Prishtinë, 5 shkurt 2024
Nr. ref.:RK 2317/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI122/23
Parashtrues
Avdi Shkodra
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.201/2022
të 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Avdi Shkodra (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), përfaqësuar nga Elmi Qerimi, avokat në Komunën e Gjilanit.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.201/2022] të 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.1302/17] të 21 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr.30/07] të 6 janarit 2017 të Gjykatës Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 7 shkurt 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, [Rev.nr.201/2022] të 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur nenet 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës kërkon caktim të masës së përkohshme në mënyrë që “të stopohet çdo procedurë gjyqësore, procedurë përmbarimore, veprime apo vendim i autoriteteve publike deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta); nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji); në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [nr. GJR. KI122/23], caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 22 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 14 gusht 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që brenda një afati prej 15 ditësh ta dorëzojë fletëkthesën që dëshmon datën kur parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 24 gusht 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dokumentin e lartpërmendur.
Më 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se pala paditëse R.Sh., me datë 18.01.2007, kishte ushtruar padi për ndarjen e pasurisë së përbashkët ndaj të paditurit-parashtruesit të kërkesës Avdi Shkodra, lidhur me ngastrën kadastrale nr.445/6, në sipërfaqe prej 415 m2, e cila gjendet ne vendin e quajtur “Gavran”, që evidentohet ne emër të A(S) Sh., nga Gjilani. Më vonë me ndryshimin e padisë me parashtresën e datës 18.01.2013, pala paditëse R.Sh., kishte përfshirë përveç parashtruesit të kërkesës edhe palët e paditura paditurit, F. Sh., H. Sh., Sh. Sh, O.Sh., M.Sh., dhe R.Sh., dhe kishte kërkuar vërtetimin e të drejtës së pronësisë në ngastrën kontestuese në pjese ideale në 1/14-tat pjesë, kurse në shqyrtimin e fundit kryesor kishte bërë precizimin e kërkesëpadisë duke kërkuar 1/6 pjesë ideale të 1/12 pjesë të saj, me kërkesë për vërtetimin e të drejtës në paluajtshmërinë kontestuese.
Më 6 janar 2017, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr.30/07], aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e palës paditëse R.A., duke vërtetuar se i njëjti është pronar i 1/14 pjesë ideale të ngastrës kontestuese, ndërsa pjesën tjetër të kërkesëpadisë e refuzoi si të pabazuar në ligj.
Gjykata Themelore arsyetoi: “Kërkesëpadia është pjesërisht e bazuar me ligj, pasi që i ndjeri S.Sh. ka lënë 8 trashëgimtarë, duke përfshirë edhe të paditurin Avdi Shkodra, të cilit nuk iu ka kontestuar ½ e pronësisë në shtëpinë me dy hyrje, kurse 7 trashëgimtarëve tjerë u takon e drejta e pronësisë në pjesën tjetër të shtëpisë, e jo ashtu siç e ka precizuar kërkesëpadinë paditësi në 1/6 e 1/12 pjesë ideale të saj, pasi që nuk janë 6 trashëgimtarë, por 7. Në rastin konkret është vendosur më pak se kërkesëpadia e paditësit, pra nuk kemi tejkalim të kërkesëpadisë. Më 1983 është arritur Marrëveshja për Shkëputjen e Bashkësisë Ekonomike dhe Familjare, e përpiluar me shkrim dhe me vullnet të lirë. E njëjta nuk ishte kundërshtuar deri në momentin e ushtrimit të padisë dhe palët, duke zbatuar këtë marrëveshje, kanë shfrytëzuar dy hyrjet e shtëpisë, ashtu që Avdi Shkodra ka shfrytëzuar hyrjen nr.1, kurse prindërit e tij S.Sh. dhe H.Sh. hyrjen nr.2. Trualli ku është ndërtuar shtëpia ishte blerë nga ish-BVI për Veprimtari Komunale dhe Banesore e Gjilanit, nga kontributi i përbashkët i ndërgjyqësve. Në kohën e blerjes së truallit më 1980 dhe ndërtimit të shtëpisë, të gjitha palët ndërgjyqëse kanë jetuar në bashkësi të gjerë ekonomike dhe familjare, ashtu që me pasurinë ka administruar S.Sh. Nga deklaratat e palëve ndërgjyqëse, nuk është kontestues fakti se paditësi R.A. është trashëgimtar ligjor i rendit të parë të të ndjerit S.Sh. Me këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe ekspertizën gjeodezike të datës 13.10.2016, konstatohet se në ngastrën 445/6 është ndërtuar një shtëpi me dy hyrje. Shfrytëzues aktual i objektit në hyrjen 1 është Avdi Shkodra, ndërsa në hyrjen 2 është paditësi R.A. Prandaj, gjykata duke u bazuar në faktin se palët ndërgjyqëse truallin e kanë blerë gjatë kohës sa kanë qenë në bashkësi të gjerë familjare, se me rastin e ndarjes së bashkësisë kanë dhënë pëlqimin të gjithë anëtarët madhorë dhe se nga ajo kohë e deri më tani shfrytëzojnë pjesët e tyre të shtëpisë në dy hyrje dhe duke marrë parasysh faktin se të gjithë janë trashëgimtarë ligjorë të rendit të parë të trashëgimisë, pas vdekjes së S.Sh., prandaj kanë edhe të drejtën në pasurinë trashëgimore, por sipas ndarjes që është bërë më datë 05.03.1983, e duke u bazuar në nenet 20, 33 dhe 36 të LTHMJP, ligj i cili ka qenë në fuqi në kohën e krijimit të raportit materialo juridik, pra arritjes së marrëveshjes mbi ndarjen e bashkësisë ekonomike dhe familjare dhe në kohën e hapjes de facto të trashëgimisë, gjykata ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar me ligj dhe ka vërtetuar se ai është pronar i 1/14 pjesës ideale te ngastrës.”
Më 25 janar 2017, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet dhe të refuzohet kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar, apo aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Më 21 dhjetor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1302/17] vendosi: (i) REFUZOHET si e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës; (ii) VËRTETOHET Aktgjykimi i Gjykatës Themelore [C.nr.30/07] i datës 06.01.2017.
Më 6 prill 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të LPK-së dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që lënda të kthehet në rivendosje dhe kërkesëpadia e paditësit R.A. të refuzohet si e pabazuar.
Më 17 janar 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.201/2022] refuzoi të pathemeltë revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme vlerësoi se e drejta procedurale dhe materiale janë zbatuar drejtë dhe se ndarja e pasurisë është kryer duke vlerësuar kontributin e secilit në krijimin e saj, përfshirë dhe kontributin e parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës), në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës thekson: “Avdi Shkodra, me Aktgjykimet e atakuara, është privuar nga e drejta pronësore pa bazë juridike, që konsideron se i është cenuar e Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm, po ashtu mendon se është shkelur edhe e drejta e pronës e cila është e garantuar, dhe se të paditurit i është mohuar e drejta e garantuar me Kushtetutë sepse janë nxjerrur Vendime të dyshimta, të cilat janë në kundërshtim me të drejtën materiale, si dhe është shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor. Gjykatat e të gjitha instancave në Aktgjykimet e tyre kanë patur qëndrime të njëanshme kur janë krijuar situata dhe shkelje të vazhdueshme.”.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që gjithashtu “të caktojë masë të përkohshme në Aktgjykimin C.nr. 30/2007 dhe të stopohet çdo procedurë gjyqësore, procedurë përmbarimore, veprime apo vendim i autoriteteve publike që burojnë nga ai Aktgjykim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) ta deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së Aktgjykimit [C.nr.30/2007]; Aktgjykimit [Ac.nr.1302/2017] dhe Aktgjykimit [Rev.nr. 201/2022]; (iii) të vendosë masë të përkohshme në Aktgjykimin [C.nr.30/2007], të datës 14.12.2016, i plotfuqishëm nga data 21.12.2021, kur është vendosur sipas ankesës në Gjykatën e Apelit dhe të stopohet çdo procedurë gjyqësore, procedurë përmbarimore, veprime apo vendim i autoriteteve publike që burojnë nga ai Aktgjykim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese; (iv) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31, 22.2, 46 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (v) ta shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C.nr. 30/2007], Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [ AC.nr. 1302/2017] dhe Aktgjykimin e Gjykatës Supreme [Rev.nr. 201/2022]; (vi) ta kthejë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në rigjykim.
Dispozita relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 22
[Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve
Ndërkombëtare]
“Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
[...]
2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”
[...]
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4.Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendojnë se përbëjnë eksproprijimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5.Prona intelektuale mbrohet me ligj.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 8
[Pa titull]
“8.1 Se cilat fakte do t’i konsiderojë të provuara e cilat jo, vendosë vetë gjykata në bazë të çmuarjes me ndërgjegje, e të kujdesshme të provave, por edhe në bazë te rezultatit të gjithë procedimit.
8.2 Gjykata me ndërgjegje dhe me kujdes e çmon ç’do provë veç e veç dhe të gjitha provat së bashku.”.
Neni 160
[Pa titull]
“160.1 Aktgjykimi i përpiluar me shkrim duhet ta ketë: pjesën hyrëse, dispozitivin, arsyetimin dhe udhëzimin mbi të drejtën e ankimit kundër aktgjykimit.
160.2 Pjesa hyrëse e aktgjykimit përmban: emrin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin e gjyqtarit, emrin dhe mbiemrin, vendbanimin, gjegjësisht vendqëndrimin e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor dhe me prokurë, tregimin e shkurtër të objektit të kontestit dhe vlerën e tij, ditën e përfundimit të shqyrtimit kryesor, tregimin e palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjor dhe me prokurë që kanë qenë të pranishëm në seancënpër shqyrtimin e tillë si dhe ditën kur është dhënë aktgjykimi.
160.3 Dispozitivi i aktgjykimit përmban: vendimin me të cilin aprovohen apo refuzohen kërkesat e veçanta që kanë të bëjnë me çështjen kryesore dhe kërkesat aksesore, vendimin për ekzistimin apo mosekzistimine kërkesës së parashtruar me qëllim kompensimi të saj me kërkesëpadinë si dhe vendimin mbi shpenzimet procedurale.
160.4 Arsyetimi i aktgjykimit përmban: kërkesat e palëve, faktet që i kanë parashtruar dhe provat që i kanë propozuar, cilat nga faktet e tilla i ka vërtetuar, pse dhe si i ka vërtetuar ato fakte, e po që se i ka vërtetuar me anë të provave, cilat prova i ka shfrytëzuar dhe si i ka vlerësuar ato.
160.5 Gjykata posaçërisht tregon se cilat dispozita të së drejtës materiale i ka zbatuar me rastin e vendosjes mbi kërkesat e palëve. Kur është nevoja gjykata deklarohet edhe lidhur me qëndrimet e palëve për bazën juridike të kontestit, si dhe për propozimet dhe prapësimet e tyre, për të cilat gjykata nuk ka bërë arsyetime të vendimeve që i ka dhënë me herët gjatë procesit gjyqësor.
160.6 Në pjesën arsyetuese të aktgjykimit kontumacional, aktgjykimit në bazë të pohimit, aktgjykimit në bazë të heqjes dorë nga kërkesëpadia, apo të aktgjykimit për shkak të mungesës, jepen vetëm arsyet që e justifikojnë dhënien e aktgjykimeve të këtilla.
Neni 182
[Pa titull]
“182.1 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në qoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejt ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.
182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston gjithmonë:
a) në qoftë se gjykata është përbërë jo sipas dispozitave ose në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari që nuk ka marrë pjesë në seancën kryesore;
b) në qoftë se është vendosur për kërkesën e cila nuk bënë pjesë në juridiksionin gjyqësor;
c) në çoftë se në nxjerrjen e aktgjykimit ka marrë pjesë gjyqtari i cili sipas ligjit duhet të përjashtohet, respektivisht me vendim të gjykatës ka qenë i përjashtuar ose me rastin e dhënies se vendimit ka marrë pjesë personi i cili nuk e ka cilësinë e gjyqtarit;
d) në çoftë se gjykata sipas prapsmit të palëve gabimisht ka vendosur se është e kompetencës lëndore;
e) në çoftë se është vendosur për kërkesën sipas padisë të ngritur pas afatit të përcaktuar me ligj;
f) në çoftë se gjykata ka vendosur për kërkesëpadinë për të cilën është me kompetencë lëndore gjykata më e lartë e llojit të njëjtë, gjykata e llojit tjetër;
g) në çoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka bazuar vendimin e vetë në disponimin e palejueshëm të palëve, (neni 3 paragrafi 3 i këtij ligji);
h) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata ka nxjerr aktgjykim për shkak të pohimit, mosbindjes, mungesës, heqjes dorë nga kërkesëpadia, ose pa mbajtjen e shqyrtimit kryesor;
i) në qoftë se ndonjërës nga palët me veprimin e paligjshëm, e sidomos me mosdhënien e mundësisë për shqyrtimin e çështjes në gjykatë;
j) në qoftë se në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, gjykata e ka refuzuar kërkesën e palës, që në procedurë të përdorë gjuhën dhe shkrimin e vet e të ndjek procesin në gjuhën e vet, kurse për këtë arsye ankohet;
k) në qoftë se në procedurë si paditës, ose i paditur, ka marrë pjesë personi që nuk mund të jetë palë në procedurë, apo në qoftë se palën që është person juridik nuk e ka përfaqësuar personi i autorizuar, ose në qoftë se palën me pazotësi procedurale nuk e ka përfaqësuar përfaqësuesi ligjor ose në qoftë se përfaqësuesi ligjor, respektivisht përfaqësuesi me prokurë i palës nuk ka pasur autorizim të nevojshëm për zhvillimin e procedurës apo për kryerjen e ndonjë veprimi në procedurë, në qoftë se zhvillimi i procedurës, respektivisht ushtrimi i veprimeve te veçanta në procedurë nuk është lejuar më vonë;
l) në qoftë se është vendosur për kërkesën për të cilën vazhdon procedura apo për të cilën më parë është nxjerr aktgjykimi i formës se prerë, ose prej të cilit paditësi njëherë ka hequr dorë ose për të cilin është lidhur pajtimi gjyqësor;
m) në qoftë se, në kundërshtim me ligjin është përjashtuar publiku në seancën kryesore;
n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;
o) në qoftë se me aktgjykim është tejkaluar kërkesëpadia.”
LIGJI Nr. 2004/32 PËR FAMILJEN I KOSOVËS
Neni 271
(Bashkësia Familjare)
“Bashkësia familjare përfshin bashkëshortët dhe familjen e tyre të ngushtë, që në këtë Ligj përfshijnë fëmijët dhe prindërit e bashkëshortëve. Personat tjerë të afërm të familjes si dhe personat të cilët kryesisht janë të varur ekonomikisht dhe të cilët jetojnë në shtëpi të përbashkët me bashkëshortët, mund të konsiderohen anëtarë të bashkësisë familjare për qëllimet e këtij ligj.”.
Neni 272
(Përvetësimi i pronës)
“Tërë pasuria e fituar gjatë kohëzgjatjes së këtij bashkimi konsiderohet të jetë pasuri e përbashkët e të gjithë anëtarëve të cilët kanë marrë pjesë në fitimin e saj.”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata së pari u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Tutje, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashohin:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
1.“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2.Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë.”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.[...]”.
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.201/2022] të Gjykatës Supreme të 17 janarit 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/a nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara.” Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkelje”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta.” (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë e palës paditëse R.Sh., për ndarjen e pasurisë së përbashkët ndaj të paditurit-parashtruesit të kërkesës lidhur me ngastrën kadastrale nr.445/6, në sipërfaqe prej 415 m2, e cila gjendet në vendin e quajtur “Gavran”, në Gjilan. Gjykata Themelore e aprovoi pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e palës paditëse R.A., duke vërtetuar se i njëjti është pronar i 1/14 pjesë ideale të ngastrës kontestuese, ndërsa pjesën tjetër të kërkesëpadisë e refuzoi si të pabazuar në ligj. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet dhe të refuzohet kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar, apo aktgjykimi i atakuar të prishet dhe çështja t'i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim. Gjykata e Apelit vendosi që ta refuzojë të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që lënda të kthehet në rivendosje dhe kërkesëpadia e paditësit R.A. të refuzohet si e pabazuar. Gjykata Supreme e refuzoi të pathemeltë revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme vlerësoi se ndarja e pasurisë është kryer duke vlerësuar kontributin e secilit në krijimin e saj, ashtu siç me të drejtë ka vendosur gjykata e shkallës së parë.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon që “me Aktgjykimet e atakuara, është privuar nga e drejta pronësore pa bazë juridike, që konsideron se i është cenuar e Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm, poashtu mendon se është shkelur edhe e drejta e pronës e cila është e garantuar, dhe se të paditurit i është mohuar e drejta e garantuar me Kushtetutë sepse janë nxjerrur Vendime të dyshimta, të cilat janë në kundërshtim me të drejtën materiale, si dhe është shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor. Gjykatat e të gjitha instancave në Aktgjykimet e tyre kanë patur qëndrime të njëanshme kur janë krijuar situata dhe shkelje të vazhdueshme” dhe me këtë atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë kushtetuese të garantuara me nenet 22, 31, 46 dhe 54 të Kushtetutës si dhe nenit 6 i KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah konstatimet e Gjykatës së Apelit: “Në arsyetim të aktgjykimit gjykata ka treguar edhe normat materialo-juridike të zbatuara për përfundimin e saj, me çka plotëson edhe kërkesën e nenit 160.5 të LPK-së. Përkitazi me zbatimin e të drejtës materiale, Gjykata e Apelit e pranon në tërësi përfundimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi gjendja faktike e konstatuar nga gjykata është në pajtim me të drejtën materiale të referuar nga ajo, nga ka rrjedhur edhe përfundimi meritor i kësaj çështjeje kontestuese. Në këtë rast gjykata i është referuar dispozitës, përkatësisht nenit 20, 33 dhe 36 të LMTHJP. Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka konstatuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar në ligj në kuptim të dispozitave të lartcituara, për faktin se nga shkresat e lëndës vërtetohet se paditësi është pronar i 1/14 pjesës ideale të ngastrës. Arsyetimi i aktgjykimit përmban edhe referencën sa i përket të drejtës materiale me shpjegime se si është zbatuar e drejta materiale në raport me gjendjen faktike të cilën e ka provuar gjykata. Nuk qëndrojnë pretendimet për vërtetimin e gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike pasi që shkresat e lëndës dhe duke u bazuar në faktin se palët ndërgjyqëse truallin e kanë blerë sa kanë qenë në bashkësi të gjerë familjare, se me rastin e ndarjes së bashkësisë kanë dhënë pëlqimin të gjithë anëtarët madhorë për një ndarje të tillë dhe se nga kjo kohë e deri më tani shfrytëzojnë pjesët e tyre të shtëpisë në dy hyrje dhe duke marrë parasysh faktin se të gjithë janë trashëgimtarë ligjorë të rendit të parë të trashëgimisë, pas vdekjes së S.Sh., prandaj kanë edhe të drejtën në pasurinë trashëgimore, por sipas ndarjes që është bërë më 05.03.1983, e duke u bazuar në nenet 20,33 dhe 36 të LTHMJP, që ka qenë në fuqi në kohën e arritjes së marrëveshjes dhe në kohën e hapjes de facto të trashëgimisë gjykata ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit si të bazuar me ligj dhe ka vërtetuar se ai është pronar 1/14 pjesës ideale të ngastrës, andaj gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar drejtë provat e administruara të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe janë në harmoni me njëra-tjetrën.”
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Gjykatës Supreme: “Aktgjykimi i shkallës së dytë në strukturë dhe përmbajtje është në përputhje me nenin 160 të LPK-së, dispozitivi është i hartuar në mënyrë të rregullt, ndërsa arsyetimi i aktgjykimit është në përputhje të plotë me mënyrën e vendosjes. Gjykata e shkallës së dytë ka trajtuar të gjitha pretendimet ankimore të paraqitura nga i autorizuari i të paditurit dhe ka dhënë arsye të qarta në lidhje me çështjet e ngritura që kanë të bëjnë me shkeljen esenciale të dispozitave procedurale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe me zbatimin e gabuar të dispozitave materiale, me ç ‘rast ka përmbushur kërkesat ligjore nga neni 204 i LPK-së. Mbi bazën e gjendjes faktike të konstatuar nga gjykata e shkallës së parë e që është pranuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë rezulton se gjykatat gabimisht kanë aplikuar të drejtën materiale, përkatësisht nenet 20, 33 dhe 36 të LTHMJP. Në këtë rast paditësi dhe të paditurit janë trashëgimtarë ligjorë të rendit të parë të ndjerit S.Sh., mirëpo paluajtshmëria objekt shqyrtimi në kohën kur është lidhur marrëveshja e vitit 1983, por edhe në kohën e vdekjes, nuk ka qenë në emër të të ndjerit dhe në këtë mënyrë nuk mund të trajtohet si masë trashëgimore dhe të ndahet si e tillë, ashtu siç kanë pretenduar gjykatat e instancave më të ulëta. Përveç kësaj, marrëveshja nuk mund të shërbejë si bazë për të fituar të drejtën e pronësisë, por vetëm si fakt për mënyrën se si palët kanë bërë përpjekje që pasurinë e tyre ta ndajnë mes vete. Nga faktet e paraqitura rezulton se paluajtshmëria kontestuese është krijuar deri sa palët ndërgjyqëse kanë qenë në bashkësi familjare. Mbi bazën e fakteve të tilla, në këtë rast për të trajtuar kërkesën e paditësit duhet të aplikohen dispozitat nga nenet 271 dhe 272 të Ligjit për Familjen të Kosovës. Bazuar në faktet e çështjes, dispozitat ligjore të sipërcituara, rezulton se paditësi është bashkëpronar me 1/14 të pjesës ideale të paluajtshmërisë kontestuese, kjo pasi që kjo pasuri konsiderohet si pasuri e përbashkët e të gjithë anëtarëve të familjes të cilët në forma të ndryshme kanë marrë pjesë në krijimin e saj dhe si e tillë është ndarë mes tyre sipas marrëveshjes në formë të shkruar. Në lidhje me atë se sa dhe kush ka kontribuar më shumë në krijim të kësaj pasurie, kontributi i të paditurit Avdi Shkodra është vlerësuar më shumë ngase i është dhënë 1/2 e kësaj paluajtshmërie, ndërsa të tjerëve u është dhënë gjysma tjetër. Mbi bazën e kësaj marrëveshje për ndarje dhe gjendjes faktike, rezulton se i padituri është duke e shfrytëzuar ½ e saj, ndërsa paditësi me vëllezërit dhe motrat, gjithsej 7 anëtarë, e shfrytëzojnë ½ e saj. Në mënyrë që ndarja të jetë sipas marrëveshjes dhe ashtu si shfrytëzohet faktikisht, duke vlerësuar kontributin e secilit në krijimin e saj, paditësit duhet t’i takojë 1/14 e kësaj paluajtshmërie, ashtu siç me të drejtë ka vendosur gjykata e shkallës së parë.”
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë: (i) shpjeguar sfondin e pronës kontestuese; (ii) qartë kanë saktësuar dispozitat ligjore të zbatueshme në rastin e parashtruesit të kërkesës; dhe, në fund; (iii) kanë konstatuar se parashtruesi i kërkesës dhe palët tjera të përfshira në këtë kontest pronësor kanë pranuar hiset e tyre përkatëse bazuar në kontributin e tyre sipas mënyrës së parashikuar me ligj.
Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe nr. KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe nr. KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, García Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 46 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. (shih rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri i 15 shkurtit 2022, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata po ashtu vlerëson se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 22 të Kushtetutës nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetues për shkak se dispozita në fjalë vetëm sa liston instrumentet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që drejtpërdrejtë janë të zbatueshme në Republikën e Kosovës dhe se nuk ka lidhje konkrete me rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon caktim të masës së përkohshme në mënyrë që “të stopohet çdo procedurë gjyqësore, procedurë përmbarimore, veprime apo vendim i autoriteteve publike deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”
Gjykata vlerëson se tashmë ka konstatuar se kërkesa është e papranueshme dhe nuk e konsideron të nevojshme të shqyrtojë veçmas pretendimet e parashtruesit të kërkesës për caktim të masës së përkohshme.
Rrjedhimisht, kërkesa për caktim të masës së përkohshme refuzohet në pajtim me rregullat 44 dhe 45 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20, dhe 47 të Ligjit dhe rregullat 34 (2), 44, 45 dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 17 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
TË REFUZOJË kërkesën për caktim të masës së përkohshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Avdi Shkodra
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile