Prishtinë, më 18 prill 2023
Nr. ref.:RK 2156/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI174/22
Parashtrues
Rafet Ismajli
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 284/2022,
të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 28 korrikut 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Rafet Ismajli, me vendbanim në Prishtinë, i përfaqësuar me autorizim nga Naim Rudari, avokat në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] të 28 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [APS. Nr. 14/2022] e 26 majit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR.KI174/22] dhe Vendimit [Nr. KSH.KI174/22], caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 2 dhjetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 5 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 4 mars 2020, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti Aktakuzën [PPS. nr. 24/2020] kundër parashtruesit të kërkesës, në cilësinë e gjyqtarit dhe Blerim Gashit, në cilësinë e zyrtarit policor, përmes të cilës të njëjtit akuzoheshin për kryerje të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK). Sipas kësaj aktakuze, të dy të akuzuarit akuzoheshin se më 28 gusht 2019 nga F.Z. kishin pranuar përfitim pasuror në mënyrë që të ushtrojnë ndikim tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim të shqiptuar përmes Aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ndaj F.Z. dhe njëkohësisht të ndikojnë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e këtij aktgjykimit me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.
Gjykata vë në dukje se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta përfshijnë procedurën penale ndaj parashtruesit të kërkesës dhe Blerim Gashit njëkohësisht. Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata vë në pah se Blerim Gashi ka parashtruar kërkesë të veçantë në Gjykatë, e regjistruar me numrin KI155/22. Prandaj, gjatë pasqyrimit të kronologjisë procedurale të rastit, Gjykata, për aq sa është e mundur, do të përqendrohet në përmbajtjen e vendimeve të gjykatave të rregullta të nxjerra në procedurën penale kundër parashtruesit të kërkesës dhe të parashtresave të paraqitura nga ai e që ndërlidhen vetëm me të.
Më 18 dhjetor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktgjykimit [PS. nr. 14/2020] parashtruesin e kërkesës dhe Blerim Gashin (parashtrues i kërkesës në rastin KI 150/22) i shpalli fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata Themelore parashtruesin e kërkesës: e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve e gjashtë (6) muajve; i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej dy mijë (2, 000.00) euro; i shqiptoi dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit te funksioneve në administratën publike ose ne shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve pas vuajtjes së dënimit; dhe e obligoi që t’i kthejë buxhetit të Republikës së Kosovës shumën e të hollave prej njëmijë e pesëqind euro (1,500.00) të shfrytëzuar me rastin e simulimit të veprës penale.
Gjykata Themelore pas administrimit të provave të nxjerra edhe përmes procedurës për masat e fshehta dhe dëshmive të dëshmitarëve konstatoi se parashtruesi i kërkesës në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, Dega në Skenderaj, më 28 gusht 2019, gjatë udhëtimit të tij në veturën e F.Z. nga Skenderaj për në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky i fundit kishte pranuar përfitim pasuror në vlerë prej një mijë e pesëqind (1.500,00) euro në mënyrë që të ushtrojë ndikim tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, të shqiptuar me Aktgjykimin [P. Nr. 120/15] të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë të 26 korrikut 2018 ndaj F.Z në kohëzgjatje prej katër (4) viteve e dhjetë (10) muajve dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Po ashtu, në një datë të paspecifikuar, Prokuroria Speciale kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2020 në Gjykatën e Apelit paraqiti ankesë për shkak të vendimit.
Më 22 prill 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit (APS. nr. 10/2021) aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 18 dhjetorit 2020 dhe çështjen e ktheu në rigjykim në këtë gjykatë, ndërsa ankesën e Prokurorisë Speciale, Gjykata e Apelit e refuzoi si jo-lëndore.
Në lidhje me pretendimet për shkelje të dispozitave të procedurë penale, Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore është i përfshirë në shkelje të nenit 384 (Shkelja esenciale e dispozitave të procedurës penale), paragrafi 1, nën paragrafi 12 në lidhje me paragrafin 7 të nenit 370 (Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit me shkrim) dhe 365 (Aktgjykimi fajësues) të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale (në tekstin e mëtejmë: KPPK) për arsye se arsyetimi i tij është në kundërshtim me dispozitivin dhe është i përfshirë me mungesë të arsyetimit për faktet vendimtare. Në vijim, Gjykata e Apelit konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore është po ashtu i përfshirë me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si rezultat i mungesës të arsyetimit të mjaftueshëm në lidhje me vlerësimin e dëshmive të dëshmitareve dhe provave tjera. Rrjedhimisht, Gjykata e Apelit e obligoi Gjykatën Themelore që në procedurë të rigjykimit të administrojë serish secilën provë veç e veç dhe sipas nevojës të merr në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë në mënyrë që të nxjerrë përfundim në lidhje me vërtetimin e gjendjes faktike që ndërlidhet me aspektin subjektiv të përgjegjësisë penale të parashtruesit të kërkesës dhe të akuzuarit tjetër.
Më 11 shkurt 2022, Gjykata Themelore në procedurë të rigjykimit, përmes Aktgjykimit [PS. nr. 18/21] parashtruesin e kërkesës dhe Blerim Gashin (parashtruesin e kërkesës në rastin KI150/22) i shpalli fajtorë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i KPRK-së. Kjo e fundit, parashtruesin e kërkesës: e dënoi me burgim në kohëzgjatje prej njëzet (20) muajve; i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej dy mijë euro (2,000.00) euro; i shqiptoi dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit te funksioneve në administratën publike ose ne shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve pas vuajtjes së dënimit; dhe e obligoi që buxhetit të Republikës së Kosovë t’i kthejë shumën e të hollave prej njëmijë e pesëqind euro (1,500.00), shumë kjo e shfrytëzuar me rastin e simulimit të veprës penale.
Gjykata Themelore në pjesën e arsyetimit të Aktgjykimit sqaroi se: ka shqyrtuar provat personale dhe ato materiale; ka marrë për bazë edhe deklaratat e F.Z [dhe pesë dëshmitarëve të tjerë]; transkriptin e komunikimit të siguruar përmes masave të fshehta të monitorimit në vende publike dhe private për parashtruesin e kërkesës; dhe provat tjera të siguruara përmes aplikimit të masave të fshehta të përgjimit. Në vijim, Gjykata Themelore vërtetoi se: “[parashtruesi i kërkesës] dhe Blerim Gashi] me datë 28 gusht 2019 pranuan të holla nga [F.Z] në veturën e tij (dëshmitarit), derisa udhëtonin së bashku dhe atë [parashtruesi i kërkesës] shumën e të hollave prej një mijë e pesqind euro (1500 €), ndërsa i akuzuari Blerim Gashi shumën e të hollave prej njëmijë euro (1000 €), që të dy ndaras nga njëri tjetri. U vërtetua, [parashtruesi i kërkesës] i kishte premtuar [F.Z] se përmes Kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë [N.K.] do t’ia shtyj ekzekutimin e dënimit me burgim, si dhe çfarëdo që ka mundësi do të bëje edhe në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme, ndërsa i akuzuari Blerim Gashi, do të ndikonte tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës”. Gjykata Themelore në vijim theksoi se: “me këtë vepër inkriminohet intervenimi te personi zyrtar kompetent për interes të personit të tretë, në këtë rast personi i tretë ishte dëshmitari [F.Z] i dënuar me dënim me burgim. [...]”.
Në një datë të paspecifikuar, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Themelore parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal, si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Kundër të njëjtit Aktgjykim, të Gjykatës Themelore ankesë parashtroi edhe Prokuroria Speciale për shkak të vendimit mbi dënimin.
Më 26 maj 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [APS. nr. 14/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 11 shkurtit 2022.
Gjykata e Apelit në arsyetimin e saj ndër tjerash theksoi se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale, ndërsa në lidhje me pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me vërtetimin e gjendjes faktike, kjo e fundit theksoi se Gjykata Themelore gjendjen faktike e ka vërtetuar përmes administrimit të provave materiale, përfshirë ato të nxjerra përmes procedurës për masat e fshehta (të simulimit dhe përgjimit) dhe dëshmive të dëshmitarit F.Z dhe dëshmitarëve tjerë.
Më 14 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [APS. nr. 14/2022] të 26 majit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [PS. nr. 18.2021] të 11 shkurtit 2022 në Gjykatën Supreme paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të: shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe të ligjit penal, si dhe shkeljeve të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 dhe nenit 7 të KEDNJ-së. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, ndër tjerash pretendon se aktgjykimet e gjykatave të shkalës më të ulët bazohen në prova të papranueshme, përkatësisht simulimi i veprës “së korrupsionit bazohet në provë të papranueshme dhe se veprës penale për të cilën është shpallur fajtor nuk mbështetet në arsyetim dhe fakte vendimtare që përbëjnë figurën e veprës penale sipas nënparagrafit 4 të nenit 370 në lidhje me paragrafin 1, nën paragrafin 1 të nenit 365 të KPPK-së. Në fund, parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë kërkoi që: “[Gjykata Supreme] të analizojë edhe një herë të gjitha provat që janë pjesë e shkresave të lëndës, të vlerësojë se çfarë është shqyrtuar dhe çfarë jo, çfarë është vërtetuar nga shqyrtimi gjyqësor dhe çfarë nuk është vërtetuar, çfarë u evitua nga shkeljet e bëra në shqyrtimin e parë dhe çfarë nuk u evitua fare [...]”.
Më 28 korrik 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata Supreme ndër tjerash theksoi se: “[...] aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk bazohet në provë të papranueshme, përkundër faktit se ndaj të dënuarve janë lëshuar një seri e masave të fshehta teknike të hetimit dhe të vëzhgimit”. Gjykata Supreme në vijim arsyetoi se: “Elementet e veprës penale ushtrimi i ndikimit të përcaktuara me dispozitën e lartë cekur nuk kërkojnë arritjen e rezultatit në vendimmarrje, por mjafton realizimi i veprës penale vetëm krijimi i përshtypjes tek i dëmtuari se ndikimi do të realizohet, pra pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri tek rezultati i synuar. Pra nuk kërkohet ushtrimi i ndikimit dhe aq më pak rezultati i synuar, nga kjo del se të dënuarit secili veç e veç tek i dëmtuari krijuan bindje se do të ndikonin në vendimmarrje, kurse kjo bindje u përforcua me faktin se të dënuarit ishin persona zyrtar, megjithatë ka rritur besimin e të dënuarit se të dënuarit se të njëjtin mund të kenë ndikim tek personat që kanë marrë vendim në çështjen penale në fjalë. Megjithëse fillimisht duhet theksuar faktin se as vet të dënuarit nuk e kontestojnë pranimin e të hollave pos faktit që kontestojnë arsyen e pranimit. Por në këtë pikë, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, të dy gjykatat e instancave më të ulëta kanë paraqitur arsyetim të mjaftueshëm se paratë ishin dhënë pikërisht për të ndikuar në vendimmarrjen e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Në këtë aspekt Gjykata Supreme e Kosovës e mbështet në tërësi arsyetimin e dhënë nga dy instancat më të ulëta dhe me fokus të veçantë në arsyetimin e mbrojtjes së të dënuarve duke e ndërlidhur mbrojtjen e tyre me provat e tjera të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon po ashtu shkelje të nenit 365 (Aktgjykimi fajësues) dhe nenin 370 (Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit me shkrim) të KPPRK-së.
Parashtruesi i kërkesës tutje sqaron se “Lidhur me këtë çështje vetë Policia nuk e kishte arrestuar [parashtruesin e kërkesës] kur ai ka marrë njëmijë e pesëqind euro nga [F.Z.] ngase ishte kuptuar se ai i kishte marrë në emër të borxhit dhe se policia kur futë në procedurën e simulimit paratë e saja ato kanë për qëllim që t’i gjinden në xhep kryerësit e në këtë rast nuk e kishin arrestuar [parashtruesi i kërkesës] sepse ai i kishte marrë si borxh.”
Parashtruesi i kërkesës theksoi se: “gjykata e apelit për herë të parë e kishte vlerësuar si të pa drejtë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë ndërsa në rigjykim ishte përforcuar pafajësia e [parashtruesit të kërkesës], Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të cilin e ka mbështetur edhe Gjykata Supreme”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: “të vlerësojë Ligjshmërinë e aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe atë të Gjykatës së Apelit pasi që ishin të kundërligjshme, të anulojë vendimet tyre dhe [...] t’i kthehet çështja në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rigjykim dhe rivendosje duke u bazuar në shkresat e lëndës i njëjti të shpallet i pafajshëm.”
Dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
“1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
(3) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose për shoqërimin e tij/saj në një institucion kompetent, sipas një urdhri të ligjshëm;
(4) për mbikëqyrje shëndetësore të personit, i cili për shkak të sëmundjes paraqet rrezik për shoqërinë;
(5) për hyrje të paligjshme në Republikën e Kosovës ose pas urdhrit të ligjshëm për largim ose ekstradim.
[...]
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 33
[Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]
“1. Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.
2. Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.
3. Ashpërsia e dënimit nuk mund të jetë në disproporcion me veprën penale.
4. Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i favorshëm për kryesin e veprës.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
KODI NR. 06/L-074 PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 424
Ushtrimi i ndikimit
1. Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, me pretendimin se ai apo ajo është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, zyrtarit të huaj publik ose personit të huaj zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.
2. Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër personit tjetër, në mënyrë që ky person të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, zyrtarit të huaj publik ose personit të huaj zyrtar, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tetë (8) vjet.
3. Dhurata apo përfitimi i pranuar apo i ofruar në kundërshtim të këtij neni konfiskohet.
KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURES PENALE
Neni 365
Aktgjykimi fajësues
“1. Gjykata, në aktgjykimin me të cilin të akuzuarin e shpall fajtor shënon:
1.1. veprën penale për të cilën shpallet fajtor, së bashku me faktet dhe rrethanat që përbëjnë figurën e veprës penale, si dhe faktet dhe rrethanat nga të cilat varet zbatimi i dispozitës përkatëse të Kodit Penal;
1.2. emërtimin ligjor të veprës penale dhe dispozitat e ligjit penal të zbatuara gjatë marrjes së aktgjykimit;
1.3. dënimin e shqiptuar të akuzuarit, duke përfshirë edhe dënimin alternativ nga Kodi Penal ose lirimin nga dënimi;
1.4. urdhrin për shqiptimin e masës për trajtim të detyrueshëm rehabilitues të kryerësve të varur nga droga dhe alkooli, ose për konfiskimin e dobisë pasurore që i nënshtrohet konfiskimit;
1.5. vendimin për llogaritjen e paraburgimit ose dënimit të mëparshëm në lartësinë e dënimit; dhe
1.6. vendimin për shpenzimet e procedurës penale, për kërkesën pasurore juridike, si dhe përcaktimin se a duhet shpallur aktgjykimin e formës së prerë në shtyp, në radio apo në televizion.
2. Kur i akuzuari dënohet me gjobë, në aktgjykim shënohet afati kur duhet paguar gjoba dhe mënyra e zëvendësimit të gjobës kur gjoba forcërisht nuk mund të arkëtohet.
3. Shpallja e aktgjykimit.”
Neni 370
Përmbajtja dhe forma e aktgjykimit me shkrim
“ 1. Aktgjykimi i përpiluar me shkrim duhet të jetë në përputhje me aktgjykimin e shpallur. Aktgjykimi përfshinë hyrjen, dispozitivin dhe arsyetimin.
[...]
4. Kur i akuzuari është dënuar, dispozitivi i aktgjykimit përfshin të gjitha të dhënat e nevojshme të parapara në nenin 365 të këtij Kodi, ndërsa kur ai është liruar nga akuza ose akuza është refuzuar, dispozitivi i aktgjykimit përfshin përshkrimin e veprës për të cilën është akuzuar dhe vendimin për shpenzimet e procedurës penale dhe kërkesën pasurore juridike, nëse një kërkesë e tillë është paraqitur.
5. Në rastin e gjykimit të veprave penale në bashkim, gjykata në dispozitivin e aktgjykimit shënon dënimet e shqiptuara për secilën vepër penale, e pastaj dënimin për të gjitha veprat në bashkim.
6. Gjykata në arsyetimin e aktgjykimit paraqet arsyet për çdo pikë të aktgjykimit.
7. Gjykata paraqet qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara. Gjykata gjithashtu, në mënyrë të veçantë vlerëson saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimit konkret të palëve, si dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike, veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal ndaj të akuzuarit dhe veprës së tij.
8. Kur i akuzuari dënohet me burgim, arsyetimi përfshin rrethanat të cilat gjykata i ka marrë parasysh me rastin e caktimit të dënimit. Gjykata veçanërisht arsyeton se në cilat shkaqe është bazuar kur ka konstatuar se ka të bëjë veçanërisht me rast të rëndë dhe se duhet shqiptuar dënim më të rëndë se dënimi i paraparë, ose ka konstatuar se është e nevojshme të ulë apo të heqë dënimin, të shqiptojë dënim alternativ ose masën për trajtim të detyruar rehabilitimi ose të konfiskohet dobia pasurore e fituar me vepër penale.
9. Kur në aktakuzë përcaktohet pasuria që i nënshtrohet konfiskimit, aktgjykimi përcakton nëse pasuria konfiskohet apo jo. Aktgjykimi përmban arsyetimin për konfiskimin e secilës pasuri për të cilën urdhërohet konfiskimi dhe arsyetimin për secilën pasuri për të cilën nuk urdhërohet konfiskimi.
[...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata duhet së pari të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: palë e autorizuar; konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 284/2022] e 28 korrikut 2022 të Gjykatës Supreme; ka specifikuar dispozitat kushtetuese për të cilat pretendon se janë cenuar në rastin e tij; ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Specifikisht, paragrafët 1 (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
"(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi e pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës përmes Aktgjykimit [PS. Nr. 14/2020] të 18 dhjetorit 2020 ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të KPRK-së. Më 22 prill 2021, si rezultat i ankesës së tij, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [APS. Nr. 10/2021] kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore. Më 11 shkurt 2022, Gjykata Themelore në procedurë të rigjykimit parashtruesin e kërkesën sërish e shpalli fajtor duke e dënuar atë me 20 muaj burgim, duke i shqiptuar gjobë dhe ndalim të ushtrimit të profesionit në administratën publike dhe shërbimin civil. Gjykata pas administrimit të provave, që përfshinin edhe dëshmi të nxjerrë përmes masave të fshehta dhe dëshmive të dëshmitarëve kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës ishte fajtor për kryerjen e veprës penalë të lartcekur duke vërtetuar se i njëjti kishte pranuar përfitim pasuror në vlerë prej një mijë e pesëqind (1,500.00) euro në mënyrë që të ushtrojë ndikim tek Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim të shqiptuar përmes Aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ndaj F.Z. dhe njëkohësisht të ndikojë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e këtij aktgjykimi me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Si rezultat i ankesës së parashtruar nga ana e parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktgjykimit [APS. Nr. 14/2022] të 26 majit 2022 ankesën e tij e kishte refuzuar si të pabazuar dhe rrjedhimisht kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 22 shkurtit 2022. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak ndër tjerash shkeljes së dispozitave të procedurës penale nga neni 384, neni 370, paragrafi 7 dhe neni 361, paragrafi 1 të KPPRK-së. Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë, ndër tjerash kontestoi se Aktgjykimet e kontestuara të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit janë bazuar në prova të papranueshme. Më 28 korrik 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës duke konstatuar se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, i 11 shkurtit 2022, nuk bazohet në prova të papranueshme. Në vijim, Gjykata Supreme përfundoi se elementet e veprës penale të ushtrimit të ndikimit nuk kërkojnë arritjen e rezultatit por që në realizmin e veprës penale mjafton edhe krijimi i përshtypjes tek i dëmtuari [F.Z] se vepra penale do të realizohet.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij vetëm ka specifikuar se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme dhe atij të Apelit. atij i janë shkelur të drejta të garantuara me nenet 29, 31, 32 dhe 33 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se si këto të drejta të garantuara me Kushtetutë janë shkelur në rastin e tij dhe për më tepër i njëjti as nuk ofron asnjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre. Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon shkelje të neneve 365 (Aktgjykimi fajësues) dhe 370 (Forma dhe përmbajtja e Aktgjykimit me shkrim) të KPPK-së.
Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenet 29, 31, 32 dhe 33 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së, Trofimčuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, Vendim, i 31 majit 2005; shih, gjithashtu, rastin Baillard kundër Francës, kërkesa nr. 6032/04, Vendim i 2 shtatorit 2008);
kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t'i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t'ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri në fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin KI166/20, parashtrues Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme janë shkelur të drejtat e tij individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e neneve 29, 31, 32 dhe 33 të Kushtetutës, duke theksuar se: “Lidhur me këtë çështje vetë Policia nuk e kishte arrestuar [parashtruesin e kërkesës] kur ai ka marrë njëmijë e pesëqind euro nga [F.Z.] ngase ishte kuptuar se ai i kishte marrë në emër të borxhit dhe se policia kur futë në procedurën e simulimit paratë e saja ato kanë për qëllim që t’i gjinden në xhep kryerësit e në këtë rast nuk e kishin arrestuar [parashtruesi i kërkesës] sepse ai i kishte marrë si borxh”, por nuk shpjegon konkretisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së.
Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastet e Gjykatës KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20, cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 prillit 2021, paragrafët 38-39).
Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 29, 31, 32 dhe 33 të Kushtetutës, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim konsiderohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar dispozitat e Kushtetutës dhe KEDNJ-së, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (d) dhe (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 5 prill 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Rafet Ismajli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale