Vendimet e publikuara gjatë muajit mars 2023

14.04.2023

Gjatë muajit mars 2023, në Gjykatën Kushtetuese:

• janë shqyrtuar 12 raste;
• janë marrë vendimet për 11 raste;
• janë publikuar 12 vendime;

Në ueb-faqen e Gjykatës janë publikuar: katër (4) Aktgjykime dhe tetë (8) Aktvendime për papranueshmëri.

Aktgjykimet
___________________________________________________________________________________________________

1. KI36/22
Parashtrues: “Matkos Group” sh.p.k.
Publikuar më: 8 mars 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. nr. 116/2021] të 28 tetorit 2021, e cila miratoi propozimin e dy organizatave joqeveritare dhe nxori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë kompetente për mjedisin, përkatësisht lejes ujore dhe mjedisore të parashtruesit të kërkesës, derisa Gjykata Themelore të marrë vendim përfundimtar për meritat e rastit. Gjykata gjeti se, në rastin konkret janë shkelur të drejtat dhe liritë e themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi Gjykata Supreme nuk i ka shqyrtuar plotësisht dhe qartë faktet vendimtare dhe kërkesat ligjore të përcaktuara në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat i referohen lejimit të shtyrjes së ekzekutimit të vendimeve, dhe si rrjedhojë Gjykata Supreme ka bërë interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit.
Tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI185/21
Parashtrues: “CO COLINA” sh.p.k.
Publikuar më: 15 mars 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Ligjit nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. UZVP. nr. 83/2021], të 7 shtatorit 2021, që kishin rezultuar në revokimin e licencës së biznesit të tij para afatit për të cilin ishte dhënë dhe gjeti shkelje të (i) nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; si dhe (ii) nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi gjykatat e rregullta (i) nuk kishin zbatuar garancitë kushtetuese në vlerësimin e ligjshmërisë së revokimit të licencës së vlefshme të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht pretendimeve përkatëse për shkeljen e të drejtës në pronë siç është e garantuar me Kushtetutë; dhe për më tepër, (ii) nuk kishin dhënë arsyetim adekuat për mos-referim të çështjes në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit kontestues, përkundër kërkesave të vazhdueshme të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, sa i përket vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndalimin e Lojërave të Fatit, Gjykata vlerësoi se, Gjykata nuk mund ta trajtojë kushtetutshmërinë e Ligjit në fjalë pasi për të bërë një gjë të tillë është e nevojshme, mes tjerash, që parashtruesi i kërkesës të jetë drejtpërsëdrejti i afektuar nga ligji në fjalë dhe që të mos ketë akt të ndërmjetëm, përkatësisht masë zbatuese nga autoriteti publik lidhur me ligjin në fjalë. Megjithatë, në rastin konkret kishte ekzistuar një masë zbatuese lidhur me Ligjin në fjalë, përkatësisht, Njoftimi i Administratës Tatimore, përmes së cilit ishte revokuar licenca e parashtruesit të kërkesës para skadimit të afatit të saj dhe të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar në gjykata të rregullta.
Tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI129/21
Parashtrues: Velerda Sopi
Publikuar më: 22 mars 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e “veprimeve dhe mosveprimeve” të Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që ndërlidheshin me vdekjen e S.M., si rezultat i dhunës në familje të ushtruar ndaj saj nga L.S., dhe konstatoi cenim të së (i) drejtës për jetë të garantuar me nenin 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; si dhe të (ii) detyrimeve të autoriteteve shtetërore të përcaktuara me nenet: 18 (Detyrimet e përgjithshme), 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme) dhe 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, përkatësisht Konventës së Stambollit, pasi autoritetet kompetente lidhur me dhunën në familje ndaj viktimës: (i) nuk kanë reaguar menjëherë; (ii) nuk kanë bërë një vlerësim të mirëfilltë të rrezikut, i cili duhet të jetë autonom, proaktiv dhe i menjëhershëm; (iii) në rrethanat e rastit konkret, dhe marrë parasysh që L.S. ishte i dënuar paraprakisht për veprën penale të dhunës në familje, ishin në dijeni apo ishin dashur të jenë në dijeni në lidhje me rrezikun e menjëhershëm dhe real për jetën e S.M.-së; dhe (iv) nuk kishin ndërmarrë masa parandaluese për të mbrojtur apo parandaluar privimin nga jeta të S.M-së.
Tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

4. KI108/22
Parashtrues: “Metalinvest” sh.a.
Publikuar më: 27 mars 2023

Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC–I–19–0213] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 16 marsit 2022, duke konstatuar se, parashtruesit të kërkesës i ishin mohuar garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës nuk ishte mbajtur seancë dëgjimore publike para Kolegjit të Specializuar dhe atij të Apelit, përkundër faktit që Kolegji i Apelit nuk kishte trajtuar “çështjet ekskluzivisht ligjore ose të natyrës së lartë teknike”, çështje këto bazuar në të cilat do të mund të kishin ekzistuar “rrethana të jashtëzakonshme” që do të justifikonin mungesën e një seance dëgjimore.
Tekstin e plotë të Aktgjykimit dhe të përmbledhjes në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, dhe në gjuhën angleze, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Aktvendimet për papranueshmëri
_______________________________________________________________________________________________

I.
Në pesë (5) nga Aktvendimet për papranueshmëri të publikuara nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se të njëjtat janë të pabazuara, bazuar në paragrafin (2) të rregullit 39 (Kriteret e provueshmërisë) të Rregullores së punës sepse pretendimet e parashtruesve të kërkesave përkatëse hyjnë në kategorinë e “shkallës së katërt”, pasi që dhe ndër tjerash, reflektojnë pretendime të argumentuara në nivel “ligjshmërie” dhe jo “kushtetutshmërie”, dhe/ose të njëjtat janë “të pambështetura apo të paarsyetuara”.

Këto Aktvendime përfshijnë rastet në vijim:

1. KI10/23
Parashtrues: Besim Gashi
Publikuar më: 14 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml. nr. 12/2023], të 16 janarit 2023.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI185/22
Parashtrues: Salih Topalli
Publikuar më: 22 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ nr.35/2022], të 4 gushtit 2022.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

3. KI126/22
Parashtrues: Gëzim Bajrami
Publikuar më: 22 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 116/2022], të 6 majit 2022.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

4. KI89/22
Parashtrues: Xhelal Plakolli
Publikuar më: 27 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Pml.nr. 88/22], të 21 marsit 2022.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

5. KI65/22
Parashtrues: Shoqëria “Fitorja” sh.p.k.
Publikuar më: 27 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ.nr.134/2021], të 29 dhjetorit 2021.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

II.
Në dy (2) nga Aktvendimet për papranueshmëri të publikuara nga Gjykata, kjo e fundit konstatoi se kërkesat e parashtruesve janë dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, të përcaktuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe paragrafin (1)(c) të Rregullit 39 të Rregullores së punës.

Këto Aktvendime përfshijnë rastet në vijim:

1. KI68/22
Parashtrues: Shaban Gashi
Publikuar më: 21 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [ARJ-UZVP. nr. 10/2020], të 14 janarit 2020.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

2. KI218/22
Parashtrues: Sadri Rexhepi
Publikuar më: 21 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr.582/21], të 28 shkurtit 2022.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar në këtu

III.
Në një (1) Aktvendim për papranueshmëri, të publikuar nga Gjykata më 31 mars 2023, kjo e fundit konstatoi që kërkesa e parashtruesit përkatës është e papranueshme bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 49 (Afatet) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe paragrafin (1)(c) dhe 3 (b) të Rregullit 39 të Rregullores së punës, pjesërisht për shkak të mos paraqitjes së saj brenda afatit katër (4) mujor dhe pjesërisht ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës.

1. KI167/22
Parashtrues: Fatos Kakeli
Publikuar më: 31 mars 2023

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev.nr. 373/2021], të 6 tetorit 2021.
Tekstin e plotë të Aktvendimit dhe përmbledhjes përkatëse, në dy gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, mund ta lexoni duke klikuar këtu

Vërejtje:

Ky njoftim është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Tekstet e plota të vendimeve u janë dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në raste dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara.