Prishtinë, më 29 korrik 2024
Nr. ref.: RK 2480/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI08/24
Parashtrues
Gëzim Demolli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.607/2023 të 30 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtrues i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Gëzim Demolli, me vendbanim në Krilevë, komuna e Gjilanit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Shemsedin Pira avokat.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml.nr. 607/2023] e 30 nëntorit 2023, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [PAKR.nr312/2023 ] e 18 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [PKR.nr.11/2023] e 3 prillit 2023 të Gjykatës Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimet e instancave më të ulëta, me të cilat parashtruesi i kërkesës pretendon se janë shkelur të drejtat e tij të, garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-21 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 5 janar 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në postë, e cila në Gjykatë arriti dhe u regjistrua më 10 janar 2024.
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR. KI08/24 caktoi gjyqtarin Radomir Laban, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI08/24, emëroi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 30 janar 2023, Gjykata për regjistrimin e kërkesës e njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës, nga i cili kërkoi plotësimin e formularit me informata të nevojshme. Të njejtën datë Gjykata një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 14 shkurt 2024, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në Gjykatë dorëzoi formularin e kërkesës, së bashku me dokumentacionin mbështetës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që kërkesa të shpallet e papranueshme.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, ku parashtruesi i kërkesës fillimisht ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore), për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer tri vepra penale: (i) “lëndim i lehtë trupor” nga nenparagrafi 3.1 i paragrafit 3 të nenit 185, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK), (ii) “kanosje” nga paragrafi 4 i nenit 181 i KPRK-së, dhe (iii) “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” nga paragrafi 1 i nenit 366 të KPRK-së. Për veprat penale në fjalë i njëjti ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelor dhe dënuar me burgim unik në kohëzgjatje, prej gjashtëmbëdhjetë (16) muajve, si dhe me gjobë në shumën prej katërqind (400) euro. Më poshtë përshkrimi i procedurave të ndjekura për këtë rast penal.
Më 27 janar 2020, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzën PP.l.nr.289/2022, për shkak të dyshimit të bazuar se parashtruesi i kërkesës kishte kryer veprat penale të lartcekura.
Më 3 prill 2023, Gjykata Themelore me Aktgjykimin [Pkr.nr.11/2023], e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesë për kryerjen e veprave penale të lartcekura, duke e dënuar të njëjtin me dënim unik në kohëzgjatje prej gjashtëmbëdhjetë (16) muajve dhe me gjobë në shumën prej katërqind (400) euro për armëmbajtje pa leje. Parashtruesit të kërkesës i është llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim, prej 21 dhjetorit 2022 deri më 13 shkurt 2023.
Parashtruesi i kërkesës, kundër aktgjykimit të lartcekur parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e aktgjykimit të goditur me ankesë dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Më 18 tetor 2023, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [PAKR.nr.312/2023], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e 3 prillit 2023 të gjykatës së shkallës së parë.
Parashtruesi i kërkesës, bredha afateve ligjore, parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, me propozimin që Gjykata Supreme të aprovojë kërkesën dhe aktgjykimet e goditura t’i anulojë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Më 22 nëntor 2023, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit i propozoi Gjykatës Supreme që kërkesa e parashtruesit të kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar.
Më 30 nëntor 2023, Gjykata Supreme me Aktgjykimin [Pml.nr607/2023], e refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vërtetoi aktgjykimet e instancave më të ulëta, me arsyetimin se të njëjtat nuk janë marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar në ndërlidhje me aktgjykimet e gjykatave të instancës me të ulët, shkelin të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
Parashtruesi i kërkesës fillimisht thekson se gjykatat e instancave me të ulëta (i) nuk kanë vërtetuar faktet thelbësore të veprës penale (kanosje), pasi qe për tu sajuar elementet e kësaj vepre penale është e domosdoshme që nga një veprim i tillë, të rezultojë pasoja duke shkaktuar frikë apo ankth tek e dëmtuara dhe që kanosja për nga natyra duhet të jetë serioze dhe të krijohet bindja se e njëjta do të mund të realizohej. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesë thekson se Gjykata Supreme në lidhje me pretendimet e tij kishte theksuar se gabimet e evidentuara nuk paraqesin shkelje të natyrës absolute të dispozitave të procedurës penale sepse të njëjtat janë të natyrës relative dhe si të tilla nuk paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimeve të goditura. Thënë këtë parashtruesi i kërkesës pretendon se arsyetimi i Gjykatës Supreme nuk është në harmoni me përcaktimet e ligjvënësit kur kemi të bëjmë me përkufizimet se çfarë janë gabimet e natyrës teknike kur behët fjalë për elementet e formësimit të një aktgjykimi gjyqësor.
Në fund, parashtruesi i kërkesë thekson se përfundimi i nxjerrë nga Gjykata Supreme është tërësisht i paqartë dhe i papranueshëm, andaj në këtë kuptim, kërkon nga Gjykata Kushtetuese qe të shpallë të pranueshme kërkesën, të shpallë jokushtetues aktgjykimin e Gjykatës Supreme Pml.nr.607/2023, dhe çështjen ta kthejë në rigjykim në Gjykatën Themelore, dhe të ndaloje ekzekutimin e dënimit.
Dispozitat relevante
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Sa i përket përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, dhe se i njëjti konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml.nr. 607/2023] e 30 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 48 të Ligjit, dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtueshmëri me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kritereve të lartcekura, Gjykata shqyrton po ashtu nëse kërkesa i përmbushë kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(2) Gjykata mund ta konsideroj kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ), por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që ajo mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Kushtetutës apo të KEDNj-së, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe e KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43); dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata, fillimisht rikujton faktin se sipas praktikës gjyqësore të GjEDNj-së një ankesë karakterizohet nga faktet e përfshira në të, dhe jo vetëm nga baza ligjore dhe argumentet në të cilat palët thirren shprehimisht (shih, rastin e GjEDNj-së: Talpis kundër Italisë, nr. 41237/14, Aktgjykimi i 18 shtatorit 2017, paragrafi 77 dhe referencat e cituara aty).
Referuar pretendimeve të ngritura në kërkesë, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës ankohet se aktgjykimi i Gjykatëse Supreme është marrë në shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së.
I. Vlerësimi i Gjykatës përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNj-së
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata do t’i shqyrtojë dhe analizojë nga pikëpamja e të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në dritën e interpretimit të nenit 6 të KEDNj-së, duke aplikuar parimet e përcaktuara nga GjEDNj, në bazë të të cilave kjo Gjykatë dhe gjykatat e rregullta në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës janë të obliguara që: “Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ngrenë çështje fakti dhe ligji, ku i gjithë argumentimi i shkeljes se të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm arsyetohet: (i) me mënyrën e vërtetimit të faktikëve përkitazi me veprën penale të kanosjes, që sipas tij ka rezultuar në shkelje të ligjit penal, dhe (ii) me pretendimet se është shkelur ligji procedural për shkak se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së paerë nuk përfshinte të gjitha elementet e një aktgjykimi gjyqësor. Gjykata pas parasysh natyrën e ankesës së parashtruesit të kërkesës, ve në pah se pretendimet e lartcekura në të vërtetë ngrenë çështje të natyrës së “shkallës së katërt”.
Andaj, në vazhdim Gjykata do t’i shtjellojë parimet e përgjithshme të përcaktuara nga GjEDNj, nëpërmjet të cilave përcaktohet nëse një pretendim i ngritur nga parashtruesi i kërkesës bie në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNj-së, apo i takon pretendimeve që në vetvete ngrenë çështje ligjshmërie, respektivisht çështje të “shkallës së katërt”.
Parimet e përgjithshme përkitazi me pretendimet e “shkallës së katërt”
Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GjEDNj-së dhe të saj, rikujton se sipas Kushtetutës nuk është detyrë e saj si Gjykatë të veprojë si “shkallë e katërt” përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Është roli i këtyre të fundit që t’i interpretojnë dhe zbatojnë dispozitat përkatëse të së drejtës materiale dhe procedurale (shih, në lidhje me këtë rastin e GjEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999). Gjykata Kushtetuese vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë sa që parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë (Shih, rastin e GjEDNj-së, Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 13071/87; dhe rastin e Gjykatës KI192/13, me parashtrues Hatixhe Avdyli, Aktvendimi i 24 shkurtit 2014).
Gjykata në mënyrë konsistente ka mbajtur qëndrimin se nuk është detyrë e saj që të merret me gabimet e fakteve ose të ligjit (ligjshmërisë) që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta, përveç nëse ato i kanë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNj. Andaj, Gjykata nuk duhet të veprojë si gjykatë e “shkallës së katërt”, kur shqyrtohen vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta. Çështjet që lidhen me vlerësimin e provave dhe peshimin e tyre nga ana e gjykatave të rregullta, nuk janë në kompetencën e Gjykatës Kushtetuese që të rishikohen (shih, rastin e GjEDNj-së, Lupeni Greek Catholic Parish dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 29 nëntorit 2016; dhe rastin e Gjykatës KI70/11, me parashtrues Faik Hima, Magbule Hima, Bestar Hima, Aktvendimi i 12 dhjetorit 2011).
Gjykata, megjithatë, thekson se jurisprudenca e GJEDNj-së dhe e Gjykatës gjithashtu përcaktojnë rrethana nën të cilat duhet të bëhen përjashtime nga ky qëndrim. Siç u theksua më lart, përderisa gjykatat e rregullta kanë detyrë primare të zgjidhin problemet rreth interpretimit të ligjit të aplikueshëm, roli i Gjykatës është që të sigurohet apo të verifikojë që efektet e këtij interpretimi të jenë kompatibile me Kushtetutën dhe KEDNj-në (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNj-së, Miragall Escolano dhe të tjerët kundër Spanjës, Aktgjykim i 25 majit 2000.). Në parim, një përjashtim i tillë ndërlidhet me rastet të cilat rezultojnë të jenë dukshëm arbitrare, duke përfshirë ato në të cilat, një gjykatë ka “aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar”, në një rast specifik dhe i cili mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin përkatës.
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e Gjykatës KI49/19, me parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendimi i 10 shtatorit 2019, dhe KI08/23, cituar më lart, paragrafi 35).
Gjykata, si rregull ka theksuar që ajo nuk mund të vë në dyshim gjetjet e gjykatave të rregullta që kanë të bëjnë me: (i) vërtetimin e fakteve të rastit; (ii) interpretimin dhe zbatimin e ligjit; (iii) pranueshmërinë dhe vlerësimin e provave në gjykim; (iv) drejtësinë substanciale të rezultatit të një kontesti civil; apo edhe (v) fajin ose pafajësinë e të akuzuarit në procedurën penale.
Gjykata rikujton se neni 31 i Kushtetutës nuk i garanton askujt rezultat të favorshëm në një proces gjyqësor dhe as nuk përcakton që Gjykata ta vë në diskutim zbatimin e së drejtës materiale nga gjykatat e rregullta në një kontest civil, ku kryesisht njëra prej palëve fiton dhe tjetra humb. Gjykata, gjithashtu thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GjEDNj-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, Aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; rastin e Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, Aktvendim i 10 shtatorit 2021).
Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, shikuar dhe procedurën në tërësinë e saj, në kuptim të rregullsisë së procesit gjyqësor, Gjykata në vazhdim i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se nuk kishte kryer veprën penale të kanosjes, theksoi, ”...deklarata e tij ishte kundërthënëse me vetë veten, pasi që fillimisht (parashtruesi) deklaron se nuk e kishte kanosur me fjalët, si më lartë, e që me pas thekson se ndoshta kur ka qenë me vetëdije të plotë, kam mundur ti drejtohem me fjalët se “kam me te vra”, por asnjëherë me vetëdije, po ashtu mbrojta e të akuzuarit është në kundërshtim edhe me provat materiale...sekuestruar në banesën e tij. “ Ndërsa përkitazi me dy veprat tjera penale, Gjykata Themelore theksoi se “...i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprat penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 185, par.3, lidhur me par.1 të KPRK-së, dhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim te paautorizuar të armeve nga nenin 366, par1, të KPRK-së, që në fazën e shqyrtimit fillestar...”
Gjykata vëren se konkluzionet e Gjykatës Themelore u pranuan në tërësi nga Gjykata e Apelit, e cila ndër të tjera, arsyetoi: “Lidhur me pretendimin ankimor të mbrojtësit, se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelej esenciale të dispozitave të procedurës penale ngase në hyrjen e aktgjykimit të ankimuar nuk janë përfshirë të gjitha pjesët e tij, se nuk janë konstatuar palët e pranishme në shqyrtimin gjyqësor, siç parashihet me nenin 370 par. 2 të ish –KPPK-së, se fare nuk përmenden, e as që evidentohen emrat e dy gjyqtareve tjerë të cilët kanë qenë si anëtar të trupit gjykues, nuk përmendet emri i prokurorit të shtetit, mbrojtësi i të akuzuarit, si dhe data e përpilimit të aktgjykimit, se qëndron ky fakt sa i përket këtij pretendimi, mirëpo sipas vlerësimit të kësaj Gjykate kjo nuk ka ndikuar në çështjen qe është objekt shqyrtimi, ngase siç rezulton nga procesverbali i seancave të shqyrtimit gjyqësor të mbajtur nga gjykata e shkallës së parë dhe atë me datë 23 dhe 31 .03.2023, nga procesi për këshillim dhe votim, përbërja e trupit gjykues në këtë çështje ka qenë konform dispozitave ligjore...”.
Ndërsa, përkitazi me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, Gjykata verën se Gjykata e Apelit arsyetoi: “Kolegji i gjen të pabazuara pretendimet e mbrojtësit të akuzuarit, se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk është vërtetuar se i akuzuari të këtë përdorur në formë të kanosjes çfarëdo revole në dem të të dëmtuarës. Kolegji vlerëson se këto pretendime janë të pa argumentuara dhe te pa qëndrueshme, pasi që në rastin konkret nga administrimi i të gjitha provave në shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se dashja e të akuzuarit ka qenë që të dëmtuarës t’i shkaktojë frikë, ankth dhe pasiguri për jetë, ...”
Gjykata po ashtu i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme e cila përkitazi me mungesën e elementeve (formës) të aktgjykimit të shkallës së parë, theksoi: “...kjo Gjykatë në tërësi dakordohet me arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë se nga shkresat e lëndës dhe veçanërisht procesverbalet e shqyrtimeve të pjesëmarrësve vërtetohet se të gjitha palët por edhe anëtaret e trupit gjykues ishin prezent në shqyrtim gjyqësor, andaj lëshimi i pretenduar del të jetë i natyrës teknike dhe nuk përben bazë për anulimin e aktgjykimeve të kundërshtuara. [...]. Ndërsa duke shqyrtuar pretendimin për shkelje të ligjit penal dhe mos vërtetimin të veprës penale të kanosjes, duke konstatuar mënyrën e veprimit, përdorimit të revoles dhe shkaktimit të frikës, ndaj të dëmtuarës, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se këto pretendime dalin të jenë të pabazuara, meqë bazuar në shkresat e lëndës, del se në veprimet e të dënuarit janë manifestuar të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale të kanosjes, të përcaktuara me dispozitën e nenit 181, par. 4 të KPRK-së.”
Sa me sipër, Gjykata bazuar në përmbajtjen e aktgjykimeve të gjykatave të rregullta, verën se konkluzionet e tyre janë mbështetur në prova të ndryshme, përfshi sekuestrimin e provave materiale në vendin e ngjarjes, deklaratat e dëshmitareve, dëgjimin e mbrojtjes dhe dëgjimin e parashtruesit të kërkesë. Gjykata ve në dukje se pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës kishte ngritur dy pretendime kryesore njëra ndërlidhej me (i) mos përfshirjen e emrave të dy gjyqtareve të gjykatës së shkallës së parë dhe të prokurorit themelor në pjesën hyrëse të aktgjykimit, dhe tjetra (ii) me mos vërtetimin e plotë të gjendjes faktike përkitazi me vërtetimin e kryerjes së veprës penale të kanosjes.
Nga përmbajtje e aktgjykimeve të gjykatave në fjalë, Gjykata verën se pretendimet e përsëritura të parashtruesit të kërkesë janë trajtuar në mënyrë të rregullt nga ana Gjykatës së Apelit dhe Gjuajtka Supreme. Këto të fundit arsyetuan dhe konstatuan se mos përfshirja e emrave në aktgjykimin e gjykatës së shkallës se parë nuk përbente bazë për anulimin e aktgjykimeve të kundërshtuara dhe se për me tepër emrat figuronin në procesverbalet e seancave shqyrtuese të mbajtura nga gjykata e shkallës së parë. Gjersa përkitazi me pretendimet për shkelje të ligjit penal dhe mos vërtetim të plote të gjendjes faktike, Gjykatë e Apelit dhe ajo Supreme theksuan se në veprimet e parashtruesit të kërkesës, janë manifestuar të gjitha elementet e veprës penale të kanosjes përfshi dashjen për frikësimin e të dëmtuarës.
Duke pasur parasysh shtjellimet e mësipërme, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të mbështes pretendimin e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë në nivel kushtetutshmërie, dhe se në rrethanat e rastit konkret nuk është përmbushur kriteri përjashtues, ku interpretimi i ligjit penal dhe procedural nga ana e gjykatave të rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar kësisoj në “konkluzione arbitrare”, apo se si procedurat, shikuar ne tërësinë e tyre, të zhvilluara pranë gjykatave të rregullta mund të kenë qenë të padrejta apo arbitrare. (shih ngjashëm rastin GjEDNj-së, García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykimi i 21 janarit 1999, paragrafët 29 dhe 30; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI22/19, parashtrues: Sabit Ilazi, Aktvendim i 7 qershorit 2019, paragrafi 42; KI64/20, parashtrues: Asllan Meka, Aktvendim i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI22/19, cituar më lart, paragrafi 43, si dhe KI197/22, parashtrues Aferdita Gjonbalaj-Stublla, Aktvendimin 14 nëntorit 2023, paragrafi 51).
Përfundim
Gjykata, duke i marrë parasysh shtjellimet e mësipërme konkludon: se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në ndërlidhje me dispozitat e nenit 6 të KEDNj-së, kualifikohen në kategorinë e parë (i) të pretendimeve që kategorizohen si të natyrës së “shkallës së katërt”, dhe si të tilla në baza kushtetuese, të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, duhet të shpallet e papranueshme, në pajtim me nënrregullin (2) të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me nënrregullin (2) të rregullit 34 dhe shkronjën (b) të nënrregullit (1) të rregullit 48 të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur, më 16 korrik 2024, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Gëzim Demolli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale