Prishtinë, më 23 dhjetor 2024
Nr. Ref.: AGJ 2594/24
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI105/24
Parashtruese
Imrije Kadriu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 2125/22
të Gjykatës së Apelit, të 23 shkurtit 2024
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Bajram Ljatifi, gjyqtar
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesja e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Imrije Kadriu, nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës), e përfaqësuar nga Xhavit Mahmuti, avokat në Komunën e Ferizajt.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac. nr. 2125/22] të 23 shkurtit 2024 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 1747/21] e 1 marsit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 prill 2024, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 7 maj 2024, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI105/24] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe përmes Vendimit [Nr. KSH. KI105/24] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese) dhe Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 20 maj 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesen e kërkesës dhe Gjykatën e Apelit për regjistrimin e kërkesës.
Më 14 qershor 2024, Gjykata i kërkoi Gjykatës Themelore që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi për dorëzimin e përgjigjes në ankesë të Komunës së Shtimes - Drejtoria për Arsim (në tekstin e mëtejmë: Komuna e Shtimes) te parashtruesja e kërkesës apo të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës.
Më 28 qershor 2024, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 23 shtator 2024, parashtruesja e kërkesës përmes parashtresës dorëzoi dokumente shtesë në Gjykatë, përkatësisht 3 (tri) Aktvendime të Gjykatës Themelore përmes të cilave kjo e fundit nëpërmjet pajtimit gjyqësor kishte vendosur në favor të mësimdhënësve.
Më 26 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata, në përbërje të plotë pas këshillimit, me 6 (gjashtë) vota për dhe 3 (tre) kundër, vendosi: (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [Ac. nr. 2125/22] i 23 shkurtit 2024 i Gjykatës së Apelit nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta pë një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se, më 25 korrik 2013, parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar kërkesë pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (në tekstin e mëtejmë: MASHT) për licencë të mësimdhënëses, kërkesë kjo e cila i ishte aprovuar përmes Aktvendimit [Nr. 1021050] mbi licencimin e mësimdhënësit të MASHT-it, të 20 majit 2014, ku të njëjtës iu lëshua “licenca e mësimdhënëses së karrierës”, e vlefshme nga 20 maji 2014 deri më 20 maj 2019. Më tej, rezulton se parashtruesja e kërkesës është e punësuar në pozitën e mësimdhënëses - mësueses së klasës në shkollën fillore të mesme të ulët “Skënderbeu” në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes dhe me këtë të fundit ka nënshkruar 2 (dy) kontrata pune, përkatësisht më 14 janar 2016 dhe 1 shtator 2020.
Më 23 qershor 2021, parashtruesja e kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore kundër Komunës së Shtimes, përmes së cilës kërkoi pagesën e diferencës së pagës shtesë për licencim dhe kompensimin e pagës shtesë për avancim në karrierë.
Më 1 mars 2022, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C. nr. 1747/21] (i) aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, ashtu që detyroi Komunën e Shtimes që në emër të diferencës së papaguar në pagë për licencim - gradim t’i paguaj parashtrueses së kërkesës 1,377.81 euro (njëmijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë euro e tetëdhjetë e një cent) për periudhën kohore nga 1 qershori 2018 deri më 31 gusht 2020 dhe 276.75 euro (dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë euro e shtatëdhjetë e pesë centë) për periudhën kohore nga 1 shtatori 2020 deri më 21 janar 2021. Ndërkaq, përmes aktgjykimit të lartcekur, Gjykata Themelore (ii) refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë së parashtrueses së kërkesës për pagesë të diferencës në pagë për periudhën kohore nga 18 prilli 2017 deri më 30 maj 2018, si të parashkruar sipas nenit 87 (Afati i parashkrimit) të Ligjit Nr 03/L-212 të Punës (GZ, numër 90, 1 dhjetor 2010) (në tekstin e mëtejmë: Ligji i Punës); dhe për pagesën e 680.00 eurove (gjashtëqind e tetëdhjetë euro) në emër të avancimit në karrierë për periudhën kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019.
Përmes aktgjykimit të lartpërmendur, Gjykata Themelore konstatoi se Komuna e Shtimes ishte e obliguar që parashtrueses së kërkesës t’ia kompensojë diferencën në pagë për licencim, për periudhën nga 1 qershori 2018 deri më 31 gusht 2020, sipas pikës 1.3 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive të Arsimit të vitit 2017 dhe se këtë obligim e kishte pranuar kur parashtrueses së kërkesës, në emër të kualifikimit, i kishte paguar shumën prej 58.32 euro (pesëdhjetë e tetë euro e tridhjetë e dy centë), për çdo muaj. Ndërkaq, lidhur me refuzimin e kërkesës për kompensim në emër të avancimit në karrierë në lartësi prej 10% të pagës bazë, në arsyetimin e aktgjykimit të saj, Gjykata Themelore, duke iu referuar pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, vlerësoi se nuk kishte arritur që me asnjë provë materiale të gjejë se parashtruesja e kërkesës ishte avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019.
Më 11 mars 2022, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C. nr. 1747/21] të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetim të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Më 24 mars 2022, Komuna e Shtimes dorëzoi në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesën e parashtrueses së kërkesës, përmes së cilës i refuzoi pretendimet ankimore të kësaj të fundit dhe i propozoi Gjykatës së Apelit që të vërtetojë aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.
Më 23 shkurt 2024, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 2125/22] e refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin [C. nr. 1747/21] e 1 marsit 2022 të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit arsyetoi se (i) kërkesa e parashtrueses së kërkesës për kompensim të diferencës në pagë për periudhën kohore nga 18 prilli 2017 deri më 30 maj 2018 ishte parashkruar sipas nenit 87 (Afati i parashkrimit) të Ligjit të Punës; dhe se (ii) nuk ishte dëshmuar me asnjë provë materiale plotësimi i kushtit ligjor për kompensim në emër të përparimit në karrierë sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, respektivisht Gjykata e Apelit konstatoi që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dëshmuar se është avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenet 1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës) dhe 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendon se Aktgjykimi [Ac. nr. 2125/22] i 23 shkurtit 2024 i Gjykatës së Apelit shkel të drejtën e saj për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkatësisht (i) parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit; (ii) të drejtën për vendim të arsyetuar gjyqësor; dhe (iii) parimin e sigurisë juridike, si rezultat i moskonsistencës së vendimmarrjes gjyqësore.
Parashtruesja e kërkesës thekson se sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e drejta për një proces kontradiktor nënkupton që palët duhet të jenë në dijeni për çdo dokument ose vërejtje të paraqitur gjyqtarit, dhe një magjistrati të pavarur, me qëllim që të ndikojë në vendimin e tij. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës thekson se është shkelur parimi i barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit, për faktin se, Gjykata e Apelit, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 187 (Pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore (GZ. numër 38, 20 shtator 2008) (në tekstin e mëtejmë: LPK), nuk ia ka dorëzuar përgjigjen në ankesë të të paditurës, respektivisht përgjigjen në ankesë të Komunës së Shtimes. Rrjedhimisht, sipas parashtrueses së kërkesës, asaj i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Më tej, parashtruesja e kërkesës para Gjykatës thekson se sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së, gjykatat kanë për obligim që të japin arsye për aktgjykimet e tyre, duke iu ofruar palëve përgjigje në argumentet që janë vendimtare për rezultatin e procesit gjyqësor. Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës pretendon se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit nuk i përmbushë kriteret e një vendimi të arsyetuar gjyqësor dhe se përmes këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka anashkaluar shqyrtimin dhe vlerësimin si provë materiale të Aktvendimit [Nr. 1021050] mbi licencimin e mësimdhënëses dhe të certifikatës së licencës së mësimdhënëses, të cilat i kishte dorëzuar në mbështetje të kërkesëpadisë.
Në lidhje me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike, parashtruesja e kërkesës thekson se Gjykata Themelore ka shkelur parimin e sigurisë juridike për shkak të qasjes jokonsistente në marrjen e vendimeve. Më konkretisht, parashtruesja e kërkesës ka dorëzuar në Gjykatë 2 (dy) aktgjykimet e Gjykatës Themelore, në rastet e SH.A., dhe B.O, në lidhje me të cilat pretendon se është vendosur ndryshe edhe pse të njëjtat ngërthejnë rrethana faktike dhe juridike të ngjashme me ato të parashtrueses së kërkesës.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës lidhur me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së
Parashtruesja e kërkesës thekson se përmes aktgjykimeve të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit i është shkelur e drejta në pronë, e garantuar përmes nenit 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, parashtruesja e kërkesës pretendon se në procedurën e zhvilluar pranë gjykatave të rregullta ka paraqitur prova të mjaftueshme që argumentojnë “pritjen legjitime” për gëzimin e të drejtës pronësore, konkretisht realizimin e të ardhurave. Sipas parashtrueses së kërkesës, përveç se me kontratën e punës, diplomën e fakultetit dhe listën e pagës mujore, “pritjen legjitime” e kishte argumentuar me Aktvendimin mbi licencimin e mësimdhënëses dhe certifikatën e licencës së mësimdhënëses. Për më shumë, parashtruesja e kërkesës thekson se kompensimi lidhur me përparimin në karrierë, në lartësi prej 10% në muaj, është përcaktuar me pikën 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive të Arsimit dhe se këtë të drejtë e kishte fituar pas një sërë trajnimesh.
Në fund, parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata që (i) ta shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktgjykimi [Ac. nr. 2125/22] i Gjykatës së Apelit në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 1747/21] e Gjykatës Themelore janë në kundërshtim me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së; (iii) t’i shpallë të pavlefshme aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore; (iv) ta kthejë aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për rivendosje në pajtim me aktgjykimin e Gjykatës; dhe (v) ta urdhërojë Gjykatën e Apelit që të njoftojë Gjykatën për masat e ndërmarra për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës.
DISPOZITAT PËRKATËSE KUSHTETUESE DHE LIGJORE
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
[...]”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
Neni 1 i Protokollit Nr. 1
(Mbrojtja e pronës )
“1. Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij. Askush nuk mund të privohet nga prona e tij, përveçse për arsye të interesit publik dhe në kushtet e parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë, dispozitat e mëparshme nuk cënojnë të drejtën e Shteteve për të zbatuar ligje, që ato i çmojnë të nevojshme për të rregulluar përdorimin e pasurive në përputhje me interesin e përgjithshëm ose për të siguruar pagimin e taksave ose të kontributeve ose të gjobave të tjera”.
LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 187
(Pa titull)
“187.1 Një ekzemplar të ankesës së paraqitur me kohë, të lejueshme dhe të plotë, gjykata e shkallës së parë ia dërgon palës kundërshtare, e cila mundet, brenda afatit prej shtatë ditësh, të paraqesë po në këtë gjykatë përgjigje në ankese.
187.2 Një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit shtatë ditor nga arritja e saj në gjykatë.
[…]”
LIGJI NR. 03/L-212 I PUNËS
Neni 87
(Afati i parashkrimit)
“Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.”
KONTRATA KOLEKTIVE E ARSIMIT NË KOSOVË (2017)
Neni 7
Licencimi
“Me licencim fitohet e drejta për punë, avancim në karrierë dhe zhvillim profesional në bazë të legjislacionit të punës në fuqi. Të punësuarve u mundësohet kualifikimi pa shkëputje nga puna sipas legjislacionit të arsimit në fuqi, dhe mbi bazën e kualifikimit, dhe mbi bazën e kualifikimit dhe atë
[...]
1.5.Përparimet në karrierë, caktohet lartësia e pagës dhe lëvizja në gradim që përcillet me ngritje page 10%.
[...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesja e kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 2125/22] e 23 shkurtit 2024 të Gjykatës së Apelit, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 34 të Rregullores së punës. Për më tepër dhe në fund, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar siç është e përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës dhe, rrjedhimisht, ajo duhet deklaruar e pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim në emër të avancimit në karrierë. Në lidhje me këtë, parashtruesja e kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore kundër Komunës së Shtimes, përmes së cilës kërkoi pagesën e diferencës së pagës shtesë për gradim dhe pagesën e pagës shtesë për karrierë. Gjykata Themelore aprovoi pjesërisht si të bazuar kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, ashtu që aprovoi kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim në emër të diferencës së papaguar në pagë për licencim - gradim ndërkaq refuzoi pjesën tjetër të kërkesëpadisë për kompensim në emër të avancimit në karrierë, me arsyetimin se nuk kishte arritur që me asnjë provë materiale të gjejë se parashtruesja e kërkesës ishte avancuar në karrierë, gradim apo kualifikim gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019. Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesja e kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe vlerësimit të gabuar të gjendjes faktike dhe juridike, ndaj të cilës, më pas, Komuna e Shtimes dorëzoi përgjigje në ankesë. Gjykata e Apelit, përmes aktgjykimit, e refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke vlerësuar se nuk ishte dëshmuar me asnjë provë materiale plotësimi i kushtit ligjor për kompensim në emër të përparimit në karrierë sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, respektivisht që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dëshmuar se është avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019.
Parashtruesja e kërkesës i konteston konstatimet e mësipërme të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, me pretendimin se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të (i) shkeljes së parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural; (ii) mosarsyetimit të vendimit gjyqësor; dhe (iii) cenimit të parimit të sigurisë juridike si rezultat i jokonsistencës në vendimmarrje gjyqësore. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Në vijim, Gjykata do ta vlerësojë pretendimin e parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe më pas me vlerësimin e pretendimit për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Përkitazi me pretendimin për shkeljen e parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural
Parimet e përgjithshme
Parimi i barazisë së armëve është i qenësishëm në konceptin më të gjerë të gjykimit të drejtë dhe të paanshëm dhe është ngushtësisht i lidhur me parimin e kontradiktoritetit (shih rastin e GJEDNJ-së Regner kundër Republikës Çeke, nr. 35289/11, Aktgjykim i 19 shtatorit 2017, paragrafi 146). Kriteri i “barazisë së armëve”, në kuptim të “ekuilibrit të drejtë” ndërmjet palëve, në parim zbatohet në rastet civile sikurse edhe penale (shih, rastin e GJEDNJ-së Werner kundër Austrisë, nr. 21835/93, Aktgjykim i 24 nëntorit 1997, paragrafi 66; dhe rastin e Gjykatës KI84/21, parashtrues Telekomi i Kosovës Sh.A, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2021, paragrafi 103).
Fillimisht, Gjykata vë në pah se, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, neni 6 i KEDNJ-së, detyron gjykatat që të bëjnë shqyrtim të mirëfilltë të parashtresave, të argumenteve dhe të provave të paraqitura nga palët dhe të vlerësojnë, pa paragjykim, nëse ato janë të rëndësishme dhe me peshë për vendimin e saj (shih, rastin e GJEDNJ-së Kraska kundër Zvicrës, nr. 13942/88, Aktgjykim i 19 prillit 1993, paragrafi 30). Një detyrim i tillë për gjykatat jetësohet, ndër të tjera, përmes zbatimit të parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritetit gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Parimi i kontradiktoritetit procedural në anën tjetër, nënkupton që palët në procedurë duhet të kenë dijeni dhe mundësi të komentojnë dhe kundërshtojnë pretendimet dhe provat që paraqitën gjatë shqyrtimit gjyqësor (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së, Brandstetter kundër Austrisë, nr. 11170/84 2876/87 13468/87, Aktgjykim i 28 gushtit 1991; dhe Vermeulen kundër Belgjikës, nr. 19075/91, Aktgjykim i 20 shkurtit 1996, paragrafi 33; dhe rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 101).
Duke u referuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata potencon se parimi i barazisë së armëve dhe parimi i kontradiktoritetit procedural janë të lidhur ngushtë dhe në shumë raste GJEDNJ i ka trajtuar së bashku (shih, rastet e GJEDNJ-së, Rowe and Davis kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 28901/95, Aktgjykim i 16 shkurtit 2000; Zahirović kundër Kroacisë, nr. 58590/11, Aktgjykim i 25 korrikut 2013; dhe rastet e Gjykatës KI67/22, cituar më lart, paragrafi 54; dhe KI84/21, cituar më lart, paragrafi 102).
Megjithatë, GJEDNJ ka theksuar se e drejta e palëve lidhur me të drejtë për një gjykim të drejtë duke përfshirë edhe parimin e “barazisë së armëve” nuk është absolute. GJEDNJ ka vlerësuar në vazhdimësi se i takon asaj për të vendosur se a janë zhvilluar procedurat e kontestuara, si tërësi, në përputhje me Konventën, duke përshirë edhe nenin 6 të saj. Në këtë kontekst, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, paragrafi 1 i nenit 6 të KEDNJ-së i detyron gjykatat që të bëjnë shqyrtim të duhur të parashtresave, argumenteve dhe provave të paraqitura nga palët në procedurë, pa paragjykuar se cili do të jetë ndikimi i tyre për vendimin e gjykatës (shih, rastet e GJEDNJ-së Kraska kundër Zvicrës, cituar më lart, paragrafi 30; Barberà, Messegué dhe Jabardo kundër Spanjës, nr. 10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988; dhe rastin e Gjykatës KI67/22, cituar më lart, paragrafi 57).
Në këtë drejtim, GJEDNJ ka theksuar se sipas parimit të “barazisë së armëve” dhe kontradiktoritetit procedural, është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, të cilat kanë për qëllim që të ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës, pa dijeninë e palës tjetër dhe pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet në to. Sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, i takon palës së përfshirë në procedurë pastaj të vlerësojë nëse vërejtjet apo komentet e paraqitura nga pala tjetër meritojnë reagim (shih, rastet e GJEDNJ-së APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, nr. 32367/96, Aktgjykim i 5 janarit 2011, paragrafi 42; Guigue dhe SGEN-CFDT kundër Francës, nr. 59821/00, Vendim i 6 janarit 2004; dhe rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 104).
Zbatimi i parimeve të përgjithshme ndaj rrethanave të rastit konkret
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, respektivisht shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit me arsyetimin se Gjykata e Apelit nuk ia ka dorëzuar asaj përgjigjen në ankesë të cilën e kishte parashtruar Komuna e Shtimes.
Në këtë kontekst, Gjykata fillimisht thekson se më 11 mars 2022 parashtruesja e kërkesës kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Themelore kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, ankesë kjo e cila sipas fletëkthesës i është dorëzuar Komunës së Shtimes më 16 mars 2022. Kundër ankesës së parashtrueses së kërkesës, më 24 mars 2022, Komuna e Shtimes parashtroi në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesë.
Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës para Gjykatës pretendon se Gjykata e Apelit nuk ia ka dorëzuar asaj përgjigjen në ankesë të cilën e kishte parashtruar Komuna e Shtimes, siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 187 të LPK-së.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 2 të nenit 187 të LPK-së, i cili përcakton se: “Një ekzemplar të përgjigjes në ankesë gjykata e shkallës së parë ia dërgon ankuesit menjëherë, ose më së voni brenda afatit shtatë ditor nga arritja e saj në gjykatë”.
Në lidhje me pretendimin e lartcekur të parashtrueses së kërkesës, Gjykata fillimisht rikujton se përmes shkresës së 14 qershorit 2024, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të dorëzojë në Gjykatë dëshmi për dorëzimin e përgjigjes në ankesë të Komunës së Shtimes tek parashtruesja e kërkesës apo të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës. Në këtë drejtim, më 28 qershor 2024, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Në kontekst të pretendimit të parashtrueses së kërkesës, Gjykata vëren se nga dosja e plotë e lëndës të cilën Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë nuk ekziston fletëkthesa e cila dëshmon që përgjigja në ankesë e paraqitur në Gjykatën e Apelit nga Komuna e Shtimes i është dorëzuar parashtrueses së kërkesës.
Në dritën e këtyre fakteve dhe rrethanave, Gjykata thekson se neni 187 i LPK-së është në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës e që ndërlidhen me garancinë për zbatimin e parimit të barazisë së armëve dhe parimit të kontradiktoritetit në procedurë para gjykatave. Respektimi i kërkesave dhe standardeve që rrjedhin nga këto dy parime është në funksion të mbrojtjes sa më efektive të palëve kundërshtare në procedurë civile, të cilat janë të barabarta.
Gjykata rikujton se sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, të cilat kanë për qëllim që të ndikojnë në vendimmarrjen e gjykatës, pa dijeninë e palës tjetër dhe pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet në to. Rrjedhimisht, i takon palës së përfshirë në procedurë pastaj të vlerësojë nëse vërejtjet apo komentet e paraqitura nga pala tjetër meritojnë reagim (shih, rastet e GJEDNJ-së APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, cituar më lart, paragrafi 42 dhe Guigue dhe SGEN-CFDT kundër Francës, nr. 59821/00, Vendim i 6 janarit 2004; si dhe rastin e Gjykatës KI84/21, cituar më lart, paragrafi 104).
Më konkretisht, Gjykata i referohet rastit të lartcekur të GJEDNJ-së APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, në të cilin parashtruesit e kërkesës pretendonin shkelje të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së pasi që Gjykata Rajonale nuk i kishte informuar ata për letrën e Presidentit të Autoritetit Tatimor të Hungarisë (në tekstin e mëtejmë: APEH) dhe për parashtresat e paraqitura nga Prokuroria Publike në shkallë të parë dhe të dytë. Në lidhje me këtë pretendim, GJEDNJ vlerësoi se edhe pse parashtresa e Prokurorisë në shkallë të dytë mund të mos kishte ndikim në themelin e çështjes, sipas parimit të barazisë së armëve, ishte çështje e palëve të vlerësojnë nëse një parashtresë meriton reagim dhe se është e papranueshme që njëra palë të bëjë parashtresa në gjykatë pa dijeninë e tjetrës dhe për të cilat kjo e fundit nuk ka mundësi të komentojë. Si rezultat, përmes aktgjykimit në rastin APEH Üldözötteinek Szövetsége dhe të tjerët kundër Hungarisë, GJEDNJ konstatoi shkelje të parimit të barazisë së armëve, dhe rrjedhimisht, shkelje të paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së.
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se mosnjoftimi i parashtrueses së kërkesës me përgjigjen në ankesë të ushtruar nga Komuna e Shtimes është në kundërshtim me parimin e kontradiktoritetit procedural, përkatësisht me obligimin procedural që Gjykata e Apelit kishte për dorëzim të përgjigjes në ankesë tek parashtruesja e kërkesës sipas paragrafit 2 të nenit 187 të LPK-së, meqenëse parashtruesja e kërkesës është vënë në disavantazh me palën kundërshtare, duke mos qenë në dijeni për parashtresën e dorëzuar nga kjo e fundit dhe, rrjedhimisht, në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Përveç obligimit procedural të gjykatës sipas paragrafit 2 të nenit 187 të LPK-së, Gjykata po ashtu sjellë në vëmendje përmbajtjen e paragrafit 4 të nenit 187 (Pa titull) të LPK-së, përmes së cilës theksohet që edhe pse parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim nga gjykata, është në diskrecionin e kësaj të fundit që lidhur me të njëjtat të kërkojë nga pala deklaratë plotësuese. Prandaj, duke pasur parasysh dispozitën e lartcekur, e cila parasheh që parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim nga gjykata, përveç nëse kërkohet shprehimisht nga kjo e fundit, Gjykata konsideron se shkelja në rastin konkret është e natyrës deklarative.
Lidhur me pretendimet e tjera të parashtrueses së kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës para Gjykatës ka paraqitur po ashtu pretendime për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të (i) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit si dhe (ii) cenimit të parimit të sigurisë juridike si rezultat i qasjes jokonsistente të gjykatave të rregullta përkitazi me vendimmarrjen gjyqësore, duke dorëzuar në Gjykatë 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Themelore në raste të tjera. Poashtu, parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, me arsyetimin se ka pasur “pritje legjitime” për realizimin e të ardhurave financiare.
Në lidhje me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor dhe jokonsistencës në vendimmarrjen gjyqësore, Gjykata vlerëson që (i) Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore, përmes aktgjykimeve të tyre, kishin refuzuar kërkesën e parashtrueses së kërkesës për kompensim në emër të avancimit në karrierë, duke dhënë arsyetime të mjaftueshme lidhur me të, respektivisht duke sqaruar faktin që parashtruesja e kërkesës nuk kishte dëshmuar me asnjë provë materiale se është avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore prej 18 prillit 2017 deri më 20 maj 2019; dhe (ii) bazuar në praktikën e saj gjyqësore, Gjykata nuk mund të konstatojë ekzistimin e “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme që cenojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në 2 (dy) aktgjykime të Gjykatës Themelore (shih, rastet e Gjykatës KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për Papranueshmëri i 5 shtatorit 2017, paragrafi 58 dhe KI164/23, KI173/23, KI174/23, KI175/23, KI176/23 dhe KI201/23, parashtrues Murat Syla, Gentian Syla, Shqipe Kelmendi, Rinor Sogojeva, Asdren Mustafaj, dhe Besnik Elshani, cituar më lart, paragrafi 166).
Bazuar në atë çka u tha më lart, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mosarsyetimit gjyqësor dhe cenimit të parimit të sigurisë juridike si rezultat i jokonsistencës në vendimmarrje gjyqësore i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si i tillë, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Më tej, përkitazi me pretendimin e parashtrueses së kërkesës lidhur me shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, me arsyetimin se ka pasur “pritje legjitime” për realizimin e të ardhurave financiare, Gjykata thekson se në mënyrë që “pritja” të jetë legjitime, ajo duhet të jetë më konkrete se një “shpresë e thjeshtë” dhe duhet të bazohet në një dispozitë ligjore ose një akt ligjor, siç është vendimi gjyqësor, në lidhje me interesin pronësor në fjalë (shih, rastet e GJEDNJ-së Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerët kundër Belgjikës, nr. 17849/91, Aktgjykim i 20 nëntorit 1995, paragrafi 31; dhe Kopecký kundër Sllovakisë nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafi 50). Në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës i është referuar pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, në bazë të cilës pretendon se i takon kompensimi në emër të avancimit në karrierë. Megjithatë, Gjykata rikujton se gjykatat e rregullta kishin konstatuar që parashtruesja e kërkesës nuk e kishte plotësuar kushtin ligjor sipas pikës 1.5 të paragrafit 1 të nenit 7 (Licencimi) të Kontratës Kolektive, pasi që se nuk kishte arritur që të gjejë se parashtruesja e kërkesës ishte avancuar në karrierë, graduar apo kualifikuar gjatë periudhës kohore në fjalë. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, i përket kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Përfundim
Për pasojë, Gjykata konstaton se mosnjoftimi i parashtrueses së kërkesës me përgjigjen në ankesë të ushtruar nga Komuna e Shtimes është në kundërshtim me parimin e kontradiktoritetit procedural dhe, rrjedhimisht, në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Megjithatë, bazuar në elaborimin dhe konstatimet si më sipër, ku sipas ligjit të aplikueshëm parashtresat që mbërrijnë në gjykatë pas arritjes së përgjigjes në ankesë nuk merren në shqyrtim nga gjykata, përveç nëse kërkohet shprehimisht nga kjo e fundit, dhe konstatimin që pretendimet e tjera të parashtrueses së kërkesës janë të pambështetura dhe të paarsyetuara, Gjykata gjen se në rastin konkret aktgjykimi i kontestuar nuk duhet të shfuqizohet dhe që shkelja është e natyrës deklarative.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 48 (1) (a) të Rregullores së punës, më 26 nëntor 2024, me shumicë
VENDOS
TA DEKLAROJË me 6 (gjashtë) vota për dhe 3 (tre) vota kundër kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË me 6 (gjashtë) vota për dhe 3 (tre) vota kundër, se Aktgjykimi [Ac. nr. 2125/22] i 23 shkurtit 2024 i Gjykatës së Apelit nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta pë një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Imrije Kadriu
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile