Prishtinë, 10 shkurt 2023
Nr. ref.:RK 2125/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI107/22
Parashtrues
Valdet Avdiu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës A.A.nr.5/2022, të 19 prillit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Valdet Avdiu nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme A.A.nr. 5/2022 të 19 prillit 2022 në ndërlidhje me Vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK) KPK/Nr.413/2022, të 22 marsit 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenet 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 20 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 25 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 26 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës u njoftua për regjistrim të kërkesës dhe nga një kopje iu dërgua Gjykatës Supreme dhe KPK-së.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 18 janar 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 28 tetor 2021 KPK-ja kishte pranuar nga autoriteti kompetent (Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit) propozimin për fillimin e procedurës hetimore kundër parashtruesit të kërkesës, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, me propozim që të njëjtit t’i shqiptohet masa disiplinore zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një vit.
Më 2 nëntor 2021, KPK-ja, themeloi Panelin Hetimor për hetimin e rastit disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës.
Më 30 dhjetor 2021, Paneli Hetimor i dorëzoi raport KPK-së me konstatim se parashtruesi i kërkesës ka vepruar në shkelje të nenin 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (në tekstin e mëtejmë: LPDGJP). Në raportin e Panelit Hetimor thuhej në lëndën penale PP.I.nr.117/21 lidhur me një aksident në komunikacion nga dy automjete me ç ‘rast kanë vdekur pesë persona në mesin e tyre një i mitur, parashtruesi i kërkesës në cilësi të prokurorit të çështjes, kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe po ashtu kishte ngritur aktakuzë pa kryer hetimet.
Më 12 janar 2022, KPK-ja përmes Vendimit KPK/Nr.174/2022, përcaktoi: (i) APROVOHET si i bazuar raporti i Panelit Hetimor, AD, nr. 09/2021 i datës 30 dhjetor 2021, në rastin disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj; (ii) VËRTETOHET se parashtruesi i kërkesës është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuara me nenin 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.1 të LPDGJP-së; (iii) Parashtruesit të kërkesës i shqiptohet masa disiplinore “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.”
KPK-ja kishte shpjeguar se parashtruesi i kërkesës kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, ashtu që në lëndën penale, PP.I.nr.117/21, që ka të bëj me ndodhjen e aksidentit të komunikacionit mes dy automjeteve të përfshira ku si pasojë pesë persona kanë gjetur vdekjen në mesin e tyre një i mitur, parashtruesi i kërkesës-prokuror i rastit e zëvendëson masën e paraburgimit në arrest shtëpiak dhe ka ngritur aktakuzë pa kryer hetimet.
Më 16 shkurt 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit A.A. nr.1/2022: (i) APROVON ankesën e parashtruesit të kërkesës, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, (ii) PRISHET Vendimi i KPK-së nr. 174/2022 i 12 janar 2022; dhe, (iii) LËNDA i kthehet në rishqyrtim KPK-së. Gjykata Supreme kishte konstatuar: (i) KPK-ja në pikën I të dispozitivit të vendimit të kontestuar ka aprovuar raportin e Panelit Hetimor ku theksohet se parashtruesi i kërkesës ka kryer shkelje të nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP-së; (ii) ndërsa, në pikën II të dispozitivit të vendimit të kontestuar gabimisht është shënuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer shkelje të nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.1 të LPDGJP-së; (iii) prandaj, në rishqyrtim, KPK-ja duhet ta eliminojë këtë paqartësi.
Më 16 mars 2022, KPK-ja përmes Vendimit KPK/Nr.413/2022, konstatoi: (i) APROVOHET raporti me të gjeturat nga Paneli Hetimor AD.nr.09/2021 i datës 30 dhjetor 2021 në rastin disiplinor ndaj parashtruesit të kërkesës, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj; (ii) VËRTETOHET se parashtruesi i kërkesës ka vepruar në kundërshtim me nenin 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP-së dhe në kundërshtim të parimeve të përgjithshme të Kodit të Etikës dhe Sjelljes profesionale për Prokuror; (iii) Parashtruesit të kërkesës i shqiptohet sanksioni disiplinor, “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë”, në Departamentin e Përgjithshëm, sipas nenit 7 paragrafi 1 nën-paragrafi 1.4 të LPDGJP-së.
KPK-ja arsyetoi: (i) parashtruesi i kërkesës ka treguar neglizhencë të madhe sepse nuk ka treguar kujdesin profesional, nisur nga fakti se ishin pesë (5) viktima dhe kanë ekzistuar kushtet për paraburgim; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ka pranuar raportin e ekzaminimit të telefonit, ekspertizën mjeko-ligjore të viktimës së pestë dhe ka ngritur aktakuzë pa vërtetuar tërësisht dhe saktësisht faktet që janë të rëndësishme për marrjen e një vendimi të ligjshëm; (iii) Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka evidentuar lëshime serioze dhe ka rekomanduar inicimin e procedurës disiplinore; (iv) parashtruesi i kërkesës ka ngarkuar të pandehurin me veprën penale të “rrezikimit të trafikut publik” nga neni 370.5 të KPRK-së për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 12 vite dhe me këtë fakt nënkuptohet se zëvendësimi i masës nga paraburgimi në masën e arrestit shtëpiak paraqet mundësi për të pandehurin për t’i ikur dënimit penal të rëndë; (v) KPK-ja ka dëgjuar raportimin e kryesuesit të Panelit Hetimore i cili ka elaboruar të gjitha faktet dhe provat e mbledhura gjatë procedurës hetimore dhe KPK-ja mbetet pranë konstatimeve të Panelit Hetimor; (vi) parashtruesi i kërkesës ka kryer shkelje të nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP-së sepse i njëjti me paraqitjen e kërkesës për zëvendësim të masës së paraburgimit në arrest shtëpiak, akoma pa i siguruar të gjitha provat materiale, me çka ka dëmtuar besimin e publikut në paanshmëri; (vii) parashtruesi i kërkesës ka vepruar me nguti duke zëvendësuar masën e paraburgimit në arrest shtëpiak, kurse pas shtatë (7) ditësh nga zëvendësimi i masës ka ngritur aktakuzë pa përfunduar hetimet; (viii) sanksioni disiplinor “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në Departamentin e Përgjithshëm”, është në përputhje me shkeljet e konstatuara në raportin e Panelit Hetimor.
Parashtruesi i kërkesës u ankua në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje procedurale ligjore dhe gabime faktike që kanë ndikuar në procedurë dhe në vendimmarrje lidhur me masën disiplinore me propozim që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet vendimi i goditur duke e liruar parashtruesin e kërkesës nga përgjegjësia disiplinore ose që të ndryshohet masa disiplinore e shqiptuar, me një masë më të butë në pajtim me shkeljen e konstatuar.
Në përgjigje ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës, KPK-ja kishte pretenduar se ankesa e parashtruesit të kërkesës është e pabazuar dhe se pretendimet ankimore nuk qëndrojnë edhe për faktin se në veprimet e parashtruesit të kërkesës ka elemente të veprës disiplinore të nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP-së.
Më 19 prill 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit A.A.nr.5/2022 përcaktoi: (i) Pranohet pjesërisht si i themeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Ndryshohet vendimi i KPK-së nr. 413/2022, datë 22 mars 2022 dhe atë nën pikën III të dispozitivit të vendimit sa i përket sanksionit disiplinor, ashtu që parashtruesit të kërkesës i shqiptohet masa “zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 50, për një periudhë prej 6 (gjashtë) muajve”; (ii) Në pjesën tjetër ankesa e parashtruesit të kërkesës, paraqitur kundër vendimit të KPK-së refuzohet e pabazuar.
Gjykata Supreme arsyetoi: (i) duke u nisur nga gjendja e çështjes, Gjykata Supreme i pranon të themeltë konstatimin dhe qëndrimin juridik të KPK-së se në veprimet e parashtruesit të kërkesës ekzistojnë të gjitha elementet e veprës disiplinore nga nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP-së; (ii) parashtruesi i kërkesës me paraqitjen e kërkesë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në arrest shtëpiak, akoma pa i siguruar të gjitha provat materiale, duke e dëmtuar besimin e publikut në paanshmërinë dhe besueshmërinë në prokurorinë e shtetit; (iii) me provat e administruara është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprime disiplinore dhe se pakujdesia nuk e liron nga përgjegjësia disiplinore; (iv) masa disiplinore e shqiptuar nga KPK-ja nuk është në harmoni me parimin e proporcionalitetit si dhe duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, sjelljen e përgjithshme dhe të mëparshme të parashtruesit të kërkesës; (v) ndryshohet vendimi i KPK-së si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, si një masë proporcionale dhe adekuate në raport me shkeljen disiplinore të kryer dhe se e njëjta do të shërbejë për disiplinimin e parashtruesit të kërkesës por edhe të tjerëve; (vi) prandaj, me shqiptimin e sanksionit disiplinor, zvogëlimi i pagës prej 50 % për 6 muaj, mund të arrihet qëllimi i shqiptimit të sanksionit disiplinor.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se neni 31 i Kushtetutës është shkelur sepse: “Ky nen është shkel nga ana e KPK-së, pasi me rastin e rivendosjes, nuk më ka ftuar që të marr pjesë në seancë e në bazë të nenit 12 par 11 të LPDGJP-së dispozitat e kodit të procedurës penale zbatohen mutatis mutandis në procedurën për mbledhjen e provave dhe të drejtat e personave nën hetime, e me qenë se Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës çështjen e ka kthyer në rivendosje, dhe rrjedhimisht në këtë situatë vlejnë dispozitat e nenit 14 par 1 dhe 2 të LPDGJP, e të cilat nene e obligojnë KPK-në që t’i ftojë palët në procedurë të marrin pjese në seancat e Këshillit, gjë që përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe nenit 6 te KEDNJ (E Drejta për një Proces të Rregullt), për shkak se janë shkelur garancitë kushtetuese për një gjykim ferr, korrekt dhe të paanshëm, duke ma pamundësuar thirrjen e dëshmitarëve në mënyrë qe t’i parashtroj pyetje, për ta sqaruar rastin si dhe ta paraqesë mbrojtjen time përmes avokatit pasi në dëgjimin e parë në të cilin kam marr pjesë nuk kam pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur mbrojtjen, me qenë se kam pasur vetëm dy ditë kohë, ku edhe ato dy ditë kam qenë i ngarkuar me seanca, e po ashtu për shkak se me KPK-në, jam lidhur se zyrën time me videolink, e kam pasur të pamundur që të kem avokat.”
Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se Gjykata Supreme ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së për shkak se nuk e ka ftuar atë që të marrë pjesë në seancë lidhur me çështjen e tij.
Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës shton: “[...] për shkak se mos ftesa ma ka pamundësuar që t’i paraqes pretendimet e mia, para trupit gjykues e të cilat i ka parashtruar me ankesë, mirëpo në të cilat pretendime gjykata Supreme e Kosovës, fare nuk i ka vlerësuar.”
Parashtruesi i kërkesës pretendon se është shkelur diskrecioni dhe pavarësia e tij si prokuror i çështjes penale siç garantohet me nenin 109 të Kushtetutës [Prokurori i Shtetit].
Në këtë drejtim, lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 109 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Është e kundërligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën për cilindo person fizik apo juridik që të ndërhyjë, pengojë, ndikojë apo të përpiqet të ndërhyjë, pengojë apo ndikojë të Prokurori i Shtetit gjatë kryerjes së funksioneve prokuroriale lidhur me cilindo hetim, procedurë apo lëndë individuale [...] Prokuroret gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni për veprimet e ndërmarra, vendimet e marra, apo mendimet e shprehura që janë brenda fushëveprimit te përgjegjësive të tyre.”
Përkitazi me interpretimin e nenit 6, paragrafi 2, pika 2.10 të LPDGJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Interpretimi i nenit 6 par 2 pika 2.10 të LPDGJP, nga ana e KPK-se dhe Gjykatës Supreme përveç që nuk i përket fare situatës sime pasi pika në fjalë thekson se Shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit te shteti i njëjti bie ndesh me nenin 31, nenin 109 të Kushtetutës, si dhe nenin 5 të KEDNJ, pasi sipas vendimit të KPK-së dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës dispozitat të cilat kanë të bëjnë me të drejtën e lirisë dhe sigurisë, interpretohen në favor të qëndrimit në paraburgim.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon: (i) ta shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të neneve 31 dhe 109 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, A.A.nr.5/2020, të 19 prillit 2022 si dhe Vendimin e KPK-së, KPK/Nr.413/2022 të 22 marsit 2022.
Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
LIGJI Nr. 06/L - 057 PËR PËRGJEGJËSINË DISIPLINORE TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE
Neni 6
[Shkeljet disiplinore për prokurorë]
“[...]
2. Shkelje e detyrave të prokurorit, sipas këtij ligji, përfshin veprimet e mëposhtme, në qoftë se prokurori i kryen me dashje ose nga pakujdesia e rëndë:
[...]
2.10. përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë
reputacionin e prokurorit të shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në
paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit.”
Neni 7
[Sanksionet disiplinore]
“1. Për shkelje disiplinore, Këshillat përkatës mund t’u shqiptojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim:
1.1. vërejtje jopublike me shkrim;
1.2. vërejtje publike me shkrim;
1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë
deri në një (1) vit;
1.4. transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të
nivelit më të ulët;
1.5. propozim për shkarkim.
2. Masat disiplinore shqiptohen vetëm në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe duke marrë parasysh:
2.1. numrin dhe seriozitetin e shkeljeve disiplinore të kryera nga një gjyqtar apo prokuror;
2.2. pasojat e shkeljes disiplinore;
2.3. rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore;
2.4. performancën dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit;
2.5. sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore”
Neni 12
[Procedura hetimore]
“[...]
11. Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale zbatohen mutatis mutandis me procedurën për mbledhjen e provave dhe të drejtat e personave nën hetime.”
Neni 14
[Procedurat Disiplinore]
“1. Pas pranimit të raportit me shkrim mbi hetimin e gjyqtarit apo të prokurorit, apo të pranimit të marrëveshjes bazuar në nenin 13 të këtij Ligji, Këshilli respektiv do të mbajë seancë në periudhën kohore prej tridhjetë (30) ditësh. Këshilli mund të vendos të mbajë seanca shtesë në qoftë se një gjë e tillë rrjedh nga kompleksiteti i lëndës. Palët në procedurë do të ftohen të marrin pjesë në seancat e Këshillit.
2. Gjyqtari apo prokurori kundër të cilit zhvillohet procedura disiplinore ka të drejtë të përfaqësojë veten apo të angazhojë avokat mbrojtës. Këshilli obligohet t’i ofrojë qasje në të gjitha provat e mbledhura si dhe në të gjitha dosjet e lëndës.
3. Këshilli vendos nëse është kryer shkelja e supozuar disiplinore dhe, në rast se konstaton se gjyqtari ose prokurori ka kryer shkeljen e supozuar disiplinore, shqipton sanksionin disiplinor sipas dispozitave të këtij Ligji.
4. Kuorumi për procedurë disiplinore do të përbehet nga nëntë (9) anëtarë të Këshillit, dhe
vendimet e Këshillit merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm.
5. Vendimi i Këshillit duhet të jetë në formë të shkruar dhe të përmbajë arsyet mbi vendimin dhe këshillën juridike. Një kopje e vendimit i dërgohet Autoritetit Kompetent që ka kërkuar fillimin e hetimeve dhe gjyqtarit ose prokurorit, dhe në rastet e parapara me nenin 12 par.3 të këtij ligji Avokatit të Popullit. Vendimi i shkallës së parë do të publikohet në faqe të Këshillit, pasi të bëhet i formës së prerë.
6. Këshilli merr vendim brenda dy (2) muajve nga pranimi i raportit të panelit hetimor.”
Neni 15
[Ankesa ndaj vendimeve disiplinore]
“1. Palët kanë të drejtë të ankohen ndaj vendimeve disiplinore të Këshillit, drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të vendimit. Gjykatat tjera në Kosovë, nuk kanë kompetencë të shqyrtojnë dhe të vendosin lidhur me procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
2. Ankesa ndaj vendimit të Këshillit ka efekt suspensiv dhe ndalon implementimin e atij vendimi, derisa të shqyrtohet ankesa.
3. Në rast se Këshilli nuk merr vendim në përputhje me nenin 14, paragrafin 6, gjyqtari apo prokurori dhe Autoriteti Kompetent i cili ka kërkuar fillimin e hetimeve, si dhe në rastet e parapara me nenin 12 par.3 të këtij Ligji, Avokati i Popullit, mund të ushtrojnë ankesë pranë Gjykatës Supreme për mosveprim nga ana e Këshillit përkatës.
4. Ankesë mund të ushtrohet në rrethanat si në vijim:
4.1. në rast të zbatimit të gabuar të ligjit;
4.2. në rast të shkeljes procedurale të përcaktuar me ligj;
4.3. në rast të një gabimi faktik të qartë apo të dukshëm i cili ndikon në të drejtat substanciale të palës në qoftë se ndikon seriozisht në paanësinë dhe integritetin e procedurës;
5. Gjykata Supreme, në një trup gjykues të përbërë nga tre anëtarë, të zgjedhur nga Kryetari i Gjykatës Supreme, brenda tridhjetë (30) ditëve, shqyrton dhe vendos lidhur me ankesën. Në rast se Kryetari i Gjykatës Supreme është subjekt i vendimit të Këshillit, atëherë zgjedhjen e anëtareve e bën gjyqtari më i moshuar i Gjykatës Supreme.
6. Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata Supreme mund të konfirmojë vendimin e Këshillit, ta ndryshojë atë, apo ta kthejë në Këshill për rishqyrtim.
7. Në rast se Gjykata Supreme vendos ta kthej çështjen për rishqyrtim në Këshill, atëherë Këshilli vendos brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e marrjes së vendimit, sipas vendimit të Gjykatës, si dhe njofton Gjykatën me shkrim.
8. Në rast se Gjykata Supreme nuk merr njoftim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e kthimit të rastit për rishqyrtim siç parashihet në paragrafin 6, atëherë Gjykata Supreme vendos mbi rastin brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
9. Vendimi i Gjykatës Supreme është përfundimtar.
10. Përbërja e trupit gjykues pranë Gjykatës Supreme sipas paragrafit 5 të këtij neni dhe ai i panelit hetimor sipas nenit 12, paragrafi 5, nuk duhet të përbehet nga anëtarët të cilët janë subjekt i procedurave disiplinore.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [AA.nr. 5/2022] të 19 prillit 2022, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Rrjedhimisht, Gjykata shpall kërkesën të pranueshme. Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284; shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27; si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se KPK-ja kishte pranuar nga autoriteti kompetent (Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit) propozimin për fillimin e procedurës hetimore kundër parashtruesit të kërkesës, me propozim që të njëjtit t’i shqiptohet masa disiplinore zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një vit. KPK-ja, themeloi Panelin Hetimor për hetimin e rastit disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës. Paneli Hetimor i dorëzoi raport KPK-së me konstatim se parashtruesi i kërkesës ka vepruar në shkelje të nenin 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të LPDGJP. Në raportin e Panelit Hetimor thuhej në lëndën penale PP.I.nr.117/21 lidhur me një aksident në komunikacion nga dy automjete me ç ‘rast kanë vdekur pesë persona në mesin e tyre një i mitur, parashtruesi i kërkesës në cilësi të prokurorit të çështjes, kishte zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe po ashtu kishte ngritur aktakuzë pa kryer hetimet. KPK-ja përmes aprovoi të bazuar raportin e Panelit Hetimor, në rastin disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi shkeljen disiplinore të parashtruesit të kërkesës dhe i shqiptoi masën disiplinore Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Gjykata Supreme aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe lëndën e ktheu në rishqyrtim në KPK. Parashtruesi i kërkesës u ankua sërish në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje procedurale ligjore dhe gabime faktike që kanë ndikuar në procedurë dhe në vendimmarrje lidhur me masën disiplinore me propozim që të aprovohet ankesa dhe të ndryshohet vendimi i goditur duke e liruar parashtruesin e kërkesës nga përgjegjësia disiplinore ose që të ndryshohet masa disiplinore e shqiptuar, me një masë më të butë në pajtim me shkeljen e konstatuar. Gjykata Supreme e pranoi pjesërisht si i themeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi vendimin e KPK-së sa i përket sanksionit disiplinor, ashtu që parashtruesit të kërkesës i shqiptohet masa “zvogëlim i përkohshëm i pagës prej 50 %, për një periudhë prej 6 (gjashtë) muajve.”
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës ngre pretendime për shkelje të garancive specifike nga nenet 31 i Kushtetutës dhe neni 6 (1) i KEDNJ-së që ndërlidhen me mos ftesën e parashtruesit të kërkesës në seancën e mbajtur në Gjykatën Supreme. Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon cenimin e pavarësisë në kryerjen e detyrave si prokuror i çështjes siç garantohet me nenin 109 të Kushtetutës.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah konstatimet e KPK-së: (i) parashtruesi i kërkesës ka treguar neglizhencë të madhe sepse nuk ka treguar kujdesin profesional, nisur nga fakti se ishin pesë (5) viktima dhe kanë ekzistuar kushtet për paraburgim; (ii) parashtruesi i kërkesës nuk ka pranuar raportin e ekzaminimit të telefonit, ekspertizën mjeko-ligjore të viktimës së pestë dhe ka ngritur aktakuzë pa vërtetuar tërësisht dhe saktësisht faktet që janë të rëndësishme për marrjen e një vendimi të ligjshëm; (iii) Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka evidentuar lëshime serioze dhe ka rekomanduar inicimin e procedurës disiplinore; (iv) parashtruesi i kërkesës ka ngarkuar të pandehurin me veprën penale të “rrezikimit të trafikut publik” nga neni 370.5 të KPRK-së për të cilën parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 12 vite dhe me këtë fakt nënkuptohet se zëvendësimi i masës nga paraburgimi në masën e arrestit shtëpiak paraqet mundësi për të pandehurin për t’i ikur dënimit penal të rëndë; (v) KPK-ja ka dëgjuar raportimin e kryesuesit të Panelit Hetimore i cili ka elaboruar të gjitha faktet dhe provat e mbledhura gjatë procedurës hetimore dhe KPK-ja mbetet pranë konstatimeve të Panelit Hetimor; (vi) parashtruesi i kërkesës ka kryer shkelje të nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sepse i njëjti me paraqitjen e kërkesës për zëvendësim të masës së paraburgimit në arrest shtëpiak, akoma pa i siguruar të gjitha provat materiale, me çka ka dëmtuar besimin e publikut në paanshmëri; (vii) parashtruesi i kërkesës ka vepruar me nguti duke zëvendësuar masën e paraburgimit në arrest shtëpiak, kurse pas shtatë (7) ditësh nga zëvendësimi i masës ka ngritur aktakuzë pa përfunduar hetimet; (viii) sanksioni disiplinor “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në Departamentin e Përgjithshëm”, është në përputhje me shkeljet e konstatuara në raportin e Panelit Hetimor.
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës Supreme: (i) duke u nisur nga gjendja e çështjes, Gjykata Supreme i pranon të themeltë konstatimin dhe qëndrimin juridik të KPK-së se në veprimet e parashtruesit të kërkesës ekzistojnë të gjitha elementet e veprës disiplinore nga nenit 6 paragrafi 2 nën-paragrafi 2.10 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; (ii) parashtruesi i kërkesës me paraqitjen e kërkesë për zëvendësimin e masës së paraburgimit në arrest shtëpiak, akoma pa i siguruar të gjitha provat materiale, duke e dëmtuar besimin e publikut në paanshmërinë dhe besueshmërinë në prokurorinë e shtetit; (iii) me provat e administruara është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprime disiplinore dhe se pakujdesia nuk e liron nga përgjegjësia disiplinore; (iv) masa disiplinore e shqiptuar nga KPK-ja nuk është në harmoni me parimin e proporcionalitetit si dhe duke marrë parasysh rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, sjelljen e përgjithshme dhe të mëparshme të parashtruesit të kërkesës; (v) ndryshohet vendimi i KPK-së si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, si një masë proporcionale dhe adekuate në raport me shkeljen disiplinore të kryer dhe se e njëjta do të shërbejë për disiplinimin e parashtruesit të kërkesës por edhe të tjerëve; (vi) prandaj, me shqiptimin e sanksionit disiplinor, zvogëlimi i pagës prej 50 % për 6 muaj, mund të arrihet qëllimi i shqiptimit të sanksionit disiplinor.
Sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës se i është shkelur e drejta për t’u dëgjuar, Gjykata rithekson korrektësia e procedurave gjithmonë vlerësohet duke i shqyrtuar në tërësinë tyre, ashtu që një parregullsi e izoluar mund të mos jetë e mjaftueshme për t’i bërë procedurat në tërësi të padrejta (shih rastin e GJEDNJ-së Mirolubovs kundër Letonisë, nr. 798/05, Aktgjykim i 15 shtatorit 2009, paragrafi 103).
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se vet parashtruesi i kërkesës ka pranuar se nëpërmjet “videolinkut” ka marrë pjesë në seancën e mbajtur nga KPK-ja. Gjykata vlerëson se mungesa e seancës dëgjimore në shkallë të dytë ose të tretë mund të justifikohet nga tiparet e veçanta të procedurës në fjalë, me kusht që seanca është mbajtur në shkallë të parë (shih rastin e GJEDNJ-së, Salomonsson kundër Suedisë, nr. 38978/97, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 36).
Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme: (i) dy herë ka ndrequr vendimet e KPK-së; (ii) herën e parë rasti i parashtruesit të kërkesës është kthyer në KPK për shkak të precizimit të bazës ligjore lidhur me sanksionin disiplinor; (iii) herën e dytë, ka ndryshuar dhe zëvendësuar sanksionin disiplinor nga “Transferim i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, në Departamentin e Përgjithshëm” me sanksionin disiplinor “zvogëlimi i pagës prej 50 % për 6 muaj.”
Nga sa më sipër, Gjykata konstaton se procedurat e zhvilluara në tërësi janë të drejta sepse: (i) KPK-ja përmes “videolinkut” i ka dhënë mundësinë parashtruesit të kërkesës që prezantojë argumentet e tij; (ii) Gjykata Supreme në pajtim me parimin e proporcionalitetit ka ndryshuar dhe zëvendësuar sanksionin disiplinor më të rreptë me një sanksion disiplinor më të butë, bazuar në vetë kërkesën e parashtruesit të kërkesës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të LPGJD-së, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të ligjit, nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin kërkesës apo se procedurat para Gjykatës Supreme dhe KGJK-së, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme ka marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit kërkesës dhe ka arsyetuar të njëjtat (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI64/20, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri i 3 gushtit 2020, paragrafi 41; dhe KI37/21 parashtrues, Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shtatorit 2021, paragrafi 67).
Gjykata rithekson se në këtë rast ka vlerësuar korrektësinë e procedurave në tërësi dhe nuk mund të spekulojë nëse sanksioni disiplinor kundër parashtruesit të kërkesës është i drejtë ose jo. Për të vlerësuar korrektësinë e sanksionit disiplinor, Gjykatës i nevojiten “shkaqe me peshë” (weighty reasons), çka mungon në rrethanat e rastit konkret.
Përkundër pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në Gjykatën Supreme, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqiste në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideronte të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; Gjykata Supreme dëgjoi dhe shqyrtoi të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimet e kontestuara janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30; shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të mos ftesës në seancën në Gjykatën Supreme dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime të “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit së kërkesës për shkelje të nenit 109 të Kushtetutës dhe të mbrojtjes adekuate në procedurat e kontestuara, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të neneve 31 të Kushtetutës në kombinim me nenin 6 të KEDNJ-së. (shih rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese në pajtim me nenin 113. 7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 18 janar 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Valdet Avdiu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative