Prishtinë, më 18 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2182/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI183/22
Parashtrues
Rexhep Kastrati
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ.UZVP.NR.46/22 të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Rexhep Kastrati me vendbanim në Komunën e Prishtinës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ARJ.UZVP.NR.46/22] të 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në ndërlidhje me Aktgjykimin [AA.nr.714/2020] të 21 marsit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [A.nr.1925/17], e 21 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Vendimin e kontestuar e ka pranuar më 28 korrik 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilëve pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete juridike] të Kushtetutës.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 22 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 24 nëntor 2022.
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR.KSH183/22] e caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 9 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës së Supreme.
Po ashtu, në të njëjtën ditë Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar. Gjykata Themelore po atë ditë e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar që dëshmon se parashtruesi vendimin e kontestuar e ka pranuar më 28 korrik 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës, rezulton se përmes Vendimit [2017-YR-865] të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht, Policisë së Kosovës - Drejtoria për Migracion dhe të Huaj (në tekstin e mëtejmë: Ministria e Punëve të Brendshme) të 17 nëntorit 2017, parashtruesi i kërkesës u dënua me gjobë në shumë prej 4.000 (katër mijë) euro, për shkak të akomodimit të shtetases së huaj [E.B], në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit Nr. 04/L-219 për të Huajt (në tekstin e mëtejmë: Ligji për të Huaj)
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore parashtroi padi për konflikt administrativ kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes të cilës kërkoi anulimin e Vendimit [Nr.2017-YR-865], të 7 nëntorit 2017, të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Më 21 tetor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A.nr.1925/17] refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar, me arsyetimin si në vijim:
“Gjykata nga provat te cilat janë administruar në seancën e shqyrtimit kryesor referuar procesverbalit të datës 07.11.2017, raportit të policit data 02.10.2017 dhe 03.10.2017 vëren se paditësi ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për të Huaj. Gjykata ka vlerësuar edhe pretendimet e paditësit të dhëna në padi dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor por të njëjtat pretendime i vlerësoi si të pabazuara, pasi që paditësi me asnjë provë të vetme nuk i ka aprovuar të njëjtat pretendime. Në këtë kuptim gjykata vlerëson se vendimi kontestues i të paditurës, është i drejtë dhe bazuar në ligj dhe se organi i paditur, drejtë ka zbatuar dispozitat ligjore, drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar ligjin material. Mbi këto arsye kërkesëpadinë e paditësit nuk e aprovoi, sepse vlerëson se nuk është cenuar ligji në dëm të tij”.
Më 9 nëntor 2020, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit [A.nr.1925/17], të 21 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore, për shkak të: (i) shkeljes së rregullave të procedurës kontestimore; (ii) vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike; dhe (iii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që të anulohet si i pabazuar vendimi i lartcekur i Gjykatës Themelore dhe lënda t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim. Në ankesën e dorëzuar, parashtruesi i kërkesës theksoi se: “Në arsyetim nuk janë përfshirë tërë faktet vendimtare, lidhur me rastin në fjalë dhe nuk e arsyetojnë dispozitivin e këtij aktvendimi” dhe se në lidhje me strehimin e shtetases së huaj, i njëjti thekson se “Kronologjia e njoftimit për rastin e shtetasit të huaj, ka vazhduar pandërprerë në polici. Përpos njoftimeve, unë edhe me shkrim ju kam drejtuar Prokurorisë si dhe Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë”.
Më 21 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.714/2020] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin [A.nr.1925/17] e 21 tetorit 2020, të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit ndër tjerash theksoi se: “[...] sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykatë, aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktët vendimtare, të cila i pranon edhe kjo gjykatë. Prandaj, kolegji i kësaj gjykate vlerëson se e drejta materiale, është aplikuar drejtë dhe se nuk është shkelur ligji material në dëm të paditësit”.
Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, gjegjësisht, të Aktgjykimit [AA.nr.714/2020] të 21 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit, të cilin e kontestoi për shkak të (i) shkeljes së rregullave të procedurës administrative dhe (ii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 15 qershor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [ARJ.UZVP.nr.46/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm gjyqësor, të parashtruesit të kërkesës, të parashtruar kundër Aktgjykimit [AA.nr.714/2020] të 21 marsit 2022 të Gjykatës së Apelit, me arsyetimin si në vijim:
“[...] pretendimet në kërkesën e paditësit [parashtruesit të kërkesës] për shqyrtim të jashtëzakonshëm gjyqësorë janë të pabazuara, ngase nuk janë me ndikim për vërtetim të ndryshëm të gjendjes faktike nga ajo që ka vërtetuar gjykata e shkallës së dytë. Sipas vlerësimi të kësaj gjykate, aktgjykimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm, Në arsyetim të aktgjykimit të kontestuar janë dhënë mjaft arsye mbi faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykate. Gjykata vlerëson se e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të paditësit [parashtruesit të kërkesës]”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar, i Gjykatës Supreme është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij themelore të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta në Mjetet Juridike] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij, në pjesën e përshkrimit të përmbledhur të fakteve thekson si në vijim: “[Parashtruesi i kërkesës] ndaj vendimeve të gjykatave të rregullta ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kërkesën për shqyrtimin e vendimit gjyqësor të jashtëzakonshëm dhe përgjigjen në ankesë”, ndërsa në pjesën e arsyetimit të kërkesës dhe shkeljeve të pretenduara të Kushtetutës, thekson se: “Vendimet e gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës janë në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një vajzë e cila quhej [“E.B”] ka ardhur spontanisht në banesën time, unë nuk e kamë njohur, ka qenë koha e FTOHTË, ka qenë e zbathur. Unë e kamë ftuar stacionin e policisë numër një (1). Një polic ka ardhur – polici me emërin [A.H.] i cili mua më ka thënë: “A mundet të qëndrojë tek ju SONTE”, ndërsa ne do të hym dhe do ta strehojmë personin por i përmendur nuk ka ardhur asnjëherë. Provë: kërkesë për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm, ankesa dhe përgjigja në ankesë.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës në pjesën e kërkesës së tij lidhur me pasqyrën e zgjidhjes së kërkuar kërkon: “[...] që të anulohen vendimet e gjykatave të rregullta në Rep.Kosovës si të pabazuara në Kushtetutë (neni 31)”.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
KONVENTA EVROPIANE PER TE DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces te rregullt)
“1. Çdo person ka te drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t'i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[ ...]”
LIGJI NR. 04/L-219 PËR TË HUAJT, I NDRYSHUAR DHE PLOTËSUAR ME LIGJIN NR. 06/L-036 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR.04/L-219 PËR TË HUAJT
Neni 36
Ndalimi për dhënien e ndihmës së jashtëligjshme për të huaj
“Asnjë i huaj nuk duhet të ndihmohet në kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror, për transit nëpër territorin ku i huaji ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Republikën e Kosovës dhe të qëndroj paligjshëm.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata duhet së pari të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata u referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe nenit 49 [Afatet] të Ligjit të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të këtë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është: (i) palë e autorizuar; (ii) konteston Aktgjykimin [ARJ.UZVP.NR.46/22] e 15 qershorit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës; (iii) ka saktësuar dispozitat kushtetuese për të cilat pretendon se janë cenuar në rastin e tij; (iv) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe (v) e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores se punës. Paragrafi 2 i rregullit 39 të Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Specifikisht, pika d e paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i rregullit 39 të Rregullores së punës përcaktojnë që:
"(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
[...]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij".
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. Këtë koncept të papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara” të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata i ka përvetësuar edhe në praktikën e saj gjyqësore përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI40/20, parashtrues Sadik Gashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021; KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 24 qershorit 2020; KI21/21, parashtrues, Asllan Meka, Aktvendim për Papranueshmëri, i 28 prillit 2021, KI107/21, parashtrues Ramiz Hoti, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021).
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës përmes Vendimit [2017-YR-865] të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të 17 nëntorit 2017, ishte dënuar me gjobë në shumë prej 4.000 (katër mijë) euro, për shkak të akomodimit të shtetases së huaj [E.B], në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit për të Huajt. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për konflikt administrativ, të cilën padi, Gjykata Themelore më 21 tetor 2020, përmes Aktgjykimit [A.nr.1925/17] e refuzoi si të pabazuar. Më 21 mars 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AA.nr.714/2020] refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, përkatësisht të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit kërkesën e tij e refuzoi si të pabazuar.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se si këto të drejta janë shkelur në rastin e tij dhe as nuk ofron ndonjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre. I njëjti vetëm thekson se: “Vendimet e gjykatave të rregullta në Republikën e Kosovës janë në kundërshtim me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. [...] dhe kërkon “[...] që të anulohen vendimet e gjykatave të rregullta në Rep.Kosovës si të pabazuara në Kushtetutë (neni 31)”.
Gjykata, në këtë kontekst thekson se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafin (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar se: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese (shih rastet e Gjykatës KI163/18, parashtrues Kujtim Lleshi, i cituar më lart, paragrafi 85, dhe KI124/20 parashtrues MuhamedAli Ceysűlmedine, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 janarit 2021, paragrafi 42).
Gjykata gjithashtu rikujton se ajo po ashtu vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës, KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 31 dhe të nenit 32 të Kushtetutës, pa arsyetuar dhe mbështetur shkeljen e të njëjtave përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme.
Prandaj, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20, 47 dhe 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (d) dhe (2), si dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 27 prill 2023, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Rexhep Kastrati
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative