Prishtinë, më 31 janar 2024
Nr. Ref.:RK 2328/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI80/23
Parashtrues
Behgjet Stoliqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme [AC-I-21-0757-A0001] të 23 marsit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Behgjet Stoliqi (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Shaip Ramadani, avokat nga Prizreni.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme [AC-I-21-0757-A0001] të 23 marsit 2023 (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit të DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0757-A0001] të 23 marsit 2023 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 12 prill 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 13 prill 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI80/23] caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi-Peci Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 5 maj 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte qenë i punësuar në NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren prej vitit 1981 e deri më 6 shtator 2013.
Më 6 shtator 2013, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) përmes Njoftimit nr. 12/52 e njoftoi parashtruesin e kërkesës për ndërprerje të marrëdhënies së punës. Njoftimi nr.12/52 shënonte: “Kjo ndërprerje e marrëdhënies së punës është bërë konform nenit 6.1 të Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe Nenit 5.8.3 të Politikave Operacionale të Agjencisë i cili parasheh që: "Si pasojë e procesit të privatizimit, Agjencia në emër të NSh-së mund t'i përfundojë kontratat e punësimit të të gjithë punëtorëve ose të një pjesë të punëtorëve të NSh-së. Me këtë rast, po ashtu ju njoftojmë se kontrata e shitjes se Ndërmarrjes së Re "Lavërtaria-Blegtoria "Baruthana” Sh.P.K. e themeluar nga asetet e Ndërmarrjes Shoqërore “ Lavërtaria-Blegtoria" Prizren, është miratuar nga ana e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë dhe se shitja është e plotfuqishme nga data 3.06.2013, ora 12:00. Të gjitha kërkesat - pretendimet tuaja, duke përfshirë edhe pagat e papaguara te cilat ju i pretendoni do të shqyrtohen në procedurë të likuidimit, me ç ‘rast JU duhet të aplikoni për një pretendim të tille sipas procedurave të parapara me dispozitat ligjore të Shtojcës se Ligjit Nr. 04 / L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.”
Më 19 gusht 2014, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë me dy pretendime pranë autoritetit të Likuidimit të AKP-së: (i) kërkesë për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës, për gjashtë (6) paga nga 168. 98 euro, ose shumën e përgjithshme 1,013.88 euro; dhe (ii) kompensim për pagat e papaguara në shumën prej 11,992.83 euro, për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013 nga NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren.
Më 23 mars dhe 3 prill 2015, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimeve [PRZ-009-0182] dhe [PRZ-009-0184] e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës, për gjashtë (6) paga nga 168. 98 euro, ose shumën e përgjithshme 1,013.88 euro përkatësisht për kompensim për pagat e papaguara në shumën prej 11,992.83 euro, për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013 nga NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren.
Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte dhënë këshillë juridike për të drejtën e ankesës së parashtruesit të kërkesës: “Në pajtim me nenin 37.7 të Shtojcës së ligjit Nr. 04/L-034, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të aplikoje në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për një rishikim të këtij vendimi brenda afatit prej 30 (tridhjetë) ditësh pas pranimit të këtij vendimi.”
Më 21 prill 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër palës së paditur AKP lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit për NSH “Lavërtaria-Blegtoria” [PRZ-009-0182] të 23 marsit 2015, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës, për gjashtë (6) paga nga 168. 98 euro, ose shumën e përgjithshme 1,013.88 euro. Parashtruesi i kërkesës kishte theksuar: (i) se ka qenë i punësuar në afat të pacaktuar në NSH “Lavërtaria-Blegtoria” prej dt. 10.03.1981 deri më dt.06.09.2013, kur i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të likuidimit sipas Njoftimit nr. 12/52; (ii) vendimi i atakuar nuk është i bazuar në ligj dhe nuk jep arsye se mbi çfarë baze juridike është refuzuar kërkesa; (iii) parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar që të ndryshohet Vendimi i Autoritetit të Likuidimit [PRZ-009-0182] i 23 marsit 2015 duke aprovuar kërkesën për pagat e papaguara për vitin 2004-2013 , në shumën prej 12,499.77 euro, duke llogaritur kamatën sipas ligjit për AKP-në 10% të shumës me përmbarim të dhunshëm; (iv) parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij i kishte bashkangjitur këto prova: a) kopja e letërnjoftimit; b) kopjen e Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së [PRZ-009-0182] të 23 marsit 2015; c) njoftimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës nga AKP-ja të 6 shtatorit 2013; ç) kopjen e librezës së punës; d) pasqyrën për llogaritjen e pagave për periudhën nga viti 2004 deri më dt. 31.08.2013.
Më 9 qershor 2021, AKP-ja dorëzoi parashtresë në mbrojtje ndaj ankesës kundër Vendimit të Autoritetit të Likuidimit për NSH “Lavërtaria-Blegtoria” [PRZ-009-0182] të 23 marsit 2015, me propozim që ankesa të refuzohet dhe të vërtetohet Vendimi i Autoritetit të Likuidimit. AKP-ja kishte deklaruar se Autoriteti i Likuidimit ka bërë vlerësimin e saktë të rrethanave faktike dhe se dispozitat ligjore gjithashtu janë zbatuar saktësisht.
Më 17 gusht 2021, DHPGJS-ja përmes Urdhrit [C-IV-15-0439] urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej shtatë (7) ditësh të kundërpërgjigjet me shkrim ndaj përgjigjes së AKP-së dhe t’i tregojë faktet i dhe bazën juridike mbi të cilën mbështetë padinë e tij.
Më 31 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës përgjigjet se “mbetet në tërësi pranë padisë së parashtruar në vitin 2015, në afatin e paraparë sipas Vendimit të AKP-së [PRZ-009-0184] të 3 prillit 2015.”
Më 12 tetor 2021, DHPGJS-ja përmes Urdhrit [C-IV-15-0439] përsëri urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej tri (3) ditësh ta plotësoi ankesën dhe të njëjtit i tërhoqi vërejtjen se nuk ka vepruar sipas Urdhrit të dt. 17.08.2021 dhe se objekt i ankesës është vetëm Vendimi [PRZ-009-0182] i 23 marsit 2015 dhe jo vendimet tjera të Autoritetit të Likuidimit. DHPGJS-ja po ashtu kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës nuk mund të ndryshoj apo zgjeroj ankesën e tij, ndërsa ankesa e 31 gushtit 2021 është e pakuptueshme dhe shumë kundërthënëse me objektin e ankesës kundër Vendimit [PRZ-009-0182] të 23 marsit 2015.
Më 19 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi parashtresë për shfuqizimin edhe të Vendimit [PRZ-009-184], të dt. 03.04.2015, i cili nuk kishte qenë objekt i ankesës së ushtruar më dt.21.04.2015.
Më 4 nëntor 2021, DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0439] vendosi: (i) APROVOHET si e bazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015; (ii) NDRYSHOHET Vendimi i AKP-së-Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015, dhe detyrohet e paditura NSH DLB “Lavërtari-Blegtori” që parashtruesit të kërkesës për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës për gjashtë paga, t’ia paguaj shumën 1,013.88 euro, me kamat 10% të shumës themelore, në afatin prej 15 ditëve; (iii) HEDHET si e papranueshme ankesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015; (iv) Secila palë i heqë shpenzimet e veta të procedurës.
DHPGJS-ja arsyetoi: “Gjykata vlerëson se në rastin konkret paditësi në kohën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, ka qenë punëtor i të paditurës dhe se ndërprerja e marrëdhënies së punës ka ardhur si rrjedhojë e Vendimit të Agjencisë për të privatizuar asetet e NSH-së, dhe se paditësi Behxhet Stoliqi ka të drejtën të përfitoi në pagesën për gjashtë pagat e kërkuara, në shumën 1,013.88€ sepse i njëjti i ka plotësuar kushtet për të përfituar në dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së parakohshme së marrëdhënies së punës , sipas nenit 40.1.6.2, të Shtojcës së ligjit nr. 04/L-034. Në lidhje me pagesën e gjashtë pagave, kjo e drejtë paditësit ju është e njohur sipas nenit 76.7.4 të Ligjit Nr.03/L-0212, dhe lidhur me nenin 40.1.6 .2 e Shtojcës se Ligjit nr. 04/L-034. Në lidhje me kamatën Gjykata ka zbatuar nenin 37.3 të Shtojcës së Ligjit 04/L-034, pasi lartësia e kamatës është e kufizuar deri ne 10 %, të shumës themelore. Në lidhje me kamatën Gjykata ka zbatuar nenin 37.3 të Shtojcës se Ligjit 04/L-034, pasi lartësia e kamatës është e kufizuar deri ne 10 %, të shumës themelore. Për këtë arsye Gjykata edhe vendosi që Vendimi i AL për NSH DLB " Lavërtaria dhe Blegtoria" PRZ 009-0182, dt. 23.03.2015 të ndryshohet dhe të detyrohet e paditura që paditësit për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës për gjashtë paga t’ia paguaj shumën 1,013.88€, me kamat në lartësi 10 % të shumës themelore.”
Në lidhje me Vendimin e AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015, DHPGJS-ja arsyetoi: “Me nenin 37, paragrafi 7 i Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 rregullohet ‘7. Kreditori i prekur ka te drejte te kërkojë nga Gjykata brenda tridhjete (30) ditëve pas dhënies se njoftimit , nga ana e Autoritetit te Likuidimit qe te vendos për kërkesën e tij dhe mos kërkimi i tille ne kohë nga ana e kreditorit do ta pamundësojë atë ne kundërshtimi i mëtejme i vendimit te Autoritetit te Likuidimit’. Meqenëse objekti i ankesës/kërkesës së paditësit, dt.21.04.2015 nuk ka qenë Vendimi i AL PRZ 009-184, dt.03.04.2015, por për shkak të kundërthënieve dhe paqartësive të saj të shkaktuar me rastin e hartimit të ankesës nga avokati-i autorizuari i paditësit, ai me rastin e hartimit të parashtresës për plotësim të ankesës kundër Vendimit PRZ 009-182, parashtresën e dt. 31.08.2021 e harton duke e ngarruar edhe me shume ankesën/kërkesën dhe i njëjti deklarohet se ankesa ka të bëj me Vendimin PRZ 009-0184 për pagat e pa paguara për periudhën 2004-2013, ne shumen e kërkuar 11,992.83€, duke bashkangjitur edhe një kopje te Vendimit, PRZ 009- 184, pavarësisht nga fakti se objekt i ankimit ishte Vendimi PRZ 009-0182. Për shkak të kësaj rrethane se parashtresa e dt. 31.08.2021 ishte kundërthënëse, Gjykata lëshoi përsëri Urdhrin e plotësimit të saj më dt. 12.10.2021, dhe paditësi me parashtresën e dt. 19.10.2021, ka kërkuar edhe shfuqizimin e Vendimit PRZ 009-184, dt.03.04.2015, e i cili Vendim nuk ka qenë objekt i ankesës së ushtruar më, dt.21.04.2015. Në rastin konkret Gjykata vlerëson se paditësi/kreditori i prekur nga e drejta e pretenduar me Vendimin e AL PRZ 009- 184 që me parashtresë dt.31.08.2021 dhe dt. 19.10.2021 është ushtruar pas afatit ligjor, siç e rregullon dispozita e nenit 37.7 të Shtojcës së Ligjit Nr.04/L-034 pasi kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga momenti kur paditësi/kreditori e ka pranuar Vendimin PRZ 009-184, dt.03.04.2015 e deri në momentin e zgjerimit të saj me parashtresë 31.08.2021. Me rastin e hedhjes se ankesës kundër Vendimit PRZ 009-0184, dt. 03.04.1985 gjykata ka zbatuar nenin 36.2.2.4 te Ligjit nr. 06/L-086 dhe ne lidhmëri me nenin 37.7 te Shtojcës se Ligjit nr. 04/L034.”
Më 21 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të lartpërmendur të DHPGJS-së duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, nenit 37.7 të Ligjit të AKP-së dhe kishte propozuar që çështja të kthehet në rigjykim pjesërisht dhe të propozohet eksperti financiar Q.S., i cili do ti qartësonte paqartësitë ndërmjet palëve. Parashtruesi i kërkesës e kontestoi vetëm pikën 3 të dispozitivit sa i përket hedhjes poshtë të ankesës lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së PRZ009-0184 të datës 03 prill 2015 me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave të pa paguara.
Më 24 nëntor 2021, AKP-ja kishte paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të lartpërmendur të DHPGJS-së duke ritheksuar se parashtruesi i kërkesës nuk ishte punëtor aktiv i NSH-së kur filloi procesi i likuidimit të NSH-së, çka ishte provuar nga lista e pagave dhe punëtorëve aktiv për periudhën gusht 2012 gusht 2013. Sa i përket Njoftimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës, AKP-ja theksoi se i njëjti ka të bëjë vetëm me informimin se punëtorët kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë në proces të likuidimit, por në këtë proces kjo kërkesë është shqyrtuar dhe është konstatuar se e njëjta është parashkruar. AKP-ja i propozoi Kolegjit të Apelit që ta ndryshoj aktgjykimin e ankimuar të DHPGJS-së në pajtim me nenin 9.10 të ligjit 06/L-086 duke refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe duke e vërtetuar vendimin e kundërshtuar të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së.
Më 23 mars 2023, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0757-A0001] vendosi: (i) Ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe AKP-së refuzohen të pabazuara; (ii) Ndryshohet ex officio fjalia e fundit në pikën 2 të dispozitivit të Aktgjykimit të shkallës së parë të DHPGJS-së C-IV-15-0439 i datës 4 nëntor 2021. Në vend të formulimit, “në afatin prej 15 ditësh” duhet të jetë-në proces të likuidimit, sipas prioriteteve të përcaktuara me ligj; (iii) Pjesa tjetër e këtij aktgjykimi vërtetohet; (iv) nuk caktohen taksa gjyqësore për këtë procedurë ankimore.
Lidhur me pretendimin e AKP-së se parashtruesi i kërkesës nuk ishte punëtor aktiv i NSH-së, Kolegji i Apelit arsyetoi: “Të gjitha këto pretendime të AKP-së demantohen me provat e administruara nga Shkalla e parë e DHPGJSK-së. Nga dëshmitë e administruara nga Shkalla e parë, të cilat janë pjesë e dosjes së kësaj lënde, është e qartë se paditësi ishte ne marrëdhënie pune në këtë NSH, sepse ndër të tjera këtë fakt vendimtar e konfirmon Njoftimi zyrtar për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, i dërguar nga AKP me 06 shtator 2013 dhe me këtë date i është mbyllur libreza e punës, por edhe listat e të punësuarve në NSH.”
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës kundër Vendimin e AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015, Kolegji i Apelit arsyetoi: “Kolegji i Apelit konstaton se ky pretendim i ankuesit nuk është i bazuar, pasi që me padinë e datës 07 prill 2015 askund nuk përmendet Vendimi PRZ009-0184 por vetëm Vendimi PRZ009-0182. Me këtë rast është bashkangjitur vetëm PRZ009-0182, e Vendimi PRZ009-0184 lëre që nuk është bashkangjitur, por as që është përmendur. Për herë të parë paditësi këtë vendim e përmend me parashtresën e datës 19 tetor 2021, kur edhe e dorëzon këtë vendim por tashmë ishte shumë vonë, pasi që kishin kaluar të gjitha afatet e kontestimit të këtij vendimi.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Paditësi mendon se është e drejte e pacenueshme e tij për një gjykim të drejte dhe te paanshëm, me theks te posaçëm se rasti ka të bëjë me pasiguri procedurale për mungesë të gjykimit të drejtpërdrejte në seancë dëgjimore dhe se mos mbajtjen e seancës dëgjimore gjykata nuk e ka arsyetuar me asgjë.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Paditësi mendon se mungesa e gjykimit të drejtë, dhe mos mbajtja e seancës dëgjimore për të gjykuar rastin në meritum, pa dyshim paraqet shkelje të së drejtës kushtetuese-neni 31 i Kushtetutës që ndërlidhet me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Parashtruesi i kërkesës thekson: “Mbi këtë baze parashtruesi i kërkesës mbetet i bindur se Gjykata Kushtetuese do të vie në përfundim, se Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit i Dhomës së Posaçme është në kundërshtim me neni 31 i Kushtetutës që ndërlidhet me nenin 6 të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon: “Gjendja faktike mbeti e pa vërtetuar, ngase gjykata nuk i dha rast paditësit te deklarohet lidhur me faktet vendimtare ne shkresat e lendes. Gjykata nuk tregoi as te vetmen arsye për mos mbajtjen e seancës dëgjimore, por, duke e parafrazuar nenin 76.3 te Ligjit për DHP lidhur me neni 399 te LPK, duke i vlerësuar si te pakontestueshme provat ne shkresat e lendes. Te njëjtin gabim e beri edhe Kolegji i Apelit, me Aktgjykimin AC.I.21.0757 date 23.3.2023, për mos caktimin e seancës dëgjimore nga Kolegji i Specializuar, sepse një gjë te tille ia mundëson ligji, ta obligoj Kolegjin e specializuar për caktim te seancës dëgjimore, ne mënyrë qe rasti te vendoset ne meritum.”
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
LIGJI Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 6
(Fushëveprimi i kompetencave administrative të Agjencisë)
“1. Agjencia ka kompetenca të gjëra dhe ekskluzive administrative mbi të gjitha ndërmarrjet, asetet, interesat, aksionet dhe pronën që bie në fushëveprimin e nenit 5.1 dhe 5.2. Ky autoritet përfshinë çdo veprim që agjencia e konsideron të arsyeshëm dhe të duhur, brenda kufijve të burimeve administrative të Agjencisë, për të mundësuar më mirë shitjen, likuidimin, transferimin apo ndonjë zgjidhje tjetër të ndërmarrjes, asetit apo interesit në pronësi shtetërore. Pa paragjykim ndaj përgjithësimit në fjalinë e mëparshme, parashihet në mënyrë specifike që sa i përket ndërmarrjeve, ai autoritet të përfshijë të gjitha veprimet të cilat Agjencia i konsideron të arsyeshme dhe të duhura për ruajtjen ose rritjen e vlerës, shanseve për sukses ose qeverisjes së ndërmarrjes.”
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 37
(Llogaritja dhe kompensimi i kërkesave)
“7. Kreditori i prekur ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata brenda tridhjetë (30) ditëve pas dhënies së njoftimit nga ana e Autoritetit të Likuidimit që të vendos për kërkesën e tij dhe moskërkimi i tillë në kohë nga ana e kreditorit do ta pamundësojë atë në kundërshtimi i mëtejmë i vendimit të Autoritetit të Likuidimit.
8. Gjykata nxjerr vendim lidhur me kërkesën e parashtruar nga kreditori i prekur jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë, pas datës në të cilën kërkesa është dorëzuar në Gjykatë dhe pasi një kopje e saj t‟i jetë dorëzuar Autoritetit të Likuidimit, Komitetit të Kreditorëve (nëse ekziston) dhe palëve të tjera sipas udhëzimit të Gjykatës.”
Neni 40
(Prioritetet e kërkesave dhe interesave)
“1.6.2.kërkesat për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës të
sjella nga punonjësit të cilat janë pushuar nga puna si rrjedhojë e Vendimit për
Likuidim të ndërmarrjes, apo në lidhje me veprimin e ndërmarrë nga Agjencia
sipas nenit 6.1 apo 6.2 të Ligjit për AKP-në.”
Neni 76
(Konfliktet dhe interpretimi)
“3. Në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutatis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore.”
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 399
[Pa titull]
“399.1 Kur gjykata, pasi t’i arrijë përgjigja në padi, konstaton se nga faktet e treguara në padi nuk del themelësia e kërkesëpadisë, atëherë ajo do te jep vendimin meritor me të cilin refuzohet si e pathemeltë kërkesëpadia.
399.2 Kërkesëpadia është e pathemeltë, në vështrim të paragrafit 1 të këtij neni, po që se qartazi është në kundërthënie me faktet e treguara në padi, apo, po që se faktet mbi të cilat mbështetët kërkesëpadia qartazi janë në kundërthënie me provat të cilat i ka propozuar paditësi, apo me faktet që janë botërisht të ditura.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-21-0757-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të 23 mars 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/a nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me njoftimin AKP-së për ndërprerje të marrëdhënies së punës të parashtruesit për shkak të likuidimit të NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në AKP duke kërkuar kompensim për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013, për kohën sa kishte punuar në NSH “Lavërtari-Blegtori” Prizren. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së e refuzoi të pavlefshme kërkesën e parashtruesit të kërkesës për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës. Me këtë rast Autoriteti i Likuidimit të AKP-së kishte nxjerrë dy vendime refuzuese ndaj parashtruesit të kërkesës: (i) Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015; dhe (ii) Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër palës së paditur AKP lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit për NSH “Lavërtaria-Blegtoria”, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensim për shkak të ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënies së punës. DHPGJS-ja dy herë urdhëroi parashtruesin e kërkesës që në afat prej shtatë (7) përkatësisht tri (3) ditësh ta plotësoi ankesën dhe të njëjtit i tërhoqi vërejtjen se objekt i ankesës është vetëm Vendimi [PRZ-009-0182] i 23 marsit 2015 dhe jo vendimet tjera të Autoritetit të Likuidimit. DHPGJS-ja: (i) aprovoi të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-0182, dt.23.03.2015 dhe detyroi të paditurën NSH “Lavërtari-Blegtori” që ta kompensojë parashtruesin e kërkesës për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës; (ii) ndërsa e hodhi të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Vendimin e AKP-së, Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015. DHPGJS-ja konstatoi se Vendimi i Autoritetit të Likuidimit PRZ 009-184, dt. 03.04.2015 ishte kontestuar pas kalimit të afatit ligjor. Parashtruesi i kërkesës e kontestoi vetëm pikën e dispozitivit të vendimit të DHPGJS-së sa i përket hedhjes poshtë të ankesës si të paafatshme. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së vlerësoi se vendimi i kontestuar DHPGJS-së ishte i drejtë dhe ankesa kundër Vendimit të AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015 ishte e paafatshme pasi që kishin kaluar të gjitha afatet ligjore për kontestimin e të njëjtit.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngre pretendime për mos mbajtje të seancës dëgjimore siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës pretendon se me mos mbajtje të seancës dëgjimore DHPGJS-së “pa dyshim” ka shkelur garancitë procedurale të nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 (1) të KEDNJ-së.
Nga sa më sipër, duke marrë parasysh natyrën e kësaj kërkese dhe pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së.
Gjykata vlerëson se nëse një gjykim i plotëson kriteret e shqyrtimit publik, është e nevojshme për të vlerësuar procedurat si tërësi (shih rastin e GJEDNJ-së Axen kundër Gjermanisë, nr. 8273/78, Aktgjykim i 8 dhjetorit 1983, paragrafi 27). Karakteri i veçantë i rrethanave që mund të justifikojnë mos mbajtjen e seancës dëgjimore në thelb ka të bëj me natyrën e çështjeve që duhet t’i vendos një gjykatë e rregullt dhe jo shpeshtësia e situatave të tilla (shih rastet e GJEDNJ-së, Miller kundër Suedisë, nr. 55853/00, Aktgjykim i 8 shkurtit 2005, paragrafi 29).
Mbajtja e seancës dëgjimore mund të mos kërkohet kur nuk ngrehen çështje të besueshmërisë apo të fakteve të kontestuara që e bëjnë të nevojshme seancën dëgjimore ndërsa gjykatat e rregullta në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme mund ta vendosin zgjidhin rastin bazuar në parashtresat e dorëzuara nga palët dhe materialet tjera me shkrim ( shih rastin e GJEDNJ-së Saccoccia kundër Austrisë, nr. 69917/01, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73).
Gjykata po ashtu vëren se GJEDNJ-ja po ashtu ka pranuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore mund të justifikohet në rastet që thjeshtë ngrenë çështje ligjore të natyrës së kufizuar (shih rastin e GJEDNJ-së, Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), nr. 8/1997/792/993, Aktgjykim i 18 shkurtit 1998, paragrafi 49;) apo të cilat nuk kanë ndonjë ndërlikueshmëri të posaçme ( shih rastin e GJEDNJ-së, Speil kundër Austrisë, nr. 42057/98, Vendim mbi pranueshmëri i 5 shtatorit 2002).
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah arsyetimin e DHPGJS-së: “Gjykata vlerëson se në rastin konkret paditësi në kohën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës, ka qenë punëtor i të paditurës dhe se ndërprerja e marrëdhënies së punës ka ardhur si rrjedhojë e Vendimit të Agjencisë për të privatizuar asetet e NSH-së, dhe se paditësi Behxhet Stoliqi ka të drejtën të përfitoi në pagesën për gjashtë pagat e kërkuara, në shumën 1,013.88€ sepse i njëjti i ka plotësuar kushtet për të përfituar në dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së parakohshme së marrëdhënies së punës , sipas nenit 40.1.6.2, të Shtojcës së ligjit nr. 04/L-034. Në lidhje me pagesën e gjashtë pagave, kjo e drejtë paditësit ju është e njohur sipas nenit 76.7.4 të Ligjit Nr.03/L-0212, dhe lidhur me nenin 40.1.6 .2 e Shtojcës se Ligjit nr. 04/L-034. Në lidhje me kamatën Gjykata ka zbatuar nenin 37.3 të Shtojcës së Ligjit 04/L-034, pasi lartësia e kamatës është e kufizuar deri ne 10 %, të shumës themelore. Në lidhje me kamatën Gjykata ka zbatuar nenin 37.3 të Shtojcës se Ligjit 04/L-034, pasi lartësia e kamatës është e kufizuar deri ne 10 %, të shumës themelore. Për këtë arsye Gjykata edhe vendosi që Vendimi i AL për NSH DLB " Lavërtaria dhe Blegtoria" PRZ 009-0182, dt. 23.03.2015 të ndryshohet dhe të detyrohet e paditura që paditësit për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të marrëdhënies së punës për gjashtë paga t’ia paguaj shumën 1,013.88€, me kamat në lartësi 10 % të shumës themelore.”
Gjykata po ashtu vë në pah arsyetimin e DHPGJS-së lidhur me Vendimin e AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015: “Me nenin 37, paragrafi 7 i Shtojcës së Ligjit nr. 04/L-034 rregullohet ‘7. Kreditori i prekur ka te drejte te kërkojë nga Gjykata brenda tridhjete (30) ditëve pas dhënies se njoftimit , nga ana e Autoritetit te Likuidimit qe te vendos për kërkesën e tij dhe mos kërkimi i tille ne kohë nga ana e kreditorit do ta pamundësojë atë ne kundërshtimi i mëtejme i vendimit te Autoritetit te Likuidimit’. Meqenëse objekti i ankesës/kërkesës së paditësit, dt.21.04.2015 nuk ka qenë Vendimi i AL PRZ 009-184, dt.03.04.2015, por për shkak të kundërthënieve dhe paqartësive të saj të shkaktuar me rastin e hartimit të ankesës nga avokati-i autorizuari i paditësit, ai me rastin e hartimit të parashtresës për plotësim të ankesës kundër Vendimit PRZ 009-182, parashtresën e dt. 31.08.2021 e harton duke e ngarruar edhe me shume ankesën/kërkesën dhe i njëjti deklarohet se ankesa ka të bëj me Vendimin PRZ 009-0184 për pagat e pa paguara për periudhën 2004-2013, ne shumen e kërkuar 11,992.83€, duke bashkangjitur edhe një kopje te Vendimit, PRZ 009- 184, pavarësisht nga fakti se objekt i ankimit ishte Vendimi PRZ 009-0182. Për shkak të kësaj rrethane se parashtresa e dt. 31.08.2021 ishte kundërthënëse, Gjykata lëshoi përsëri Urdhrin e plotësimit të saj më dt. 12.10.2021, dhe paditësi me parashtresën e dt. 19.10.2021, ka kërkuar edhe shfuqizimin e Vendimit PRZ 009-184, dt.03.04.2015, e i cili Vendim nuk ka qenë objekt i ankesës së ushtruar më, dt.21.04.2015. Në rastin konkret Gjykata vlerëson se paditësi/kreditori i prekur nga e drejta e pretenduar me Vendimin e AL PRZ 009- 184 që me parashtresë dt.31.08.2021 dhe dt. 19.10.2021 është ushtruar pas afatit ligjor, siç e rregullon dispozita e nenit 37.7 të Shtojcës së Ligjit Nr.04/L-034 pasi kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga momenti kur paditësi/kreditori e ka pranuar Vendimin PRZ 009-184, dt.03.04.2015 e deri në momentin e zgjerimit të saj me parashtresë 31.08.2021. Me rastin e hedhjes se ankesës kundër Vendimit PRZ 009-0184, dt. 03.04.1985 gjykata ka zbatuar nenin 36.2.2.4 te Ligjit nr. 06/L-086 dhe ne lidhmëri me nenin 37.7 te Shtojcës se Ligjit nr. 04/L034.”
Gjykata po ashtu vë në spikamë arsyetimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së lidhur me Vendimin e AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015: “Kolegji i Apelit konstaton se ky pretendim i ankuesit nuk është i bazuar, pasi që me padinë e datës 07 prill 2015 askund nuk përmendet Vendimi PRZ009-0184 por vetëm Vendimi PRZ009-0182. Me këtë rast është bashkangjitur vetëm PRZ009-0182, e Vendimi PRZ009-0184 lëre që nuk është bashkangjitur, por as që është përmendur. Për herë të parë paditësi këtë vendim e përmend me parashtresën e datës 19 tetor 2021, kur edhe e dorëzon këtë vendim por tashmë ishte shumë vonë, pasi që kishin kaluar të gjitha afatet e kontestimit të këtij vendimi.”
Gjykata vëren se DHPGJS-ja ka vendosur në dobi të parashtruesit të kërkesës sa i përket Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së PRZ 009-0182, dt. 23.03.2015, ndërsa e refuzoi të paafatshme ankesën për Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015. Gjykata po ashtu vëren se Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e vërtetoi vendimin e DHPGJS-së sa i përket faktit se ankesa e parashtruesit të kërkesës sa i përket Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së PRZ 009-184, dt.03.04.2015, është e paafatshme pasi që kishin kaluar të gjitha afatet ligjore.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se procedurat e zhvilluara pranë DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së: (i) ngrenë vetëm çështje ligjore të natyrës së kufizuar siç janë afatet ligjore; (ii) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërinë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme; dhe, (iii) nga natyra e rastit rrjedh se DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së bazuar mbi parashtresa dhe materialet me shkrim kanë zgjidhur rastin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme; sidomos, (iv) kur merret parasysh se të njëjtat kanë vendosur në dobi të parashtruesit të kërkesës lidhur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së PRZ 009-0182, dt.23.03.2015.
Përkitazi me pretendimin për mos mbajtje të seancës dëgjimore, Gjykata në jurisprudencën e saj ka konstatuar shkelje në rastet kur Kolegji i Apelit të DHPGJS-së ka vlerësuar çështje të faktit dhe të ligjit duke e ndryshuar kështu vendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së në dëm të parashtruesve të kërkesës (shih rastin e Gjykatës KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 81). Gjykata në jurisprudencën e saj po ashtu ka konstatuar se mos mbajtja e seancës dëgjimore nga Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së nuk bie ndesh me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, për shkak se rasti karakterizohet nga çështje të “natyrës së lartë teknike” apo “ekskluzivisht ligjore” dhe se i njëjti mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme bazuar në parashtresat dhe materialet tjera të dorëzuara nga palët (shih rastin e Gjykatës KI160/20 parashtrues Komuna e Gjilanit, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafët 98-105).
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata Supreme, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024,
VENDOS
TA DEKLAROJË, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtare raportues e Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi-Peci Gresa Caka-Nimani
Behgjet Stoliqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile