Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2365/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI218/23
Parashtrues
Rifadije Berisha-Bekteshi
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-22-0262] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 1 qershorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka - Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Rifadije Berisha-Bekteshi, me vendbanim në Vushtrri, të cilën e përfaqëson Besnik Berisha, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston Aktvendimin [AC-I-22-0262] e Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit), të 1 qershorit 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesja e kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt], të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 4 tetor 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 5 tetor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI218/23 caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI218/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 13 tetor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, një kopje të kërkesës së parashtrueses iu dërgua Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 29 prill 2015, parashtruesja e kërkesës parashtroi padi në DHPGJS nëpërmjet së cilës kërkonte pagesën e pagave të mbetura nga ndërmarrja shoqërore “Auto Prishtina”, në Prishtinë. Parashtruesja e kërkesës kërkoi realizimin e borxhit për periudhën nga tetori i vitit 2003 deri më qershor të vitit 2004, në shumën prej 13.390.00 (trembëdhjetëmijë e treqind e nëntëdhjetë) euro.
Më 10 shkurt 2022, zyra për financa e DHPGJS-së nxori vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore, në shumën prej 30 (tridhjetë) euro, që duhej ta paguante parashtruesja e kërkesës brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh. Parashtruesja e kërkesës u njoftua se në rast të mos pagesës së taksës gjyqësore brenda afatit të përcaktuar, padia e saj do të konsiderohet e tërhequr. Gjithashtu, ajo u njoftua se kishte mundësi të paraqiste kërkesë për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore në rast të mungesës së mjeteve financiare.
Më 20 prill 2022, DHPGJS-ja nëpërmjet Aktvendimit [C-IV-15-0709] e konsideroi të tërhequr padinë e parashtrueses së kërkesës. DHPGJS-ja arsyetoi se parashtruesja e kërkesës nuk e kishte paguar taksën gjyqësore përkundër njoftimit dhe vërejtjes për pagesë që e kishte pranuar më 14 shkurt 2022, dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa. Sipas nenit 253.4 të Ligjit të Procedurës kontestimore, padisë duhet t’i bashkëngjitet dëshmia për pagesën e taksës gjyqësore.
Më 12 maj 2022, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit, kundër aktvendimit të DHPGJS-së. Parashtruesja e kërkesës kërkoi që të prishet aktvendimi i DHPGJ-së dhe lënda të rikthehej në gjykim. Ajo pretendonte se pagesa e taksës gjyqësore është e lidhur drejtpërdrejtë me palën e jo me përfaqësuesin e palës. Sipas saj, është dashur që DHPGJS-ja të komunikonte me të dhe jo me përfaqësuesin e saj për pagesën e taksës gjyqësore.
Më 14 qershor 2022, AKP-ja dorëzoi përgjigje ndaj ankesës së parashtrueses së kërkesës. AKP-ja i kundërshtonte pretendimet e parashtrueses së kërkesës dhe i konsideroi si të pabazuara në ligj.
Më 1 qershor 2023, Kolegji i Apelit nëpërmjet Aktvendimit [AC-I-22-0262] e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, dhe vërtetoi aktvendimin e DHPGJS-së. Kolegji i Apelit arsyetoi si në vijim:
“Shkalla e parë e DHPGJ-së drejtë ka vepruar kur me Aktvendimin e ankimuar e ka konsideruar ankesën e tërhequr. Paditësja në bazë të nenit 253.4 të LPK-së dhe nenit 13.7 dhe 13.9 të Udhëzimit administrativ nr.01.2017 të KGJK-së për unifikimin e taksave gjyqësore, ishte e obliguar të paguaj taksën gjyqësore, mirëpo ajo ka dështuar ta bëjë këtë”.
“Avokati i paditëses e ka pranuar vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore me datë 14 shkurt 2022, dhe kishte afatin e mjaftueshëm prej 15 ditësh, jo vetëm ta njoftoj paditësen që ajo është e detyruar të paguaj taksën, si dhe ta informoj për pasojat ligjore që mund të lindin për ankesën, nëse nuk paguhet taksa gjyqësore, dhe kjo është detyra ligjore e avokatit që ta ndihmoj dhe udhëzoj ligjërisht palën, e jo t’i shmanget pagesës së taksës”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon që aktvendimi i DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit shkelën të drejtën e saj për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se “Me dispozitën e nenit 11.2 të LPK-së është përcaktuar se Gjykata duhet ta udhëzojë edhe palën që është e përfaqësuar nga avokati për veprimet procedurale, kur konsideron se përfaqësuesi nuk është duke e kryer punën në mënyrë profesionale. Në këtë kontekst, Dhoma e Posaçme nuk ka ndërmarr ndonjë veprim juridik apo tjetër në kuptim të udhëzimit të palës në raport me veprimet procedurale të avokatit. Aq më tepër kur për këtë gjë ka mundur të komunikoj edhe me agjentin për pranimin e shkresave apo vetë palën, marrë parasysh se në shkresat e lëndës ka informacione të bollshme për kontaktin e palës, kjo ngase ky rast nuk është rasti i vetëm që punonjësit e kësaj ndërmarrje kishin probleme të ngjashme me avokatin.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[…]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 11
11.1 Palën që nuk është e përfaqësuar nga avokati, gjykata e udhëzon se cilat veprime procedurale mund t’i kryejë, sa herë që konstaton se ajo nga padijenia nuk i shfrytëzon të drejtat procedurale që i takojnë sipas këtij ligji.
11.2 Gjykata duhet ta udhëzojë edhe palën që është e përfaqësuar nga avokati për veprimet procedurale, kur konsideron se përfaqësuesi nuk është duke e kryer punën në mënyrë profesionale.
Përmbajtja e padisë
Neni 253
[...]
253.4 Paditësi ka për detyrë që padisë t’ia bashkëngjis vërtetimin mbi taksën gjyqësore të paguar.
253.5 Në qoftë se paditësi nuk e paguan taksën gjyqësore të përcaktuar për padinë as pas vërejtjes së dërguar nga gjykata, edhe pse nuk ekzistojnë konditat për lirim nga detyrimi i pagimit të taksës gjyqësore, do të konsiderohet se padia është tërhequr.
UDHËZIMI ADMINISTRATIV NR. 01/2017 PËR UNIFIKIMIN E TAKSAVE GJYQËSORE
Neni3
[Përcaktimi i taksave për parashtresat lidhur me kërkesat civile]
[...]
Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtesës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi (TTGJ).
Neni 5
[Mbledhja e taksave dhe pasojat e mospagesës]
[...]
5.5 Përcaktimi i lartësisë së taksave gjyqësore që duhet paguar në kohën e dorëzimit të parashtresës, bëhet në bazë të vlerës së kontestit, gjegjësisht llojit të parashtresës, duke u bazuar në Tarifën për taksa gjyqësore të këtij Udhëzimi (TTGJ).
5.5.1 Nëse taksa për parashtresë nuk paguhet deri në datën përfundimtare sipas këtij neni dhe kur nuk ekzistojnë kushtet për lirim nga detyrimi për pagesën e saj, gjykata do të hedh poshtë parashtresën me përjashtim të parashtresave lidhur me mjetet e goditjes
5.5.2 Nëse taksa për padi, e përcaktuar sipas vlerës së kontestit në padi, nuk paguhet deri në datën përfundimtare, edhe pas pranimit të vërejtjes për pagesën e saj, në rastet kur nuk ekzistojnë kushtet për lirimin e palës nga detyrimi i pagesës, do të zbatohet neni 253 paragrafi 5 i Ligjit për Procedurën Kontestimore, ashtu që do të konstatohet se padia është tërhequr.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [AC-I-22-0262] e Kolegjit të Apelit, të 1 qershorit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon që akti i kontestuar i ka shkelur të drejtën e saj kushtetuese për një proces të rregullt dhe të paanshëm gjyqësor, të garantuar nga neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Gjykata rithekson se parashtruesja e kërkesës pretendon që kërkesëpadia e saj u konsiderua e tërhequr nga DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit me arsyetimin se nuk e kishte paguar taksën gjyqësore, përkundër njoftimit dhe vërejtjes që e kishte pranuar për ta bërë pagesën. Parashtruesja e kërkesës pretendon që njoftimi për pagesën e taksës gjyqësore ka shkuar ta avokati i saj i cili nuk e kishte njoftuar për këtë gjë. Sipas parashtrueses së kërkesës, gjykatat e rregullta është dashur të vendosin komunikimin drejtpërdrejtë me të si palë në këtë procedurë, dhe jo me avokatin e saj.
Gjykata rikujton se GJEDNJ-ja kishte theksuar që e drejta për “qasje në gjykatë” mund t’i nënshtrohet kufizimeve ligjore të përcaktuara nga shtetet, të cilat kanë një margjinë të vlerësimit në këtë aspekt. Kufizimet e vendosura nuk duhet të jenë të atilla saqë të cenojnë thelbin e kësaj të drejte. Këto kufizime duhet të ndjekin një qëllim legjitim dhe të jenë proporcionale. (rasti i GjEDNj-së Tolstoy Miloslausky kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 18139/91, Aktgjykim i 13 korrikut 1995, paragrafi 59).
Kërkesat për të paguar taksë gjyqësore në çështjet civile në lidhje me paditë apo ankesat, për të cilat duhet të vendosin gjykatat, nuk mund të konsiderohet si kufizim i të drejtës për “qasje në gjykatë” dhe në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë. Megjithatë, shuma e taksës gjyqësore e vlerësuar sipas rrethanave të rastit konkret, duke përfshirë mundësitë e parashtruesve të kërkesës për ta paguar atë dhe faza e procedurës në të cilën taksa gjyqësore është vendosur, janë faktorë që duhet të merren parasysh kur të vendoset nëse personit i është respektuar e drejta për “qasje në gjykatë”. (rasti i GJEDNJ-së, Podbielski dhe PPU Polpure kundër Polonisë, nr. 39199/98, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, para. 64).
Gjykata thekson se në praktikën e saj gjyqësore kishte vendosur në disa raste për çështjen e mos pagesës së taksës gjyqësore pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit. Kur parashtruesit e kërkesës nuk e kishin paguar taksën gjyqësore në DHPGJ-së apo në Kolegjin e Apelit, përkundër pranimit të vërejtjes për pagesë, Gjykata nuk kishte konstatuar shkelje dhe kishte legjitimuar vendimet e DHPGJS-së dhe të Kolegjit të Apelit. (rastet e Gjykatës: KI57/19, parashtruese Slavica Mirić, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 dhjetorit 2019, paragrafët 47-55; KI62/18, parashtruese Nadlije Gojani, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 shtatorit 2018, para. 35-49; KI78/18, parashtrues Pashk Malota, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 shkurtit 2019, para. 38-45; KI29/23, parashtrues Bashkim Buçuku, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2023, para. 38-44).
Gjykata kishte gjetur shkelje në rastin kur Kolegji i Apelit nuk e kishte trajtuar fare kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore, dhe e kishte konsideruar të tërhequr ankesën e tij. (rasti i Gjykatës, KI224/19, parashtrues Islam Krasniqi, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, para. 49-53). Gjykata kishte konstatuar shkelje edhe në rastin kur Kolegji i Apelit nuk e kishte trajtuar fare kërkesën e parashtruesit të kërkesës për zgjatje të afatit për pagesën e taksës gjyqësore. (rasti i Gjykatës, KI80/19, parashtrues Radomir Dimitrijević, Aktgjykim i 10 nëntorit 2020, para. 55-60).
Gjykata thekson se në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur padi në DHPGJS dhe nuk e kishte paguar taksën gjyqësore. DHPGJS-ja nxori vërejtjen dhe e njoftoi parashtruesen e kërkesës që duhej ta paguante taksën gjyqësore prej 30 eurosh, në afatin prej 15 ditëve. Ajo u njoftua që kishte mundësi për të paraqitur kërkesë për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore dhe se në rast të mos pagesës padia e saj do të konsiderohet e tërhequr. Parashtruesja e kërkesës nuk e bëri pagesën e taksës gjyqësore dhe as nuk parashtroi kërkesë për lirim nga pagesa, dhe rrjedhimisht DHPGJS-ja e konsideroi të tërhequr padinë e saj. Parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Kolegjin e Apelit dhe kërkoi që çështja të kthehej në rigjykim, me pretendimin se ajo nuk e kishte pranuar vërejtjen por avokati i saj, i cili nuk e kishte njoftuar për këtë gjë. Kolegji i Apelit refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe e la në fuqi vendimin e DHPGJS-së.
Gjykata vëren se, DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit arsyetuan se pagesa e taksës gjyqësore është kusht që rrjedh nga Ligji i procedurës kontestimore dhe Udhëzimi administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore. Mos pagesa e taksës gjyqësore ka pasoja juridike për palët. Në lidhje me pretendimin e parashtrueses së kërkesës se është dashur të njoftohet ajo për pagesën e taksës dhe jo avokati i saj, Kolegji i Apelit arsyetoi se mbi bazën e autorizimit të vlefshëm, gjykatat e rregullta vendosin komunikimin me përfaqësuesin e palës dhe jo drejtpërdrejtë me palën.
Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore përsërit se pagesa e taksës gjyqësore është kërkesë ligjore që përcaktohet nga Ligji i procedurës kontestimore dhe Udhëzimi administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore. Ligji i procedurës kontestimore përcakton që padisë duhet t’i bashkëngjitet pagesa e taksës gjyqësore, ndërkaq Udhëzimi administrativ përcakton se në rast të mos pagesës së taksës gjyqësore do të konsiderohet që padia është tërhequr.
Gjykata thekson se palët e përfshira në një proces gjyqësor duhet të jenë të vetëdijshme që dështimi për t’i ndjekur rregullat procedurale sjellë pasoja juridike për ta. Kriteret e përcaktuara formale, siç është pagesa e taksës gjyqësore, nuk janë të dizajnuara dhe nuk duhet të kuptohen si pengesa për “qasje në drejtësi”, por si mekanizma që ligjvënësi i ka menduar për ta ndihmuar administrimin e drejtësisë.
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës nuk e mohon faktin që nuk e kishte paguar taksën gjyqësore dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa e taksës. Megjithatë, ajo pretendon se gjykatat e rregullta nuk e kishin njoftuar personalisht atë por avokatin e saj, i cili nuk e kishte njoftuar për detyrimin e pagesës së taksës gjyqësore dhe as për pasojat juridike në rast të mos pagesës. Parashtruesja e kërkesës e përsërit argumentin e paraqitur në Kolegjin e Apelit se pagesa e taksës gjyqësore është e lidhur me palën dhe jo me përfaqësuesin e saj. Në rastet kur avokati nuk e kryen punën në mënyrë profesionale, pretendon ajo, gjykatat duhet ta udhëzojnë palën që të ndërmerr veprime procedurale.
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës kishte dhënë autorizim të vlefshëm për avokatin e saj. Autorizimi nënkupton që pala në mënyrë të vullnetshme ka pranuar që dikush tjetër t’ia përfaqësoj dhe mbroj interesat juridike. Autorizimi krijon efekte juridike dhe palët e kuptojnë këtë gjë në momentin e dhënies së autorizimit. Në rastin konkret, DHPGJS-ja sipas një autorizimi të vlefshëm kishte vendosur komunikimin me avokatin e parashtrueses së kërkesës dhe një veprim i tillë ishte i arsyeshëm.
Gjykata vlerëson se raporti midis palës dhe avokatit është çështje personale e tyre. I takon atyre të komunikojnë dhe koordinojnë veprimet dhe të përgatisin çështjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Lëshimet që mund të bëhen nga neglizhenca apo mungesa profesionale e avokatit, ose nga mos koordinimi i palës me avokatin, nuk mund t’i ngarkohen autoriteteve shtetërore dhe as gjykatave të rregullta.
Gjykata thekson se parashtruesja e kërkesës dhe avokati i saj kanë mundur të mos konsultohen fare për këtë çështje, apo që avokati të ketë neglizhuar pagesën e taksës gjyqësore. Mirëpo, DHPGJS-ja nuk mund të bartë përgjegjësinë për mungesën e komunikimit apo lëshimeve eventuale që mund t’i ketë bërë ndonjëri nga ata. Prandaj, gjykatat e rregullta vendosën në bazë të dispozitave ligjore dhe nuk vepruan në mënyrë arbitrare.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkitazi me mos pagesën e taksës gjyqësore, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet refuzuar si të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Rifadije-Berisha-Bekteshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile