Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. nr. 116/2021] të 28 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI36/22

Parashtruesit: “MATKOS GROUP” sh.p.k.

Shkarko:

KI36/22, Parashtrues“MATKOS GROUP” sh.p.k., vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [ARJ. nr. 116/2021] të 28 tetorit 2021

KI36/22, Aktgjykim i 18 janarit 2023, publikuar më 8 mars 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, interpretim qartazi i gabuar dhe arbitrar i ligjit, masë sigurie, masë e përkohshme, procedurë paraprake 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me vendimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit përkitazi me dhënien e lejeve ujore dhe mjedisore,  bazuar në Ligjin nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës dhe Ligjin nr. 03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilat i kishin mundësuar parashtruesit të kërkesës të investojë në ndërtimin e infrastrukturës për hidrocentrale, me qëllim të kryerjes së veprimtarisë së tij afariste të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme. Dy organizata joqeveritare e kontestuan ligjshmërinë e këtyre vendimeve përmes padive në Gjykatën Themelore, ku ndër të tjera, propozuan shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë deri në zgjidhjen e meritave të rastit.

Gjykata Themelore e kishte aprovuar si të bazuar propozimin e dy organizatave joqeveritare dhe nxori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të Ministrisë kompetente për mjedisin, përkatësisht lejes ujore dhe mjedisore, derisa Gjykata Themelore të marrë vendim përfundimtar për meritat e rastit. Pas ankesës së bërë nga parashtruesi i kërkesës, në cilësi të palës së interesuar, Gjykata e Apelit e anuloi aktvendimin e shkallës së parë dhe e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore për rivendosje. Pas procedurës së përsëritur, Gjykata Themelore sërish e aprovoi si të bazuar propozimin e paditësve dhe shtyu ekzekutimin e vendimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, përkatësisht të vendimit për miratimin e lejes ujore, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata përkitazi me padinë e paditësve. Pas kësaj, duke vendosur sipas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin e shkallës së parë në atë mënyrë që refuzoi propozimin e organizatave joqeveritare për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit për miratimin e lejes ujore, deri ne vendimin përfundimtar lidhur me padinë e paditësve. Duke vendosur lidhur me kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të organizatave joqeveritare, Gjykata Supreme miratoi kërkesën e tyre, e anuloi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe e vërtetoi Aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si pasojë e mungesës të një vendimi gjyqësor të arsyetuar dhe interpretimit të gabuar të ligjit, në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me theks të veçantë në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Supreme.

Gjatë vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me arsyetimin e vendimeve gjyqësore dhe interpretimin qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit, dhe më pas (ii) zbatoi të njëjtat parime në rrethanat e rastit konkret. Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se, Gjykata Supreme, përveç përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk ka dhënë shpjegime të mjaftueshme lidhur me kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve të Ministrisë kompetente për Mjedisin. Përveç kësaj, dhe përkundër faktit se mungesa e shqyrtimit të këtyre dispozitave të Ligjit për Konfliktet Administrative është theksuar në vazhdimësi në instancat gjyqësore përmes ankesave përkatëse nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme pranoi qëndrimin e Gjykatës Themelore, duke mos i shqyrtuar argumentet e thelbësore të parashtruesit përkatës.

Gjykata, duke bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të rrethanave të rastit konkret konstatoi se, Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në lidhje me aktvendimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, nuk i ka shqyrtuar plotësisht dhe qartë faktet vendimtare dhe kërkesat ligjore të përcaktuara në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative, të cilat i referohen lejimit të shtyrjes së ekzekutimit të dy vendimeve të Ministrisë kompetente për mjedisin, dhe si rrjedhojë të njëjtat janë përfshirë me interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit, që rezultoi në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës. Gjykata gjithashtu theksoi që tashmë praktika e saj gjyqësore në këtë kontekst është tejet e konsoliduar, dhe ka mbajtur qëndrim të njëjtë edhe në tri Aktgjykime paraprake, përkatësisht në rastet KI75/21, parashtrues: “Abrazen LLC”, “Energy Development GroupKosovaLLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, Aktgjykim i 19 janarit 2022; KI202/21, parashtrues: “Kelkos Energy” sh.p.k, Aktgjykim i 29 shtatorit 2022; dhe KI143/22, parashtrues: Hidroenergji sh.p.k., Aktgjykim i 15 dhjetorit 2022, duke theksuar, ndër tjerash, që vendosja e masave të përkohshme, përkatësisht pezullimi i ekzekutimit të vendimeve deri në zgjidhjen meritore të rastit, duhet të jetë i arsyeshëm, proporcional dhe i bazuar në një arsyetim të detajuar të përmbushjes së kritereve të përcaktuara në këtë kontekst, në dispozitat e Ligjit për Konfliktet Administrative.

Gjykata tutje theksoi se, Aktgjykimi i saj është nxjerrë vetëm përkitazi me procedurën për pezullimin e vendimeve të kontestuara për lëshimin e lejes ujore dhe asaj mjedisore nga Ministria përkatëse për Mjedis në gjykatat e rregullta, deri sa këto të fundit të vendosin lidhur me meritat e padisë. Çështja e ligjshmërisë së vendimeve të kontestuara të Ministrisë përkatëse për Mjedis është në shqyrtim para gjykatave të rregullta dhe Aktgjykimi i Gjykatës në këtë rast në asnjë mënyrë nuk paragjykon vendimmarrjen e tyre përkitazi me padinë ndaj vendimeve të kontestuara të kësaj ministrie.

Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktgjykimi [ARJ. nr. 116/2021] i Gjykatës Supreme i 28 tetorit 2021 është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së një vendimi gjyqësor të arsyetuar dhe interpretimit dhe zbatimit arbitrar të ligjit, dhe e ktheu rastin për rishqyrtim në Gjykatën Supreme. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues.

Parashtruesit:

“MATKOS GROUP” sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Vendim për masë të përkohshme

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative