Prishtinë, 19 prill 2024
Nr. ref.:RK 2423/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI274/23
Parashtrues
Naser Husaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimin [Pml.nr.516/2023]
të 8 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme
GJYKATA KUSHTETUESE E REPULIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Naser Husaj, avokat nga Peja (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml.nr.516/2023] të 8 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme në ndërlidhje me Aktgjykimin [PA1.nr.163/2023] të 27 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimit [P.nr.646/17] të 17 marsit 2022 të Gjykatës Themelore në Pejë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.516/2023] të 8 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme përmes të cilit sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 9 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 28 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI274/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 24 janar 2024, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 mars 2024, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me shumicë i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Në përputhje me Rregullin 56 (Mendimet mospajtuese) të Rregullores së punës, Gjyqtarët Enver Peci dhe Jeton Bytyqi kanë përgatitur mendim mospajtues i cili do të publikohet së bashku me këtë Aktvendim.
Përmbledhje e fakteve
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka dorëzuar disa kërkesa brenda periudhës 2013 deri 2022 të cilat kanë përfunduar me vendime të formës së prerë nga kjo Gjykatë. Kërkesat e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës janë KI22/23, KI128/17, KI46/19, KI08/20, KI178/20, KI183/20, KI151/21 dhe KI96/22. Gjykata po ashtu vëren se kërkesa e tanishme ka të bëj me procedura që nuk kanë lidhje me kërkesat e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës gjatë periudhës 2013 deri 2022. Rrjedhimisht, Gjykata do të vazhdojë me vlerësim kushtetues të kësaj kërkese individuale bazuar në përmbajtjen e saj dhe pretendimeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës.
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës me dt. 26.7.2012 në Istog duke e keqpërdorur një autorizim të lëshuar më parë nga i dëmtuari M.M., për shitblerjen e parcelës 14/20 me sipërfaqe prej 400 m2, ZK Lugu i Zi i cili gjendet në afërsi të Hotelit “Onix” në Banjë të Pejës me qëllim të përfitimit për veten apo personin tjetër dhe pa dijeninë e pronarit të dëmtuar M.M., dhe pa konsultim paraprak dhe pa i njoftuar paraprakisht familjarët e të ndjerit M.M., me dt. 12.12.2012, parcelën në fjalë ia shet të birit të vet U.H., bazuar në kontratën [Ov.nr-1138/12] të dt. 26.7.2012. Pasi që një blerës potencial kishte thirrur B.M., (të birin e të ndjerit M.M.) të cilin e kishte njoftuar se patundshmëria e tij është regjistruar në emër të të birit të parashtruesit të kërkesës U.H., veprime që janë cilësuar si vepër penale e sanksionuar nga neni 269 (keqpërdorim i besimit) të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës UNMIK/RREG/2003/25 (në tekstin e mëtejmë: KPP).
Më 17 mars 2022, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [P.nr.646/17] kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale të sanksionuar nga neni 269 (keqpërdorim i besimit) të KPP-së dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj. Ky dënim, me pëlqimin e parashtruesit të kërkesës ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2,000 (dymijë) euro, të cilin parashtruesi i kërkesës ishte i obliguar ta paguajë në afat prej 2 (dy) muajsh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Gjykata Themelore kishte theksuar se nëse parashtruesi i kërkesës nuk e paguan dënimin me gjobë brenda afatit të caktuar, atëherë i njëjti dënim do t’i shndërrohet në dënim me burgim, me ç ‘rast një ditë burgim do t’i llogaritet 20 euro të gjobës.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe lidhur me sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit ankesën ta aprovoj si të bazuar, aktgjykimin e ankimuar ta ndryshoj dhe parashtruesin e kërkesës ta lirojë nga përgjegjësia penale. Parashtruesi i kërkesës ishte ankuar për parashkrim të veprës penale, përpilim të aktgjykimit, tejkalim të aktakuzës dhe lartësi të dënimit.
Më 4 korrik 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PA1.nr.844/22] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [P.nr.646/17] dt. 17.03.2022.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale me propozim që aktgjykimet e kontestuara të ndryshohen dhe parashtruesi i kërkesës të lirohet nga akuza apo të njëjtat të anulohen dhe çështje t’i kthehet të gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr. 440/2022] miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit [PA1.nr.844/22] dt. 04.7.2022 dhe çështjen ia ktheu të njëjtës gjykatë në rivendosje. Gjykata Supreme nuk vendosi për përgjegjësinë penale të parashtruesit të kërkesës, përpilim të aktgjykimit, tejkalim të aktakuzës, lartësi të dënimit apo për çështjen e parashkrimit absolut të veprës penale. Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk ishte njoftuar për kohën dhe vendin e mbajtjes së seancës së kolegjit të Gjykatës së Apelit me ç ‘rast i njëjti nuk kishte pasur mundësi që të deklarohet lidhur me pretendimet ankimore. Gjykata Supreme konstatoi se mos dhënia e mundësisë së parashtruesit të kërkesës që të deklarohet për pretendimet ankimore përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Më 27 prill 2023, Gjykata e Apelit-në procedurë të rigjykimit-përmes Aktgjykimit [PA1.nr.163/2023] e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e kontestuar të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e Apelit konform dispozitave të nenit 390 (Seanca para kolegjit të apelit) të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPK) mbajti seancën e kolegjit dhe në mënyrë të rregullt kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës, Prokurorinë e Apelit dhe palën e dëmtuar. Parashtruesi i kërkesës kishte qenë i pranishëm në seancë gjyqësore me ç ‘rast ishte deklaruar për pretendimet ankimore. Gjykata e Apelit kishte dhënë përgjigje specifike për të gjitha çështjet qendrore të rastet të parashtruesit të kërkesës, të cilat janë pasqyruar në ratio decidendi të këtij vendimi.
Më 27 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke propozuar që e njëjta ta aprovoj kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe që në tërësi të anulojë vendimet e gjykatave të instancës më të ulët bazuar në dispozitat përkatëse të KPPK-së. Parashtruesi i kërkesës kishte pretenduar se aktakuza e ngritur kundër tij është “montazh” dhe çështja penale është parashkruar.
Më 8 nëntor 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml.nr.516/2023] e refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore [P.nr.646/2017] të dt. 28.01.2022. Gjykata Supreme kishte theksuar se nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë indikacion se akuza në rastin konkret është “montazh” dhe se me provat e administruara nuk vihet në dyshim vërtetësia e vendimeve të kontestuara dhe se pretendimi për parashkrim absolut nuk është i bazuar.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës për shkak se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë “gabuar” kur nuk kanë konstatuar se vepra penale që i vihet barrë është subjekt i parashkrimit penal absolut.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutë i janë shkelur për shkak të vlerësimit të “gabuar” të gjykatave rregullta lidhur me çështjen e parashkrimit absolut të veprës penale që atij i vihet barrë.
Në kontekst të parashkrimit absolut penal, parashtruesi i kërkesës pretendon: “Mua mu ka shkel neni 31 i kushtetutës së republikës së Kosovës, e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Vepra penale e parashkruar me datë-26-7/22, gjykata supreme ka vendos me datë 8-11/23, me nr. PML-nr.516/23 dhe ka pas dashur të thirret me aktgjykim të gjykatës së apelit nr. PA1-163/23 datë 27-4/23 kur lënda ka qenë parashkruar, vepra penale, parashkrim absolut. Gjykata e apelit ka vendos 9 muaj pas parashkrimit veprës penale.”
Në fund, parashtruesi i kërkesës shton se në dëm të tij janë shkelur dhe nenet 54 dhe 55 të Kushtetutës por pa dhënë ndonjë arsyetim sesi janë dispozitat kushtetuese në fjalë.
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
Neni 53
[Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut]
“Të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
KODI I PËRKOHSHËM PENAL I KOSOVËS UNMIK/RREG/2003/25
Neni 269
KEQPËRDORIMI I BESIMIT
“(1) Kushdo që gjatë përfaqësimit të interesave pronësore të personit tjetër ose kujdesjes për pasurinë e tij nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes ose personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo ta dëmtojë personin interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij dënohet me gjobë apo me burgim deri në tri vjet.
(2) Nëse veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni e kryen kujdestari apo avokati, kryerësi dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.”
KODI Nr. 04/L-123 I PROCEDURËS PENALE
Neni 390
Seanca para kolegjit të apelit
“1. Kur të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burgim, njoftimi për seancën e kolegjit të apelit i dërgohet prokurorit kompetent të shtetit, të dëmtuarit, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij.
2. Në qoftë se i akuzuari i cili gjendet në paraburgim ose në mbajtje të dënimit dëshiron të merr pjesë në seancë, pjesëmarrja i mundësohet atij.
3. Seanca e kolegjit fillon me raportim të gjyqtarit raportues mbi faktet. Kolegji mund të kërkojë nga palët dhe mbrojtësi që prezantojnë në seancë sqarime të nevojshme lidhur me pretendimet e tyre në ankesë. Palët dhe mbrojtësi mund të propozojnë që për plotësim të raportit të lexohet ndonjë shkresë dhe mund të japin shpjegime të nevojshme për qëndrimet e tyre në ankesë apo përgjigje në ankesë, pa përsëritur përmbajtjen e raportit.
4. Mosardhja e palëve të njoftuara me rregull nuk pengon mbajtjen e seancës së kolegjit. Kur i akuzuari nuk e ka njoftuar gjykatën për ndërrimin e adresës ose të vendqëndrimit, seanca e kolegjit mund të mbahet edhe pa njoftimin e të akuzuarit.
5. Publiku mund të përjashtohet nga seanca e kolegjit që mbahet me prani të palëve vetëm nën kushtet e parapara me këtë kod.
6. Procesverbali i seancës i bashkëngjitet shkresave të gjykatës.
7. Aktvendimet nga nenet 399 dhe 400 të këtij Kodi mund të merren edhe pa njoftimin e palëve për seancën e kolegjit.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës i kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuar me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale) 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, që parashikojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
“Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”
Në vlerësimin e përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë siç janë cekur më lart, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka specifikuar se konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml.nr.516/2023] të Gjykatës Supreme të 8 nëntorit 2023, pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka qartësuar të drejtat dhe liritë që ai pretendon se janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesit e kërkesës kanë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të parapara në rregullin 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 34 (2) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të së cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 34 (2) specifikon:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, kur parashtruesi/ja nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij/saj”.
Gjykata rikujton që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së si dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme në bazë të dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26; shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtruese Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”. ( shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 27, si dhe rastin KI175/20, cituar më lart, paragrafi 38).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin KI04/21, cituar më lart, paragrafi 28).
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me akuzën që i vihej barrë parashtruesit të kërkesës për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i besimit të sanksionuar me nenin 269 të KPP-së. Gjykata Themelore kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të kryerjes së veprës penale të sanksionuar nga neni 269 (keqpërdorim i besimit) të KPP-së dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj. Ky dënim ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 2,000 (dymijë) euro. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar shkelje esenciale dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe lidhur me lartësinë e sanksionit penal. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme miratoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe konstatoi se mos dhënia e mundësisë së parashtruesit të kërkesës që të deklarohet për pretendimet ankimore përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata e Apelit-në procedurë të rigjykimit- sërish e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e kontestuar të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata e Apelit konform dispozitave përkatëse të ligjit procedural penal mbajti seancën e kolegjit dhe në mënyrë të rregullt kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës, i cili kishte qenë i pranishëm në seancë gjyqësore me ç ‘rast ishte deklaruar për pretendimet ankimore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme duke propozuar që e njëjta ta aprovoj kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe që në tërësi të anulojë vendimet e gjykatave të instancës më të ulët bazuar në dispozitat përkatëse të KPPK-së pretenduar se aktakuza e ngritur kundër tij është “montazh” dhe çështja penale është parashkruar. Gjykata Supreme e refuzoi të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës së shkallës së parë. Gjykata Supreme kishte theksuar se nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë indikacion se akuza në rastin konkret është “montazh” dhe se me provat e administruara nuk vihet në dyshim vërtetësia e vendimeve të kontestuara dhe se pretendimi për parashkrim absolut nuk është i bazuar.
Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës shprehimisht pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vlerësimit të “gabuar” të gjykatave të rregullta të parashkrimit absolut të veprës penale keqpërdorim i besimit që atij i vihet barrë. Parashtruesi i kërkesës në thelb pretendon se parashkrimi absolut i veprës penale nuk është arsyetuar mjaftueshëm nga gjykatat e rregullta.
Gjykata konsideron se vlerësimi i procedurave bëhet në tërësi, pra, nëse të njëjtat kanë qenë të drejta ose jo vlerësohet duke pasur parasysh zhvillimin e tyre në tërësi (shih rastet e GJEDNJ-së, Ankerl kundër Zvicrrës, nr. 17748/91, Aktgjykim i 23 tetorit 1996, paragrafi 38; dhe Centro Europa 7 S.r.l. dhe Di Stefano kundër Italisë, nr. 38433/09, Aktgjykim i 7 qershorit 2012, paragrafi 197). Rrjedhimisht, çdo defekt sa i përket korrektësisë së procedurave mundet, në kushte të caktuara, të ndreqet në një fazë të mëvonshme, ose në nivel të njëjtë (shih rastin e GJEDNJ-së Helle kundër Finlandës, nr.157/1996/776/977, Aktgjykim i 19 dhjetorit 1997, paragrafi 54), ose nga një gjykatë më e lartë (shih rastin e GJEDNJ-së Schuler Zgraggen kundër Zvicrës, nr.14518/89. Aktgjykim i 24 qershorit 1993, paragrafi 52).
Në këtë drejtim, Gjykata vë në pah, konstatimet e Gjykatës së Apelit: (i) pretendimi i parashtruesit të kërkesës se aktgjykimi nuk është nënshkruar bazuar në nenin 369.2 të KPP-së, nuk qëndron, sepse duhet pasur parasysh se vula në aktgjykim nuk mund të vendoset po që se aktgjykimi nuk nënshkruhet nga gjyqtari dhe procesmbajtësi dhe se aktgjykimi po ashtu përmban udhëzimin për të drejtën e ankesës, ndërsa kopjet tjera të vërtetuara përmes vulës së gjykatës iu dërgohen palëve; (ii) nuk qëndron as pretendimi i parashtruesit të kërkesës se aktgjykimi ka tejkaluar aktakuzën kur thirret në falsifikim, sepse parashtruesi i kërkesës ka keqpërdorur autorizimin e lëshuar më parë nga i ndjeri M.M., duke ndërmarrë veprime të shitblerjes së pronës, pa njoftuar paraprakisht palën e dëmtuar dhe trashëgimtarët e tij, ndërsa parashtruesi i kërkesës ka falsifikuar vërtetimin se kinse i ndjeri ka pranuar të hollat për shitblerjen e pronës dhe se falsifikimi i vërtetimit është vërtetuar nga Raporti i Ekspertimit të Agjencisë Kosovare për Forenzikë me nr. të referencës AKF-2017-1595/2017-1343; (iii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për parashkrim të veprës penale nuk është i bazuar, kjo pasi që, vepra penale për të cilën parashtruesi i kërkesës është shpallur fajtor është kryer me dt. 26.7.2012, atëherë kur është bërë vërtetimi i kontratës në gjykatë, datë kjo nga e cila kontrata ka filluar të prodhoj efektin juridik, andaj, data në të cilën thirret parashtruesi i kërkesës dt. 17.8.2011, për gjykatën nuk mund të merret e vërtetuar, sepse në këtë çështje penale kemi të bëjmë me keqpërdorim të autorizimit të vërtetuar me prova konkrete; (iv) sa i përket shqiptimit të dënimit më të butë, nuk ka bazë për dënim tjetër nga ai që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, për shkak se veprimet inkriminuese të parashtruesit të kërkesës përmbushen tiparet e figurës së veprës penale të keqpërdorimit të besimit të sanksionuar me nenin 269.2 (keqpërdorimi i besimit) të KPP-së me ç ‘rast parashtruesi i kërkesës i ka sjellë dobi pasurore të paligjshme vetes dhe personit tjetër dhe duke e dëmtuar të ndjerin M.M., dhe interesat e trashëgimtarëve të tij.
Gjykata po ashtu i referohet arsyetimit të Gjykatës Supreme lidhur me pretendimin për parashkrim absolut të veprës penale: “Pretendimet se në rastin konkret ka arritur parashkrimi absolut nuk janë të bazuara. Siç rezulton nga shkresat e lëndës i dënuari është gjykuar për veprën penale, keqpërdorimi i besimit, parashikuar me nenin 269 par. 2 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2004, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe për të cilën sipas këtij kodi parashihej dënimi me burgim prej tre (3) muajve deri në pesë (5) vjet. Sipas nenit 90 par. 1 nënpar.4 të kodit të lartcekur ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë vjet nga kryerja e veprës penale, kurse ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale- afati 10 vjeçar). Vepra penale rezulton të jetë kryer me 26.07.2012 kurse gjykata e shkallës së dytë vendimin e ka marrë me 24.07.2022. Meqë, gjykata e shkallës së dytë vendimin e parë në këtë çështje e ka marrë pa arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, rezulton qartë se në rastin konkret nuk ka rritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, ngase parashkrimi i ndjekjes penale lind me kalimin e kohës së caktuar nga koha e kryerjes së veprës penale deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm të gjykatës, e që rezulton se vendimi është bërë i plotfuqishëm brenda afatit të parashkrimit absolut.”
Nga sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme: (i) kanë dhënë një arsyetim të gjithëpërfshirës të të gjitha çështjeve qendrore të çështjes së parashtruesit të kërkesës që përfshijnë pretendimet për parashkrim të veprës penale, përpilim të aktgjykimit, tejkalim të aktakuzës dhe lartësi të dënimit; (ii) Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme mjaftueshëm kanë arsyetuar parashkrimin absolut penal në rastin e parashtruesit të kërkesës; (iii) Gjykata e Apelit po ashtu mjaftueshëm ka arsyetuar akuzën që rëndonte parashtruesin e kërkesës për shitblerje të pronës dhe falsifikim të vërtetimit.
Në kontekst të pretendimit për parashkrim absolut, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës e ngre këtë pretendim në kuadër të së drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe 6 të KEDNJ-së. Mirëpo, Gjykata vlerëson se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk përmbajnë garanci lidhur me vlerësimin e afatit për parashkrim absolut.
Gjykata vlerëson se pretendimi për parashkrim absolut më shumë mund të shqyrtohet në kuadër të parimit që ndalon dënimin pa ligj siç garantohet me nenin 33 të Kushtetutës dhe nenin 7 të KEDNJ-së. Në këtë drejtim, Gjykata vëren, në njërën anë, se parashtruesi i kërkesës pretendimin për parashkrimin absolut nuk e ka ngritur shprehimisht por as në substancë në kuadër të nenit 33 të Kushtetutës dhe nenit 7 të KEDNJ-së ndërsa, në anën tjetër, gjykatat e rregullta mjaftueshëm kanë arsyetuar parashkrimin absolut penal në rastin e parashtruesit të kërkesës.
Për arsyet e dhëna si më sipër, Gjykata vlerëson se pretendimi specifik për parashkrim absolut është i pabazuar.
Gjithnjë në kontekst të vlerësimit të korrektësisë së procedurave në tërësi, Gjykata vëren se Gjykata Supreme kishte kthyer çështjen për rigjykim tek Gjykata e Apelit për shkak të shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së me arsyetimin se parashtruesit i kërkesës nuk i ishte dhënë mundësia që të deklarohet për pretendimet ankimore në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit. Kjo tregon se gjykatat e rregullta kanë dëshmuar “zellin e duhur” (due diligence) në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rithekson se vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta janë të arsyetuara dhe përmbajnë fakte të vërtetuara, dispozitat ligjore përkatëse dhe marrëdhënien logjike midis tyre. (shih rastet e Gjykatës, nr. KI174/21 parashtrues Bashkim Makiqi, cituar më lart, paragrafi 58 dhe nr. KI72/12, parashtrues Veton Berisha dhe Ilfete Haziri, aktgjykim i 17 dhjetorit 2012, paragrafi 61, dhe nr. KI135/14, IKK Classic, aktgjykim i 9 shkurtit 2016, paragrafi 58).
Sa i përket pretendimeve për zbatim të gabuar të ligjit nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, Gjykata ka pohuar vazhdimisht se nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. (Shih, në këtë kontekst, rastin e GJEDNJ-së García Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28 dhe referencat e përdorura aty; dhe shih, gjithashtu rastet e Gjykatës KI128/18 parashtrues Limak Kosovo International Airport Sh.A. “Adem Jashari”, Aktvendim për Papranueshmëri i 27 majit 2019, paragrafi 56; dhe KI62/19 parashtrues Gani Gashi, Aktvendim për papranueshmëri i 13 nëntorit 2019, paragrafi 58).
Gjykata vlerëson se është shumë e rëndësishme që parashtruesit të kërkesës i është dhënë mundësia që të deklarohet për pretendimet ankimore në kushte të barabarta me palët kundërshtare çka është në përputhje me parimin e barazisë së armëve si komponentë e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Për këto arsye, në rastin konkret nuk ka arsye me peshë (weighty reason) që të bind Gjykatën që ta tejkalojë parimin e subsidiaritetit dhe të vë në diskutim gjykimin e gjykatave të rregullta përkitazi me parashkrimin absolut të veprës penale (shih, mutatis mutandis, rastin e Gjykatës KI185/22 parashtrues Salih Topalli, aktvendim për papranueshmëri i 8 shkurtit 2023, paragrafi 48).
Duke vlerësuar procedurat e zhvilluara në tërësi në gjykatat e rregullta, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ai ishte në gjendje të paraqes në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ai i konsideroi të rëndësishme për rastin e tij; ai ka pasur mundësinë të hedhë poshtë në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta dëgjuan dhe shqyrtuan të gjitha pretendimet e tij, të cilat, shikuar objektivisht, ishin të rëndësishme për zgjidhjen e rastit; arsyet faktike dhe ligjore për vendimin e kontestuar janë dhënë në hollësi dhe procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta (shih mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafët 29 dhe 30, shih gjithashtu rastin e Gjykatës nr. KI22/19, parashtrues Sabit Ilazi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 qershorit 2019, paragrafi 42).
Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të refuzohen qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 54 dhe 55 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se këto pretendime nuk do t’i nënshtrohen vlerësimit kushtetues për shkak se nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është trajtuar më parë në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e Gjykatës KI185/22 parashtrues Salih Topalli, cituar më lart, paragrafi 56 dhe referencat e përmendura aty).
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 27 mars 2024,
VENDOS
TA DEKLAROJË, me gjashtë (6) vota për dhe tre (3) kundër, kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Naser Husaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale