Prishtinë, më 6 shkurt 2023
Nr. ref.:RK 2122/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI31/22
Parashtrues
Fidan Hoti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 129/2021 të 14 tetorit 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Fidan Hoti, nga fshati Nëpërbisht, komuna e Suharekës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Korab Bokshi, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Rev. nr. 129/2021] e 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Aktvendimi i kontestuar u është dorëzuar parashtruesve të kërkesës më 10 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të lartcekur, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 mars 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), arriti dhe u regjistrua më 7 mars 2022.
Më 16 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GjR.KI31/22, caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI31/22, caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 18 mars 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 18 mars 2022, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren-dega në Suharekë dorëzimin e fletëkthesës si dëshmi e datës së pranimit të Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme nga parashtruesi i kërkesës.
Më 22 mars 2022, Gjykata Themelore në Prizren-dega në Suharekë, informoi Gjykatën se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 10 nëntor 2021.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 18 janar 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta deklarojë kërkesën qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Historiku
Kërkesa bën fjalë për një kontest civil/pronësor, ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe kushërinjve të tij, përkitazi me një paluajtshmëri (ngastër kadastrale) me numër P-00471-3, në sipërfaqe të tërësishme prej 1944 metër katror (m2), e ndodhur në zonën kadastrale Nëpërbisht, territori i komunës së Suharekës. Xhaxhai i parashtruesit të kërkesës S. Hoti në vitin 1989 paluajtshmërinë kontestuese ia kishte shitur Z. Hotit. Paluajtshmëria kontestuese, sipas kontratës mbi dhuratën nr. LRP. nr. 953-2013 të 26 korrikut 2013, ishte bartur në pronësi të parashtruesit të kërkesës. Nga tërësia e sipërfaqes prej 1944 (m2), parashtruesi i kërkesës ka në posedim faktik sipërfaqen prej 834 (m2), ndërsa pjesa tjetër e paluajtshmërisë kontestuese, prej 1110 (m2) është në shfrytëzim dhe posedim faktik të trashëgimtarëve ligjor të Z. Hoti. Kontesti e ka zanafillën nga viti 2013 e këndej ku trashëgimtarët ligjor të Z. Hotit, tanimë kontestojnë kalimin e pronësisë nga e ëma A. Hoti tek i biri M. Hoti (babai i parashtruesit), me pretendimin se kalimi i pronësisë për pjesën prej 1110 m2, nuk do duhej të bartej në pronësi të M. Hotit, e më pas tek parashtruesi i kërkesës, por te xhaxhai i tij S. Hotit. Kjo mosmarrëveshje mes parashtruesit të kërkesës dhe trashëgimtarëve ligjor të Z. Hotit ka prodhuar procedurat e mëposhtme.
Më 23 qershor 2014, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi [C.nr.313/14] në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Suharekë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), nëpërmjet së cilës kërkoi dorëzimin e paluajtshmërisë kontestuese të lartcekur dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj të paditurit Z. Hoti.
Më 27 gusht 2014, i padituri Z. Hoti parashtroi padi [C.nr.404/14] kundër parashtruesit të kërkesës, M. Hoti dhe S. Hoti, me kërkesë për vërtetimin e pronësisë mbi paluajtshmërinë kontestuese.
Më 12 shtator 2014, Gjykata Themelore me kërkesë të palëve urdhëroi bashkimin e padisë [C. nr. 404/14] së 27 gushtit 2014 me padinë [C. nr. 313/14] e 23 qershorit 2014.
Më 10 shkurt 2015, trashëgimtarët e të paditurit-paditësit Z. Hoti propozuan vazhdimin e procedurës kontestimore pasi që Z. Hoti kishte ndërruar jetë. Në këtë rast, lënda kontestimore mori numër të ri C. nr. 67/2015.
Më 2 gusht 2016, Gjykata Themelore nxori Aktgjykimin C. nr. 67/2015, me të cilin:
Aprovoi si të bazuar padinë e të paditurve-paditësve E. Hoti, K. Hoti. Z. Musaj, Q. Hoti, Qa. Hoti, M. Hoti, Ma. Hoti dhe S. Hoti;
Anuloi pjesërisht kontratën [LRP. 953/2013, nr. ref. 081/2013] e 26 korrikut 2013 mbi dhurimin e paluajtshmërisë kontestuese, të lidhur në mes të M. Hoti dhe parashtruesit të kërkesës;
Vërtetoi se të paditurit-paditësit E. Hoti, K. Hoti. Z. Musaj, Q. Hoti, Qa. Hoti, M. Hoti, Ma. Hoti dhe S. Hoti, gjegjësisht trashëgimtarët e të ndjerit Z. Hoti, në pjesë të barabarta janë pronarë të ligjshëm në bazë të parashkrimit fitues të pjesës së paluajtshmërisë kontestuese sipas fletës poseduese P-72116030-00471-3, në sipërfaqe prej 1110 m2, e evidentuar në emër të parashtruesit të kërkesës;
Detyroi parashtruesin e kërkesës, M. Hotin dhe S. Hotin, që të paditurve-paditësve, t’ua njohë të drejtën e pronësisë në pjesën prej 1110 m2 nga tërësia e sipërfaqes së paluajtshmërisë kontestuese prej 1944 m2;
Ky Aktgjykim t’iu shërbej të paditurve – paditësve, si bazë për regjistrimin e pronësisë mbi paluajtshmërinë në drejtorinë përkatëse në Komunën e Suharekës, vetëm për pjesën e cekur në pikën III të dispozitivit,;
Propozimi për caktimin e masës e sigurisë është tërhequr, në seancën e 20 tetorit 2014;
Obligohen paditësit-të paditurit Fidan Hoti (parashtruesi), M. Hoti dhe S. Hoti, që të paditurve-paditësve t’ua paguajnë shpenzimet e procedurës në shumën prej 2.897,00 euro;
Refuzohet në tërësi si e pabazuar padia e paditësve - të paditurve Fidan Hoti (parashtruesi), M. Hoti dhe S. Hoti për dorëzimin e sipërfaqes prej 138 (m2) nga tërësia e paluajtshmërisë nr. P-00471-3 dhe kërkesa për pagesën e shpenzimeve të procedurës në shumën prej 1.731 euro.
Gjykata Themelore, vendimmarrjen e saj e arsyetoi, si në vijim: “Gjykata pas administrimit të provave të cilat janë në shkresat e lëndës ka vërtetuar se i padituri-paditësi Z. Hoti tani i ndjerë, gjegjësisht trashëgimtarët e tij ligjor E. Hoti etj. posedimin e pjesës së paluajtshmërisë kontestuese sipas parc. kat. 471-3 e kanë të ligjshëm, me mirëbesim dhe ndergjegjeshmëri dhe të njëjtit në posedim ndodhen që nga viti 1989, çka do të thotë se lidhur me fitimin e të drejtës së pronësisë në paluajtshmërinë lëndore paditësit - të paditurit i kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për t’iu njohur e drejta pronësisë, pra këtë të drejtë e kanë fituar përmes parashkrimit fitues”.
Më 19 shtator 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të 2 gushtit 2016 të Gjykatës Themelore, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes esenciale të dispozitave ligjore dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 10 nëntor 2020, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin Ac. nr. 4253/16, refuzoi si të pabazuar, ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin e 2 gushtit 2016 të Gjykatës Themelore, duke arsyetuar se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta të cilat në tërësi i pranon kjo gjykatë, si të drejta, duke ardhur kësisoj në përfundimin se pronësia mbi paluajtshmërinë kontestuese është fituar me parashkrim, sepse e njëjta është shfrytëzuar me mirëbesim dhe ka qenë në posedim të papenguar për 20 vite nga trashëgimtarët e të paditurit paditësve, gjegjësisht Z. Hoti.
Më 15 janar 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, me pretendimin për shkelje thelbësore të dispozitave kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 14 tetor 2021, Gjykata Supreme me Aktvendimin Rev. nr. 129/2021, e hedh poshtë si të palejuar kërkesën për revizion, me arsyetimin se sipas nenit 211.3 të LPK-së, “Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 euro”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendim i kontestuar shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe me nenin 6.1 të KEDNj-së, për shkak të hedhjes poshtë si të palejuar të kërkesës për revizion nga Gjykata Supreme.
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë si të palejuar kërkesën për revizion, duke iu referuar nenit 30.1 të LPK-së dhe duke theksuar se paditësi ka për detyrë që në kontestet pasurore juridike në padi të përcaktoj vlerën e objektit të kontestit. Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka shkelur nenin 36 të LPK-së, i cili sipas tij, përcakton: “Në qoftë se paditësi nuk e ka përmendur fare vlerën e objektit të kontestit në padinë e paraqitur në gjykatë, apo në qoftë se ai vlerën e tillë e ka caktuar tepër të lartë apo shumë më të vogël se që është ajo realisht, atëherë gjykata sipas detyrës zyrtare, apo sipas prapësimit të palës së paditur, me së voni në seancën përgatitore, e nëse kjo nuk është mbajtur, atëherë në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes juridike, por para se të filloj shqyrtimi i çështjes kryesore, shpejt dhe në mënyrë të përshtatshme do ta caktoj, përkatësisht do ta verifikojë saktësinë e vlerës së treguar në padi nga paditësi”.
Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson: “Në këtë çështje, objekt i kontestit kanë qenë parcelat P-72116030-00471-3 në sipërfaqe prej 1110 m2 që do të thotë se vlera e kontestit është tejet më e madhe se sa ajo për të cilën pretendon gjykata, dhe se gjykata sipas detyrës zyrtare është dashur që të ftojë palën në përcaktimin e saktë të vlerës së kontestit”. Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës ka përmendur Aktgjykimin e Gjykatës, në rastin KI143/21, në të cilin Gjykata kishte konstatuar shkelje të së drejtës për qasje në drejtësi nga ana e Gjykatës Supreme.
Dispozitat relevante kushtetuese
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Nenin 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]”.
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, [...]”.
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
4. Përcaktimi i vlerës së objektit të kontestit
Neni 30
“30.1 Paditësi ka për detyrë që, në kontestet pasurore-juridike, në padi ta përcaktoj vlerën e objektit të kontestit. Si vlerë e objektit të kontestit merret parasysh vetëm vlera e kërkesës kryesore”.
Neni 35
[…]
“35.2 Në raste të tjera, kur kërkesëpadia nuk ka të bëjë me të holla, vendimtare do të jetë vlera e objektit të kontestit të cilën e ka treguar paditësi në padinë e tij”.
Neni 36
“Në qoftë se paditësi nuk e ka përmendur fare vlerën e objektit të kontestit në padinë e paraqitur në gjykatë, apo në qoftë se ai vlerën e tillë e ka caktuar tepër të lartë apo shumë më të vogël se që është ajo realisht, atëherë gjykata sipas detyrës zyrtare, apo sipas prapësimit të palës së paditur, më së voni në seancën përgatitore, e nëse kjo nuk është mbajtur, atëherë në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes juridike, por para se të filloj shqyrtimi i çështjes kryesore, shpejtë dhe në mënyrë të përshtatshme do ta caktoj, përkatësisht do ta verifikojë saktësinë e vlerës së treguar në padi nga paditësi. Në rast të këtillë gjykata vendosë me aktvendim kundër të cilit nuk lejohet ankimi”.
Neni 211
“211.1 Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, palët mund të paraqesin revizion brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita në të cilën u është dorëzuar aktgjykimi.
[...]
211.3 Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 Euro.
[...]”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës legjitimohet se është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev. nr. 129/2021] e 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu në kërkesën e tij ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit prej 4 (katër) muajve në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kritereve të lartcekura, Gjykata më tej shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në nënrregullin (2) të rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [ Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së.
Nga mënyra e paraqitjes se pretendimeve, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatë ka të bëjë me mënyrën e aplikimit të LPK-në nga ana e Gjykatës Supreme. Në këtë kontekst, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Kushtetuese është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
i. Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet që ngrenë “çështje të aplikimit të ligjit”
Referuar pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme hodhi poshtë si të palejuar kërkesën për revizion, duke iu referuar nenit 30.1 të LPK-së, por duke shkelur kështu nenin 36 të LPK-së, që përcakton: “Në qoftë se paditësi nuk e ka përmendur fare vlerën e objektit të kontestit në padinë e paraqitur në gjykatë, apo në qoftë se ai vlerën e tillë e ka caktuar tepër të lartë apo shumë më të vogël se që është ajo realisht, atëherë gjykata sipas detyrës zyrtare, apo sipas prapësimit të palës së paditur, më së voni në seancën përgatitore, e nëse kjo nuk është mbajtur, atëherë në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes juridike, por para se të filloj shqyrtimi i çështjes kryesore, shpejtë dhe në mënyrë të përshtatshme do ta caktoj, përkatësisht do ta verifikojë saktësinë e vlerës së treguar në padi nga paditësi”.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, e cila hedhjen poshtë si të palejuar të kërkesës për revizion e bazoi në arsyet vijuese: “Gjykata Supreme e Kosovës, me rastin e shqyrtimit të lejueshmërisë së paraqitjes së revizionit sipas nenit 211.3 të LPK-së, ka gjetur se: Revizioni i të autorizuarit të paditësve - kundër paditurve, është i palejuar. Në nenin 211.3 të LPK-së, "Revizioni nuk lejohet në kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk ka të bëjë me kërkesat në para, me dorëzimin e sendit apo me përmbushjen e ndonjë premtimi tjetër, po që se vlera e objektit të kontestit e treguar në padinë e paditësit nuk e kalon shumën prej 3.000 euro".
Tutje, Gjykata e Supreme theksoi: “Nga shkresat e lëndës del se paditësi - i kundër padituri ka paraqitur padi për vërtetimin e pronësisë në pjesën e ngastrës kadastrale 471-3, në sipërfaqe prej 1110 metra katror, e cila evidentohet në emër të Fidan Hotit, por nuk e ka caktuar vlerën e kontestit. Padia gjykatës i është dorëzuar me datë 27.08.2014 dhe në emër të taksës gjyqësore për padi paditësi ka paguar shumën prej 15.00 €. Bazuar ne Udhëzimin Administrativ për Unifikimin e Taksave Gjyqësore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nr.2008/02 i datës 27.11. 2008, i cili ka qenë në zbatim në kohën e ushtrimit të padisë, në nenin 10, pika 1 parashihet se për procedurën kontestimore, taksa prej 15.00 € mbulon vlerën e kontestit prej 1.001 deri në 2.500 €”.
Si përfundim, Gjykata Supreme konstatoi: “Në bazë të nenit 30.1 të LPK-së "Paditësi ka për detyrë që, në kontestet pasurore-juridike, në padi ta përcaktoj vlerën e objektit të kontestit ". Padia gjykatës i është dorëzuar me datë 21.10.2014, në të cilën, paditësi -i kundërpadituri nuk e ka caktuar vlerën e kontestit. Për faktin se vlera e objektit të kontestit e treguar përmes taksës së paguar për padinë e paditësit nuk e kalon shumën e paraparë me dispozitën e nenit 211.3 të LPK-së, revizioni në këtë çështje juridike nuk është i lejuar dhe si i tillë duhet hedhur poshtë”.
Gjykata rikujton se esenca e shkeljes së të drejtave kushtetuese të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me faktin se gjykata e shkallës së parë është dashur të aplikoj një dispozitë tjetër të ligjit, në vend të dispozitës së aplikuar të LPK-së, për të përcaktuar drejtë vlerën e kontestit.
Sa më sipër, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës në të vërtetë e ka ndërtuar rastin e tij në baza ligjshmërie, dhe jo në baza kushtetutshmërie. Për çfarë, Gjykata rikujton se vetëm një pretendim i ngritur në nivel kushtetutshmërie, mund ta vejë në lëvizje atë, për të intervenuar në riparimin e shkeljeve të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm (shih, në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese, rasti KI76/21, me parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së e cila ndërlidhet me doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht e ka qartësuar dallimin në mes të “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka pohuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabime të fakteve ose të interpretimit dhe aplikimit të gabuar të ligjit, që pretendohet se janë bërë nga gjykatat e rregullta, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe me KEDNj (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI179/18, parashtrues Belgjyzar Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 korrikut 2020, paragrafi 68; KI49/19, parashtrues Shoqëria Aksionare Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim i 31 tetorit 2019, paragrafi 47; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35; dhe KI154/17 dhe KI05/18, me parashtrues, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 gushtit 2019, paragrafi 60, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 34).
Gjykata vazhdimisht ka pohuar se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj (shih, në këtë kontekst, rastin e GjEDNj-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdoruara aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës, KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48; dhe KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 61, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 35).
Gjykata, megjithatë, thekson se praktika gjyqësore e GjEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, rastin e GjEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, nr. 38366/97, 38688/97, 40777/98, 40843/98, 41015/98, 41400/98, 41446/98, 41484/98, 41487/98 dhe 41509/98, Aktgjykim i 25 majit 2000, paragrafët 33-39; dhe shih, gjithashtu rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafi 63). Në parim, një përjashtim i tillë, ndërlidhet me raste të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar” në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës (për një sqarim më të detajuar përkitazi me konceptin e “aplikimit të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar”, shih, ndër të tjera, Udhëzuesin e GjEDNj-së për nenin 6 të KEDNj-së (aspekti civil), të 31 gushtit 2020, pjesën IV. Kriteret Procedurale; 3. Shkalla e Katërt; b. Fushëveprimi dhe Kufizimet e mbikëqyrjes së Gjykatës, paragrafët 329-333; dhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe KI05/18, cituar më lart, paragrafët 60 deri në 65 dhe referencat e përdorura aty, dhe së fundmi rasti KI76/21, parashtrues Qemajl Babuni, Aktvendimi i 10 nëntorit 2021, paragrafi 36).
Sa më sipër, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë se efektet e interpretimit dhe të zbatimit të së drejtës materiale dhe procedurale janë jokompatibile me të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj. Për më tepër, nga arsyetimi i konkluzioneve të Gjykatës Supreme të dhëna në Aktvendimin e kontestuar të 14 tetorit 2021, vërehet qartë se në dritën e rrethanave të rastit konkret, nuk kemi të bëjmë as me “aplikim të ligjit në mënyrë qartazi të gabuar” dhe as me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” nga ana e Gjykatës Supreme.
Thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie sepse nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla, të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, kolaudon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave kushtetuese, ngrenë “çështje të faktit dhe të ligjit” dhe si të tilla i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” të cilat reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 39 (2) dhe 59 (1) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 18 janar 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Fidan Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile