”
Në këtë drejtim, sipas komenteve të dorëzuara, Vendimi i kontestuar po ashtu është në pajtim me nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës dhe në këtë kontekst theksojnë: “Rrjedhimisht, është i pabazuar pretendimi dhe konkludimi për shkelje të Kushtetutës në dispozitën e përgjithshme e cila përcakton themelet e funksionimit të një agjencie të pavarur të mbikëqyrur nga Kuvendi. Neni 142 i Kushtetutës, mbi Agjencitë e Pavarura parasheh mënyrën e tyre të funksionimit, kompetencat e përgjegjësitë të rregulluara sipas ligjit te miratuar nga Kuvendit. Andaj, dispozita e veçantë që rregullon shkarkimin dhe e cila qartësisht hyn brenda kategorive të funksionimit, kompetencave e përgjegjësive të një agjencie te pavarur, përcaktohet me ligj, siç dhe është në rastin konkret e përcaktuar. Pra, procedura dhe procesi janë në pajtim të plotë me frymën dhe udhëzimet e nenit 142 të Kushtetutës.”
Sa i përket bazës ligjore për shkarkimin e anëtares së OSHP-së, theksohet që Vendimi i kontestuar ka bazë specifike dhe ligjore, duke pohuar se: “Shqyrtimi i Propozim-Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues te Prokurimit. Ky autorizim i Kuvendit rrjedh nga neni 4, i Ligjit Nr. 05/1-092 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/1-042 për Prokurimin Publik te Republikës së Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/237 dhe me Ligjin nr. 05/1-068 ‘4. Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron ne kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj’.”
Lidhur me faktet dhe rrethanat që kanë çuar në shkarkimin e anëtares së OSHP-së, sipas komenteve të dorëzuara “Faktet apo rrethanat që kanë dërguar deri në propozim vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të prokurimit, znj. Kimete Gashi për shkarkim janë arsyetuar në Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me nr. 13/ 142 të datës 10.05.2023. Ky propozim vendim, i renditur si pikë e 33 e rendit te ditës së Seancës plenare të datës 13.07.2023 është votuar nga shumica e deputetëve të Republikës së Kosovës dhe është konkretizuar me Vendimin, tashmë të kontestuar. Për më tepër arsyet e propozim vendimit për shkarkim nuk janë objekt i shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese por mund të jetë objekt i shqyrtimin nga gjykatat e rregullta.”
Lidhur me përgjegjësinë e Qeverisë për ruajtjen e shëndetit publik, ndër tjerash, argumentohet që “Nisur nga fakti që Qeveria si organ ekzekutiv ia propozon Kuvendit te Republikës së Kosovës anëtarët e OSHP-së, e njëjta ka përgjegjësi ligjore që të menaxhojë dhe kujdeset për buxhetin e Republikës së Kosovës, e njëjta ka për obligim parësor sigurinë publike e ruajtjen e shëndetit publik, e njëjta edhe sipas Ligjit për Prokurimin Publik mund të propozojë edhe shkarkim të anëtarit të OSHP-së për shkak të shkeljes së etikës profesionale, gjë të cilën vlerëson sipas kompetencave të lartcekura e nisur nga prerogativa e saj që të nxjerr vendime në bazë të diskrecionit. Për të vlerësuar një gjë të tillë, janë natyrisht të domosdoshme të merren parasysh faktet e rastit. OSHP, i kryesuar në panel nga znj.Kimete Gashi, kishte vendosur që të detyrojë Ministrinë e Shëndetësisë të bënte rivlerësimin e tenderit për furnizimin me insulin nga Lista e barnave esenciale, duke vendosur kritere të cilat detyronin Ministrinë të nënshkruante kontratë për furnizim me insulina me kompaninë e cila nuk kishte autorizim marketing.”
Përkitazi me veprimet e anëtares së shkarkuar të OSHP-së, theksohet që: “Mungesa e autorizim marketingut shpie te mungesa e përgjegjësisë për dëmet që mund t’i krijohen shëndetit, përtej dëmit të pariparueshëm që i bëhet shëndetit publik e parasë publike, obligime këto parësore të Qeverisë së Republikës së Kosovës si organ ekzekutiv. Ndonëse këto të dhëna nuk ndërlidhen me çështje kushtetuese, në respekt të Gjykatës bëjmë me dije se ky proces i nisur në muajin dhjetor 2020 tashmë u vërtetua që ishte i komprementuar. Operatori për të cilin paneli i OSHP kishte këmbëngulur që t’i jepej kontrata, jo vetëm që nuk ishte i pajisur me Autorizim Marketingun sipas ligjit në fuqi, por kishte dorëzuar dhe dokumentacion të falsifikuar në dosjen e aplikimit duke pretenduar se kishte leje të furnizohej nga një kompani amerikane, nga dega e saj në Zvicër, dhe një kompani në Maqedoninë e veriut. Për këtë çështje nëse Gjykata e konsideron me rëndësi për shqyrtimin mund të marrë të dhënat nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë.”
Lidhur me bazën ligjore të Vendimit të kontestuar, ata konsiderojnë se Vendimi i kontestuar ka bazë ligjore dhe se kjo bazë nuk është “inekzistente” siç pretendojnë parashtruesit e kërkesës, duke theksuar se: “Kuvendi ka vendosur me shumicë të votash në bazë të propozimit të Qeverisë të bazuar në nenin 101 të Ligjit për Prokurimin Publik i cili përtej kompetencës së Qeverisë për të propozuar, parasheh obligimin dhe përgjegjësinë e Kuvendit për të vendosur lidhur me propozimin. Andaj, të ftuarit në nenin 101 të Ligjit për Prokurimin Publik nuk është të ftuarit në bazë ligjore inekzistente siç pretendon në mënyrë të gabuar parashtruesi i kërkesës, por është respektim i Ligjit nga Kuvendi i cili ka miratuar po këtë Ligj për Prokurimin Publik.”
Përkitazi me pretendimin e parashtruesve të kërkesës se Vendimi i kontestuar nuk përmban udhëzim për përdorimin të mjetit juridik, ata theksojnë se: “Kuvendi nuk duhet referuar fare mjetit juridik pasi që vetë Kushtetuta parasheh mundësinë e ngritjes së kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit në Gjykate Kushtetuese. Më tutje, e në lidhje me paragrafin paraprak, sipas paragrafit 7, të nenit 113, edhe individët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese pasi t’i kenë shteruar mjetet e rregullta juridike, gjë që nënkupton mundësinë e znj.Kimete Gashi, anëtares së shkarkuar të OSHP-së të sfidojë Vendimin e Kuvendit para gjykatave të rregullta. Pra, e njëjta gëzon të drejtën në ushtrimin e mjeteve juridike sipas Kushtetutës, gjë e cila nuk i është mohuar me mungesën e udhëzimit për mjetet juridike sipas Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
Përkitazi me pretendimin e parashtruesve të kërkesës se Vendimi i kontestuar është diskriminues, ata theksojnë: “Vendimi i Kuvendit te Republikës se Kosovës, me nr. 08-V- 583 dhe me nr. të protokollit 861/23 të datës 18.07.2023 nuk është diskiminues dhe në kundërshtim me nenin 24 te Kushtetutës së Republikës se Kosovës [Barazia para Ligjit]. Ky nen parasheh dhe obligon në trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve para ligjit, duke mohuar çdo lloj diskriminimi. Veprimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është diskriminues, përkundrazi është i bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik i cili në nenin 101 e përcakton që: Qeveria i propozon Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një organi të OSHP-së. Pra, përderisa ligji i aplikueshëm parasheh një veprim të tillë të Qeverisë, brenda kompetencave të veta dhe sipas diskrecionit, nuk mund të flitet për çfarëdo diskriminimi. Qeveria i ka propozuar Kuvendit vendimmarrjen, bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit e respektim të ligjeve të miratuara nga vetë ky organ legjislativ, me votën e shumicës, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Neni 24 ngërthen në vete mundësinë e apelimit dhe të dëgjuarit e qëndrimit të secilit para organeve kompetente, që duhen trajtuar të gjithë në bazë të barazisë e duke mohuar diskriminimin. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës ka interpretuar në mënyrë të gabuar nenin 24 të Kushtetutës dhe ka vendosur kërkesën nën bazën ligjore të interpretuar në mënyrë të gabuar.”
Në fund, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i propozon Gjykatës që në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, të deklarojë kërkesën të papranueshme dhe të konstatojë se Vendimi i kontestuar është në përputhje me Kushtetutën.
Përgjigjet e parashtruesve të kërkesës ndaj komenteve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë jashtë objektit të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar dhe më tepër janë “një opinion sesi tentohet që të rrënohet sistemi Juridiko-Kushtetues i Republikës së Kosovës!”.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë shmangur çështjes se Vendimi i kontestuar është akt individual dhe jo akt i përgjithshëm, siç përcaktohet me nenin 65 (1) të Kushtetutës.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Vendimi i kontestuar është akt individual dhe theksojnë se: “Përmes komenteve pretendohet se Vendimi i kontestuar është bazuar në nenin 65 (1) të Kushtetutës, por nuk kanë asnjë koment (e mos të flasim për argument apo fakt) se Vendimi i kontestuar është AKT I PËRGJITHSHËM. Edhe përkundër faktit se i njëjti është AKT INDIVUDUAL vazhdojnë të thirren në dispozitën Kushtetuese e cila i përcakton kompetenca Kuvendit vetëm për akte të përgjithshme! Duke qenë plotësisht koshient se për Akte individuale nuk ka kompetenca Kuvendi i Kosovës, atëherë thirren në Ligjin nr.05/L-092, nenin 101 paragrafi 4. ashtu që Ligjin mundohen ta vendosin mbi Kushtetutën! (Gjë që tregon tendencat e qarta për rrënimin e sistemit Juridiko-Kushtetues të Republikës së Kosovës.”
Për më tepër dhe në kontekst të ndarjes së pushteteve, parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë që “Përveç faktit se nxjerrin Vendim jashtë kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë, tentojnë ta abrogojnë në tërësi pushtetin gjyqësor i cili është pushtet i ndarë. Pushteti gjyqësor është pushtet i ndarë dhe ushtrohet nga gjykatat dhe këtë e përcakton neni 102 i kushtetutës. Situata faktike është se Vendimet e OSHP-se iu kishin nënshtruar kontrollit gjyqësor dhe kishte rezultuar se Vendimi i OSHP-se ishte vendim i ligjshëm. Prandaj, Vendimet të cilat përmes kontrollit të pushtetit gjyqësor kishin rezultuar të Ligjshme. Kuvendi tenton ta abrogoi në tërësi sistemin gjyqësor, dhe që pushtetin gjyqësor ta ushtroi vetë, sepse pavarësisht se çka vendosin gjykatat ajo sipas kësaj logjike qenka irelevante, por Kuvendi është ai i cili duhet të ushtroi edhe pushtetin gjyqësor!”.
Më tej dhe përkitazi me pavarësinë e agjencive të pavarura, ata pretendojnë: “Siç duket sipas “Komenteve” të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Agjencitë nuk duhet të jenë të pavarura ashtu si e përcakton Kushtetuta dhe Ligjet. Sepse nga interpretimi i “Komenteve” të lartcekura Agjencitë duhet të jenë të varura absolutisht nga vullneti i deputetëve dhe jo nga kompetencat të cilat ua përcakton Kushtetuta dhe Ligji. Pas nxjerrjes së Vendimit të kontestuar me këtë Kërkesë, asnjë Agjenci nuk do të mbetet e pavarur ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe Ligji, dhe asnjë anëtar i çfarëdo Agjencie nuk do të jetë i pa anshëm ashtu siç e përcakton Ligji. Por të njëjtit duhet të iu nënshtrohen politikave ditore dhe disponimit momental të deputetëve, në të kundërtën do të kenë fatin e njëjtë sikurse anëtarja e OSHP-se Znj. Kimete Gashi - Brajshori.”
Lidhur me diskriminim e anëtares së shkarkuar të OSHP-së ata kundër-argumentojnë se: “Sipas Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, barazi para Kushtetutës dhe Ligjit konsiderohet kjo: Në rastet kur katër anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit, me votë të barabartë, vendosin në mënyrë unanime për një Vendim. Atëherë barazi para Kushtetutës dhe Ligjit konsiderohet shkarkimi i vetëm njërit prej tyre!!!”
Përkitazi me tejkalimin e kompetencave të Kuvendit, ata gjithashtu theksojnë që “Pra, nga komentet e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, shihet se thjeshtë nuk kemi të bëjmë vetëm me një Vendim kundër Kushtetues, por kemi të bëjmë me precedentin më të rrezikshëm të paraqitur deri më tani e ajo është rrënimi i sistemit Juridik Kushtetues të Republikës së Kosovës, përmes uzurpimit të kompetencave nga ana e Kuvendit të Kosovës të cilat kompetenca nuk ia ka përcaktuar Kushtetuta, përmes ABROGIMIT të pushtetit gjyqësor të cilin e ushtrojnë gjykatat, përmes cenimit pavarësisë së Agjencive të Pavarura dhe cenimit të pa anshmërisë së anëtarëve të Agjencive të Pavarura. Dhe krejt në fund përmes trajtimit të pa barabartë para Kushtetutës dhe Ligjit. Madje me tendenca komike, duke u munduar të japin komente kemi trajtim të barabartë etj!!!”.
Ndërsa, lidhur me kërkesën për caktim të masës së përkohshme, theksojnë se: “Interesi publik, konsiston në shkeljen e dispozitave Kushtetuese të përshkruara me Kërkesë dhe Plotësim i Kërkesës, prandaj ndalimi i ekzekutimit të vendimit të kontestuar është i domosdoshëm për të penguar pasojat e shkeljeve kushtetuese dhe ligjore dhe atë nenin 65 paragrafi 1 të Kushtetutës, nenin 142, nenin 3 dhe 24, nenin 102 të Kushtetutës. Duke pasur parasysh se janë shkelur dispozitat kushtetuese, kjo paraqet precedent të rrezikshëm që Kuvendi i Kosovës ti përsërit këto shkelje ndaj ndonjë anëtari tjetër të OSHP-së, e kjo jo vetëm që do ta defunksionalizonte OSHP-në, por paraqet një rrezik permanent për humbjen e objektiviteti të OSHP-së dhe të anëtareve të tjerë, se në rast se nuk vendosin sipas dëshirës së një grupi të deputetëve, të njëjtët do të shkarkohen pa kurrfarë procedura disiplinore, sikurse është shkarkuar Paditësja/Anëtarja e OSHP-së Znj. Kimete Gashi Brajshori!!!”.
Në fund, parashtruesit e kërkesës theksojnë se Gjykata duhet t’i vlerësojë argumentet e tyre duke shtuar: “Konsiderojmë se e vetmja zgjidhje e drejtë do të ishte Aprovimi/Miratimi i Kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese dhe Aprovimi /Miratimi i Kërkesës për Masën e Përkohshme.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
“1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
“1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 65
[Kompetencat e Kuvendit]
Kuvendi i Republikës së Kosovës:
miraton ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme;
[...]
(9) mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit;
Neni 142
[Agjencitë e Pavarura]
“1.Agjencitë e pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre. Agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës.
2.Agjencitë e pavarura kanë buxhetin e tyre, i cili administrohet në mënyrë të pavarur, në pajtim me ligjin.
3.Secili organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të agjencive të pavarura gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, në pajtim me ligjin.”
Ligji nr. 05/L-092 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe me Ligjin nr. 05/L-068 i 1 marsit 2016
Neni 101
Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së
1. Nëse ndaj kryetarit apo një anëtari të OSHP-së ngritët aktakuzë për vepër penale, ai/ajo
suspendohet me pagesë prej pesëdhjetë për qind (50%) të pagës së tij/ saj, deri në largimin e tij/saj ose derisa të shpallet i pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës. Suspendimi hyn në fuqi që nga momenti i ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit.
2. Gjykata kompetente në ditën e ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit apo ndonjë anëtari të
OSHP-së e dërgon njoftimin tek Kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për suspendimin e kryetarit apo anëtarit të tij.
3. Kryetari ose anëtari i OSHP-së largohet nga detyra nëse ai/ajo shpallet fajtor për ndonjë
vepër penale me anë të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës. Ky largim hyn në fuqi që nga momenti i shqiptimit të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës, me të cilin aktgjykim njoftohet kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit, si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për largimin e kryetarit apo anëtarit të tij.
4. Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit,
shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj.
Ligji nr. 05/L -068 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 i 6 janarit 2016
Neni 102
Suspendimi dhe largimi i anëtarëve të OSHP-së
“Nëse një anëtar i OSHP-së i nënshtrohet një procedure gjyqësore në të cilën akuzohet për
vepër penale lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë në OSHP, suspendohet nga puna. Nëse një
anëtar i OSHP-së është dënuar për ndonjë vepër penale lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë në OSHP, largohet nga puna.”
Ligji nr. 04/l-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, Plotësuar dhe Ndryshuar me Ligjin nr.04/L-237, Ligjin nr. 05/L-068 dhe Ligjin nr.05/L-092 i 19 shtatorit 2011
Neni 98
Organi Shqyrtues i Prokurimit
“1. OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj.
2. OSHP do të jetë organ i pavarur për shqyrtim administrativ. OSHP-ja përbëhet nga pesë (5) anëtarë të Bordit. Për mbështetje administrative OSHP-së i ndihmon Sekretariati i cili udhëhiqet nga Kryesuesi i Sekretariatit. Asnjë person ose zyrtar publik nuk mund të ushtrojë ose të përpiqet të ushtrojë ndikim politik ose ndikim të paligjshëm në OSHP apo ndonjë punonjësi të tij për ndonjë vendim. Ndikimi nuk do të konsiderohet politik apo i paligjshëm nëse shfaqet në mënyre te hapur, në pajtim me rregullat e ligjit dhe procedurave, dhe në besim të plote se haptas avancon ankesën ose mbrojtjen.
3. OSHP është autoritet publik dhe organizatë buxhetore. OSHP është subjekt i të gjitha dispozitave të zbatueshme, ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës, në masë të njëjtë sikurse autoritetet e tjera publike dhe organizatat buxhetore.”
Neni 99
Funksionet dhe Kompetencat e OSHP
“1. OSHP është përgjegjëse për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimit sipas Pjesës IX të këtij ligji dhe kanë autoritetin dhe përgjegjësitë e parashikuara në atë Pjesë.
2. Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të
dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e
obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga
pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare.
3. Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në
pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative.”
Neni 100
Emërimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së
“1. Bordi i OSHP-së përbëhet prej pesë (5) anëtarëve të emëruar për një periudhë pesë (5) vjeçare, pa të drejtë riemërimi.
2. Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së, të paktën nëntëdhjetë (90) ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve aktualë. Kuvendi emëron kryetarin dhe secilin anëtarë të OSHP-së, bazuar në rekomandimin e dhënë nga një organ përzgjedhës i pavarur. Organi përzgjedhës i pavarur interviston, vlerëson dhe klasifikon me pikë kandidatët bazuar në meritë. Kuvendi emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së. Në çdo rast, organi përzgjedhës i pavarur ia dorëzon Kuvendit listën e plotë të kandidatëve të vlerësuar.
3. Organi përzgjedhës i pavarur, sipas paragrafit 2 të këtij neni, themelohet nga Kuvendi dhe përbëhet prej tre (3) gjyqtarëve të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
4. Çdo kandidatë që propozohet për kryetar ose anëtar të OSHP-së, duhet të ketë kualifikimet dhe plotësojë kriteret vijuese:
4.1. të jetë shtetas i Kosovës;
4.2. të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale ose të mos jetë i akuzuar për ndonjë
vepër penale;
4.3. të ketë të përfunduar provimin e jurisprudencës;
4.4. të ketë së paku tre (3) vjet përvojë profesionale në njërën nga këto fusha: drejtësi,
administratë publike, financa publike ose prokurim;
4.5. të ketë aftësi për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndërgjegjshme, me
vendosmëri dhe përgjegjshmëri.”
Neni 101
Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së
“1. Nëse ndaj kryetarit apo një anëtari të OSHP-së ngritët aktakuzë për vepër penale, ai/ajo suspendohet me pagesë prej pesëdhjetë për qind (50%) të pagës së tij/ saj, deri në largimin e tij/saj ose derisa të shpallet i pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës. Suspendimi hyn në fuqi që nga momenti i ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit.
2. Gjykata kompetente në ditën e ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit apo ndonjë anëtari të OSHP-së e dërgon njoftimin tek Kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për suspendimin e kryetarit apo anëtarit të tij.
3. Kryetari ose anëtari i OSHP-së largohet nga detyra nëse ai/ajo shpallet fajtor për ndonjë vepër penale me anë të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës. Ky largim hyn në fuqi që nga momenti i shqiptimit të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës, me të cilin aktgjykim njoftohet kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit, si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për largimin e kryetarit apo anëtarit të tij.
4. Përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj.”
Neni 116
Procedurat e vendimmarrjes
“1. Çështjet që parashtruesi i ankesës i ka identifikuar në njoftimin e paraqitur në përputhje me paragrafin 5. dhe 6. të nenit 115 i këtij ligji do të shqyrtohen dhe do të vendosen OSHP.
2. Procedurat do të ushtrohen në përputhshmëri me dispozitat e kësaj Pjesë IX dhe Rregulloren e Punës sipas nenit 107 i këtij ligji.
3. Para marrjes së një vendimi përfundimtar mbi një çështje, OSHP mund të kërkojë nga autoriteti kontraktues dhe/ose parashtruesi i ankesës që të sigurojë informata dhe/ose shpjegime shtesë. OSHP ka të drejtë që të kërkojë nga çdo person, ndërmarrje ose autoritet publik që të dorëzojë materiale ose dëshmi që me arsye mendon se kanë të bëjnë me çështjen
përkatëse. Ngjashëm, OSHP ka të drejtë që të kërkojë nga çdo person, ndërmarrje ose autoritet publik që të sigurojë dëshmi që paneli shqyrtues me arsye mendon se kane të bëjnë me çështjen përkatëse.
4. Me kërkesë të parashtruesit të ankesës ose autoriteti kontraktues OSHP mund të lejojë për
një mundësi të paraqesë informacion shtesë dhe / ose shpjegime. Paragrafi 3 i këtij neni vlen në mënyrë të ngjashme.
5. Nëse cilado palë në procedurë dështon ose refuzon që të marrë pjesë plotësisht në procedurat ose që të përmbushë kërkesat e kësaj Pjese IX, Rregulloren e Punës që përshkruhet në nenin 107 i këtij ligji, ose një urdhër të nxjerrë nga OSHP, paneli shqyrtues e merr vendimin në bazë të provave që i ka në dispozicion dhe në bazë të argumenteve të sjella nga palët me pjesëmarrje aktive në procedurë. OSHP është i autorizuar ta trajtojë (zgjidhë) refuzimin ose dështimin e tillë, siç e sheh të arsyeshme, duke: (i) vendosur mbi çfarëdo çështje ligjore dhe/ose çështje faktike në favor ose kundër palës kundërshtuese, dhe/ose (ii) vendosur mbi çfarëdo pretendimi në favor ose kundër palës kundërshtuese.
6. Një vendim i OSHP-së për ri-vlerësim të përzgjedhjes së ofertuesve ose dhënies së kontratës nuk nënkupton një ndryshim në rezultatin fillestar”
Neni 119
Veprimet e Gjykatave
“1. Nëse parashtruesi i ankesës mendon se vendimi përfundimtar ose konstatimi i një paneli shqyrtues ose OSHP-ja është në kundërshtim me faktet ose me këtë ligj, parashtruesi i ankesës mund të kërkojë nga Gjykata Themelore shqyrtimin e vendimit. Kërkesa duhet të dorëzohet brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e publikimit të vendimit të OSHP-së në përputhje me paragrafin 2 të nenit 117 të këtij ligji.
2. Nëse, pas shqyrtimit të cekur më lartë, gjykata konstaton se një pretendim i bërë nga parashtruesi i ankesës në ankesën e mëparshme që i është dorëzuar OSHP nuk ka qenë i pavlefshëm, gjykata do të lëshojë një urdhër duke kërkuar nga OSHP që të ia kthejë parashtruesit të ankesës dhe çfarëdo gjobe që i është vendosur atij sipas nenit 118 të këtij ligji.
3. Nëse pas shqyrtimit të cekur më lartë, gjykata konstaton se një pretendim i bërë nga parashtruesi i ankesës në ankesën e tij të mëparshme që i është dorëzuar OSHP-së është bërë në mënyrë të vlefshme, gjykata lëshon një urdhër (i) duke e shfuqizuar ose ndryshuar çfarëdo urdhri ose vendimi të marrë nga OSHP-ja, dhe/ose (ii) nëse parashtruesi i ankesës mund të demonstrojë se ai është dëmtuar nga veprimi ose mos-veprimi i autoritetit kontraktues, atëherë gjykata gjithashtu mund të kërkojë nga autoriteti kontraktues që t’ia paguajë parashtruesit të ankesës kompensimin për dëmin e shkaktuar.
Neni 120
Raportimi në Kuvend
“OSHP do t’i raportojë çdo vit Kuvendit mbi mbarëvajtjen e procedurave të përcaktuara të
shqyrtimit të prokurimit ose në bazë të kësaj Pjese IX.”
Neni 121
Dërgimi i Informacioneve
“1. Për çdo vit kalendarik, OSHP do t’i sigurojë Kuvendit, më së voni deri në fund të shkurtit të vitit pasues kalendarik, informacionet dhe të dhënat në vijim, sipas llojeve të procedurave dhe objekteve të aktivitetit përkatës të prokurimit:
1.1. numrin e përgjithshëm të ankesave të pranuara;
1.2. numrin e ankesave të refuzuara për shkak të mungesës së afateve kohore ose joplotësisë sipas nenit 109 të këtij ligji ose nenit 111 të këtij ligji ose dështimin për të depozituar sigurimin e kërkuar nga neni 118 të këtij ligji;
1.3. numrin e ankesave që janë konstatuar se nuk përmbajnë pretendime të vlefshme;
1.4. numrin e aktiviteteve të prokurimit që janë anuluar si rezultat i një ankese;
1.5. informata të detajuara mbi çdo ngjarje ku autoriteti kontraktues ka dështuar në
respektimin e një urdhërese të OSHP-së; dhe
1.6. numrin e procedurave të shqyrtimit që kanë rezultuar në konstatimin se aktiviteti përkatës i prokurimit dhe dhënia ose vendimi janë bërë në mënyrë të vlefshme.
2. Qeveria, në konsultim me OSHP dhe në bazë të informacioneve që janë përshkruar në paragrafin 1. të këtij neni do të përgatisë propozimin e masave që kanë për qëllim reduktimin
ose eliminimin e disa shkeljeve të caktuara dhe të përsëritura, duke përfshirë edhe përgatitjen e propozim-amendamenteve për këtë ligj.”
LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 4
Parimi i ligjshmërisë
“Në konfliktin administrativ gjykata kompetente vendos në bazë të kushtetutës dhe ligjeve.”
Neni 16
Pa titull
“1. Akti administrativ përfundimtar mund të kundërshtohet:
1.1. për shkak se nuk janë aplikuar fare ose nuk janë aplikuar drejt dispozitat ligjore;
1.2 . për shkak se akti është nxjerrë nga organi jo kompetent;
1.3. për shkak se në procedurë, që i ka paraprirë aktit, nuk është vepruar sipas rregullave të
procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike, apo nëse nga faktet e vërtetuara është
nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike;
1.4. për shkak se me aktin përfundimtar administrativ i nxjerrë sipas vlerësimit të lirë, organi i ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor ose akti i tillë nuk është nxjerrë në pajtim me qëllimin e këtij ligji;
1.5. për shkak se pala e paditur e ka nxjerrë përsëri aktin e vetë të mëhershëm, më parë të
anuluar më aktgjykimin e formës së prerë të gjykatës kompetente.
2. Akti administrativ nuk mund të kundërshtohet për aplikim jo të drejtë të dispozitave, kur organi kompetent ka vendosur sipas vlerësimit të lirë në bazë të autorizimeve dhe në kuadrin e kufijve që i janë dhënë me dispozitat ligjore, në pajtim me qëllimin për të cilin i është dhënë autorizimi.”
Neni 23
Kompetenca dhe mjetet juridike
“1. Për paditë kundër akteve administrative të të gjitha organeve vendos gjykata kompetente për çështjet administrative në shkallë të parë, nëse me dispozita të tjera ligjore nuk është përcaktuar ndryshe.
2. Kundër vendimit të nxjerrë në konfliktin administrativ, ankesa mund të paraqitet te gjykata kompetente për çështje administrative e shkallës së dytë.”
Neni 26
Procedura në bazë të padisë
“1. Konflikti administrativ fillohet me padi
2. Me padi mund të kërkohet:
2.1. anulimi ose shpallja e pavlefshme e aktit kontestues;
2.2. nxjerrja e aktit administrativ, i cili nuk është nxjerrrur në afatin e parashikuar; dhe
2.3. kthimi i sendeve të marrura dhe kompenzimi i dëmit i shkaktuar me ekzekutimin e aktit
administrativ të kontestuar.”
RREGULLORE E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS (KUV-08 -V-349-RR)
Neni 110
Zgjedhja dhe emërimi në organet e formuara me ligj
Zgjedhja dhe emërimi i organeve të formuara me ligj, bëhet nga Kuvendi, përveç në rastet kur me ligj është përcaktuar ndryshe.
Me marrjen e propozimit, sipas ligjit, Kryetari i Kuvendit e ngarkon Komisionin përgjegjës raportues për shqyrtimin e kandidaturave të anëtarëve të propozuar. Kuvendi e shqyrton propozimin në seancë plenare brenda dy (2) jave.
Në rastet kur kërkohet propozimi i kandidaturave nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit përgjegjës-raportues, i cili e shqyrton dhe e harton raportin përkatës brenda katër (4) javëve. Kuvendi e shqyrton propozimin e kandidaturave në seancë plenare brenda dy (2) jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit përgjegjës-raportues.
Në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e kushteve.
Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon nga e para me kandidatura të reja.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë e të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Fillimisht, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar”.
Përveç kësaj, Gjykata po ashtu i referohet paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur”.
Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të kontestuar të Kuvendit në lidhje me përmbajtjen e tij dhe procedurën e ndjekur.
Gjykata rikujton që 10 (dhjetë) a më shumë deputetë të Kuvendit legjitimohen të jenë “palë e autorizuar” në kuptim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës për të kontestuar kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji a akti të miratuar nga Kuvendi, si për nga përmbajtja ashtu dhe procedura e ndjekur. Në rastin konkret, dymbëdhjetë (12) deputetët e Kuvendit, legjitimohen të jenë palë e autorizuar dhe rrjedhimisht, në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, kanë të drejtën e kontestimit të kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] të 13 korrikut 2023 të Kuvendit para Gjykatës.
Gjykata më tej vlerëson se a është paraqitur kërkesa në afatin e përcaktuar prej “8 (tetë) ditësh nga data e miratimit”, ashtu siç përcaktohet në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata konstaton se Vendimi i kontestuar është miratuar më 13 korrik 2023, ndërsa kërkesa është parashtruar në Gjykatë më 20 korrik 2023. Me këtë rast, Gjykata konstaton se kërkesa u parashtrua brenda afatit kohor.
Përveç kësaj, Gjykata merr parasysh edhe nenin 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afatet) të Ligjit që rregullojnë parashtrimin e kërkesës në bazë të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili kërkon që kërkesa të saktësojë informatat e mëposhtme:
Nenin 42
(Saktësimi i kërkesës)
“1. Në kërkesën e ngritur në pajtim me nenin 113, paragrafi 6 të Kushtetutës, ndër të tjera, paraqiten informatat e mëposhtme:
1.1. emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
1.2. dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë kërkesë; dhe
1.3. paraqitjen e provave mbi të cilat mbështetet kontesti”.
Neni 43
(Afati)
“1. Një ligj apo vendim i miratuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje pas mbarimit të afatit të përcaktuar në pajtim me nenin 113, paragrafi 5 i Kushtetutës”.
Gjykata, po ashtu, i referohet rregullit 72 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) si dhe të Rregullores së punës, që parasheh:
Rregulli 72
(Kërkesa në pajtim me nenin 113. 5 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit)
“(1) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli duhet të përmbushë kriteret e
përcaktuara me paragrafin (5) të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42
(Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit.
(2) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli ka efekt suspenziv.
(3) Kërkesa e parashtruar sipas këtij rregulli, ndër të tjera, duhet të përmbajë
informatat e mëposhtme:
(a) emrat dhe nënshkrimet e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kontestojnë
kushtetutshmërinë e ligjit apo vendimit të nxjerrë nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës;
(b) dispozitat e Kushtetutës apo të ndonjë akti apo ligji që ka të bëjë me këtë
kërkesë; dhe
(c) paraqitjen e provave mbi të cilat mbështetet kontesti.
(4) Kërkesës duhet t’i bashkëngjitet një kopje e ligjit ose vendimit të kontestuar të
miratuar nga Kuvendi, regjistri dhe nënshkrimet personale të deputeteve që paraqesin kërkesën, si dhe autorizimi i personit që i përfaqëson ata para Gjykatës.”
Gjykata, sipas sqarimeve më lart, vëren që parashtruesit e kërkesës: (i) shënuan emrat dhe nënshkrimet e tyre në kërkesë; (ii) specifikuan Aktin e kontestuar të Kuvendit, përkatësisht Vendimin [nr. 08-V-583] e 13 korrikut 2023 për shkarkimin e një anëtareje të Bordit të OSHP-së dhe dorëzuan kopjen e tij; (iii) iu referuan dispozitave specifike kushtetuese, me të cilat ata pretendojnë se Akti i kontestuar nuk është në pajtueshmëri; (iv) paraqitën prova dhe dëshmi për të mbështetur pretendimet e tyre; si dhe (v) dorëzuan kërkesën, brenda afatit prej tetë (8) ditësh, siç përcakton paragrafi 5 i nenit 113 të Kushtetutës.
Rrjedhimisht, Gjykata e shpall kërkesën të pranueshme dhe në vijim do të shqyrtojë meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata së pari rikujton esencën e kërkesës, e cila, bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se: (i) Autoriteti Kontraktues, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, më 12 gusht 2022, kishte nxjerrë Njoftimin mbi vendimin përmes të cilit, kishte anuluar aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”; (ii) duke vepruar në bazë të ankesave të Operatorëve Ekonomik “Pharma Lider LCC” Prishtinë dhe “Meditech” sh.p.k Prishtinë, Paneli Shqyrtues i OSHP-së, më 11 tetor 2022, në mënyrë unanime, përmes Vendimit [PSH. 397/409/22], anuloi njoftimin e Autoritetit Kontraktues dhe ktheu lëndën në rivlerësim; (iii) më 10 maj 2023, Qeveria, përmes Propozim-Vendimit [Nr.13/142] lidhur me Vendimin [PSH. 397/409/22] të datës 11 tetor 2022 të Panelit Shqyrtues të OSHP-së, kishte vendosur që të propozojë Kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, znj. Kimete Gashi “për shkeljen e etikës profesionale”; (iv) më 13 korrik 2023, Kuvendi, me propozim të Qeverisë dhe përkundër faktit që Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit, kishte propozuar që e njëjta të mos shkarkohej, përmes Vendimit të kontestuar, vendosi për shkarkimin përkatës.
Vendimi i lartcekur i Kuvendit është kontestuar para Gjykatës nga dymbëdhjetë (12) deputetë të Kuvendit të Kosovës, me pretendimin që i njëjti është në kundërshtim me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 24 [Barazia para Ligjit], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], paragrafin 1 të nenit 65 paragrafi [Kompetencat e Kuvendit] si dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, në esencë sepse (i) Kuvendi ka vendosur për shkarkimin e anëtares së OSHP-së pa pasur bazë ligjore; (ii) Kuvendi ka shkarkuar anëtaren e OSHP-së për shkak të vendimmarrjes përkatësisht ushtrimit të kompetencave të saja si anëtare e OSHP-së; dhe (iii) Kuvendi ka tejkaluar autorizimet e tij të përcaktuara me Kushtetutë duke ndërhyrë në pushtetit gjyqësor sepse gjykatat veçse e kanë refuzuar padinë e Ministrisë së Shëndetësisë të paraqitur kundër Vendimit përkatës të OSHP-së.
Gjykata vë në pah se pretendimet e mësipërme në mënyrë specifike i referohen tejkalimit të rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj OSHP-së, si organ i pavarur shqyrtues që ushtron kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë të përcaktuara me ligj për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimit. Prandaj, në këtë kontekst, Gjykata do t’i trajtojë dhe shqyrtojë pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në kuadër të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, pasi që në esencë kërkesa ngre çështje të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve publike, përkatësisht ushtrimit të funksionit mbikëqyrës ndaj OSHP-së.
Marrë parasysh pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe argumentet dhe kundër-argumentet e palëve të interesuara para Gjykatës, kjo e fundit, në vijim, do të shqyrtojë rrethanat që ngërthen kjo kërkesë, dhe më saktësisht, fillimisht do të shtjellojë (i) parimet që ndërlidhen me kompetencat mbikëqyrëse të Kuvendit dhe ndërveprimin e Kuvendit me OSHP-në; dhe më pas (ii) do të zbatojë parimet e lartcekura në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar.
kompetenca mbikëqyrës e Kuvendit dhe ndërveprimi i Kuvendit me OSHP-në
Gjykata fillimisht rikujton që bazuar në ligjet e aplikueshme të prokurimit publik, përkatësisht sipas nenit 98 (Organi Shqyrtues i Prokurimit) të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Prokurimin Publik i vitit 2011), (i) OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj; (ii) OSHP do të jetë organ i pavarur për shqyrtim administrativ; (iii) OSHP-ja përbëhet nga pesë (5) anëtarë të Bordit, ndërsa për mbështetje administrative OSHP-së i ndihmon Sekretariati i cili udhëhiqet nga Kryesuesi i Sekretariatit; dhe (iv) asnjë person ose zyrtar publik nuk mund të ushtrojë ose të përpiqet të ushtrojë ndikim politik ose ndikim të paligjshëm në OSHP apo ndonjë punonjësi të tij për ndonjë vendim, ndërsa ndikimi nuk do të konsiderohet politik apo i paligjshëm nëse shfaqet në mënyre te hapur, në pajtim me rregullat e ligjit dhe procedurave, dhe në besim të plote se haptas avancon ankesën ose mbrojtjen. Ndërsa, sipas nenit 99 (Funksionet dhe Kompetencat e OSHP-së) të ligjit të lartcekur, (i) OSHP është përgjegjëse për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimit; (ii) në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare; dhe (iii) të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative.
Ligji i lartcekur, gjithashtu përcakton raportin e OSHP-së me pushtetin gjyqësor dhe atë legjislativ. Për sa i përket çështjes së parë, Gjykata vëren që vendimet e OSHP-së, i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Më saktësisht, bazuar në nenin 119 (Veprimet e Gjykatave) të ligjit të lartcekur, ndër tjerash, (i) nëse parashtruesi i ankesës mendon se vendimi përfundimtar ose konstatimi i një paneli shqyrtues ose OSHP-ja është në kundërshtim me faktet ose me këtë ligj, parashtruesi i ankesës mund të kërkojë nga Gjykata Themelore shqyrtimin e vendimit; (ii) nëse, pas shqyrtimit të cekur më lartë, gjykata konstaton se një pretendim i bërë nga parashtruesi i ankesës në ankesën e mëparshme që i është dorëzuar OSHP nuk ka qenë i pavlefshëm, gjykata do të lëshojë një urdhër duke kërkuar nga OSHP që të ia kthejë parashtruesit të ankesës dhe çfarëdo gjobe që i është vendosur atij sipas nenit 118 (Siguria, Gjobat dhe Dëmet) të këtij ligji; dhe (iii) nëse pas shqyrtimit të cekur më lartë, gjykata konstaton se një pretendim i bërë nga parashtruesi i ankesës në ankesën e tij të mëparshme që i është dorëzuar OSHP-së është bërë në mënyrë të vlefshme, gjykata lëshon një urdhër (a) duke e shfuqizuar ose ndryshuar çfarëdo urdhri ose vendimi të marrë nga OSHP-ja, dhe/ose (b) nëse parashtruesi i ankesës mund të demonstrojë se ai është dëmtuar nga veprimi ose mos-veprimi i autoritetit kontraktues, atëherë gjykata gjithashtu mund të kërkojë nga autoriteti kontraktues që t’ia paguajë parashtruesit të ankesës kompensimin për dëmin e shkaktuar.
Ndërsa, për sa i përket raportit me Kuvendin, Gjykata vëren që raporti në mes OSHP-së dhe Kuvendit, është i përcaktuar në ligjet e aplikueshme ndërlidhur me prokurimin publik. Ky raport është i saktësuar në dispozitat që përcaktojnë emërimin, suspendimin, shkarkimin e anëtarëve të OSHP-së si dhe detyrimet që ndërlidhen me raportimin. Më saktësisht dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, bazuar në nenin 100 (Emërimi i anëtarëve të OSHP) të Ligjit nr. 05/L-092 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe me Ligjin nr. 05/L-068 (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Prokurimin Publik i marsit të vitit 2016), (i) Bordi i OSHP-së përbëhet prej pesë (5) anëtarëve të emëruar për një periudhë pesë (5) vjeçare, pa të drejtë riemërimi; dhe (ii) Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së, të paktën nëntëdhjetë (90) ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve aktualë; (iii) Kuvendi emëron kryetarin dhe secilin anëtarë të OSHP-së, bazuar në rekomandimin e dhënë nga një organ përzgjedhës i pavarur, i cili themelohet nga Kuvendi dhe përbëhet prej tre (3) gjyqtarëve të emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në anën tjetër, bazuar në nenin 101 (Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së) të Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, Kuvendi, përjashtimisht, ka kompetencën, që me propozim të Qeverisë, të shkarkojë Kryetarin apo një anëtarë të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”.
Më tej, raporti që ndërlidhet me raportimin, është i përcaktuar në nenin 120 (Raportimi në Kuvend) të Ligjit për Prokurimin Publik të vitit 2011, dhe sipas të cilit, ndër tjerash, OSHP do t’i raportojë çdo vit Kuvendit mbi mbarëvajtjen e procedurave të përcaktuara të shqyrtimit të prokurimit, ndërsa sipas përcaktimeve të nenit 121 (Dërgimi i Informacioneve) të ligjit të lartcekura, ndër tjerash, për çdo vit kalendarik, OSHP do t’i sigurojë Kuvendit, më së voni deri në fund të shkurtit të vitit pasues kalendarik, informacionet dhe të dhënat sipas përcaktimeve të ligjit.
Bazuar në sqarimet e lartcekura, nuk është kontestuese pavarësia funksionale dhe vendimmarrëse e OSHP-së, sipas përcaktimeve të ligjit, dhe e cila, bazuar në ligjet e aplikueshme, i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor. Gjithashtu, nuk është kontestuese që OSHP, bazuar në ligjin e aplikueshëm, i nënshtrohet mbikëqyrjes së Kuvendit, sipas përcaktimeve të ligjit të aplikueshëm. Kontestuese në rrethanat e rastit konkret, është nëse Kuvendi, në kuadër të autorizimeve mbikëqyrëse të saj ndërlidhur me OSHP-në, ka patur kompetencën ligjore për të shkarkuar anëtarin përkatës të OSHP-së. Për të vlerësuar këtë çështje, Gjykata në vijim, do të fokusohet në kompetencën mbikëqyrëse të Kuvendit në raport më OSHP-në, dhe më saktësisht ndërlidhur me shkarkimin e anëtarëve të saj.
Në kontekstin e lartcekur, Gjykata fillimisht vëren që paragrafi 9 i nenit 65 të Kushtetutës përcakton se Kuvendi mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe të institucioneve tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit. Sipas sqarimeve të lartcekura, nuk është kontestuese që OSHP, bazuar në ligjin e aplikueshëm, është institucion që i raporton dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes së Kuvendit në mënyrën e përcaktuar në ligjet e aplikueshme për prokurimin publik.
Gjykata vlerëson të rëndësishme të vë theks në rolin e Kuvendit në ushtrimin e funksionit të tij thelbësor të mbikëqyrjes. Gjykata, në këtë kontekst, vë në pah se bazuar në paragrafin 2 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] të Kushtetutës, Kuvendi ushtron pushtetin legjislativ. Këtë funksion, Kuvendi e ushtron bazuar në kompetencat e përcaktuara në nenin 65 të Kushtetutës, përfshirë kompetencën (i) për të miratuar ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme, siç është përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni; dhe (ii) për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit, siç është përcaktuar në paragrafin 9 të këtij neni. Që të dyja këto kompetenca të Kuvendit përbëjnë thelbin e funksionit kushtetues të tij (shih rastin e Gjykatës KO134/21, parashtrues, Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 1 gushtit 2023, paragrafi 111).
Thënë këtë, dhe siç është shtjelluar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, në ushtrimin e këtyre kompetencave, Kuvendi është i kufizuar në respektimin e dispozitave kushtetuese, duke përfshirë nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, bazuar në të cilin deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të vendit dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit. Për më tepër, në kontekst të ushtrimit të kompetencës së mbikëqyrjes, Kuvendi është i kufizuar, ndër të tjera, në dispozitat themelore të Kushtetutës, me theks në (i) parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, siç është saktësuar në nenin 4 të Kushtetutës; dhe (ii) vlerat themelore të Republikës së Kosovës, siç janë të saktësuara në nenet 3 dhe 7 të Kushtetutës, respektivisht. Gjithashtu, në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes, Kuvendi është i kufizuar edhe në respektimin e ligjit të aplikueshëm të cilin e miraton vet, sipas paragrafit 1 të nenit 65 të Kushtetutës. Detyrimi për të vepruar në përputhje me ligjin e aplikueshëm është saktësisht i përcaktuar në (i) paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës; dhe (ii) nenin 74 të Kushtetutës. Çdo tejkalim i autorizimeve kushtetuese dhe ligjore në ushtrimin e kompetencës mbikëqyrëse të Kuvendit, mund të rezultojë në cenim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve siç është saktësuar në nenin 4 të Kushtetutës, por edhe të neneve 3 dhe 7 të Kushtetutës, respektivisht, dhe gjithashtu në cenim të pavarësisë kushtetuese dhe/ose ligjore të institucionit përkatës, mbi të cilën ushtrohet kjo mbikëqyrje nga Kuvendi. (shih rastin e Gjykatës KO134/21, paragrafi 111).
Në kontekst të kompetencave të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të institucioneve, agjencive të pavarura dhe/ose organeve të themeluara nga vet Kuvendi, Gjykata, tashmë ka konsoliduar praktikën e saj gjyqësore, dhe ndër tjerash, në rastin e Gjykatës KO134/21 lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së, ka theksuar ndër tjerash, që kompetenca e Kuvendit për të ushtruar mbikëqyrjen ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve i raportojnë Kuvendit, është kompetencë thelbësore e Kuvendit të Republikës. Gjykata gjithashtu thekson që kjo kompetencë ushtrohet bazuar ne kufizimet e përcaktuara ne Kushtetute dhe/ose ligjet te cilat i miraton po Kuvendi. Ky i fundit, përmes miratimit te ligjeve, vet ka përcaktuar kufijtë e ushtrimit te kompetencës se tij mbikëqyrëse, përfshirë edhe rrethanat ne te cilat mund te shkarkohen anëtarët e organit përkatës. Ne ushtrimin e funksionit te mbikëqyrjes, Kuvendi nuk mund te tejkaloje kufijtë te cilët vet i ka përcaktuar përmes miratimit te ligjit përkatës (shih, rastin e Gjykatës KO134/21, paragrafi 171).
Prandaj, dhe bazuar në parimet e lartcekura, nuk është kontestuese që Kuvendi ka kompetencë mbikëqyrëse ndaj OSHP-së, sipas përcaktimeve të ligjeve përmes të cilave e njëjta është themeluar, përkatësisht ligjeve të aplikueshme për prokurimin publik. Kjo kompetencë, përfshinë edhe atë të shkarkimit të anëtarëve të OSHP-së, gjithnjë sipas përcaktimeve që vet Kuvendi ka përcaktuar përmes miratimit të ligjeve të lartcekura. Rrethanat në të cilat mund të shkarkohet një anëtarë i OSHP-së, janë të saktësuara në ligjet e aplikueshme lidhur me prokurimin publik, siç do të sqarohet në vijim.
Në kontekst të kompetencës së Kuvendit për të shkarkuar anëtarin e OSHP-së, Gjykata fillimisht vëren që bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik të vitit 2011, përkatësisht nenin 101 (Pezullimi dhe largimi i një anëtari të OSHP) të tij, largimi dhe pezullimi i një anëtari të OSHP i nënshtrohet të njëjtave rregullave dhe procedura të parapara me këtë ligj për anëtarët e KRPP-së. Largimi dhe suspendimi i këtyre të fundit, sipas nenit 93 (Largimi dhe Suspendimi i Anëtarëve), i është nënshtruar vendimmarrjes së gjykatave. Më saktësisht, (i) nëse, në çdo kohë, Qeveria apo Kuvendi, konsiderojnë se ka arsye për largimin e një anëtari të KRPP, përkatësisht OSHP-së, mund të paraqesin çështjen për vendim në gjykatën kompetente, duke dhënë arsye që e vërtetojnë këtë dhe të gjitha dokumentet e provave të kërkuara nga gjykata; (ii) gjykata kompetente do të nxjerrë urdhrin me të cilin largohet ose pezullohet anëtari i KRPP-së nga detyra nëse, pas mbajtjes së një seance të plotë dhe të ndershme dëgjimi mbi këtë çështje, gjykata në fjalë konstaton se anëtari përkatës (a) nuk i plotëson, ose më nuk i plotëson, kërkesat për të qenë anëtar të specifikuara në nenin 89 (Emërimi i Anëtarëve) të këtij ligji, (b) ka kryer vepër penale ose të pamoralshme gjatë ose lidhur me udhëheqjen e detyrave të veta zyrtare, (c) është ngatërruar në rastin e përshkruar në paragrafin 1. të nenit 130 (Ndikimi i Paligjshëm) të këtij ligji ose (d) ka përhapur me dashje ose ka përhapur më shumë se një herë nga pakujdesia informacion që KRPP ligjërisht e ka cilësuar si “të fshehtë”; (iii) nëse vendimi i gjykatës i nënshtrohet procedurave ose ankesave të mëtejme, gjykata do të nxjerrë një urdhër për suspendimin e anëtarit deri në marrjen e vendimit përfundimtar lidhur me këtë çështje, ndërsa nëse vendimi i gjykatës nuk u nënshtrohet procedurave dhe ankesave të mëtejme, gjykata do të nxjerrë një urdhër duke larguar anëtarin në fjalë; dhe (iv) nëse një anëtar i KRPP-së i nënshtrohet një procedure gjyqësore në të cilën anëtari akuzohet të ketë kryer vepër penale ose vepër që bie ndesh me etikën profesionale gjatë ose lidhur me udhëheqjen e detyrave profesionale ose është ngatërruar në rastin e përshkruar në paragrafin 1. të nenit 130 (Ndikimi i Paligjshëm) të këtij ligji, gjykata mund të jap urdhër me të cilin suspendon anëtarin e tillë, derisa gjykata të ketë rast për mbajtjen e një seance të plotë dhe të ndershme të dëgjimit lidhur me akuzat, dhe të nxjerr vendim lidhur me këtë çështje.
Përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit të lartcekur, është ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe mënyra e suspendimit dhe largimit të anëtarëve të OSHP-së. Më saktësisht përmes Ligjit nr. 05/L-068 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237 (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Prokurimin Publik i janarit të vitit 2016), (i) së pari, në nenin 93 (Pezullimi dhe suspendimi i anëtarëve të KRPP-së) të tij, është saktësuar që nëse një anëtar i KRPP-së i nënshtrohet një procedure gjyqësore në të cilën akuzohet për vepër penale apo nëse ka kryer ndonjë vepër që bie ndesh me etikën profesionale dhe profesionalizimin lidhur me detyrat profesionale largohet apo suspendohet, ndërsa që procedura e largimit dhe suspendimit të anëtarëve të KRPP-së është e njëjtë me procedurat e emërimit të tyre; ndërsa (ii) së dyti, në nenin 102 (Suspendimi dhe largimi i anëtarëve të OSHP-së) të tij, është saktësuar që nëse një anëtar i OSHP-së i nënshtrohet një procedure gjyqësore në të cilën akuzohet për vepër penale lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë në OSHP, suspendohet nga puna, ndërsa nëse një anëtar i OSHP-së është dënuar për ndonjë vepër penale lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë në OSHP, largohet nga puna.
Në fund, vetëm tre muaj më pas, përkatësisht në mars të vitit 2016, është ndryshuar dhe plotësuar sërish Ligji për Prokurimin Publik, përmes Ligjit nr. 05/L-092 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237 dhe me Ligjin nr. 05/L-068 dhe është ndryshuar mënyra e suspendimit, largimit dhe shkarkimit të kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së. Më saktësisht, përmes nenit 101 (Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së) të tij, është saktësuar që (i) nëse ndaj kryetarit apo një anëtari të OSHP-së ngritët aktakuzë për vepër penale, ai/ajo suspendohet me pagesë prej pesëdhjetë për qind (50%) të pagës së tij/ saj, deri në largimin e tij/saj ose derisa të shpallet i pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës, ndërsa suspendimi hyn në fuqi që nga momenti i ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit; (ii) gjykata kompetente në ditën e ngritjes së aktakuzës ndaj kryetarit apo ndonjë anëtari të OSHP-së e dërgon njoftimin tek Kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për suspendimin e kryetarit apo anëtarit të tij; (iii) Kryetari ose anëtari i OSHP-së largohet nga detyra nëse ai/ajo shpallet fajtor për ndonjë vepër penale me anë të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës dhe ky largim hyn në fuqi që nga momenti i shqiptimit të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës, me të cilin aktgjykim njoftohet kryetari i Kuvendit, i cili në emër të Kuvendit, si institucion që e ka emëruar, e njofton OSHP-në për largimin e kryetarit apo anëtarit të tij; dhe (iv) përveç siç është paraparë në paragrafin 3 të këtij neni, Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”.
Bazuar në sqarimet e lartcekura, dhe ndryshimet ndër vite, të Ligjit për Prokurimin Publik për sa i përket mënyrës së suspendimit dhe largimit nga funksioni të anëtarit të OSHP-së, Gjykata vëren që, marrë parasysh rëndësinë, kompetencat dhe pavarësinë e OSHP-së, ligjet e aplikueshme, në parim, kanë përcaktuar që anëtari i OSHP-së, mund të largohet nga funksioni vetëm me vendim gjyqësor. Më saktësisht, bazuar në ligjet e aplikueshme, (i) suspendimi dhe/ose largimi nga funksioni është përcaktuar vetëm përmes vendimit të gjykatës kompetente; (ii) me ndryshimet e parapara në janar të vitit 2016, është mundësuar suspendimi i anëtarit të OSHP-së, me rastin e ngritjes së një aktakuze; ndërsa (iii) me ndryshimet e parapara në mars të vitit 2016, përjashtimisht është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria i propozon Kuvendit, shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”. Është kjo bazë, përkatësisht mundësia që Qeveria të propozojë Kuvendit, shkarkimin e Kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, siç është përcaktuar në nenin 101 (Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së) të Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, që është shkarkuar anëtarja e OSHP-së në rrethanat e rastit konkret.
Përkitazi me pavarësinë e OSHP-së në kontekst të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës
Gjykata së pari thekson se Kushtetuta, në Kapitullin XII [Institucionet e Pavarura] të saj, ka listuar institucionet e pavarura, duke rregulluar rolin dhe statusin e tyre.
Në këtë kuptim, Gjykata u referohet institucioneve të pavarura sipas Kapitullit XII [Institucionet e Pavarura] të Kushtetutës, konkretisht neneve 132-135 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit]; 136-138 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës]; 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve]; 140 [Banka Qendrore e Kosovës]; dhe 141 [Komisioni i Pavarur i Mediave].
Gjykata vëren po ashtu se në Kapitullin XII të Kushtetutës, përkatësisht neni 142 është autorizuar Kuvendin që me ligj përkatës të themelojë Agjenci të Pavarura, të cilat do të funksionojnë mbi bazën e një ligji të tillë. Së këndejmi, neni 142 [Agjencitë e Pavarura] i Kushtetutës përcakton:
“1.Agjencitë e pavarura të Republikës së Kosovës janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre. Agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës
2.Agjencitë e pavarura kanë buxhetin e tyre, i cili administrohet në mënyrë të pavarur, në pajtim me ligjin.
3.Secili organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të agjencive të pavarura gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, në pajtim me ligjin.”
Gjykata vëren se Kushtetuta, në kuptim të statusit, bën dallimin në mes të institucioneve të themeluara me Kushtetutë, përkatësisht atyre të përcaktuara në Kapitullin XII të Kushtetutës dhe Agjencive të Pavarura, të themeluara mbi bazën nenit 142 të Kushtetutës. Në lidhje me të parat, roli dhe autorizimet kushtetuese janë shprehimisht të rregulluara me dispozita kushtetuese, ndërsa në lidhje me të dytat, roli dhe autorizimet e tyre janë të përcaktuar me ligj (shih, rastet e Gjykatës, KO139/21 parashtrues Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, Aktgjykim i 5 prillit 2023, paragrafi 110; dhe KO171/18, parashtrues Avokati i Popullit, Aktgjykimi i 25 prillit 2019, paragrafi 157).Ndonëse autorizimet e Agjencive të Pavarura nga neni 142 i Kushtetutës janë shprehimisht të rregulluara me ligj, Gjykata në jurisprudencën e saj ka mbajtur qëndrim se pavarësia e tyre gëzon mbrojtje kushtetuese (shih rastin e Gjykatës KO 216/22 dhe KO222/22 parashtrues, KO216/22, Isak Shabani dhe 10 (dhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; KO220/22, Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 2 gushtit 2023, paragrafët 275-280).
Gjykata thekson se nenin 142 i Kushtetutës, në kuadër të Kapitullit XII, përcakton mundësinë e krijimit të Agjencive të Pavarura nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse, të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre. Sipas këtij neni, këto agjenci, funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës dhe këto organe dhe/ose autoritet janë të detyruara të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të Agjencive të Pavarura gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre ligjore, në pajtim me ligjin përkatës (shih, rastin e Gjykatës KO127/21, parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2021, paragrafi 77).
Gjykata thekson se neni 142 i Kushtetutës paraqet bazën kushtetuese për themelimin e Agjencive të Pavarura, duke përcaktuar se janë institucione të krijuara nga Kuvendi, në bazë të ligjeve përkatëse të cilat rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre (shih, rastin e Gjykatës KO127/21, parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, cituar më lart, paragrafi 78; dhe KO171/18, parashtrues Avokati i Popullit, Aktgjykim i 25 prillit 2019, paragrafët 155-159).
Në këtë kontekst, Gjykata po ashtu i referohet nenit 38 (Themelimi i agjencive të pavarura) të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura që përcakton: (i) agjencitë e pavarura themelohen me ligj në bazë të nenit 142 të Kushtetutës; (ii) nuk janë pjesë e kompetencave të pushtetit ekzekutiv të Qeverisë sipas Kushtetutës; (iii) i shërbejnë Kuvendit për ushtrimin e mbikëqyrjes/kontrollit parlamentar të specializuar të ligjshmërisë dhe integritetit në fusha të caktuara të veprimtarisë administrative; (iv) Ligji për themelimin e një agjencie të pavarur rregullon organizimin, funksionimin dhe kompetencat e agjencisë së pavarur.
Gjykata po ashtu i referohet nenit 98 (Organi Shqyrtues i Prokurimit) i Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, ndër të tjera, përcakton: (i) OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj; (ii) OSHP do të jetë organ i pavarur për shqyrtim administrativ; (iii) OSHP-ja përbëhet nga pesë (5) anëtarë të Bordit dhe për mbështetje administrative OSHP-së i ndihmon Sekretariati i cili udhëhiqet nga Kryesuesi i Sekretariatit; (iv) OSHP është autoritet publik dhe organizatë buxhetore dhe është subjekt i të gjitha dispozitave të zbatueshme, ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.
Gjykata i referohet nenit 99 (Funksionet dhe Kompetencat e OSHP) i Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik i të ndryshuar përmes Ligjit nr. 05/L-068, ndër të tjera, përcakton: (i) OSHP është përgjegjëse për zbatimin e procedurave për shqyrtimin e prokurimit; (ii) OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare; (iii) të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative.
Gjykata i referohet nenit 106 (Themelimi dhe përbërja e paneleve shqyrtuese) i Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, ndër të tjera, përcakton: (i) OSHP organizon punën e saj në një numër të paneleve shqyrtuese; (ii) OSHP është përgjegjëse për nxjerrjen e rregullave të brendshme në lidhje me emërimin e anëtarëve për një panel shqyrtues, të cilat nënshkruhen nga Kryetari i OSHP-së; (iii) Paneli shqyrtues mund të përbëhet nga një, tre ose pesë anëtarë.
Gjykata i referohet nenit 120 (Raportimi në Kuvend) i Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, përcakton se OSHP do t’i raportojë çdo vit Kuvendit mbi mbarëvajtjen e procedurave të përcaktuara të shqyrtimit të prokurimit.
Gjykata vlerëson se OSHP-ja është: (i) organi i themeluar me ligj bazuar në nenin 142 të Kushtetutës; (ii) nuk është pjesë e kompetencave të pushtetit ekzekutiv të Qeverisë sipas Kushtetutës; (iii) ushtron funksionet autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë në sferën e specializuar të prokurimit publik; (iv) ka organet e saj gjegjësisht panelet shqyrtuese dhe mbështetjen administrative nga sekretariati i saj; dhe, (v) raporton çdo vit Kuvendit mbi mbarëvajtjen e procedurave të përcaktuara të shqyrtimit të prokurimit.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se neni 142 i Kushtetutës është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, për aq sa ligji përkatës parashikon dhe përcakton pavarësinë funksionale, vendimmarrëse dhe organizative të OSHP-së si agjenci e pavarur.
Thënë këtë, dhe përtej bazës së lartcekur kushtetuese-ligjore, Gjykata duhet të vlerësoj nëse marrë parasysh rrethanat specifike të rastit konkret, Kuvendi në shkarkimin e anëtares përkatëse të OSHP-së, ka vepruar në kuadër të autorizimeve ligjore të mbikëqyrjes së OSHP-së.
Zbatimi i parimeve të përgjithshme në vlerësim kushtetues të Vendimit të kontestuar
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që, nga shkresat e lëndës rezulton që, procedura kishte filluar kur Ministria e Shëndetësisë, kishte nxjerrë Njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit ndërlidhur me furnizim me insulina analoge, si pasojë e të cilit, dy operatorë ekonomik, kishin parashtruar ankesë në OSHP. Kjo e fundit, pas analizës së ekspertizës së ekspertit përkatës të prokurimit, në mënyrë unanime kishte nxjerrë vendimin për anulimin e Njoftimit të Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit të prokurimit, duke e kthyer çështjen në rivlerësim.
Vendimi i lartcekur i OSHP-së, i ishte nënshtruar vlerësimit të gjykatave të rregullta, përkatësisht përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, dhe të cilat përmes Aktvendimeve përkatëse, kishin hedhur poshtë si të palejuar padinë e Ministrisë së Shëndetësisë kundër vendimit të OSHP-së. Gjykata gjithashtu vëren, që përmes padisë së njërit nga operatorët ekonomik, vendimi i lartcekur, i është nënshtruar edhe vlerësimit të Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Komerciale të Kosovës në kontekst të kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartcekur, kërkesë kjo që ishte refuzuar nga dy Dhomat e Gjykatës Komerciale.
Më pas, Qeveria kishte propozuar shkarkimin e njërit nga anëtarët e OSHP-së, që kishte marrë vendimin e lartcekur, duke arsyetuar se i njëjti ishte “në kundërshtim me legjislacionin primar, konkretisht Ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tenton të lejojë plasimin në treg të insulinave pa autorizim marketing, duke rrezikuar kështu shëndetin publik”. Vlerësimin e këtij propozimi të Qeverisë, fillimisht e kishte bërë Komisioni i Kuvendit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe i cili kishte rekomanduar që të refuzohej propozimi i Qeverisë, përkatësisht shkarkimi i anëtares përkatëse të OSHP-së. Megjithatë, dhe përkundër këtij rekomandimi, më 13 korrik 2023, Kuvendi, me propozim të Qeverisë, përmes Vendimit [Nr.08-V-583], Kuvendi vendosi për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozitë e anëtares së OSHP-së.
Gjykata më lart ka sqaruar mënyrën e zgjedhjes së shkarkimit të anëtarëve të OSHP-së. Lidhur me këtë, bazuar në paragrafin 4 të nenit 101 të Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, shkarkimi i kryetarit apo anëtarit të OSHP-së nga Kuvendi, mund të bëhet (i) pas propozimit të Qeverisë, me kushtin që (ii) “ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”. Prandaj, bazuar në të lartcekurat, nuk është kontestuese që është (i) në kompetencën e Qeverisë që të bëjë propozim për shkarkimin e kryetarit apo anëtarit të OSHP-së; dhe (ii) në kompetencës Kuvendit si organ mbikëqyrës i OSHP-së që të shkarkoj e kryetarit apo anëtarit të OSHP-së, por vetëm nëse i njëjti (ii) vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj.
Thënë këtë, në rrethanat e rasti konkret, është kontestuese nëse anëtarja përkatëse e OSHP-së (i) është shkarkuar sepse ka vepruar në “kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”; apo (ii) është shkarkuar për shkak të vendimmarrjes në cilësinë e anëtares së OSHP-së lidhur me vendimmarrjen përmes Vendimit [PSH. 397/409/22] të OSHP-së të 11 tetorit 2022.
Në kontekstin e lartcekur, Gjykata vëren se në rastin konkret, Qeveria përmes Vendimit [Nr.13/142], kishte vendosur që t’i “propozohet për shkarkim Kuvendit të Republikës së Kosovës, anëtarja e Organit Shqyrtues të Prokurimit, znj. Kimete Gashi për shkeljen e etikës profesionale”. Në arsyetimin e Vendimit të lartcekur të Qeverisë theksohet se OSHP në kundërshtim me Ligjin Nr.04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale, “tenton të lejojë pasimin në treg të insulinave pa pautorizim marketing, duke rrezikuar kështu shëndetin publik. Marrë parasysh që udhëheqësinë e panelit në këtë lëndë e kishte znj. Kimete Gashi, Qeveria vendos si në diapozitiv të këtij Vendimi”. Megjithatë, propozimi i lartcekur i Qeverisë, përveç që thekson se e njëjta kishte udhëhequr panelit e OSHP-së në fjalë, nuk përmban arsyetim se (i) rregullat e etikës profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj, me të cilat ajo kishte rënë në kundërshtim gjatë kryerjes së detyrave të saj dhe as që paraqiten prova përkatëse lidhur me këtë; dhe për më tepër (ii) cili ishte roli i saj në vendimmarrjen në panelit përkatës; dhe (iii) cilat ishin dispozitat konkrete të Ligjit për Prokurim Publik dhe Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale që do të mund të ishin cenuar në rrethanat e rastit konkret.
Për më tepër, Gjykata rikujton që vendimi i OSHP-së si pasojë e të cilit ishte propozuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së, i ishte nënshtruar vlerësimit të gjykatave të rregullta dhe të cilat e kishin refuzuar padinë/ankesën përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë. Më saktësisht, Gjykata vëren se përkitazi me rastin për të cilin ishte iniciuar shkarkimi i saj, pas vendimmarrjes në OSHP, ishin zhvilluar procedura gjyqësore të cilat ishin iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë. Në këtë kontekst dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, Gjykata vëren se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative përmes Aktvendimit [A.nr.2953/2022] të dt. 21.10.2022, kishte hedhur të palejueshme padinë e Ministrisë së Shëndetësisë të paraqitur kundër Vendimit [PSH. 397/409/22] të OSHP-së të dt. 11.10.2022. Gjykata Themelore kishte arsyetuar: “Gjykata e shkallës së parë vlerëson se vendimi administrativ PSH. 397/409/22 datë 11.10.2022, i organit më të lartë administrativ, anulimi i të cilit kërkohet sipas padisë dhe shtyrja e ekzekutimit të të njëjtit, me të cilin e paditura anulon vendimin e datës 12.08.2022 dhe aktivitetet e prokurimit kthehen në rivlerësim dhe obligohet paditësi në cilësinë e autoritetit kontraktues që të ri-vlerësoj ofertat përkitazi me aktivitetin “Furnizim me Insulinë analoge nga Lista Esenciale” Lot 1 dhe 3, me numër të prokurimit [...] në këtë kuptim vendimi i atakuar me të cilin anulohet akti administrativ i organit më të ulët administrativ dhe obligohet organi administrativ në rivlerësim të aktivitetit-rivlerësim të ofertave nuk përbën akt përfundimtar administrativ, pasi që me aktin administrativ PSH. 397/409/22 datë 11.10.2022 kemi të bëjmë me kontroll administrativ nga vetë organi administrativ i shkallës më të lartë, për faktin se me të njëjtin anulohet vendimi i datës 12.08.2022 dhe çështja kthehet në rivlerësim lidhur me aktivitetin e prokurimit- rivlerësim të ofertave. Andaj me vendimin e të paditurës ne pikën katër të tij obligohet paditësi që në afat prej 10 ditësh ta informoj me shkrim Panelin Shqyrtues të OSHP për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me aktivitetin e prokurimit, të precizuar me numër dhe datë si në paragrafin paraprak të dispozitivit të vendimit të atakuar. Gjykata në kuptim të neni 9 të Ligjit për Konfliktet Administrative, konstaton se vendimi i atakuar me padi, me propozim të shtyrjes së ekzekutimit të të njëjtit nuk përbën vendim përfundimtar administrativ. Gjykata e kishte parasysh po ashtu faktin se sipas evidencës së kësaj Gjykate lidhur me vendimet e mëvonshme lidhur me këtë çështje pas rivlerësimit të ofertave është parashtruar nga këtu paditësi po ashtu padia e datës 23.12.2022.”
Gjykata po ashtu vëren se në procedurë të apelit, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.nr.85/2023] të dt. 09.02.2023, kishte refuzuar të pabazuar ankesën e paditëses-propozuesës Ministrisë së Shëndetësisë dhe kishte vërtetuar Aktvendimit [A.nr.2953/2022] të dt. 21.10.2022 të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit kishte arsyetuar: “Qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë, si të rregullt dhe të bazuar në ligj, në tërësi e aprovon edhe kjo gjykatë, për arsye se aktvendimi i atakuar nuk është përfshirë me shkelje qenësore të dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat shkelje gjykata e shkallës së dytë i vlerëson sipas detyrës zyrtare si në vështrim të nenit 23.2 dhe 49 të LKA, lidhur me nenin 194 të LPK-së, (Ligj i zbatueshëm sipas nenit 63 të LKA), dhe as me shkelje të tjera sipas pretendimeve në ankesë. Kolegji, njëjtë si gjykata e shkallës së parë, vlerëson se propozimi i paditësit sipas përmbajtjes së tij nuk është i bazuar në dispozitat ligjore të nenit 22 të LKA, i cili e rregullon mënyrën e parashtrimit të kërkesës për shtyrjen e vendimit përfundimtar të organit administrativ deri në vendosjen meritore të çështjes sipas padisë. Nga përmbajtja e propozimit nuk kërkohet pezullimi i asnjë akti administrativ përfundimtar, ashtu si parashihet me këtë dispozitë dhe nuk arsyetohet në këtë drejtim, mirëpo me padi ka kërkuar anulimin e vendimit të OSHP-së PSH.nr.397/22, 409/22 datë 11.10.2022, i cili nuk është akt përfundimtar administrativ.”
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kanë konstatuar se Vendimi i kontestuar i OSHP-së nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë nuk përbën akt përfundimtar administrativ në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit për Konflikt Administrativ. Megjithatë, Gjykata po ashtu vëren se Gjykata Themelore ka vlerësuar se Vendimi i OSHP-së përbën “kontroll administrativ nga organi më i lartë administrativ për shkak se me të njëjtin anulohet vendimi i datës 12.08.2022 i Ministrisë së Shëndetësisë dhe çështja kthehet në rivlerësim lidhur me aktivitetin e prokurimit- rivlerësim të ofertave”. Nga sa më sipër, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta kanë vlerësuar se Vendimi i OSHP-së ka karakter të “kontrollit administrativ” në kuadër të kompetencave që OSHP-së të cilat ia akordon ligji për prokurimin publik dhe se nuk bëhet fjalë për veprime jo-etike apo vepër penale nga ana e OSHP-së me rastin e nxjerrjes së vendimit të tyre lidhur me rivlerësim të aktivitetit të prokurimit.
Për më tepër, Gjykata rikujton që në shqyrtimin e propozimit të Qeverisë për shkarkimin e anëtares përkatëse të OSHP-së, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit i kishte rekomanduar Kuvendit, të mos miratoj propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkarkimin e znj. Kimete Gashi, nga pozita e anëtares së OSHP-së për shkeljen e etikës profesionale. Propozimi i Komisionit të lartcekur edhe pse i referohej dispozitave relevante ligjore për shkarkimin e kryetarit ose anëtarit të OSHP-së, e që janë elaboruar në këtë Aktgjykim, nuk përmbante arsyetim përkitazi me veprimet dhe apo mosveprimet e znj. Kimete Gashi dhe të cilat do të mund të rezultonin në shkelje të etikës së saj profesionale, megjithëse këtij propozimi i kishte paraprirë një diskutim brenda Komisionit të lartcekur. Për më tepër, nga procesverbali i seancës së Kuvendit që i kishte paraprirë votimit, rezulton se lidhur me shkarkimin e saj nuk ishte zhvilluar ndonjë debat në Kuvend përkitazi me arsyet që kishin çuar në propozimin për shkarkimin e saj.
Në rrethanat e lartcekura, Gjykata vlerëson se në asnjërën nga instancat vendimmarrëse duke filluar nga (i) Qeveria që ka propozuar shkarkimin e saj; (ii) Komisioni përkatës i Kuvendit që i kishte rekomanduar Kuvendit që e njëjta të mos shkarkohej; dhe (iii) Kuvendi që kishte vendosur që e njëjta të shkarkohej, nuk ishte paraqitur ndonjë arsyetim se (a) bazuar në cilat rregulla të etikës profesionale e njëjta ishte shkarkuar; (b) cili ka qenë roli i saj në vendimmarrjen brenda OSHP-së përkitazi me rastin për të cilin ishte iniciuar shkarkimi i saj; (c) në çfarë mënyre ishte shkelur legjislacioni në fuqi, përfshirë Ligjin Nr. 4/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në fakt, marrë parasysh rrethanat e rastit, dhe më saktësisht faktin që (i) esenca e rastit buron nga vendimmarrja unanime e OSHP-së përmes Vendimit [PSH. 397/409/22] të 11 tetorit 2022 dhe përmes të cilit ishte anuluar njoftimin e Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”; (ii) Ministria e Shëndetësisë, e kishte kontestuar këtë vendimmarrje në gjykatat kompetente dhe të cilat në fakt e kishin refuzuar padinë përkatëse; dhe (iii) “shkelja e etikës profesionale”, bazë kjo mbi të cilën, Qeveria kishte propozuar dhe Kuvendi miratuar shkarkimin e anëtares së OSHP-së, ndërlidhet pikërisht me nxjerrjen e vendimit [PSH. 397/409/22] të 11 tetorit 2022 të OSHP-së, sepse as në propozimin e Qeverisë dhe as vendimin e Kuvendit, nuk ka asnjë arsyetim tjetër, rezulton në konstatimin që anëtarja përkatëse e OSHP-së, është shkarkuar për vendimmarrjen e saj.
Në kontekstin e lartcekur, Gjykata fillimisht thekson që pavarësia në vendimmarrje është aspekti më i rëndësishëm i çdo organi të pavarur. Asnjë institucion nuk mund të jetë i pavarur dhe as të funksionoj më pavarësinë e nevojshme nga institucionet dhe/ose pushtetet në Republikën e Kosovës, për aq sa anëtarët dhe/ose udhëheqësit e të njëjtit, mund të shkarkohen për shkak të vendimmarrjes. Në rrethanat e anëtarëve të OSHP-së, dhe siç është shtjelluar më sipër, vendimmarrja e anëtarëve të OSHP-së, i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Për më tepër ligjet e aplikueshme, dhe më saktësisht neni 101 (Suspendimi, largimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së) i Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, ndër tjerash, saktëson që (i) nëse ndaj kryetarit apo një anëtari të OSHP-së ngritët aktakuzë për vepër penale, ai/ajo suspendohet me pagesë prej pesëdhjetë për qind (50%) të pagës së tij/ saj, deri në largimin e tij/saj ose derisa të shpallet i pafajshëm me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës dhe suspendimi hyn në fuqi që nga momenti i ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit; dhe (ii) Kryetari ose anëtari i OSHP-së largohet nga detyra nëse ai/ajo shpallet fajtor për ndonjë vepër penale me anë të aktgjykimit të formës së prerë të gjykatës. Për më tepër, dhe në kontekst të vendimmarrjes së OSHP-së, vet ligji i miratuar nga Kuvendi, përkatësisht Ligji për Prokurimin Publik i vitit 2011, në nenin 98 (Organi Shqyrtues i Prokurimit) të tij, ndër tjerash, përcakton që “asnjë person ose zyrtar publik nuk mund të ushtrojë ose të përpiqet të ushtrojë ndikim politik ose ndikim të paligjshëm në OSHP apo ndonjë punonjësi të tij për ndonjë vendim. Ndikimi nuk do të konsiderohet politik apo i paligjshëm nëse shfaqet në mënyre te hapur, në pajtim me rregullat e ligjit dhe procedurave, dhe në besim të plote se haptas avancon ankesën ose mbrojtjen”.
Rrjedhimisht dhe bazuar në ligjet e aplikueshme, (i) ligjshmërinë e vendimeve të OSHP-së, e kontrollojnë gjykatat e Republikës së Kosovës, sipas ligjeve të aplikueshme; ndërsa (ii) atëherë kur anëtarët e OSHP-së dyshohen për kryerjen e veprave penale sipas ngritjes së aktakuzës përkatës, suspendohen menjëherë nga detyra, dhe largohen nga ajo, me rastin e shpalljes fajtore me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në rrethanat e rastit konkret, (i) sipas sqarimeve të lartcekura, gjykatat përkatëse kanë hedhur poshtë padinë e autoritetit kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë; (ii) anëtarja e OSHP-së nuk është akuzuar për asnjë vepër penale, rrethana këto në të cilat, do të aplikoheshin dispozitat e lartcekura lidhur me suspendimin e menjëhershëm të saj; por (iii) ajo është shkarkuar me propozim të Qeverisë mbi bazën e “veprimit në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj.”, pa asnjë arsyetim. Gjykata rikujton që përderisa kjo bazë ligjore ekziston, ajo nuk mund të interpretohet e shkëputur nga dispozitat tjerat të ligjeve të aplikueshme për prokurimin publik, dhe aq më pak të përdoret si mundësi për të shkarkuar anëtarë të OSHP-së lidhur me vendimmarrjen e tyre në raste konkrete. Në fakt, një mundësi dhe/ose precedent i tillë, do të minonte në tërësinë e saj, pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe rrjedhimisht, edhe qëllimin e ekzistencës së saj, në kundërshtim me vet ligjin e miratuar nga Kuvendi.
Për më tepër, Gjykata gjithashtu rikujton praktikën e saj gjyqësore, përmes të cilës ka trajtuar shkarkimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura, për shkak të vendimmarrjes. Më saktësisht, dhe ndër tjerash, në Aktgjykimin e saj, KO127/21 lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, Gjykata ka theksuar që “është detyre e Kuvendit te mbikëqyrë, por, gjithashtu te ruaje pavarësinë e Këshillit te Pavarur, ashtu siç vete e ka përcaktuar me Kushtetute dhe Ligjin për KPMSHCK- ne. Kjo nënkupton, nder tjerash, jo vetëm detyrën e përzgjedhjes se anëtarëve përmes një procesi te hapur, transparent dhe te bazuar ne meritokraci, por edhe ndërprerjen eventuale te mandatit përkatës ne baza individuale, duke argumentuar saktësisht faktet e arsyet për një propozim te tille, bazuar ne ato rrethanat për te cilat ligji lejon ndërprerjen e mandatit, dhe jo pritjeve te caktuara apo ndërhyrjeve te ligjvënësit për vendimet qe anëtari i Këshillit te Pavarur ka marre apo duhej te merrte. Gjykata rithekson se vendimmarrja e anëtareve te Këshillit te Pavarur ne raste konkrete mund te sfidohet nga pala e pakënaqur, e cila pretendon se vendimi i Këshillit te Pavarur nuk është i ligjshëm, duke iniciuar konflikt administrativ ne gjykatën kompetente, brenda afatit te përcaktuar me dispozitat e Ligjit për Konfliktin Administrativ siç është përcaktuar ne paragrafin 1 te nenit 22 te Ligjit për KPMSHCK-në” (Shih rastin e Gjykatës KO127/21, parashtrues Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, cituar më lart, paragrafi 117).
Ngjashëm dhe përkundër dallimeve në natyrën e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe OSHP-së, Gjykata thekson që pavarësia në vendimmarrje është esenca e funksionimit të çdo organi që atribuohet me pavarësi funksionale kushtetuese dhe/ose ligjore. Përkitazi me pavarësinë vendimmarrëse të OSHP-së, Gjykata vlerëson se pavarësia individuale dhe kolegjiale e anëtarëve të OSHP-së nënkupton jo vetëm pavarësinë përballë ndikimeve të jashtme që mund të kenë anëtarët e OSHP-së, por edhe përballë ndikimeve nga organi, i cili i ka emëruar në pozitat përkatëse, përkatësisht Kuvendi. Gjykata rikujton se një pavarësi e tillë, ngërthen qëllimin që anëtarët e organeve përkatëse të jenë të lirë të ushtrojnë funksionet e tyre pa frikën e pasojave për kryerjen e funksioneve të tyre ligjore (shih, rastin e Gjykatës KO127/21, paragrafi 92). Në rastin e OSHP-së, siç është përcaktuar saktësisht përmes dispozitave që ndërlidhen me prokurimin publik në Republikën e Kosovës, vendimmarrja e OSHP-së, i nënshtrohet vetëm kontrollit gjyqësor.
Për pasojë, dhe duke vlerësuar rrethanat e rastit konkret në tërësinë e tyre, Gjykata konstaton që Qeveria dhe/ose Kuvendi, nuk kanë paraqitur apo shtjelluar asnjë argument që anëtarja përkatëse e OSHP-së është shkarkuar “për sjellje jo-etike profesionale”, por nga rrethanat e rastit është e qartë që e njëjta është shkarkuar për shkak të vendimmarrjes për ri-vlerësim të aktivitetit të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjykata vëren se OSHP-ja në Vendimin [PSH. 397/409/22] të dt. 11.10.2022, kishte kërkuar nga Autoriteti Kontraktues: (i) që të anulojë aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”; (ii) të rivlerësojë ofertat përkitazi me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”, duke u bazuar në kompetencat e OSHP-së, siç janë të saktësuar në ligjin përkatës për prokurimin publik. Bazuar në këtë të fundit, vlerësimi i ligjshmërisë së këtij vendimi i takon gjykatave të Republikës së Kosovës, dhe jo Kuvendit.
Në këtë kontekst, pavarësia në vendimmarrje të OSHP-së përpos që garantohet me legjislacionin përkatës, po ashtu garantohet edhe me paragrafin 1 të nenit 142 të Kushtetutës i cili përcakton: (i) agjencitë e pavarura janë institucione të krijuara nga Kuvendi përmes ligjeve përkatëse; (ii) ligjet përkatëse rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e agjencive të pavarura; dhe, (iii) agjencitë e pavarura funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se në rastin konkret, Kuvendi ka tejkaluar kompetencat e tij mbikëqyrëse me rastin e shkarkimit të kryetares së OSHP-së, të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 101 të Ligjit nr. 05/092 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik dhe për pasojë, Vendimi i kontestuar i Kuvendit nuk është në përputhje paragrafin 9 të nenit 65 dhe paragrafin 1 të nenit 142 të Kushtetutës.
Përkitazi me pretendimet tjera
Gjykata rikujton se përveç pretendimeve për jokushtetutshmërinë e Vendimit të kontestuar dhe mospërputhshmërisë së tij me nenet 65 dhe 142 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës kanë ngritur dhe pretendime tjera nga kapitulli I dhe II i Kushtetutës. Megjithatë, pasi tashmë Gjykata sa më sipër, ka konstatuar se Akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në përputhshmëri me kërkesat e paragrafit 9 të nenit 65 dhe nenit 142 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht shpalljes së Aktit të kontestuar të pavlefshëm nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi, nuk e konsideron të nevojshme të adresojë dhe shqyrtojë veçmas pretendimet e tjera të ngritura në kërkesë. (Shih rastin e Gjykatës KO134/21, Parashtrues, Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 1 gushtit 2023, paragrafi 181).
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të Vendimit të kontestuar, deri në vendosjen përfundimtare të kërkesës. Megjithatë, Gjykata vlerëson se çështjet e ngritura në kërkesë, tashmë kanë marrë epilog me faktin e vendosjes për meritat e kërkesës. Thënë këtë, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme t’i trajtojë veçmas pretendimet e parashtruesve të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme (shih, rastin e Gjykatës KO134/21, parashtrues, Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Cituar më lart, paragrafi 182).
Rrjedhimisht, kërkesa për caktimin e masës së përkohshme refuzohet, në pajtueshmëri me nenin 44 dhe 45 të Rregullores së punës.
Përkitazi me efektin e Aktgjykimit
Për sa i takon efektit të këtij Aktgjykimi, Gjykata sqaron që përmes këtij Aktgjykimi, Gjykata vë theks në rëndësinë e pavarësisë dhe autonomisë në vendimmarrje të agjencive dhe/ose organeve të pavarura, garanci këto të cilat shteti ka detyrim pozitiv t’i mbrojë dhe respektojë. Aktgjykimi gjithashtu vë theks në faktin që kompetenca mbikëqyrëse e Kuvendit e përcaktuar përmes paragrafit 9 të nenit 65 të Kushtetutës, është ndër kompetencat më thelbësore të Kuvendit. Thënë këtë, e njëjta i nënshtrohet kufizimeve të përcaktuara me Kushtetutë dhe vet ligjet të cilat i miraton Kuvendi. (Shih, rastin e Gjykatës KO134/21, parashtrues, Ramush Haradinaj dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Cituar më lart, paragrafi 185).
Në kontekst të efektit të këtij Aktgjykimi, Gjykata sqaron se objekti i vlerësimit kushtetues është kufizuar vetëm në Vendimin e kontestuar i Kuvendit, në kuptimin e mbrojtjes së pavarësisë në vendimmarrje të OSHP-së bazuar në garancitë ligjore dhe kushtetuese të saj-dhe si i tillë-nuk përkon me pasojat që Vendimi i kontestuar mund t’i ketë prodhuar për palët e treta të prekura nga i njëjti.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata, në pajtim me nenet 113. 5 dhe 116.2 të Kushtetutës, nenet 20, 27, 42 dhe 43 të Ligjit dhe në bazë të rregullave 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 17 maj 2024,
VENDOS
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr. 08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafi 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës;
TA REFUZOJË, njëzëri, kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë tjerë
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 65, Neni 142