Prishtinë, më 16 janar 2023
Nr. ref.:RK 2110/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI27/22
Parashtrues
“NEPTUN KOSOVA” SH.P.K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës,
Rev. E. nr. 35/2021, të 14 tetorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga subjekti juridik “Neptun Kosova” SH.P.K., me seli në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga shoqëria e avokatëve “SCLR Partners”, gjegjësisht nga avokatët Qendrim Zogaj dhe Blerim Prestreshi.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. E. nr. 35/2021] të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ae. nr. 201/20] e 14 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [I. EK. nr. 266/18] e 30 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 1 nëntor 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, nëpërmjet të cilit parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 28 shkurt 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 3 mars 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin GJR. KSH27/22, caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Radomir Laban (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 11 mars 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën datë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme. Në po të njëjtën datë, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të dorëzojë në Gjykatë fletëkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 15 prill 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar nga Gjykata.
Më 8 dhjetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës dhe Kompania e Sigurimeve “SIGMA Interalbanian Vienna Insurance Group” (në tekstin e mëtejmë: SIGMA Group) kanë themeluar marrëdhënie kontraktuale për sigurimin e pronës, nëpërmjet policave të sigurimit me numër 300010480000960, e cila ishte e vlefshme nga 30 dhjetori 2015 deri më 29 dhjetor 2016 (në tekstin e mëtejmë: polica e parë); dhe numër 300010480001346, e cila ishte e vlefshme nga 30 dhjetori 2016 deri më 29 dhjetor 2017 (në tekstin e mëtejmë: polica e dytë). Në ndërkohë, përgjatë periudhës sa prona e parashtruesit të kërkesës ishte e siguruar, rezulton që në lokalet e tij në Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Ferizaj, në posedim të parashtruesit të kërkesës, të jene kryer 4 (katër) raste të vjedhjes së pajisjeve elektronike (laptopë, telefona, tabletë dhe Ipad). Nga këto raste të vjedhjes, rasti i parë ishte i siguruar me policën e parë të sigurimit, ndërsa tri rastet e tjera, ishin të siguruara me policën e dytë të sigurimit. Për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me mbulimin e pronës, gjegjësisht gjësendeve të siguruar, nëpërmjet policave të lartcekura, parashtruesi i kërkesës kishte ndjekur procedurat e mëposhtme.
Më 9 maj 2018, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi për kompensim të dëmit në Gjykatën Themelore, kundër SIGMA Group, me propozimin që gjykata të aprovojë kërkesëpadinë, të obligojë të paditurën që në emër të kompensimit të dëmit material, nga 4 (katër) rastet e vjedhjes t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën e përgjithshme prej 49.669.40 Euro (dyzet e nëntëmijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë euro e dyzet centë), me kamatë vjetore prej 8% (tetë përqind), si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës.
Më 30 shtator 2020, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [I. EK. nr. 266/18], e miratoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e detyroi SIGMA Group, që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj dëmin në shumën e përgjithshme prej 49.669.40 Euro (dyzet e nëntëmijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë euro e dyzet centë), me normë të kamatës prej 8% (tetë përqind) duke filluar nga data e parashtrimit të padisë, si dhe pagesën në shumen prej 1,850.00 Euro (njëmijë e tetëqind e pesëdhjetë euro), në emër të shpenzimeve të procedurës. Nëpërmjet këtij aktgjykimi, Gjykata Themelore e aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, përkitazi me rastin e parë të vjedhjes të siguruar me policën e parë të sigurimit, pasi që pala e paditur nuk e kishte kontestuar bazën juridike dhe lartësinë e rastit të siguruar. Ndërresa përkitazi me tri rastet e tjera të vjedhjes së mallrave, të siguruara me policën e dytë të sigurimit, Gjykata Themelore, arsyetoi: “ Duke marrë për bazë faktin se polica e sigurimit i referohet termi gjeneral “mallra”, rezulton se ka mbuluar të gjitha mallrat e paditësit, e po ashtu edhe mallrat e vjedhura. Prandaj, gjykata ka ardhur në përfundimin se pala e paditur e ka për detyrim kompensimin e dëmit edhe për tri rastet e vjedhjeve të raportuara, konform policës së sigurimit me nr. 300010480001346”.
Në një datë të paspecifikuar, SIGMA Group parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [I.EK.nr.266/18] të 30 shtatorit 2020 të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 10 shkurt 2021, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ae. nr. 201/20], aprovoi pjesërisht ankesën e SIGMA Group, duke detyruar të njëjtën që në emër të kompensimit të dëmit sipas policës së parë të sigurimit t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 11,605.35 Euro (njëmbëdhjetëmijë e gjashtëqind e pesë euro, e tridhjetë e pesë centë). Ndërsa pjesën tjetër të kërkesëpadisë se parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e refuzoi si pjesërisht të pabazuar, me të cilën kishte kërkuar që në emër të kompensimit të dëmit për rastet e siguruara me policën e dytë të sigurimit, e paditura SIGMA Group t’ia paguante shumën prej 38,064.05 Euro (tridhjetë e tetë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër euro, e pesë centë). Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata e Apelit konstatoi se Gjykata Themelore gabimisht kishte zbatuar paragrafin 4 të nenit 124 dhe nenin 125 të LMD-së, duke vlerësuar se nuk kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta dhe se parashtruesi i kërkesës nëpërmjet nënshkrimit të policës së sigurimit ishte pajtuar për lidhjen e kontratës së sigurimit, duke pranuar kushtet përkatëse të përgjithshme të cilat i kishte nënshkruar në secilën fletë.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 17 dhjetor 2021, Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [Rev. E. nr. 35/2021], refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe konstatoi se Gjykata e Apelit drejtë kishte zbatuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe të drejtën materiale.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i është shkelur e drejta e tij e mbrojtur me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendon se i është mohuar e drejta për gjykim të drejtë për faktin se Gjykata Supreme nuk ka zbatuar paragrafët 1 dhe 2 të nenit 125 të LMD-së që të shpallë të pavlefshëm nenin 4, pikën 4.3 të Kushteve të Përgjithshme të kontratës së sigurimit, si dispozitë në kundërshtim me qëllimin e kontratës dhe praktikën e mirë afariste.
Tutje, parashtruesi i kërkesës shton se në seksionin III tek Kushtet e Veçanta theksohet se sigurohen mallra, pa specifikuar ndonjë përjashtim, si dhe tek vlera e mallrave të siguruara nuk përcaktohet që përfshihen vetëm mallrat që kanë mbulueshmëri. Në këtë aspekt, parashtruesi i kërkesës gjithashtu i referohet pikës 4 (katër) të Kushteve të Veçanta ku shënohet “Të dhënat për shumat e sigurimit sipas e-mail të Neptun 07.12.2016”, e-mail në të cilin, sipas parashtruesit të kërkesës, nuk ceket se është përjashtuar vlera e pajisjeve elektronike në fjalë.
Më tej, parashtruesi i kërkesës thekson se qëllimi i lidhjes së kontratës së sigurimit ishte që të gjitha mallrat të siguroheshin nga vjedhja, gjë që sipas tij mund të dëshmohet nga polica e parë e sigurimit e cila nuk kishte paraparë asnjë përjashtim nga mbulueshmëria e pronës së siguruar. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se nga e-maili i 7 dhjetorit 2016 me titullin “Rinovimet/Sigurimi i Mallit” vërehet se qëllimi ka qenë që polica e dytë e sigurimit të jetë vazhdim/rinovim i policës së parë të sigurimit.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të i) deklarojë kërkesën të pranueshme; ii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, iii) të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. E. nr. 35/2021] të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme; dhe iv) ta kthejë Aktgjykimin [Rev. E. nr. 35/2021] e 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme në rivendosje te kjo e fundit.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]
LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
Neni 2
[Autonomia e vullnetit]
Pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve janë të lirë, që në pajtim me dispozitat urdhëruese, të rendit publik dhe të dokeve të mira, t’i rregullojnë marrëdhëniet e veta sipas vullnetit të tyre.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj marrëdhënieve të detyrimeve të rregulluara me akte të tjera ligjore në lidhje me çështjet që nuk rregullohen në këto akte.
Neni 124
[Detyrimi]
Kushtet e përgjithshme të caktuara nga ana e një pale kontraktuese, qofshin ato të përmbajtura në kontratën formale apo të referuara nga kontrata, përbëjnë marrëveshje të veçanta ndërmjet palëve kontraktuese në të njëjtën kontratë dhe si rregull janë njësoj detyruese.
Kushtet e përgjithshme të kontratës duhet të shpallen sipas mënyrës së zakonshme.
Kushtet e përgjithshme e detyrojnë palën kontraktuese në rast se kanë qenë të njohura për te ose është dashur t'i njihte në rastin e lidhjes së kontratës.
Në rast të mospërputhjes ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe marrëveshjeve të veçanta, vlejnë këto të fundit.
Neni 125
[Nuliteti i disa dispozitave të kushteve të përgjithshme]
Janë nul dispozitat e kushteve të përgjithshme që janë në kundërshtim me vetë qëllimin e kontratës së lidhur ose me praktikën e mirë afariste, qoftë edhe kur kushtet e përgjithshme brenda të cilave bëjnë pjesë të jenë miratuar nga autoriteti kompetent.
Gjykata mund të refuzojë zbatimin e disa dispozitave të kushteve të përgjithshme që e privojnë palën tjetër nga e drejta për të bërë kundërshtime ose apelim, ose të dispozitave në bazë të të cilave pala humbë të drejtën nga kontrata ose afatet, ose përndryshe janë të padrejta apo tepër rigoroze ndaj palës.
Neni 940
Pagimi i shpërblimit ose i shumës së kontraktuar
Kur paraqitet rasti i siguruar, siguruesi ka për detyrë të paguajë shpërblimin ose shumën e caktuar me kontratë në afatin e kontraktuar, i cili nuk mund të jetë më i gjatë se katërmbëdhjetë (14) ditë, duke llogaritur që nga data kur siguruesi të ketë marrë njoftimin se ka ndodhur rasti i siguruar.
Mirëpo, në qoftë se për caktimin e ekzistimit të detyrimit të siguruesit ose të shumës së tij nevojitet një kohë, ky afat fillon të rrjedhë nga dita kur është vërtetuar ekzistimi i detyrimit të tij dhe shuma e tij.
Në qoftë se shuma e detyrimit të siguruesit nuk vërtetohet brenda afatit të caktuar në paragrafin 1 të këtij neni, siguruesi ka për detyrë, me kërkesën e personit të autorizuar, ta paguajë shumën e pjesës pakontestuese të detyrimit të vet në emër të paradhënies.
Neni 950
Dëmet e mbuluara nga sigurimi
Siguruesi ka për detyrë t’i shpërblejë dëmet e shkaktuara rastësisht ose për faj të kontraktuesit të sigurimit të siguruarit ose të shfrytëzuesit të sigurimit, përveç nëse për dëmin e shkaktuar ky detyrim i tij është përjashtuar shprehimisht me kontratën për sigurimin.
[...]
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 4, të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara me Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj, gjegjësisht me nenet 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Rreth përmbushjes së kritereve të lartcekura, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. E. nr. 35/2021] e 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur nga autoritetet publike, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën, në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç, kritereve te mësipërme, Gjykata po ashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në nënrregullin 2, të rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, i cili përcakton:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur i Rregullores së punës, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës dhe SIGMA Group, kishin themeluar marrëdhënie kontraktuale për sigurimin e pronës përmes dy policave të sigurimit. Gjatë periudhës sa prona ishte e siguruar, ne disa preje lokaleve në pronësi të parashtruesit të kërkesës ishin kryer 4 (katër) raste të vjedhjes së pajisjeve elektronike, ku rasti i parë kishte qenë i siguruar me policën e parë të sigurimit ndërsa tri rastet e tjera te vjedhjes me policën e dytë të sigurimit. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi për kompensim të dëmit në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit përmes Aktgjykimit [I. EK. nr. 266/18] e miratoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë dhe e detyroi SIGMA Group që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj dëmin në shumën e përgjithshme prej 49.669.40 Euro (dyzet e nëntëmijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë euro e dyzet centë). Ndër tjerash, Gjykata Themelore vlerësoi se përkitazi me policën e dytë të sigurimit kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta të kontratës së sigurimit, ku përparësi kishin këto të fundit. Pas ankesës së parashtruar nga SIGMA Group, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.201/20] e aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi SIGMA Group që në emër të kompensimit të dëmit, sipas policës së parë të sigurimit, t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 11,605.35 Euro (njëmbëdhjetëmijë e gjashtëqind e pesë euro, e tridhjetë e pesë centë), ndërkaq refuzoi pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, që në emër të kompensimit të dëmit, sipas rasteve të siguruara me policën e dytë të sigurimit, t’ia paguaj parashtruesit të kërkesës 38,064.05 Euro (tridhjetë e tetë mijë e gjashtëdhjetë e katër euro, e pesë cent), refuzoi pjesën tjetër të ankesës si dhe vërtetoi pjesën e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore lidhur me shpenzimet procedurale. Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore gabimisht kishte zbatuar të drejtën materiale dhe se nuk kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta dhe se parashtruesi i kërkesës me nënshkrimin e policës së sigurimit ishte pajtuar për lidhjen e kontratës së sigurimit duke pranuar kushtet përkatëse të përgjithshme të cilat i kishte nënshkruar në secilën fletë. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, revizion ky i cili u refuzua si i pabazuar nga Gjykata Supreme. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Supreme konstatoi se Gjykata e Apelit drejtë kishte zbatuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe të drejtën materiale.
Gjykata, nga shkresat e lëndës, verën se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me faktin se Gjykata Supreme, në rastin e tij nuk kishte zbatuar paragrafët 1 dhe 2 të nenit 125 si dhe paragrafin 4 të nenit 124 të LMD-së, të cilat sipas tij do të çonin në shpalljen e nenit 4, pika 4.3 të Kushteve të Përgjithshme të kontratës së sigurimit si nul dhe të pavlefshëm. Mbi ketë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendon se nga moszbatimi i dispozitave të lartcekura, atij si subjekt juridik i është shkelur e drejta e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
(i) Lidhur me pretendimin për zbatim në mënyrë të gabuar të ligjit
Referuar esencës se pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se te njëjtat pretendime parashtruesi i kërkesës i kishte ngritur edhe para gjykatave të rregullta. Andaj, në këtë kontekst, Gjykata do të vlerësojë nëse pretendimet e parashtruesit të kërkesës për zbatim të gabuar të ligjit material, gjegjësisht të paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 125, si dhe paragrafit 4 të nenit 124 të LMD-së, hyjnë në sferën e ligjshmërisë apo kushtetutshmërisë.
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato (shih, rastet e Gjykatës, KI87/20, parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktvendim i 13 prillit 2021, paragrafi 57; KI06/17, parashtrues L. G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI75/17, parashtrues X, Aktvendim i 6 dhjetorit 2017, paragrafi 55; dhe KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56).
Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Kështu, Gjykata vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, gjë që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastet e GJEDNJ-së, Ballıktaş Bingöllü kundër Turqisë, nr.76730/12, Aktgjykim i 22 qershorit 2021, paragrafi 75; García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih, rastet e Gjykatës, KI70/11, parashtrues Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim i 16 dhjetorit 2011; KI06/17, cituar më lart, paragrafi 37 dhe KI122/16, cituar më lart, paragrafi 57).
Ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, që në mënyrë të qartë thekson se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih rastin e GJEDNJ-së, Pronina kundër Rusisë, nr.65167/01, Vendim i 30 qershorit 2005; dhe rastet e Gjykatës KI06/17, cituar më lart, paragrafi 38 dhe KI122/16, cituar më lart, paragrafi 57).
Në këtë kuptim, Gjykata në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, ka theksuar se edhe pse roli i Gjykatës është i kufizuar në aspektin e vlerësimit të interpretimit të ligjit, ajo duhet të sigurohet dhe të ndërmarrë masa kur vëren se një gjykatë ka aplikuar ligjin në mënyrë qartazi të gabuar në një rast specifik e që mund të ketë rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin (shih rastet e GJEDNJ-së, Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr. 73049/01, Aktgjykim i 11 janarit 2007 paragrafi 83; Păduraru kundër Rumanisë, nr. 63252/00, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2005, paragrafi 98; Sovtransavto Holding kundër Ukrainës, nr. 48553/99, Aktgjykim i 25 korrikut 2002, paragrafët 79, 97 dhe 98; dhe shih rastet e Gjykatës, KI122/16, cituar më lart, paragrafi 57; dhe KI154/17 dhe KI05/18, parashtrues Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar “BARBAS”, Aktvendim i 22 korrikut 2019, paragrafi 61).
Në lidhje me pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 201/20] kishte konstatuar se Gjykata Themelore gabimisht kishte zbatuar të drejtën materiale, përkatësisht paragrafin 4 të nenit 124 dhe nenin 125 të LMD-së, lidhur me mospërputhjen ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta në policën e dytë të sigurimit. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se nuk kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta dhe se parashtruesi i kërkesës me nënshkrimin e kontratës së sigurimit ishte pajtuar me kushtet e përgjithshme, që përjashtonin nga mbulueshmëria pajisjet elektronike të lëvizshme.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në ushtrimin e kërkesës për revizion ne Gjykatësen Supreme, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, kishte pretenduar zbatim të gabuar të drejtës materiale, përkatësisht të dispozitave të lartcekura të LMD-së, te cilat u refuzuan si të pabazuar nga Gjykata Supreme, me arsyetimin se Gjykata e Apelit me të drejtë kishte konstatuar se Gjykata Themelore ka zbatuar gabimisht paragrafin 4 të nenit 124 dhe nenin 125 të LMD-së. Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit të saj, vlerësoi se Gjykata e Apelit drejtë kishte zbatuar nenin 4, pika 4.3 (Përjashtimet e Përgjithshme) të Kushteve të Përgjithshme që i ishin bashkëngjitur policës së dytë të sigurimit e cila përcaktonte se nuk mbuloheshin me policë të sigurimit pajisjet elektrike të lëvizshme si telefonat celularë, aparatet fotografike, laptopët dhe pajisjet tjera të kësaj kategorie.
Tutje, në arsyetimin e Gjykatës Supreme u theksua se me nënshkrimin e të dy palëve në policën e sigurimit si dhe në kushtet e përgjithshme, fletë për fletë, në përputhje me parimin e autonomisë së vullnetit të palëve, ishte vërtetuar se parashtruesi i kërkesës ishte pajtuar me to, gjë që dëshmohej nga faqja e parë ku specifikohej se përmes nënshkrimit i siguruari “ka lexuar dhe pranuar kushtet e përgjithshme të sigurimit bashkëngjitur”.
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës, duke iu referuar paragrafit 1 të nenit 950 të LMD-së, i cili përcakton se siguruesi nuk ka për detyrë t’i shpërblejë dëmet e shkaktuara kur detyrimi përjashtohet shprehimisht me kontratën për sigurimin.
Bazuar në arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të saj, Gjykata vëren se kjo e fundit ka arritur në këtë përfundim pas shqyrtimit të konstatimeve të dhëna përmes aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit si dhe adresimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës të ngritur në kërkesën për revizion, para kësaj gjykate.
Prandaj, duke marrë për bazë atë që është cekur më lart, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës, nuk e mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si interpretimi i dispozitave përkatëse ligjore nga Gjykata Supreme ka rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme në rastin e tij apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare.
Prandaj, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur pretendimin e tij se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, lidhur me zbatimin e ligjit material, bien në kategorinë e parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie sepse nuk janë argumentuar në nivel kushtetutshmërie, andaj, si të tilla te njëjtat duhet të shpallën qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar qartazi e pabazuar dhe e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 8 dhjetor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
"NEPTUN KOSOVA" SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile