Prishtinë, më 20 shkurt 2024
Nr. Ref.: RK 2336/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI63/23
Parashtrues
Sali Rexhepi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 379/22, të 6 dhjetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SE KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Sali Rexhepi, me vendbanim në Prizren (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 379/22] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 mars 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI65/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Isterfi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 31 mars 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës, me ç’rast i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 22 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Përmbledhja e fakteve lidhur me procedurën gjyqësore të vlerësuar përmes Aktgjykimit KI116/21 të Gjykatës Kushtetuese të 19 korrikut 2022
Gjykata në vijim do t’ ju referohet fakteve të rastit të vlerësuara përmes kërkesës KI116/21, parashtrues Sali Rexhepi, Aktgjykim i 19 korrikut 2022, vetëm për aq sa janë relevante përkitazi me rastin e tanishëm.
Rrethanat e rastit KI116/21 ndërlidhen me një kontest nga marrëdhënia e punës, i cili filloi me njoftimin e “Raiffeisen Bank Kosovo” (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi) për shkëputjen e kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës.
Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në ish-Gjykatën Komunale në Prizren, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar anulimin e njoftimit, dhe kthimin në vendin e tij të punës.
Më 7 dhjetor 2015, Gjykata Themelore në Prizren, përmes Aktgjykimit [C. nr. 458/2014] e kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e kishte anuluar si të kundërligjshëm njoftimin e lartcekur të punëdhënësit, me arsyetimin se ndaj tij nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore siç është përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili, sipas Gjykatës Themelore ishte i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989.
Kundër aktgjykimit të lartpërmendur, punëdhënësi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1280/2016] të 4 dhjetorit 2019, kishte refuzuar ankesën duke vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.
Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për revizion të punëdhënësit, përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 104/2021] të 25 shkurtit 2021, kishte ndryshuar aktgjykimet e dy instancave më të ulëta, me arsyetimin se Njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës.
Më pas, më 21 qershor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese kundër Aktgjykimit [Rev. nr. 104/2021] të 25 shkurtit 2021 të Gjykatës Supreme duke pretenduar ndër tjerash, shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së për shkak të cenimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse apo divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, pasi kjo e fundit, kishte vendosur ndryshe në raste tjera, në rrethana të njëjta faktike e juridike.
Më 19 korrik 2022, Gjykata përmes Aktgjykimit KI116/21, vendosi si në vijim: i) njëzëri, shpalli kërkesën e pranueshme dhe ii) konstatoi se Aktgjykimi [Rev. nr. 104/2020] i 25 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe të njëjtin e ktheu në rivendosje në Gjykatën Supreme, duke konstatuar se në rastin konkret ekzistojnë “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës.
Përmbledhja e fakteve lidhur me rastin KI63/23
Më 7 nëntor 2022, Gjykata Supreme kishte nxjerrë qëndrim parimor GJ.A.Su.A231/2022, mbi aplikimin e dispozitave ligjore në kontestet e punës, duke përcaktuar si në vijim:
“Në kontestet e punës në të cilat punëtorit i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkelje të detyrave të punës, 'në bazë të Rregullores së UNIMIK-ut, nr.2001/27 të datës 8 tetor 2001, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, përkitazi me çështjen e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të procedurës disiplinore nuk zbatohen dispozitat e Ligjit të Punës të Jugosllavisë i vitit 1977 me amendamentet përkatëse, dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës KSA të Kosovës (Gazeta zyrtare nr. 24122, qershor 1984), dhe Ligjit për Ndryshim Plotësimet e Ligjit për Marrëdhënien e Punës (Gazeta Zyrtare e KSA të Kosovës-gazeta Zyrtare nr.12/1989, datë 14 prill 1989 i cili nuk ishte në fuqi me datën 22 mars 1989 në të cilën datë referon Rregullorja e Unmik-ut199/24, datë 12 dhjetor 1999 e cila në nenin 1.1 pika, parasheh si Ligj të zbatueshëm në Kosovë legjislacionin i cili ishte në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989. Mirëpo, në rastet e tilla të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për shkak të shkeljes së detyrave të punës, nëse tek punëdhënësi me rregullore të brendshme parashihet zhvillimi i procedurës disiplinore, ata punëdhënës janë të obliguar që t’i respektojnë dhe zbatojnë këto rregullore përkitazi me procedurën disiplinore.[...]”.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata Supreme duke vendosur në rigjykim, përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 379/22] i) aprovoi revizionin e ushtruar nga punëdhënësi; ii) ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në pikën (I) të dispozitivit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren në pikën (I) dhe (II) të dispozitivit, me arsyetimin se të njëjtët ishin marrë me aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që përmes vendimit të kontestuar parashtruesit i janë shkelur të drejtat themelore të tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Përzkitazi me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pretendon që Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar nuk kishte shqyrtuar “dhe eliminuar në tërësi” vërejtjet e dhëna në Aktgjykimin KI116/21 të Gjykatës, “ si dhe duke mos i arsyetuar asnjë nga veprimet e ndërmarra nga ajo e të gjitha këto veprime janë të kundërligjshme, kundërthënëse, jo të qarta për shkak se Gjykata Kushtetuese është dhënë rigjykim për t’u vërtetuar fakti nëse parashtruesi i kërkesës kishte realizuar të ardhura brenda këtyre 8 viteve në ndonjë ndërmarrje tjetër” e jo për t’u lëshuar në ligjshmërinë e saj për shkak se po të ishte e kundërligjshme padia e Sali Rexhepit dhe provat e saj të kundërligjshme atëherë do të vërtetohet edhe nga Gjykata Kushtetuese”.
Lidhur me pretendimin e tij për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se Gjykata Supreme “nuk ka dhënë mbrojtje ligjore të barabartë para ligjit, duke vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret pa asnjë bazë ligjore në mënyrë arbitrare përcakton se, cilat veprime janë veprime që në veti ngërthejnë veprimet disiplinore për të cilat duhet të shqiptohen edhe masat disiplinore”.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se Gjykata Supreme ka vendosur në kundërshtim me vet praktikën gjyqësore.
Dispozita përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1.Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata fillimisht iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Tutje, Gjykata u referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashohin:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
1.“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2.Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 379/22] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nën rregullit (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata rikujton se esenca e rastit ndërlidhet me një kontest nga marrëdhënia e punës, i cili filloi me njoftimin e punëdhënësit për shkëputjen e kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në ish-Gjykatën Komunale në Prizren, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar anulimin e njoftimit, dhe kthimin në vendin e tij të punës. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren, e kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e kishte anuluar si të kundërligjshëm njoftimin e lartcekur të punëdhënësit, me arsyetimin se ndaj tij nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore, siç është përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili, sipas Gjykatës Themelore ishte i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989. Kundër këtij Aktgjykimi, punëdhënësi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Megjithatë, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për revizion të punëdhënësit, kishte ndryshuar aktgjykimet e dy instancave më të ulëta, me arsyetimin se Njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës.
Më tej, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke kontestuar vendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme. Gjykata përmes Aktgjykimit KI116/21, konstatoi se Aktgjykimi [Rev. nr. 104/2020] i 25 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk është në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të njëjtin e ktheu në rivendosje në Gjykatën Supreme, duke konstatuar se në rastin konkret ekzistojnë “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme. Si rrjedhojë e Aktgjykimit KI116/21, Gjykata Supreme kishte nxjerrë qëndrim parimor GJ.A.Su.A231/2022, mbi aplikimin e dispozitave ligjore në kontestet e punës.
Më tej, duke vendosur në rishqyrtim lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar i) aprovoi revizionin e ushtruar nga punëdhënësi; ii) ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në pikën (I) të dispozitivit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren në pikën (I) dhe (II) të dispozitivit, me arsyetimin se të njëjtët ishin marrë me aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale.
Në kërkesën para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se i) Gjykata Supreme në vendimin e kontestuar nuk i kishte adresuar të gjeturat e Aktgjykimit KI116/21; ii) se Gjykata Supreme ka vendosur në kundërshtim me vet praktikën gjyqësore; dhe iii) Gjykata Supreme pa asnjë bazë ligjore ka vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit që ndërlidhen me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës
Në kuadër të pretendimit të parashtruesit se Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar kishte shkelur nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, Gjykata rikujton se parashtruesi para Gjykatës thekson: i) Gjykata Supreme në vendimin e kontestuar nuk i kishte adresuar të gjeturat e Aktgjykimit KI116/21, ii) pretendimin se Gjykata Supreme ka vendosur në kundërshtim me vet praktikën gjyqësore.
Gjykata së pari rikujton se si rezultat i konstatimeve të divergjencave në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, gjegjësisht shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në një numër të rasteve të parashtruara para Gjykatës, duke përfshirë edhe Aktgjykimin në rastin KI116/21, me parashtrues “Sali Rexhepi”, të 19 korrikut 2022, Gjykata Supreme bazuar në kompetencën e saj të përcaktuar në pikën 4 të paragrafit 1 të nenit 26 (Kompetencat e Gjykatës Supreme) të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat, më 7 nëntor 2022, në Seancën e saj të Përgjithshme, ka miratuar qëndrimin parimor lidhur mbi aplikimin e dispozitave ligjore në kontestet e punës, ku ka përcaktuar se në procedurat disiplinore ndaj të punësuarve mund të zhvillohen nëse punëdhënësi ka një rregullore të brendshme që parasheh zhvillimin e një procedure të tillë.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton përmbajtjen e qëndrimit parimor GJ.A.Su.A231/2022, të nxjerrë nga Gjykata Supreme mbi aplikimin e dispozitave ligjore në kontestet e punës, duke përcaktuar si në vijim:
“Në kontestet e punës në të cilat punëtorit i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkelje të detyrave të punës, 'në bazë të Rregullores së UNIMIK-ut, nr.2001/27 të datës 8 tetor 2001, për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, përkitazi me çështjen e fillimit, zhvillimit dhe përfundimit të procedurës disiplinore nuk zbatohen dispozitat e Ligjit të Punës të Jugosllavisë i vitit 1977 me amendamentet përkatëse, dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës KSA të Kosovës (Gazeta zyrtare nr. 24122 qershor 1984), dhe Ligjit për Ndryshim Plotësimet e Ligjit për Marrëdhënien e Punës (Gazeta Zyrtare e KSA të Kosovës-gazeta Zyrtare nr.12/1989 datë 14 prill 1989, i cili nuk ishte në fuqi me datën 22 mars 1989 në të cilën datë referon Rregullorja e Unmik-ut199/24, datë 12 dhjetor 1999 e cila në nenin 1.1 pika, parasheh si ligj të zbatueshëm në Kosovë legjislacionin i cili ishte në fuqi në Kosovë më 22 mars 1989. Mirëpo, në rastet e tilla të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për shkak të shkeljes së detyrave të punës, nëse tek punëdhënësi me rregullore të brendshme parashihet zhvillimi i procedurës disiplinore ata punëdhënës janë të obliguar që t’i respektojnë dhe zbatojnë këto rregullore përkitazi me procedurën disiplinore.[...]”.
Tutje, Gjykata rikuton edhe përmbajtjen e Aktgjykimit [Rev. nr. 379/22] të Gjykatës Supreme, respektivisht vendimit të kontestuar në rastin konkret, i cili konstatoi se gjykatat e instancës më të ulët gabimisht kishin aplikuar të drejtën materiale “Nga interpretimi i dispozitave ligjore të Ligjit të Punës-Rregullores së UNMIK-ut, me numër 2001/27 nenit 3.9,4.2, 4.3, 5.1, 5.2, 5.4 të Manualit për Punojësit mbi rregullat dhe Procedurat e Punës dhe Qëndrimit Parimor të Gjykatës Supreme dhe nga vlerësimi i të gjitha provave dhe shkresave të lëndës, kërkesëpadia e paditësit është në tërësi e pabazuar. Në këtë rast, gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë gabimisht kanë aplikuar dispozitat e Rregullores së UNMIK-ut 2001/27, për Ligjin Themelor të Punës dhe dipozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Punës (KSAK) 12/89 lidhur me zbatimin e procedurës disiplinore për faktin se aktgjykimet e kundërshtuara janë në kundërshtim me të drejtën materiale për shkak se qëndrimi dhe përfundimi i gjykatave në instanca më të ulëta mbështetet në rrethanën se kërkesëpadia është e bazuar nga shkaku se i njëjti në procedurën penale është liruar nga akuza dhe po ashtu edhe procedura disiplinore është zhvilluar me shkelje. Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka vlerësuar si rrethanë me ndikim për themelësinë e kërkesëpadisë faktin se paditësi është liruar nga akuza. Gjykata Supreme në Aktgjykim theksoi se nuk e ka vlerësuar si rrethanë me ndikim faktin se parashtruesi është liruar nga akuza, sepse në rastin konkret ndjekja nuk ka qenë e mundur, për shkak të parashkrimit. Më tutje sipas Gjykatës Supreme, theksohet se me rastin e shqiptimit të masës disiplinore për parashtruesin e kërkesës nga ana e punëdhënësit, janë marrë parasysh rrethana (deklarata e vet parashtruesit etj.), të cilat rrethana “janë të mjaftueshme që provojnë se në veprimet e paditësit kanë qenë veprime të kundërligjshme”. Gjykata Supreme tutje në Aktgjykimin e saj theksoi se duke u bazuar në dispozitat e lartpërmenura ligjore, veprimet e parashtruesit “kualifikohen në grupin e veprimeve që përbëjnë shkelje të rënda të detyrave të punës” dhe, në rastin konkret, masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës është ekuivalente me natyrën e shkeljes.
Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj tutje shton se nuk e përkrahë vendimin e instancave më të ulëta se procedura disiplinore në rastin konkret është e kundërligjshme sepse “e paditura [Punëdhënësi] e ka dëgjuar paditësin nga i cili ka marrë deklaratë, ndërsa procsi i auditimit ka rezultuar me një raport i cili është ralizuar në një periudhë prej tri ditësh dhe kjo nënkupton se deklatrata e paditësit dhe raporti i auditimit janë marrë në një proces në vazhdim, sepse përndryshe ka qenë e pamundur të nxjerret raporti i auditimit, prandaj sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, paditësi konsiderohet i dëgjuar në procedurë disiplinore”.
Rrjedhimisht, Gjykata marrë parasysh faktin se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk i ka zbatuar të gjeturat e Aktgjykimit KI116/21, të Gjykatës si dhe pretendimit se i njëjti është në kundërshtim me praktikën e vet Gjykatës Supreme, është nxjerrë pas qëndrimit parimor të Gjykatës Supreme, të 7 nëntorit 2022, nga ana e Gjykatës Supreme.
Gjykata si më sipër, vlerëson se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme është në linjë të plotë me qëndrimin parimor të Gjykatës Supreme, andaj Gjykata konsideron se në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është i përfshirë në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, rastet e Gjykatës, përfshirë por duke mos u kufizuar në to, dhe të cilat janë vendosur pas nxjerrjes së mendimit juridik të Gjykatës Supreme, KI74/19, parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragrafi 80; KI111/19, parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragarfi 89; KI188/20, parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Aktgjykim i 28 prillit 2021, paragrafi 64; dhe KI09/20, parashtrues “Suva Rechtsabteilung”, Aktgjykim i 28 prillit 2021).
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me mosadresim të të gjeturave të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI116/21 si dhe divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës
Sa i përket pretendimit të parashtruesit për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, Gjykata rikujton edhe një herë pretendimin e parashtruesit i cili para Gjykatës thekson se “nuk ka dhënë mbrojtje ligjore të barabartë para ligjit, duke vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret pa asnjë bazë ligjore në mënyrë arbitrare përcakton se cilat veprime janë veprime që në veti ngërthejnë veprimet disiplinore për të cilat duhet të shqiptohen edhe masat disiplinore”.
Lidhur me pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës për ndalim të diskriminimit, Gjykata vëren se bazuar në jurisprudencën e konsoliduar të GJEDNJ-së në mënyrë që një çështje të ngrehet nën nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) aty duhet të ketë dallim në trajtim të personave në situata analoge ose që janë në mënyrë relevante të krahasueshme (shih, mes shumë autoritetesh tjera, rastin e GJEDNJ-së Khamtokhu dhe Aksenchik kundër Rusisë, nr. 60367/08 961/11, Aktgjykim i 24 janarit 2017, paragrafi 64). Me fjalë të tjera, kriteri për demonstrimin e pozitës analoge nuk kërkon që grupet e krahasuara (“comparator groups”) të jenë identike. Një parashtrues duhet të demonstrojë, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të ankesës së tij apo të saj, që ai ose ajo ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme (“relevantly similar situation”) me të tjerët që janë trajtuar ndryshe (shih, rastin e GJEDNJ-së, Clift kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 7205/07, Aktgjykim i 13 korrikut 2010, paragrafi 66). Megjithatë, jo çdo dallim në trajtim rezulton me shkelje të nenit 14 të KEDNJ-së. Së pari, GJEDNJ-ja në jurisprudencën e saj ka përcaktuar se vetëm dallimi në trajtim bazuar në karakteristika të identifikueshme, ose “status”, janë në gjendje të rezultojnë me diskriminim në kuadër të nenit 14 (shih, rastin e GJEDNJ-së, Carson dhe të tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 42184/05, Aktgjykim i 16 marsit 2010, paragrafi 61). Së dyti, dallimi në trajtim është diskriminues nëse nuk ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm; thënë ndryshe, nëse nuk ndjek një qëllim legjitim ose nëse nuk ka marrëdhënie të arsyeshme të proporcionalitetit ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet (shih, rastin e Gjykatës KI215/21 parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 shkurtit 2022, paragrafi 87 dhe rastet e përmendura aty).
Nga si më lart, Gjykata duke zbatuar parimet e lartcekura të GJEDNJ-së të afirmuara nga vet ajo, vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka treguar apo identifikuar individin apo grupin në krahasim me të cilin është diskriminuar dhe me të cilin ai ka qenë në një situatë që në mënyrë relevante është e krahasueshme. Barra e të provuarit për trajtim diskriminues bie mbi parashtruesin e kërkesës çka bazuar në shkresat e lëndës është evidente se pretendimin për diskriminim ai nuk e ka provuar. (shih rastin e Gjykatës, KI16/22 parashtrues Hamit Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, paragrafi 57 dhe referencat e përmendura aty).
Në kontekst të pretendimit për diskriminim, Gjykata rithekson se në vlerësim të procedurave në tërësi nuk ka vërejtur se parashtruesi i kërkesës është diskriminuar kundrejt palëve të treta. Gjykata vlerëson se nevojiten shkaqe me peshë (“weighty reasons”) për të vlerësuar rastin e parashtruesit të kërkesës kundrejt procedurave që janë zhvilluar lidhur me palët e treta për shkak se një vlerësim i tillë del jashtë fushëveprimit të kësaj kërkese individuale kushtetuese dhe se në rrethanat e rastit konkret mungojnë shkaqet me peshë (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës KI107/22 parashtrues Valdet Avdiu, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 janarit 2023, paragrafi 47).
Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë, respektivisht me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Gjykata, gjithashtu, rikujton se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafi 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).
Gjykata, gjithashtu rikujton se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me shkeljen e nenit 24 [Barazia para Ligjit] është i papranueshmëm, siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe paragrafit (1) (d) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundime
Përkitazi me kërkesën pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, për shkak të pretendimit të tij se Gjykata Supreme nuk ka respektuar të gjeturat e Aktgjykimit KI116/21 si dhe ka vepruar në kundërshtim me praktikën e saj gjyqësore, Gjykata konstatoi se të njëjtat janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimet e parashtruesit për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, janë pretendime qartazi të pabazuara në baza kushtetuese sepse të njëjtat janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe rregullat 34 (1) (d) dhe (2), si dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 22 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Sali Rexhepi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative