Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit Rev. E. nr. 35/2021 të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI27/22

Parashtruesit: "NEPTUN KOSOVA" SH.P.K.

Shkarko:

KI27/22, Parashtrues: NEPTUN KOSOVA SH.P.K, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit Rev. E. nr. 35/2021 të 14 tetorit 2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës 

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës dhe SIGMA Group kishin qenë në raport kontraktues për sigurimin e pronës përmes dy policave të sigurimit. Gjatë periudhës kur prona ishte e siguruar, ndaj parashtruesit të kërkesës ishin kryer 4 (katër) raste të vjedhjes së pajisjeve elektronike, ku rasti i parë kishte qenë i siguruar me policën e parë të sigurimit ndërsa tri rastet e tjera me policën e dytë të sigurimit. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi për kompensim të dëmit në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit përmes Aktgjykimit [I. EK. nr. 266/18] e miratoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë dhe e detyroi SIGMA Group që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj dëmin në shumën e përgjithshme prej 49.669.40 euro. Ndër tjerash, Gjykata Themelore vlerësoi se përkitazi me policën e dytë të sigurimit kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta të kontratës së sigurimit, ku përparësi kishin këto të fundit. Pas ankesës së parashtruar nga SIGMA Group, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae. nr. 201/20] e aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi SIGMA Group që në emër të kompensimit të dëmit, sipas policës së parë të sigurimit, t’ia paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej 11,605.35 euro, ndërkaq refuzoi pjesërisht si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, që në emër të kompensimit të dëmit, sipas rasteve të siguruara me policën e dytë të sigurimit, t’ia paguaj parashtruesit të kërkesës 38,064.05 euro, refuzoi pjesën tjetër të ankesës si dhe vërtetoi pjesën e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore lidhur me shpenzimet procedurale. Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore gabimisht kishte zbatuar të drejtën materiale dhe se nuk kishte mospërputhje ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe kushteve të veçanta dhe se parashtruesi i kërkesës me nënshkrimin e policës së sigurimit ishte pajtuar për lidhjen e kontratës së sigurimit duke pranuar kushtet përkatëse të përgjithshme të cilat i kishte nënshkruar në secilën fletë. Më pas, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, revizion ky i cili u refuzua si i pabazuar nga Gjykata Supreme. Në arsyetimin e Aktgjykimit të saj, Gjykata Supreme konstatoi se Gjykata e Apelit drejtë kishte zbatuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe të drejtën materiale.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar (I) shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në raport me mos-zbatimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 125 si dhe paragrafit 4 të nenit 124 të LMD-së që do të çonin në shpalljen e nenit 4, pika 4.3 të Kushteve të Përgjithshme të kontratës së sigurimit si nul dhe të pavlefshëm.

Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si interpretimi i dispozitave përkatëse ligjore nga Gjykata Supreme ka rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi të paarsyeshme në rastin e tij apo se si procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe të kenë qenë arbitrare.

Prandaj, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës nuk ka mbështetur se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

 

Parashtruesit:

"NEPTUN KOSOVA" SH.P.K.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile