Prishtinë, më 29 korrik 2024
Nr. Ref.: RK 2500/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI85/23
Parashtrues
Dardan Fisher
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-21-0759-A0001] të 23 marsit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Dardan Fisher, me vendbanim në Prizren (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga avokati Shaip Ramadani.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AC-I-21-0759-A0001] të 23 marsit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS-së) në ndërlidhje me Aktgjykimin [C-IV-15-0435] të 5 nëntorit 2021, të Kolegjit të Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese u referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, në përputhje me rregullin 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 13 prill 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) të cilën Gjykata e pranoi më 19 prill 2023.
Më 3 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI85/23] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, [nr. KSH. KI85/23] të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 5 maj 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 16 korrik 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata në përbërje të plotë pas këshillimit, vendosi të deklarojë, me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër, kërkesën të papranueshme.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës ishte në marrëdhënie pune që nga 25 marsi 1985 deri më 6 shtator 2013, në Ndërmarrjen Shoqërore DLB “Lavërtari-Blegtori” Prizren ( në tekstin e mëtejmë: NSH DLB “Lavërtari-Blegtori”).
Më 6 shtator 2013, Agjencia Kosovare e Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP) përmes Njoftimit [nr.34/52] njoftoi parashtruesin e kërkesës se i ndërpritet marrëdhënia e punës për shkak të likuidimit të NSH DLB “Lavërtaria-Blegtoria”.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, me kërkesë për kompensim për gjashtë paga në vlerën e përgjithshme prej 1,207.02 euro, për ndërprerje të parakoshme të punës.
Më 19 gusht 2014, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, me kërkesë për kompensim për paga të papaguara në shumën prej 15,657,52 euro, për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013 nga NSH “DLB Lavërtari-Blegtoria”-Prizren.
Më 3 mars 2015, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimit [PRZ009-0201] refuzoi kërkesën e parashtruesit për dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të punës, respektivisht kërkesën pë kompensim për gjashtë paga në shumën e përgjithshme prej 1,207.02 euro.
Më 3 prill 2015, Autoriteti i Likuidimit i AKP-së përmes Vendimit (PRZ009-0203) refuzoi si të pavlefshme kërkesën e parashtruar nga parashtruesi i kërkesës për kompensim pagash për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013, me arsyetimin se “kërkesa apo pretendimi është i parashkruar sipas kufizimeve kohore të aplikueshme”.
Më 21 prill 2015, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS), kundër Vendimit [PRZ009-0201] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, duke kërkuar që i njëjti të ndryshohet, të aprovohet kërkesa e parashtruesit të kërkesës dhe të urdhërohet Autoriteti i Likuidimit i AKP-së që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensoj gjashtë pagat si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës.
Më 9 qershor 2021, AKP në përgjigjen e saj i kundërshtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe propozoi që ankesa të refuzohet dhe vendimi i kundërshtuar i Autoritetit të Likuidimit të AKP-së të vërtetohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Më 7 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS, në të cilën shton se ankesa e tij ka të bëjë me Vendimin [PRZ 009-0203] të Autoritetit të Likuidimit, dhe që ndërlidhet me ankesën e tij për pagat e papaguara për periudhën 2004-2013.
Më 17 gusht 2021, DHPSGJ përmes Urdhrit [C-IV-15-0435] obligoi parashtruesin e kërkesës që të përgjigjet në parashtresën të AKP-së të 9 qershorit 2021, duke plotësuar ankesën për të sqaruar në lidhje me Vendimin [PRZ009-0203], “sepse me vendim është refuzuar kërkesa për dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës për gjashtë paga, ndërsa në ankesë ka kërkuar pagat e pa paguara për periudhën 2004-2013,”.
Më 7 tetor 2021, i autorizuari i parashtruesit të kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS-së, si dhe bashkëngjiti dokumentet si në vijim (i) Njoftimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të 6 shtatorit 2013; (ii) formularin e kërkesës kreditore për kompensim pagash për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013; (iii) formularin e kërkesës kreditore në shumën 1,207.02 euro; (iv) formularin e kërkesës kreditore në shumën prej 603,58 euro, (v) vendimin e Autoritetit të Likuidimit (PRZ 009-0201) të 23 marsit 2015; (vi) Vendimin e Autoritetit të Likuidimit (PRZ 009-0199) të 30 marsit 2015 dhe (vii) Vendimin e Autoritetit të Likuidimit (PRZ 009-0203)432 të 3 prillit 2015.
Më 12 tetor 2021, DHPGJ-së lëshoi përsëri Urdhrin [C-IV-15-0435], përmes të cilit kërkoi që “AKP të dorëzojë dëshminë se i padituri nuk ka qenë punëtor aktiv siç ka pretenduar në parashtresë të mbrojtjes” dhe më 19 tetor 2021, AKP dorëzoi parashtresën me të cilën është deklaruar se në arkiv të NSH është gjetur lista e fundit e punëtorëve e vitit 2013, dhe punëtorët e gjendur në këtë listë, nuk kanë qenë punëtor aktiv kur ka filluar procedura e likuidimit”.
Më 19 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi parashtresën me të cilën precizoi kërkesën duke kërkuar shfuqizimin e Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së [PRZ 009-0201] të 23 marsit 2015 dhe Vendimin e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së [PRZ 009-0203] të 3 prillit 2015, duke kërkuar që AKP ta dëmshpërblejë për ndërprerjen e parakohshme të marrëdhënies së punës për 6 (gjashtë) paga të paguaj shumën 1,207.92 euro dhe si kompensim për paga të papaguara për vitin 2004-2013.
Më 5 nëntor 2021, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0435], (i) aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me Vendimin [PRZ 009-0201] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, të 23 marsit 2015 (ii) duke ndryshuar Vendimin e lartpërmendur të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së ashtu që detyrohet e paditura NSH DLB “Lavërtari-Blegtori” që paditësit lidhur me ndërprerjen e parakohshme të kontratës së punës për gjashtë paga, t’ia paguaj shumën 1,207.02 euro me kamatë 10 % të shumës themelore; (iii) e hedhë poshtë si të papranueshme ankesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me Vendimin [PRZ 009-0203] e Autoritetit të Likuidimit të AKP-së të 3 prillit 2015 që ndëlidhet me kërkesën e tij për pagesën e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013.
Në arsyetim të aktgjykimit të lartpërmendur, Kolegji i Specializuar së pari thekson se bazuar në paragrafin 3 të nenit 76 të Ligjit Nr. 06/L-086 të DHPGJS-së si dhe nenin 398 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore heq dorë nga mbajtja e seancës dëgjimore. Më tej, në arsyetim të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, përkitazi me Vendimin [PRZ 009-0201] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, 23 marsit 2015 theksohet se “Gjykata vlerëson se AL si poasojë e vëretimit të gabuar të gjendjes faktike edhe ka zbatuar në mënyrë të gabuar të drejtën materiale kur ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore që paditësi të përfitoj në dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së parakohshme të kontartës së punës sipas nenit 40.1.6.2 të Shtojcës së Ligjit nr.04/L-034”, duke shtuar se edhe bazuar në provën e dorëzuar edhe nga vet AKP-ja parashtruesi i kërkesës ka qenë në listën e të punësuarve.
Sa i përket Vendimit [PRZ 009-0203] të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së të 3 prillit 2015, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së në aktgjykimin e saj theksoi se “Gjykata vlerëson se paditësi/kreditori i prekur nga e drejta e pretenduar me Vendimin e AL PRN 009-0203, që me parashtresë dt 07.10.2021 dhe dt 19.10.2021 është ushtruar pas afatit ligjor, siç e rregullon dispozita e nenit 37.7 të Shtojcës së Ligjit nr.04/L034 pasi kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga momenti kur paditësi/kreditorie ka pranuar Vendimin e AL PRN 009-0203, dt 03.04.2015 e deri në momentin e zgjerimit të saj me parashtresë dt.07.10.2021”.
Më 21 nëntor 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së kundër aktgjykimit të lartpërmendur të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike e konteston vetëm pikën 3 të dispozitivit sa i përket hedhjes poshtë të ankesës lidhur me Vendimin e Autoritet të Likuidimit të AKP-së [PRN 009-0203] të 3 prillit 2015 me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara. Sipas tij, nuk qëndron konstatimi i Gjykatës se padia është e paafatshme, pasi që kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës ngre padi më 7 prill 2015 dhe ky vendim është dërguar në gjykatë më 15 tetor 2021.
Më 24 nëntor 2021, AKP parashtroi përgjigje në ankesën e parashtruesit duke theksuar se, “Përmes ankesës e paditura kërkoi nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së që ta ndryshoj Aktgjykimin e ankimuar në pajtim me nenin 9.10 të ligjit 06/L-086 duke refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës dhe duke e vërtetuar vendimin e kundërshtuar të AL të AKP-së”.
Më 23 mars 2023, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0759-A0001], refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesit të kërkesës dhe të AKP-së si dhe vërtetoi Aktgjykimin [C-IV-15-0435] të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij thekson se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes vendimit të kontestuar ka refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe të paditurës, duke e lënë në fuqi Vendimin [C-IV-15-0435] të DHPGJS-së, i cili sipas parashtruesit së kërkesës “është kontradiktor me gjendjen faktike me rastin e parashkrimit të padisë dhe të veprimeve gjatë procedurës pa mbajtur seancë dëgjimore”.
Sipas parashtruesit të kërkesës “gjendja faktike mbeti e pavërtetuar, ngase gjykata nuk i dha rast paditësit të deklarohet lidhur me faktet vendimtare në shkresat e lëndës. Gjykata nuk tregoi as të vetmen arsye për mosmbajtjen e seancës dëgjimore, por duke e parafrazuar nenin 76.3 të Ligjit për DHP lidhur me nenin 339 të LPK-së, duke i vlerësuar si të pakontestueshme provat në shkresat e lëndës”.
Tutje thekson se “është e drejtë e pacenueshme e tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, me theks të posaçëm se rasti ka të bëjë me pasiguri procedurale për mungesë të gjykimit të drejtpërdrejtë në seancë dëgjimore dhe se mosmbajtjen e seancës dëgjimore gjykata nuk e ka arsyetuar me asgjë”.
Në fund, parashtruesi potencon se nga rrethanat e rastit ka qenë e nevojshme caktimi i një seance dëgjimore në mënyrë që të kishte një gjykim të drejtë, e mungesa e së cilës në këtë rast përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
LIGJI NR. 06/L-086 PËR DHOMËN E POSAÇME TË GJYKATËS SUPREME TË KOSOVËS PËR ÇËSHTJET NË LIDHJE ME AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 69
(Procedurat e ankesës me gojë)
“1. Me nismë të tij apo në bazë të kërkesës me shkrim nga një palë, Kolegji i Apelit vendos nëse do të mbajë një apo më shumë seanca dëgjimore lidhur me ankesën gjegjëse. Kolegji i Apelit merr parasysh çfarëdo kërkese për procedurë gojore që parashtrohet nga ndonjëra palë, e cila paraqet arsyet e saja për parashtrimin e kërkesës për procedurë gojore. Kërkesa e tillë parashtrohet para përfundimit të procedurave të ankesës me shkrim.
[...]”
Neni 76
(Konfliktet dhe interpretimi)
“[...]
3. Në interpretimin dhe zbatimin e këtij ligji, kudo që është e nevojshme për të zgjidhur një çështje procedurale që nuk trajtohet mjaftueshëm me këtë ligj, Dhoma e Posaçme do të zbatojë mutatis mutandis dispozita përkatëse të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore”.
LIGJI Nr. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
Neni 398
[Pa titull]
“Kur gjykata, pasi t’i arrijë përgjigjja në padi, konstaton se ndërmjet palëve nuk është kontestuese gjendja faktike, dhe se nuk ekzistojnë pengesa të tjera për dhënien e vendimit meritor, atëherë ajo, pa caktuar fare seancë gjyqësore, mund ta jep aktgjykimin me të cilën e pranon si të themeltë kërkesëpadinë ...”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet neneve 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ACI-21-0759-A0001] të 23 marsit 2023, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullit (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38)..
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me dy kërkesa që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur tek Autoriteti i Likuidimit i AKP-së, që ndërlidhen me (i) kompensimin e pagave të papaguara për periudhën tetor 2003-qershor 2014, si dhe (ii) kërkesën për kompensimin e gjashtë pagave si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës. Autoriteti i Likuidimit i AKP-së, përmes dy vendimeve refuzon kërkesat e parashtruesit. Kësisoj, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në DHPGJS, kundër AKP-së dhe, përmes së cilës kërkoi që t’i njihej e drejta e kompensimit për gjashtë pagat si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës. Më pas përmes një parashtrese kërkoi gjithashtu që të shfuqizohet Vendimi i Autoritetit të AKP-së që ndërlidhet me pagat e papaguara për periudhën kohore të 2004-2013. DHPGJS lëshoi një urdhër duke kërkuar nga parashtruesi i kërkesës që të qartësoj kërkesën e vet sepse e njëjta është kontradiktore. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së aprovoi kërkesën e parashtruesit që ndërlidhet me pagesën e gjashtë, e që ndërlidhet me ndërprerjen e parakohshme të punës, ndërsa kërkesën e parashtruesit lidhur me pagesën e pagave nga viti 2004 deri në 2013, e hodhi poshtë si të papranueshme, me arsyetimin se ky vendim nuk ka qenë objekt i kërkesëpadisë. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegj të Apelit të DHPGJS-së, ku në mënyrë specifike e konteston vetëm hedhjen poshtë të ankesës sa i përket Vendimit të Autoritetit të AKP-së 009-0203 të 3 prillit 2015 me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara. Sipas tij, nuk qëndron konstatimi i Gjykatës se padia është e paafatshme, pasi që kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës ngre padi më 7 prill 2015 dhe ky vendim është dërguar në gjykatë më 15 tetor 2021. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së më pas refuzoi si të pabazuar ankesën e parshtruesit.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht ngre pretendime për mos-mbajtje të seancës dëgjimore, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij nuk është respektuar parimi i drejtpërdrejtshmërisë dhe kontradiktoritetit dhe se të dy shkallët e DHPGJS-së kanë vepruar sikur të vendosnin të refuzonin kërkesën e tij për shkaqe procedurale, ndërkohë që sipas tij çështja ishte meritore.
Bazuar në atë çka u tha më lart, duke marrë parasysh natyrën e kësaj kërkese dhe pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata do të vlerësojë pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, për mungesën e mbajtjes së seancës dëgjimore.
Në vlerësimin e këtyre pretendimeve, Gjykata do t’i referohet parimeve të përgjithshme të vendosura nga GJEDNJ lidhur me të drejtën për seancë dëgjimore sipas nenit 6 të KEDNJ-së dhe më pas do të aplikojë të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
Parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një seancë dëgjimore në kuptim të nenit 6 të KEDNJ-së
Karakteri publik i procedurave para organeve gjyqësore mbron palët ndërgjyqëse nga administrimi i drejtësisë në fshehtësi, në mungesë të një shqyrtimi publik. Për më tepër, publiciteti i procedurave gjyqësore është një nga mekanizmat kryesorë përmes të cilës ruhet besimi në drejtësi. Një parim i tillë, për më tepër, kontribuon në arritjen e qëllimeve të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, për një proces të drejtë gjyqësor, garantimi i të cilit është një nga parimet themelore të çdo shoqërie demokratike të mishëruara në KEDNJ (shih, rastin e GJEDNJ-së Malhous kundër Republikës Çeke, nr. 33071/96, Aktgjykim i 12 korrikut 2001, paragrafi 55).
Në parim, palët ndërgjyqëse kanë të drejtë për një seancë dëgjimore publike, por një detyrim i tillë nuk është absolut. Për aq sa është relevante për rrethanat e tanishme, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së ka përcaktuar parimet kryesore që kanë të bëjnë me (i) të drejtën për një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së parë; (ii) të drejtën për një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së dytë dhe të tretë; (iii) parimet në bazë të të cilave duhet të përcaktohet nëse një seancë dëgjimore është e domosdoshme; dhe (iv) nëse mungesa e dëgjimit në shkallën e parë mund të korrigjohet përmes një seance dëgjimore në një shkallë më të lartë dhe kriteret përkatëse për të bërë këtë vlerësim.
Për sa i përket detyrimit për të mbajtur një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së parë, GJEDNJ ka theksuar se në procedurat para një gjykate të shkallës së parë dhe të vetme, e drejta për një seancë dëgjimore është e garantuar përmes paragrafit 1 të nenit 6 të KEDNJ-së (shih, rastet e GJEDNJ-së, Fredin kundër Suedisë (nr. 2), nr. 18928/91, Aktgjykim i 23 shkurtit 1994, paragrafët 21-22; Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), nr. 16970/90, Aktgjykim i 19 shkurtit 1998, paragrafi 46; dhe Salomonsson kundër Suedisë, nr. 38978/97, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 36). Përjashtime nga këto raste, në parim, bëhen vetëm nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, (shih, rastin e GJEDNJ-së Mirovni Inštitut kundër Sllovenisë, nr. 32303/13, Aktgjykim i 13 qershorit 2018, paragrafi 36), dhe të cilat GJEDNJ, përmes praktikës së saj gjyqësore i ka përcaktuar si raste që kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje ligjore ose janë të natyrës së lartë teknike (shih, rastin e GJEDNJ-së, Koottummel kundër Austrisë, nr. 49616/06, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2009, paragrafët 19-20).
Lidhur me detyrimin për të mbajtur një seancë dëgjimore në gjykatat e shkallës së dytë ose të tretë, praktika gjyqësore e GJEDNJ-së thekson se mungesa e një seance dëgjimore mund të justifikohet bazuar në karakteristikat e veçanta të rastit përkatës, me kusht që një seancë dëgjimore të jetë mbajtur në shkallë të parë (shih, rastin e GJEDNJ-së Salomonsson kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 36). Prandaj, procedurat para gjykatave të apelit, dhe të cilat përfshijnë vetëm çështje të ligjit, dhe jo çështje fakti, mund të konsiderohen të jenë në përputhje me garancitë e mishëruara në nenin 6 të KEDNJ-së, edhe nëse në shkallë të dytë nuk është mbajtur një seancë dëgjimore (shih, rastet e GJEDNJ-së Miller kundër Suedisë, nr. 55853/00, Aktgjykim i 8 shkurtit 2005, paragrafi 30; dhe Helmers kundër Suedisë, nr. 11826/85, Aktgjykim i 29 tetorit 1991, paragrafi 36).
Për sa i përket parimeve në bazë të të cilave duhet të përcaktohet nëse një seancë dëgjimore është e domosdoshme, Gjykata i referohet Aktgjykimit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së, në rastin Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, përmes së cilit u vendosën parimet në bazë të të cilave duhet të vlerësohet domosdoshmëria e mbajtjes së një seance dëgjimore (shih, rastin e GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, Aktgjykim i 6 nëntorit 2018, nr. 55391/13 57728/13 74041/13, paragrafët 190-191).
Sipas këtij aktgjykimi, një seancë dëgjimore nuk është e domosdoshme që të mbahet, nëse rasti përkatës (i) nuk ngërthen çështje të besueshmërisë ose fakteve të kontestuara që kërkojnë mbajtjen e një seance dëgjimore dhe kur gjykatat mund të vendosin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme rastin në bazë të shkresave të lëndës (shih, rastet e GJEDNJ-së Döry kundër Suedisë, nr. 28394/95, Aktgjykim i 12 shkurtit 2003, paragrafi 37); Saccoccia kundër Austrisë, nr. 69917/01, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73; dhe Mirovni Inštitut kundër Sllovenisë, cituar më lart, paragrafi 36; (ii) ngërthen thjeshtë çështje juridike të një natyre të kufizuar (shih, rastet e GJEDNJ-së Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), cituar më lart, paragafi 49; dhe Valová, Slezák dhe Slezák kundër Sllovakisë, Aktgjykim i 1 shtatorit 2004, paragrafët 65-68) ose nuk ngërthen ndonjë ndërlikueshmëri të veçantë (shih rastin e GJEDNJ-së, Varela Assalino kundër Portugalisë, nr. 64336/01, Vendim i 25 prillit 2002); dhe (iii) ngërthen çështje tepër teknike, të cilat trajtohen më mirë me shkrim sesa përmes argumenteve gojore në një seancë dëgjimore (shih, rastin e GJEDNJ-së, Döry kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 41).
Në të kundërtën, sipas vlerësimit të Dhomës së Madhe të GJEDNJ-së në rastin Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, mbajtja e seancës dëgjimore është e nevojshme atëherë kur: (i) shqyrtohen çështje të ligjit dhe të faktit, përfshirë rastet në të cilat vlerësohet nëse autoritetet i kanë vertetuar saktë faktet (shih, rastin e GJEDNJ-së Malhous kundër Republikës Çeke, cituar më lart, paragrafi 60); (ii) kur rrethanat kërkojnë që gjykata të krijojë përshtypjen e saj për palët ndërgjyqëse duke u dhënë atyre të drejtën të shpjegojnë situatën e tyre personale, në emër të tyre ose nëpërmjet përfaqësuesit (shih, rastin e GJEDNJ-së Miller kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 34); dhe (iii) kur gjykata duhet të marrë sqarime në disa pika përmes mbajtjes së seancës dëgjimore (shih, rastin e GJEDNJ-së Lundevall kundër Suedisë, nr. 38629/97, Aktgjykim i 12 nëntorit 2002, paragrafi 39).
Përkitazi me mundësinë e korrigjimit në shkallë të dytë të mungesës së një seance dëgjimore në shkallën e parë dhe kritereve respektive, GJEDNJ, përmes praktikës së saj gjyqësore ka përcaktuar se në parim, një korrigjim i tillë varet nga kompetencat e gjykatës më të lartë. Nëse kjo e fundit, ka juridiksion të plotë për të shqyrtuar meritat e rastit përkatës, përfshirë edhe vlerësimin e fakteve, atëherë korrigjimi i mungesës së një seance dëgjimore në shkallë të parë, mund të bëhet në shkallën e dytë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, cituar më lart, paragrafi 192).
Po ashtu, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, fakti që palët nuk kanë kërkuar mbajtjen e një seance dëgjimore nuk do të thotë që kanë hequr dorë nga e drejta për të mbajtur një të tillë. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, një çështje e tillë varet nga karakteristikat e ligjit vendor dhe rrethanat e secilit rast veç e veç (shih, rastin e GJEDNJ-së, Göç kundër Turqisë, nr. 36590/97, Aktgjykim i 11 korrikut 2002, paragrafi 48).
Zbatimi i parimeve të shtjelluara më lart në rrethanat e rastit konkret
Gjykata fillimisht thekson se nga shkresat e lëndës nuk vërehet se parashtruesi i kërkesës ka kërkuar mbajtjen e seancës dëgjimore para Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së si dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së. Megjithatë, siç është cekur më lart, fakti që parashtruesi i kërkesës nuk ka bërë kërkesë për një seancë dëgjimore, jodetyrimisht do të thotë se ka hequr dorë nga një kërkesë e tillë dhe gjithashtu mungesa e kësaj kërkese jodetyrimisht e liron gjykatën përkatëse nga detyrimi për mbajtjen e një seance të tillë (shih, rastin e GJEDNJ-së, Göç kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 48).
Gjykata rikujton që bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, neni 6 i KEDNJ-së, në parim, garanton mbajtjen e një seance dëgjimore në të paktën njërin nivel të vendimmarrjes. Një e tillë është, në parim (i) e detyrueshme nëse gjykata e shkallës së parë ka kompetencën e vetme të vendimmarrjes përkitazi me çështjet e faktit dhe të ligjit; (ii) jo e detyrueshme në shkallë në dytë nëse një seancë dëgjimore është mbajtur në shkallë të parë, përkundër faktit që një përcaktim i tillë varet nga karakteristikat e rastit përkatës, për shembull, nëse shkalla e dytë vendos edhe për çështje fakti edhe ligji; dhe (iii) e detyrueshme në shkallë të dytë nëse një e tillë nuk është mbajtur në shkallë të parë, në rastet kur shkalla e dytë ka kompetencë të plotë për të vlerësuar vendimin e shkallës së parë, edhe përkitazi me çështjet e faktit dhe të ligjit.
Përjashtime nga rastet e mësipërme, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të bëhen vetëm nëse “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore”, siç janë rastet që kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështje ligjore ose janë të natyrës së lartë teknike (shih, rastet e GJEDNJ-së Mirovni Inštitut kundër Sllovenisë, cituar më lart, paragrafi 36; dhe Koottummel kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafët 19-20); dhe atëherë kur gjykatat mund të vendosin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme rastin në bazë të shkresave të lëndës (shih, rastet e GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, cituar më lart, paragrafët 190-191; Varela Assalino kundër Portugalisë, cituar më lart; dhe Döry kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 37).
Gjykata, në vijim, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, do të vlerësojë nëse në rrethanat e rastit konkret “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore” në të dy shkallët e vendimmarrjes, përkatësisht nëse natyra e çështjeve në vlerësim para DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, mund të klasifikohet si “ekskluzivisht ligjore apo e natyrës së lartë teknike”.
Nëse në rrethanat e rastit konkret ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat justifikojnë mungesën e seancës dëgjimore
Gjykata edhe një herë rikujton që bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, palët kanë të drejtë në seancë dëgjimore në të paktën njërën instancë. Përjashtimi nga e drejta për një seancë dëgjimore ekziston vetëm ato raste në të cilat përcaktohet se “ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore” dhe që sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së janë klasifikuar si raste të cilat ndërlidhen me “çështje ekskluzivisht ligjore apo të natyrës së lartë teknike”.
Shembuj të çështjeve të natyrës së lartë teknike në të cilat jodetyrimisht është e domosdoshme një seancë dëgjimore, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, ekzistojnë tek çështjet që ndërlidhen me sigurime sociale (shih, rastin e GJEDNJ-së Döry kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 41).
Në mënyrë të ngjashme, GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, për shkak të mungesës së një seance dëgjimore, në ato raste në të cilat çështjet para gjykatës përkatëse ishin ekskluzivisht ligjore (shih, rastet e GJEDNJ-së, Saccoccia kundër Austrisë, nr. 69917/01, Aktgjykim i 18 dhjetorit 2008, paragrafi 73; dhe Allan Jacobsson kundër Suedisë (no. 2), cituar më lart, paragrafi 49).
Në këtë drejtim, në vlerësimin se nëse në rastin e parashtruesit të kërkesës zbatohen përjashtimet e lartpërmendura, Gjykata, fillimisht, vë në pah arsyetimin e Aktgjykimit [C-IV-15-0435] të 5 nëntorit 2021, të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së, përmes së cilit ishte aprovuar kërkesa fillestare e kërkesëpadisë e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhej me 6 pagat e papaguara si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës, ndërsa ishte hedhur poshtë si të papranueshme me arsyetimin se ishte parashtruar jashtë afatit ligjor, kërkesa e parashtruesit të cilën e dorëzoi në DHPGJS si plotësim i kërkesëpadisë fillestare dhe që ndërlidhej me kërkesën e tij për pagesën e pagave nga viti 2004 deri në 2013.
Më tej, në Aktgjykimin e lartpërmendur të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së theksohet: “Gjykata vlerëson se paditësi/kreditori i prekur nga e drejta e pretenduar me Vendimin e AL PRN 009-0203, që me parashtresë dt 07.10.2021 dhe dt 19.10.2021 është ushtruar pas afatit ligjor, siç e rregullon dispozita e nenit 37.7 të Shtojcës së Ligjit nr.04/L034 pasi kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga momenti kur paditësi/kreditorie ka pranuar Vendimin e AL PRN 009-0203, dt 03.04.2015 e deri në momentin e zgjerimit të saj me parashtresë dt.07.10.2021”.
Gjykata gjithashtu rikujton se Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së në Aktgjykimin e tij thekson se “Në bazë të nenit 76.3 të Ligjit Nr.06/L-086 të DHPGJS-së në lidhje me nenin 398 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore, Gjykata nxjerr këtë aktgjykim pa caktuar séance dëgjimore”.
Gjithashtu, Gjykata rikujton edhe pjesë thelbësore të arsyetimit të Aktgjykimit [AC-I-21-0759-A0001] të 23 marsit 2023, të Kolegjit të Apelit i DHPGJS-së i cili refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar plotësisht vendimin e shkallës së parë, duke theksur se, “me parashtresën e 19 tetorit 2021 parashtruesi i kërkesës ka kërkuar edhe shfuqizimin e Vendimeve AL PRZ 009-0201 të 23 marsit 2015 me të cilin ishte refuzuar kërkesa për kompensimin e 6 pagave në emër të ndërprerjes së parakohshme të marrëdhënies së punës në shumën prej 1,207.92 euro dhe PRZ 009-0203 të 3 prillit 2015 që ka të bëjë me paga të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 14,964.01 euro, edhe pse ky vendim i fundit nuk ishte objekt i ankesës së 21 prillit 2015. Gjykata konstaton se kreditori në këtë rast, e ka kundërshtuar këtë pas afatit ligjor, pasi që kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga momenti kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar këtë vendim”.
Tutje Kolegji i Aplit i DHPGJS-së arsyetoi se, “me këto gjetje dhe konstatime të Shkallës së parë të DHPGJSK-së pajtohet tërësisht edhe Kolegji i Apelit, sepse parashtruesi i kërkesës pos aspektit deklarativ, me asnjë dëshmi konkrete materiale nuk ka mundur që ta rrëzojnë këtë konstatim dhe këto gjetje të gjykatës dhe nuk kanë mundur të ofrojnë argumente shtesë që do të mund të konstatohet një gjendje tjetër faktike nga ajo që ishte vërtetuar nga Shkalla e parë e DHPGJSK-së.
Në fund, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së shton se lidhur me pretendimin e parashtruesit se konstatimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i saktë lidhur me afatshmërinë, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së shtoi se “ky pretendim i ankuesit nuk është i bazuar, pasi që me padinë e datës 07 prill 2015 askund nuk përmendet Vendimi PRZ009-0203 por vetëm Vendimi PRZ009-0202 […] Për herë të parë, paditësi këtë vendim e përmend me parashtresën e datës 19 tetor 2021, kur edhe e dorëzon këtë vendim, por tashmë ishte shumë vonë, pasi që kishin kaluar të gjitha afatet e kontestimit të këtij vendimi”.
Ndërkaq, lidhur me mbajtjen e seancës gjyqësore, Gjykata rikujton se Kolegji i Apelit i DHPGJS-së vendosi që të mos mbajë pjesën gojore të procedurës bazuar në paragrafin 1 të nenit 69 të Ligjit për DHPGJS për çështjet në lidhje me AKP-në. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet dispozitës së lartcekur e cila përcakton:
“Në bazë të nenit 69.1 të Ligjit nr.06/L-086 mbi Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës pë çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Kolegji vendosi të mos mbajë pjesën gojore të procedures”.
Në dritën e fakteve të mësipërme, Gjykata vëren se Kolegji i Specializuar aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës lidhur me kompensimin për gjashtë pagat si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës, ndërksa kërkesën e parashtruesit për kompensimin e pagave për periudhën 2004 deri në vitin 2013 e refuzoi si të paafatshme. Kolegji i Apelit të DHPGJS-së e refuzoi ankesën e parashtruesit duke e miratuar në plotni vendimin e shkallës së parë se kërkesa e parashtruesit për kopmpensim pagash për periudhën 2004-2013 ishte parashtruar jashtë afatit ligjor.
Nga sa më sipër, Gjykata, thekson se rasti i tanishëm është inicuar para DHPGJS-së nga parashtruesi i kërkesës përmes paraqitjes së padisë për (i) kompensimin e gjashtë pagave si rezultat i ndërprerjes së parakohshme të punës nga NSH DLB “Lavërtaria-Blegtoria”, kërkesë kjo e miratuar nga të dy instancat pranë DHPGJS-së dhe (ii) më vonë përmes plotësimit të kërkesëpadisë, për kompensimin e pagave për periudhën 2004 deri në vitin 2013, kërkesë kjo e refuzuar si e paafatshme nga të dy instancat e DHPGJS-së. Në këtë drejtim, Gjykata, duke ndjekur praktikën e GJEDNJ-së, në rastin Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, por dhe rastet tjera të lartcekura, vlerëson se procedurat e zhvilluara pranë Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, ngrenë (i) çështje ekskluzivisht ligjore, përkatësisht çështje të interpretimit të afatit, respektivisht çështje të natyrës teknike dhe (ii) nuk ngrenë ndonjë çështje të ndërlikueshmërisë së posaçme, çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme.
Më tej, marrë parasysh faktin se rasti ngërthen “çështje ekskluzivisht ligjore”, respektivisht çështjen e llogaritjes së afatit, Gjykata vlerëson se vendosja në këtë rast ka mundur të bëhet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme në bazë të shkresave të lëndës (shih, rastet e GJEDNJ-së, Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë, cituar më lart, paragrafët 190-191; Varela Assalino kundër Portugalisë, cituar më lart; Döry kundër Suedisë, cituar më lart, paragrafi 37; dhe Allan Jacobsson kundër Suedisë (nr. 2), cituar më lart, paragafi 49).
Gjykata rikujton se në jurisprudencën e saj ka konstatuar shkelje në rastet kur Kolegji i Apelit i DHPGJS-së ka vlerësuar çështje të faktit dhe të ligjit, duke e ndryshuar kështu vendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së në dëm të parashtruesve të kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI145/19, KI146/19, KI147/19, KI149/19, KI150/19, KI151/19, KI152/19, KI153/19, KI154/19, KI155/19, KI156/19, KI157/19 dhe KI159/19, parashtrues Et-hem Bokshi dhe të tjerët, Aktgjykim i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 81). Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se ndryshe nga rasti i parashtruesit të kërkesës, nuk ka ngërthyer “çështje ekskluzivisht ligjore apo të natyrës së lartë teknike”.
Gjykata, në jurisprudencën e saj, po ashtu ka konstatuar se mosmbajtja e seancës dëgjimore nga Kolegji i Specializuar dhe Kolegji i Apelit të DHPGJS-së nuk bie ndesh me nenin 31 të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, atëherë kur rasti karakterizohet nga çështje të “natyrës së lartë teknike” apo “ekskluzivisht ligjore” dhe kur i njëjti mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme bazuar në parashtresat dhe materialet tjera të dorëzuara nga palët (shih, rastet e Gjykatës KI160/20 parashtrues Komuna e Gjilanit, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2022, paragrafët 98-105; KI80/23, parashtrues Behgjet Stoliqi, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024, paragrafi 47; dhe KI125/23, parashtrues Hazir Bublica, Aktvendim për papranueshmëri, i 31 janarit 2024, paragrafi 46).
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, më 16 korrik 2024:
VENDOS
TË DEKLAROJË me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Dardan Fisher
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative