Prishtinë, më 26 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2364/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI113/22
Parashtrues
Behxhet Isufi
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, [Rev.nr.598/2020], të 3 marsit 2022 në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Behxhet Isufi nga Gjilani, i përfaqësuar nga Bardh Maksuti avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.598/2020] të 3 marsit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020.
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës aktvendimin e Gjykatës Supreme e ka pranuar më 28 mars 2022, ndërsa aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020, e ka pranuar më 12 gusht 2020.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 21 [Parimet e Përgjithshme], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 1 të protokollit 1 dhe nenin 6 [E Drejta për Proces të Rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) si dhe nenin 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: DUDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 48 [Llojet e vendimeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 26 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij në postë, e cila kërkesë arriti dhe u regjistrua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) më 28 korrik 2022.
Më 2 gusht 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes vendimit Nr.GJR.KI113/22 caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues) Remzie Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.
Më 3 gusht 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 3 gusht 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), dorëzimin e fletkthesës, e cila dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme Rev.nr.598/2020 të 3 marsit 2022.
Më 27 shtator 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletkthesën e kërkuar.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 17 janar 2024, Kolegji Shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Sipas shkresave të lëndës, parashtruesi i kërkesës, përmes Aktgjykimit [P.nr.396/2001] të 4 shkurtit 2009 të Gjykatës Komunale në Gjakovë, ishte dënuar me dënim me kusht prej 9 (nëntë) muajve, të cilin dënim nuk do ta vuaj nëse në afat prej 2 (dy) vitesh nuk do të kryej vepër të re penale, për shkak si bashkëkryes ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë nga neni 253 paragrafi 1, pika 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës [KPK].
Më 17 qershor 2010, Gjykata e Qarkut në Pejë, përmes Aktgjykimit [AP nr.60/09] parashtruesit të kërkesës ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar nga ana e Gjykatës Komunale në Gjakovë.
Më 31 mars 2010, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Komunale në Gjakovë kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Gjakovës, për shkak të sekuestrimit të automjetit të markës Ford Siera, nga ana e Policisë së Stacionit Policor në Gjakovë, për shkak të aktivitetit kriminal. Parashtruesi përmes padisë kërkoi nga gjykata, që të paditurit në emër të fitimit të pa bazë dhe kompensimit të automjetit të i paguajnë shumën prej 4,500 euro, apo sipas ekspertizës së ekspertit përkatës, duke ia llogaritur kamatën ligjore sikurse për mjetet e deponuara në bankë, të afatizuara mbi një vit pa destinim të caktuar në vendin e përmbushjes dhe atë nga data 5 shtator 2001 gjerë në pagesën definitive.
Më 22 korrik 2016, Gjykata Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes aktgjykimit [C.nr.163/10] vendosi: (i) pjesërisht aprovoi kërkesë-padinë e parashtruesit të kërkesës, ashtu që detyroi te paditurat Qeveria e Republikës se Kosovës -Ministria për Pune te Brendshme ne Prishtine, Qeveria· e Republikës se Kosovës - Ministria e Drejtësisë ne Prishtine, qe ne emër te kompensimit te demit material t'ia paguaj ne mënyrë solidare shumen e përgjithshme prej 1.100 €, (njëmijë e njëqind euro) me kamatën përkatëse ligjore te cilën e paguajnë Bankat komerciale ne Kosove për mjetet e deponuara ne afat mbi një vit pa destinim te caktuar, e cila fillon te rrjedhe nga dt.31.03.20 10 (paraqitja e padisë) e tutje, e deri ne pagimin definitiv, si dhe shpenzimet procedurale sipas suksesit ne procedure ne shumen prej 692.78 € (gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy euro e shtatëdhjetë e tete cent), e te gjitha këto ne afatin prej 15 ditëve, nga dita e marrjes se Aktgjykimit, nen kërcenim te përmbarimit me dhune, kurse pjesën tjetër te kërkesëpadisë qe ka te beje për kompensimin 'e demit përtej shumes se aprovuar 1.900.00 € (njëmijë e nëntëqind euro) me kamatën e larte cituar, refuzohet ne tërësi si e pabazuar; (ii) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, kundër të paditurës së tretë Komuna e Gjakovës- Gjakovë, si të pa bazuar.
Më 23 gusht 2016, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike, zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe për shkak të vendimit për shpenzimet, me propozimin që aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet, ashtu që kërkesëpadia e tij të aprovohet në tërësi, apo i njëjti aktgjykim të prishet dhe lënda ti kthehet gjykatës se shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 21 korrik 2020, Gjykata e Apelit përmes aktgjykimit [CA.nr.3616/2016] vendosi: (i) ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë [C.nr.163/10] të 22 korrikut 2016; (ii) refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, kundër te paditurave Qeveria e Republikës se Kosovës, Ministria e Punëve te Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë me seli ne Prishtine, me te cilën ka kërkuar: te detyrohen te paditurat, qe ne emër te kompensimit te demit paditësit Behxhet Isufi, t' i paguajnë shumen prej 1.100 Euro, me kamate ligjore si për mjetet e deponuara ne afat mbi një vit ne bankat komerciale ne Kosove, pa destinim te caktuar, e cila rrjedh nga data 31.03.2010 e deri ne pagesën definitive, si dhe shpenzimet procedurale ne shumen prej 692.78 Euro, si e pathemelte; (ii) refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore ne Gjakove, [C.nr.163/10], i datës 22.07.2016 ne pjesën qe ka te bej me vendimin për pjesën refuzuese te kërkesëpadisë se paditësit kundër të paditurave, vërtetoi; (iii) paragrafi 2 i diapozitivit të aktgjykimit te gjykatës se shkallës së parë, në pjesën që ka të bëjë me vendimin e refuzimit te kërkesëpadisë se paditësit, kundër te paditurës së tret Komuna e Gjakovës, mbeti i pandryshuar.
Gjykata e Apelit në aktgjykimin e saj ndër të tjera arsyetoi “Me nenin 371 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve ("Gazeta Zyrtare e ish RSFJ"-se, nr.29178, si dhe ndryshim plotësimet e tij 23 mars 1989 si Ligj i zbatueshëm në kohen e shkaktimit te dëmit) afati i pergjithshëm i parashkrimit ishte përcak1uar: "Kërkesat parashkruhen për 5 vite, ne qoftese me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit. Ndersa me nenin 376 të të njejtit ligj ishte percaktuar: "Kerkesa e shperblimit të dëmit të shkaktuar parashkruhet për 3 vite nga data kur i dëmtuari ka mësuar për dëmin dhe për përsonin që e ka bërë dëmin. Sidoqoftë kjo kërkesë parashkruhet për 5 vite nga kur është krijuar dëmi. Kolegji, konstaton se nga data 05.09.2001 kur paditësit I është sekuestruar vetura nga zyrtari policor, e deri me datën 31.03.2010, kur paditësi e ka paraqitur padinë në gjykatës e shkallës së pare, kanë kaluar më tepër se 5 vite, ndërsa paditësi e as të paditurat nuk e kishin ndërmarr ndonjë veprim juridik, I cili në kuptim të dispozitave ligjore të neneve 387 e 388 të LMD, do të kishte efekt juridik për ndërprerjen e parashkrimit”. Kolegji vlerëson se në rastin konkret kërkesëpadia e paditesit kundër të paditurave është parashkruar. Këtë prapësim materialo-juridik të paditurat e kanë paraqitur, brenda afatit ligjore që rezulton se kerkesepadia e paditesit kundër të paditurave nuk gëzon mbrojtje juridike, nuk mund të realizohet në rrugë gjyqësore dhe si e tillë është e pathemeltë, andaj ankesa e paditësit është e pa themeltë, kurse ankesa e të paditurave është, e themeltë dhe si e tillë u aprovua në tërësi”.
Më 13 shtator 2020, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të anulohet në tërësi aktgjykimi i Gjykatës së Apelit, apo i njëjti të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Më 3 mars 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev.nr.598/2020] hodhi si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se në bazë të nenit 211.2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit duhet të jetë mbi shumën prej 3000 €, në mënyrë që të lejohet revizioni.
Gjykata Supreme përmes aktvendimit të saj arsyetoi: “Nga shkresat e lëndës rezulton se vlera e objektit te kontestit nuk kalon shumën 3000 €. Në këtë gjëndje të çështjes, Gjykata Supreme e Kosoves, pasi e shqyrtoi lejueshmerinë e paraqitjes së këtij revizioni, gjeti se i njejti është i palejuar.Në kontestet për kërkesat në të holla nga marrëdhenia e punës, revizioni është i lejuar nën kushtet e njëjta si në konteste pasurore - juridike të cilat kanë të bëjnë me këkesat në të holla. Sipas dispozitës së nenit 211.2 të LPK, revizioni nuk është i lejuar në kontestet pasurore-juridike, në të cilat kërkesepadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit ose me kryerjen e ndonjë veprimi, nëse vlera e objektit të kontestit nuk kalon shumën 3000 €”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Rev.nr.598/2020] e 3 marsit 2022 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës dhe nenin 1 të protokollit nr.1 dhe 6 të KEDNj-së dhe nenin 17 të DUDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, pasi që siç thekson ai Gjykata Supreme ia ka refuzuar revizionin si të palejuar për shkak të vlerës së kontestit, mirëpo ai thekson se “ përkundër gjithë kësaj konsiderojmë se ne rastin konkret revizioni është i lejuar sepse kemi te beje me kontest pasuroro-juridik. Revizioni lejohet po ashtu edhe ne kontestet pasuroro-juridike, kur vlera e objektit është se paku 3.000,00 €. Prandaj, revizioni nuk lejohet ne kontestet pasuroro-juridike, nëse vlera e objektit te kontestit është me pak se 3.000,00 €. Vendimtare për paraqitjen e revizionit është vlera e objektit te kontestit ne momentin e nxjerrjes se aktgjykimit te gjykatës se shkalles se dyte. Ne fakt vlera e kontestit caktohet me padinë e palës paditëse ne gjykatën e shkalles se pare. Parimisht do te duhej qe kjo vlere e kontestit te mbetet edhe ne procedurën para gjykatës se shkalles se dyte. Përjashtimisht, mund te ndryshoj vlera e objektit te kontestit nëse pala është ankuar vetëm ne një pjese te kërkese padisë dhe me këtë rast mund te zvogëlohet vlera e objektit te kontestit ne procedurën sipas ankesës dhe rrjedhimisht edhe sipas revizionit”.
Parashtruesi i kërkesës më tej thekson se gjykatat kanë për detyrë që ti arsyetojnë vendimet e tyre, dhe se e drejta për gjykim të drejtë duhet të garantohet në të gjitha procedurat para gjykatave, ku siç thekson ai “arsyetimet e vendimeve do te duhej te theksojnë marrëdhëniet ndërmjet gjetjeve meritore dhe pasqyrimeve me rastin e shqyrtimit te provave ne njërën ane , dhe konkluzioneve ligjore te gjykatave , ne anën tjetër, e cila komponentë u mungon aktgjykimeve te kundërshtuara për arsyet e paraqitura për çdo aktgjykim – Aktvendim e Aktgjykimet e Gjykatave - Vendimet e tyre, kane shkelur parimin kushtetues te ndalimit te arbitraritetit ne vendimmarrje, nga se arsyetimet e dhëna nuk përmbajnë faktet bindëse dhe janë ne kundërshtim me dispozitat ligjore ne te cilat vendimet mbështeten, sepse nuk janë pasqyruar marrëdhëniet logjike ndërmjet tyre. Prandaj, konsiderojmë se ne rastin e parashtruesit te ankesës kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë se vendimeve te gjykatave për arsyet e theksuara, ka pas shkelje te drejtës për gjykim te drejte, te cilat ne arsyetimet e tyre, përbejnë arbitraritet apo pa arsyeshmeri, për te cilat arsye konsiderojmë se do te duhej te shpalleshin te pavlefshme”. Lidhur me këtë parashtruesi i kërkesës i është referuar disa vendimeve të Gjykatës.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të protokollit nr.1 të KEDNJ-së, ku siç thekson “ të paditurat nen një dhe dy, si Organe që janë të thirrura për ndërtimin e shtetit ligjor, si Organe te thirrura që në punën e tyre të zbatojnë detyrimet Kushtetuese, detyrimet e Konventave Ndërkombëtare te Pranuara me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, me veprimet e tyre apo te Organeve varës të tyre në mënyrë arbitrare e të pa shpjegueshme kanë sekuestruar automjetin në pronësi te pronari legjitim Behxhet Isufi, i cili për veprimet e tija kundërligjore, ne procedurën penale ka marre dënim in e merituar por pasuria nuk i është sekuestruar apo konfiskuar, dhe se prona e tij është përvetësuar nga personat e panjohur, por nen mbikëqyrjen e Organeve te cituara, te cilat do te duhej te jene përgjegjëse për demin e shkaktuar paditësit. Gjykatat janë te thirrura te mbrojnë pasurin e ashtuquajtur shoqërore, për te cilat raste janë te respektuara, por Gjykatat nuk do te duhej te jepnin mbulese për veprimet kundërligjore te organeve vartëse te paditurve. Ne te gjitha rastet kur janë dëmtuar kopetë e deleve, kopetë e gjedheve nga ujqit, pronarët kane kërkuar te gjejnë gjurmët, e ne rastin konkrete automjeti bashke me mjetet monetare ka humbur pa " gjurme e doke" siç emërtohet ne zhargonin popullor”.
Parashtruesi i kërkesës konsideron të rëndësishme dispozitat e përgjithshme kushtetuese sipas të cilave askush nuk mund të privohet në mënyrë arbitrare nga pasuria personale, ku sipas tij do të thotë se askujt nuk mund ti merret pasuria në mënyrë arbitrare dhe pa bazë përkatëse juridike, por vetëm në mënyrë të bazuar dhe të parashikuar me norma të së drejtës ekzistuese. Parashtruesi i kërkesës iu referohet rasteve të GJEDNJ-së përkatësisht rastit Lonnroth kundër Suedisë dhe Capital Bank AD kundër Bullgarisë, ku thekson se në këto raste janë përcaktuar parime specifike për ushtrimin e papenguar të së drejtës së pronësisë.
Në fund parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata: (i) të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31, 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të protokollit nr.1 dhe nenit 6 të KEDNJ-s, dhe nenit 17 të DUDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshme vendimet e gjykatave të rregullta, dhe të rikthejë çështjen në rigjykim dhe rivendosje.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[...]
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
NENI 6
E drejta për një proces të rregullt
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]
NENI 1
Mbrojtja e pronës
Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut
Neni 17
E drejat pë të zotëruar pronë
1. Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm ashtu edhe në bashkësi me të tjerët.
2. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 211
211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 €.
(...)
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës, i cili konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit Rev.nr.598/2020 të Gjykatës Supreme, të 3 marsit 2022, ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit, ka specifikuar qartë të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit.
Megjithatë, Gjykata shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e përcaktuara me nenin 49 [Afatet] të Ligjit dhe rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], respektivisht paragrafin (1) (c) të Rregullores së punës. Ato përcaktojnë si në vijim:
Neni 49 i Ligjit
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Rregulli 34 i Rregullores së punës
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Në lidhje me sa u tha më sipër, Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është ndryshuar aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe refuzuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës (shih mutatis mutandis, rastin e Gjykatës Kushtetuese: KI120/17, parashtrues: Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 30; si dhe rastin e GJEDNJ-së, Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002).
Gjykata rikujton po ashtu se parashtruesi i kërkesës duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi i kërkesës nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih, mutatis mutandis, rastet e Gjykatës Kushtetuese: KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 31; KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 38).
Gjykata vëren se procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e tij për kompensim të dëmit material, kishte përfunduar me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020, përmes së cilit ishte ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës si pathemeltë.
Më tej, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës paraqiti edhe revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme i cili kontestohet nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata vëren se në Aktvendimin [Rev.nr.598/2020] të 3 marsit 2022, Gjykata Supreme nuk është marrë me pretendimet kryesore ankimore të parashtruesit, por ekskluzivisht me çështjen e natyrës procedurale në lidhje me llojin e mjetit juridik i cili është paraqitur nga parashtruesi në Gjykatën Supreme.
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte konstatuar se në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore të Ligjit të Procedurës Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK), në nenin 211.2 është përcaktuar se kur është i lejuar revizioni në kontestet pasurore-juridike, në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla.
Në kategorinë e parë tregohet afati se brenda sa ditëve palët mund të paraqesin revizion, siç parashihet me nenin 211, paragrafin 1 të LKP-së, i cili, inter alia, thotë:
“211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi”.
Në kategorinë e dytë specifikohet se kur nuk lejohet revizioni në kontestet pasurore-juridike, siç parashihet me nenin 211.2 të LPK-së, i cili, inter alia, thotë:
“211.2 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit, ose me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk i kalon 3.000 €”.
(...)
Në lidhje këtë, Gjykata i referohet Aktvendimit [Rev.nr.598/2020], të Gjykatës Supreme, që hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se: “Nga shkresat e lëndës rezulton se vlera e objektit të kontestit nuk kalon shumën 3000 €. Në këtë gjëndje të çështjes, Gjykata Supreme e Kosoves, pasi e shqyrtoi lejueshmerinë e paraqitjes së këtij revizioni, gjeti se i njejti është i palejuar.Në kontestet për kërkesat në të holla nga marrëdhenia e punës, revizioni është i lejuar nën kushtet e njëjta si në konteste pasurore - juridike të cilat kanë të bëjnë me këkesat në të holla. Sipas dispozitës së nenit 211.2 të LPK, revizioni nuk është i lejuar në kontestet pasurore-juridike, në të cilat kërkesepadia ka të bëjë me kërkesat në të holla, me dorëzimin e sendit ose me kryerjen e ndonjë veprimi, nëse vlera e objektit të kontestit nuk kalon shumën 3000 €”.
Në bazë të kësaj, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në precizimin e kërkesëpadisë vlerën e kontestit e kishte vënë 3000 (tre mijë) euro, e cila vlerë duhet të ishte mbi 3000 (tre mijë) euro, për të qenë revizioni i lejuar, gjë e cila është e përcaktuar me dispozitat ligjore të LPK-së (neni 211, paragrafi 2).
Për më tepër, Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai ka përdorur mjete juridike, si revizionin kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, i cili nuk ka qenë i lejuar.
Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], i 21 korrikut 2020, me të cilin ishte ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore dhe ishte refuzuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës si e pathemeltë, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastet e Gjykatës Kushtetuese nr. KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 43; KI23/19, parashtrues Agim Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 tetorit 2021, paragrafi 93).
Andaj, Gjykata rikujton se Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016], ishte nxjerrë më 21 korrik 2020. Në bazë të shkresave të lëndës, përkatësisht në faqen e parë të aktgjykimi është shënuar data e pranimit të aktgjykimit, ku shihet që parashtruesi i kërkesës, Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 12 gusht 2020, dhe me këtë Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij në postë, më 26 korrik 2022, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [CA.nr.3616/2016] të 21 korrikut 2020, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe të parandalohet mbajtja në gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë kohore e palëve dhe personave të tjerë të përfshirë në procese gjyqësore (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258; shih, gjithashtu Aktgjykimin e GJEDNJ-së Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë, nr. 56080/13, të 19 dhjetorit 2017, paragrafi 129; dhe, rastin e Gjykatës Kushtetuese nr. KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 dhjetorit 2019, paragrafi 46).
Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së Sabri Güneş kundër Turqisë, kërkesa nr. 27396/06, të 29 qershorit 2012, paragrafi 39; shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese e kërkesës Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 nëntorit 2020, paragrafi 42).
Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontrolli i tillë nuk është më i mundur (shih Vendimin e GJEDNJ-së Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, të 25 janarit 2000; shih, gjithashtu, Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, të cituar më lart, paragrafi 40; shih po ashtu edhe rastin e Gjykatës KI53/18, parashtrues i kërkesës Hajri Ramadani, Aktvendimi për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 45).
Andaj, mbi bazën e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin
20.4 të Ligjit; dhe
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Behxhet Isufi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile