Prishtinë, më 16 dhjetor 2024
Nr. Ref.:RK 2588/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI193/24
Parashtrues
Remzi Vila
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 85/2024, të 7 marsit 2024 të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimit Ac. nr. 5909/22, të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Remzi Vila, me vendbanim në Komunën e Ferizajt (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [Ac. nr. 5909/22] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [C. nr. 150/2019] e 1 marsit 2021 të Gjykatës Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 [Barazia para ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 11 shtator 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 shtator 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI193/24] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [nr. KSH. KI193/24] caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 3 tetor 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë ankesat dhe vendimet që ndërlidhen me kërkesën e tij. Në po të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi gjithashtu Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 28 tetor 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë.
Më 26 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e rastit rezulton se më 1 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 150/2019] kishte aprovuar si të bazuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe familjarëve të tij për pengim posedim, kundër S.V., N.V., SV., B.V. dhe S.V. (në tekstin e mëtejmë: të paditurit), duke detyruar këta të fundit që të përmbahen nga pengimi në shfrytëzimin e rrugës nga ana e parashtruesit të kërkesës. Pas parashtrimit të ankesës nga të paditurit, më 9 shtator 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. 3613/2021] ktheu lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje tek gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se i njëjti ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe mosvërtetim të fakteve vendimtare përkitazi me pengimin në shfrytëzimin e rrugës.
Më 16 gusht 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C. nr. 2021: 232038] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se, nga provat e administruara dhe deklaratat e dëshmitarëve, ishte vërtetuar që nuk kishte pengim të posedimit nga ana e të paditurve për faktin se zhavorri në rrugën që dërgonte tek shtëpia e parashtruesit të kërkesës nuk ishte hedhur nga ta, por nga kompania e angazhuar nga Komuna e Hanit të Elezit për rregullimin e saj.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën e Apelit ankesë kundër Aktvendimit të 16 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore, përmes së cilës pretendoi shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 5 tetor 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 5909/22] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e 16 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore, pasi konstatoi se nga deklaratat e dëshmitarëve R. K. dhe R. S., zyrtarë të Komunës së Hanit të Elezit, vërtetohej që zhavorri ishte hedhur nga ana e kompanisë së kontraktuar nga Komuna e Hanit të Elezit dhe jo me kërkesë të të paditurve.
Më 23 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 7 mars 2024, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 85/2024] hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se revizioni nuk është i lejuar në kontestet lidhur me pengim posedimin sipas paragrafit 4 të nenit 181 të Ligjit Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore (GZ. numër 38, 20 shtator 2008) (në tekstin e mëtejmë: LPK).
Kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme
Parashtruesi i kërkesës kërkon kthim në gjendje të mëparshme të afatit për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë, siç është përcaktuar përmes nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit.
Parashtruesi i kërkesës mosdorëzimin e ankesës së tij kushtetuese brenda afatit ligjor e arsyeton duke theksuar se në fund të muajit shkurt të vitit 2024, kur po priste vendimin e Gjykatës Supreme, kishte shkuar të punojë në Gjermani dhe nuk ishte kthyer deri më 9 shtator 2024.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenet 3 [Barazia para ligjit], 7 [Vlerat], 24 [Barazia para ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 3 [Barazia para ligjit] dhe 24 [Barazia para ligjit] të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se përmes aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, e njëjta nuk i ka ofruar mbrojtje atij dhe familjes së tij, duke mos e konsideruar veprimin e Komunës së Hanit të Elezit pengim posedim dhe duke mos udhëzuar Gjykatën Themelore që parashtruesi i kërkesës t’i drejtohej komunës në fjalë me kërkesë për zhbllokim të rrugës. Sipas parashtruesit të kërkesës, “[...] Në asnjë rrethanë asnjë Komunë nuk e bllokon banorin e saj”.
Parashtruesi i kërkesës po ashtu shton se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është në kundërshtim me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës pasi sipas tij, përveç cenimit të lirisë së lëvizjes, i njëjti është nxjerrë në procedurë gjyqësore gjatë së cilës është diskriminuar dhe nuk i është mbrojtur prona.
Më tej, parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktvendimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, me arsyetimin se e njëjta nuk kishte marrë parasysh dëshmitë që ishin në kundërshtim me dëshminë e dëshmitarit R. S.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
Rregulli 29
(Llogaritja e periudhës kohore)
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit; dhe
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr. 85/2024] e 7 marsit 2024 të Gjykatës Supreme, pasi ka shteruar mjetet juridike të parapara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor, të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, rastet e Gjykatës KI61/23, parashtrues Hedie Bylykbashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, parashtrues Sami Nuredini, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së Lekić kundër Sllovenisë, nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08 Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do t’i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI115/20, parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 nëntorit 2021, paragrafët 55-56; dhe rastin e GEDNJ-së Sabri Güneş kundër Turqisë, nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafët 52 dhe 55).
Gjykata rikujton që afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e Gjykatës KI59/18, parashtrues Strahinja Spasić, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 marsit 2019, paragrafi 51; dhe rastin e GJEDNJ-së Chapman kundër Belgjikës, nr. 39619/06, Vendim i 5 marsit 2013, paragrafi 34). Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës, pa marrë parasysh nëse vendimi është shpallur gojarisht ndaj parashtruesit të kërkesës. Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda 4 (katër) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kuptim, Gjykata rikujton praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar se nuk kërkohet shterimi i mjeteve juridike diskrecionale, apo mjeteve juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi. Sipas GJEDNJ-së, shterimi i mjeteve juridike dhe periudha 4 (katër) mujore janë të ndërlidhura ngushtë. Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, më tej thekson se afati 4 (katër) mujor fillon të rrjedhë nga dita kur parashtruesi ka pranuar vendimin e mjetit të fundit efektiv juridik (shih, rastet e Gjykatës KI143/19, parashtrues Agim Thaqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 janarit 2020, paragrafi 42; dhe KI111/22, parashtrues Bechtel Enka GP.O.P, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2023, paragrafi 44; dhe rastin e GJEDNJ-së Williams kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 32567/06, Vendim i 17 shkurtit 2009).
Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret, procedura ndaj parashtruesit të kërkesës e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta në lidhje me meritat e rastit kishte përfunduar me Aktvendimin [Ac. nr. 5909/22] e 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit. Pas pranimit të këtij të fundit, i njëjti më 23 nëntor 2023, ka përdorur mjetin juridik revizionin, i cili nuk ka qenë i lejuar me ligj.
Në lidhje me këtë, Gjykata vë në dukje që përmes Aktvendimit [Rev. nr. 85/2024] të 7 marsit 2024 të Gjykatës Supreme, kjo e fundit, bazuar në paragrafin 4 të nenit 181 të LPK-së, hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se revizioni nuk është i lejuar në kontestet lidhur me pengim posedim.
Gjykata tutje shton se në rastin e parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të Aktvendimit [Ac. nr. 5909/22] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë që t’i drejtohet Gjykatës. Megjithatë, i njëjti, më 23 nëntor 2023, parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, mjet ky i cili nuk ka qenë i paraparë me ligjin e aplikueshëm.
Rrjedhimisht, bazuar në nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”, është Aktvendimi [Ac. nr. 5909/22] i 5 tetorit 2023 i Gjykatës së Apelit, i cili ishte përfundimtar. Në këtë kontekst, Gjykata, më tej duhet të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë, në përputhje me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Gjykata vëren se Aktvendimi [Ac. nr. 5909/22] i Gjykatës së Apelit ishte nxjerrë më 5 tetor 2023, kundër të cilit parashtruesi i kërkesës, më 23 nëntor 2023 parashtroi revizion në Gjykatën Supreme. Edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë se koha në mes të pranimit të aktvendimit të lartcekur dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 11 shtator 2024, në Gjykatë, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih, rastin e Gjykatës KI293/23, parashtrues Musa Shabani, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, paragrafi 41).
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon kthimin në gjendje të mëparshme dhe e arsyeton mosdorëzimin e kërkesës brenda afatit ligjor në Gjykatë, duke theksuar se në fund të muajit shkurt të vitit 2024, kur po priste vendimin e Gjykatës Supreme, kishte shkuar të punojë në Gjermani dhe nuk ishte kthyer deri më 9 shtator 2024. Në këtë aspekt, Gjykata i referohet përmbajtjes së nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit, i cili përcakton: “Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj”.
Bazuar në përmbajtjen e nenit 50 të Ligjit, në mënyrë që të aprovohet kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme duhet të plotësohen edhe kushtet kumulative si në vijim: (i) parashtruesi i kërkesës duhet të dëshmojë se pa fajin e tij/saj nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit; (ii) parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda afatit prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve që nga mënjanimi i pengesës; (iii) parashtruesi i kërkesës duhet të arsyetojë kërkesën e tij; dhe (iv) nuk ka kaluar 1 (një) vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë Ligj për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë (shih, rastin e Gjykatës KI163/20, parashtrues "Inter Eminex", Aktvendim për papranueshmëri, i 18 shkurtit 2021, paragrafi 48).
Në rrethanat e rastit konkret dhe siç është sqaruar më lart, Gjykata vëren se pas pranimit të Aktvendimit [Ac. nr. 5909/22] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës më 23 nëntor 2023 parashtroi revizion në Gjykatën Supreme. Në këtë drejtim, Gjykata vëren se nga koha e pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit e deri në dorëzimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatë më 11 shtator 2024, nuk ka kaluar 1 (një) vit ose më shumë, dhe rrjedhimisht njëri nga kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit është plotësuar. Megjithatë, Gjykata duhet gjithashtu të vlerësojë nëse janë plotësuar 3 (tre) kushtet tjera të përcaktuara përmes nenit 50 të Ligjit, përkatësisht nëse parashtruesi i kërkesës (i) ka dëshmuar se pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar përmes nenit 49 të Ligjit; (ii) ka arsyetuar kërkesën e tij; dhe (iii) ka paraqitur kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga mënjanimi i pengesës.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës thekson se nuk ka qenë në gjendje që brenda afatit ligjor të paraqesë kërkesën e tij në Gjykatë për faktin se në fund të shkurtit 2024, kohë gjatë së cilës ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme, i njëjti kishte shkuar të punojë në Gjermani, ku kishte qëndruar deri në shtator të po të njëjtit vit. Megjithatë, Gjykata thekson se në kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme të afatit, nuk ka asnjë arsyetim të vetëm lidhur me pamundësinë e dorëzimit të kërkesës përkatëse në Gjykatë nga momenti i pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, vendim i cili siç është sqaruar më lart është “vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik”. Në këtë aspekt, më 23 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar revizion në Gjykatën Supreme, mjet i palejueshëm sipas ligjit të aplikueshëm, dhe në shkurt të vitit 2024 kishte udhëtuar për në Gjermani. Rrjedhimisht, bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se (i) pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit; (ii) nuk ka arsyetuar kërkesën në fjalë; dhe (iii) nuk ka dëshmuar se ka paraqitur kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga mënjanimi i pengesës.
Për pasojë, Gjykata vëren se në rrethanat e rastit konkret është plotësuar vetëm njëri nga kushtet e përcaktuara në nenin 50 të Ligjit, përkatësisht afati 1 (një) vjeçar brenda të cilit një kërkesë mund të paraqitet në Gjykatë duke kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, dhe rrjedhimisht, Gjykata konstaton që nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara për kthim në gjendje të mëparshme.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20, 47 dhe 50 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (c) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 26 nëntor 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën e parashtruesit për kthim në gjendje të mëparshme, për sa i përket afatit për paraqitje të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese;
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenin 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Remzi Vila
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile