Prishtinë, më 4 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2391/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI41/23
Parashtrues
Besnik Berisha
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ. nr. 126/2022] të Gjykatës Supreme, të 26 janarit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Besnik Berisha, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [ARJ. nr. 126/2022] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) të 26 janarit 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 14 [Ndalimi i Diskriminimit] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 15 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 16 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI41/23 caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI41/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 28 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi dokumente shtesë. Të njëjtën ditë, një kopje të kërkesës së parashtruesit iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 7 mars 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi dokumente shtesë në Gjykatë.
Më 31 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 1 korrik 2016, parashtruesi i kërkesës themeloi marrëdhënie të punës me Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), në pozitën e bashkëpunëtorit profesional.
Më 6 shkurt 2018, Gjykata Themelore nxori vendim për realizimin e shtesës prej 0.5 përqind mbi përvojën e punës. Me këtë vendim, parashtruesit të kërkesës i është njohur përvoja e punës në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vitesh.
Më 21 maj 2018, parashtruesi i kërkesës iu drejtua zyrës financiare në kuadër të Gjykatës Themelore, dhe kërkoi pagesën e shtesës 0.5 përqind mbi përvojën e punës, në shumën prej 306 (treqind e gjashtë) euro, në mënyrë retroaktive nga 1 korriku 2016 deri më 1 shkurt 2018.
Më 4 qershor 2018, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave pranë Gjykatës Themelore (në tekstin e mëtejmë: KZKA), nëpërmjet së cilës kërkoi: (i) realizimin e pagesave në emër të shtesës 0.5 përqind, në shumën prej 306 (treqind e gjashtë) euro, në mënyrë retroaktive nga 1 korriku 2016 deri më 1 shkurt 2018; dhe (ii) pagesën e shumës në vlerë 1.044.00 (njëmijë e dyzet e katër) euro, për shkak se nga periudha 1 korrik 2016 e deri më 1 shkurt 2018, nuk ishte paguar sipas koeficientit 9 të pagës.
Më 3 korrik 2018, KZKA-ja iu përgjigj parashtruesit të kërkesës dhe konsideroi që kërkesat e tij nuk ishin kompetencë e këtij komisioni.
Më 13 korrik 2018, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPMSHCRK). Parashtruesi i kërkesës përsëriti kërkesat e njëjta dhe kërkoi që KPMSHCRK-ja të miratonte kërkesën e tij në lidhje me kompensimet financiare.
Më 24 shtator 2018, KPMSHCRK-ja obligoi KZKA-në të merrte vendim në lidhje me këtë çështje.
Më 4 tetor 2018, KZKA-ja refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Kjo e fundit arsyetoi se ngritja e koeficientit apo pagesa retroaktive nuk mund të bëhet pa qenë e planifikuar në buxhetin e institucionit.
Më 18 tetor 2018, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në KPMSHCRK kundër vendimit të KZKA-së.
Më 3 dhjetor 2018, KPMSHCRK-ja refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.
Më 31 dhjetor 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore kundër vendimit të KPMSHCRK-së. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se pagesa e tij është bërë në bazë të koeficientit 8 të pagës, përderisa bashkëpunëtorët profesional që punojnë në Prokurori apo në Zyre të Prokurimit Disiplinor janë paguar me koeficient 9 të pagës, përkundër që detyrat e tyre të punës dhe pozitat janë të njëjta. Në lidhje me shtesën mbi përvojën e punës, parashtruesi i kërkesës pretendonte se ishte njoftuar për çështjen e shtesës së përvojës së punës në vitin 2018 dhe kërkesën e tij e kishte paraqitur brenda afatit ligjor. Nga viti 2016 kur kishte hyrë në punë e deri në vitin 2018 nuk i ishte realizuar pagesa e shtesës mbi përvojën e punës, gjë të cilën nuk e kishte ditur.
Më 23 korrik 2021, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [A. nr. 3093/2018] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Themelore arsyetoi si në vijim:
“Po ashtu me listat e pagave të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë për paditësin për periudhën kohore nga dt.01.06.2016 deri më dt.30.11.2018, është kompensuar për punën e tij, duke u bazuar në këtë akt emërim që ka qenë me koeficient tetë. Kurse me vendimin me numër KGJK. nr. 366/2017 të datës 27.12.2017 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të gjithë “bashkëpunëtorët profesional” të punësuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës i është bërë harmonizimi, përkatësisht ngritja e koeficientit nga tetë (8) në koeficientin nëntë (9), ku në bazë të listës së pagave nga muaji mars 2018 ka filluar të bëhet kompensimi me koeficientin nëntë (9). Në këtë kuptim, Gjykata vëren se paditësi për punën e tij është paguar sikurse të gjithë nëpunësit tjerë civilë të nivelit të njëjtë ...”.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, janë organe të pavarura dhe të njëjtat e bëjnë menaxhimin e Gjykatave, përkatësisht Prokurorive, stafit mbështetës dhe pagave në pajtim me ligjet e tyre të veçanta dhe aktet nënligjore që i nxjerrin për zbatimin e këtyre ligjeve. Dhe se ngritja e koeficientit të nëpunësve të tyre civilë mund të bëhet me vendime të veçanta të secilit institucion veç e veç, e cila ngritje duhet të konfirmohet pastaj nga Ministria e Administratës Publike, ashtu siç ka ndodhur në rastin e marrjes së vendimit të KGJK-së të dt.17.12.2017, për harmonizimin e koeficienteve të pagës për të punësuarit e saj, i cili vendim është lejuar të procedohet nga Ministria e Administratës Publike. Sipas vlerësimit të Gjykatës, paditësi mund të thirret në diskriminim vetëm në situatën e cila do të ndodhte në raport me bashkëpunëtorët e tjerë profesional që punojnë në Gjykata, por jo edhe në raport me të punësuarit nëpër institucione tjera shtetërore”.
Parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së dispozitave procedurale dhe konstatimit të gabuar të gjendjes faktike.
Më 28 shtator 2022, Gjykata e Apelit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit konstatoi se:
“Qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të bazuar në ligj në tërësi e pranon edhe kjo gjykatë, për arsye se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje të dispozitave procedurale të Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat shkelje gjykata e shkallës së dytë i heton sipas detyrës zyrtare në bazë të nenit 194 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, të aplikueshëm sipas nenit 63 të Ligjit për Konfliktet Administrative”.
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatën Supreme për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor dhe kërkoi që të prishen aktgjykimet e gjykatave më të ulëta dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Më 26 janar 2023, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [ARJ. nr. 126/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
“Andaj janë të qëndrueshme konkludimet e gjykatave të instancave më të ulëta se secili institucion dhe si në rastin konkret KGJK dhe KPK, janë organe të pavarura, nxjerrin rregullore, vendime dhe akte të tjera sipas kompetencës për menaxhimin e institucionit që i përket dhe vendimeve dhe akteve të tjera si në rastin konkret që KGJK nxjerrë Vendimin për paga, i konfirmuar nga MAP sipas referencës së dt.13.02.2018. Prandaj, paditësi nuk mund të thirret në diskriminim duke u bazuar në akte të institucionit në të cilin nuk është i punësuar”.
“Gjykata Supreme vlerëson se gjykatat e instancave më ulëta dhe organi administrativ i paditur si në vendimin e tij përfundimtar, drejtë kanë zbatuar dispozitat LPA-së, LKA-së, të LPK-së dhe të drejtën materiale. [...] Aktgjykimi i kontestuar i gjykatës së shkallës së dytë është i qartë dhe i kuptueshëm në arsyetimin e tij janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kjo gjykatë, sepse nuk është cenuar ligji edhe e drejta në dëm të paditësit”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i gjykatave të rregullta ishte diskriminues dhe shkel nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se, “Gjykatat në arsyetimet e tyre aludojnë se KGJK dhe KPK janë organe të pavarura, mirëpo me ose pa qëllim nuk përmend faktin se psh. Zyra e Prokurorit Disiplinor-ZPD (në të cilën bashkëpunëtori profesional është pagur me koeficient 9) në periudhën kontestuese nuk ka qenë organ i pavarur, por ka qenë njësi-departament në kuadër të së paditurës KGJK-së, kjo ngase i gjithë rekrutimi, menaxhimi dhe kompensimi i personelit të kësaj zyre është bërë nga KGJK-ja, për më tepër edhe themelimi i kësaj Zyre është bërë duke u bazuar në Ligjin nr.03/L-223 për KGJK-në, andaj nuk mund të qëndroj arsyetimi se nuk ka pasur diskriminim në koeficient për bashkëpunëtorët që kanë punuar në gjykatë dhe atyre në ZPD, pasi që punëdhënësi në rastin konkret ka qenë i njëjtë. Kjo dëshmohet edhe përmes akt emërimeve për punonjësit e ZPD-së të cilat i ka lëshuar e paditura KGJK-ja. Se pala ankuese nuk është trajtuar barabartë e dëshmojnë edhe aktgjykimet A.nr.2548/ të dt. 09.09.2021 dhe aktgjykimi AA.nr.949/2021 i dt. 07.06.2022, pasi që me këto aktgjykime është vërtetuar se KGJK nuk i ka trajtuar të barabartë punonjësit e tyre, këto aktgjykime i gjeni të bashkëngjitura”.
Parashtruesi i kërkesës pretendon më tej se, “Ankuesi i takon Shërbimit Civil andaj Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, në rastin e ankuesit ka dështuar që të siguroj respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil dhe i cili pasqyron diversitetin e popullit të Kosovës dhe këtë e ka bërë duke mbrojtur qëndrimin se institucionet janë të pavarura në përcaktimin e koeficienteve për punonjësit e tyre, e nëse do ishte kështu atëherë cili do të ishte kuptimi i Ligjit për Shërbimin Civil dhe aktet tjera normative të kësaj natyre të legjislacionit”.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
NENI 14
Ndalimi i diskriminimit
Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.
LIGJI Nr. 03/L-147 PËR PAGAT E NËPUNËSVE CIVILË
Neni 3
Mbrojtja e të drejtave për pagë
1. E drejta e nëpunësve civilë për pagë të drejtë dhe të rregullt është e garantuar në bazë të kushteve të përcaktuara me këtë ligj dhe me Ligjin e Shërbimit Civil.
2. Institucionet e administratës publike të Republikës së Kosovës janë të detyruara të paguajnë pagë të njëjtë për punën me vlerë të njëjtë.
Neni 5
Paga bazë
1. Paga bazë, sipas këtij ligji është rezultat i çmimit të punës, përkatësisht vlerës për punën e thjeshtë dhe koeficientet e caktuar për çdo grup e nëngrup, si dhe shumat e rritura të përvojës së punës, për çdo vit të plotë, në përqindje të caktuar;
2. Paga bazë sipas këtij ligji është rezultat i angazhimit dhe përkushtimit të nëpunësit civil në pozitën e tij të punës në raport me tërësinë e pozitave të tjera të punës të përcaktuara me akt nënligjor nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Neni 21
[Parimet e përgjithshme]
[...]
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht ...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ. nr. 126/2022] e Gjykatës Supreme të 26 janarit 2023, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me nënrregullin (2), të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) “Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
[...]
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, Vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata përsërit se parashtruesi i kërkesës pretendon që akti i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së. Gjykata në vazhdim do t’i trajtojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, dhe do t’i aplikoj ato në rrethanat e rastit konkret.
Në lidhje me pretendimet për shkeljen e nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së
Gjykata rikujton se bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, kur parashtruesi i kërkesës ngre pretendime për diskriminim, ai duhet të dëshmojë që është trajtuar ndryshe nga personi apo grupi i personave në pozita të ngjashme me të (rasti i GJEDNJ-së, Molla Sali kundër Greqisë, nr. 20452/14, Aktgjykim i 19 dhjetorit 2018, paragrafi 131). Gjykata rikujton se jo të gjitha ndryshimet në trajtim përbëjnë diskriminim. Diskriminim cilësohet vetëm nëse dallimet në trajtim nuk ndjekin një qëllim legjitim dhe të arsyeshëm (rasti i GJEDNJ-së, D. H. dhe të tjerët kundër Republikës së Çekisë, nr. 57325/00, paragrafi 175). Diskriminimi mund të ngritët vetëm atëherë kur dallimi në trajtim bazohet në një karakteristikë të identifikueshme apo status të caktuar (rasti i Gjykatës KI59/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 shkurtit 2021, paragrafi 52; rasti i Gjykatës KI184/21, parashtruese Sabrije Bytyçi, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 shkurtit 2022, paragrafi 56; rasti i Gjykatës KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 shkurtit 2022, paragrafi 87).
Gjykata përsërit se kur analizohet çështja e diskriminimit sipas standardeve të GJEDNJ-së, vlerësohet si në vijim: (i) a ka pasur një ndryshim në trajtimin e personave në situata analoge ose relativisht të ngjashme; (ii) nëse po, a justifikohet objektivisht një ndryshim i tillë, pra a ndjek një qëllim legjitim; dhe (iii) dhe mjetet e përdorura për realizimin e qëllimit legjitim a janë proporcionale (rasti i Gjykatës KI45/20 dhe KI46/20, parashtrues Tinka Kurti dhe Drita Millaku, Aktgjykim i 26 marsit 2021, paragrafët 84-85).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës themeloi marrëdhënie të punës në Gjykatën Themelore, në pozitën e bashkëpunëtorit profesional, nga 1 korriku 2016. Sipas akt emërimit të punës, paga e parashtruesit të kërkesës ishte me koeficientin 8 (tetë). Në vitin 2017, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nxori vendim për harmonizimin e pagave dhe vendosi që bashkëpunëtorët profesional të gjykatave të kishin pagë me koeficientin 9 (nëntë). Parashtruesi i kërkesës nëpërmjet kërkesëpadisë kërkonte që të paguhej në mënyrë retroaktive për periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2017, kur u pagua në bazë të koeficientit 8 (tetë) dhe jo 9 (nëntë). Parashtruesi i kërkesës pretendon që bashkëpunëtorët profesional që punojnë në Prokurori janë paguar me koeficientin 9 (nëntë) të pagës, përkundër që pozita e tyre është e njëjtë.
Gjykata vëren se gjykatat e rregullta refuzuan kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial janë institucione të pavarura dhe vendosin vet në lidhje me koeficientet e pagave për punonjësit e tyre, me miratimin e Ministrisë përkatëse. Gjykatat e rregullta argumentuan që parashtruesi i kërkesës është paguar njëjtë sikurse të gjithë punonjësit e tjerë të Këshillit Gjyqësor, që kishin pozitë të njëjtë me të.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që dallimi në paga midis bashkëpunëtorëve profesional të gjykatave dhe bashkëpunëtorëve profesional në Prokurori është diskriminues dhe në kundërshtim me dispozitën ligjore të Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civilë, që përcakton se Institucionet e administratës publike të Republikës së Kosovës janë të detyruara të paguajnë pagë të njëjtë për punën e njëjtë.
Parashtruesi i kërkesës nuk ngre çështje të diskriminimit brenda institucionit ku ai punon, e as nuk pretendon se brenda të njëjtit institucion për punë të njëjtë dikush është paguar ndryshe në krahasim me të. Krahasimin ai e bën me bashkëpunëtorët profesional në kuadër të prokurorive, të cilët për një kohë janë paguar më shumë, deri kur koeficientet e pagave të bashkëpunëtorëve profesional brenda dy institucioneve ishin harmonizuar.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës në momentin kur ka themeluar marrëdhënie të punës me Këshillin Gjyqësor, në bazë të akt emërimit të punës, e ka ditur që në fillim për nivelin e koeficientit të pagës që do ta marrë në pozitën e bashkëpunëtorit profesional. Për më tepër, në vitin 2017, me qëllim të harmonizimit të koeficientit të pagave, Këshilli Gjyqësor mori vendim për rritjen e koeficientit të pagës për bashkëpunëtorët e saj profesional, nga koeficienti 8 (tetë) në 9 (nëntë), duke i barazuar me bashkëpunëtorët profesional të Këshillit Prokurorial. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kishte për qëllim diskriminimin e parashtruesit të kërkesës e as trajtimin e pabarabartë të punonjësve brenda institucionit, por përkundrazi bëri përpjekje për ngritjen dhe harmonizimin e pagave.
Gjykata thekson se në atë periudhë, nuk kishte një akt të përgjithshëm me të cilën rregulloheshin pagat në sektorin publik, por përcaktimi i tyre u bë me akte të veçanta të institucioneve publike, përfshirë edhe Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial.
Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 14 të KEDNJ-së, përkitazi me barazinë para ligjit, janë pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, prandaj duhet të refuzohen si të pabazuara.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullat 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 31 janar 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Besnik Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile