Prishtinë, më 3 korrik 2023
Nr. ref.: AGJ 2228/23
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI55/22
Parashtrues
Sasha Spasiq
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Aktvendimit [Pn1. Nr. 704/2022] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 31 majit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Sasha Spasiq nga fshati Gotovushë, komuna e Ferizajit i cili ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Predrag Miljkoviq, avokat nga Mitrovica Veriore.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), dhe Aktvendimin [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenet 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kërkon edhe vendosjen e masës së përkohshme duke theksuar se sipas nenit 56 [Kërkesa për masë të përkohshme] dhe 57 [Vendimi për masë të përkohshme] të Rregullores së punës: (i) aprovohet kërkesa për masë të përkohshme; (ii) Pezullohet ekzekutimi i masës gjyqësore të paraburgimit “ndaj të pandehurit Sasha Spasiq e caktuar me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për krime të rënda dhe që i pandehuri Sasha Spasiq duhet të mbrohet në liri në procedurën e mëtejme të procedurës penale.”
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 26 prill 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) me ç ‘rast dorëzoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022: 009453] të 18 marsit 2022.
Më 6 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit nr. GJR. KI55/22 caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 10 qershor 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe nga i njëjti kërkoi që të plotëson formularin e kërkesës dhe që të dorëzojë autorizim shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në Gjykatë. Në të njëjtën ditë, nga një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Më 13 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumente shtesë (1) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1 nr. 138/2022] të 2 shkurtit 2022; dhe (2) Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022:19820] të 17 majit 2022. Parashtruesi i kërkesës po ashtu dorëzoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022: 009453] të 18 marsit 2022, të cilin e kishte dorëzuar më parë më 26 prill 2022.
Më 29 qershor 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi formularin e kërkesës me ç ‘rast dorëzoi dhe Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 dhe autorizimin shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në Gjykatë. Në formularin e dorëzuar, parashtruesi i kërkesës shprehimisht kontestoi: (1) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022; dhe (2) Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022:19820] të 17 majit 2022.
Më 20 korrik 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi kërkesë për vendimmarrje më të shpejtë në këtë rast.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 janar 2023, Gjykata në lidhje me kërkesën e parashtruesit të kërkesës i dërgoi Gjykatës Supreme një kërkesë për dorëzimin e informatave dhe sqarimin si në vijim:
“Në kontekst të pretendimit të lartcekur të parashtruesve të kërkesës dhe me qëllim që Gjykata të disponojë me të gjitha informatat relevante, ju drejtohet me kërkesën për informatë si në vijim:
- Nëse parashtruesit e lartcekur kundër Aktvendimeve respektive të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Gjykatës së Apelit kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme?
- Nëse ky nuk është rasti, atëherë, për aq sa është e mundur, luteni që ta njoftoni Gjykatën përkitazi me praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, nëse mjeti juridik i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë gjatë procedurës së caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit në procedurë është mjet efektiv juridik. Luteni që këtë informatë, ta mbështetni dhe ilustroni me vendime apo praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme në raste të tjera të ngjashme.”
Më 13 shkurt 2023, Gjykata pranoi përgjigjen e Gjykatës Supreme, përmes të cilës njoftoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit.
Më 23 maj 2023, Kolegji Shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri/me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës dhe vlerësim në merita.
Të njëjtën ditë, Gjykata votoi, njëzëri që (i) kërkesa të shpallet e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë njëzëri se ka pasur shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në përputhje me rregullin 62 (Mendimet konkurruese) të Rregullores së punës, gjyqtari Radomir Laban përgatiti mendim konkurrues, i cili do të publikohet së bashku me këtë Aktgjykim.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kishte filluar hetimet që ndërlidheshin me dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar Sharri.
Më 24 nëntor 2021, Prokuroria Themelore nxori Aktvendim për Zgjerimin e Hetimeve kundër parashtruesit të kërkesës dhe tetë (8) të dyshuarve tjerë. Specifikisht, në lidhje me parashtruesin e kërkesës, Prokuroria Themelore në Aktvendimin e saj theksoi se ekzistonte dyshimi i bazuar se ai kishte kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388, paragrafi 1 në lidhje me paragrafin 2, nën-paragrafi 2.7 i të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 22 dhjetor 2021, Prokuroria Themelore me aktvendimin për fillimin dhe zgjerimin e hetimit, i ka parashtruar Gjykatës Themelore kërkesë [KT.I. nr. 138/21] duke i propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake që ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë të caktohet paraburgimi.
Prokuroria Themelore, në seancën e dëgjimit për caktimin e paraburgimit kishte propozuar që ndaj parashtruesit dhe të pandehurve tjerë të caktohet paraburgimi në bazë të nenit 187 par. 1, nën par. 1.2, pikat 1.2.1 dhe 1.2.3 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit] të KPPRK-së. Prokuroria Themelore kishte vlerësuar që nëse do të gjendeshin në liri në këtë fazë të procedurës, parashtruesi i kërkesës dhe të pandehurit tjerë mund të ikin me qëllim që të shmangin procedurën, do të shkatërronin, ndryshonin ose falsifikonin provat e veprës penale duke ndikuar njëri në tjetrin dhe në dëshmitarët të cilët do të dëgjohen e të cilët deri më tani nuk janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit, sepse mund të dëmtonin-rrezikonin procedurën e hetimit.
Më 23 dhjetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2021:289261] caktoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, pasi që ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit, ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës, po ashtu ka dëgjuar pretendimet e palëve në procedurë dhe ka ardhur në përfundimin: “E bazuar është kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj-Departamenti për krime të rënda, për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve.” Gjyqtari për procedurë paraprake, pas vlerësimit të gjithanshëm të pretendimeve të palëve dhe gjendjen e provave ka konstatuar që janë përmbushur kushtet ligjore që ndaj të pandehurve caktohet paraburgimi sipas bazës së parashikuar me nenin 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit], par. 1, nën par. 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Lidhur me parashtruesin e kërkesës në veçanti, Gjyqtari i procedurës paraprake theksoi se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës nga investitori L.D., ka marrë një shumë prej (tetëdhjetë mijë) 80.000 euro, që ti dorëzojë B.N., për t’i siguruar investitorit 6 leje ndërtimore dhe atë në marrëveshjen paraprake me të pandehurin B.N. Po ashtu, parashtruesi i kërkesës, për arsye të mbulimit të veprimeve të të pandehurit B.N., ka ndërtuar dy vila në emër të tij e të cilat në të vërtetë janë të të pandehurit B.N. Gjyqtari i procedurës paraprake kishte theksuar se ka shqyrtuar masat tjera të parashikuara me nenin 173 [Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit] të KPPRK-së dhe ka konstatuar që të njëjtat janë të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë dhe zbatim të suksesshëm të procedurës penale.
Nga sa më sipër, Gjykata Themelore caktoi paraburgimin për parashtruesin e kërkesës dhe të pandehurit tjerë në kohëzgjatje prej 1 (një muaji), i cili do të llogaritet prej ditës së arrestimit, 21.12.2021, në orën 09:00 dhe do të zgjasë deri më 20.01.2022.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit, aktvendimin e goditur ta ndryshojë dhe që të pandehurit ti caktojë ndonjë masë më të lehtë nga neni 173 [Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit] i KPPRK-së, ose që lëndën ta kthejë në rivendosje.
Mbrojta e parashtruesit të kërkesës në veçanti kishte pretenduar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore nga dispozitat e nenit 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit], par. 1, nën par. 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3, të KPPRK-së, sepse nuk është ofruar asnjë provë që i njëjti ka kryer vepër penale me të cilën ngarkohet. Nga kërkesa për caktim të masës së paraburgimit, nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar sipas dispozitave ligjore të nenit 19 [Dyshimi i bazuar], par. 1, pika 1.9, të KPPRK-së që, mes tjerash parashikon, “Dyshimi i bazuar duhet të mbështetet në prova të artikulueshme”. Mbrojta e parashtruesit të kërkesës, më tjerë, kishte theksuar se Gjykata Themelore në Ferizaj-Departamenti për krime të rënda, gabimisht ka konstatuar që ekziston dyshimi i përgjithshëm-i bazuar sepse ekziston dyshimi i bazuar që parashtruesi i kërkesës do të ikë, sepse i njëjti ka shtetësi të Kosovës, vendbanimi është fshati Gotovushë në Shtërpcë ku është i punësuar në Shtëpinë e shëndetit, familja e tij jeton këtu, ai me bashkëshorten mbajnë dy fëmijë. Rreziku që parashtruesi i kërkesës do të ndikojë në prova ose rrjedhën normale të procedurës penale nuk ekziston sepse në këtë fazë nuk dihet dëshmitari dhe as cilat janë provat të cilat do të vërtetojnë që i njëjti do të dëmtojë hetimin e provave, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale nuk ekziston sepse i njëjti kurrë nuk ka pasur lidhje me lëshimin e lejeve për ndërtim, nuk punon në organet përgjegjëse, e as nuk i ka ndihmuar ndokujt për marrjen e lejes për ndërtim.
Më 10 janar 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1 nr. 1549/2021] vendosi: (i) REFUZOHEN si të pabazuara ankesa e mbrojtjes të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë, derisa (ii) VËRTETOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore [2021:289260] i datës 23.12.2021.
Lidhur me parashtruesin e kërkesës në veçanti, Gjykata e Apelit theksoi se ekziston dyshimi i bazuar që gjatë vitit 2016 në Shtërpcë, i ka ndihmuar personit zyrtar në shmangien e zbardhjes së veprave penale kundër korrupsionit dhe detyrës zyrtare, ashtu që në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin B.N., ka marrë 80.000 euro, që t’ia dorëzojë kryetarit të Komunës B.N., në mënyrë që ti lëshohen 6 leje ndërtimore investitorit L.D. si dhe ka regjistruar dy vila në emrin e tij të cilat janë ndërtuar në parcelën kadastrale 5837/0 në Brezovicë, të cilat i janë dhënë si dhuratë B.N., për lëshimin e lejeve në Parkun kombëtar “Sharri” në Brezovicë, në kundërshtim me Ligjin për ndërtimet, Ligjin për Parkun kombëtar “Sharri” si dhe Planin hapësinor “Sharri”, dhe me këtë ka kryer vepër penale të dhënies së ndihmës në kryerjen e veprave penale nga neni 153, par. 1 në lidhje me par. 2, nën par. 2.7 të KPRK-së.
Procedura gjyqësore për vazhdimin e paraburgimit
Më 18 janar 2022, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesë për zgjatje të paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë duke theksuar se hetimi nuk ka përfunduar dhe se nuk kanë përfunduar arsyet ligjore për të cilat është caktuar paraburgimi ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë.
Më 20 janar 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2021:289260] kishte zgjatur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muajve kundër parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë për shkak të dyshimit se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.7 të KPRK-së.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave të procedurës penale, me propozimin që Gjykata e Apelit të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të ndryshojë aktvendimin e goditur dhe parashtruesit të kërkesës t’ia heq masën e paraburgimit që i njëjti të mbrohet në liri ose që masa të ndryshohet me arrest shtëpiak.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës në veçanti kishte theksuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore nga dispozitat e nenit 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit], par. 1, nën par. 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 dhe 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së, pasi që nuk është ofruar asnjë provë që i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet. Nga kërkesa për caktim dhe zgjatje të masës së paraburgimit, nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar nga dispozitat ligjore të nenit 19, par. 1, pika 1.9 [Dyshimi i bazuar] të KPPRK-së, që mes tjerash, parashikon, “dyshimi i bazuar duhet të jetë i bazuar në fjalë të qarta dhe të përshkruara me prova”. Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës, më tej, kishte theksuar se ai është pronar i vilës e cila gjendet në parcelën kadastrale 5837-0, i cili ka fituar në mënyrë të rregullt dhe ka blerë dy parcela dhe të cilat i ka bashkuar, ka marrë kredi në bankën NLB, ka ndërtuar vilën dhe nuk ka lidhje me të pandehurin B.N., tutje shton se nuk ekziston dyshimi i bazuar që i njëjti do të ikë nga organet e drejtësisë sepse i njëjti ka nënshtetësi të Kosovës, vendbanimi është fshati Gotovushë në Shtërpcë, ku është i punësuar në Shtëpinë e shëndetit, familja e tij jeton këtu, mban bashkëshorten dhe dy fëmijë. Rreziku që i njëjti të ndikojë në prova ose rrjedhën normale gjatë procedurës penale nuk ekziston sepse në këtë fazë nuk dihet dëshmitari e as cilat janë provat të cilat do të vërtetonin që i njëjti të dëmtojë hetimin dhe provat, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale nuk ekziston sepse i njëjti kurrë nuk ka pasur lidhje me lëshimin e lejes ndërtimore, nuk punon në organet kompetente, e as që ndokujt i ka ndihmuar në marrjen e lejes për ndërtim.
Më 2 shkurt 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1 nr. 138/2022] vendosi: (i) REFUZOHEN si të pabazuara ankesa e mbrojtjes të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë, derisa (ii) VËRTETOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore [2021:289260] i datës 20.01.2022.
Gjykata e Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë i ka zgjatur paraburgimin, sepse gjyqtari i procedurës paraprake e edhe ky kolegj penal, kanë marrë parasysh kushtet e caktuara për masat konkrete, në mënyrë që të sigurojnë praninë e të pandehurve, në rastin konkret, masa e paraburgimit tani për tani është masa e vetme për zhvillim të papenguar të procedurës penale në këtë lëndë penale-juridike. Nga arsyet e lartpërmendura dhe në bazë të dispozitës së nenit 416 [Vendimet mbi ankesën kundër aktvendimit], par. 2 të KPPRK-së, u vendos si në dispozitiv të këtij aktvendimi.
Më 16 mars 2022, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesë për zgjatje të paraburgimit për parashtruesin e kërkesës dhe të pandehurve tjerë në Gjykatën Themelore.
Më 18 mars 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:009453] vendosi ta zgjasë masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej dy (2) muaj, që do të llogariten prej 18 mars 2022 deri më 17 maj 2022.
Bazuar në vlerësimin e gjyqtarit të procedurës paraprake parashtruesi i kërkesës kishte pranuar shumën prej tetëdhjetë mijë euro (80,000) nga një investitor ndërtimesh L.D., që t’ia dorëzojë personit të tretë B.N., në mënyrë që personit L.D., t’ia sigurojë gjashtë (6) leje ndërtimore bazuar në një marrëveshje paraprake të lidhur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe personave L.D., dhe B.N. Bindja e gjyqtarit të procedurës paraprake është që edhe më tutje ekziston baza ligjore për zgjatjen e paraburgimit, parashikuar me nenin 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit], par. 1, nën par. 1.2, pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK), kështu që po që se gjenden në liri, ekziston rreziku i mundshëm që parashtruesi i kërkesës dhe të pandehurit tjerë do të iknin ose fshihen në mënyrë që të shmangin procedurën penale, duke pasur parasysh dënimin për veprat penale për të cilat dyshohen.
Më 26 prill 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese përmes të cilës konteston Aktvendimin [2022:009453] të 18 marsit 2022 të Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte theksuar se më 21 mars 2022 kishte kontestuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore tek Gjykata e Apelit por që për më shumë se 30 ditë nuk kishte marrë përgjigje nga e njëjta dhe rrjedhimisht kishte vendosur që të dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Procedura gjyqësore për vazhdimin e masës së paraburgimit pas dorëzimit të kërkesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 maj 2022, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesë në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë për zgjatje të paraburgimit dhe masën e ndalimit të afrimit të vendit të caktuar ose personit të caktuar.
Më 17 maj 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:19820] vendosi ta zgjasë masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej dy muajve, e cila do të llogaritet prej 17 majit 2022 deri 15 korrik 2022. Parashtruesi i kërkesës gjendet në paraburgim nga 21 dhjetori 2021, ora 09:00.
Gjykata Themelore vendosi që ta zgjas masën e paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar që ka kryer veprën penale, dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], par. 1 lidhur me par. 2, nën par. 2.7 të KPRK-së.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit me propozimin që e njëjta ta ndryshojë aktvendimin e goditur dhe ta lirojë të pandehurin të mbrohet në liri në pajtim me dispozitën e nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] paragrafi 2 pika 1 të KPPRK-së.
Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte theksuar se vepra penale për të cilën dyshohet klienti i tij dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas dispozitës ligjore të nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së, parashikohet një afat për heqjen e lirisë, në mënyrë që në paragrafin 1 të të njëjtit nen parashihet se para ngritjes së aktakuzës dhe se paraburgimi nuk mund të jetë më i gjatë se katër muaj nëse procedura zhvillohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë vjet burgim. Mbrojtja e parashtruesit të kërkesës, më tej kishte theksuar se i njëjti tashmë gjendet në paraburgim për pesë muaj dhe zgjatja e masës së paraburgimit është në kundërshtim me ligjin.
Më 31 maj 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1.nr.704/2022] vendosi: (i) REFUZOHEN si të pabazuara ankesa e mbrojtjes të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë, derisa (ii) VËRTETOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore [2022:019820] i datës 17.05.2022.
Gjykata e Apelit theksoi se konstatimi i gjykatës së shkallës së parë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë është i drejtë dhe me bazë ligjore, e cila është e nevojshme për të siguruar praninë e tyre në procedurat e mëtejshme gjyqësore. Ekzistojnë edhe baza ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit në pajtim me nenin 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit], paragrafi 1 nën paragrafi 1 dhe 1.2. pika 1.2.2 të KPRK-së, nëse të pandehurit do të liroheshin, mund të ndikonin në njëri tjetrin si bashkëpunëtorë ose do të ndikojnë te të pandehurit e tjerë, në dy raste ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit, disa prej tyre janë në arrati, të cilët kanë të bëjnë me veprën penale për të cilën të pandehurit janë të dyshuar, si dhe rrezikun e ndikimit te dëshmitari, rreth 40 dëshmitarë emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publik sepse ekziston rreziku i hetimeve të mëtejshme dhe të cilët nuk janë intervistuar nga prokurori, atëherë zgjatja masës së paraburgimit ndaj të pandehurve është e nevojshme për të siguruar praninë e tyre në rrjedhën e procedurës dhe rrjedhën normale të procedurës.
Më 26 prill 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumentin Aktvendim i Gjykatës Themelore [2022: 009453] të 18 marsit 2022.
Më 13 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumente shtesë (1) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1 nr. 138/2022] të 2 shkurtit 2022; dhe (2) Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022:19820] të 17 majit 2022. Parashtruesi i kërkesës po ashtu dorëzoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [2022: 009453] të 18 marsit 2022, të cilin e kishte dorëzuar më parë më 26 prill 2022.
Më 29 qershor 2022, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi formularin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese me ç ‘rast dorëzoi dhe shprehimisht kontestoi: (1) Aktvendimin [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore; si dhe, (2) Aktvendimin [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Procedura gjyqësore për vazhdimin e masës së paraburgimit pas dorëzimit të dokumenteve shtesë nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 korrik 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:019820] kishte vendosur që ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë ta vazhdoj masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj, prej 15 korrikut 2022 deri më 13 shtator 2022. Kjo masë për vazhdim të paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës ishte caktuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penal nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.7 të KPRK-së.
Kundër aktvendimit të lartpërmendur, mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, me propozim që aktvendimi të ndryshohet dhe që parashtruesi i kërkesës të mbrohet në liri. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës në veçanti pretendoi se gjykata e shkallës së parë ka vazhduar paraburgimin në kundërshtim me nenin 190.2 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së, nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] të Kushtetutës dhe nenet 5 [E drejta për liri dhe siguri] dhe 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.
Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen të pabazuara ankesat e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës si dhe të pandehurve tjerë, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 29 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1. Nr. 958/2022] vendosi: (i) aprovohet ankesa e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë, anulohet Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj [2022:019820] i datës 15.07.2022, ashtu që çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rivendosje; (ii) parashtruesi i kërkesës dhe disa të pandehur tjerë mbeten në paraburgim deri në marrjen e vendimit të ri.
Gjykata e Apelit theksoi: (i) gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm ndaj të pandehurve me rastin e vazhdimit të paraburgimit ndaj të pandehurve në kuptim të dispozitës 190.3 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së; (ii) gjykata e shkallës së parë nuk ka arsyetuar se cilat janë shkaqet për vazhdimin e paraburgimit të të pandehurve dhe cilat janë veprimet konkrete të prokurorit për përfundimin e hetimeve, por vetëm theksohet se nevojitet ekzaminimi i provave materiale dhe dëgjimi i 40 dëshmitarëve; (iii) arsyetimi i aktvendimit të ankimuar të gjykatës së shkallës së parë fare nuk u referohet pretendimeve të mbrojtjes edhe pse gjykata ka për obligim që ë përgjigjet lidhur me rrethanat e pretenduara nga mbrojtja e të pandehurve; (iv) Gjykata e Apelit rikujton se masa e paraburgimit është masa më e rëndë për sigurimin e pranisë së pandehurit në procedurë penale dhe si e tillë duhet dhënë arsyetim konkret dhe të bazuar duke iu referuar rrethanave që vlejnë për secilin të pandehur; (v) për shkak të mungesës së arsyetimit, në rivendosje duhet të evitojë të metët e evidentuara si në këtë aktvendim, të jep arsye konkrete lidhur me pretendimet e mbrojtjes dhe pastaj të merret një vendim i drejtë dhe i ligjshëm.
Më 12 gusht 2022, Prokuroria Themelore dorëzoi parashtresë në Gjykatën Themelore lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokuroria në çështjen penale të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë. Prokuroria Themelore theksoi se nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe se kjo e fundit më tepër ka parafrazuar pretendimet e të pandehurve sesa që ka vlerësuar provat e shumta që gjenden në shkresat e lëndës. Prokuroria Themelore propozoi vazhdimin e masës së paraburgimit për parashtruesin e kërkesës dhe të pandehurve tjerë duke theksuar numrin e shumtë provave që akoma do të vlerësohen, dëshmitarët që do të merren në pyetje, shkaqet ligjore që të pandehurit mund t’i ikin drejtësisë, ndikimi i të pandehurve ndaj dëshmitarëve si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.
Më 12 gusht 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2020:019820] vendosi që parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë t’iu vazhdohet masa e paraburgimit me kohëzgjatje deri më 13 shtator 2022. Kjo masë për vazhdim të paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës ishte caktuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penal nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.7 të KPRK-së.
Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit duke propozuar që aktvendimi i ankimuar të anulohet dhe që parashtruesi i kërkesës të mbrohet në liri bazuar në nenin 190 [afatet kohore të paraburgimit] paragrafi 2 pika 1 të KPPRK-së. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës në veçanti kishte theksuar se nuk ka arsye ligjore që të vazhdohet masa e paraburgimit deri më 13.09.2022 sepse i njëjti gjendet në paraburgim që tetë (8) muaj në mënyrë të kundërligjshme nga data 17.04.2022. Parashtruesit të kërkesës i ishte caktuar masa e paraburgimit më 21.12.2021 në kohëzgjatje prej një (1) muaj, derisa më 20.01.2022 masa e paraburgimit është vazhduar edhe për dy (2) muaj. Paraburgimi i parashtruesit të kërkesës më tej është vazhduar nga data 16.03.2022 edhe për dy (2) muaj. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës më tej theksoi se gjykata e shkallës së parë të njëjtit i ka vazhduar masën e paraburgimit deri më 13 shator 2022, që do të thotë nëntë (9) muaj e që sipas ligjit në fuqi nuk mund të vazhdohet.
Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen të pabazuara ankesat e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës si dhe të pandehurve tjerë, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 5 shtator 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1.nr.1109/2022] vendosi që të refuzojë të pabazuara ankesat e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë dhe e vërtetoi aktvendimin e ankimuar të Gjykatës Themelore [2020:019820] të 12 gushtit 2022.
Ndërkohë, para marrjes së Aktvendimit të lartpërmendur nga Gjykata e Apelit, Prokuroria Themelore përmes kërkesës [PPI.nr.138/20] të dt. 02 shtator 2022 kishte kërkuar në Gjykatën Themelore që ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë që të vazhdohen hetimet për një periudhë prej gjashtë (6) muajsh.
Më 7 shtator 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:019820] vendosi që të vazhdohen hetimet ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve për një periudhë për gjashtë (6) muaj për vepra të ndryshme penale të parapara me KPRK-së siç janë: marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit, dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhënia e ryshfetit dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Më 9 shtator 2022, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesë kundër parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë për vazhdim të masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muaj.
Më 13 shtator 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:019820] vendosi që të vazhdojë masën e paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë në kohëzgjatje prej dy (2) muaj, që do të llogaritet prej datës 13 shtator 2022 deri 11 nëntor 2022. Kjo masë për vazhdim të paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës ishte caktuar nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penal nga neni 388 [Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale], paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.7 të KPRK-së.
Gjykata nuk posedon informata në lidhje me procedurat e zhvilluara nga Prokuroria dhe gjykatat e rregullta në procedurën penale ndaj parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, nga shkresat e dosjes rezulton që deri në shtator të vitit 2022, Prokuroria Themelore akoma nuk kishte ngritur aktakuzë në lidhje me të pandehurit tjerë, përfshirë edhe parashtruesin e kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson se akuzohet për një vepër penale që është e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vjet. Parashtruesi i kërkesës i referohet nenit 190, paragrafi 2 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së, që parashikon: “Para ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se katër (4) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë (5) vjet burgim.” Parashtruesi i kërkesës pretendon se ai rrezikon një dënim me më pak se 5 vite burgim, prandaj, paraburgimi i tij mund të zgjas maksimum 4 muaj.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se çdo ditë e zgjatjes së paraburgimit nga data 17.04.2022 e tutje është e paligjshme duke llogaritur se të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit me Aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj [2021:289261] të datës 23.12.2021.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Në këtë mënyrë Sasha Spasiq [parashtruesi i kërkesës] aktualisht është në paraburgim në mënyrë të paligjshme. Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk i kanë kushtuar vëmendje ankesave të avokatëve, kështu që përshtypja është se paraburgimi është jashtëzakonisht arbitrar, pasi siç do të shihni nga shpjegimi i vendimeve, përgjigje në ankesa që kemi paraqitur nuk janë dhënë. Në vend të kësaj, aktvendimet e mëparshme përshkruhen pa asnjë kuptim. Prandaj, ky paraburgim mund të konsiderohet arbitrar. Për më tepër, në njërën nga ankesat, më saktësisht ankesën për vazhdimin e tretë të paraburgimit të dorëzuar më 21.03.2022, asnjëherë nuk e kemi marrë vendim të Gjykatës së Apelit, që përbën shkelje të së drejtës për gjykim në afat të arsyeshëm, nëse konsiderojmë se Gjykata e Apelit është e detyruar me ligj të vendosë brenda 48 orëve, atë vendim nuk e kemi marrë deri më sot.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjatë kësaj procedure i janë shkelur rëndë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 29 dhe 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 5 dhe 6 të KEDNJ-së.
Për sa i përket përdorimit të mjetit të jashtëzakonshëm “kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë” në Gjykatën Supreme parashtruesi i kërkesës pretendon: “Gjithashtu besojmë se parashtrimi i këtij mjeti të jashtëzakonshëm juridik do të ishte joefektiv për shkak të shpejtësisë së zgjidhjes së procedurës, edhe pse gjykatat nuk veprojnë me urgjencë të veçantë në rastin e paraburgimit, siç parashihet me Ligjin e procedurës penale. Për më tepër, çdo ditë paraburgimi pas skadimit të afatit ligjor prej 4 muajsh është heqje e paligjshme e lirisë. Sasha Spasiq [parashtruesi i kërkesës] aktualisht është në paraburgim të paligjshëm për më shumë se dy muaj e dhjetë ditë.”
Nga sa më sipër, parashtruesi i kërkesës pohon se vetë Gjykata Kushtetuese mund të mbroj Kushtetutën dhe të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës. Lidhur me mos paraqitjen e mjetit të jashtëzakonshëm “kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë” në Gjykatën Supreme parashtruesi i kërkesës duke iu referuar rastit Sporrong dhe Lonnroth kundër Suedisë, thekson se “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vazhdimisht në vendimet e saj ka konfirmuar se lejohet ankesa në Gjykatën Kushtetuese edhe kur të gjitha mjetet juridike nuk janë shterur, nëse shterimi i mjeteve juridike do të ishte i paefektshëm, dhe dëmi i shkaktuar është i pariparueshëm.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) APROVOHET ankesa kushtetuese e parashtruesit të kërkesës dhe VËRTETOHET se parashtruesi i kërkesës është privuar nga liria në mënyrë të kundërligjshme nga data 17.04.2022 e tutje, dhe ka pasur shkelje të neneve 29, 30 dhe 31 të Kushtetutës së Kosovës; (ii) ANULOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj numër [2022:19820] i datës 17.05.2022, si dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës numër [PN1.nr.704/2022], i datës 31.05.2022 dhe parashtruesi i kërkesës në vazhdim të procedurës penale i cili është duke u zhvilluar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj-Departamenti për krime të rënda PP.I.nr.138/2020, duhet të mbrohet në liri; (iii) VËRTETOHET se veprimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për vepra të rënda penale, kanë rezultuar në shkeljen e Kushtetutës, më saktësisht shkelje e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31, paragrafi 2 i Kushtetutës së Kosovës; (iv) KËRKESË PËR VENDOSJEN E MASAVE TË PËRKOHSHME, në bazë të neneve 56 dhe 57 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, dhe që e njëjta të nxjerrë vendim: a) MIRATOHET masa e përkohshme; b) PEZULLOHET ekzekutimi i masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës të përcaktuar me aktvendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për krime të rënda [2022:19820], të datës 17.05. 2022 vërtetuar me aktvendim të Gjykatës së Apelit të Kosovës numër [PN1.nr.704/2022] të datës 31.05.2022, dhe se parashtruesi i kërkesës duhet të mbrohet në liri në rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës penale.
Dispozitat relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
“1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për
largim ose ekstradim.
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 5
(E drejta për liri dhe siguri)
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a. kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
b. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për moszbatim të një urdhri të dhënë nga gjykata në përputhje me ligjin ose për të garantuar përmbushjen e një detyrimi të
parashikuar nga ligji;
c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
d. kur një i mitur ndalohet ligjërisht për qëllim edukimi të mbikqyrur ose për ndalimin e tij të ligjshëm me qëllim që të çohet përpara autoritetit kompetent ligjor;
e. kur ndalohet ligjërisht për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, të personave të sëmurë mendërisht, alkoolistëve, narkomanëve ose endacakëve;
f. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht me qëllim që të ndalohet hyrja e tij e paautorizuar në atë vend, ose nëse kundër tij është duke u kryer një procedurë dëbimi ose ekstradimi;
2. Çdo person i arrestuar duhet të informohet brenda një afati sa më të shkurtër dhe në një gjuhë që ai e kupton për arsyet e arrestimit të tij dhe në lidhje me çdo akuzë që i bëhet.
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e
sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.
5. Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozitat e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.”
KODI NR. 04/L-082 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 388
[Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale]
“1. Kushdo që strehon kryesin e ndonjë vepre penale, përveç veprave penale të parapara në paragrafin 2. të këtij neni, ose e ndihmon atë në shmangien e zbulimit ose arrestimit përmes fshehjes së mjeteve, provave apo në ndonjë mënyrë tjetër, ose kushdo që strehon personin e dënuar apo ndërmerr veprime për pengimin e arrestimit, ekzekutimit të dënimit apo urdhrit për trajtim të detyrueshëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni ka të bëjë me një apo më shumë prej veprave penale në vijim, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet:
2.1. vrasja e rëndë;
2.2. vrasja;
2.3. sulmi me lëndim të rëndë trupor;
2.4. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XIV – Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës;
2.5. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XIV – Veprat penale kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare;
2.6. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XX – Veprat penale kundër integritetit seksual;
2.7. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XXXIV – Veprat penale kundër korrupsionit zyrtar dhe detyrës zyrtare;
2.8. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XXIII – Veprat penale të narkotikëve;
2.9. ndonjë vepër penale nga Kapitulli XXX – Veprat penale të armëve;
3. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni ka të bëjë me vepër penale të dënueshme me burgim të përjetshëm, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.
4. Dënimi i paraparë me paragrafin 1. të këtij neni nuk mund të jetë më i ashpër, as sipas llojit e as sipas lartësisë, se dënimi i përcaktuar për veprën penale të kryer nga personi të cilit i jepet ndihma.
5. Me përjashtim të veprave penale që përfshijnë abuzimin e fëmijëve dhe dhunën në familje, personi nuk është penalisht përgjegjës sipas këtij neni nëse është në lidhje familjare me kryesin e veprës penale si prind, fëmijë, bashkëshort ose bashkëshorte, vëlla ose motër, prind adoptues apo fëmijë i adoptuar ose person me të cilin kryesi jeton në bashkësi jashtëmartesore.”
KODI NR. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË KOSOVËS [i shfuqizuar me KODIN NR. 08/L-032 I PROCEDURËS PENALE, I PUBLIKUAR NË Gazetën Zyrtare më 17 gusht 2022]
Neni 187
[Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit]
“1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
1.2. përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:
1.2.1. kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
1.2.2. kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3. kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.
1.3. masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
2. Në rastin nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi i caktuar vetëm për shkak të mosvërtetimit të identitetit të personit hiqet posa të vërtetohet identiteti i tij. Në rastin nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.2. i këtij neni, paraburgimi hiqet posa të merren ose sigurohen provat për të cilat është caktuar paraburgimi.
3. Nëse i pandehuri ka shkelur njërën prej masave më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi, gjykata në mënyrë të posaçme këtë e merr parasysh gjatë vërtetimit të ekzistimit të rrethanave nga paragrafi 1., nën-paragrafët 1.2 dhe 1.3. të këtij neni.”
Neni 190
[Afatet kohore të paraburgimit]
“1. I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një (1) muaj nga dita e arrestimit në bazë të urdhrit nga neni 188 të këtij Kodi. Pas kësaj kohe, ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit të trupit gjykues me të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.
2. Para ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se:
2.1. katër (4) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë (5) vjet burgim;
2.2. tetë (8) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim.
3. Në raste të jashtëzakonshme kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe kur rasti është i ndërlikuar siç përkufizohet në nenin 19 të këtij Kodi, e zvarritja e procedurës nuk mund t’i atribuohet prokurorit të shtetit, përveç afateve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni para ngritjes së aktakuzës paraburgimi mund të vazhdohet më së shumti deri në katër (4) muaj për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej dymbëdhjetë (12) muaj.
4. Kur ka shkak të bazuar dhe bindës për të besuar se ekziston rrezik i përgjithshëm apo rrezik i dhunës nëse lirohet i pandehuri në procedurë paraprake, vazhdimi i paraburgimit nga paragrafi 3. të këtij neni mund të vazhdohet edhe për gjashtë (6) muaj tjerë për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej tetëmbëdhjetë (18) muaj.
5. Nëse aktakuza nuk ngritet para kalimit të afateve të parapara në paragrafët 2., 3. dhe 4. të këtij neni, i paraburgosuri lirohet.”
Neni 191
[Vazhdimi i paraburgimit]
“1. Paraburgimi mund të vazhdohet vetëm nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, i cili tregon se ka bazë për paraburgim nga neni 187 i këtij Kodi, se ka filluar hetimi dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme për të përshpejtuar zbatimin e hetimit. I dëmtuari apo mbrojtësi i viktimave mund të kërkojë formalisht apo joformalisht nga prokurori i shtetit që të kërkojë vazhdimin e paraburgimit.
2. I pandehuri dhe mbrojtësi i tij informohen me propozimin jo më vonë se tri (3) ditë para skadimit të paraburgimit të caktuar me aktvendimin e fundit.
3. Ndaj çdo aktvendimi mbi vazhdimin e paraburgimit mund të ushtrohet ankesë. Neni 189, paragrafët 3. dhe 4., zbatohen përshtatshmërisht.”
Neni 192
[Mbikëqyrja e paraburgimit nga gjykata]
“1. Në çdo kohë, derisa hetimi është duke u zbatuar, gjyqtari i procedurës paraprake mund të ndërprejë paraburgimin sipas detyrës zyrtare, pasi të ketë paralajmëruar prokurorin e shtetit tre ditë më parë. Prokurori i shtetit mund të paraqesë ankesë te kolegji shqyrtues kundër aktvendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake për të ndërprerë paraburgimin. Kolegji shqyrtues nxjerr aktvendim brenda dyzet e tetë (48) orësh nga pranimi i ankesës së prokurorit të shtetit.
2. I paraburgosuri ose mbrojtësi i tij në çdo kohë mund t’i ankohen gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues, kryetarit të trupit gjykues ose kryetarit të gjykatës themelore që të vendosë mbi ligjshmërinë e paraburgimit ose mbi ligjshmërinë e kushteve të paraburgimit.
3. Nëse i pandehuri ankohet për ligjshmërinë e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose kryetari i gjykatës themelore mund të zbatojë seancë dëgjimore në pajtim me neni 188, paragrafët 3., 4., 5. dhe 6. të këtij Kodi nëse në shikim të parë me ankesë vërtetohet se:
3.1. arsyet për paraburgim nga neni 187 i këtij Kodi që nga vendimi i fundit gjyqësor për paraburgim pushojnë së ekzistuari për shkak të ndryshimit të rrethanave ose zbulimit të fakteve të reja; ose
3.2. ndalimi për ndonjë arsye tjetër është i kundërligjshëm.
4. Nëse i pandehuri ankohet për ligjshmërinë e paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose kryetari i gjykatës themelore në seancë dëgjimore urdhëron lirimin e menjëhershëm të të paraburgosurit kur:
4.1. pushojnë së ekzistuari arsyet e paraburgimit nga neni 187 i këtij Kodi;
4.2. ka kaluar afati i paraburgimit i urdhëruar nga gjykata;
4.3. afati i paraburgimit i caktuar nga gjykata kalon afatin e paraparë në nenin 190 të këtij Kodi; ose
4.4. ndalimi për ndonjë arsye tjetër është i kundërligjshëm.
5. Nëse i pandehuri ankohet për ligjshmërinë e kushteve të paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose kryetari i gjykatës themelore mund të zbatojë një seancë dëgjimore ose vizitë në institucionin ku mbahet paraburgimi nëse ankesa në shikim të parë vërteton se kushtet e paraburgimit nuk plotësojnë kushtet e përcaktuara me këtë Kod ose nëse ekzistojnë kushte të cilat nuk janë në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, siç interpretohet nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
6. Nëse i pandehuri ankohet për ligjshmërinë e kushteve të paraburgimit, gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues, kryetari i trupit gjykues ose kryetari i gjykatës themelore në seancën dëgjimore apo gjatë vizitës në institucionin ku mbahet paraburgimi urdhëron ndryshimin e kushteve të paraburgimit nëse kushtet nuk janë në pajtim me interpretimin e arsyeshëm të kushteve të përcaktuara me këtë Kod ose nëse ekzistojnë kushte të cilat nuk janë në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, siç interpretohet nga vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
7. Seancat dëgjimore ose vizitat nga ky nen mbahen brenda shtatë (7) ditëve nga pranimi i ankesës.
8. Ankesa e cila është substancialisht e ngjashme me ankesën e mëparshme menjëherë hudhet sipas detyrës zyrtare.”
Neni 193
[Caktimi i paraburgimit pas ngritjes së aktakuzës]
“1. Pas ngritjes së aktakuzës dhe deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, paraburgimi mund të caktohet, vazhdohet ose të hiqet vetëm me aktvendim të gjyqtarit të vetëm gjykues, kryetarit të trupit gjykues ose trupit gjykues në seancë. Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues së pari dëgjon mendimin e prokurorit të shtetit kur procedura është filluar me kërkesën e tij dhe mendimin e të pandehurit ose mbrojtësit. Kundër aktvendimit palët kanë të drejtë ankese. Neni 189, paragrafët 3. dhe 4. të këtij Kodi zbatohen përshtatshmërisht.
2. Pasi të kalojnë dy (2) muaj nga aktvendimi i fundit për paraburgim, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues edhe pa propozimin e palëve shqyrton nëse ende ekzistojnë arsyet për paraburgim dhe merr aktvendim për vazhdimin ose heqjen e paraburgimit. Kundër aktvendimit palët kanë të drejtë ankese. Neni 189, paragrafët 3. dhe 4. të këtij Kodi zbatohen përshtatshmërisht.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktvendimin [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore dhe Aktvendimin [Pn1 Nr. 704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [PN1.nr.704/2022] e Gjykatës së Apelit të 31 majit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe kanë dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata rithekson se parashtruesi i kërkesës më 26 prill 2022 dorëzoi kërkesën në Gjykatë duke kontestuar Aktvendimin [2022:009453] të 18 marsit 2022 të Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kishte theksuar se më 21 mars 2022 kishte kontestuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore tek Gjykata e Apelit por që për më shumë se 30 ditë nuk kishte marrë përgjigje nga e njëjta dhe rrjedhimisht kishte vendosur që të dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata rikujton se më 13 dhe 29 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumente shtesë si dhe formularin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese duke kontestuar në mënyrë specifike Aktvendimin [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimin [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit. Gjykata rithekson se në formularin e dorëzuar më 29 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës specifikisht konteston Aktvendimin [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore si dhe Aktvendimin [PN1.nr.704/2022] të 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit. Rrjedhimisht, këto vendime do të jenë objekt vlerësimi kushtetues nga Gjykata Kushtetuese.
Nga sa më sipër, Gjykata përsëritë se në rastin konkret janë plotësuar kriteret e pranueshmërisë përkitazi me shterimin e mjeteve juridike, dorëzimin e kërkesës brenda afatit ligjor katër (4) mujor dhe se janë qartësuar të drejtat dhe liritë themelore të cilat pretendohet se janë shkelur.
Gjykata gjithashtu konsideron se kërkesa nuk mund të konsiderohet qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç parashihet me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe për pasojë, kërkesa shpallet e pranueshme për shqyrtim në merita. (shih, gjithashtu rastin e GJEDNJ-së, Alimuçaj kundër Shqipërisë, nr. 20134/05, Aktgjykim i 9 korrikut 2012, paragrafi 144, si dhe shih rastet e Gjykatës KI75/21, parashtrues “Abrazen LLC”, “EnergyDevelopmentGroup Kosova LLC”, “Alsi&Co. Kosovë LLC” dhe “BuildingConstruction LLC”, Aktgjykim i 19 janarit 2022, paragrafi 64;KI27/20, parashtrues, Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aktgjykim i 22 korrikut 2020, paragrafi 43).
Meritat e kërkesës
Gjykata rikujton se objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë janë dy vendime gjyqësore, përkatësisht Aktvendimi [2022:019820] i 17 majit 2022 i Gjykatës Themelore dhe Aktvendimi [PN1. Nr. 704/2020] të 31 majit 2022 i Gjykatës së Apelit. Përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore parashtruesit të kërkesës, i cili kishte qëndruar në paraburgim për katër (4) muaj që nga 21 dhjetori 2021 i ishte vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë, përkatësisht nga 17 maji 2022 deri më 15 korrik 2022. Ky Aktvendim i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [PN1.nr.704/2022], të 31 majit 2022. Gjykata po ashtu rikujton se vendimet e gjykatave të rregullta për caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit ishin vendime kolektive ndaj disa të pandehurve në procedurë para ngritjes së aktakuzës.
Rrjedhimisht, Gjykata në vijim do të shqyrtojë dhe elaborojë nëse vendimet e kontestuara përmes të cilave është vazhduar paraburgimi kanë adresuar pretendimin thelbësore të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht pretendimin specifik që pasi në rastin e tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “Dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 388, paragrafi 2, pika 7 e KPK-së dhe për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet, sipas tij bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] KPPRK-së paraburgimi i tij nuk mund të zgjasë më shumë se katër (4) muaj. Thënë këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij në pritje të ngritjes së aktakuzës.
Në vijim të kësaj, Gjykata vë në pah se pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës do ta shqyrtojë në kontekst të së drejtës së tij për liri dhe siguri, të garantuar me nenin 29 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së. Në kuptim të kësaj, Gjykata thekson se të drejtat dhe standardet që duhet garantuar në rastin e privimit nga liria janë interpretuar gjerësisht nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) përmes praktikës së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën, Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, Gjykata i referohet parimeve dhe standardeve të përcaktuara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me caktimin e paraburgimit.
Kriteret e përcaktuara lidhur me caktimin e paraburgimit
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që, për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ, arrestimi ose heqja e lirisë duhet të bazohet në një nga arsyet për heqjen e lirisë të parapara në nenin 29, paragrafin 1, [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Gjykata fillimisht rikujton nenin 29, paragrafin 1, pikën 2, [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës që përcaktojnë:
Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
[...]
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
[...].”
Së dyti, Gjykata po ashtu i referohet nenit 5. 1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së i cili përcakton që:
“Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
[...]c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj.”
Gjykata vëren, se në bazë të nenit 29, paragrafit 1, pikës 2 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe nenit 5. 1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, privimi i lirisë mund të bëhet në rast të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, dhe kur një gjë e tillë konsiderohet e domosdoshme për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale ose largimin pas kryerjes se saj (shih rastet e Gjykatës, KI85/22 parashtrues Jadran Kostić, Aktgjykim i 26 prillit 2023, paragrafi 68; dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, Aktgjykim, i 8 tetorit 2019, paragrafi 65).
Prandaj, Gjykata thekson që për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, caktimi i paraburgimit, duhet të ketë mbështetje në njërën nga bazat për privimin e lirisë të përcaktuara me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafin 1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
GJENDJ-ja, në praktikën e saj gjyqësore, ka përcaktuar tri kritere themelore, që duhet ekzaminuar për të vlerësuar nëse privimi i lirisë, është i ligjshëm dhe jo arbitrar (shih rastin e GJEDNJ-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 183, shih rastet e Gjykatës KI85/22 parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 70; dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, të cituar më lart, paragrafi 67).
Së pari, duhet të ekzistoj “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale (shih rastin e GJEDNJ-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, cituar më lart, paragrafi 184). Së dyti, qëllimi i privimit të lirisë “është që në parim duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, Aktvendim për Papranueshmëri i 16 nëntorit 2017, paragrafi 57 dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, cituar më lart, paragrafi 68; KI85/22 parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 71; shih po ashtu rastin e GJEDNJ-së, Ostendorf kundër Gjermanisë, nr. 15598/08, Aktgjykim, i 7 marsit 2013, paragrafi 68), dhe që për me tepër, duhet të jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm “për të siguruar paraqitjen e personit të afektuar para autoriteteve kompetente përkatëse” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, cituar më lart, paragrafi 57, shih po ashtu rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 185). Së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj (shih rastet e lartcekura të Gjykatës KI85/22 parashtrues Jadran Kostić, cituar më lart, paragrafi 71; KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, cituar më lart, paragrafi 68 dhe rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 186).
1.1. Zbatimi i kritereve lidhur me caktimin e paraburgimit në rastin e parashtruesit të kërkesës
Duke u bazuar në atë që u theksua më lart, Gjykata vëren që caktimi i paraburgimit në fjalë, është i bazuar në nenin 29.1.2 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5.1 (c) (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
2. Parimet e përgjithshme në lidhje me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit
Fillimisht, Gjykata thekson se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës objekt i shqyrtimit janë vendimet për vazhdimin e paraburgimit para ngritjes së aktakuzës.
Në këtë rast Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, i cili përcakton që: “Çdokush që i hiqet liria më arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.”
Përderisa paragrafi 4 i nenit 5 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të KEDNJ-së, përcakton që: “Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.”
Fakti që Gjykata nuk ka konstatuar shkelje të kërkesës së paragrafit 1 të nenit 5 nuk e përjashton atë nga detyrimi për të shqyrtuar dhe elaboruar edhe pajtueshmërinë e paraburgimit me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së, Douiyeb kundër Holandës , nr. 31464/96, Aktgjykim, i 4 gushtit 1999, paragrafi 57).
GJEDNJ-ja ka theksuar se neni 5 paragrafi 4 (E drejta për liri dhe siguri) i KEDNJ-së përcakton që çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar nga gjykata që të shqyrtojë kërkesat procedurale dhe ato përmbajtjesore e që janë thelbësore për “ligjshmërinë” e heqjes së lirisë ndaj tij, në kuptimin e nenit 5 paragrafit 1 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së (shih, ndër shumë precedentë, rastet e GJEDNJ-së, Idalov kundër Rusisë, nr. 5826/03, Aktgjykim, i 22 majit 2012 paragrafi 161; Reinprecht kundër Austrisë, nr. 67175/01, Aktgjykim, i 15 nëntorit 2005, paragrafi 31).
Nocioni i “ligjshmërisë” në kuptimin e nenit 5, paragrafit 4 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së ka të njëjtin kuptim si ai i nenit 5, paragrafit 1, (E drejta për liri dhe siguri) aq sa çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e arrestimit të tij jo vetëm në dritën e kërkesave të së drejtës së brendshme, por edhe në atë të KEDNJ-së, të parimeve themelore që përcaktohen aty dhe të qëllimit të kufizimeve të lejuara nga neni 5 paragrafit 1 i KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së Suso Musa kundër Maltës, nr. 42337/12, Aktgjykim, i 23 korrikut 2013, paragrafit 50).
GJEDNJ ka specifikuar se për të përmbushur kërkesat e KEDNJ-së, shqyrtimi nga ana e gjykatës vendore duhet të jetë në pajtueshmëri si me rregullat përmbajtjesore dhe ato procedurale të legjislacionit vendor dhe të zhvillohet në pajtim me qëllimin e nenit 5 të KEDNJ-së, përkatësisht mbrojtjen e individit nga arbitraritetit (shih në këtë kontekst rastin e GJEDNJ-së, Koendjbiharie kundër Holandës, nr. 11487/85, Aktgjykim, i 25 tetorit 1990, paragrafi 27).
Në lidhje me këtë, dhe, në pajtim me parimet e zhvilluara nga GJEDNJ, arsyetimi i vendimit të gjykatave për vazhdimin e paraburgimit në pritje të dënimit duhet të jetë gjithnjë evident, përkatësisht të jetë një arsyetim i detajuar dhe i bazuar në të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit. Në këtë kontekst, GJEDNJ në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar se “vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar, mund të ketë një kontroll publik të administrimit të drejtësisë” (shih rastet e GJEDNJ-së, Suominen kundër Finlandës, nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003 paragrafi 37, Tase kundër Rumanisë, nr. 29761/02, Aktgjykimi i 10 qershorit 2008, paragrafi 41).
2.1 Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës
Në vijim, bazuar në shpjegimin e mësipërm të parimeve kryesore të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës ka dëshmuar dhe mbështetur mjaftueshëm pretendimet për shkeljen e garancive procedurale të përcaktuara në Kushtetutë dhe KEDNJ lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij.
Fillimisht, Gjykata rithekson që paraburgimi i parashtruesit të kërkesës është i bazuar në nenin 29, paragrafin 1, pikën (2) [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe nenin 5, paragrafin 3 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vazhdimi i paraburgimit të tij në pritje të aktakuzës pas kalimit të afatit katër (4) mujor është në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, si dhe paragrafit 2 të nenit 190 të [Afatet kohore të paraburgimit] KPPRK-së.
Prandaj, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës Aktvendimi [Pn1.Nr 704/2022] i 31 majit 2022, i Gjykatës së Apelit në lidhje me Aktvendimin [2022: 19820] e 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore që kanë të bëjnë me vazhdimin e paraburgimit të tij janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, Gjykata fillimisht do ti referohet përmbajtjes së këtyre dy vendimeve dhe faktit nëse Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kanë adresuar pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës të ngritur para këtyre dy instancave se vazhdimi i paraburgimit të tij në pritje të ngritjes së aktakuzës pas kalimit të periudhës katër (4) mujore është në kundërshtim me dispozitat e KPPRK-së, dhe për pasojë edhe në kundërshtim me nenin 29[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesit të kërkesës bazuar në vendimin e Gjykatës Themelore, të 23 dhjetorit 2021 iu caktua masa e paraburgimit, i cili paraburgim ishte vazhduar edhe dy herë nga ana e Gjykatës Themelore, përkatësisht përmes Aktvendimit [2021:289260] të 20 janarit 2022, paraburgimi i tij ishte vazhduar nga 20 janari deri më 20 mars 2022 dhe përmes Aktvendimit të [2022:009453] të 18 marsit 2022 paraburgimi i tij ishte vazhduar nga 18 marsi 2022 deri më 17 maj 2022. Nga kjo rezulton që pas më shumë se katër (4) muajve të qëndrimit të tij në paraburgim, parashtruesit të kërkesës përmes Aktvendimit [2022: 19820] të Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022 paraburgimi ndaj tij ishte vazhduar edhe me dy (2) muaj të tjerë, nga 17 maji 2022 deri më 15 korrik 2022. Bazuar në shkresat e lëndës të dorëzuara në Gjykatë rezulton që paraburgimi ndaj tij para ngritjes së aktakuzës ishte vazhduar deri më 11 nëntor 2022. Nëse paraburgimi ndaj tij para ngritjes së aktakuzës është vazhduar më tej dhe nëse në ndërkohë është ngritur apo jo aktakuza dhe parashtruesi i kërkesës vazhdon të jetë në paraburgim, Gjykata nuk ka pranuar informata.
Megjithatë, Gjykata do të kufizohet vetëm në vlerësimin e përmbajtjes së Aktvendimeve të Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022 për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, të vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të 31 majit 2022, të cilat vendime përbëjnë edhe objekt të vlerësimit të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton që përmes Aktvendimit [2022:19820] të 17 majit 2022 të Gjykatës Themelore parashtruesit të kërkesës dhe pandehurve të tjerë i ishte vazhduar paraburgimi edhe për dy (2) muaj tjerë, përkatësisht nga 17 maji 2022 deri më 15 korrik 2022, i cili bazohej në paragrafin 1 të nenit 191 [Vazhdimi i paraburgimit] në lidhje me paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2. dhe 1.2.3 të nenit 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit] të KPPRK-së.
Në vijim, Gjykata po ashtu rikujton se në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit [2022: 19820] të Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022 në Gjykatën e Apelit paraqiti ankesë. Në ankesën e tij, parashtruesi i kërkesës specifikoi se në rastin e tij pasi që vepra për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se e ka kryer është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet, bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së masa e paraburgimit para ngritjes së aktakuzës nuk mund të zgjasë më shumë se katër (4) muaj.
Më 31 maj 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1.nr.704/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [2022: 19820] e Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022.
Duke iu rikthyer pretendimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se neni 190 [Afatet kohore të paraburgimit] i KPPRK-së përcakton që:
I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një (1) muaj nga dita e arrestimit në bazë të urdhrit nga neni 188 të këtij Kodi. Pas kësaj kohe, ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit të trupit gjykues me të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.
Para ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se:
katër (4) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë (5) vjet burgim;
tetë (8) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim.
Në raste të jashtëzakonshme kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe kur rasti është i ndërlikuar siç përkufizohet në nenin 19 të këtij Kodi, e zvarritja e procedurës nuk mund t’i atribuohet prokurorit të shtetit, përveç afateve të parapara në 87 paragrafin 2. të këtij neni para ngritjes së aktakuzës paraburgimi mund të vazhdohet më së shumti deri në katër (4) muaj për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej dymbëdhjetë (12) muaj.
Kur ka shkak të bazuar dhe bindës për të besuar se ekziston rrezik i përgjithshëm apo rrezik i dhunës nëse lirohet i pandehuri në procedurë paraprake, vazhdimi i paraburgimit nga paragrafi 3. të këtij neni mund të vazhdohet edhe për gjashtë (6) muaj tjerë për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej tetëmbëdhjetë (18) muaj.
Nëse aktakuza nuk ngritet para kalimit të afateve të parapara në paragrafët 2., 3. dhe 4. të këtij neni, i paraburgosuri lirohet.
Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vë në pah se objekt i vlerësimit të kësaj kërkese nuk do të jetë interpretimi i nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së për të konstatuar se cilët nga paragrafët e nenit 190 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së është i aplikueshëm në rastin e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht nëse paraburgimi i tij mund të zgjasë katër apo më shumë muaj, ashtu siç përcaktohet në paragrafët 2, 3 dhe 4 të këtij neni. Kjo për faktin se një pretendim i tillë që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, ka të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si tillë, në parim nuk është në juridiksionin e Gjykatës (shih ndër tjerash rastet e Gjykatës, KI85/22 parashtrues Jadran Kostic, cituar më lart, paragrafi 90; KI06/17 parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI75/17, parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2017).
Thënë këtë, Gjykata konsideron se një vlerësim dhe shqyrtim i pretendimit të parashtruesit të kërkesës nëse paraburgimi i tij është i bazuar në ligj apo jo duhet që të adresohet dhe shqyrtohet nga këto të fundit. Rrjedhimisht, në kuptim të paragrafit 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe paragrafit 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së Gjykata do të vlerësojë nëse mos adresimi i një pretendimi apo kërkesë të tillë nga ana e Gjykatës së Apelit ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës.
Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton arsyetimin e Gjykatës së Apelit, të 31 majit 2022 e cila theksoi se nga provat e nxjerra ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer vepër penale, pasi që “në bazë të një marrëveshje ka marrë shumën prej 80.000 € nga investitori [L.D.], për t'ia dorëzuar [B.N.], dhe për t'i siguruar investitorit gjashtë leje në marrëveshje me të pandehurin [B.N.], dhe për të mbuluar veprimet e të pandehurit [B.N.], për të ndërtuar shtëpi në emër të tij, por në fakt këto janë pushimore të [B.N.] në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri 2” si dhe Parkun Kombëtar “Sharri.”
Gjykata e Apelit tutje specifikoi se ekzistonte baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit në pajtim me nenin 187 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit]të KPPRK-së, sepse po që “se të pandehurit do të gjendeshin në liri, ata do të mund të ndikonin në njëri-tjetrin si bashkëpjesëmarrës, apo në disa prej tyre që gjenden në arrati, si dhe ekzistonte rreziku i ndikimit në katër dhjetë (40) dëshmitarë.” Më tej, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore me të drejtë kishte konstatuar se ekziston baza ligjore sipas nenit 187, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 [Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit] të KPPRK-së, marrë parasysh mënyrën se si është kryer vepra penale nga të pandehurit duke keqpërdorur pozitën zyrtare, përkatësisht duke marrë apo dhënë shuma të majme të parave në formë të ryshfetit, që paraqesin rrezik të përgjithshëm për përsëritjen e veprës penale.
Në lidhje më këtë, Gjykata vëren se në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës Gjykata e Apelit vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore por nuk adresoi pretendimin specifik dhe thelbësor të parashtruesit të kërkesës, të ngritur në ankesën e tij para kësaj gjykate, përkatësisht pretendimin se vazhdimi i paraburgimit të tij ishte në kundërshtim me nenin 190 [Afatet kohore të paraburgimit] të KPPRK-së.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se mos adresimi i një pretendimi kaq thelbësor të tij e që i referohet kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit ndaj tij në procedurë para ngritjes së aktakuzës të ngritur në Gjykatën e Apelit, nuk është në pajtim me parimet dhe standardet e vendosura nga GJENDJ dhe si i tillë ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës.
Ky konstatim i Gjykatës bazohet në parimin e GJEDNJ-së për arsyetim të vendimit gjyqësor në rastet e vazhdimit të paraburgimit cili parim i shërben edhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, si një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se vazhdimi i paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës sipas fuqisë së ligjit para ngritjes së aktakuzës, i konfirmuar me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, përbën shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkelje të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës. Megjithatë, marrë për bazë konstatimin e Gjykatës se mos adresimi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës, të ngritur në ankesën e tij në Gjykatë të Apelit ka rezultuar në shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së nuk e konsideron të arsyeshme që të vazhdojë me shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës parashtroi para saj kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme duke kërkuar pezullimin e masës së paraburgimit në mënyrë që gjatë procedurës penale ndaj tij të mbrohet në liri.
Gjykata më sipër ka konkluduar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e pranueshme. Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa për masë të përkohshme, është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, refuzohet.
Përfundim
Gjykata, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, ka konstatuar se mosadresimi i pretendimit thelbësor të parashtruesit të kërkesës se vazhdimi i paraburgimit të tij ishte në kundërshtim me nenin 190 të KPPRK-së ka rezultuar në shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së.
Gjykata ka parasysh faktin se rasti i parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar në procedurë penale, dhe se efekti i këtij Aktgjykimi shtrihet vetëm sa i përket caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit ndaj tij para ngritjes së aktakuzës dhe se si i tillë nuk është i vlefshëm apo prodhon efekte ndaj vendimeve tjera që ndërlidhen me masën e paraburgimit, të nxjerra pas ngritjes së aktakuzës.
Andaj, është e kuptueshme që ky aktgjykim nuk mund të prodhojë asnjë efekt në lidhje me vazhdimin e paraburgimit pas ngritjes së aktakuzës. Megjithatë, Gjykata vlerëson se është shumë e rëndësishme që përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vendoset një standard në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës në mënyrë që gjykatat e rregullta të veprojnë në përputhje me parimet dhe standardet e elaboruara në këtë Aktgjykim, të cilat janë interpretuar në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Në këtë kontekst, Gjykata përmes këtij Aktgjykimi përçon në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë kërkesën dhe udhëzimin që duhet t’iu shërbejë gjykatave të rregullta, se për të qenë në përputhje me kërkesat kushtetuese të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, dhe po ashtu edhe me kërkesat e nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, siç është interpretuar gjerësisht nga GJEDNJ në praktikën e saj gjyqësore, arsyetimet e tyre për vazhdimin e paraburgimit në pritje të gjykimit duhet të adresojnë dhe të përmbajnë arsyetim dhe vlerësim të individualizuar ndaj pretendimeve thelbësore të të pandehurve e që ndërlidhen me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit ndaj tyre.
Gjykata, më tej sqaron se nuk ka autorizime ligjore për caktimin e ndonjë lloji apo mënyre të kompensimit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave respektive kushtetuese, në rastin konkret nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës (shih edhe rastet e Gjykatës Kushtetuese KI85/22 parashtrues Jadran Kostic, cituar më lart, paragrafi 104; dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, cituar më lart, paragrafi 119).
Gjykata në këtë aspekt i referohet paragrafit 5 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, i cili përcakton që: “Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrë e parashikuar me ligj.” Përderisa, paragrafi 5 i nenit 5 të KEDNJ-së përcakton që: “Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozita e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.”
Në dritën e arsyeve të theksuara më sipër, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit ndaj të tij pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022 deri në ngritjen e aktakuzës ndaj tij të kërkojë dëmshpërblim nga autoritetet publike bazuar në dispozitat e ligjit në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 57 (4) dhe 59 (1) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 23 maj 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË DEKLAROJË që Aktvendimi [Pn1. Nr. 704/2022] i 31 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës nuk është në përputhshmëri me paragrafin 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TË REFUZOJË kërkesën për masës të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
V. Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Sasha Spasiq
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 29 - E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë
Penale