Prishtinë, më 14 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2402/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI98/23
Parashtrues
Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës
[Ac. nr. 6365/22], të 3 shkurtit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi, nga Komuna e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës), të përfaqësuar nga Shahe Isafi, nga Komuna e Gjakovës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktvendimin [Ac. nr. 6365/22], të 3 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimit [PPP. nr. 80/22], të 31 gushtit 2022, të Gjykatës Themelore në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesve të kërkesës u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) e nenin 1 të protokolli nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018 do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 maj 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën e tyre përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 17 maj 2023.
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI98/23], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi si gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [Nr. KSH. KI98/23] caktoi kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 2 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Në të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 13 shkurt 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesit e kërkesës paraqesin kërkesë për herë të tretë në Gjykatë.
Faktet e rastit në lidhje me kërkesën e parë KI225/13
Më 10 shkurt 2014, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën e tyre në Gjykatë, përmes të cilës kontestuan Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, CA. nr. 972/2013, të 18 tetorit 2013.
Më 12 maj 2014, Gjykata pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, përmes Aktvendimit për papranueshmëri KI225/23, shpalli kërkesën nr. KI225/13 të papranueshme si qartazi të pabazuar të përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 36 të Rregullores së punës.
Faktet e rastit ne lidhje me kërkesën e dytë KI223/21
Më 6 dhjetor 2021, parashtruesit e kërkesës dorëzuan kërkesën KI223/21, përmes se cilës kontestuan Aktgjykimin [Rev. nr. 370/2020], e 19 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme te Kosovës në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4346/20 16], e 12 qershorit 2020, të Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe Aktgjykimin [C. nr. 388/2012], e 25 gushtit 2016, të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Më 17 janar 2023, Gjykata pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, përmes Aktvendimit për papranueshmëri KI223/21, shpalli kërkesën nr. KI223/21 të papranueshme, si qartazi të pabazuar të përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Faktet e rastit ne lidhje me kërkesën aktuale KI98/23
Gjykata vëren se më 19 shtator 2007, Gjykata Komunale në Gjakovë përmes Aktgjykimit [C. nr. 43/07] vendosi sipas padisë së H. I. nga fshati Bec, kundër parashtruesve të kërkesës, me të cilin vërtetohet e drejta e servitutit të H. I. në paluajtshmërinë e caktuar. Prona gjendet në ngastrën shërbyese nr. 245/11 KK Bec, me fillim nga rruga publike që është e regjistruar si ngastër kadastrale nr. 247 KK Bec.
Aktgjykimi i Gjykatës Komunale në Gjakovë është bërë i plotfuqishëm pas hedhjes poshtë të kërkesës nga ana e Gjykatës së Qarkut në Pejë, si të palejuar për shkak se ka shkaktuar shumën e vogël të kontestit.
Më 27 mars 2009, pala H.I. në cilësinë e Kreditorit paraqiti propozim për lejimin e përmbarimit të dokumentit përmbarues - Aktgjykimit [C. nr. 43/07], të 19 shtatorit 2007.
Më 20 nëntor 2011, parashtruesit e kërkesës kanë parashtruar kundërshtim ndaj propozimit për përmbarim të kreditorit, në Gjykatën Komunale të Gjakovës.
Më 22 mars 2013, Gjykata Themelore në Gjakovë përmes aktvendimit [E. Nr. 368/09], ka refuzuar si të pabazuar kundërshtimin e parashtruesve të kërkesës.
Ndërkohë, lënda për përmbarim i është dorëzuar , përmbaruesit privat Gëzim Gjoshit, me seli në Gjakovë, i cili me ftesën [P. nr. 558/21] të datës 13 maj 2022, ka ftuar parashtruesit e kërkesës në cilësinë e debitorëve, që të jenë prezent më 2 qershor 2022, gjatë ekzekutimit të Aktgjykimit [C.nr43/07], të Gjykatës Komunale në Gjakovë.
Më 1 qershor 2022, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë kundër parregullsive me rastin e kryerjes së përmbarimit, nga përmbaruesi privat Gëzim Gjoshi, me seli në Gjakovë, lidhur me lëndën përmbarimore [P .nr.558/21].
Më 31 gusht 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP.nr.80/2022], duke u bazuar në nenin 73 dhe 79 Ligji nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimor (ne tekstin e mëtejmë: LPP) hodhi poshtë si të paafatshme ankesën e paraqitur.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesit e kërkesës paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin për shkelje të dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që vendimi të prishet ose të kthehet për rivendosje në shkallë të parë.
Më 3 shkurt 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.6365/22], refuzoi ankesën e parashtruesve si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, me vlerësimin se i njëjti nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182. 2, pika (b), (g),( j), (k) dhe (m) e LPK-së dhe se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Më 13 mars 2023, parashtruesit e kërkesës paraqiten propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Më 2 maj 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC.nr.24/2023], refuzoj propozimin e parashtruesve te kërkesës me arsyetimin se “Sa i përket bazës ligj ore - aplikimit te gabuar te se drejtës materiale, nga neni 247.1 pika b), ne kemi gjetur se ne rastin konkret nuk ka aplikim te gabuar te se drejtës materiale e cila do te mund te ndikonte ne paraqitjen e kërkesës për mbrojtje te ligjshmërisë, si mjet i jashtëzakonshëm juridik.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se përmes Aktvendimit [Ac.nr.6365/22], të 3 shkurtit 2023, të Gjykatës së Apelit u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tyre, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) e nenin 1 të Protokolli nr.1 të KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 79 të LPP-së me arsyetimin se “Ne rastin konkret Aktvendimi i Gjykatës Themelore ne Gjakove,PPP.m.80/22,i dates 31 Gusht 2023,Aktvendimi i Gjykates se Apelit te Kosovës ne Prishtine Ac.m. 8365/22,i dates 03.02.2023 dhe Njoftimi i Zyrës se Prokurorit te Shtetit te Republikës se Kosoves,KMLC.m.24/2023,i datës 02.05.2023.10.2021 jane te kundërligjore, meqenëse të njëjtat Aktvendime dhe njoftimi janë marre ne kundërshtim me nenin79 par. 1 te LPP-së ,meqenëse sipas te njëjtës dispozit afati 7 ditore vlen qe nga momenti kur pala ka marre njohuri lidhur me parregullsitë e jo nga momenti kur është ndërmarre veprimi. Nga ana e Përmbaruesit privat me është përcjelle ftesa PP.m.558/21,e datës 13.05.2022,kurse qe nga data e dorëzimit te ftesës, në afat prej 7 ditësh kame ushtruar Ankese tek Përmbaruesi privat për parregullsitë e ekzekutimit te lëndës P.m.558/21.”
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu theksojnë “Pra ne rastin konkret Gjykata e shkalles se pare ajo e shkalles se dyte, kanë vendosur ne kundërshtim me nenin 79 par. 1 te LLP-së. Po ashtu e tere procedura është zhvilluar ne kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Pronësinë dhe te Drejtat Tjera Sendore”.
Përfundimisht, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) kërkesën e tyre ta shpallë të pranueshme; dhe të (ii) konstatoj që Aktvendimi i kontestuar përkatësisht Aktvendimi [Ac.nr.8365/2022], i 3 shkurtit 2023, i Gjykatës së Apelit është nxjerrë në kundërshtim me nenin 24, 31, 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të KEDNJ-së, si dhe nenin 79 të Ligjit nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimor si dhe dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore, duke e shpallur të njëjtin të pavlefshëm dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj eksproprijimin e pronës nëse ky eksproprijim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave eksproprijohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Protokolli nr. 1 neni 1 [Mbrojtja e Pronës]
1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Ligji nr. 04/l-139 për Procedurën Përmbarimor
Neni 79
Ankesat kundër parregullsive me rastin e kryerjes së përmbarimit
“1.Pala ose pjesëmarrësi tjetër në procedurë mund të parashtrojë një ankesë në Gjykatë, lidhur me parregullsitë që janë kryer nga organi përmbarues gjatë kryerjes së procedurës së përmbarimit. Kjo kërkesë i bëhet Gjykatës me një parashtresë me shkrim në afat prej shtatë (7) ditësh nda dita e ndodhjes së parregullsisë së pretenduar.
2. Sipas kërkesës nga paragrafi 1. i këtij neni, nëse parashtruesi e ka propozuar këtë, Gjykata nxjerr vendimin brenda tre (3) ditësh nga dita e dorëzimit të parashtresës.
3. Palët ose pjesëmarrësit tjerë në procedurë kanë të drejtë ankese kundër vendimit të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni në pajtim me dispozitat e nenit 77 të këtij ligji”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata, gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet 47 [Kërkesat individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afati]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të mësipërme, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës janë palë të autorizuara; i kanë shteruar mjetet juridike në dispozicion; e kanë qartësuar aktin e autoritetit publik, kushtetutshmërinë e të cilit e kontestojnë dhe të drejtat kushtetuese të cilat pretendojnë se u janë cenuar, si dhe e kanë dorëzuar kërkesën në kohë.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton që:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj.”
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në këtë kontekst, dhe në vijim, me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës në rrethanat e këtij rasti, me qëllim të vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse, të cilat i ngërthen kjo kërkesë, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se pretendimet kryesore të parashtruesve të kërkesës në thelb kanë të bëjnë me (i) shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe (ii) shkeljen e të drejtave pronësore, me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre duke refuzuar ankesën e parashtruesve te kërkesës si të pabazuar lidhur me parregullsitë në procedurën përmbarimore, kanë shkelur të drejtat e tyre kushtetuese te garantuar me nenin 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës.
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës argumentojnë se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me nenin 79 të LPP-së, duke bazuar pretendimet e tyre në një shkallë të caktuar të interpretimit dhe aplikimit të këtij nenit. Parashtruesit e kërkesës theksojnë se çështja e tyre është e lidhur me procedurat e përmbarimit, specifikisht në lidhje me afatin kohor për të ushtruar ankesën.
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës pretendimet e tyre i mbështesin në arsyetimin se këto Aktvendime dhe Njoftimi janë në kundërshtim me nenin 79 paragrafi 1 të LPP-së, duke vënë në dukje se afati 7-ditor për ushtrimin e ankesës fillon nga momenti kur palët kanë njohuri për parregullsitë dhe jo nga momenti kur është ndërmarrë veprimi. Në këtë aspekt, parashtruesit pretendojnë se ky argument shtrihet edhe në faktin se ata kanë ushtruar ankesën tek përmbaruesi privat pas dorëzimit të ftesës PP.m.558/21, e datës 13 maj 2022, duke e bërë këtë brenda afatit prej 7 ditësh.
Kështu, parashtruesit e kërkesës përfundimisht pretendojnë se gjykatat e rregullta gabimisht kanë vlerësuar dhe aplikuar nenin 79 të LPP-së në rastin e tyre, duke e refuzuar ankesën e tyre si të paafatshme në mënyrë të padrejtë. Gjithashtu, ata kërkojnë rivlerësimin e Aktvendimeve dhe Njoftimit të përmendur në bazë të argumenteve të tyre, të cilat i shpjegojnë si të mospajtueshme me dispozitat ligjore në fuqi.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesve të kërkesës, përkatësisht lidhur me interpretimin dhe aplikimin e nenit 79 të LPP-së me rastin e refuzimit të ankesës se tyre, Gjykata vëren se të njëjtat ishin trajtuar në mënyrë të detajuar nga gjykatat e rregullta.
Gjykata, fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP.nr.80/2022], të 31 gushtit 2022, duke trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
“[...] për këtë arsye gjykata vendosi qe këtë ankese ta hedhë poshtë si te pa afatshme, pasi që nga data e njoftimit të debitorëve me veprimet përmbarimore të përmbaruesit privat, e deri në paraqitjen e ankesës nga përfaqësuesja e autorizuar e debitorëve, kane kaluar me shume se shtatë (7) ditë
Andaj, nga ajo qe u tha me lart, u vendos si ne piken I (një) dispozitiv te këtij aktvendimi konform nenit 79 dhe 73 te LPP-së.”
Gjithashtu, Gjykata rikujton se Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.6365/2016], të 3 shkurtit 2023, në kontekst të këtij pretendimi specifik të parashtruesve të kërkesës, kishte theksuar si në vijim:
“Nuk qëndrojnë pretendimet e debitorit se gjykata e shkalles se pare nuk ka dhëne arsye lidhur me aktvendimin për hedhje poshtë te ankesës, për arsye se gjykata e shkalles se pare në mënyrë të qartë e ka arsyetuar vendimin pasi qe e njëjta ka argumentuar se ankesa për eliminimin e parregullsive e ushtruar nga ana e debitorëve është e pas afatshme, pretendohet se parregullsia ka ndodhur me date 13.05.2022, për te cilin parregullsi debitorët kane qene te njoftuar me datën 20.05.2022, ndërsa parashtresa është dorëzuar te përmbaruesi privat me date 01.06.2022”
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesve të kërkesës dhe kishin sqaruar se afati objektiv prej 7 ditësh, siç parashikon neni 79 të LPP-së, fillon nga momenti i shkaktimit të parregullsive gjatë procedurës së përmbarimit. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se debitorët nuk kanë paraqitur dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar se kanë ushtruar ankesën e tyre brenda këtij afati objektiv. Në përfundim, Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore, duke kualifikuar ankesën si të pas afatshme dhe të paqëndrueshme dhe në përputhje me kriteret e Ligjit të Procedurës Përmbarimore.
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës nuk kanë respektuar afatin prej 7 ditësh, siç është paraparë nga nenin 79 i Ligjit të Procedurës Përmbarimore (LPP). Ky mosrespektim i afatit ka ndikuar në vlerësimin e rastit, duke shkaktuar pengesa procedurale në trajtimin pretendimeve të tyre nga gjykatat e rregullta. Mungesa e respektimit të afatit ligjor ka sjellë pasoja juridike në epilogun e rastit të tyre, duke kufizuar gjykatat në vlerësimin dhe shqyrtimin e pretendimeve sipas kritereve të përcaktuara në ligj.
Gjykata vëren se Gjykata Themelorë dhe Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit të kontestuar kishte shpjeguar në mënyrë të plotë dhe të arsyeshme pse ankesa e tyre ishte refuzuar si rezultat i mos respektimit të afatit ligjor.
Në anën tjetër, Gjykata thekson se parashtruesit e kërkesës është dashur të tregojnë “kujdesin e duhur” për t'i mbrojtur të drejtat e tyre në pajtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e LPP-së për kryerjen e hapave procedural në mënyrë që kërkesa e tyre të procedohej tutje.
Gjykata konsideron se sqarimi i dhënë i Gjykatës së Apelit përmes Aktvendimit të kontestuar lidhur me refuzimin e ankesës së tyre, në rastin konkret është i qartë, përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike dhe arsyetimit.
Gjykata me anë të një vëzhgimi të përgjithshëm thekson se i takon kryesisht gjykatave të rregullta, aty ku e kërkon ligji i aplikueshëm, të vlerësojë nëse është përmbushur ndonjë kusht procedural/administrativ për një apelim përpara saj. (Shih rastin Zuback kundër Kroacisë, kërkesa nr. 40160/12, Aktgjykim i 5 prillit 2018, paragrafi 86).
Për më tepër, Gjykata thekson se e drejta për akses në gjykata nuk është absolute, ajo ju nënshtrohet kufizimeve në disa rrethana të caktuara, të tilla si urdhrave që kërkojnë pagesën e një garancie judicatum solvi (Shih rastin e GJEDNJ-së, Olstoy Miloslavsky kundër Mbretërisë se Bashkuar, kërkesa nr. 18139/91, Aktgjykim i 13 korrikut 1995)
Në këtë aspekt, Gjykata më tej konsideron që parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar se procedura në Gjykatën e Apelit ka qenë e padrejtë apo arbitrare apo që të drejtat dhe liritë themelore të tyre të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale, respektivisht LPP-së. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë. (Shih, rasti KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu rastin KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).
Në këtë aspekt, Gjykata vëren se mosveprimi i parashtruesve të kërkesës që të paraqesin ankesën brenda afatit ligjor mund të ketë afektuar në tërësi rezultatin e procedurës përmbarimore. Megjithatë, Gjykata thekson se nuk mund të trajtojë rrethanat jashtëgjyqësore të parashtruesve të kërkesës që kanë rezultuar në mos paraqitjen e ankesës brenda afatit ligjor. Gjykata vëren se humbja e afatit ligjor për paraqitjen e ankesës ka prodhuar efekte juridike lidhur me pretendimet e tyre për parregullsi në procedurën përmbarimore.
Gjykata vëren ankesën e parashtruesve të kërkesës lidhur me rastin e tyre të paraqitur në gjykatat e rregullta, por mungesa e maturisë apo kujdesit të nevojshëm lidhur me respektimin e hapave proceduralë mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare lidhur me rezultatin përfundimtar të rastit të parashtruesit.
Përveç kësaj, Gjykata rithekson se efikasiteti i mjeteve juridike të parapara me nenin 54, në pajtim me praktikën e GJEDNJ-së, nuk përcaktohet në bazë të asaj nëse parashtruesi i kërkesës me shfrytëzimin e tyre ka arritur t'i realizojë qëllimet e tij në mënyrën se si ai kishte synuar por nëse ai kishte pasur mundësinë që me mjetin juridik që ai e shfrytëzon të mund të paraqesë argumentet e tij që do të shqyrtohen nga autoritetet kompetente (shih rastin e GJEDNJ-së, Soering kundër Mbretërisë se Bashkuar, Aktgjykim i 7 korrikut 1989, paragrafi 120, shih gjithashtu rastin KI76/20, parashtrues Kujtim Zarari, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 korrikut 2020, paragrafi 45).
Gjykata, në fund, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesve të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, nr. 5503/02, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Gjykata përsërit që nuk është detyrë e saj, sipas Kushtetutës, të veprojë si Gjykatë e Apelit, apo gjykatë e shkallës së katërt, lidhur me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është detyrë e gjykatave të rregullta t'i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih, mutatis mutandis, Garcia Ruiz kundër Spanjës, kërkesa nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28)
Bazuar në si më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e ngritura në rrethanat e rastit konkret dhe faktet e paraqitura, Gjykata, duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës bien në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 13 shkurt 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20. 4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Hasan Isafi dhe Muharrem Isafi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Tjetër