Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [CA. nr. 850/2021], të 21 nëntorit 2022, të Gjykatës  se Apelit 

Nr. të lëndës KI138/23

Parashtruesit: Hanumshahe Paçarada

Shkarko:

KI138/23, Parashtrues: Hanumshahe Paçarada, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [CA. nr. 850/2021], të 21 nëntorit 2022, të Gjykatës  se Apelit 

KI138/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024, publikuar më 5 mars 2024  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, pretendime të shkallës së katërt, pretendime të pambështetura dhe të paarsyetuara, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesja e kërkesës ishte e punësuar në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas më shumë se 35 vitesh përvojë pune, ajo kishte kërkuar shpërblimin jubilar në vlerë prej tre pagash mujore. Pas dështimit për të marrë përgjigje nga punëdhënësi, ajo kishte ndërmarrë veprime ligjore, duke përfshirë paraqitjen e padisë në Gjykatën Themelore. Në fillim, Gjykata Themelore e kishte miratuar pjesërisht kërkesën e saj, por pastaj Gjykata e Apelit e kishte refuzuar atë plotësisht, bazuar në faktin se pretendimi për shpërblim jubilar nuk ishte i mbështetur në bazën ligjore të marrëveshjes kolektive që ishte në fuqi në kohën e përfitimit të përvojës së nevojshme. Përkundër kësaj, parashtruesja kishte parashtruar propozimin për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, por propozimi i saj ishte refuzuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit si i pabazuar ligjërisht.

Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtrueses së kërkesës ka të bëjë: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse sipas parashtrueses së kërkesës nuk është interpretuar drejtë dhe për pasojë është zbatuar gabimisht dispozita ligjore me rastin e refuzimit të kërkesës së saj, si të parashkruar, dhe moszbatim të duhur të nenit 341 të LMD-së dhe nenit 52 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, si dhe nenin 17 të Kontratës Kolektive Sektoriale (ii) pretendimi për shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës së Apelit lidhur me vendimmarrjen në rastin e saj; si dhe (iii) pretendimet për shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese.

Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit kishte sqaruar se: (i) parashtruesja e kërkesës kishte plotësuar kushtin për shpërblimin jubilar para 15 (pesëmbëdhjetë) vitesh, përkatësisht para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe Kontratës Kolektive Sektoriale të Shëndetësisë (ii) Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ishte bërë e aplikueshme nga 1 janari 2015 (iii), ndërsa Kontrata Kolektive Sektoriale e Shëndetësisë kishte hyrë në fuqi më 11 qershor 2018; (iv) parashtruesja e kërkesës kishte arritur vitin jubilar, respektivisht 30 vite përvoje të punës në vitin 2004, respektivisht para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe Kontratës Kolektive Sektoriale të Shëndetësisë; si dhe (v) instrumentet ligjore të lartcekura nuk përmbajnë dispozita për veprim retroaktiv sikurse në rastin e parashtrueses së kërkesës dhe rrjedhimisht kërkesa e saj ishte e pabazuar ligjërisht.

Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret, është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023.

Në lidhje me pretendimet për shkelje të parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës së Gjykatës së Apelit lidhur me vendimmarrjen në rastin e saj, me pretendimin për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit përkitazi me të drejtën për kompensimin e pagave jubilare. Gjykata nënvizon se roli i saj nuk përfshinë analizimin e një rasti duke u bazuar vetëm në një krahasim të vendimeve të tjera gjyqësore të gjykatave të rregullta. Ky vlerësim afirmohet duke u mbështetur në praktikën e GJEDNj-së për të ruajtur pavarësinë e gjykatave të rregullta dhe nevojën për respektimin e kompetencave në kuadër të kryerjes së detyrave të tyre, aspekt ky i rëndësishëm për ushtrimin e juridiksionit të gjykatave të rregullta dhe për ekzekutimin e kompetencave të tyre.

Si përmbledhje, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës dhe të KEDNj-së, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) të “shkallës së katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.

Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, duhet të deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hanumshahe Paçarada

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile