Aktgjykim

Për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.114/2022] të 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë

Nr. të lëndës KI90/23

Parashtruesit: Shqipdon Fazliu

Shkarko:

KI90/23, Parashtrues: Shqipdon Fazliu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.114/2022] të 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë

KI90/23, Aktgjykim i 28 shtator 2023, publikuar më 11 tetor 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person fizik, aktgjykim, e drejta për qasje në drejtësi, nuk ka shkelje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI90/23, me parashtrues Shqipdon Fazliu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ARJ.nr.114/2022] të 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi i Gjykatës sqaron që në rrethanat e rastit konkret, para Gjykatës janë kontestuar vendimet e lartcekura të gjykatave të rregullta, të cilat kanë refuzuar si të pasafatshme padinë për inicimin e konfliktit administrativ të parashtruesit të kërkesës kundër vendimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPK), të 6 prillit 2022, lidhur me propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit të Republikës së Kosovës. Aktgjykimi rikujton që thelbi i rrethanave të këtij rasti ndërlidhet me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, përmes konkursit të shpallur më 14 janar 2022, si rrjedhojë e të cilit, KPK kishte votuar dhe propozuar për emërim Presidentes së Republikës së Kosovës kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit. Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar vlerësimin e Panelit vlerësues të KPK-së, sipas të cilit, i njëjti ishte radhitur i dyti, duke iu drejtuar fillimisht Komisionit për rishqyrtim brenda KPK-së. Ky komision i kishte shqyrtuar pretendimet e tij, duke (i) refuzuar si të pabazuara pretendimet përkatëse lidhur me moszbatim të Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial dhe Rregullores nr.06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës; por duke (ii) rekomanduar që të miratohen pjesërisht kundërshtimet e parashtruesit të kërkesës, vetëm sa i përket pretendimit për poentim, me propozimin që anëtarët e Panelit vlerësues të rishikojnë edhe një herë procesin rreth arsyetimit të poentimit përkatës. Më 6 prill 2022, KPK kishte nxjerrë dy vendime, përkatësisht (i) Vendimin [Nr.474/2022] e KPK-së për refuzimin e Raportit të Komisionit për rishqyrtim; dhe (ii) Vendimin [KPK/Nr.475/2022] e KPK-së për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit. Më 28 prill 2022, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të lartcekura në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, përmes Aktvendimit për Papranueshmëri në rastet e bashkuara KI57/22 dhe KI79/22, më 4 korrik 2022, kishte vendosur se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme për shqyrtim në merita për arsye procedurale, përkatësisht sepse kërkesa e parashtruar nuk plotësonte kriterin kushtetues të shterimit të mjeteve juridike të përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës.

Aktgjykimi i Gjykatës më tej sqaron që, më 28 korrik 2022, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Themelore padi për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin e sigurimit të kërkesëpadisë me masën e përkohshme, përkatësisht me kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara të KPK-së. Më saktësisht, para Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte ngritur pretendime lidhur me (i) afatshmërinë e padisë përkatëse; dhe (ii) ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendimeve të kontestuara të KPK-së. Përkitazi me çështjen e parë, përkatësisht afatshmërinë e kërkesës, parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash, pretendonte që padia e tij duhet të konsiderohej e afatshme bazuar në paragrafin 2 të nenit 28 (pa titull) dhe nenin 63 (pa titull) të Ligjit Nr.03/L-202 për Konfliktet Administrative dhe/ose që afati për inicimin e konfliktit administrativ duhet të kthehej në gjendjen e mëparshme bazuar në nenet 129 (pa titull) dhe 130 (pa titull) të Ligjit Nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore. Sipas parashtruesit të kërkesës dhe bazuar në nenet e lartcekura, padia në Gjykatën Themelore duhej të konsiderohej si e paraqitur brenda afatit sepse edhe pse nuk i ishte paraqitur me kohë Gjykatës Themelore, e njëjta i ishte paraqitur me kohë “organit jo-kompetent”, përkatësisht Gjykatës Kushtetuese, si rezultat i “mos dijës apo e gabimit të hapur të paraqitësit”, përkatësisht të parashtruesit të kërkesës. Kjo, sipas pretendimit të parashtruesit të kërkesës, ndër tjerash sepse i njëjti kishte pritje që në rastin e tij Gjykata Kushtetuese do të vendoste njëjtë si në rastin KI99/14 dhe KI100/14 lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së propozimit të Kryeprokurorit të Shtetit nga KPK në vitin 2014. Ndërsa, përkitazi me çështjen e dytë, përkatësisht meritat e padisë përkatëse, parashtruesi i kërkesës, në esencë, kishte ngritur pretendime lidhur me (i) ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores së KPK-së për Emërimin e Kryeprokurorit; dhe (ii) mënyrën e poentimit nga anëtarët e Panelit vlerësues të KPK-së, duke kontestuar, ndër tjerash, zbritjen e pikëve nga ato maksimale sipas kritereve të vlerësimit të përcaktuara përmes Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit, pa arsyetimin e nevojshëm dhe/ose përmbajtjen e arsyetimit përkatës.

Gjykatat e rregullta, përkatësisht Gjykata Themelore, e Apelit dhe Supreme, refuzuan padinë e parashtruesit të kërkesës si të pasafatshme, duke theksuar, ndër tjerash, që bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative (i) padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar palës ose nëse akti administrativ nuk i është dorëzuar, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e dorëzimit të aktit administrativ palës në favor të së cilës është nxjerrë akti; ndërsa (ii) në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, padia lidhur me vendimet e KPK-së të 6 prillit 2022, është paraqitur më 28 korrik 2022 dhe për pasojë, kjo padi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm, përkatësisht Ligjin për Konfliktet Administrative. Në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës, që padia do të duhej të konsiderohej e afatshme bazuar në nenin 28 të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe nenet 129 dhe 130 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, sepse si pasojë e “mos dijës apo gabimit të hapur të paraqitësit”, padia i ishte dorëzuar “organit jo-kompetent”, përkatësisht Gjykatës Kushtetuese, gjykatat e rregullta, në esencë, theksuan që këto dispozita nuk janë të aplikueshme në rrethanat e rastit përkatës. Kjo, ndër tjerash, sepse për të qenë i aplikueshëm neni 28 i Ligjit për Konfliktet Administrative, përkatësisht për t’u konsideruar padia përkatëse e afatshme, duhet të plotësohen dy kushte kumulative, përkatësisht që (i) padia të jetë dorëzuar para “organit jo-kompetent” si pasojë e “mos dijës apo e gabimit të hapur të paraqitësit”; dhe (ii) të ketë “arritur” në gjykatën kompetente pas skadimit të afatit për paraqitjen e padisë. Sipas sqarimeve të dhëna nga gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret (i) parashtruesi i kërkesës nuk ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i “mos dijës apo e gabimit të hapur” të tij sepse i njëjti, në këtë gjykatë ka dorëzuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të KPK-së; (ii) Gjykata Kushtetuese nuk mund të cilësohet si “organ jo-kompetent” për qëllime të këtij neni, sepse e njëjta ka vendosur lidhur me kërkesën e parashtruesit të kërkesës; (iii) padia e dorëzuar në “organin jo-kompetent” duhet të ketë “arritur” në Gjykatën Themelore pas afatit përkatës, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencën për të referuar/dorëzuar rastin në Gjykatën Themelore; dhe për më tepër (iv) bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, përkatësisht dispozitat relevante të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjin për Procedurën Kontestimore, afatet për inicimin e konfliktit administrativ dhe gjykata me kompetencë për të shqyrtuar të njëjtin, përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore, janë qartësisht të përcaktuara. Në fund, gjykatat e rregullta gjithashtu theksuan që, nenet 129 dhe 130 të Ligjit për Procedurën Kontestimore lidhur me kthimin në gjendjen e mëparshme, janë të aplikueshme për afatet procedurale gjatë shqyrtimit procedural të një rasti dhe nuk vlejnë për rivendosjen e afatit ligjor për paraqitjen e padisë, siç pretendon parashtruesi i kërkesës në rrethanat e rastit konkret.

Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës kontestoi vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, duke pretenduar që të njëjtat janë nxjerrë, ndër tjerash, në cenim të së drejtës së tij për qasje në drejtësi të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës, ndër tjerash, thekson që (i) kërkesa e parë e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, pa i shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj, është dorëzuar bazuar në praktikën paraprake të kësaj Gjykate, respektivisht bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës në rastet KI99/14 dhe KI100/14, por edhe në rastet KI34/17 e KI55/17, përmes të cilave ishte vlerësuar kushtetutshmëria e zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe të Apelit, respektivisht; dhe për pasojë, kishte pritje të arsyeshme që Gjykata Kushtetuese do të trajtonte edhe kërkesën e tij për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara të KPK-së; dhe (ii) pas vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese në rastin KI57/22 dhe KI79/22, i njëjti i është drejtuar Gjykatës Themelore përmes inicimit të konfliktit administrativ me padi, duke pretenduar, ndër tjerash, që padia e tij në Gjykatën Themelore, bazuar në dispozitat e ligjit të aplikueshëm duhet të trajtohet si e afatshme, sepse si pasojë e “mos dijës apo gabimit të hapur të paraqitësit”, kërkesa për vlerësimin e vendimeve të kontestuara të KPK-së i është dorëzuar “organit jo-kompetent”, përkatësisht Gjykatës Kushtetuese dhe që për pasojë ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, bazuar në të cilat, Gjykata Themelore duhet të kishte lejuar kthimin në gjendjen e mëparshme për afatin e inicimit të konfliktit administrativ.

Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Aktgjykimi fillimisht sqaron që (i) për dallim nga rasti KI57/22 dhe KI79/22, përmes të cilit janë kontestuar vendimet përkatëse të KPK-së dhe është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë si dhe shpallja e tyre në kundërshtim me Kushtetutën; në rrethanat e rastit konkret (ii) para Gjykatës, kontestohet Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, përmes të cilit është konfirmuar vendimmarrja e Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore lidhur me pasafatshmërinë e padisë së parashtruesit të kërkesës lidhur me inicimin e konfliktit administrativ kundër vendimeve të kontestuara të KPK-së, me kërkesën që të njëjtat, përkatësisht vendimet e gjykatave të rregullta, të shpallen në kundërshtim me Kushtetutën dhe që vlerësimi i vendimeve të KPK-së përkitazi me propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit, të kthehet në rivendosje në Gjykatën Themelore.

Aktgjykimi fillimisht nënvizon që të gjitha sqarimet e nevojshme përkitazi me shpalljen e papranueshme të kërkesës së parë të parashtruesit për shkak të mospërmbushjes së detyrimit kushtetues për shterimin e mjeteve juridike të përcaktuara me ligj, janë dhënë në Aktvendimin për Papranueshmëri në rastin KI57/22 dhe KI79/22 të publikuar më 25 korrik 2022. Ndërsa, në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të kontestuar në rastin konkret, Aktgjykimi i Gjykatës vlerëson pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me cenimin e të drejtës së tij për qasje në drejtësi si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta, bazuar në të cilat, inicimi i konfliktit administrativ kundër vendimeve të kontestuara të KPK-së, është shpallur i pasafatshëm. Në këtë kontekst, Aktgjykimi fillimisht shtjellon (i) parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për qasje në drejtësi të zhvilluara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ajo e Gjykatës, me theks në të gjitha ato raste në të cilat është trajtuar cenimi ose jo i të drejtës për qasje në drejtësi, si rezultat i interpretimit/aplikimit të afateve procedurale për inicimin e kontesteve në procedurë administrative/civile; dhe më pas, (ii) ka aplikuar të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë kontekst, Aktgjykimi sqaron që sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësimi nëse si rezultat i interpretimit/aplikimit të afateve procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme mund të jetë cenuar e drejta e qasjes në drejtësi, e garantuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet t’i nënshtrohet testit të (i) qëllimit legjitim; dhe (ii) proporcionalitetit. Në kontekst të kriterit të parë, përkatësisht qëllimit legjitim, praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është konsistente në atë se respektimi i afateve procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ndjek qëllimin legjitim të administrimit të duhur të drejtësisë dhe respektimit të parimit të sigurisë juridike. Ndërsa, në kontekst të kriterit të dytë, përkatësisht proporcionalitetit, praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjerash, thekson që gjykatat duhet të shmangin edhe formalizmin por edhe fleksibilitetin e tepruar në interpretimin e afateve procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme me qëllim të mbrojtjes së parimit të sigurisë juridike. Në parim, dhe siç sqarohet detajisht në Aktgjykim, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar shkelje të së drejtës për qasje në drejtësi, në kontekst të interpretimit të afateve procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, kryesisht atëherë kur autoritetet përkatëse publike kanë llogaritur afatet procedurale për inicimin e padive dhe/ose ushtrimin e ankesave nga momenti i vendimmarrjes dhe jo nga ai i publikimit të vendimeve të kontestuara, duke u pamundësuar dhe/ose vënë barrë joproporcionale palëve përkatëse që të ushtrojnë të drejtat e tyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme. Në anën tjetër, duke mos konstatuar shkelje të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kontekst të cenimit të së drejtës në qasje në drejtësi, edhe në rastet kur vet autoritetet publike kanë këshilluar gabimisht palët përkatëse lidhur me afatet procedurale për inicimin e padive dhe/ose ushtrimin e ankesave, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vënë theks, në parim dhe ndër tjerash, në faktin që palët bartin detyrimin për të vepruar me kujdesin e duhur dhe bazuar në afatet procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, me theks në rrethanat kur ato përfaqësohen në procedurat përkatëse nga përfaqësues të autorizuar.

Në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, nuk është kontestuese që padia për inicimin e konfliktit administrativ kundër vendimeve të kontestuara të KPK-së është paraqitur jashtë afateve ligjore të përcaktuara në Ligjin për Konfliktet Administrative. Ndërsa, të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, që (i) padia e tij në Gjykatën Themelore do të duhej të konsiderohej e afatshme sepse si pasojë e “mos dijës apo gabimit të hapur të paraqitësit” është dorëzuar në një “organ jo-kompetent”, përkatësisht në Gjykatën Kushtetuese; dhe se për pasojë, (ii) afatet për inicimin e padisë do të duhej të kthehen në gjendjen e mëparshme, janë trajtuar dhe arsyetuar nga tri gjykata të rregullta, dhe Gjykata, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, vlerëson që arsyetimet e gjykatave të rregullta nuk ngërthejnë formalizëm të tepruar dhe/ose arbitraritet në interpretimin e ligjeve të aplikueshme. Në konstatimin që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata gjithashtu vuri theks në faktin që (i) respektimi i afateve procedurale të përcaktuara në ligjet e aplikueshme ndjek qëllimin legjitim të respektimit të parimit të sigurisë juridike; dhe (ii) në rrethanat e rastit konkret, interpretimi i gjykatave të rregullta është gjithashtu proporcional në raport me mbrojtjen e këtij parimi, duke vënë theks gjithashtu në faktin që, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës, palët gjithashtu bartin përgjegjësinë për respektimin e kërkesave të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, përkatësisht të ndjekin afatet dhe procedurat përkatëse sipas përcaktimeve ligjore.

Parashtruesit:

Shqipdon Fazliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile