Prishtinë, më 11 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2394/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI69/23
Parashtrues
Erlis Xërxa
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të Gjykatës së Apelit të 29 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Erlis Xërxa (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Meshari Selimaj, avokat nga Gjakova.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Urdhrin [UGJK.nr.161/22] të 7 nëntorit 2022 Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.1350/22] të 29 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 mars 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI69/23] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzie Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 24 maj 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Apelit.
Më 19 korrik 2023, Gjykata kërkoi nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës që të njoftoj nëse ka ndonjë zhvillim të ri procedural përkitazi me objektin e sekuestruar pronë parashtruesit të kërkesës.
Më 24 korrik 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës njoftoi Gjykatën se në këtë rast ka zhvillim të ri procedural lidhur me objektin e sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës.
Në kontekst të përgjigjes së përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës të 24 korrikut 2023, Gjykata vëren se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës kishte deklaruar se Gjykata duhet të vazhdojë me vlerësimin kushtetues të kërkesës KI69/23, pavarësisht Urdhrit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore për lirimin e objektit të sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës.
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në shkresën e 24 korrikut 2023 kishte deklaruar: “Ju njoftoj se Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda përmes Urdhrit UGJK.nr.161/22 të dt.06.07.2023, ka hudhur si të pasafatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda PP/Lnr.138120 dhe PP ILnr.58/2022 e dt.15.06.2023 për Mase të Përkohshme për Sigurimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe urdhërimin për lirimin e pronës së këtu kërkuesit. Gjithashtu siç jemi bërë në dijeni Prokuroria Themelore në Ferizaj e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës ndaj urdhrit të lartcituar, dhe se tashmë i mbetet Gjykatës së Apelit të Kosovës që të vlerësojë ligjshmërinë apo bazueshmërine e urdhrit të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Pejë, dhe në këtë kontekst vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë akoma nuk është urdhër i plotfuqishëm përderisa nuk ka vendosur Gjykata e Shkallës së Dytë. Sidoqoftë ne edhe më tutje mbesim pranë kërkesës tonë të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese e cila mban numër K169/23 dhe dëshirojmë që gjykata të vazhdojë me vlerësimin kushtetues të kësaj kërkese.”
Më 31 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri/me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Procedura penale
Më 7 nëntor 2022, Gjykata Themelore përmes Urdhrit [UGJK.nr.161/22] vendosi të sekuestrojë përkohësisht objektet ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 të datës 14.10.2022 përfshirë pronën-Vilë të parashtruesit të kërkesës të identifikuar me nr. 06976-12.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) Prokuroria Themelore ka parashtruar kërkesë për sekuestrim të përkohshëm të objekteve ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë të cilat janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim kundër disa të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra penale të dënueshme nga dispozitat përkatëse të KPRK-së; (ii) gjykata themelore pas shikimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës gjeti sa jenë përmbushur kushtet ligjore për sekuestrim të përkohshëm pasi që objektet e lartcekura dyshohet se janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr. 04/L-087, e të cilat objekte dyshohet se janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim; (iii) konform nenit 112.9 të KPPRK-së sendet dhe pasuria e sekuestruar përkohësisht janë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e prokurorit të shtetit; (iv) kundër këtij urdhri mund të ushtrohet kundërshtim në afat prej 48 orë, nga momenti i pranimit, drejtuar kolegjit shqyrtues të kësaj gjykate.
Më 18 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti kundërshtim me propozim që të anulohet Urdhri [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022.
Më 25 nëntor 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PK.nr.389/22] e refuzoi të pabazuar kundërshtimin të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Urdhrit [UGJK.nr.161/22] të Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022.
Gjykata Themelore arsyetoi: (i) kolegji shqyrtues i kësaj gjykate ka vlerësuar se në rastin konkret kundërshtimet e lartcekura janë të pabazuara ngase kjo çështje juridike është në fazën e hetimeve; (ii) sipas urdhëresës për sekuestrim të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar përkohësisht sendet që mund të jenë prova gjatë kësaj procedure penale ose që të kenë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose që mund të konsiderohen si dobi pasurore me kryerjen e veprës penale; (iii) edhe kolegji shqyrtues i kësaj gjykate konsideron se urdhëresa e gjyqtarit të procedurës paraprake është e lëshuar në harmoni me dispozitat ligjore të KPRK-së dhe është plotësisht e bazuar; (iv) në rastin konkret, hetimet janë në zhvillim e sipër dhe kemi të bëjmë me sekuestrim të përkohshëm e që gjatë rrjedhës së procedurës penale; (v) duke marrë parasysh se në rastin konkret nevojiten veprime urgjente në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme dhe për të shmangur mundësinë e zhdukjes së këtyre provave të cilat do të qartësohen gjatë fazave të mëvonshme të procedurës ku do të vendoset për konfiskimin e përhershëm ose lirimin e tyre; (vi) derisa konform nenit 267.4 KPPRK-së, Prokurori i Shtetit është i obliguar që të kërkojë masën e përkohshme të sigurimit të pasurisë nga neni 268 të KPPRK-së.
Gjykata Themelore dhe këshillë juridike se konform nenit 24.6 të KPPRK-së kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa brenda 5 ditëve nga momenti i pranimit të këtij aktvendimi, ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit nëpërmjet kësaj gjykate.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje ligjore me propozim që Gjykatës Apelit të aprovoi ankesën dhe çështjen ta kthejë në rivendosje apo të ndryshojë aktvendimin ankimor.
Më 29 dhjetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN.nr.1350/22] e hodhi të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [PK.nr.389/22] të 25 nëntorit 2022.
Gjykata e Apelit arsyetoi: (i) Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe aktvendimit ankimor ka ardhur në përfundim se nuk mund të shqyrtojë ankesën e parashtruesit të kërkesës për shkak të pengesave procedurale-formale; (ii) Gjykata e Apelit gjen se përkundër se është dhënë këshilla juridike me të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit; (iii) në rastin konkret, ndaj aktvendimit të gjykatës themelore nuk lejohet ankesë e posaçme; (iv) neni 417.5 i KPPRK-së parashikon: “Përveç nëse përcaktohet ndryshe me këtë Kod, aktvendimi i kolegjit shqyrtues mbi kundërshtimin shqyrtohet nga Gjykata e Apelit vetëm në bazë të ankesës kundër aktgjykimit të gjykatës themelore.”; (v) prandaj, duke qenë se pranë gjykatës së shkallës së parë ka vendosur kolegji shqyrtues lidhur me kundërshtimin e urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake sekuestrimin e përkohshëm, ky aktvendim nuk mund të ankimohet me ankesë të posaçme pranë Gjykatës së Apelit.
Nga shkresat e lëndës rezulton se bazuar në kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj [PP/.nr.138/20 dhe PP/.nr.58/22] të datës 15.06.2023, Gjykata Themelore përmes Urdhrit [UGJK.nr.161/22] të 6 korrikut 2023, Gjykata Themelore vendosi: HUDHET si e paafatshme, kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 e datës 15.06.2023, për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Urdhërohet lirimi i objektit të parashtruesit të kërkesës.
Në kontekst të përgjigjes së përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës të 24 korrikut 2023, Gjykata vëren se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës kishte deklaruar se Gjykata duhet të vazhdojë me vlerësimin kushtetues të kërkesës KI69/23, pavarësisht Urdhrit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore për lirimin e objektit të sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës.
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në shkresën e 24 korrikut 2023 kishte deklaruar: “Ju njoftoj se Gjykata Themelore në Pejë-Departamenti për Krime të Rënda përmes Urdhrit UGJK.nr.161/22 të dt.06.07.2023, ka hudhur si të pasafatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda PP/Lnr.138120 dhe PP ILnr.58/2022 e dt.15.06.2023 për Mase të Përkohshme për Sigurimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe urdhërimin për lirimin e pronës së këtu kërkuesit. Gjithashtu siç jemi bërë në dijeni Prokuroria Themelore në Ferizaj e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës ndaj urdhrit të lartcituar, dhe se tashmë i mbetet Gjykatës së Apelit të Kosovës që të vlerësojë ligjshmërinë apo bazueshmërine e urdhrit të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Pejë, dhe në këtë kontekst vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë akoma nuk është urdhër i plotfuqishëm përderisa nuk ka vendosur Gjykata e Shkallës së Dytë. Sidoqoftë ne edhe më tutje mbesim pranë kërkesës tonë të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese e cila mban numër K169/23 dhe dëshirojmë që gjykata të vazhdojë me vlerësimin kushtetues të kësaj kërkese.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Me këto vendime të cilat i ka ndërmarrë prokurori i shtetit të cilat i ka aprovuar gjyqtari i procedurës paraprake me nxjerrjen e urdhrit për sekuestrimin e përkohshëm është shkelur rëndë neni 55 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila në paragrafin 2 të këtij neni ka përcaktuar se Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me kushtetutë mund të kufizohen vetëm deri në atë masë sa është e domosdoshme që një shoqëroi të hapur dhe demokratike të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Me këtë rast kemi të bëjmë me vendim arbitrar i cili ka kufizuar në mënyrë të paligjshme të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët në mënyrë të ligjshme nga organet kompetente të komunës së Shtërpcës, përveç se i kanë blerë pronat nga personat fizik kanë bërë edhe ndërtimin e shtëpive me lejen e aprovuar të atyre organeve, ashtu që pa dashur të lëshohem në çështjen kryesore, privimi nga e drejta që pronari në këtë rast pala e tretë ta ketë në posedim dhe shfrytëzim pronën e tij sepse janë të pandehur disa persona të cilët nuk kanë kurrfarë interferimi apo me lidhje këtu palën e tretë dhe shtëpinë e tij, kjo përbënë absurditet dhe kundërligjshmëri të skajshme.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se urdhri për sekuestrim të përkohshëm të objektit ndërtimor është në kundërshtim me dispozitat procedurale dhe materiale të KPPRK-së dhe në veçanti me nenin 270.3 të KPPRK-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Pala e tretë këtu Erlis Xërxa në kuptim të nenit 270 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.1 i KPPRK-së e ka pasur të drejtën pronësore në pasurinë e paluajtshme dhe villën e tij 6 muaj para konfiskimit të përkohshëm të pasurisë, ashtu që i njëjti e ka të regjistruar pronën në regjistrin kadastral të komunës së Shtërpcës me dt.17.12.2018 dhe që prej atëherë përveç se është pronar ka qenë dhe posedues faktik në vazhdimësi i paluajtshmërisë nr. 06976-12. Gjithashtu në kuptim të nenit 270 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.2 i KPPRK-së ai e ka blerë pasurinë e paluajtshme për të cilën ka lidhur kontratë pranë Zyrës Noteriale H.A., në Shtërpcë sipas numrit të kontratës LPR.nr.1270/2018, Ref.nr.601/2018 me shitësin M.S., për çmimin e tërësishëm të shitblerjes prej 34,389 euro.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Duke iu referuar përsëri nenit 270 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.3 i KPPRK-së, pala e tretë Erlis Xërxa nuk e ka ditur dhe nuk e din apo as nuk ka mundur ta dijë nëse ndonjë veprim lidhur me lëshimin e lejes ndërtimore për ndërtimin e villës së tij e ka mbështetur në ndonjë vepër penale. I njëjti i është nënshtruar procedurës së rregullt për aplikimin për marrjen e lejes së ndërtimit, i njëjti i ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore të cilat organi administrativ në këtë rast Drejtoria për Urbanizëm në komunën e Shtërpcës i ka pasur si kusht ligjor për lëshimin e lejes së ndërtimit , të cilat kushte janë përcaktuar në bazë të Ligjit të Ndërtimit Nr.04/L-110, Ligjit për Procedurën Administrative Nr.05/L-031.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se ndërmjet pronës së sekuestruar dhe të pandehurve nuk ekziston asnjë lidhje dhe shton: “Njëjtë si në arsyetimet e mësipërme është i paligjshëm urdhri i lëshuar për sekuestrimin e përkohshëm në këtë rast dhe atë në kuptim të nenit 270 paragrafi 3 nën-paragrafi 3.4 i KPPRK-së, ngase të pandehurit në këtë rast nuk do të mund ta shfrytëzojnë, shkëmbejnë ose në ndonjë formë tjetër të sigurojnë qasje në pasurinë e paluajtshme këtu të palës kundërshtuese Erlis Xërxa sepse ky i fundit është pronar legjitim dhe në përputhje të plotë me nenin 36 të Ligjit Nr. 03/L-154 për Pronësinë dhe të Drejtat tjera Sendore, dhe nenit 4 pika (C) e Ligjit Nr. 04/L-009 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 2002/5 për Themelimin e Regjistrit të të Drejtave të Pronës së Paluajtshme.”
Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës thekson: “Të pandehurit asnjëherë parcelën në fjalë nuk e kanë pasur në pronësi apo posedim, ata nuk kanë kurrfarë qasje në shfrytëzimin, shkëmbimin apo çfarëdo forme tjetër interesin në vilën e evidentuar në parcelën me numër 06976-12, andaj nuk ka asnjë kuptim që edhe mbi këtë bazë të arsyetohet sekuestrimi sepse në mes të pandehurve dhe pasurisë së paluajtshme nuk ka asnjë lidhje.”
Parashtruesi i kërkesës thekson se duke qenë se kemi të bëjmë me një “investim kolosal” të kapitalit të fituar me punë dhe përkushtim gjatë tërë jetës, së pari për blerjen e ngastrës kadastrale e pastaj për ndërtimin e vilës që kapin shumën monetare prej 200.000 euro (dyqind mijë euro), Urdhri për Sekuestrim të Përkohshëm do t’i dëmtojë në mënyrë të paarsyeshme të drejtat e tij.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykata themelore ka shkelur nenin 46 të Kushtetutës sepse ka sekuestruar pronën e tij duke mos subjekt i ndjekjes penale nga Prokurori i Shtetit si i pandehur, i akuzuar apo i dyshuar por vetëm nga fakti se ka fituar lejen ndërtimore në pronën në pronësi të tij, nga subjekti komuna e Shtërpcës.
Parashtruesi i kërkesës në fund thekson se bazuar në shtjellimin e mësipërm atij i është shkelur e drejta për mbrojtje të pronës garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe nenit 17 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
Neni 1 i Protokollit nr. 1
(Mbrojtja e pronës)
“Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cenojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera.”
KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE (publikuar në Gazetën Zyrtare më 28 dhjetor 2012 dhe më pas i shfuqizuar me Kodin nr. 08/L-032 i Procedurës Penale i publikuar në Gazetën Zyrtare më 17 gusht 2022)
Neni 112
Sekuestrimi i përkohshëm
“9. Sendet dhe pasuria e sekuestruar përkohësisht janë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e prokurorit të shtetit. Prokurori i shtetit mund t’ia delegojë mbikëqyrjen dhe kontrollin zyrtarit të autorizuar të policisë për sendet dhe pasurinë e sekuestruar përkohësisht nga paragrafët 5., 6. dhe 8. të këtij neni.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj dhe Rregullore të punës. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktit të kontestuar.”
Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas paragrafit 7 të nenit 113. të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me Urdhrin [UGJK.nr.161/22] të nxjerrë nga Gjykata Themelore me qëllim të sekuestrimit të përkohshëm të objekteve ndërtimore në zonën II të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, komuna Shtërpcë, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj PP/I.nr.138/20 dhe PP/I.nr.58/22 të datës 14.10.2022 përfshirë Vilën e parashtruesit të kërkesës të identifikuar me nr. 06976-12. Gjykata Themelore pas shikimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës kishte konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për sekuestrim të përkohshëm pasi që objektet në fjalë dyshohet se janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr. 04/L-087, e të cilat objekte dyshohet se janë rrjedhojë e veprave penale nën hetim. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kundërshtim me propozim që të anulohet Urdhri [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kundërshtimin të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Urdhrit [UGJK.nr.161/22] i Gjykatës Themelore i 7 nëntorit 2022. Gjykata Themelore theksoi se në rastin konkret, hetimet janë në zhvillim e sipër dhe kemi të bëjmë me sekuestrim të përkohshëm e që gjatë rrjedhës së procedurës penale duke marrë parasysh se në rastin konkret nevojiten veprime urgjente në mënyrë që të sigurohen provat e nevojshme dhe për të shmangur mundësinë e zhdukjes së këtyre provave. Gjykata Themelore dha këshillë juridike parashtruesit të kërkesës se konform nenit 24.6 të KPPRK-së kundër këtij aktvendimi është e lejuar ankesa në Gjykatës së Apelit. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje ligjore me propozim që Gjykata e Apelit të aprovoi ankesën dhe çështjen ta kthejë në rivendosje apo të ndryshojë aktvendimin ankimor duke lënë urdhrin për sekuestrim. Gjykata e Apelit e hodhi të palejuar ankesën e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore. Ndërkohë, Gjykata Themelore me datën 15 korrik 2023 në ri-procedurë të iniciuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte vendosur se kërkesa e kësaj të fundit për sekuestrimin e përkohshëm të pronës së parashtruesit të kërkesës është e paafatshme dhe kishte urdhëruar lirimin e objektit të sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës njoftoi Gjykatën se dëshiron që të vazhdohet me vlerësimin kushtetues të kërkesës së parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se gjykatat e rregullta duke miratuar urdhrin e prokurorit themelor për sekuestrim të përkohshëm të objektit pronë e parashtruesit të kërkesës kanë shkelur garancitë kushtetuese nga neni 46 i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 të protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Gjykata, në vijim dhe në kuptim të vlerësimit të detyrimit për shterimin e të gjitha mjeteve “efektive” juridike rikujton se vlerësimi nëse ky detyrim është përmbushur, është mirë i përcaktuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Të njëjtat parime, janë shtjelluar dhe aplikuar në praktikën e konsoliduar të Gjykatës që përfshijnë kërkesat e shqyrtuara si në procedurë civile, penale dhe administrative.
Siç është sqaruar përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ, të afirmuar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, bazuar në parimin e subsidiaritetit, qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është që t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ky detyrim bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjete efektive për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Ky është një aspekt i rëndësishëm i karakterit subsidiar të makinerisë së drejtësisë kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI35/22 parashtrues i kërkesës Xheladin Beka, Aktvendim për papranueshmëri i 13 tetorit 2022, paragrafi 28 KI106/21, parashtrues të kërkesës Bujar Shehu dhe të tjerët, Aktvendim për Papranueshmëri i 20 janarit 2022; KI43/20, parashtruese e kërkesës Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 37; dhe KI42/20, parashtrues i kërkesës Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 44; dhe shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së Vernillo kundër Francës, nr. 11889/85, Aktgjykimi i 20 shkurtit 1991, paragrafi 27; Selmouni kundër Francës, nr. 25803/94, Aktgjykim, i 28 korrikut 1999; Kudła kundër Polonisë [DHM], nr. 30210/96, Aktgjykim, i 26 tetorit 2000, paragrafi 152, Andrášik dhe të tjerët kundër Sllovakisë, nr. 57984/00 dhe 6 kërkesa të tjera, Vendim i 22 tetorit 2022).
Gjykata vëren se përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës ka kërkuar që Gjykata të vazhdojë me vlerësim kushtetues të kësaj kërkese pavarësisht faktit se Gjykata Themelore ka urdhëruar lirimin e objektit të sekuestruar të parashtruesit të kërkesës. Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës thekson se kjo çështje akoma nuk është zgjidhur për shkak se Prokurori Themelor ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër urdhrit të Gjykatës Themelore për lirimin e objektit të sekuestruar pronë e parashtruesit të kërkesës. Sipas përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës fakti që Prokurori Themelor ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit nënkupton se epilogu i kësaj kërkese akoma është i pazgjidhur.
Në këtë kontekst, Gjykata vë në pah detyrimin kushtetues, të përcaktuar me paragrafin 3 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës që gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit. Thënë këtë, Gjykata po ashtu vë në pah se detyrimi për interpretimin e të drejtave të njeriut në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, të përcaktuar me nenin 53 të Kushtetutës vlen po ashtu edhe për gjyqësorin e rregullt. Andaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta në pajtim me parimin e subsidiaritetit dhe duhet që të aplikojnë parimet dhe standardet e zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të kësaj Gjykate dhe të GJEDNJ-së e që i referohen garancive të përcaktuara me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Gjykata vlerëson se rasti i parashtruesit të kërkesës në këtë fazë është në zhvillim e sipër në procedurë pranë Gjykatës së Apelit pas ankesës së Prokurorisë Themelore kundër Urdhrit [UGJK.nr.161/22] të 6 korrikut 2023 të Gjykatës Themelore që kishte urdhëruar lirimin e pronës së sekuestruar të parashtruesit të kërkesës.
Nga sa më sipër, rezulton se dhënia e përparësisë se mbrojtjes gjyqësore të të drejtave para gjykatave te rregullta dhe e drejta për mjete efektive juridike, është një aspekt shumë i rëndësishëm i mbrojtjes së të drejtave të njeriut që duhet të merret parasysh nga gjykatat e rregullta dhe e cila merret parasysh edhe nga Gjykata Kushtetuese nëse një rast i tillë paraqitet para saj nga palët e autorizuara dhe pas plotësimit të kritereve të pranueshmërisë, duke përfshirë edhe shterimin e mjeteve juridike.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata marrë për bazë faktin që procedura e sekuestrimit të objektit pronë e parashtruesit të kërkesës, është në zhvillim e sipër dhe bazuar në parimin e mirë vendosur që procedurat duhet të vlerësohen në tërësinë e tyre, parashtruesi i kërkesës, pretendimet e tij që ndërlidhen me sekuestrimin e objektit pronë e tij: (i) mund t’i ngre në procedurë të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Apelit; (ii) duke iu referuar garancive të përcaktuara me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; dhe (iii) parimeve dhe standardeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 të Kushtetutës, gjykatat janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata tashmë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme (shih rastin e Gjykatës KI108/18 parashtrues Blerta Morina, Aktvendim për papranueshmëri i 5 shtatorit 2019, paragrafi 190 dhe referencat e përmendura aty).
Prandaj në kuptim të respektimit të parimit të subsidiaritetit, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në këtë fazë të procedurës është e parakohshme.
Gjykata thekson se ky konstatim i Gjykatës nuk e pengon parashtruesin e kërkesës që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor pas përfundimit të procedurës për sekuestrim të objektit pronë e tij dhe shterimit të të gjitha mjeteve efektive juridike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme dhe bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit si dhe në rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës duhet të refuzohet e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.7, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 31 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën e papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Erlis Xërxa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale