KI62/23, Parashtrues i kërkesës: Masar Dushi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-1-22-0652-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 12 janarit 2023
KI62/23, Aktvendim për papranueshmëri i 13 shkurtit 2024, i publikuar 22 mars 2024
Fjalët kyç: kërkesa individuale, caktim i masës së sigurisë, qartazi të pabazuara.
Parashtruesi i kërkesës, më 2 maj 2019, ka lidhur Kontratën e qirasë për lokalin afarist me sipërfaqe prej 141 m² me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), si përfaqësuese e Ndërmarrjes Shoqërore NSH “Enti i Projektimit – Ening”. Në pajtim me nenin 1 pika 1.2 të Kontratës, ishte paraparë që kontrata lidhet për periudhën kohore prej 6 muajsh dhe se e njëjta mund të ripërtërihet në mënyrë automatike edhe për 6 muaj të tjerë, përveç nëse AKP si qiradhënëse të parashtronte një njoftim paraprak për shkëputje të kontratës. Kontrata e qirasë është vazhduar përmes anekseve edhe tri herë nga parashtruesi i kërkesës dhe AKP. Më 5 dhe 6 prill 2022, AKP inicioi procedurën e largimit të parashtruesit të kërkesës nga lokali afarist i lëshuar me qira. Parashtruesi i kërkesës, duke konsideruar se AKP në mënyrë të kundërligjshme kishte ndërmarrë veprimin e largimit të tij, inicioi procedurën gjyqësore.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadinë në Gjykatën Themelore, në të cilën kërkoi: i) ekzekutimin e kontratës dhe kthimin e pronës-paluajtshmërisë në posedim të tij, si dhe ii) caktimin e masës së sigurisë.
Në rastin konkret, gjykata e rregullta kanë vendosur vetëm lidhur me çështjen (ii) e caktimit të masës së sigurisë, duke konsideruar se kërkesa është e pabazuar.
Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesë në Gjykatë, duke konsideruar se me të tilla vendime janë shkelur nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës si dhe neni 6 (E drejta për një proces të rregullt) i KEDNJ-së.
Gjykata ka shqyrtuar kërkesën e parashtruesit duke aplikuar praktikën e GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, duke konstatuar se kërkesa e parashtruesit është e pabazuar në përputhje me rregullin 34.2 të Rregullores së punës.
Masar Dushi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile