Prishtinë, më 3 korrik 2023
Nr. ref.: RK 2231/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI91/22
Parashtrues
Kosovska Banka d.d
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-18-0491] të 18 shkurtit 2022 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Kosovska Banka (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi kërkesës), përfaqësuar nga Dobrica Lazic, avokat në Komunën e Graçanicës.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-18-0491] të 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 19 prill 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I-18-0491] të 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 27 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës përmes përfaqësuesit të tij, dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. GJR. KI91/22] caktoi gjyqtarin Bajram Latifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 30 qershor 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua DHPGJS-së.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 11 janar 2023, Gjykata iu drejtua DHPGJS-së me kërkesë që të dorëzojë dëshminë që tregon datën e pranimit të vendimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 16 janar 2023, DHPGJS-ja dorëzoi fletëkthesën me të cilën vërtetohet se parashtruesi i kërkesës ka pranuar vendimin e kontestuar më datë 19 prill 2022.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Më 27 prill 2015, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar ankesë në DHPGJS, kundër Vendimit [GJI0004-0377] të 18 marsit 2015, të Autoritetit për Likuidim, të NSH-së “Agrokultura” në likuidim. Me ankesë, parashtruesi i kërkesës, kërkoi kompensimin e shumave, dhe atë në vlerë prej: 2,321,526 dollarë amerikan, 567,988.04 franga zvicerane dhe 502,328.06 euro. Në këtë ankesë, parashtruesi deklaroi se provat me të cilat dëshmohen këto shuma, gjenden në ish-Zyrën e parashtruesit-në Prishtinë dhe kërkoi nga DHPGJS-ja që të urdhërojë AKP-në dhe UNMIK-un të deklarohen lidhur me vendndodhjen e provave të paraqitura nga ana e parashtruesit të kërkesës.
Më 1 dhjetor 2017, AKP-ja përgjigjet ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës duke e konsideruar të pabazë. AKP tutje e konsideroi ankesën të papranueshme për arsye se në shkresat e lëndës mungon vendimi i Agjencisë për Sigurimin e Depozitave, për emërimin e Z.B., si administrator i falimentimit të parashtruesit të kërkesës. Rrjedhimisht, AKP-ja deklaroi se në mungesë të këtij vendimi, nuk ka parashtrues dhe se mungon e drejta për të inicuar procedurë gjyqësore. Tutje, sipas AKP-së, mospranueshmëria e ankesës është edhe si pasojë e dështimit të parashtruesit të kërkesës për të paraqitur një ankesë të arsyetuar dhe të argumentuar me prova përkatëse pranë Autoritetit të Likuidimit dhe përsëritja e këtij mosveprimi edhe pas kërkesës për informacione shtesë, të dërguar nga Autoriteti i Likuidimit.
Më 29 dhjetor 2017, parashtruesi i kërkesës kundërshtoi konstatimet e AKP-së në procedurë të iniciuar pranë DHPGJS-së, duke pretenduar se pala e paditur zotëron të gjithë dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës kishte bashkangjitur si provë vendimin e lartcekur të Agjencisë për Sigurimin e Depozitave-vendimi i emërimit të Z.B., si administrator i falimentimit të parashtruesit të kërkesës.
Më 16 janar 2018, AKP-ja ishte përgjigjur ndaj parashtresën e lartcekur të parashtruesit të kërkesës.
Më datë 31 korrik 2018, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0841], vendosi: (i) refuzohet e pabazuar ankesa ndërsa vendimi i Autoritetit të Likuidimit vërtetohet i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së arsyetoi: (i) parashtruesi nuk posedon provat ku bazon kërkesën e tij, me arsyetimin se dokumentacionin e zotëron AKP-ja; (ii) me provat e paraqitura, nuk vërtetohet baza ligjore e padisë dhe koha kur është paraqitur kërkesa; (iii) nuk është ofruar dëshmi se si janë llogaritur shumat e lartcekura; dhe (iv) parashtruesi nuk i është përmbajtur kushteve të përcaktuara në përputhje më nenin 23.1 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në, duke mos dorëzuar asnjë dokument bazë pranë Autoritetit të Likuidimit dhe DHPGJS-së, rrjedhimisht duke mos vërtetuar vlefshmërinë dhe vërtetësinë e .kërkesës.
Më 20 shtator 2018, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktgjykimit [C-IV-15-0841] të 31 korrikut 2018, duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të ligjit procedural, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale. AKP-ja ishte përgjigjur se ankesa e parashtruesit është e pabazuar, se parashtruesi nuk ka paraqitur kurrfarë baze juridike të besueshme dhe nuk ka vërtetuar gjendjen faktike të pretenduar.
Më 18 shkurt 2022, Kolegji i Apelit të DHPGJS-së, përmes Aktgjykimit [AC-I-18-0491] vendosi: (i) REFUZOHET ankesa e paditësit e pabazuar; (ii) VËRTETOHET Aktgjykimi i gjyqtarit të vetëm me kompetenca të deleguara të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-Së [C-IV-15-0841], të 31 korrikut 2018; dhe, (iii) në procedurën ankimore, nuk përcaktohen kurrfarë taksash gjyqësore.
Kolegji i Apelit i DHPGJS-Së arsyetoi: (i) nuk ka shkelje esenciale të Ligjit të Procedurës Kontestimore; (ii) kolegji i shkallës së parë ka konstatuar drejt gjendjen faktike; (iii) baza ligjore e padisë, koha kur ka lindur kërkesa dhe shuma e kërkesës, mbeten të padëshmuara nga parashtruesi; (iv) parashtruesi nuk i është përmbajtur kushteve të përcaktuara në përputhje më nenin 23.1 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në, duke mos dorëzuar asnjë dokument bazë pranë Autoritetit të Likuidimit dhe DHPGJS-së; (v) konform nenit 36.2 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në dhe nenit 7 të LPK-së, barra e të provuarit bie mbi parashtruesin dhe parashtruesi nuk ka ofruar asnjë provë relevante; dhe (vi) parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar si provë marrëveshjen e kredisë të lidhur në mes të parashtruesit të kërkesës dhe të paditurës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij janë shkelur nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon që Aktgjykimi [AC-I-18-0491] i 18 shkurtit 2022, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se DHPGJS në shkallë të parë dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, si pasojë e zbatimit të gabuar të së drejtës procedurale në dëm të parashtruesit të kërkesë, rezultoi me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Sipas parashtruesit, arsyet e përmendura nga Kolegji i Apelit, nuk korrespondojnë me gjendjen faktike në shkresat e lëndës: “arsyet e përmendura nga Kolegji i Apelit, përkatësisht: se ankuesi nuk është deklaruar as para kolegjit të shkallës së parë dhe as para Kolegjit të Apelit se çfarë provash duhet të kërkohen nga pala kundërshtare dhe se, në një situatë të tillë, Kolegji i Apelit nuk mund ta urdhërojë palën kundërshtare që të ofrojë prova për të cilat ajo nuk ka dijeni, nuk janë të vërteta, sepse nuk korrespondojnë me gjendjen e shkresave të lëndës”.
Tutje parashtruesi pretendon se lidhur me propozimin e tij që të zbatohet neni 42.2 ose 48.4 i Ligjit për DHPGJS dhe që deklarimi i AKP-së lidhur me vendndodhjen e dokumentacionit, nuk është trajtuar fare.
Parashtruesi i kërkesës më tej pretendon: “Gjykata ka vepruar në kundërshtim me nenin 333 dhe 334 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, sepse në bazë të kërkesës së paditësit nuk e ka ftuar të paditurën që të paraqes dokumentacionin e kërkesës, e për këtë as nuk i ka caktuar afat asaj, gjë të cilën ka qenë e detyruar ta bëjë”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të konstatojë: (i) kërkesa të shpallet e pranueshme; (ii) të konstatohet se me Aktgjykimin [AC-I-18-0491] e 18 shkurtit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS, janë shkelur nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës; (iii) të anulojë Aktgjykimin e Kolegjit të Apelit te DHPGJS [AC-I-18-0491] të 18 shkurtit 2022.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”.
[...]
Ligji Nr. 03/L-006 Për Procedurën Kontestimore
Neni 7
(Pa titull)
“7.1 Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet e tilla.
7.2 Gjykata është e autorizuar ti vërtetojë edhe faktet të cilat palët nuk i kanë paraqitur si dhe ti marrëedhe provat të cilat palët nuk i kanë propozuar, vetëm po që se nga rezultati i shqyrtimit dhe i të provuarit del përfundimi se palët kanë për qëllim disponimin me kërkesat me të cilat nuk mund te disponojnë lirisht (të përcaktuar në nenin 3 paragrafi 3 të këtij ligji), në qoftë se me ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
7.3 Gjykata nuk mund ta bazojë vendimin e vet në faktet dhe provat lidhur me të cilat palëve nuk u është dhënë mundësia që të deklarohen”.
Ligji Nr. 04/L-033 Për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
Neni 36
(Rregullat e përgjithshme mbi provat)
“[...] 2. Pala që pretendon një fakt apo ngjarje ka barrën e dëshmisë për të dëshmuar vërtetësinë e pretendimit të tillë, duke paraqitur parashtresat apo duke paraqitur provat materiale (të dokumentuara, fizike dhe/ose dëshmuese). Secilës palë tjetër do t‟i jepet mundësia e arsyeshme për ta kontestuar legjitimitetin apo saktësinë e provave të tilla, nëpërmjet paraqitjes së parashtresave apo provave tjera (të dokumentuara, fizike dhe/ose dëshmuese) me anë të së cilave synohet përgënjeshtrimi i legjitimitetit apo saktësisë së provave të tilla. Kur prova e paraqitur nga njëra palë është në formën e dëshmisë ose dëshmisë nën betim, atëherë secila palë tjetër ka mundësinë për të marrë në pyetje personin që ka dhënë dëshminë nën betim apo që ofron një dëshmi të tillë, ose nëpërmjet dëshmisë në gjykatë, ose nëpërmjet dhënies së dëshmisë nën betim që është e xhiruar në video/audio shirit dhe që është e transkriptuar.
[...]”
SHTOJCA E LIGJIT Nr. 04/L-034 PËR AGJENCINË KOSOVARE TË PRIVATIZIMIT
Neni 3
(Fushëveprimi)
“Dispozitat e kësaj Shtojce rregullojnë procesin e likuidimit të Ndërmarrjes, pavarësisht nëse ai është iniciuar sipas Ligjit të AKP-së apo legjislacionit tjetër përkatës pararendës.”
Neni 23
(Dëshmitë e kërkesës apo interesit)
“1. Formulari i Dëshmisë së kërkesës duhet t’i përfshijë informatat si në vijim:
1.1.emrin, adresën dhe informatat tjera të kontaktit të kreditorit të supozuar;
1.2.shumën total monetare të kërkesës së pretenduar (së bashku me kamatën e mundshme te pretenduar të akumuluar të cekur ndaras) dhe përshkrimin e natyrës së Kërkesës duke identifikuar si dhe kur ka lindur kërkesa e pretenduar dhe duke saktësuar nëse Kërkesa është e drejtuar ndaj një aseti të veçantë të ndërmarrjes dhe nëse është e mundur nëse kërkesa synon nga ndërmarrja kryerjen e një obligimi të veçantë të ndryshëm nga pagesa në para;
1.3.përshkrimin e hollësishëm të veprimeve të mëparshme ligjore të ndërmarra nga kreditori i supozuar për konfirmim apo mbrojtje të Kërkesës;
1.4.hollësitë lidhur me normën e konvertimit të valutës, nëse ka nevojë;
1.5.kopje të kontratave me shkrim dhe dokumenteve të tjera që kanë për qëllim vërtetimin e Kërkesës;
1.6.tiparet e kolateralit të mundshëm, vlerën e kolateralit, datën kur është dhënë dhe hollësitë e regjistrimit apo veprimet tjera të nevojshme për të paraqitur si të vlefshëm interesin e kreditorit në kolateral kundrejt palëve të treta; dhe
1.7.informatat tjera relevante në lidhje me Kërkesën që kreditori i supozuar dëshiron t’i dorëzojë.”
Neni 36
(Kërkesat e pavlefshme dhe jo të rregullta)
“1. Autoriteti i Likuidimit refuzon, tërësisht apo pjesërisht, vlefshmërinë e Kërkesave apo interesit të pretenduar të kapitalit apo pronësisë nëse refuzimi i tillë obligohet apo lejohet sipas këtij ligji apo elementeve tjera të ligjeve të Kosovës në fuqi apo me urdhër të Gjykatës.
2. Pa kufizuar fushëveprimin apo zbatueshmërisë e paragrafit 1 më sipër, elementet në vijim përbëjnë bazë të mirë dhe të mjaftueshme sipas këtij ligji për refuzimin e një Kërkese apo interesi të pretenduar të kapitalit apo pronësisë:
2.1.kërkesa apo pretendimi është i pasafatshëm sipas kufizimeve kohore të aplikueshme;
2.2.dokumentacioni për Kërkesën apo interesin e pretenduar i paraqitur nga kreditori i
pretenduar apo bartësi i interesit të pretenduar mbetet jo i plotë edhe pas kërkesës nga
kreditori i pretenduar për dokumente apo dëshmi plotësuese; apo
2.3.ndonjë aspekt i dokumentacionit të paraqitur është mashtrues apo ka dëshmi të mira
dhe substanciale për të besuar se Kërkesa apo interesi i pretenduar është mashtrues;
apo
[...]”
Neni 42
(Fondet e rezervuara)
“1. Me aprovim të Bordit, fondet Likuide, paratë apo asetet e tjera mund të ndahen nga Autoriteti i Likuidimit në llogari të ndarë të dorëzanisë (escrow) të mbajtur nga agjenti i dorëzanisë i emëruar nga Bordi për përmbushje të:
2. Kërkesave që janë në kontestim dhe që ende nuk janë zgjidhur nga Gjykata;
3. Kërkesave për pagesa që janë subjekt i shpengimit për të cilin duhet të dorëzohen
dokumentet, identifikimet apo kuponët, përfshirë letrat me vlerë, obligacionet, apo instrumente të ngjashme;
4. Shpenzimet e ardhshme në lidhje me mirëmbajtjen e pronës apo aseteve të caktuara apo të ndërmarrjes, dhe
5. Kërkesat e ardhshme të cilat do të paraqiten me siguri por që në kohën e Afatit për
Parashtrimin e Kërkesave nuk ishin të konstatueshme.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës që përcakton: “Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara me Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme. ”
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale] 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [AC-I-18-0491] e 18 shkurtit 2022, të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata i referohet jurisprudencës së saj të konsoliduar përkitazi me të drejtën e personave juridik për të dorëzuar kërkesë individuale kushtetuese: “Gjykata konsideron se sipas nenit 21.4 të Kushtetutës, i cili siguron se të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të paraqesë ankesë kushtetuese, duke kërkuar të drejtat themelore të cilat vlejnë për individë por edhe për personat juridik, siç është edhe parashtruesi i kërkesës. Kjo do të thotë se parashtruesi i kërkesës është barazi i detyruar të shtjerë të gjitha, mjetet juridike të përcaktuara me Ligj, siç përcakton nenin 113.7 i Kushtetutës. (shih rastin e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., Aktvendim për papranueshmëri i 3 shkurtit 2010, paragrafi 14). ”
Në këtë drejtim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e personit juridik ka të drejtë të paraqes ankesë kushtetuese, duke u thirrur në shkelje të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të tij, që vlejnë për individët dhe personat juridikë (shih rastet e Gjykatës KI41/09, parashtrues Universiteti AAB-RIINVEST L.L.C., cituar më lart, paragrafi 14; KI118/18 parashtrues Eco Construction shpk, Aktvendim për papranueshmëri i 10 shtatorit 2019, paragrafi 29; dhe KI202/21 parashtrues “Kelkos Energy” SH.P.K., Aktgjykim i 29 shtatorit 2022, paragrafi 89).
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. (Shih: më saktësisht për konceptin e papranueshmërisë mbi bazën e një kërkese të vlerësuar si “qartazi të pabazuar”, dhe specifikat e katër kategorive të lartcekura të pretendimeve të kualifikuara si “qartazi të pabazuara”, Udhëzuesin Praktik të GJEDNJ-së për Kriteret e Pranueshmërisë të 31 gushtit 2019; Pjesa III. Papranueshmëria bazuar në merita; A. Kërkesat qartazi të pabazuara, paragrafët 255 deri më 284, shih gjithashtu rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me ankesën që parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur në DHPGJS kundër të paditurës AKP për shkak të mos kompensimit të kredisë së premtuar në shumën prej 2,321,526 dollarë amerikan, 567,988.04 franga zvicerane dhe 502,328.06 euro. AKP-ja ishte përgjigjur duke e konsideruar ankesën si të pabazë për arsye se parashtruesi i kërkesës nuk ka sjellë prova me të cilat mund ta arsyetojë kërkesën e tij. Parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se AKP-ja zotëron të gjithë dokumentacionin përkatës nga kërkesa e parashtruesit të kërkesës. DHPGJS-ja kishte konstatuar se ankesa është e pabazuar ndërsa Vendimi i Autoritetit të Likuidimit konfirmohet si i drejtë dhe i bazuar në ligj. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së duke e kontestuar aktgjykimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Kolegji i Apelit i DHPGJS-së e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e kontestuar të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Gjykata vëren se edhe pse parashtruesi i kërkesës e përmend nenin 31 të Kushtetutës, pretendimet e të njëjtit janë kryesisht të karakterit ligjor dhe nuk hyjnë fushëveprimin e procedurës dhe garancive kushtetuese. Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se atij i është refuzuar si e pabazuar ankesa pa u respektuar dispozitat ligjore.
Përkitazi me bazën ligjore të padisë së parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së kishte konstatuar: “Provat e paraqitura nga parashtruesja e ankesës me rastin e mbrojtjes ndaj së AKP-së nuk janë relevante në lidhje me mbështetjen e kërkesës, sepse me asnjë prej tyre nuk vërtetohet baza ligjore e padisë, koha kur është bërë kërkesa, gjithashtu nga ana e parashtrueses së ankesës vetëm përmendet shuma totale e kërkesës, por nuk është paraqitur asnjë informacion se si janë llogaritur ato shuma. Sipas nenit 23.1 të Shtojcës së Ligjit Nr.04/L-034 për AKP-në, përcaktohen informacionet të cilat duhet t’i përmbajë formulari i kërkesës në lidhje me çfarëdo të drejtë të kredisë, por në këtë rast parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur që t’i përmbahet këtyre kushteve, ashtu që nuk ka dorëzuar asnjë dokument bazë pranë Autoritetit të Likuidimit, por edhe para Dhomës së Posaçme me të cilin do të plotësoheshin kriteret e përmendura në nenin e sipërpërmendur dhe me të cilat do të vërtetohej autenticiteti dhe vlefshmëria e kësaj kërkese.”
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah konstatimet e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së: (i) parashtruesi nuk posedon provat ku bazon kërkesën e tij, me arsyetimin se dokumentacionin e zotëron AKP-ja; (ii) me provat e paraqitura, nuk vërtetohet baza ligjore e padisë dhe koha kur është bërë kërkesa; (iii) nuk është ofruar dëshmi se si janë llogaritur shumat e lartcekura; dhe (iv) parashtruesi nuk i është përmbajtur kushteve të përcaktuara në përputhje më nenin 23.1 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në, duke mos dorëzuar asnjë dokument bazë pranë Autoritetit të Likuidimit dhe DHPGJS-së, rrjedhimisht duke mos vërtetuar vlefshmërinë dhe vërtetësinë e kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, është i drejtë dhe i argumentuar.
Gjykata po ashtu vë në pah konstatimet e Kolegjit të Apelit: (i) nuk ka shkelje esenciale të Ligjit të Procedurës Kontestimore; (ii) kolegji i shkallës së parë ka konstatuar drejtë gjendjen faktike; (iii) baza ligjore e padisë, koha kur ka lindur kërkesa dhe shuma e kërkesës, mbeten të padëshmuara nga parashtruesi; (iv) parashtruesi nuk i është përmbajtur kushteve të përcaktuara në përputhje më nenin 23.1 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në, duke mos dorëzuar asnjë dokument bazë pranë Autoritetit të Likuidimit dhe DHPGJS-së; (v) konform nenit 36.2 të Shtojcës së Ligjit Nr. 04/L-034 për AKP-në dhe nenit 7 të LPK-së, barra e të provuarit bie mbi parashtruesin dhe parashtruesi nuk ka ofruar asnjë provë relevante; dhe (vi) parashtruesi nuk ka ofruar si provë marrëveshjen e kredisë të lidhur në mes të parashtruesit dhe të paditurës.
Nga sa më sipër, Gjykata vlerëson se Kolegji i Specializuar DHPGJS-së dhe Kolegji i Apelit i DHPGJS-së: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës çka lë të kuptohet se parashtruesit i është mundësuar paraqitja e argumenteve kundrejt palës kundërshtare; (ii) kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për mos pranueshmërinë e ankesës; (iii) se barra e provës bie mbi parashtruesin e pretendimeve në bazë të nenit 36.2, 42.2 dhe 3 të Shtojcës së Ligjit për DHPGJS-në, si dhe nenit 7 të LPK-së; (iv) se parashtruesi i kërkesës ka dështuar të saktësojë se cilat prova janë relevante, për të mbështetur pretendimet e tij, që duhet kërkohen nga pala e paditur.
Gjykata në këtë këndvështrim, vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me aplikimin e gabuar të dispozitave të lartcekura të LPK-së, janë adresuar dhe arsyetuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, duke dhënë arsyetime të detajuara për refuzimin e secilit prej pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Rrjedhimisht, nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se në bazë të arsyetimit të aktgjykimit të shkallës së parë, të paraqes provat relevante për të mbështetur kërkesën e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; DHPGJS-të dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përmend vetëm nominalisht nenin 46 të Kushtetutës dhe si i tillë nuk do t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së. (shih, rastin e Gjykatës nr. KI215/21, parashtrues Arbër Shkreli dhe të tjerët, cituar më lart, paragrafi 93 dhe referencat e përmendura aty).
Gjykata konkludon se pretendimet i parashtruesit të kërkesës shikuar në tërësi e tyre kategorizohen si pretendime të shkallës së katërt dhe duhet të refuzohen qartazi e pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.7 dhe 21.4 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, më 27 prill 2023, njëzëri:
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Kosovska Banka d.d.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile